PROCES-VERBALI I MARRJES NË PYETJE TË KRYETARIT TË DEGËS SË RUAJTJES FIZIKE TË UDHËHEQJES SË LARTË TË PPSH
PROCES-VERBALI I MARRJES NË PYETJE TË GANI KODRA, ISH-KRYETAR I DEGËS SË RUAJTJES DHE SIGURISË FIZIKE TË UDHËHEQJES SË LARTË TË PPSH DHE MË PAS TË FAMILJES SË MEHMET SHEHUT, NGA ANA E HETUESVE TË MINISTRISË SË BRENDSHME, LUAN BEGA DHE SKËNDER MYFTARI
PROÇES – VERBAL
Dëshmi
Tiranë, më datën 23 shtator 1982.
Ne, Luan Bega e Skënder Myftari, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, rimuarëm në pyetje të pandehurin Gani Kodra.
Hetuesit më paralajmëruan për përgjegjësinë penale që kam, në rast dëshmie të rreme, në bazë të nenit 202 të Kodit Penal të RPSSH.
Pyetje: I pandehur, na shpjego, çfarë veprime të tjera armiqësore ke zhvilluar kundra Partisë dhe pushtetit popullor, në favor të grupit armiqësor që kryesohej nga tradhtari Mehmet Shehu?
Përgjigje: Siç kam shpjeguar më parë në proceset e mija hetimore, unë duke u futur në rrugën armiqësore të kryesuar nga Mehmet Shehu, qysh në vitet pesëdhjetë e deri në ditën e arrestimit tim, jam përpjekur të zbatoj me fanatizëm detyrat dhe porositë e dhëna nga Llambi Peçini, i cili qe i pari që më përpunoi dhe më futi në rrugën armiqësore kundra Partisë dhe popullit si dhe ato që më ka dhënë vetë Mehmet Shehu, që kryesonte këtë grup.
Unë e dija, se përveç meje, Llambi Peçinit dhe Llambi Ziçishtit, Feçor Shehut, Skënder e Fiqret Shehut, në punën armiqësore të këtij grupi vepronte dhe Ali Çeno, ish-shoqërues personal dhe përgjegjës i grupit të shoqërimit të Mehmet Shehut. Lidhur me veprimtarinë armiqësore të tij, unë di të shpjegoj si më poshtë:
Ali Çenon nga afër unë e kam njohur që nga fillimi i viti 1973, kohë në të cilën ky erdhi në Drejtorinë e Dytë, në grupin e shoqëruesve. Kur unë u ktheva nga Parisi ku isha me shërbim se shoqërova Mehmet Shehun, që u operua atë vit, Llambi Peçini ishte drejtor i Drejtorisë së Dytë, më shpjegoj ndër të tjera, edhe për ardhjen e Ali Çenos në këtë Drejtori.
Llambi më shpjegoi se Ali Çeno ka ardhur në këtë Drejtori, me kërkesë të Mehmet Shehut, pasi ja ka rekomanduar vetë Petrit Dume, i cili edhe ka të bëjë me gruan e Aliut. Llambi më tregoi se unë nuk e kam njohur më parë këtë person se ka qenë në ushtri dhe si i tillë, nuk mere vesh nga punët e Sigurimit. Prandaj Llambi shkoi vetë tek Mehmeti, për ta biseduar.
Mbasi Llambi i shpjegoi Mehmet Shehut se, me qenë se Aliu nuk merr vesh nga punët e Sigurimit, dhe për këtë është më mirë që ta lëmë në grup si shoqërues, Mehmeti i tha që jo vetëm Aliu do të qëndroj në grup si shoqërues, por menjëherë ai të bëhet përgjegjësi i grupit, sepse pikërisht ai është personi që më duhet mua, ndërsa për të tjerat, e mësoj unë. Të ndodhur para këtij urdhri, Llambi Peçini e emëroi menjëherë përgjegjës të grupit të shoqërimit të Mehmet Shehut dhe me këtë detyrë, ai ka ndenjur deri në momentin që ai u vetëvra.
Gjatë tetë vjetëve që kam shërbyer në Drejtorinë e Dytë e, në mënyrë të veçantë i ngarkuar me detyra që të ruaja dhe shoqëroja Mehmet Shehun dhe personat e familjes së tij, si këtu në Shqipëri dhe jashtë shtetit, si në Francë e, sidomos të Skënder Shehut në Suedi, kam parë me sytë e mi besnikërinë e Ali Çenos ndaj Mehmet Shehut dhe familjes së tij, si dhe dashurinë dhe respektin e veçantë që kishte në radhë të parë vetë Mehmeti për të, por edhe Fiqreti dhe fëmijët për Ali Çenon.
Këtë e them se vetë Mehmeti, me t’u bërë Aliu përgjegjës i grupit, e mbajti fare afër, bisedonte me të sikur të ishin njohur prej kohësh, bënin shëtitje bashkë, bisedonte aq ngrohtësisht, aq sa ra në sy të të gjithëve, sepse këto gjëra Mehmeti nuk i kishte bërë me asnjë përgjegjës tjetër të grupit të shoqëruesve, që kishte pasur përpara.
