Andrea Gudha: Mjekësia-mozaik kulturor (1)
Andrea Gudha: MJEKËSIA
Mozaik kulturor
Pjesa e dytë
***
II. NË LABIRINTHET E MJEKËSISË
7. Pandemitë dhe Njerëzimi. Covid-19
Abstrakt pa fund
Dhe, hamendësimet e shkencëtarëve u bënë realitet.
“Po, nëqoftëse ndodh një pandemi”?
Dhe, ajo ndodhi! Covid-19!
“Po tani, çfarë do të ndodhë”?
***
Ç’na tregon historia e Pandemive?
Sa më të civilizuar bëheshin njerëzit, aq më të shpeshta ishin mundësitë për t’u prekur nga Pandemitë, të cilat bëheshin edhe më agresive!
Viti 431 Para Krishtit: Murtaja e Athinës. Pandemia e parë e botës perëndimore Në vitin 431 p.e.s., shpërtheu Lufta e Peloponezit midis Athinës dhe Spartës. Për t’i bërë ballë ushtrisë të Spartës, komandanti athinas Perikliui shpërnguli banorët në Akropol dhe ruajti lidhjen me jashtë vetëm nëpërmjet portit të Pireut. Tifua, nga Afrika Lindore u soll në portin e Pireut nëpërmjet morrave në anijet e flotës së Athinës dhe u përhap shumë shpejt në Akropol.
Brenda një viti, vdiqën 100 mijë athinas, përfshirë dhe Perikliun.
Djegia e kufomave në mënyrë të përqëndruar ishte metoda efikase për frenimin e përhapjes së epidemisë.
Athina, ky qytet-shtet i lulëzuar, i dha lamtumirën “epokës së artë të Perikliut”!
Viti 165 e.s. Murtaja Antonine u shfaq gjatë sundimit të dinastisë të Antoninëve, e njohur dhe si Murtaja e Galenit (Simptomat e Murtajës Antonine u përshkruan nga mjeku grek Galen) që preku Azinë e Vogël, Egjiptin, Greqinë dhe Italinë. Ajo erdhi në Romë nga ushtarët, që ktheheshin nga Mesopotamia. Shkaku i Murtajës mendohet Lia?
Vdiqën 5-10 milionë njerëz. Murtaja Antonine e shkatërroi Perandorinë Romake midis viteve 165 dhe 180- të e.s.
Shënim: Në perandorinë e Egjiptit, Kleopatra është e njohur për martesën me perandorin Antonin. Filmi “Kleopatra” (1963). Rolin e Kleopatrës –aktorja Elizabet Tejlor dhe rolin e Antonine- aktori Ricard Burton.
Viti 541-542 Murtaja e Justinianit (Perandor i Bizantit) ishte një shpërthim i murtajës bubonike e shkaktuar nga minjtë dhe pleshtat.
Ajo preku Perandorinë Bizantine dhe qytetet portuale të Mesdheut.
Vdiqën 25 milionë njerëz gjatë një viti. Kështu ra “kambana e vdekjes” për Perandorinë Romake! Rënia e Perandorisë Romake Lindore (Bizantit) dhe ngritja e Perandorisë Arabe, ndërpreu burimin e përhapjes së shkaktarit të murtajës në Europë nëpërmjet rrugës së Mëndafshit drejt Perëndimit (lidhja e Mesdheut me Azinë Lindore).
Historiani William H. McNeill citon: “Deri në fund të shekullit të 3-të, pandemitë në rajonin e Mesdheut ishin shkaktuar nga: virusi i lisë dhe i fruthit. Ato, fillimisht u shfaqën në tufat e bagëtive në Afrikën Veriore dhe pastaj u përhapën në mes të konsumatorëve të mishit të gjedhit në Europë…”.
Shek.X –XIII-të. Kryqëzatat ishin pikat e para të kontaktit me botën arabe, me sëmundshmërinë dhe me transmetimin e ndërsjelltë të sëmundjeve infektive. Leproza (Karantinë, izolim, distancim social!
Leproza u shndërrua në pandemi në Evropë. Leprozët izoloheshin në vënde të karantinës – leprozariume, në masa të rrepta sigurie. duke shmangur kontaktet me njerëzit. Në ishull, leprozët i thoshnin: “lamtumirë jetës”!
Shek. XIV-të. Murtaja e zezë ose vdekja e zezë, (1346-1353) shkatërroi Azinë, Evropën dhe Afrikën. Vdiqën 75-200 milionë njerëz. Nuk kishte më vend në varreza. Papa Klementi IV shenjtëroi ujërat e lumit Rhon në Francë, ku hidheshin kufomat.
Shënim: Libri “Dekameroni” i Bokaços (1313–1375) lidhet me këtë pandemi.
Shek. XV-të. Zbulimet e mëdha gjeografike dhe teknike si: Rruga e re detare për në Indi e zbuluar nga Vasko de Gama. Zbulimi i Amerikës nga Kristofor Kolombi, busulla, harta gjeografike, shtypshkronja Gutenberg etj.
Portet detare, u bënë qendra të mëdha për anijet tregtare me produkte blegtorale dhe bujqësore, por ishin vend i përsosur dhe për shumimin e minjve dhe pleshtave. U shtua qarkullimi i njerëzve me popullsi të ndryshme (skllevërit, koloniziatorët).
Shënim: Filmi “12 vjet skllav”, filmi më i mirë i vitit 2014.
Shek. XVI-XVII-XVIII-të Lia (Variola). Valët e epidemive nga Lia, ndërshekuj zhdukën perandori, miliona njerëz por, nuk kursyen as mbretërit: Mbretëreshën Meri ll të Anglisë, Perandorin e Shenjtë Romak Jozefin I, Mbretin francez Luigjin XV dhe Carin Pjetër ll të Rusisë.
Mjeku anglez Edward Jenner, më 14 Maj 1796 i injektoi një djaloshi të ri të shëndetshëm material nga plaga e lisë së lopës. Djaloshi nuk u sëmur!
Mjeku Jenner ishte pionieri i konceptimit të vaksinave.
U prodhua vaksina e Lisë, vaksina e parë në botë!
Filloi epoka e vaksinimt të njerëzve! Imunizimi!
Në shek. të XVIII-të, 400.000 europianë në vit vdisnin nga lija, midis tyre 1 në 7 fëmijë ishte rus.
Katerina e madhe e Rusisë, për të inkurajuar rusët për vaksinën, e aplikoi e para! Në fytyrën e Stalinit dallohen pasojat e Lisë, të kaluar në moshën fëminore!
Në shek. XIX-të ndodhi shpërthimi i tretë i Kolerës (1852–1860), më vdekjeprurëse, duke shkaktuar vdekjen e mbi një milion njerëzve.
Edhe kjo Pandemi e kishte origjinën në Indi, duke u përhapur në katër kontinente: Azi, Evropë, Amerikën e Veriut dhe Afrikë.
Shënim: Deri në shek. e XIX –të shkaktarët e pandemive ishin të pa njohur!
Në shek. e XIX-të u zbuluan shkaktarët e Pandemive vdekjeprurëse të Njerëzimit. U vendos Diagnoza bakteriologjike.
Robert Kochzbuloi bacilin e TBC dhe bacilin e Kolerës (1883).
Fillon epoka e Asepsisë dhe Antisepsia
Luis Paster identifikoi mikroorganizmat, që shkaktonin sëmundje dhe aplikoi metodat e Asepsisë dhe Antisepsisë (larja e duarve, dorezat, maskat, dezifektimi etj).
