Albspirit

Media/News/Publishing

In memoriam, mjeku dhe intelektuali i njohur, Isuf Kalo

Selaudin Guma & Çerçiz Loloçi

Tri vjet më parë, më 19 Janar 2023, pas një sëmundjeje të rëndë u nda nga jeta mjeku dhe intelektuali i njohur Isuf Kalo. Ai vdiq në një spital të Danimarkës ku ishte shtruar dhe u vendos në banesën e fundit në vendlindjen e tij në Luzat të Tepelenës.
Komuniteti i brezave të disa mjekëve dhe profesionistëve të shëndetësisë, që e kanë njohur nga afër kanë parë te ai një personalitet të spikatur, i gjithgjendur, i kulturuar dhe me dijeni të gjera në shumë fusha.
Konsiderata pa fund mjeku i njohur mori edhe prej studenëve, specialistëve të shëndetësisë, njerëz të artit e kulturës, me të cilët kishte lidhje të veçanta.
Prof. Dr. Isuf Kalo u lind më 1942, klasën e parë e kreu në shkollën ‘’Naim Frashëri’’ në Elbasan e më pas vijoi arsimimin e tij në Tiranë.
Në 1964 përfundoi Fakultetin e Mjekësisë. U specializua në endokrinologji dhe si nën specialitet në diabetologji në disa vende të Europës e më gjërë. Ishte një ndër pionerët e këtij shërbimi në Shqipëri.
Për disa vjet ka drejtuar Katedrën dhe Shërbimin e Sëmundjeve Endokrine dhe Metabolike pranë Fakultetit të Mjekësisë dhe Qëndrës Spitalore Universitare të Tiranës.
Ai kishte marrë gradën shkencore ‘’Doktor i Shkencave’’, titullin akademik ‘’Profesor Doktor’’ dhe shumë tituj të tjerë si vlerësim i punës së tij si mjek dhe kontributeve të veprimtarisë së tij akademike, shoqërore e profesionale, përfshi edhe ‘’Punonjës i shquar i shkencës’’.
Midis viteve 1991-2004 ai u punësua nga Zyra Rajonale e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën (në Kopenhagë), duke drejtuar Programin Evropian të Diabetit dhe më vonë Programin e Cilësisë së Sistemit Shëndetësor në Evropë.
Ai është autor i një sërë botimesh në shtypin mjekësor të vendit të tij dhe jashtë saj, si dhe është anëtar nderi i disa komiteteve ndërkombëtare dhe shoqatave mjekësore në Evropë.
Doktor Isuf Kalo pati pjesëmarrje të shumta në konferenca dhe simpoziume në Tiranë dhe në disa kryeqytete të vendeve europiane.
Tani që nuk është më fizikisht mes nesh, personaliteti i tij kujtohet me mirënjohje dhe respekt jo vetëm në Tepelenë, në Jug të vendit, por edhe në mjaft vise të tjera në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në vise të tjera shqiptare.
Pak para se të ndahej nga jeta dhe ndodhej i shtruar në spital ai u përshendet një për një dhe emër për emër me luzatas që ishin mbledhur në fund-dhjetor në këmbimin e viteve.