Ruben Avxhiu: 20 VJET PA IBRAHIM RUGOVËN
Si e njohën dhe u njoh me shqiptaro-amerikanët
Si politikan, kryetar i LDK-së dhe President i Kosovës, Ibrahim Rugova një nga mbështetjet më të palëkundura politike i pati në komunitetin shqiptar të Amerikës.
E megjithatë, prezantimin e parë me ta nuk e pati si politikan, por si studjues e si shkrimtar. Ishte gati një rastësi, një veprimtari e natyrës kryesisht kulturore, por që do të hidhte themelet e një bashkëpunimi të gjatë politik e kombëtar. Do të ishte edhe origjina e disa marrëdhënieve të thella personale që do të vazhdonin deri në fund të jetës.
Prezantimi me komunitetin shqiptaro-amerikan
Viti 1989 ka qenë preludi i shumë zhvillimeve shndërruese në Kosovë e më gjerë në Jugosllavi. Ishte viti që rrëzoi komunizmin në mbarë Europën Lindore, por ende jo në Shqipëri e disa vende të tjera. Për shqiptaro-amerikanët shënoi një hap më shumë në konsolidimin e tyre ekonomik e organizativ si një forcë patriotike mbarëshqiptare. U themelua Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane nga ish-kongresisti Joe DioGuardi dhe dy kishat katolike në Nju Jork, pas një periudhe të gjatë konkurrimi e rivaliteti të pashëndetshëm, kishin gjetur rrugën e përbashkët dhe po themelonin një kishë të vetme të madhe.
Ky vit rastisi që të shënojë edhe 300-vjetorin e vdekjes së Pjetër Bogdanit, një figurë themelore e historisë së letrave dhe një nga organizatorët e lëvizjes më të fortë kundër pushtimit osman në trojet shqiptare që prej kohës së Skënderbeut.
Një nga katër B-të e mëdha të gjuhës shqipe (bashkë me Buzukun, Budin, dhe Bardhin), Imzot Pjetër Bogdani la një trashëgimi të paçmueshme gjuhësore me “Çetën e Profetënve”, si dhe me veprimtarinë e tij politike, një përpjekje e rrallë, në mos e fundit, për t’i çliruar shqiptarët nga Lindja e për t’i rlidhur me Perëndimin.
Ashtu si Skënderbeu, edhe Bogdani, ishin heronj të një kohe parakombëtare, kur ndërgjegjësimi për kombin ishte ende larg. Si të tillë mund t’i trajtosh sa të duash në mënyrë njëdimensionale si figura fetare, e heronj të Krishtërimit, por ndriçimi i tyre ishte themelor për Rilindjen Kombëtare, për ngritjen në këmbë të Kombit Shqiptar.
300 vjet më vonë, kur Shqipëria vuante nën zhinxhirët e diktaturës komuniste, kur të drejtat njerëzore përfshi edhe praktikimin e besimit fetar ishin të ndaluara me ligj, kur Kosova e shqiptarët nën-Jugosllavi trajtoheshin si qytetarë të klasit të dytë, praktikisht nën pushtim me tipare kolonizuese, Bogdani ishte edhe një herë tjetër frymëzues dhe përçues i një mesazhi aktual.
Duke njohur rëndësinë e simbolikës së figurës së Bogdanit, si dhe për të hapur serinë e veprimtarive kombëtare, kulturore e fetare që do të organizonte në vite, Kisha e bashkuar Katolike e Zojës së Këshillit të Mirë (sot Kisha e Zojës së Shkodrës) organizoi në tetor 1989, një Seminar kushtuar jetës dhe veprës së Pjetër Bogdanit në Universitetin e Fordhamit.
Ishte hera e parë pas një kohë të gjatë që komuniteti shqiptar vendosej në mjediset akademike amerikane. Të ftuarit ishin gjithashtu një testament i ambicjes së këtij Seminari, Prof. Arshi Pipa, poeti dhe studjuesi Martin Camaj, Prof. Dr. Ëngjëll Sejdaj dhe Prof. Dr. Ibrahim Rugova.
