Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: GRUAJA E TROTUARIT


Ishte kohë e ngrohtë. Rreshjet ishin rralluar.
Ai lëvizte lirshëm nëpër shtëpi. I gjente sendet që i duheshin gati me sy mbyllur. Rregulli për të ishte sinfoni e përditshme. Ua mësonte edhe fëmijve. Fëmijët e donin shumë, e kjo dashuri rritej duke lënë gjurmë në jetën e tyre.
Moti i ngrohtë e favorizonte. I duhej të vizitonte prindërit. Ishin moshuar shumë, e vizita e tij ua shtonte jetën.
Dita për të nisi si zakonisht, me përgatitjet e mëngjesit. Para se të nisej, la një shënim të vogël mbi tavolinë. Nuk donte t’i zgjonte fëmijët. Mbylli derën me kujdes dhe zbriti shkallët. Poshtë tek hyrja, vuri re diçka të çuditshme. Një batanije e hedhur pa kujdes. Vërejti jashtë portës… një palë sandale.. pak më tej një çantë e përdorur shumë.

Eci edhe pak, kur ç’të shihte, një grua e gjakosur e shtrirë gati pa frymë.
I trembur u afrua me kujdes. Gruaja nuk lëvizte nga vendi. I preku ngadalë kokën. Donte të kuptonte a merrte frymë, por frymëmarrja e saj ishte aq e paktë, saqë mezi dallohej në ishte gjallë apo jo!
Vështroi përreth. Ishte herët, mëngjes.

I futi duart nën sqetulla, dhe e tërhoqi ngadalë deri te buza e trotuarit. Nuk po kuptonte se çfarë i kishte ngjarë gruas së gjorë! Ia mbështeti kokën me kujdes mbi trotuar. Frymëmarrja gati po i shuhej. I shqetësuar sa më s’bëhej, lëvizi sa andej këtej mos shihte njeri, por heshtja i fliste se e kishte kot, ndaj u fut përsëri në shkallë dhe trokiti te dera e komshiut.

Heshtja përgjigjej kokëfortë. I ra përsëri. Këtë herë u dëgjua një kollë e thatë, e pas disa çastesh dëgjoi kërcitjen e çelësit. Një kokë e shpupurisur u zgjat jashtë derës.

– Më fal që të prisha qetësinë, por jashtë ndodhet një grua në frymën e fundit!

Koka u zgjat edhe më shumë jashtë derës. Burri e vështroi me habi.

– Po ç’punë kam unë me të? – i foli me përtesë.

– Të lutem, duhet të bëjmë diçka!

– Çfarë përshembull? – iu përgjigj ai mospërfillës, gati duke mbyllur derën. Por dora e tij iu përgjigj si shuplakë duke mbajtur derën të mos mbyllej.

– Jam vetëm, nuk mund të bëj asgjë pa ndihmën tënde!

– Çfarë përshembull? – vazhdoi ironia e burrit me kokë të shpupurisur.

– Eja të lutem, ajo ka nevojë për ndihmë, të kërkojmë një ambulancë!

– Po, ja, një minutë sa të vishem!
Dhe dera u mbyll duke e lënë jashtë të vetëm, me një pikëçuditje të madhe që po ja merrte frymën. Iu afrua përsëri gruas së gjorë që po nisej për në botën tjetër. Frymëmarrja po i shterronte, e ai nuk mund të rrinte duke e vështruar. Komshiu nuk u bë më i gjallë. Heshtja e tij iu lidh për gryke, gati sa nuk po ia merrte frymën.
Nxitoi për tek hyrja e tij. Mori një shishe me ujë dhe zbriti poshtë me të shpejtë. Nuk arriti dot as t’i jepte një pikë ujë. Sytë e saj u hapën pak. Buzëqeshi si ta njihte prej kohësh dhe vari kokën mënjanë e pajetë.
U mpi i tëri. Si ishte e mundur? Kush ishte kjo grua që i kishte zënë pusi me fatalitetin e saj, duke bërë të niste ditën me dramën e saj?
Në krye të rrugës u duk një grua me çantë në dorë. U afrua e merakosur.

– Çfarë ka ngjarë?
Heshtja e tij i foli vetë. – Uh e gjora! – foli me keqardhje.
Pak nga pak u afruan edhe njerëz të tjerë. Mëngjesi po afronte njerëz për të cilët kishte nevojë të bashkëndante atë hall të papritur, jo të vetin, por të asaj gruaje të gjorë që dergjej e pajetë në trotuar.
Dikush lajmëroi ambulancën. Pritja sillte ankth. Pyetjet vinin njera pas tjetrës… Si ndodhi?… Kush është?…. Kushedi si e ka patur hallin? Dikush foli, – E njoh unë, banon te rrugica matanë, jeton vetëm.
Kaq u desh që enigma të fashitej. Vetmia e kishte nxjerrë jashtë shtëpisë. Skema e ngjarjes u ndërtua nga hamendjet e gjithësecilit.
Sirena e ambulancës u dëgjua që larg. E shihnin atë grua të gjorë, si t’i jepnin lamtumirën e fundit. Vetmia ishte larguar. E rrethuar me njerëz ishte formuar familja e saj. Njerëz që nuk e njihnin tashmë po flisnin për të.
Nga ambulanca zbritën dy djem të fortë. E morën me barelë. Sirena u dëgjua edhe pak minuta. Njerëzit u larguan dalëngadalë, secili në punën e tij. Ai mblodhi sendet e gruas së gjorë dhe i futi brenda shkallës. Koka e shpupurisur e komshiut u shfaq përsëri.

– Vdiq? – e pyeti.

– Si thua ti? – u përgjigj ai ftohtë.

– Nuk e di, prandaj po të pyes!

– Do i kërkoj shpirtit të saj të lutet për ty, dhe për të gjithë ne të tjerët! Mbylle derën! Tani askush nuk ka më nevojë për ty!
Kërcitja e derës si e qara e një fëmije i shurdhoi veshët. Doli në rrugë. Ajri i freskët bëri që të marrë frymë thellë. Kishte gjithë ditën përpara. Sa mirë kishte menduar të shkonte të shihte prindërit.
Nxitoi të kapte autobuzin e linjës. Malli iu mbështoll si shall i mëndafshtë. Ngrohtësia dhe butësia ia prekën shpirtin. Bulëza lotësh i veshën sytë. Keqardhja, dashuria, mirësia, dhembshuria iu mblodhën në grykë. Autobuzi po mbërrinte në stacion. Ora sapo kishte shënuar dhjetë e tridhjetë minuta.

18 Janar 2026.