Lavdosh Sulo harroi të më thoshte përsëri se gjithë kjo ishte një utopi…
Luan Rama
Sapo isha kthyer nga Tirana. Si gjithnjë, kafja jonë ne sheshin e Bastille-s, ballë obeliskut të madh dhe “gjeniut” të vogël që shkëlqen në ar në majë të tij.
– E bëra varrin, – më tha, – atje në Vlorë. Tani mund të vdes i qetë.
Lavdosh Sulo kishte parë shumë nga kjo botë dhe nuk kishte frikë nga vdekja. Lavdoshi e kishte bërë vdekjen mike të tij, prej shumë kohësh. I kishte hapur portën dhe flinte bashkë me të, se kushedi, nesër nuk do ta hapte dot dritaren që binte në rrugë; se nesër nuk do ta pinte kafen e fundit me miqtë e tij. Por vdekja vononte ta merrte njeriun që duhej të kishte vdekur kohë më parë, në vite të errta totalitare, pasi Lavdoshi kishte vuajtur shumë. Nga një burg në tjetrin, me vdekjen në sy, nga Burreli në Spaç, nga një revoltë në tjetrën, sepse ky njeri nuk e pushoi revoltën e tij edhe atëherë kur disa të tjerë besuan se Shqipëria ishte bërë, ishte e lirë e demokratike, e popullit, për popullin. Por ajo, nuk ishte ashtu siç e kishte ëndërruar ai, siç e donte ai. Lavdoshi ishte njeri i së drejtës. Ai e urrente dhunën ashtu si dhe kompromisin e shpirtin e korruptuar. Ja pse dhe tri vjet përpara ai hyri në grevë urie në mes të Tiranës, ballë kryeministrisë, kundër partisë që i kishte besuar në fillim dhe që shpresonte. Lidhi shaminë në kokë. Ishte gati duke vdekur, sepse e dinte se kanceri po e vinte poshtë, gjaku po i humbte, por kjo shoqëri po e vriste akoma me shpejt. Ai e urrente demagogjinë.
Po, ashtu ishte Lavdoshi. Kishe qef të pije kafenë me të. Varrin e kishte gati dhe ai priste qetësisht. Ne pinim kafen atje ku ishte shëmbur burgu i Bastille-s në kohën e Revolucionit më 1789, ai vinte nga jugu i Parisit, e unë nga Montparnasse për tu takuar atje, dhe kjo kishte simbolikën e vet. Lavdoshi kishte të shkruar në zemër fjalën e lirisë. Dhe këtë fjalë s’kishin mundur t’ia fshinin dhe në netët më të errta të një jete, të një ekzsistence. Më është e paharrueshme ajo ditë kur me mikun francez Luc Barnier, shkuam të xhironim një takim jo të zakontë, atë të Jusuf Vrionit me Lavdoshin, në bulevardin Paniatowski, në katin e fundit të një ndërtese. Dhe takimi i tyre ishte i përmallshëm se ata kishin qenë bashkë në burg. Luc xhironte me kamera, unë mbaja dritat dhe mikrofonin nga larg… Kujtonin shokët e tyre, të gjallë e të vdekur… dhe ata të vrarë. Një tjetër herë më tregoi gjeografinë e burgjeve të tij që kishin filluar me Maliqin, pastaj nê Lekaj të Rrogozhinës, më pas në kampin e Urës Vajgurore në vitin 1953 për të ngritur pistën e aeroportit ushtarak të Qytetit Stalin (Kuçovës)… kur vinte fjala për Burrelin, ku u mbyll nga viti 1956 më 1962, të burgosurit atëherë thonin: “Kush hyn këtu nuk del më”… referencë danteske! Që nga ajo ditë, Lavdoshi nga Kanina do ishte një mik i dashur për mua, pasi jeta e tij ishte një jetë që të mësonte shumë. Ishte i thjeshtë, nuk krenohej, nuk ishte nga ata që i binte gjoksit me