Zaho Golemi: Milto Kordha, oficer dinjitoz i Policisë së Shtetit
(Në përkujtim të komisarit të denjë të Policisë së Shtetit, Kolonel Milto Petro Kordha (i lindur më 10 gusht 1953 në fshatin Bestrovë të Vlorë, dhe që është shuar më 30 janar 2011), por që ka lënë një emër të paharruar për organizatën e Policisë së Shtetit, ku shërbeu denjësisht, krenarisht, me guxim dhe me trimëri në periudhën më të vështira e të trazuara të jetës në Shqipëri).
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Emër me vlera për qytetarinë dhe krenari për Vlorën dhe për Shqipërinë
Milto Petro Kordha ishte lindur më 10 gusht 1953 në fshatin Bestrovë të Vlorë. Pas kryerjes me sukses të arsimit fitor, tetëvjeçar dhe të mesëm, Milto Kordha që kishte mbaruar me rrezultate të shkëlqyera u përzgjodh për të vijuar studimet në shkollën e Lartë të MPB-së. Për këtë flasin edhe mjaft shkrime në shtypin e kohës për oficerin e lartë të Policisë Milto Kordha. Kështu Agron Xhavo në gazetën “Telegraf” shkruan: “Komisar Milto Kordha heroi i policisë që do të jetojë përgjithmonë në zemrat tona”, ka fiksuar periudhën e fëmijërisë së tij: “Ishte vetëm gjashtë muajsh foshnjë, kur e ëma ndërroi jetë nga një sëmundje e papritur dhe e rëndë. U përkushtuan për mirërritjen e tij familja me tradita e Kordhajve në Vlorë e sidomos gjyshja e tij, Angjelina.
Ai ndoqi arsimin 8-vjeçar, mbaroi gjimnazin “Halim Xhelo” më 1972. Qysh i ri Milto Kordha mbarte cilësitë më të vyera, thjeshtësinë e dashurinë për shokët e të afërmit, Vlorën dhe njerëzit, që në moshë të re ai nuk duronte sidomos padrejtësinë dhe e luftonte atë me guxim, në të gjitha format që ajo shfaqej. Ishte i shkathët, i fortë fizikisht, shquhej për seriozitetin, por dhe për humorin e tij të këndshëm dhe të hollë. Ata që e kishin Milto Kordhën shok, epror, koleg ishin të lumtur. Pas gjimnazit, në bazë të kritereve të caktuara, u pranua, studioi e përfundoi shkëlqyer shkollën e policisë në vitin 1974”.
Shkolla e Lartë e MBP-së në Sauk ishte e sapokrijuar në statusin “Shkollë e Lartë”, që i dha atij edhe aftësinë për të drejtuar e vepruar energjikisht bazuar në ligjet e shtetit duke garantuar rend dhe siguri publike në të gjitha detyrat që ka kryer.
Milto Kordha i denjë për detyra të larta policore, garant i rendit dhe sigurisë publike
Milto Kordha kreu me sukses arsimin e lartë policor në ish-Shkollën e lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme nga data 1 shtatori 1972 deri më 30 qershor 1975. Fakt është se për herë të parë me VKM nr. 184 datë 20.12.1971, arsimi policor në Shqipëri nis rrugëtim të ri si arsimim i lartë policor. Fati e deshi që të ndiqte pikërisht këtë shkollë të re të ristrukturuar dhe me vizion të qartë dhe të ri policor. Për periudhën të punoje në strukturat e Policisë ishte përgjegjësi e lartë dhe kërkonte përkushtim përtej vetes dhe familjes.
“Detyra-Nderi-Atdheut”, ishte trinomi që udhëhiqte gjithë punonjësit e strukturave të sigurisë dhe mbrojtjes së shtetit. Milto Kordha u emërua në detyrë në një kohë që nuk kishte grada as në polici dhe as në ushtri, pasi ato u hoqën më 1 maj 1966 dhe u rivendosën më 28 nëntor 1991.