“Gripi Aziatik” (1889-1890). Ishte epidemia e parë e vërtetë në epokën e bakteriologjisë!
“Gripi Aziatik” ose “Gripi Rus” u shkaktua nga virusi i influencës A H3N8. Numri i vdekjeve: 1 milion njerëz. U vendos “Vijë karantine” midis shteteve. Vendet e Europës Perëndimore vendosën bllokimin e detyrueshëm të zonave të prekura. Në kufirin midis Austrisë dhe Perandorisë Osmane u krijua një “vijë karantine”. Çdo njeri apo mall, që vinte nga Lindja në Perëndim, duhej të karantinohej rreth kësaj vije për 21 ditë. Mjekët evidentuan dhe sistemuan të dhënat statistikore të rasteve të reja të përditshme.
Shek. XX-të “Shekulli i gripit”. Në Ligjin e Shëndetit Publik u theksua: Krijimi i komiteteve vendore për mbikëqyrjen e mjedisit publik, kushteve higjienike. Masat mbrojtëse parandaluese për sëmundjet infektive, vaksinimi. Reforma e standardeve mjekësore dhe shëndetësore.
“Gripi spanjoll”. Në vitin 1918, e gjithë bota ra në tmerrin e “Gripit spanjoll”. Virusi i gripit spanjoll (H1N1) u përhap në Evropë, Amerikë, Azi dhe Afrikë. Origjina gjeografike e pandemisë, mendohet nga Kina? Vdiqën mbi 50 milionë njerëz. Pas 2 vjetësh, “gripi spanjoll” u zhduk papritur, ashtu si erdhi…?!
Shënim: Në vazhdimësi, vlerësimet epidemiologjike dhe statistikat vijnë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e themeluar më 7 prill 1948, me qendër në Gjenevë të Zvicrës.
“Gripi Aziatik” (1956-1958) ishte një shpërthim pandemik i Gripit A të nëntipit H2N2. Gripi Aziatik u përhap nga Kina në Singapor, Hong Kong dhe në SHBA. Zgjati 2 vjet dhe vdiqën 2 milionë njerëz.
“Gripi i Hong Kongut” (1968) u shkaktua nga virusi i influencës A, lloji H3N2, mutacion gjenetik i nëntipit H2N2. Rasti i parë u raportua në Hong Kong dhe, brenda tre muajve, u përhap në Indi, Australi, Evropë dhe në SHBA, duke shkaktuar 1 milion vdekje në njerëz.
HIV/AIDS (SIDA) u identifikua në vitin 1976 në Kongo dhe u përhap në të gjithë globin (sëmundja e shek. 20-të). SIDA ka vrarë më shumë se 36 milionë njerëz në të gjithë botën. Kërkimi për të gjetur kurën dhe vaksinën kundër HIV, po vazhdon prej 36 vjetësh!?…
SARS-CoV. 2003 Sindroma e rëndë akute e frymëmarrjes (SARS) u raportua për herë të parë në Kinë dhe u përhap në Azi, SHBA dhe Europë.
Shkaktari ishte një koronavirus, (SARS-CoV), që shkaktoi 774 njerëz të vdekur. Sëmundja, si erdhi, ashtu iku në vitin 2004!?…
Nuk ka vaksinë!?
Gripi H1N1 (gripi i derrit) 2009-2010
Gripi AH1N1 (1918) u rishfaq në vitin 2009, por më i zbutur. (Cikli natyror)!
Origjina: në Kinë. Pritej vala e dytë e pandemisë në pranverën e vitit 2010, por kjo nuk ndodhi? Vdiqën 500 mijë njerëz.
Brenda 7 muajve u prodhua vaksina, por ajo ngeli stok?!
Edhe kjo pandemi, ashtu si erdhi, po ashtu, iku?!…
***
Covid-19 (2020-2023) Pandemia ndodhi!
Pandemia COVID-19 renditet si pandemia e pestë më vdekjeprurëse në histori!
Pandemi e përmasave historike! Gjëja më e keqe, që ka parë njerëzimi që nga viti 1918. Ekspertët, në fillim parashikuan, se Pandemia e koronavirusit mund të vrasë deri në 40 milionë njerëz!
Sars CoV u rishfaq papritmas, më agresiv, tinzar e vdekjeprurës! Inteligjenca e koronavirusit triumfoi ndaj inteligjencës natyrale të shkencëtarëve Nobelistë dhe inteligjencës artificiale në Mjekësinë moderne të sofistikuar.
Stili i Jetës ndryshoi! Ditët e normalitetit krejt të pasigurta, i ngjajnë një kujtimi të largët. Shkrimtarët dhe kineastët do të shkruajnë romane dhe skenar filmi. Të rinjtë do të shkruajnë ese për to.
Rrjedha e pandemisë dhe fati i kombit tani varet nga distancimi shoqëror!
Prolog kronologjik.
Më 31 dhjetor 2019, Kina njofton për një Pneumoni misterioze në qytetin e Wuhanit. Më 9 Janar 2020, Kina raporton se ka identifikuar një Koronavirus të ri, Sars-CoV-2, që është nga e njëjta familje me SARS-CoV (2003).
Më 11 janar, Kina njoftoi vdekjen e parë të shkaktuar nga Covid-19 dhe e vuri hartën gjenetike të virusit në dispozicion të autoriteteve shëndetësore botërore për studime shkencore për ilaçet dhe për prodhimin e vaksinës Covid-19.
Në 30 janar të vitit 2020, OBSh-ja shpalli “Urgjencën ndërkombëtare të shëndetit publik” nga një koronavirus, që më vonë u emërua SARS-CoV-2.
OBSH-ja, më 11 shkurt 2020 emërton sëmundjen e frymëmarrjes: Covid-19. OBSH-ja, më 30 mars 2020, shpalli “Pandemi globale”, që nënkuptonte përhapjen e koronavirusit pothuajse në çdo kontinent. “Krizë globale shëndetësore, me shqetësim ndërkombëtar”.
***
Luftë me armikun e padukshëm mikroskopik SARS CoV2!
Panik! “Kunjat” e kurorës së Koronavirusit u ngulitën në të gjithë globin tokësor. Shkencëtarët dhe strategët e Shëndetit të OBSH i gjeti të pa përgatitur për luftë! Qeveritë në mbarë botën u kapën në befasi!
Sistemet shëndetësore në botë të pa përgatitur!
Personeli shëndetësor, që ishte në vijën e parë të frontit të luftës, të pa mbrojtur, luftonin si “Don Kishoti me ushtë”!
Ritmi mortor po shtohej nga dita në ditë! Pamje të tmerrshme në stacionet TV! Kufoma. Në sheshe vetëm ushtarë!
Njerëzimi u gjunjëzua nën pushtetin e Covid-19! Bota u ndal! Qeveritë ndërmorrën masa drastike!
Mbarë njerëzimi në karantinë. Jeta sociale u paralizua! Tregjet botërore u tronditën, krizë e rëndë financiare dhe psikologjike. Transporti dhe kufijtë shtetërorë të mbyllur. Shtetrrethim! Vetëm, komunikim dixhital!
Situatë kritike në spitale: mbingarkesë të sëmurësh, mungesë pajisjesh, shtretërish dhe personel shëndetësor. Infektim dhe vdekje ndër personelin shëndetësor! E pazakontë: seleksionimi i të sëmurëve…!
Politikat shëndetësore janë më të vështira se politikat qeveritare.
Përse? Sepse ato varen nga politikat qeveritare. Edhe shtetet më të pasura në botë diskutojnë për mungesën e testeve, maskave, ventilatorëve…?!
