Albspirit

Media/News/Publishing

Taip Sulko: ÇMIMET E MËDHA ME HIJE TË VOGËL

Ka disa ditë që u ndanë çmimet e mëdha për letërsinë. Për habinë e shumëkujt, pas ditës së çmimeve, zotëron një heshtje gërricëse për të. Nuk dëgjohen as brohoritje dhe as krisma zemërimi. Sikur nuk pati fitues. Vërtet nuk pati?

Aty këtu, ndërkaq, ka ca buburicka të vogla ankimesh. Asnjë emër nuk përmendet. Mbase kjo është gjë e mirë. Një nga pyetjet që shtrohet: përse nuk pati çmime për poezinë? Pyetje mëse e drejtë. Shqiptarët,në këto kohë, mund të quhen si popull i poetëve. Shkruhen shumë poezi. Ka edhe krijime të vërteta, ndonjëherë, të jashtëzakonshme. Si nuk u ndje nevoja se gjithë kjo rrymë krijuese ka nevojë për nxitje në drejtimin e duhur? Janë përmendur po kështu nevoja për shmangie të konflitit të interestit, të shihen lidhjet çmime – shtëpi botuese, apo çmim-nënshtetësi etj. Kjo e fundit mendoj se nuk duhet përmendur. Letërsia është gjuhë- ajo i lidh shqiptarët. Nuk duhet të ketë kufij dhe leje kalimi aty ku Zoti na ka bashkuar!

Përshtypja ime është se pak është folur për Çmimin e Madh për letërsinë. Mbase gjëmimi i topave të vjetëruar të politikës i mbyt cicërimat e trumcakëve për çmimet letrare. Edhe unë ndjej se kam diçka për të thënë, por,më tepër, dua të flas për mbresat e mia gjatë ditëve që prisja ndarjen e çmimeve dhe më pas.

Qysh në dhjetor 2025, kur u shpall juria, kam qënë në ethe, mbase edhe më keq. Ndjehesha si në mes të detit me stuhi. Nga njëra anë besoja, madje kisha një bindje të fortë se romani im “I arratisuri” ishte nga më të mirët, në mos më i miri dhe do të fitonte Çmimin e Madh. Kjo që them nuk ishte lajthitje dhe ëndërrim në të zbrazët. Për romanin “I arratisuri” janë shkruar mbi njëzet shkrime të plota vetëm në një vit e gjysmë, (besoj më shumë se për çdo libër tjetër në Shqipëri në një kohë kaq të shkurtër). Për romanin “I arratisuri” kanë folur shkrimtarë, intelektualë dhe kritikë të njohur apo shumë të njohur. Për romanin “I arratisuri”, janë dhënë vlerësime nga më të lartat si: “një metaforë e përjetshme e arratisjes dhe kthimit te vetvetja, një vlerë e pashlyeshme në letrat shqipe”, “vepër me një rrëfim të pazakontë… ndihmesë e ndjeshme në letrat shqipe”, “roman ka një gjuhë shqipe të epërme”, “libri ka rrëfim të gjallë dhe fluent, i shkruar me një fantazi magjepsëse. Ndihet gjithkund një dorë mjeshtri”, “një prurje e re, me narracion të veçantë, me detaje dhe finesë artistike që dëshmojnë për aftësi dhe talent të spikatur të autorit”, “një roman që jep mesazhe universale, jashtë kufijve të një vendi të caktuar”, “në romanet e sukseshme të autorëve bashkëkohorë, “I arratisuri” rri denjësisht mes tyre”, “romani ka trajtim mjeshtëror të tharmit universal e të veçantë të temës”, “një alegori e madhe, e shtrirë mbi të cilën ngrihen kolona simbolesh e hiqen paralele befasuese intuitive”, “ky roman ndërthur realitetin me magjiken, kujtimet me andrrat, tue e kthye arratisjen në metaforë universale që secili prej nesh e kupton ndryshe”, “përmbledh fate njerëzore në një sagë shqiptare”, “një roman befasues, me rrëfimtari mjeshtërore, mbushur plot kulturë e erudicion” “jo vetëm që ka arritur nivel të lartë artistik, por ka shtigje estetike krejt të reja për letërsinë shqiptare”, “përbën një vlerë të shtuar në panteonin e letërsisë shqiptare”, “ky roman e shndërron arratisjen nga kategori historike dhe politike, në një metaforë të përgjithshme ekzistenciale”, “ky është libri i vitit 2025…Patjetër duhet të futet në programet shkollore…”.