Milto Kordha u titullua oficer policie me urdhër të MPB-së nr.1264 datë 9.7.1974 dhe shërben nga 16.7.1974 deri më 27.11.1991. (në këtë periudhë nuk ka pasur grada policore). Kështu me urdhër të MPB-së nr.1593/24 datë 23.11 9.7.1991 gradohet Nënkolonel nga 28.11.1991 deri më 3.8.1997, më tej me urdhër të MPB nr.324/2 datë 4.8.1997 deri më 30.4.2003 mban gradën e lartë “kolonel”. Me reformimin policor me urdhër të MPB nr.981 datë 1.5.2003 për periudhën 1.5.2003 deri më 18.9.2003 mban gradën “Komisar” dhe më tej me urdhër nr.218 datë 19.9.2003 për periudhën 19.9.2003 deri në kohën e largimit nga policia ka mbajtur gradën policore “kryekomisar”. Karriera e punës së oficerit shembullor Milto Petro Kordha ka qenë e gjatë, e sukseshme dhe dinjitoze duke përfaqësuar një prej figurave që i dha dinjitet dhe krenari uniformës policore shqiptare.
Bazuar në dokumentacionin arkivor dhe dosjen personale të oficerit të Policisë së Shtetit, rrezulton se: “Milto Petro Kordha ka vijuar studimet në SHLMPB-së me urdhër të MPB-së nr.96/60 datë 25.8.1972 dhe periudha e shkollimit ka qenë 1 shtator 1972 deri më 15.7.1974”, ndërkohë që pas studimeve ka filluar menjëherë punë fillimisht si Komandant i repartit të shërbimeve në Gramsh me udhër të ministrit të Brendshëm nr. 1264 datë 9.7.1974 dhe që këtë detyrë e ka kryer nga 16.7.1974 deri më 31.3.1976.
Këtë detyrë e ka vijuar edhe me riemërim nga 1.4.1976 deri më 51.5.1980. Sërish kursant në SHMPB-së në Sauk me urdhën nr. 653/18 datë 27.5.1980 për periudhën 1.6.1980 deri më 30.11.1980. Në vijimësi vihet në dispozicion në DPB të Gramshit me urdhër nr. 1081 datë 30 gusht 1980 për periudhën 30.11.1980 deri më 1.12.1980. Në vijimësi ka kryer këto detyra: Përgjegjës operativ i sektorit të MES-it Gramsh nga 1.12.1980 deri më 15.7.1985; Përgjegjës operativ i sektorit të MES-it në DPB Fier nga 16.7.1985 deri më 31.12.1987; Zëvendëskryetar Shef i Policisë së DPB Fier nga 1.1.1988 deri më 15.7.1991; kryetar i Degës së Rendit Publik në Durrës nga 16.7.1991 deri më 15.10.1991; Kryetar i DRP Vlorë nga 16.10.1991 deri më 19.6.1992; me ardhjen e demokracisë në Shqipëri kalon në detyrën e shefit të seksionit dhe përgjegjës DRP Vlorë nga 20.6.1992 deri më 14.2.1993. Ai ka përfunduar marrëdhëniet e punës në fillim të tranzicionit shqiptar me motivacionin absurd: “Për shkurtim të funksionit organik” me urdhër nr. 17/1, dt. 14.1.1993.
Periudha e ndëshkimit ka qenë katërvjeçare për periudhën 15.2.1993 deri më 13.3.1997, që ishte edhe një kohë shumë e trazuar dhe e vështirë për Policinë dhe për shtetin shqiptar. Më tej do të pasonte periudha që kërkoheshin kuadro të denjë për ta ngritur shtetin e përbaltur, kur kërkohej nga qeverisja ringritja e institucioneve ligjzbatuese dhe kështu Milto Kordha ju përgjigj thirrjes dhe emërohet në detyrën e shefit të Komisariatit të Vlorës me urdhën nr. 324 datë 15.3.1997, dhe që shërbeu në këtë detyrë nga 14.3.1997 deri më 15.5.1997; më tej vijoi me detyra në Komisariatin e Policisë së Fierit deri më 3.8.1997.