grushta. Një tjetër herë, po në Bastille, nën një diell të bukur, më tregonte një episod në pistën e aerodromit të Urës Vajgurore.. ngado ndriste monumenti i Stalinit! Meqë ato ditë ishte sëmurë, komandanti e detyroi të merrej me derdhjen e betonit, por Lavdoshi nuk kishte pranuar. Atëherë e kishin lidhur dhe e kishin ngritur në një shtyllë druri për dënim, në cep të kampit e pastaj kishin ikur… e kishin “harruar”. Një ditë më vonë, një ushtar që i vinte keq për të, i kishte kërkuar të pranonte që të shkonte për beton, që të shpëtonte nga ai kalvar, po ku dëgjonte koka e Lavdoshit. Dhe vetëm më vonë, kur e kishin çliruar nga telat, ai kishte rënë nga shtylla. Telat i kishin prerë krahët, por lumturisht nuk kishte vdekur!… Kur e çuan në infermieri, i burgosuri infermier Isuf Hysenbegasi, që kishte studjuar në Francë për mjeksi, kur i hoqi këmishën ngjitur në plagë, gjaku i kishte shpërthyer…
Lavdoshi fliste me mall për shokët e tij, për shumë prej tyre, për Foto Bala që kishte studjuar filozofi po në Francë. “Shtatë vjet kam qenë në një birucë me Abdulla Rami nga Tatzati i Delvinës… edhe ai kishte studjuar jurist në Montpellier,atëherë kur ishte atje dhe Enver Hoxha… njeri i mrekullueshëm, edhe ai në burg. .. Në Burrel njoha dhe Mark Ndojën, i cili kishte qenë drejtues i Lidhjes së Shkrimtarëve, një intelektual i mirëfilltë. Kur mbaroi burgun e internuan në Zvërnec. Ndërkohë, më pas, unë dola nga burgu. Isha në spital dhe dikush më tha se kanë sjellê një të burgosur të sëmurë. – Shkoni pyesni, – u thashë miqve të mi, – kush është. Por askush nuk fliste. Shkova vetë poshtë dritares, ndeza një cigare dhe ja tek dëgjova zërin e tij që recitonte ca vargje latinisht, ndoshta Danten… u ktheva dhe i thashë shokut tim: “Ai është, Mark Ndoja”!…
Lavdosh Sulo ishte larguar nga Shqipëria që në 21 gusht të vitit 1990. “S’kisha familje… burgjeve, ku të martohesha… isha i zhgënjyer nga gjithçka. Doja të ikja. Atëherë mund të blije dhe një biletë nën dorë, se historia e refugjatëve të ambasadave i kishte trembur ata të udhëheqjes pa masë. Tri ditë nuk hëngra nga stresi i madh. Vallë do e kaloja atë mur?… Morrëm avionin bashkë me një mik. Një drejtues i aeroportit na shoqëroi dhe kur polici kërkoi të shikonte vizën e pasaportës, shefi duke i shkelur syrin i tha: “I nostri!”… dhe ai s’tha gjë. Hipëm në avion dhe u nisëm. S’na besohej. Kur zbritëm në aeroportin “Charles de Gaulle”, polici francez kërkoi vizën por ne i thamë: “Azil politik!”… Kështu na çuan në Creteil. Takuam dhe Leka Zogun. Na çuan në shtëpinë e Ylli Spahisë dhe atje ishte Geraldina. Donte të dinte se ç’bëhej në Shqipëri. Ne i tregonim dhe ajo qante!… Pastaj takova Sadik Premten. Jetonte akoma. Na kërkoi me telefon: Kur do të takohemi? – Kur të vijë vajza tënde nga Shqipëria, – i thashë. – Nga e njeh ti? – Po kam punuar me të. Ishte e dobët e shkreta, 30 kg. peshonte dhe në kurriz mbante thasët e çimentos 30 kg…. Na ftoi në një kafene dhe folëm gjatë… “Kemi gabuar, – tha”.