Mësim nga Historia!
Shkencëtarët dhe OBSH iu rikthyen historisë së Pandemive me masat mbrojtëse: Karantinim, Izolim, vetizolim, Distancim social, Higjienë vetjake dhe publike, Testim, gjurmim…
Kërkimi i fajtorit. Akuza të ndërsjellta.
Presidenti amerikan Donald Trump akuzoi Kinën për epideminë e koronavirusit: “Nëse Kina do ta kishte informuar botën që në fillim, kjo epidemi mund të ishte ndalur më herët… origjina e virusit është nga një laborator në qytetin kinez të Wuhanit”.
Akuza nga Kina: “…Kjo çështje duhet të trajtohet nga shkencëtarët dhe jo nga politikanët… Diplomati i lartë amerikan e ka humbur busullën e tij morale… Virusi e kishte origjinën nga SHBA-ja dhe u çua në Kinë nga ushtria amerikane”.
Donald Trump akuzoi OBSH për “fshehjen e rolit të Kinës në pandemi, për veprimin e vonuar në shpalljen e situatës emergjente dhe të pandemisë”.
Trump urdhëroi ndërprerjen e fondeve për OBSH.
OBSH akuzon presidentin Trump për “politizim” të virusit Covid-19.
Polemika shkencore për origjinën e Covid-19. Natyra apo njeriu?
Ekspertët më të rëndësishëm të sëmundjeve infektive në Amerikë, Angli dhe Australi: “e pamundur” që, koronavirusi i ri të kishte dalë nga një laborator…”.
Dr. Anthony Fauci (këshilltar i PresidentitDonald Trump): “…virusi nuk mund të jetë manipuluar artificialisht ose qëllimisht… ky virus evoluoi në natyrë dhe më pas kaloi te speciet”.
Misteri i laboratorit të Wuhanit
Laboratori i Wuhanit është i vetmi laborator në Kinë (pjesë e Akademisë), i pajisur për nivelin më të lartë të kontrollit (Niveli 4 i Biosigurisë). Eshtë ndërtuar për të studiuar patogjenet më të rrezikshme të botës, siç janë dhe koronaviruset. Laboratori është projektuar dhe ndërtuar me ndihmën e Francës.
Shkenca në konflikt me Politikën
Dr. Anthony Fauci (këshilltar i gjashtë presidentëve të SHBA),u kërkoi udhëheqësve të SHBA-së, që ta bëjnë të detyrueshme mbajtjen e maskës.
Presidenti amerikan Donald Trump: “Nuk do t’i urdhëroj amerikanët, që të përdorin maska mbrojtëse…”.
Kryeministri anglez Boris Johnson në fillim i nënvlerësoi këshillat e ekspertëve. Ne muajin Mars, ai u ndërgjegjësua nga përjetimi personal i sëmundjes Covid-19. Pas daljes nga spitali, Johnson duartroket personelin shëndetësor!
Shkenca kërkon kujdes në rihapjen e ekonomisë së vendit!
Politika këmbëngul në rindezjen e shpejtë të motorëve të ekonomisë.
Imuniteti. Në fillim u hodh idea “Imuniteti i tufës”! Por, kjo gjë nuk ndodhi.
Vaksina Covid-19- kryefjala botërore e shpëtimit të njerëzimit!
Më 11 janar 2020, studiuesit në të gjithë botën u vendosën menjëherë në start për prodhimin e vaksinës kundër Covid-19. Garë e ethshme për vaksinën.
Konkurrenca përfshin botën e shkencës dhe kompanitë e mëdha shumëkombëshet farmaceutike, për të arritur në finish, për marrjen e patentës…Mbi 120 projekte kërkimore në zhvillim e sipër! (14. 9. 2020).
OBSH: “Vaksina nuk mund të prodhohet më herët se 1 vit e gjysmë”. Fauci: “Nëse arrijmë të kemi një vaksinë kundër koronavirusit 70 % të efektshme dhe, e kombinojmë atë me disa elementë të praktikave më të mira të shëndetit publik, atëherë mund të kemi një mbrojtje të mjaftueshme për të gjithë komunitetin”.
Suprizë! Vaksina “Sputnik V” 6 muaj nga fillimi i Pandemisë?! 11 Gusht 2020. Presidenti rus Vladimir Putin njofton:
“Për herë të parë në botë është regjistruar një vaksinë “Sputnik V” kundër koronavirusit të ri. Një nga vajzat e mia u vaksinua…”. Disa shtete si: Kina, Rusia, Indi etj prodhuan vaksinat e tyre për popullatën.
Gjatë kësaj periudhe kohore katër vaksina janë miratuar për përdorim të kushtëzuar nga Agjencia Europiane e Barnave (EMA): Comirnaty (Pfizer), Spikevax (më parë Moderna), Janssen dhe Vaxzevria (më parë Astra Zeneca).
Lind pyetja se, si ka qenë e mundur të zhvillohen vaksinat kundër Covid-19 në më pak se një vit?
Për zhvillimin dhe prodhimin e vaksinave tradicionale me patogjenë (bakterie ose viruse) të vdekura ose të gjalladuheshin mesatarisht rreth 10 vjet. Ky proces, me një përvojë mbi një shekullore në praktikën mjekësore tek njerëzimi, nuk ishte kryer kurrë në një kohë më të shkurtër!
Nisur nga situata emergjente e Pandemisë Covid-19, ndryshe nga prodhimi tradicional i vaksinave, shkencëtarët përdorën “teknologji platformash” të ndryshme, që përfshijnë prerjen e materialit gjenetik nga virusi. (Vaksinat e Universitetit të Oksfordit / AstraZeneca dhe Pfizer / BioNTech).
Koha normale për hedhjen në treg të vaksinës është nga 1 vit deri në 10 vjet, por kjo varet nga urgjenca e situatës, p.sh. Covid -19.
Shënim: Dhjetëra vende, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Italinë, kanë pezulluar përkohësisht përdorimin e vaksinës Astra Zeneca kundër koronavirusit se, disa njerëz në Danimarkë dhe Norvegji kanë pësuar mpiksje gjaku pas vaksinimit.
Ç’do të ndodhë më tej pas vaksinave?
OBSH: “Kriza e shkaktuar nga Covid-19 nuk do të përfundojë domosdoshmërisht me një vaksinë. Virusi nuk do të zhduket, ndaj, shoqëritë duhet të mësojnë si të bashkëjetojnë me të. Kjo nuk do të jetë Pandemia e fundit dhe, as urgjenca e fundit globale shëndetësore…”. (15. 9. 2020).
Pandemia Covid -19 vazhdon në mënyrë të frikshme
Spitalet të tejmbushur me të sëmurë. Vdekjet nga Covid -19 vazhdojnë, fatkeqësisht, edhe, vdekje midis mjekëve në krye të shërbimit mjekësor! Epidemiologjia udhëzon popullatën për zbatimin me rigorozitet të masave mbrojtëse ndaj Covid -19. Izolimi. Pengesë për të udhëtuar nga një shtet në tjetrin, por,vetëm me Çertifikatë vaksinimi Covid-19!
Vaksinimi i detyrueshëm i popullatës!
***
Fundi i Pandemisë Covid 19
Më 5 maj 2023, OBSH e ka deklaruar fundin e COVID-19 si emergjencë globale shëndetësore.
Universitetit Johns Hopkins në SHBA:
“Në më shumë se dy vjet e gjysmë mbi 6.5 milionë njerëz humbën jetën nga ky koronavirus, ndërsa u infektuan mbi 612 milionë”.