I jemi mirënjohës veprimtarit të shquar shqiptaro-amerikan Tonin Mirakaj, sot 91-vjeç, kryetar i komisionit të organizimit të Seminarit dhe mbajtës i Fjalës Hapëse, sepse ka ruajtur me përgjegjësi dokumentet dhe fjalët e mbajtura në këtë Seminar, e i ka botuar më vonë në një libër, duke siguruar që kjo ngjarje të mos humbasë si shumë të tjera në historinë tonë.
Ftesa për Camajn (që nuk mundi të udhëtonte për arsye shëndetësore dhe dërgoi materialin që t’ia lexonin) dhe dy studjuesve nga Kosova tregonte synimin për ta kthyer Seminarin në një ngjarje mbarëshqiptare. Studjuesit nga Tirana do të kërkonin një lloj bashkëpunimi me regjimin komunist në fuqi. Kosova ishte relativisht më e hapur, ndërkohë që simbolika do të ishte shumë më e madhe. Në një kohë kur retë e zeza të shtypjes serbe ishin vendosur mbi Kosovë, kur po flitej për një transformim të Jugosllavisë, kur shqiptarët prej vitesh po lobonin në Uashington për Kosovën dhe disa figura të shquara të Senatit dhe Kongresit Amerikan kishin folur për Kosovën, ftesa për dy intelektualë shqiptarë nga Kosova ishte e gjitha një akt kombëtar, në vijë me figurën që po përkujtohej.
Në foltore, Prof. Dr. Ibrahim Rugovën, e prezantoi Dom Rrok Mirdita, udhëheqësi shpirtëror i katolikëve shqiptarë të Nju Jork-ut. Jeta e të dyve do të ndryshonte shumë shpejt në pak kohë. Rugova do të vihej në krye të valës së protestës shqiptare në Kosovë, Dom Mirdita do të bëhej Arqipeshvi i parë i Kishës Katolike në Shqipëri pas rrëzimit të komunizmit. Atë ditë, për Rugovën, ai tha: Është “bashkëpunëtor i lartë shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ku, merret me historin e shqipes dhe kritikë letrare”. Rreshtoi disa tituj librash që kishte botuar Rugova duke përfshirë edhe Veprën e Bogdanit në vitin 1982. “Sot Prof. dr. Ibrahim Rugova, mban funksionin e Kryetarit të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës”.
Rugova në fjalën e tij argumentoi veç të tjerash se si me Bogdanin fillon përpjekja e parë për të hartuar një histori të kombit si pjesë e historisë mbarënjerëzore, ku një vend të madh zënë figura shqiptare e ngjarje në trojet tona. Një pararendës vetëdijësimit kombëtar, që gjen gjenezën e shqiptarëve në shekujt para Krishtit.
Vetëm pak ditë më parë, shqiptarët ishin bashkuar për të blerë truallin në rrethinat e Hartsdale, në veir të Qytetit të Nju Jorkut, ku do të ndërtohej Kisha e “Zojës së Shkodrës”. Seminari u kombinua me hedhjen e gurit themeltar në një ceremoni ku mori pjesë edhe Rugova.
Që aty bëri një vizitë në Uashington DC, ku e priti Frank Shkreli, drejtor i Sektorit të Europës Lindore dhe më vonë i mbarë Sektorit të Euro-Azisë në “Zërin e Amerikës”. Ishte vizita e parë në kryeqytetin amerikan ku do të kthehej kushedi sa herë për betejat e tij politike. Duke u ndalur në Kapitol Hill, e në pikat më të shquara të Uashingtonit, për herë të parë dhe të fundit, i kundroi ato si një vizitor i zakonshëm. Fati, universi, apo ndonjë parandjenjë hyjnore, varet se në çfarë beson e kishte sjellë në ato anë, si ai gjenerali që inspekton fushat ku do të zhvillojë disa nga betejat më vendimtare.
Në kufi të dy epokave
Rëndësia e pjesëmarrjes në atë Seminar për Bogdanin është jashtëzakonshme. Me natyrën e tij të qetë dhe të folurën e kujdesshme, me një ngrohtësi të vetëpërmbajtur, Rugova duket se i bëri për vete shqiptaro-amerikanët e Nju Jorkut. Ndonëse ishte një veprimtari e organizuar nga Kisha Katolike, pjesëmarrja ishte mbarëshqiptare.