Pas Fierit sërish në Vlorë në detyrën e lartë dhe të përgjegjshme Drejtor i Drejtorisë së Policisë së Vlorës me urdhër nr.324/2, datë 4.08.1997, por që në këtë detyrë qëndroi vetëm 15 ditë, nga 4 gushti derti më datën 19 gusht 1997; sërisht kthehet në Fier me detyrë Zëvendës drejtor i Policisë së Fierit me urdhër nr. 324/3, datë 23.8.1997, detyrë që e kreu nga 20.8.1997 deri më 31 mars 1998. Në kuadër të ristrukturimit sërish në të njëjtën detyrë me urdhër nr.909/3, datë 9.4.1998, që ka qenë një detyrë njëmujore në prill 1998 dhe më tej ka kryer detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Policisë së Fierit me urdhër nr.909/4, datë 24.4.1998, detyrë e kryer me sukses në periudhën 24.4.1998 deri më 31.3.1999.
Lëvizshmëria në detyrë lidhet për periudhën me ringritjen e një institucioni që kërkonte vëmëndjen e të gjithë shoqërisë shqiptare. Kështu me urdhër nr. 1410/1 datë 8.5.1999 emërohet shef i sektorit të Policisë Kriminale në DRP Fier për periudhën 1.4.1999 deri më 15.8.1999 dhe më tej zëvendësdrejtor shef i Policisë Kriminale në DRP Fier me urdhër nr. 1412/2, datë 17.8.1999 deri më 31.10.2000. Në vijimësi të karrierës policore emërohet zëvendësdrejtor shef i Policisë Kriminale në DRP Shkodër me urdhër nr. 1832, datë 1.11.2000 deri më 9.1.2001; më tej emërohet në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Policisë së qarkut Shkodër me urdhën nr. 33/1 datë 9.1.2001.
Në vijimësi komandohet në detyrën e drejtortit në Elbasan me urdhër nr. 3728, datë 23.12.2001 për periudhën 23 dhjetor 2001 deri më 1 prill 2002, në vijimësi në dispozicion të DPPSH nga prilli deri në korrik 2002; dhe më tej emërohet shef i Komisariatit të policisë në Berat me urdhër nr.607/3, datë 11.7.2002 për periudhën16.7.2002 deri më 15.8.2003, Shef i Komisariatit të Policisë në Durrës me urdhër nr. 1059, daë 16.8.2003 deri më 31.12.2004; shef i seksionit të analizës, koordinimit krimit të hapur në Drejtorinë e Policisë të qarkut të Vlorës mr urdhër nr. 1162/1, datë 31.12.2004 si dhe detyra e fundit funksionale në shërbim në Policinë e Shtetit ka qenë shef i sektorit të luftës kundër akteve territoriste kundër krimit të hapur në Drejtorinë e Policisë të Qarkut të Vlorës me udhër nr. 108/1, datë 12.2.2005, për periudhën 16.2.2005 deri më 23.7.2006. Ka qenë një karrierë e sukseshme dhe me produktivitet, me mund e djersë në radhët e Policisë së Shtetit, që ka merituar mirënjohjen shoqërore kudo ku punoi e jetoi në plot 32 vite si oficer i gradave të larta të Policisë.
Profesionisti policor me mprehtësi profesionale, gjakftohtësi dhe guxim në detyrë
Kolegët e punës e kujtojnë Milto Kordhën që kur ka qenë drejtues i trupës së policisë në Gramsh, ja njohën “huqet” sikurse thotë maksima popullore, ndershmërinë, korrektësinë dhe pjekurisë profesionale, pasi me profesionalizmin e tij që në rininë e hershme fitoi mirënjohjen popullore dhe në një periudhë disavjeçare si kuadër drejtues i policisë në Gramsh, demonstroi, energji, vrull pune, aftësi të larta profesionale për garantimin e rendit dhe qetësisë publike. Puna me pasion dhe ndershmëri e bashkëshoqëroi edhe kur u emërua në Fier, kur kishte fituar përvojë e siguri në zgjidhjen e situatave të vështira e komplekse. Milto Kordha kishte tipare të plota të një profesionisti policor me mprehtësinë profesionale e gjakftohtësinë që e karakterizonte.