Hans Kluge, drejtor rajonal i OBSH për Evropën citon: “Njerëzit në rajonin Europian janë thellësisht të ndikuar nga Covid-19 dhe pasojat e tij do të rëndojnë shumë në shëndetin mendor dhe ndjenjën e mirëqenies së njerëzve, si në papunësinë, shëndetin financiar dhe izolimin shoqëror”.
Epilogu
E ardhmja e njerëzimit e pa sigurt!
Përse? Ekziston ende misteri i botës së viruseve.
Në univers ka më shumë viruse sesa yje! Triliona viruse notojnë në ajër. 800 milion viruse bien në çdo metër katror të planetit çdo ditë, të cilat nuk ndërpresin kopjimin dhe ndryshimin e virusit (cikli natyror). Njohuritë e njerëzimit për to janë vetëm një pikë uji në oqean!
Mikrobet, Viruset dhe Sëmundjet ngjitëse kanë bashkëjetuar dhe do të bashkëjetojnë me Njeriun, sa të jetë Jeta në Tokë!
Njerëzimi u ndal për një çast, megjithatë, Toka rrotullohet! Jeta vazhdon…!
Shëndet Publik. Refleksion për liderët botërorë dhe për njerëzimin!
Sa më shumë zhvillohet Bio-teknologjia mjekësore dhe Inteligjenca artificiale (AI), aq më shumë shtohen të panjohurat dhe pikpyetjet ndaj sigurisë së shëndetit të njeriut dhe, aq më i madh është tmerri për përsëritjen e Pandemive!
Pandemitë shkaktojnë më shumë vdekje njerëzore, vuajtje humanitare dhe pasoja të rënda ekonomiko-sociale tek njerëzimi, se sa shkaktojnë luftërat!
Informacion plus
Youtube, Andrea Gudha: Pandemitë dhe njerëzimi
Youtube, Andrea Gudha: Les Pandémies et l’Humanité

8. Një sëmundje, si asnjë tjetër sëmundje
Përshtatur nga literatura e huaj: “Presses de l’Université de Montréal”.
Në vend të hyrjes
Më 10 Tetor 2025 u shënua Dita Botërore e Shëndetit Mendor, një ditë e dedikuar ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e shëndetit mendor dhe promovimit të mirëqenies psikologjike për të gjithë.
OBSH: “Çrregullimet psikike prekin njerëz të çdo moshe, prejardhjeje dhe niveli të ardhurash. Në mbarë botën mbi një miliard vetë vuajnë nga çrregullimet psikike. Kjo shifër përbën 14 përqind të popullsisë botërore duke krijuar kështu problemin më të madh global shëndetësor.
Një në tetë vetë vuan nga çrregullime psikike, pavarësisht nga mosha, prejardhja ose seksi.
Një në shtatë fëmijë dhe adoleshentë në Evropë jeton me një çrregullim mendor.
Rreth 23 milionë njerëz vuajnë nga skizofrenia, kurse nga çrregullimi bipolar janë të prekur në mbarë botën rreth 37 milionë njerëz, rreth një në 150 të rritur”.
Sëmundjet e shëndetit mendor shkaktojnë pasoja të rënda ekonomiko e psiko- sociale për familjen dhe për shoqërinë. Në këtë problematikë botërore të shëndetit mendor, që vjen duke u shtuar me përhapje progresive si “Pandemi e pa shpallur”, si mjek pediatër dhe, si prind, i ndjeshëm në aspektin mediko – social, (unë nuk jam spcialist i fushës së psihiatrisë), në mënyrë modeste përgatita shkrimin e mëposhtëm për kulturë shëndetësore për vehten, ndoshta, dhe për të tjerët.
***
Informacion mbështetës për prindërit me një fëmijë skizofren
Psihiatrit e klasifikojnë skizofreninë si psikozë. Psihiatri zviceran Eugen Bleueler, për herë të parë, sëmundjen e ka emëruar “skizofreni”, fjalë, e cila vjen nga greqishtja, që do të thotë “shpirt i ndarë”. Sipas klasifikimit të dhënë nga manualët e ndryshëm diagnostikues (DMS, OBSH, ICD-10), skizofrenia, në individë të veçantë, paaraqitet me shenja të ndryshme, por, gjithmonë, me karakteristika të përbashkëta.
Në ditët e sotme skizofrenia ka një frekuencë: 4 raste në 1000 banorë. Skizofrenia shfaqet në mënyrë të barabartë te meshkujt dhe femrat, por, te meshkujt manifestohet, si rregull, disi më herët, në forma të ndryshme në adoleshencë, ose, rreth moshës 20-25 vjeçare, që, fatkeqësisht, është forma më e rëndë për të ardhmen e pacientit.
Ka shumë rendësi për evoluimin e sëmundjes që, prindërit duhet t’i vlerësojnë shenjat e para, jo normale, që shfaq fëmija, që në orët e para, në ditët e para, të cilat janë të papritura, të shpejta dhe të shumëllojshme.
Zakonisht, shqetësimet, pikëpyetjet dhe nevojat e para, që shprehin prindërit, janë: të marrin informacion mbi diagnozën e skizofrenisë, mjekimin, perspektivën e fëmijës dhe, të mësojnë se, si të sillen kur jetojnë me një person skizofren.
Më pas, kur prindërit e kanë pranuar diagnozën e fëmijës, shprehin dëshirën për të shkëmbyer mendime me njeri-tjetrin për të larguar emocionet traumatike, që kanë përjetuar në momentet e para me shenjat jo normale të fëmijës, me fjalët e mjekut psihiatër dhe, në. vazhdimësi, diskutojnë për mundësitë e tyre në ndihmë të kujdesit për fëmijën, veçanërisht, përballë mungesës së mbështetjes mjekësore dhe psiko-sociale të fëmijës nga ana e Institucioneve Shëndetësore.
***
Faza e parë. Gjatë fazës së parë, prindërit marrin informacion dhe mësojnë strategji për përballimin e skizofrenisë.
Këto momente për prindërit janë shumë shqetësuese, të papritura dhe nuk kuptojnë ngjarjen, përse ndodhi dhe se, çfarë duhet të bëjnë me fëmijën?…
Në fillimet e kësaj faze është e domsdoshme konsulta e menjëherëshme me mjekun më të mirë psihiatër.
Pasi të vendoset diagnoza dhe mjekimi, për prindërit dhe për fëmijën fillon një epokë tjetër e jetës: do të ndryshojë stili i jetës familjare dhe shoqërore. Ndoshta, për problemet e vështira që do të ndeshen, prindërve do t’ju duhet të ndryshojnë vendin dhe mjedisin familjar…
Së pari, prindërit duhet ta pranojnë diagnozën e fëmijës, të ndërgjegjësohen, të jenë të përgjegjshëm dhe të ndërtojnë sa më parë një strategji për marrëdhëniet midis tyre dhe me fëmijën. Prindërit (nëna dhe babai), nga njera anë, duhet të krijojnë besim të plotë te fjalët e mjekut psihiatër, nga ana tjetër, prindërit (nëna dhe babai) duhet të mirëkuptojnë sjelljet dhe veprimet e pa ndërgjegjshme të fëmijës skizofren. Duhet të jenë tepër të kujdesshëm dhe të mbajnë qetësinë në reagimin ndaj fëmijës. Duhet të mirëkuptojnë fëmijën, sepse, këto veprime janë brenda kuadrit të sëmundjes!
Së dyti, pasi vendoset diagnoza, ka shumë rendësi trajtimi mjekësor i rregullt qysh në orët e para, në javët e para dhe në 6-mujorin e parë.