Me thënë të drejtën, ka edhe shumë vlerësime të tjera, plot domethënie dhe bukuri, por s’mund të përfshihen në këtë shënim të shkurtër. Kaq sa përmenda mjafton për të krijuar besim jo vetëm tek unë, por, me gjithë këto vlerësime, tek gjithkush do ngulitej mendimi se “libri yt ishte më i miri për 2024 dhe megjithëmend e meritonte Çmimin e Madh”.

Kështu mendoja, por ndërkaq, sikurse e thashë më lart, isha mes dallgëve të forta, në varkën e pasigurtë të mëdyshjes. Nga leximet e dija se çmimet letrare, ndonjëherë, kanë efekte jo të mira për krijuesit deri në frenim të krijimtarisë letrare. Pyetja që shtroja brenda vetes: pse doja të merrja në dorë një bombë me emrin Çmim i Madh që, ku ta dish, do të shfaroste etjen time për të shkruar? Sikur ta fitoja? Obobo! Po sikur të mos e fitoja? Përsëri luftë me Obobo… Ah, s’e kisha ditur se kjo gjëja me emrin çmim ishte vetëm një magji e zezë! Ishte për të qeshur dhe për të qarë! Por, sado që dallgët e mendimeve më hidhnin sa në njërn anë në tjetrën, kur për pak binte qetësia thosha me vete: Çdo juri jo vetëm duhet të ketë parime të rrepta për çmimet ,por ato duhet të zbatohen me ndershmëri. Nëse është kështu, çmimi kthehet në udhërrëfyes për krijimtarinë letrare. Nëse ndodh e kundërta, dëmet janë të mëdha, aq sa lëndojnë pasurinë shpirtërore të një kombi. E postova këtë shënim, por dikujt nuk i pëlqeu. Nga larg u dëgjuan ca si kërcëllima dhëmbësh, mu si ato krismat për ajër të ’97-ës. Po vetëm kaq!

Më në fund erdhi edhe dita e ndarjes së Çmimit të Madh. Një si zbrazëti e hontë më pushtoi. Ajo që dihej u tha, nuk e kisha fituar Çmimin e Madh! Shumë pyetje më mundonin: Pse nuk pati fare jehonë tek juria një vepër që kishte ngazëllyer kaq shumë zemra? Mos gremçat e zinxhirit të vendimarrjes diku ishin këputur dhe “I arratisuri” as nuk u pa, as nuk u lexua dhe as nuk u mor në shqyrtim? Si ndodhi që nuk u dëgjua megjithëse kishte thërritur me zë aq të fortë, në Top Channel, në Radio Tirana, apo edhe më shumë në Exlibris, në Panorama, në Dielli, (The Sun), në Fjala, në Alb-Spirit, në Fjala e lirë, në VOAL, në FlasShqip, në Revista Vlera, Revista Fjala, Newsalbania, etj, etj. Mos juria kishte ngelur peng i shijeve të vjetra, mos ishte verbuar nga adhurimi për vepra, pa art, me histori gjoja të veçanta që ta shpifin apo me histori-kleçka, fare pa gjethe, që, pasi kthen kurrizin, harrohen dhe i merr era përgjithnjë?

E dija se nuk ia vlente të merreshe me këto hamendje. Tregimet ngushëlluese për mospranimin e çmimeve i kisha gati dhe me shumicë. Mos vërtet u bë më e mira për veten time që nuk e mora çmimin? Pse të vuaja kotmëkoti? Që të jem tërësisht i çiltër, edhe pse përpiqesha të mendoja kështu, diçka nuk më linte të qetë. Duke ecur anës Lanës, në një nga këto ditë me me qiell të murrëtyer, me re, shira, shtrëngata dhe përmbytje, pikasa një cigane që hidhte fall atje, ndanë një strehe, në anë të rrugës. E dija, nuk kisha fuqi të tërhiqesha. I kërkova të më hidhte fall. Cigania më pa thellë në sy, më mati nga koka tek këmbët, hodhi shikimin tek ato pak libra që kisha në duar dhe pastaj pa lart, nga qielli i prishur, ma mori dorën, e shikoi me kudjes dhe më tha (fliste shpejt dhe foli shumë, me fajli të shkutëra, që të ngelin në mendje): -S’je i qetë, të keqen motra! Zoti s’bën përjashtim! Nga një anë ke të mirin nga ana tjetër të keqin. Ai që është pëllumb në betejë, në dasmë kreshpërohet si skifteri! – E ngriti kokën. – Shkronjat dhe numrat përplasen- tha. – Por kokën mos e caj, një e mirë të pret! Ke dyer të tjera që të presin! Por kudjes se me cilën këmbë futesh!

Me kaq falli i ciganes mbaroi. Sa kthjellët foli, mendoja. Po, mos isha vallë në ëndërr! Që nga ai hop e harrova fare Çmimin e Madh dhe të vegjlit.