Ndue Ukaj: Ardhja e dytë e Gjergj Kastriotit
Në një ditë si kjo, në 17 janarin e vitit 1468, vdiq kryezoti ynë. Atë ditë filloi një dimër i egër e i gjatë me acar për kombin tonë.
Kombi ynë eci shekuj e shekuj nëpër errësirë, me dritën e kujtimeve të tij.
“Gjergj Kastrioti i duhet Shqipërisë, jo si luks, por si gur i themelit. Koha e kishte treguar se pa Shqipërinë ai jetonte, kurse Shqipëria s’bënte dot pa të”- thotë Ismail Kadare.
Sot, dua ta kujtoj Kryezotin tonë, me një poezi nga libri im “Mund të jetë si në fillimet e koheve”.
Kryezoti ynë i shënoi kohët me shenja
Kryezoti ynë i shënoi kohët me shenja:
diku vuri një kryq
dhe një tryezë për darkën e mbrame,
ullinj dhe mish të pjekur.
Nuk kishte nevojë të bënte me gisht:
Ky është Juda. Toka e larë me gjak shihej.
Nëpër kështjella la fjalët si mburoja
dhe shigjetat i drejtoi kundrejt frikës.
Kalendarin e ndau sipas kohës arbnore:
para dhe pas tij.
Ai vetë nuk shkroi libra,
por la biblioteka,
opera dhe dishepuj
me flamuj të rrufeshëm
që e valëvisin në secilën kohë.
Ai nuk la as varr,
por një kështjellë pendimi
që i ngjan rrëfyestores,
ku pret prifti me zhgunin e historisë
dhe bën shërbesë e lexon psalme.
Dhe tregon
për ardhjen e dytë të Gjergj Kastriotit.