N.q.s. brenda 6 mujorit të parë dominohen shenjat jo normale te fëmija, fëmija e kapërcen pragun e derës së shtëpisë dhe gradualisht fillon jetën normale, ky është një shans shumë i mirë për të ardhmen e fëmijës. Në rast të kundërt, problemi shëndetësor te fëmija do të zgjatet me ulje dhe ngritje për vite të tëra, ndoshta, për tërë jetën…
Faza e dytë është shumë më e përqëndruar në aspektin psikologjik dhe social.
Objektivi: Fëmija të ndërgjegjësohet për problemin e tij shëndetësor dhe të pranojë mjekimin. Të jetë në gjëndje mendore: të ketë aftësi gjykimi, mendimi dhe përqëndrimi për të kryer shërbimet e tija personale dhe të pranojë afeksionin psiko-social.
Te fëmija i sëmurë dominon suporti psikologjik dhe social nga ana e prindërve dhe shoqërisë, krahas trajtimit mjekësor.
Në këtë fazë dhe në vazhdim, prindërit duhet të reflektojnë në sjelljen, duhet të ngrenë “ura” komunikimi me fëmijën, por, dhe në marrëdhëniet midis tyre.
Kjo sëmundje, ka shumë vështirësi për t’u përballuar vetëm nga prindërit, sepse është një sëmundje, si asnjë tjetër sëmundje! Përse?
Pacienti është tepër i vështirë në komunikim, “nuk zbërthehet” gjatë bisedës, inkoshientë për sjelljet që bën, “mashtrues”, “rrebel”, “kokëfortë”, i kamuflon dhe nuk i tregon gjërat, që ndjen përbrenda vetes.
Nga ana e prindërve kërkohet shumë durim, shumë sakrifica, tolerancë, qetësi psikologjike, mirëkuptim, bashkëpunim dhe përballim ndaj stigmatizmit nga ana e shoqërisë, apo, dhe nga rrethi familjar. Prindërit janë të vetmit ndihmës “bio” të përditshëm për fëmijën.
Faza e tretë, e karakterizuar nga procesi i fuqizimit drejt autonomisë të fëmijës së sëmurë dhe riintegrimi i tij social. Rehabilitimi.
Kjo fazë është shumë delikate për të ardhmen e fëmijës dhe për prindërit!
Objekti i rehabilitimit është shumë i ndryshëm për pacientë të ndryshëm, sepse konsiston në individualitetin e pacientit: në tipin e karakterit të pacientit dhe në llojin e skizofrenisë, në kulturën dhe në zhvillimin e aftësive të nevojshme të pacientit për jetën në shoqëri.
Në këtë fazë, në vartësi të ecurisë të gjëndjes shëndetësore të fëmijës, gjithmonë, në konsultë me psihoanalistin, që e ka ndjekur fëmijën, prindërit mund të kërkojnë shërbime më të mira për fëmijën e tyre si: qendra punësimi dhe shërbime sociale.
Kjo fazë, përveç familjes, është totalisht në vartësi të organizimit të Sistemit Shëndetësor të një vendi: sa social është një shtet për personat me aftësi të kufizuar? Shtetet perëndimore janë të avancuara në këtë drejtim.
Psihoanaliza
Pacienti i diagnostikuar me skizofreni, në trajtimin në vazhdimësi, në fazën e dytë dhe të tretë, ka nevojë për ndjekjen mjekësore nga ana e psihoanalistit me përvojë në këtë fushë dhe jo, të psikologut!
Psihoanalisti: Specialiteti im është PAVETËDIJA.
Sigurisht, që një psihoanalist do ta kishte vështirë t’ia nxirrte me grepa një pacienti kokëfortë, me psihikë të vulosur me çimento, nëqoftëse nuk zotëron çelësin e fsheht për t’u futur në mendimet e pacientit më të pavetëdijshëm. Pjesa më e rëndësishme e psihoterapisë fillon vetëm kur pacienti ngrihet si feniksi nga hiri i frenimit të vet, qëndron në këmbë dhe fillon të ecë në labirintin e jetës së përditshme. Psihika e tij, tashmë është si një busull që do ta çojë (me shpresë) pacientin në drejtimin e duhur: aftësinë për të gjykuar dhe vepruar si njeri i pjekur.*
***
Nuk mund të trajtojmë çështjen e skizofrenisë apo të ndonjë psikoze tjetër pa shtruar pyetjen e pashmangshme: a është sëmundje, apo jo?
Përgjigjet kontradiktore për këtë pyetje tregojnë se, njerëzit, që punojnë me persona me probleme të rënda të shëndetit mendor, janë të ndarë në dy kampe kundërshtare.
Psihiatrit dhe ekipet, që punojnë në spitale, i bazojnë të gjitha ndërhyrjet e tyre në nocionin e sëmundjes mendore. Psihiatri “heton” trurin njerëzor. Psihiatri, deri më sot, bazohet te anamneza dhe në shenjat klinike, që paraqet pacienti. Psihiatria pagëzohet shpesh me termin “KURA E BISEDËS”* Në bazë të shenjave klinike: pozitive apo negative, psihiatri administron sëmundjen me anë të ilaçeve.
Shënim: Në të ardhmen e afërt, në ndihmë të mjekëve psihiatër dhe të pacientëve me sëmundje mendore, do të jenë zhvillimet në Bio-teknologji dhe në Inxhinjerinë gjenetike.
Mendimet janë shumë të ndara në mjediset shkencore dhe në shoqatat e pacientëve psihikë, që e hedhin poshtë konceptin e sëmundjes mendore. Shumë “njerëz të sëmurë” vetë refuzojnë ta konsiderojnë veten si të tillë. Për ta, trajtimi mjekësor shoqërohet me një përpjekje për shtypje (për shembull, si shtypja e popullit Akadian (Saint-Amand, 1989).
Shumë grupe për të drejtat e pacientëve janë shfaqur hapur si anti-psihiatrikë. Disa nga këto lëvizje flasin për pacientët si “të mbijetuar”, që do të thotë se, njerëzit, që kanë arritur të mbijetojnë janë viktimizuar nga sistemi psihiatrik. Rryma antipsihiatrike është nxitur fuqishëm nga vetë psihiatrit, të cilët vënë në dyshim nocionin e sëmundjes mendore.
Fakti, që pacientët ngrihen kundër mjekëve të tyre psihiatër dhe, që, mjekët psihiatër denoncojnë kolegët e tyre, është padyshim rast unik në analet e mjekësisë. Ky fenomen nuk ndeshet në specialitetet e tjera të mjekësisë, p.sh pediatrit nuk ngrihen kundër pediatrit…
– Nëse, ndonjë psihiatër mjeshtër do të vinte në spital gjatë kohës që, mjekët psihiatër zhvillojnë ndonjë mbledhje të stafit të tyre, ai nuk do të ishte në gjëndje të dallonte se, kush janë mjekët psihiatër dhe kush janë pacientët e çmëndur… Patologët dinë gjithçka dhe nuk bëjnë asgjë, kirurgët nuk dinë asgjë dhe bëjnë gjithçka. Po… ndërsa psihiatrit, as dinë dhe as bëjnë gjë.*
Skizofrenia do të ishte një sëmundje, edhe, nëse ende nuk janë gjetur faktorët etiologjik specifikë si dhe një trajtim specifik i vërtetë, siç është rasti i diabetit. Në rastin e skizofrenisë, mjekimi ndikon vetëm në simptomat e ashtuquajtura “pozitive”: deluzione, delir, halucinacione, inkoherencë etj.
