Çerçiz Loloçi: Mbi zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
Gjithmonë e pres me kënaqësi ftesën nga publicisti dhe poeti Jaho Margjeka në emisionin e përjavshëm “Pa kufij”, çdo të enjte, që realizohet njëherësh nga Radio Tirana, Radio Kosova, Radio Shkupi dhe Radio Mali i Zi, një netuork radiosh nga më të ndjekurit që bashkon shqiptarët e të gjitha hapësirave, me emigracion të hershëm dhe të ri.
Kësaj radhe tema e debatit ishte “Situata politike pas zgjedhore në Maqedoninë e Veriut”! Bashkë me Jaho Mergjekën, moderatorë të tjerë ishin Mirvete Uka, Memedali Jusufi, që kishte radhën e moderimit dhe Senad Gilaj. Përveç meje në këtë bashkëbisedim ishin të ftuar prof. dr. Nuri Bexheti në Kosovë, analisti Besim Hoda në Radion e Shkupit dhe Admir Nikaj, nënkryetar i Komunës së Tuzit.
Zgjedhjet në katër komuna, të zhvilluara së fundi, pas një krize të gjatë politike dhe me një qeveri teknike, nuk e kanë zgjidhur krizën politike në Maqedoninë e Veriut, por gjëja e parë që të bie në sy është defaktorizimi i klasës politike që përfaqëson shqiptarët. Dikur ata ishin një zë i fuqishëm me përqindje dhe përfaqësues që kontribuan ndjeshëm në integrimet euroatlantike të këtij shteti të brishtë, ndërsa tani, për shkak të mosrinovimit të elitave, të korrupsionit, të sherrnajave të brendshme janë bërë të pëpërfillshëm.
Një shtet që ka në themel dy bashkësi shtetformuese, maqedonasit dhe shqiptarët, nuk mund të ketë qetësi kur këto raporte prishen, por në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe vendore, një pjesë të konsiderueshme të gabimit e kanë vetë shqiptarët që shndërrohen në të pandikueshëm dhe të pavlefshëm.
Ndoshta në këtë gjendje mund te ketë gabim edhe Tirana zyrtare që e ka detyrim kushtetues për të përkujdesur për bashkëkombasit e vet në disa shtete, gjithashtu mund te ketë sjellje jo të duhura nga Prishtina po zyrtare, por më shumë se këto shqetësimet duhet të gjenden brenda formacioneve politike në Maqedoninë e Veriut.
Nuk ka shtet tjetër sot në botë që merr dhe ushtron përgjegjësi planetare, por presidenti ka mandat të kufizuar, vetëm dy, ndërsa në viset tona të lashtë politikanët janë shndërruar në komadantë guerriljesh që ikin nga politika vetëm me vdekjen.
Pra një demokratizim i partive, një riardhje e gjeneratave të reja, një konkurencë e ndershme, një bashkërendim më i mirë mes faktorit politik do të sillte tjetër panoramë dhe do të krijonte një treg panshqiptar, që nuk dëmton askënd, madje ndihmon edhe fqinjët historikë. Nuk ka asnjë pengesë që trau doganor mes katër shteteve të mos jetë aty ku gjendet sot, por në Durrës dhe kjo do t’i sillte një zhvillim të shpejtë këtij rajoni, përfshi maqedonasit dhe malazestë.