Rudolf Marku: NJË LOPË NË BALLKONIN E QEVERISË…
Në psiken e popujve të lashtë, sidomos të popujve dhe qytetërimeve Lindorë, Lopa shihet me simpati dhe adhurim. Në Egjiptin e Vjetër, Lopa Ahet është nëna e Diellit. Tek Asirianët, trupi i Zotit Misterioz është i fshehur brenda një koke lope të gdhendur me përkushtim në një trung druri. Qytetërime të tjera e pikturojnë kokën e Lopës së Shenjtë me një disk diellor brenda hapësirës së brirëve. Mund të vazhdonin shumë gjatë me shembuj të pafundmë të shenjtërimit të Lopës tek Indianët (adhurim dhe shenjtërim që vazhdon dhe sot e kësaj dite), tek Arabët, Turqit e kështu me rradhë… Çuditërisht ky përftyrim simpatizues mungon tek keltët dhe tek shumë popuj dhe qytetërime të tjerë, gjë që mund ta vëresh dhe në sistemin kuptimor të fjalëve. Në gjuhën angleze fjala Cow (Lopë) është e lidhur me paburrërinë, me frikën, me pabesinë, me squlljen e karakterit, me langarosjen. Edhe një nxënës i fillores e di se frikacakut në anglisht i thuhet –Coward (me rrënjën e falës-Cow) dhe Paburrëria dhe mungesa e shtylles kurizore thërritet Cowardice. Cowardly është gjëndja kur njeriu vepron në atë mënyrë kur të lënë gjunjët a kur zemra e njeriut zëvendësohet me një zemër lepuri. Këtë ka patur parasysh Fan Noli ynë kur andej nga viti 1926 i shkruan një miku të vet se në Shqipëri ‘’karakteret lopësohen”,- me pak fjalë, na sqaron Noli, atë që dje e ke parë si trim të çartun, veç një ditë më vonë mund ta shohësh duke ia lëpirë duart armikut të vet, ndërsa atij që i çjerresh zëri duke sharë dhe kërcënuar, sot ia sheh kallot në duar nga duatrokitjet për armikun që dje betohej se do ta vriste…
Në romanin ‘’Vjeshta e një Patriarku”, Gabriel Garcia Marquez që në faqet e para na pikturon tmerrin e Ferrit të një Qeverie të korruptuar nën hijen e një skandali gazmor. Rrëfimtari anonim i romanit që këmbëngul gjatë gjithë kohës të tregojë në veten e parë të numrit shumës, na thotë se ‘’…në një pasdreke Janari ne pamë me sytë tanë një Lopë e cila po kundëronte Perendimin e Diellit që nga Ballkoni Qeveritar i Kryeministrisë; ja, merreni me mend se çfarë tmerri është, një Lopë në ballkonin e Kombit, merreni me mend se çfarë vend muti është ky vendi ynë…’’.
Siç shihet dhe nga këto fare pak rreshta të cituar, edhe për Gabriel Garcia Marquez-in, ashtu si dhe për gjuhën angleze dhe ashtu si dhe për Fan Nolin tonë, për shkakun e një tradite të Qytetërimit Perendimor, Lopa është personifikimi i dhjamosjes së shpirtit, i korrupsionit, i squllosjes, i langarosjes. Ndërsa rrëfimtari anonim i romanit është i obsesionuar nga çudia se si ka mundur një Lopë të ngjis shkallët e Pallatit Qeveritar për të dalë në Ballkon, për lexuesin shqiptar, falë një përvoje të gjatë në lëkurën e vet, kjo nuk përbën as dhe ndonjë enigmë, a çudi, a kurreshtje të çfardollojshme. Lexuesi shqiptar, po aq sa dhe Fan Noli i vitit 1926, e di se janë pikërisht Lopët ato që ngjisin shkallët: shkallët e Pushtetit, shkallët e Politikës, shkallët e Parlamentit, shkallët e Qeverisë, shkallët e Akademisë, për të zënë vende nderi në Ballkonet Presidenciale, në Llozha, në Tribuna, në Parlament a në krye të Qeverisjes. Fan Noli do ta quante pa asnjë mëdyshje- Lopësim i Kombit tonë!
Në të kundërt me përfytyrimin Perendimor të Lopës për të cilën folëm deri më tani, politikanët tanë kanë një përftyrim tepër favorizues, Lindor, për Lopën. E shohin me adhurim, me simpati, me shenjtërim: Lopa që zgjidhet Udhëheqës, që adhurohet, që ruhet me përkujdesje nga lopçarët e zellshëm, nga lopçarë akademikë, gazetarë, nga lopçarët hyminzues të së keqes, nga profesorë dhe doktorë adhamudhër, nga analistë dhe psikoanalistër të Universitetit të famshëm të Mamurrasit dhe nga shkencëtarë të dalë nga bankat e Akademisë së Domosdovës. Lopa në ballkonin e Qeverisë adhurohët nga turmat pa tru (përsëri Noli) –dhe nga politikanët që ëndërrojnë metamorfizmin në një Lopë Qeveritare (ah, qumështi i votave, i parave nën dorë, i rrushfeteve, i duartrokitjeve, i artikujve lavdërues, i udhëtimeve nëper botë, i vilave dhe shtëpive luksoze, i milionave në llogari bankare, qumështi i shpërblimit të kokëtrashësisë dhe injorancës, i shpërblimit të besnikërisë në krim).
Dy konceptet, ai Lindori dhe ai Perendimori, të unifikuar harmonikisht (njëlloj si Unifikimi i gjuhës Letrare)! Ec e thuaj pastaj se ne shqiptarët nuk jemi një mes i Artë mes qytetërimt Lindor dhe atij Perendimor! Ose as Lindje dhe as Perendim! Ose asgjë, gjë prej gjëjë! Thjeshtë një Lopë në ballkon që kundëron Perendimin e Diellit. Ose, po të parafrazojmë Gabriel Garcia Marquez ‘’merreni me mend se çfarë vend muti është ky vendi ynë! Me një Lopë dhe një Lopëçar të bashkuar në një, në Udhëheqësit e këtij vendi tonë të mjeruar”.
https://www.panorama.com.al/nje-lope-ne-ballkonin-e-qeverise