Vetë Rugova ishte në mes të dy jetëve të tij. 45-vjeçar, shkrimtar e studjues i afirmuar, ndoshta duke hyrë në pjesën e artë të krijimtarisë dhe punës së tij studimore, një potencial që nuk pati kohë për t’u provuar. Në fakt, ai Seminar mund të ketë qenë rasti i fundit madhor ku foli thjesht si njeri i letrave. Edhe atëhere, ndonëse organizatorët dhe publiku i atij Seminari nuk e dinte, kishte nisur tashmë të mendonte e të projektonte angazhimin politik. Vetëm se as ai vetë nuk mund ta parashikonte sesa shpejt dhe se sa thellë do të futej në mënyrë të pakthyeshme në politikë. Në atë kohë, thjesht bashkë me shumë kolegë të tij shkrimtarë e studjues po diskutonin se si mund të themelonin në mos një parti, një lëvizje që do të përfaqësonte politikisht shqiptarët e ish-Jugosllavisë. Çfarëdo potenciali që mund të ketë pasur për të kontribuar më shumë në letrat shqiptare, u “grabit” nga nevojat politike e kombëtare të kohës. Ashtu si disa kolegë të tjerë të tij në kontinent, më i ndrituri mes tyre, Vaclav Havel, në udhëkryq historik të kombit të tij, ai zgjodhi angazhimin politik për fat të popullit të tij.
Edhe komuniteti shqiptaro-amerikan ndodhej në mes të dy kapitujve të historisë së vet. Me themelimin e LQSHA-së të DioGuardit fillon epoka e lobimit modern, që shkonte përtej protestave të rrugës dhe përfaqësimeve të rastit gati aksidentale në institucionet e larta amerikane. Ndonëse ka pasur raste të shquara si dëshmia e Prof. Sami Repishtit në Kongresin Amerikan në 1966, apo Dëgjesa me kongresistin Bloomfield në 1986 e organizuar nga Ekrem Bardha e komuniteti i shqiptarëve në Michigan për lirimin e një bashkatdhetari, emigrant por edhe nënshtetas amerikan, të arrestuar në Jugosllavi, që këtej e tutje fillojnë format e organizuara të edukimit të ligjvënësve, zyrtarëve e diplomatëve amerikanë me realitetin e shqiptarëve.
Vijuese e rrugës së nisur nga Liga u bë vetë Lidhja Demokratike e Kosovës me degët që krijoi në SHBA ku rrëmbeu stafetën për të lobuar vetë dhe drejtpërdrejt në Uashington, e pastaj nga organizata të tjera, ku më e strukturuara ishte Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan, në veprimtarinë e të cilit u inkorporua edhe LDK-ja e asaj kohe.
Në fund të Seminarit Dy profesorët nga Kosova lanë pas Amerikën për t’u kthyer në një Kosovë ku ngjarjet rrokulliseshin me shpejtësi.
Një investim i jashtëzakonshëm politik
Politika nuk ishte jashtë vëmendjes së organizatorëve dhe pjesëmarrësve të Seminarit për Bogdanin, por asnjë prej tyre nuk mund ta imagjinonte në atë kohë sesa shpejt dhe me sa vrull do të ndryshonin gjërat.
Në vitet e mëvonshme kur shqiptaro-amerikanët udhëtonin nga shtete të ndryshme për të parë e dëgjuar udhëheqësin e Kosovës, Ibrahim Rugova, pjesëmarrja në atë Seminar filloi të ngjante sikur vërtet kishte ndodhur në një jetë tjetër.
Kishin qenë ulur pranë e kishin folur si pa të keq me njeriun të cilin tani të gjthë donin ta kishin qoftë edhe për një moment afër. Shpejtësia me të cilën Rugova u kthye në një figurë popullore në komunitetin shqiptaro-amerikan është e jashtëzakonshme.
Por Rugova nuk ndryshoi në komunikim e sjellje. Kështu kanë dëshmuar ata që e kanë njohur që Seminari. Me disa prej tyre madje krijoi miqësi e bashkëpunim deri në fund të jetës.
Mund të thuhet se ndonëse nuk u nis drejtpërdrejt nga arsye politike Seminari pati rrjedhoja në politikë. Për Rugovën vetë u kthye në një investim politik me përmasa historike. Kur u mor vesh gjerësisht se ai ishte vënë në krye të lëvizjes për demokratizimin dhe çlirimin e Kosovës, pjesëmarrësit e atij Seminari u kthyen automatikisht në mbështetës të LDK-së ende pa mësuar mirë për të.
