Albspirit

Media/News/Publishing

Skënder Luarasi dhe Walt Whitman u larguan nga të gjitha veç lirisë…

Arben Iliazi

Më 19 janar 1900, lindi profesori i famshëm Skënder Luarasi, “Nder i Kombit” dhe ndër personalitetet më përfaqësues të inteligjencës shqiptare të shekullin XX. Biri i patriotit të shquar, Petro Nini Luarasi, do të ndiqte shembullin e të atit në përkushtimin e tij ndaj çështjeve kombëtare.

Skënder Luarasi e nisi aktivitetin letrar që në moshën 17-vjeçare. Ai ishte drejtues mediash, gazetar e publicist, përkthyes, dramaturg, me kontribute të rëndësishme në pedagogji dhe studimet historike. Ishte vullnetar në Luftën e Spanjës. Për bindjet republikane e antifashiste ai u burgos nga regjimi monarkist dhe vuajti kampet e përqëndrimit fashist. Pas çlirimit ndërmori nismën për themelimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe qëndroi si anëtar i kryesisë së saj deri në nëntor 1949.

Në vitet 1946-1950, ushtroi detyrën e deputetit. Më pas e përjashtuan për disa vjet nga Lidhja e Shkrimtarëve, duke e akuzuar ‘’për veprimtari armiqësore’’, duke e etiketuar si ‘’historian borgjez’’ e ‘’oportunist’’ dhe pati censure e pengesa në botimin e veprave.

“Skënder Luarasi, Kasëm Trebeshina, Mehmet Myftiu e ndonjë tjetër, mbetën të vetëm në përpjekjen e tyre ballore ndaj diktaturës. Mungesa e karaktereve të fuqishme, ishte fatkeqësia më e madhe e letërsisë dhe e shoqërisë shqiptare në vitet ‘60. (Fatos Arapi. “Kujtohem që jam”, f.150).

Është e pafalshme dhe e turpshme që Skënder Luarasi, i cili u nda nga jeta më 27 prill të vitit 1982, të mënjanohet sot nga studimet akademike dhe programet shkollore.

Ai është shqipëruesi i Shekspirit, Gëtes, Shilerit, Uitmanit, Pushkinit, Bajronit me shokë. Të përmendura janë edhe punimet biografike (biografi i I.Qemalit, I.Boletinit, Migjenit etj.

Skënder Luarasi ishte i pari që i fali publikut shqiptar shijen e poezisë moderne amerikane, përmes përkthimit të librit “Fije Bari” të

Walt Whitman, “babait të vargjeve të lira”, bardit ikonik amerikan që tronditi botën letrare me besim në universalitetin e përvojave njerëzore, duke eksploruar në veprat e tij temën e lirisë, natyrës dhe komunitetit, përmes vargjeve ku festohet individualiteti dhe demokracia dhe krijohet një fizionomi e re poetike. Vargjet e lira të Whitman-it, kontribuan në zgjerimin e shprehjes poetike të lirisë edhe tek poetët shqiptarë të kohës.

Ne të dy-sa kohë që u gënjyem…

Poezi nga Walt Whitman

Ne të dy – sa kohë që u gënjyem!

Tani, në trup të ndryshuar shpëtojmë shpejt, si shpëton

Natyra;

Jemi natyra – shumë kohë qemë larg saj, po tani kthehemi,

Bëhemi bimë, fije, fletë, rrënjë, lëvozhgë;

Mbështillemi në truall – jemi gurë;

Jemi lisa – rritemi krah për krah drejt hapësirës.

Gjërmojmë – jemi çift kopesh t’egra, zot më vete si kushdo,

Jemi dy peshq që notojmë tok në det;

Jemi siç janë gonxhet – përhapim aromë nëpër lëndina, në

mëngjes e mbrëmave;

Jemi dhe pëgër’ bagëtish e drush e mineralesh;

Jemi dy zogj grabitës – fluturojmë sipër dhe vështrojmë poshtë,

Jemi dy diej – ne vetë e mbajmë peshën, pezull, si top, si yll

jemi si dy kometa;

Ecim në pyll me kthetra a putra – dhe biem pre;

Jemi dy re, para dreke e pas dreke, që endemi në qiell;

Jemi dete të përzier – dy nga ato valët gazmore, që rrokullisen

mbi njëra-tjetrën e lagin njëra-tjetrën.

Jemi siç është atmosfera, pranojmë, përmbajmë, dëbojmë;

Jemi shira, dëborë, të ftohtë, errësira – jemi secili pjellë e

pasojë e lëmshit të dheut,

U vërtitëm rreth e rrotull gjer u kthyem në shtëpi – ne të dy;

U larguam nga të gjitha veç lirisë, nga të gjitha veç gëzimit.

Përktheu në shqip: Skënder Luarasi.