Aliu për një periudhë të shkurtër, u bë njeriu që jepte urdhra dhe porosi në emër të Mehmetit dhe filluan kërkesat nga ana e tij, për shtimin e grupit të shoqëruesve, makinave të shërbimit, të rojeve të shtëpisë, si dhe lejoi dhënien e makinave për t’i përdorur si të donin prestarët e familjes së Mehmetit, pa asnjë far kufizimi dhe kriteri.
Filloi të zgjidhte njerëzit që donte ai për në grupin e shoqërimit dhe filloi të bëj ligjin aty, pas Mehmetit dhe Fiqretit. Aliu me porosi të Mehmetit, ka çuar urdhra dhe për Komitetet e Partisë dhe ato Ekzekutive për probleme të ndryshme, qofshin personale të vetë Mehmetit, apo shtetërore.
Kështu unë kam qenë prezent, me rastin kur Ali Çeno shkon në Komitetin Ekzekutiv të Sarandës, thirri sekretarin e organizatës bazë të komitetit dhe i dha urdhër që të mblidhte organizatën bazë, për të mbajtur qëndrim ndaj kryetarit të Komitetit Ekzekutiv, i cili kishte thënë se derrat e egër na prishin blloqet e mandarinave dhe këtë e paska thënë që, Mehmet Shehu të mos vejë të gjuaj më atje.
Ai me miratimin e Mehmetit, kërkoi që pranë shtëpisë së Mehmtit, të krijohej grup më vete i radistëve me katër vetë, oficerët e shërbimit që siguronin shtëpinë, por që nuk vareshin nga Aliu, kërkoi që edhe ata të bëheshin pjesë e grupit.
Në muajin prill-maj të vitit 1978, më thërret Mehmet Shehu mua në zyrë ku më thotë se; “do të vij në Francë dhe Ali Çeno. Ai duhet që të praktikohet me shërbim jashtë shtetit, që kur të shkoj unë ose Fiqreti, ose të dy bashkë, ai duhet të njoh Parisin, pasi na duhet për punën tonë”.
Përveç kësaj radhe që ne shoqëruam fëmijët e tij, Ali ka shkuar në Francë edhe në vitin 1978 dhe 1980, për të shoqëruar fëmijët e Mehmet Shehut dhe gratë e tyre, si dhe ka bërë shpenzime të shumta në Francë dhe në qytete të tjera të Europës, ku bënin udhëtime turistike.
Siç kam shpjeguar më parë, në vitin 1980, me urdhër të Mehmet Shehut, unë dhe Skënder Shehu shkuam në Paris. Me të zbritur në Paris, takuam Bashkim Shehun me të shoqen dhe Ali Çenon, ku po na prisnin. Ali Çeno i jep Skënder Shehut një letër, ku i thotë; ma ka dhënë Mehmet Shehu për ty, ta jap në dorë.
Skënderi e mori letrën dhe e lexoi kur shkuam në Shtëpinë e Pritjes, por se çfarë porosie i kishte dhënë Mehmeti, ai nuk na tregoi. Kur zbritëm në Stokholm, Skënder Shehu e mori në telefon Mehmetin dhe i tha se; letrën që më çove me Aliun e mora, përsa më shkrove, gjithçka në rregull.
Mbasi u prish fejesa e Skënder Shehut me Silva Turdiun, Mehmet Shehu ngarkoi Ali Çenon që të shoqëronte Skëndrin natë e ditë dhe që t’i krijonte mundësi e kushte të shëtiste brenda dhe jashtë Tiranës, të shkonin për gjah dhe qitje, për ta dëfryer. Ali Çeno më vjen një pasdite në shtëpi dhe më thotë se Skënder Shehu më dërgoi këtu, të të them se nuk vjen dot në dasmën e nipit tënd, (dasmën e bëra pas prishjes së fejesës së Skënderit), mbasi ai ishte shumë i dëshpëruar, por ai (Skënderi) më dha porosi që; “ti Gani dhe familja jote, kur të bjer rasti që të bisedoni me njerëz të ndryshëm, lidhur me prishjen e fejesës së Skënder Shehut, t’u thoni se ajo (fejesa), nuk ishte bërë zyrtare, por vetëm fjalë kishim”!
“Kështu do të veproj dhe unë” – tha Aliu. Në fakt edhe unë kështu veprova, e zbatova këtë porosi të Skënderit. Në muajin shtator 1981, bile mbas datës 15 të këtij muaji, unë takoj Ali Çenon dhe në bisedë e sipër lidhur me prishjen e fejesës së Skënder Shehut, më tha se u preka shumë për prishjen e kësaj fejese: por Mehmeti dhe Fiqreti janë prekur më shumë.
Kur doli Mehmeti nga takimi që bëri me sekretarin e Parë të Komitetit Qendror të Partisë, ai ishte bërë për të ardhur keq, dyll i verdhë në fytyrë dhe i merreshin këmbët rrugës, u mbyll brenda me Fiqretin dhe nuk dilnin.
