Albspirit

Media/News/Publishing

Elta Milori: Një shtet që nuk përballet me krimet e tij i përsërit ato



Më 21 janar, 15 vite më parë, në zemër të kryeqytetit, shteti shqiptar vrau qytetarët e tij. Katër protestues të paqtë u qëlluan për vdekje gjatë ushtrimit të një të drejte kushtetuese: të drejtës për të protestuar.
Ky fakt nuk është as interpretim politik, as narrativë emocionale. Është realitet i dokumentuar, i filmuar dhe i njohur publikisht.
Ajo që pasoi ishte edhe më e rëndë se vetë krimi dështimi sistemik i drejtësisë për ta zbardhur dhe ndëshkuar atë.
21 Janari nuk është thjesht një episod tragjik. Ai është prova më e qartë se si shteti i së drejtës në Shqipëri ka dështuar pikërisht aty ku duhej të ishte i pamëshirshëm përballë përdorimit kriminal të forcës nga pushteti.
Në çdo demokraci funksionale, vrasja e qytetarëve nga strukturat shtetërore do të kishte prodhuar hetime të thella, përgjegjësi politike, penale dhe institucionale. Në Shqipëri, prodhoi zvarritje, relativizim dhe heshtje.
Moszbardhja e plotë e çështjes nuk është aksident. Është zgjedhje.
Zgjedhje për të mos prekur zinxhirin e komandës.
Zgjedhje për të mos cenuar pushtetin.
Zgjedhje për ta sakrifikuar drejtësinë në emër të stabilitetit të rremë.
Drejtësia, që nuk arrin të japë përgjigje për katër jetë të marra në shesh publik, humbet legjitimitetin moral për të folur për ligj dhe rend. Kur autorët realë mbeten pa emër, sistemi bëhet bashkëpunëtor. Kur përgjegjësia shpërndahet në mjegull procedurash, krimi institucional normalizohet.
21 Janari është plagë e hapur sepse askush nuk mbajti përgjegjë reale. Sepse familjet nuk morën të vërtetën. Sepse shoqëria mori një mesazh të rrezikshëm se shteti mund të vrasë dhe të mos ndëshkohet. Ky është rreziku i vërtetë i 21 Janarit jo e shkuara, por precedenti.
Një shtet që nuk përballet me krimet e tij, i përsërit ato. Një drejtësi që hesht përballë pushtetit, pushon së qeni drejtësi.
Kujtesa për 21 Janarin nuk është rit ceremonial. Është akt akuze. Eshtë refuzim për ta normalizuar vrasjen shtetërore. Eshtë kërkesë e fortë për llogaridhënie, edhe kur ajo vonon, edhe kur ajo tremb.
Katër jetë u morën. Evërteta ende mbahet peng. Dhe derisa drejtësia të flasë qartë, 21 Janari mbetet jo thjesht tragjedi, por aktakuzë e hapur ndaj shtetit shqiptar.