Ai përballoi e parandaloi me sukses gjakderdhjen në kuadrin e fluksit masiv të indinjuar e të irrituar për ndryshimin e sistemit të shtetit totalitar në periudhën e tranzicionit. Ai ishte zotërues i cilësive dhe aftësive drejtuese, edhe kur kreu detyrën e komisarit të policisë në qytetin e Durrësit dhe më tej dhe në qytetin e Vlorës, në qytetin që e lidhnin shumë kujtime që prej fëmijërisë e deri në periudhën rinore. Periudha e turbullirave masive në Vlorë dhe jo vetëm kërkonte impenjim të madh, përballimi i një tensioni të madh të përditshëm sidomos në kuadrin e ringritjes dhe rivendosjes së një shteti të ri ligjor në kushtet e demokracisë, por dhe të hapave drejt integrimit europian. Është një fakt i njohur se, pasojat e shpërbërjes së organeve të policisë në periudhën e tranzicionit, do ta gjenin Milto Kordhën të liruar nga detyra. Kjo ishte një “sëmundje” edhe për lirimin e shumë kuadrove të tjerë të aftë dhe dinjitozë në detyrë. Shteti shembet nga të paaftët dhe shteti kërkon në detyra vetëm shtetarë të denjë dhe të përkushtuar.
Komisar Milto Kordha shquhej për devotshmërinë e tij dhe që dinte të përshtatej e të manovronte me shumë kujdes në të gjitha situatat dhe etapat që krijoheshin në përballje me krimin. Ai i donte shërbimet policore gjithmonë të lartësuara dhe shpirtërisht uronte përsosjen e shërbimeve të Policisë së Shtetit, garantes së jetës së qytetarit dhe të pronës, rendit dhe sigurisë publike. Edhe kur shteti po shkonte drejt greminës më 1997, në këto vite realisht të mbushura me ngjarje dramatike nga më të tmerrshmet në tranzicionin e zgjatur shqiptar, veçanërisht ngjarjet në Vlorë, figura e Milto Kordhës është figura e një heroi të Policisë së Shtetit.
Karriera e gjatë në polici e kolonelit Milto Kordha është kontribut real për rendin dhe sigurinë publike kudo ku shërbeu në Gramsh, Fier, Vlorë, Durrës, Shkodër, Elbasan, Tiranë. Ai la punën, djerën, mundin, eksperiencën për brezat e rinj kudo ku punoi dhe vetë puna e tij fili qartë për një profesionist të vërtetë policie që do të kujtohet përherë. Ai u largua nga organizata e madhe e policisë në moshën më produktive për punë në moshën 53 vjeçare por zemra e tij rrahu deri në frymën e fundit për strukturën ku shërbeu me përkushtim, durim e këmbëngulje prej profesionisti, në Policinë e Shtetit shqiptar.
Milto Kordha ka ikur herët nga jeta më 30 janar 2011 në moshën 58 vjeçare, por nuk u harrua kurrë nga shokët, kolegët, bashkëpunëtorët e tij eprorë dhe vartës në Policinë e Shtetit. Nuk është e rastit maksima proverbiale popullore që thotë se, “ata që kujtohen nuk vdesin kurrë”. Kjo është më se e vërtetuar se në biseda me miq e shokë, në kujtesën dhe kujtimet e tyre Milto Kordha është i gjallë mes të gjallëve, e kujton familja, miqtë shoqët, ish-kolegët e punës, por dhe njerëz që kanë bashkëpunuar në jetën policore dhe më vonë në jetën e biznesit dhe sidomos në jetën shoqërore, pas Milto Kordha ishte produkt i kohës që jetoi me nder, me dinjitet dhe me krenari dhe duke i dhënë jetës dimension dhe njerëzillëk.
