Dy romane të Kadaresë vijnë në rusisht nga përkthyesi i tij kryesor, Vasily Tyukhin
“Vajza e Agamenonit” dhe “Pasardhësi” të Ismail Kadaresë vijnë në rusisht nga përkthyesi i shquar nga San Petërburgu, Vasily Tyukhin.
“Vajza e Agamemnonit” është një roman i shkruar nga Ismail Kadare. Bashkë me romanin pasues, “Pasardhësi” përbëjnë një diptik të cilin disa kritikë e kanë renditur përkrah veprave më të mira të autorit.
I shkruar më 1985, vitin e vdekjes së udhëheqësit të Shqipërisë Enver Hoxha, dorëshkrimi i romanit “Vajza e Agamemnonit” së bashku me dorëshkrimet e disa veprave tjera të rrezikshme për autorin si “Hija” dhe “Ikja e shtërgut” u nxorrën fshehtazi jashtë shtetit dhe u depozituan në një bankë në Paris. Në fillim faqet e para të dorëshkrimeve ishin maskuar si përkthim i një vepre të shkrimtarit gjerman Siegfried Lenz, për të mos rënë në sy gjatë kontrollit të valixheve që bëhej në aeroport. Disa sosh i kontrabandoi vetë autori gjatë një udhëtimi në Paris, mirëpo asnjëherë nuk merrte me vete një numër të madh fletësh nga frika se mos zbulohej. Për t’i kontrabanduar dorëshkrimet e plota jashtë shtetit, në Shqipëri kishte ardhur vetë botuesi francez i Kadaresë, Claude Durand dhe i kishte nxjerrë të gjitha njëherësh. “Vajza e Agamemnonit” qëndroi e depozituar në Paris deri pas rënies së komunizmit dhe u botua për herë të parë në vitin 2003.