Polemika vjen për faktin se kjo “sëmundje” nuk është vetëm Bio-fizike por, edhe Sociale. Ajo dëmton në thelb karakteristikat njerëzore: gjykimin, mendimin, përqëndrimin, personalitetin.
Diagnoza psihiatrike ka pasoja të konsiderueshme në udhëtimin kritik të personit skizofren dhe familjes së tij. Sjelljet e para simptomatike ngatërrojnë familjarët, të cilët përpiqen që, të arrijnë të kuptojnë dhe të interpretojnë arsyen e këtyre sjelljeve të papritura apo të çuditshme të fëmijës. Në kokën e tyre u vijnë shumë pikpyetje dhe dilema në marrëdhëniet me fëmijën e tyre në të kaluarën. Diagnoza psikiatrike në mjediset e ndryshme shoqërore ka si pasojë stigmatizimin e pacientit si “të çmendur”.
Është utopike të mendosh se shoqëria do të fillojë ta konsiderojë sëmundjen mendore si çdo sëmundje tjetër për shkak të këtij procesi stigmatizimi. Tani përdoren shprehje të tilla si “persona me aftësi të kufizuara” në vend të: “të paaftë mendërisht”, apo, “të vonuar mendërisht”. Njerëzit, ndonjëherë, për ta lehtësur situatën si jo stigmatizuese, përdorin shprehje të tilla si: “ai është nervoz” ose “ai është në depresion”.
Trajtimi psihiatrik, duke u marrë vetëm me trajtimin bio-kimik të simptomave me anë të ilaçeve, në fakt, ky trajtim mjekësor shoqërohet me tërheqjen e personit nga mjedisi social dhe përkeqëson pasojat e tyre sociale. Pikërisht, në fillim të moshës madhore (mosha 20-25 vjeçare) shfaqen simptomat e para dhe fillon trajtimi psihiatrik në spital apo në shtëpi.
Ndaj, personi skizofren pengohet në zhvilliminin e tij intelektual dhe në realizmin e dëshirave në një moment vendimtar të jetës: në marrëdhëniet e para romantike me vajzat, në studimet dhe në fillimet e punës së parë në jetë.
Prandaj, trajtimi psihiatrik ka efektin e rëndimit të bllokimit të personit në këtë moment vendimtar të jetës dhe, rrjedhimisht, të theksimit të paaftësisë sociale të skizofrenit në perspektivë.
Shënim: Në mjekimin simptomatik duhen patur parasysh edhe efektet anësore të psikotikëve te pacientët!
Shtrimi në spitalin psihiatrik
Shtrimet e përsëritura në spital kanë si pasojë kronicizimin e situatës së keqpërshtatjes, sepse sjellin çarje për skizofrenin në rrjetin social jashtë familjar.
Tre efektet kryesore negative të procesit të shtrimit në spitalin psihiatrik janë:
- Margjinalizimi,
- Pasiviteti dhe qëndrimi pritës nga të tjerët,
- Izolimi.
- Margjinalizimi, Stigmatizimi
Njerëzit kanë një mendim negativ për personat me të meta mendore. Këta janë objekt përbuzjeje në shoqërinë në tërësi. Procesi i trajtimit psihiatrik zhvillohet edhe jashtë mureve të spitalit psikiatrik, si në qendrat ditore të shëndetit mendor. Vetëkuptohet se, frekuentimi i rregullt në të ashtuquajturat qendrat ditore apo klubet sociale, në vetvete ruan margjinalizimin.
Kur universi social i skizofrenit kufizohet në kontaktet vetëm me pacientë të tjerë me probleme mendore, por, dhe me stafin e institucioneve psihiatrike, që kërkesa e vetme e tyre e pranimit është që, personi të jetë i paaftë social, në të vërtetë, ambienti nuk është i favorshëm për riintegrimin e pacientit. Rezultati është një “getoizimi”!
Shumë programe synojnë të zhvillojnë aftësitë sociale të skizofrenëve për të korrigjuar ngathtësinë sociale, që ata shfaqin shpesh. Pavarësisht nga popullariteti i tyre i madh, këto programe nuk janë një ilaç. Shumë programe, të frymëzuara dhe të destinuara për skizofrenët, janë shumë sipërfaqësore dhe të parëndësishme dhe, se, ato fokusohen kryesisht në sjelljen e jashtme dhe jo mjaftueshëm në elementet afektive, emocionale dhe motivuese.
Në përgjithësi, skizofrenët kanë aftësitë sociale të nevojshme për të funksionuar në shoqëri. Pengesë për ta do të ishte mungesa e motivimit (apo i energjisë pozitive) nga familja dhe nga shoqëria.
Tek skizofrenët do të kërkohet më shumë funksionimi i llogjikës: kuptimi dhe gjykimi, sesa kapaciteti intelektual.
Në çdo rast, cilësia e jetës, mirëqenia psikologjike dhe sociale e personit janë kriteret më të mira për vlerësimin e suksesit të rehabilitimit.
2. Pasiviteti dhe qëndrimi pritës i skizofrenit nga të tjerët
Psihiatrit merren me shërbime psihiatrike, që janë autoritare dhe tutolitare.
Shumicën e kohës, pacientët nuk përfshihen në vendimet, që ndikojnë në jetën e tyre, por presin nga të tjerët me indiferentizëm.
Psihiatrit thonë: “Personat me të meta mendore, brenda edhe jashtë institucioneve psihiatrike, zbulojnë se, mbështetja psihiatrike, që ata marrin, më tepër “mbyt”, sesa zhvillon potencialin e tyre. Modelet mbështetëse, brenda edhe jashtë institucioneve psihiatrike, janë kryesisht tutolitare, nuk promovojnë autonominë dhe nuk i lejojnë njerëzit të arrijnë potencialin e tyre maksimal”, (Hutchison et al., 1985).
Fakti i të qenit i “mësuar të pres kujdesin”, sa nga familja, aq edhe nga institucionet, lind te skizofreni një formë pasiviteti dhe qëndrimi pritës përballë kujdesit dhe vëmendjes që, ai merr prej tyre.
3. Izolimi
Procesi i shtrimi në spitalin psihiatrik fillon së pari, me një ndërhyrje, që ndan dhe e shkëput personin nga mjedisi i tij familjar dhe shoqëror.
Edhe, pas daljes nga spitali, psihiatri vazhdon ta vendosë personin mënjanë shoqërisë, duke promovuar një zgjerim të padrejtë të lidhjeve me prindërit, me personelin e ekipeve psihiatrike në qendrat ditore të shëndetit mendor dhe me pacientë të tjerë psihiatrikë, që jetojnë në të njëjtën situatë të paaftësisë sociale.
Në rrethin e marrëdhënieve shoqërore, pacientit i sygjerojnë t’i shtohen, ndonjëherë, takimet e herëpashershme me prostituta apo kërcimtare. Kjo situatë nuk e lehtëson rehabilitimin e personit, pasi personi përjetëson përjashtimin nga shoqëria, domethënë, e ndjen veten si të pa aftë seksualisht dhe të pa përshtatshëm social.
Një studim i kryer nga Corin (1990) dhe Corin dhe Lauzon (1992) vërtetojnë qartë se skizofrenët:
1. të cilët, ri-shtrohen në spital kanë marrëdhënie kryesisht me pacientë të tjerë psihiatrikë.
