Albspirit

Media/News/Publishing

Unë dhe lufta e klasave, tri poezi, qepur me një fill

Fragment nga libri “Duke shfletuar kohën” i Eden Babanit
JETËSHKRIM SIPAS KONSIDERATAVE TË MIQVE E TË SHOKËVE PËR MUA, SI EDHE PËRMES KUJTIMEVE TË MIA

Unë dhe lufta e klasave, tri poezi, qepur me një fill

1

Për xhaxhain, Sedat Babani, rënë dëshmor në Krujë, në shtator 1944

Tri fije fati mund të kishe zgjedhur
kolltuk të kuq
me pllanga gjaku shokësh i llangosur
armik nga vetë shokët i damkosur
a veteran në ndonjë kafene
i harruar kokulur
ëndërrvarrosur
Por pastërtisht
ashtu siç pastërtisht jetove
ashtu siç pastërtisht lirinë ëndërrove
në Krujën e Fatosit Skënderbe
përmbi altar të Kombit
qerpiku pa t’u dridhur
emrin shkrove

2

Për gjyshin, Mehmet Babani, pushkatuar si “armik” në Korçë, më 1948
Ndoshta një shok i tët biri
të kyçi në birucë

ndoshta me armën e tët biri të qëlluan

po mirë e di
zemra s’ta ka pranuar
të ishin shokët e tët biri
ata që të qëlluan

Kupën e helmit s’e pive dot deri në fund

si ëndrra e tët biri
dhe ty në mes një ëndërr t’u këput

s’na le as varr
s’na lanë as të të qanim
as emrin tënd
stërnipërit ta mbanin

3

Për veten time, lindur në Korçë, më 1935

Një jetë mes dy gjakrash
një gjak i derdhur për lirinë
një tjetër për demokracinë
një dyfish nip i ndjekur
i përhumbur

në zyra kuadri gjithë i përbuzur
sado që mund të mburrej me biografinë

S’di kush ma pati fajin
gjaku i parë derdhur pastërtisht
apo i dyti vjedhur tinëzisht
apo mos vallë e pata fajin vetë
që s’dita njërin lart ta ngre
siç ngrihet lart në Krujë Lapidari
dhe tjetrin ta groposja thellë në dhé
që tok me gjyshin mos t’i gjendej varri
Tiranë, janar-shkurt, 1991

Shënim: Është botimi i parë në jetën time. Së pari e botoi gazeta “Republika”, një ditë pas rrëzimit të shtatores së diktatorit Enver Hoxha.