Ishte një investim i madh se komuniteti katolik shqiptar në SHBA ishte kthyer në një nga motorët më të fuqishëm të diasporës. Me forcë ekonomike e intelektuale, organizative e kulturore. Nga Nju Jorku në Miçigan, katolikët u kthyen në një forcë mbështetëse të madhe për lobimin për Kosovën, LDK-në, Rugovën vetë, ashtu edhe për organizatat e komunitetit, apo botimin më të rëndësishëm të kohës, gazetën “Illyria”.
Besimtarët e komunitetit që do të rrethonte Kishën e Zojës së Shkodrës ishin kryesisht nga Mali i Zi dhe Shqipëria, gjë që i dha mënjehërë larmi gjeografike dhe fetare mbështetjes së LDK-së duke e kthyer atë në një forcë mbarëkombëtare. E gërshetuar me organizimin e fuqishëm të komuniteteve rreth xhamive dhe organizatave rajonale të kohës lobimi shqiptar filloi të jepte menjëherë rezultate. Sigurisht ndryshimi i politikës së jashtme amerikane kërkoi pak më shumë kohë.
Shqiptarët e Amerikës do të mbështesnin Lidhjen Demokratike dhe partitë politike shqiptare në Kosovë e ish-Jugosllavi, kushdo që të vihej në krye të tyre. Por paraqitja dinjitoze e Ibrahim Rugovës në atë Seminar të vitit 1989 shërbeu si një katalizator. Mbështetja nuk ishte thjesht për një kauzë kombëtare. U kthye edhe në personale.
….
Mes udhëheqësve e politikanëve të çartur, të Ballkanit të asaj kohe, Rugova ishte një frymë e re, një moment kthjellimi mes vorbullës së marrëzisë nacionaliste. Rugova ishte patriot i vendosur, jo më pak këmbëngulës në projektin e tij kombëtar, por komunikimi i tij dhe qendrimi ishte civil, modest, i shtruar.
Ishte thikë me dy presa. Historikisht i nënvleftësuar nga kundërshtarë e armiq, Rugova u dëshmua nga më të suksesshmit. Gjithshka që kërkoi në fillim të dekadës së tij të parë në politikë e që mund të jetë përqeshur e kundërshtuar si e pamundshme u realizua. Nga vendosja e trupave ndërkombëtare, te pavarësia e Kosovës. Pikërisht në aftësinë e tij për t’u dukur i përthyeshëm pavarësisht prej pathyeshmërisë së tij, qendron gjenia e tij politike. Amerikanët thonë: “Fol me zë të ulët, por mbaj një shkop të madh”. Rugova nuk kishte ndonjë shkop për të goditur, por kishte shtyllë kurrizore të fortë.
Komuniteti shqiptar ishte në fund të fundit pjesë, një zgjatim, i kombit shqiptar. Ai kaloi nëpër të gjitha etapat e ndryshimeve politike ashtu si shqiptarët e atdheut, si ata në Kosovë e në të gjitha trojet. Dolën me shumicë në komunitet edhe dyshues e kundërshtarë të Rugovës. Popullariteti i tij pati ulje-ngritjet e kohës. Por ishin njerëzit që lëviznin, jo ai.
….
Ndoshta shembulli më domethënës, është kujtimi që kam prej tij nga vizita e fundit në SHBA, pak pas çlirimit të Kosovës, në një takim masiv me shqiptarët në Kolegjin Lehman, në Bronks të Nju Jorkut. Mbase tre mijë shqiptarë të mbledhur që brohorisnin emrin e tij si President të Kosovës. Ishte një rikthim në shumë kuptime. Një rikthim në SHBA, në shekullin e ri, në mijëvjeçarin e ri, që vinte pas rikthimit në Kosovë, pas rikthimit në krye të vendit, pas një rilindje të vërtetë politike, pas sa e sa herësh që ia kishin shkruar lajmvdekjen politike.