2. ndërsa, pacientët, që arrijnë pa u ri-shtruar në spital, por integrohen në qendrat ditore, kanë kontakte me persona të tjerë, që jetojnë të njëjtën situatë të paaftësisë sociale, qoftë edhe me personelin e ekipeve psihiatrike. Vetëkuptohet që, kjo situatë nuk e lehtëson rehabilitimin e personit, pasi personi përjetëson përjashtimin nga shoqëria, domethënë e ndjejnë veten si të papërshtatshëm social.
Për më tepër, i njëjti studim tregon se, skizofrenët, që arrijnë të përshtaten më mirë, pa qenë nevoja të ri-shtrohen në spital, do të jenë të prirur që, të rrinin më mirë në vënde publike, si në kafene etj, ku do të përfshiheshin në një lloj socializimi sipërfaqësor, si për shembull të bisedonin me kamarierët.
***
Ndërhyrjet familjare kanë tre objektiva:
- Të rivendosin komunikimin afektiv,
2. Të çlirojnë familjen nga simptomat e skizofrenisë,
3. Të sjellin një ndarje konstruktive nga familja me fëmijën skizofren.
1.Të rivendosin komunikimin afektiv
Ajo, që bie në sy, kur takojmë familje me një fëmijë skizofren është klima familjare e karakterizuar nga konfuzioni dhe turbulenca emocionale. Kjo gjëndje, duket se çon në një lloj imobilizimi të kohës, sikur kjo e fundit të kalonte pa pasur ndryshime të rëndësishme; koha është e ndalur, madje e harruar sipas Ausloos (1995). Në fakt, dinamika e familjes karakterizohet nga një lëmsh ndërlidhjesh, që ndikon në paralizimin e jetës familjare. Në familjet me një fëmijë skizofren, shpesh, rezistenca shprehet tek prindërit përmes ndërveprimeve të tërthorta, të paplota, plot fjalë, grindje, akuza për njeri tjetrin se, kush e ka fajin dhe sekrete të pathëna. Në këto raste, i ndjeshëm është fakti, kur nëna është e pakënaqur nga martesa… Duke përmirësuar komunikimin, anëtarët e familjes gradualisht do të inkurajohen të komunikojnë me njeri-tjetrin dhe të shprehin ndjenjat dhe mendimet e tyre.
2. Çlirimi i familjeve nga simptomat e skizofrenisë
Që nga momenti, kur sjellja e fëmijës përkufizohet nga familja si shenja jo normale, dhe, veçanërisht, kur është vendosur një diagnozë psihiatrike, gradualisht fillon një proces, që përfundon, duke paralizuar të gjithë jetën familjare. –Jeta familjare përfundon duke u rrotulluar rreth simptomave dhe familja mbahet peng nga sjelljet simptomatike e fëmijës-(Brendler,1990).Fakti që, shumica e ndërveprimeve familjare janë reagime ndaj sjelljeve simptomatike të fëmijës, kanë efektin e tjetërsimit emocional të anëtarëve të familjes nga njeri-tjetri.
Pasoja kryesore është se, një mur i ngurtë ngrihet midis anëtarëve të familjes. Ata bëhen të pavëmendshëm ndaj nevojave të njeri-tjetrit dhe, askush nuk e di se çfarë ndjen njeri dhe, çfarë ka nevojë tjetri. Më e theksuar ndodh në prindërit intelektualë dhe, që kanë një fëmijë…?!
Në rastin e familjes me fëmijë skizofren, bisedat në fillim kanë qenë shumë nervoze, sepse aty ishin grumbulluar shumë zhgënjime dhe inat për fëmijën e tyre. Në këto raste, anëtarët e familjes duhet ta pranojnë diagnozën e fëmijës dhe të flasin për efektet e sjelljeve simptomatike të fëmijës së tyre në jetën familjare.
Përvoja prindërore dhe “barra” mbi familjet e pacientëve me çrregullime të rënda mendore
Prindërit shprehin ndjenjat e humbjes dhe pikëllimit në lidhje me imazhin, që kishin për fëmijën e tyre përpara fillimit të simptomave të skizofrenisë.
Mund të vëzhgojmë tek prindërit: gjendje ankthi ose depresive, një ndjenjë faji dhe një përvojë stigmatizimi. Për më tepër, ata shpesh ballafaqohen me dilema të vështira në lidhje me vendimet, që duhet të merren p.sh. shtrimi në spital i fëmijës?
Ndikimi pozitiv i familjeve dhe perspektiva aktuale
Mbështetja nga familja dhe miqtë është e lidhur pozitivisht me tregues të shumtë te fëmija skizofren me: reduktim të recidivave, rritje e kohës ndërmjet shtrimeve në spital dhe reduktim në situata krize, përmirësim në pajtueshmërinë terapeutike, mbi të gjitha, përmirësimi i cilësisë së jetës.
Faktor i rendësishëm te evoluimi i predispozitës psiqike është qetësia psikologjike e fëmijës (dashuria, emocionet, siguria, besueshmëria) në raport me marrëdhëniet me prindërit, por, dhe prindërit në raport me fëmijën. Në marrëdhëniet duhet të dominojë “DASHURIA”.
“Dashuri, do të thotë që, të mos thuash asnjëherë, më vjen keq”.
Në vëmëndje për prindërit! Komunikim i qetë midis tyre, harmonia, entusiazmi para fëmijës dhe, asnjëherë të mos grinden para fëmijës! Fëmija të mos kufizohet, të mos frikësohet, por të motivohet, që të shprehet lirshëm për gjithçka!
“Interpretimi, që mund t’i jepet fëmijës, simptomat e të cilit intensifikohen kur konflikti tek prindërit është i hapur është se, fëmija po përpiqet të shpëtojë prindërit, “duke u çmendur vetë”, në vend të njërit prej prindërve, për të ruajtur ekuilibrin e familjes”.
3. Ndërprerja e lidhjes prind-fëmijë
Ndërprerja e lidhjes prind-fëmijë është reagimi i anëtarëve të familjes ndaj simptomave negative (ankthi, depresioni), pra, mospërmbushja sociale dhe profesionale e fëmijës. Ky mosrealizim është një shqetësim i madh për prindërit dhe është burim i vështirësive brenda familjes.
Ky shqetësim i vazhdueshëm shpesh rezulton me mbi-investim nga ana e një prindi (babai apo nëna). Natyra e pandryshueshme e lidhjes prind-fëmijë do të thotë se, ky mbiinvestim shtrihet shumë përtej kohëzgjatjes normale dhe parandalon zhvillimin e autonomisë në fëmijë. Psihiatrit shpesh përdorin termin “mbrojtje e tepërt”, që i fajësojnë pa të drejtë prindërit, por investimi i tepërt i prindërve është plotësisht i ligjshëm, veçanërisht në mungesë të shërbimeve të duhura nga ana e Sistemit Shëndetësor.
Disa terapistë italianë (Palazzoli et al,1989), që punojnë me familjet me një fëmijë skizofren, u kërkojnë prindërve që të “zhduken” pa i thënë fëmijës se, ku po shkojnë ose, pa thënë asnjë fjalë për daljen e tyre.
Direktiva “bëni prindërit të zhduken” synon të ndihmojë familjen të dalë nga ngërçi.
Çdo situatë familjare është unike dhe nuk mund të standardizosh të gjitha situatat, pasi pa parashikueshmëria është një nga karakteristikat e qenieve njerëzore.
Fëmija me skizofreni ndjehet rehat në marrëdhënie me nënën e tij, veçanërisht, kur ka patur shumë shtrime në spital.
