Ismet Hajrullahu: Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, strateg dhe diplomat
Përpjekjet për deformimin e historiografisë shqiptare
Në një polemikë të botuar në Telegraf, Milazim Krasniqi, ish‑themelues i partisë “Nisma për Drejtësi dhe Zhvillim”, ka deklaruar se: “Skënderbeu, pas kthimit në Krujë, u dha myslimanëve shqiptarë të zgjedhnin mes krishterimit ose vdekjes, dhe se shumica e tyre, që refuzuan të braktisnin besimin islam, i masakroi pa mëshirë”.
Deklarata e tij ishte pjesë e një debati më të gjerë dhe nuk është mbështetur nga burime historike të verifikuara. Por duhet të theksojmë se historia mund të jetë e ndërlikuar dhe e komplikuar, dhe interpretimet e saj mund të ndryshojnë në varësi të pikëpamjeve dhe kontekstit. Një gjë është mëse e sigurt, pasi burime të shumta në arkivat e vendeve perëndimore, veçanërisht të Vatikanit, spikasin Gjergj Kastriotin si një strateg me aftësi të shquara ushtarake për rezistencën e tij stoike kundër Perandorisë Osmane, e aspak për konfliktet fetare.
Në të njëjtën frymë, ka pasur disa intelektualë shqiptarë apo të huaj të cilët e kanë kritikuar Skënderbeun. Oliver Jens Schmitt, historian zviceran dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ka botuar një monografi për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, ku ai ka shfaqur disa pikëpamje të tij. Sipas Schmittit, Skënderbeu nuk ishte një hero kombëtar, por një “komit malësor”. Gjithashtu, publicisti Fatos Lubonja ka kritikuar vlerësimin pozitiv të veprimtarisë së Skënderbeut nga historiografia shqiptare gjatë periudhës komuniste. Sipas Lubonjës, lufta e Skënderbeut nuk ishte një epope, por një luftë e zakonshme e malësorëve shqiptarë kundër dhunës perandorake të sulltanëve osmanë.
Por realiteti historik e faktik është i kundërt me të apostrofuarit, sepse Gjergj Kastrioti, i njohur si Skënderbeu, është figura më e ndritur në historinë shqiptare dhe ka lënë një ndikim të thellë në kulturën dhe identitetin kombëtar shqiptar. Ai luftoi kundër Perandorisë Osmane, një fuqi e madhe ushtarake dhe politike e kohës, dhe arriti të mbajë Shqipërinë të lirë për 25 vjet. Kjo është një arritje e madhe dhe jo thjesht veprimtari e një “komiti malësor”. Lufta e Skënderbeut nuk ishte një luftë e zakonshme e malësorëve shqiptarë kundër dhunës perandorake të sulltanëve osmanë. Ai arriti të unifikojë principatat e vogla shqiptare dhe siguroi mbështetjen e fuqive të mëdha evropiane. Kjo tregon aftësitë e tij si një udhëheqës strateg, diplomat e vizionar.
Në lidhje me pretendimin se “Skënderbeu u dha myslimanëve shqiptarë të zgjedhnin mes krishterimit ose vdekjes, dhe se shumica e tyre refuzuan ta braktisnin besimin islam dhe ai i masakroi pa mëshirë”, nuk ka burime historike të verifikuara të cilat e mbështesin këtë pikëpamje. Lufta e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut ishte një luftë kundër pushtimit osman, e jo kundër myslimanëve si një grup fetar.
Madhështia e Gjergj Kastriotit nuk ka krahasim me asnjë nga figurat më të ndritura të Evropës. Aq sa Sulltan Mehmeti II kishte deklaruar: “Kurrë s’ka për të dalë më mbi tokë një luan i tillë”.