Një herë tjetër Lavdoshin e takova në shtëpinë e tij në 47, Rue Wattigreus, pranë metro Daumesnil, buzë dritares së hapur nga vinin zërat e rrugës, ku ai më tregonte historinë e shokut të tij Gjergji Geço, i cili më 1953 i ishte mbushur mendja të vinte nga Kajro ku jetonte në Shqipëri. Gjergji kishte studjuar më parë në Francë dhe e njihte Enver Hoxhën. Kur shkoi në Brindizi, takoi ca të njohur emigrantë politikë. – Ku po shkon, i thanë ata. – Në Shqipëri! – Po ne kemi ikur që andej, ndërsa ti po shkon. – Po ju ishit me kuislingët… ndërsa unë e kam njohur Enverin në Francë. – Kështu donte të shkonte dhe vëllai i Pilo Peristerit, – i thanë ata. Iku nga Amerika dhe erdhi në Brindizi, por ne i thamë: – Pilo atje është bërë i madh! Ai u habit dhe tha: – Pilo i madh?!… E atëherë po kthehem! Dhe iku. Por Gjergji shkoi në Tiranë. Takoi Enverin dhe i dha dhurata. E çuan në ministrinë e Financave. Një krevat dhe një karrige. Meqë kishte dhomën ku flinte larg, atëherë i shkroi të vëllait t’i dërgonte një biçikletë. Dhe ai ia solli. Kishte fener. Por Gjergji takonte ish të njohurit e dikurshëm, fliste pa ndroje. E kapën Gjergjin dhe e dënuan: 10 vjet burg. Hetuesi i kishte parë biçikletën e bukur dhe i kishte thënë: Këtë po e marr unë… dhe kështu, Gjergjin na e sollën në pistën e Urës Vajgurore…
Ishte i mirë Lavdoshi ynë, prandaj dhe e donin francezët dhe në rradhë dy gazetarë të Le Monde… Xavier Goldmich dhe e mira Françoise, shtëpia e të cilës ishte bërë një tjetër strehë shqiptare! Revista franceze “Havre” për emigrantët politikë të botës botoi një artikull për të me titullin”T’i mbijetosh arbitraritetit” (Survivre à l’arbitraire)… “cachots, camps de travail, centre de deportation, rien n’a été épargné à Sulo Lavdosh par l’Albanie, son pays natal” (biruca, kampe të punës së detyruar, qendra internimi, gjithçka provoi Lavdosh Sulo në Shqipëri, vendlindjen e tij”)…
Disa miq më njoftuan dy ditë më parë se Lavdoshi kishte vdekur. Më së fundi vdekja kishte trokitur në portën e tij, në vetminë e tij. Madje ai e kishte lenë derën hapur. E priste… Më pikoi në zemër, sepse nuk u takuam përsëri. Kush do ta pijë kafenë atje në sheshin e Bastille-s?… M’u kujtua përsëri tregimi i tij për varrin: “Në Akërni u internova 15 vjet. Atje varrosa nënën dhe tim atë. Shkova dhe bleva njê copë tokë për varr. I thashë priftit: Dua ta blej! – Zgjidh, më tha! … Dhe e zgjodha atë copë tokë. Bëra varrin tim pranë prindërve…”
Lavdosh Sulo (Beqo) shkoi pa më përshëndetur. Shkoi të bashkohet me idealistët e tjerë, utopistët e përvuajtur, pa asnjë pronë, pa para, të gjitha çfarë i kishte dhënë Franca ua dha miqve, kushërinjve, ato pak pak para nuk i hynin në sy njeriut që kishte parë aq herë vdekjen përballë. Shkoi në Vlorë, duke marrë me vete dhe një atdhe të dytë, atë të lirisë, Francën që i hapi krahët dhe e priti, i dha strehë si birit të vet. Edhe pse i zemëruar më shumë me Shqipërinë e sotme se atë totalitare, (pasi ajo e dikurshmja i lidhi duar e këmbë, veç shpirtin jo), ai përgjërohej për të tani edhe pse nuk e jetoi ashtu siç kishte ëndërruar ai. Prandaj dhe shkoi atje, për të ndjerë aromën e detit, të limonave dhe të ullishtave në kodrinë… Lavdosh Sulo harroi të më thoshte përsëri se gjithë kjo ishte një utopi…