Ali më tha gjithashtu si kish folur me Mehmetin në studion e tij dhe i kish thënë se, Skënder Shehu duhet të bisedonte për prishjen e fejesës me Silva Turdiun, në shtëpinë e Aliut, me qëllim që të mos binin në sy të tjerëve.
“Unë- tha Aliu, – veprova sipas porosisë së Mehmetit, çova më parë doktor Lleshin në shtëpinë time, për çdo të papritur, rrugës i them Skënderit që Silvës, t’i thoshte që të përhapte lajmin, se fejesa nuk qe zyrtare e, nuk u prish për çështje politike, por vetëm llaf kishim. Skënderi me Silvën u fut në shtëpinë time në një dhomë me Silvën, ndërsa unë me Lleshin, qëndronim në dhomën tjetër ngjitur, 3-4 orë, që zgjati biseda midis tyre”.
Më kujtohet se një apo dy ditë, para se unë me Skënder Shehun të nisesha për në Suedi, më thërret në zyrë Mehmet Shehu dhe pasi u përshëndetëm, ai më tha se; “me ju (unë dhe Skënderi), në Suedi do të vij dhe Ali Çeno, në mënyrë që të mos mërzitet Skënderi”.
Unë i them Mehmetit, se deri tani ai nuk është mërzitur me mua, pasi një gjë të tillë nuk ma ka thënë. Mehmeti më tha se Skënderi nuk ka asnjë ankesë ndaj teje, as dhe unë, bile jam shumë i kënaqur nga puna jote, se i ke zbatuar mirë detyrat që të kam dhënë unë dhe ato që të ka dhënë ai, por tha ai Aliu do vijë në Suedi dhe do të qëndroj aq kohë sa ta shoh të arsyeshme Skënderi dhe Aliu të më bjerë përgjigje për gjendjen shëndetësore dhe për çfarë do t’i thotë Skënderi.
Kështu për në Suedi, u nisëm të tre. Në biseda të ndryshme që kam bërë me Ali Çenon gjatë qëndrimit në Suedi, Aliu më thoshte se; Mehmet Shehu është njeri i zoti, udhëheqës i madh, na don dhe na mbron neve për çdo gjë.
Në bisedat që kam bërë me Mehmetin, thosh Aliu, edhe për ty Gani, ai fliste mirë si njeri i zoti dhe me karakter, gojëmbyllur dhe besnik, siç thoshë ai, gjatë gjithë kohës, urdhrat dhe udhëzimet e mija, i ka zbatuar me besnikëri.
Edhe unë, Ganiu, i kam thënë Aliut, se edhe për ty ai (Mehmeti), ka simpati, ai më ka thënë se tek ty, ka gjetur njeriun më adapt dhe më besnik të tijë. Mbas kthimit nga Suedia, kur u vetëvra Mehmet Shehu, takoj Ali Çenon, i cili ishte shumë i mërzitur, ai më tha se atë natë që Mehmet Shehu doli nga mbledhja e Byrosë Politike, ishte shumë i mërzitur dhe i vrarë shpirtërisht, u fut në shtëpi dhe nuk doli më.
Ai para vetëvrasjes, kishte dy ditë që ishte në këtë gjendje, prandaj edhe unë qëndroja natë e ditë aty për t’i ardhur në ndihmë, për çdo gjë që kishte nevojë. Në mëngjes e gjetëm të vetëvrarë dhe kur unë e pashë qava, ai kishte lënë letër që e dorëzuam.
Aliu, si njeriu më i besuar i Mehmet Shehut, ishte i vetmi person nga grupi që e shoqëronte atë, që Mehmeti e merrte gjithnjë me vete kur shkonte në vendet më sekrete të ushtrisë. Si në depot e armatimeve, uzinat, tunelet dhe vendet e tjera sekrete. Aliu si dhe unë, kemi bërë shpenzime të shumta të kundërligjshme në rastet e shoqërimit të familjes së Mehmet Shehut, sa herë ka shkuar në Francë dhe kur erdhi në Suedi.
Këto gjëra janë që më kujtohen tani rreth veprimtarisë armiqësore që ka kryer Ali Çeno vetëm dhe në bashkëpunim me mua në favor të grupit armiqësor që kryesonte tradhtari Mehmet Shehu, kundër Partisë dhe popullit.
Unë jam në gjendje t’ja them Aliut në sy, apo në gjykatë po të jetë nevoja, unë nuk i shtoj asnjë gjë atij, kam shkuar mirë me të dhe kurrë nuk kam pasur grindje, të dy kemi punuar për t’i shërbyer punës armiqësore të tradhtarit Mehmet Shehu dhe me ndërgjegje të plotë.
Procesin e shkrova vetë me dorën time dhe e firmos pa asnjë vërejtje. Memorie.al
I pandehuri: Gani Kodra
Hetuesit: Skënder Myftari dhe Luan Bega