Ashtu ishte ajo kohë në komunitetin tonë, kur mbështetësit e LDK-së ishin në aleancë me ata të Partisë Demokratike të Shqipërisë. UÇK-në e shihnin të lidhur me të majtën. Ndarja ishte e fortë. Përçarja kishte qenë e ashpër. Gati vëllavrasëse. Deri diku vëllavrasëse. Kjo vinte pas vitit të rëndë 1997 në Kosovë, mbas vrasjeve të shumta të pazbuluara në Kosovë. Mbas përplasjeve mes vizioneve sa të ngjashme aq edhe kundërshtare politike në Kosovën e para, gjatë dhe pasluftës.
Në një moment të caktuar një nga ata që i bënin pyetje nga salla e ftoi që të dënonte si tradhëtar Fatos Nanon dhe socialistët e Shqipërisë. Salla ndonëse kishte pjesëmarrës nga të gjitha krahët, gëlonte me krahun e tij, dhe pyetja u shoqërua nga brohorima miratuese. Nuk do ta harroj kurrë, sesi dalëngadalë parashtroi nevojën për bashkëpunim, pa e prishur asnjëherë gojën, e duke e mbyllur se Kosova do të bashkëpunonte me të gjitha forcat politike në Shqipëri, pa bërë e nxitur dallime politike.
Nuk kisha parë ndonjë politikan apo çfarëdo figure publike shqiptare që t’i rezistonte adhurimit të turmës. Nëse ka një mënyrë për të përshkruar komunikimin e figurave të elitave tona, ajo është hapi i parë testimi i publikut; hapi i dytë prononcimi i qendrimeve që sigurojnë miratimin, ekzaltimin, adhurimin e publikut. Në atë moment, në atë sallë kolegjesh, ku publiku ia kishte bërë të qartë se çfarë reagimi priste. Se do të mjaftonte vetëm një shenjë e vogël, një sinjal i vogël aprovimi për t’u lëshuar masivisht në kor shfryerjeje kundër dikujt dhe për t’ia shprehur në mënyrë të shfrenuar adhurimin për të. Dhe ai i rezistoi joshjes.
Sot, kur populizmi është një fenomen i kohës, sjellja e Rugovës si politikan shquan edhe më shumë. Një lider që nuk i shkon prapa turmës, që nuk udhëhiqet nga humori i saj, nga tekat e saj, nuk është aty për t’i përkëdhelur sedrën, për ta zbavitur. Ishte edukues dhe
Sigurisht, ishte njeri dhe do të ketë pasur virtytet e të metat e tij personale; ishte politikan i cili qendroi në krye dhe nuk mund të mbetesh në krye nëse nuk del fitues në makinacionet e domosdoshme që vijnë me luftën për pushtet. Por, momente si ai që përshkrova të bëjnë të mendosh se në fund të fundit, pavarësisht prej kostumit shtrëngues të udhëheqësit politik, mbeti në thelb një intelektual. Mbeti ai studjuesi e ligjëruesi i urtë që njerëzit panë në atë Seminarin e Bogdanit, kur ende nuk kishte hyrë politikë e në lëvizjet historike të kohës.
Mbi të gjitha duket se mbeti njeriu që kishte qenë. Sipas të gjitha rrëfimeve, politika ishte tema e fundit që kishte dëshirë të bisedonte me ata që njihte më së miri. Intelektin nuk e nxirrte në paradë, nuk ta villte në fytyrë dhe nëse nuk e nxisje, preferonte bisedat e thjeshta dhe njerëzore. Vërtet duket se ruajti për njeriun interesin dhe kuriozitetin e shkrimtarit. Jo më kot, dy ndër miqtë përjetë që bëri gjatë atij udhëtimi të parë ishin edhe vëllezërit Lek e Pashko Gojçaj, të cilët nuk kishin shkollë, por kishin urtësinë e transmetuar nga tradita malësore. Në shtëpinë e tyre në Nju Jork, “arratisej” shpesh e gjente shpesh strehë në pauzat e takimeve të rëndësishme kur me shtëpinë e tij e ndante një oqean. Atyre u kishte lënë edhe një porosi fare personale, gjetjen e një arkivoli kur t’i vinte fundi. Me të e përcollën trupin e tij për herë të fundit, në atë janar të vitit 2006. Një dhuratë e fundit nga shqiptaro-amerikanët, që e mban edhe sot e kësaj dite e përgjithmonë.
(Shkruar për librin “Rugova, prijësi intelektual”, përgatitur nga Ndue Ukaj – ribotuar këtu me shkurtime).