Kështu e kujton edhe ish-kolegu dhe shoku i tij i punës Irfan Bilbili nga fshati Vajzë e Vlorës. Milto Kordha la mbrapa bashkëshorten Eminenë, djalin Eduartin dhe vajzën Sonila, një familje që ka sakrifikuar për detyrën dhe detyrën në Polici, pasi janë përballur jo rrallë me ankthin e një kohe të vështirë, pagjumësinë, mungesën e kryefamiljarit pasi ka kryer detyra nga më të vështirat si dhe ka qarkulluar në një dyzinë rrethe të vendit. Gjatë karrierës së tij meritoi mjaft vlerësime me dekorata, urdhëra e medalje, edhe pse sa kishte frymë nuk punoi kurrë për lavdi personale. Në kuadrin e 100 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar, më 22 nëntor 2012, Këshilli i Qarkut të Vlorës e ka nderuar Milto Kordhën (pas vdekjes) me “Nderi i Qarkut të Vlorës” me këtë motivacion: “Për kontribut të çmuar në organizimin e Policisë Shqiptare dhe mbrojtjen e jetës së njerëzve”, vlerësim që është firmosur nga ish-kryetari i qarkut Anesti Dhimojani. Ndërkohë që po atë ditë profesor Bardhosh Gaçe ka bërë një këngë polifonike për birin trim, kurajoz dhe të mençur të Bestrovës, Vlorës dhe gjithë Shqipërisë Milto Kordha, ku figura e tij përjetësohet përjetësisht në këngë dhe në fakt trimave ju këndohet gjithmonë në Labëri dhe më gjerë: “Mirëmëngjesi mik i mirë,/ Po të nis këto vargjet e këngës,/ Vlora plakë pse u çuditë?/ I thanw Miltua mbylli sytë,/ Zemra trim, nuk të fali,/ Milto Kordha komisari../Shokët mbushur sytë me lotë,/O burrë si lis u këpute,/ Milto Kordha s’ecën dotë,/ E mbanin shokët mbi supe../ Milto o burrë Shqipërie,/ Nderi kësaj Labërie,/ Supet të mbushur me yje,/ I mbylle sytë sikur flije,/ Milto ti bëre epokë,/ Të nderon gjithë Vlora sot,/ Ç‘djalë kishte lindur gjalmë zeza,/ Rron mes nesh, do rrojë në breza,/ Në çdo cep Shqipëria,/ Mban besën, vulën e tija,/ Shokët dhe gjithë policia,/ Mbi gjak shkruar historia,/ Bashkë me miq të desh vatani,/ Dhe s’dinin se ç‘ishte frika,/ Historinë hapur e lanë,/ Mbi themele të florinjta,/ Ike Milto komisari,/ U ça toka u fut mali,/ Rron nw zemra Milto Kordha Komisari!”. Milto Kordha hyri në historinë e policimit shqiptar në përmasat e një legjende dhe ngeli frymëzim brezash për policinë shqiptare. Ai ishte dhe mbeti një bashkëshort e familjar shembullor, babai i denjë për dy fëmijët, një gjigand në trup dhe mendje, njerëzor, shembullor dhe frymëzues për brezat e rinj të Policisë së Shtetit.
Burimet e studimit: Të dhënat bibiografike marrë nga Arkivi familjar (nga djali dhe vajza e tij), nga të dhënat e Irfan Bilbilaj, Hilë Lushaku, Bilbil Memaj si dhe shumë ish oficera të lartë policie; të dhëna nga arkivi që disponon DPPSH, nga dosja personale e oficerit, nga AQMPB-së, Gazeta “Telegraf” nga Agron Xhaho, datë 9 korrik 2013: “Komisar Milto Kordha heroi i policisë që do të jetojë përgjithmonë në zemrat tona”, Gazeta shqiptare, 13.5.1997, “Betejë në mes të qytetit pas largimit të Shefit të Komisariatit”, të dhëna nga TV Klan: Holta Zhiti: “Milto Kordha emërohet drejtor i policisë së Qarkut Elbasan, (26.12.2001), publikuar më 26.12.2001; dhe Zaho Golemi, Vendimi i Qeverisë së Vlorës për krijimin e Policisë së Shtetit, Portali Albspirit, publikuar më datën 13.1.2026 me rastin e 113 vjetorin e krijimit të Policisë së Shtetit.