Ky cikël ndërveprimesh familjare shpesh është mjaft afër dinamikës së “trurit të prishur”, pasi shqetësimi i prindërve ka bërë që, fëmija të përfshihet në sjellje, që normalisht nuk duhet të toleroheshin. Fakti i lejimit të shumë gjërave të ndodhura në familje gjatë fëmijërisë së tij, ka pasur pasojën e përjetësimit të ngjarjeve tek fëmija në moshë më të rritur.
Me pak fjalë, duhet të prishen lidhjet midis prindërve dhe një fëmije, që ka arritur moshën madhore, në mënyrë që të afrohen bashkëshortët dhe të çohet fëmija në krijimin e lidhjeve në rrjete jashtëfamiljare.
Ndarjet prind-fëmijë shpesh herë janë të vështira për t’u aktualizuar, sepse prindërit kanë investuar shumë dhe për shumë nëna është bërë arsyeja e tyre për të jetuar. T’i privosh prindërit nga kjo marrëdhënie do të thotë të heqësh çdo kuptim nga jeta e tyre. Ndaj, është e nevojshme të bisedohet me ta për mirëqenien e fëmijës së tyre dhe të kuptojnë se, në çdo rast fëmija i tyre do ta gjejë veten pa mbështetje, kur ata të mos kenë më shëndetin për t’u kujdesur për të.
Kujdes! Përpjekjet për të thyer lidhjen prind-fëmijë mund të kenë efektin e përforcimit të rezistencës ose provokimit të një krize nga ana e fëmijës. Shpërthimi i krizës mund të bëjë që, fëmija të sulmojë fizikisht babain.
Emigracioni
Autorët përshkuajnë raste dramatike, kur ndahet lidhja e ngushtë e fëmijës me prindërit. Kjo ndodh kur fëmija (djali apo vajza) shkon në emigracion, larg familjes, për studime apo për punë, për një jetë më të mirë. Rasti bëhet shumë i komplikuar kur fëmija është I pa diagnostikuar për çrregullime psihike. Kjo ndodh, nga njera anë, kur prindërit nuk arrijnë që t’i kuptojnë sjelljet dhe veprimet jo normale të fëmijës dhe i keq interpretojnë ato si teke të adoleshentit, apo të një fëmije të përkëdhelur. Nga ana tjetër, prindërit, me çdo sakrificë, duan t’i plotësojnë dëshirën fëmijës për të vazhduar studimet jashtë shtetit, duke gjykuar se, ndoshta, largimi nga familja do të ndikojë pozitivisht në gjykimin dhe në formimin e tij…
Episod
Alberti, pas mbarimit të shkollës së mesme, u nda nga prindërit dhe u nis për studime në Amerikë, në Universitetin e Harvardit, dega Administrim Biznes. Në konvikt ishte në një dhomë me Xhudin, student në Shkollën Mjekësore. Alberti ishte djal i sjellshëm, fisnik dhe i dashur me shokët. Në javët dhe në muajt e parë Alberti shkëmbente mesazhe optimiste me prindërit…
Në një nga pasditet Xhudi e pyet Albertin:
-Më thuaj, Albert, – të dëshpëron ndonjëherë jashtë mase, që je larg prindërve të tu dhe shoqërisë tënde? A ndihesh ndonjëherë sikur do të çmëndesh? A nuk është depresuese?
Alberti iu përgjigj me eufori: – Jo, mendoj se tani jam i lirë, i pavarur, bëj çfarë të dua dhe do të realizoj dëshirat dhe ëndrrat e mia. Dua të bëhem bizesmen i suksesshëm. Pas studimeve do të shkoj në Libi për të menaxhauar një nga hotelet më të mira. Do të ndihmoj edhe prindërit e mi –
-Oh, kjo është e lavdërueshme – komentoi Xhudi.- Po, nuk të duket se po humbet diçka…e di aspektin emocional, që na bëri të largohemi nga prindërit dhe atdheu dhe t’i futemi një rruge të pashkelur, ëndrrës tonë: unë për t’u bërë e mjek dhe ty, për t’u bërë bizesmen? Rrugë, që janë të pa shkelura dhe nga prindërit tanë –
Alberti psherëtiu dhe vazhdoi: – Mendoj, se asgjë nuk ta mbush më shumë shpirtin në të gjithë botën, sesa paraja, palestra Body-building, kazinoja dhe një veturë Volvo. Dhe kur jam në mësim, nuk jam i përqëndruar te pedagogu kur shpjegon mësimin. Shoqja ime spanjolle e bangës, më tërheq shpesh vëmëndjen me ëmbëlsi, por unë nuk jam i përqëndruar në mësim, por te ëndrrat dhe dëshirat e mia.
Në një nga pasditet, Alberti ishte shumë i shqetësuar. U takua me Xhudin dhe i thotë: – Kam të rrahura të shpejta në zemër. Kam nevojë për psikologun…, më duket sikur po çmëndem… Në kokë më vijnë zëra që më flasin, mendime të ndryshme, që më shqetësojnë dhe më lenë pa gjumë, por nuk jam në gjëndje që t’i shpjegoj dhe t’i gjykoj…
Xhudi, e dëgjoi me vëmëndje Albertin. U shqetësua shumë. I erdhi ndërmend ngjarja e hidhur e shokut të tij të klasës, Anxhelo, gjatë orëve të para në mësimin e Anatomisë së përgjithshme para kufomës.
–Xhudi, mezi po marr frymë, nuk qëndroj dot. Po më bie të fikët. Më del para syve gjyshja, që e kam dashur shumë, kur më ka vdekur…- i përshpëriti Anxhelo me zë të ulët, i dërmuar.
–Do të mësohemi- ia ktheu Xhudi. – Është era e materialit (formalina), që mbron trupat nga dekompozimi. Ka studentë, që nuk e përballojnë dot këtë pjesë. Disa, prej tyre, vjellin ose u bie të fikët. Madje, kam dëgjuar që edhe ndonjë student ka dalë nga dhoma dhe ka hequr dorë përfundimisht nga Shkolla e Mjekësisë. –
Pas disa muajsh, Xhudi dëgjoi lajmin e hidhur se Anxhelo kish bërë vetvrasje, qe hedhur nga ballkoni i dhomës së konviktit.
Dekani, pas kësaj ngjarje, u thotë studentëve se, diagnoza e Anxhelo ishte skizofrenia.
Xhudi, u mendua në çast. Ndjeu përbrenda një keqardhje. E pa Albertin në sy dhe, me dashamirësi, i thotë:
– Albert, ty duhet të bisedosh sa më parë me prindërit e tu dhe të kthehesh në atdhe, pranë familjes –
Alberti kështu bëri. U kthye menjëherë në atdhe, pranë familjes.
Alberti qëndronte i mbyllur në vetvete, fliste pak me prindërit, nuk dilte nga shtëpia edhe, kur e kërkonin shokët për të dalë…
Pas disa muajsh, në një ditë prilli, papritur, Alberti ishte në një gjëndje alerti: me shenja të plota të psikozës… Pas konsultës me mjekun psihiatër, u shtrua në spitalin psihiatrik…
***
Integrimi social
Integrimi social presupozon ndarjen jo vetëm nga familja, por, edhe nga spitali e qendrat ditore, në mënyrë që, skizofreni të mësohet të jetojë në shoqëri me autonominë, iniciativën dhe shkathtësinë e nevojshme vetjake.
Mund të thuhet se trajtimi psikhiatrik tradicional ka objektiva: parandalimin e rishfaqjes së simptomave dhe stabilizimin e sëmundjes, domethënë shtypjen e simptomave pozitive (delir, haluçinacione, iluzione).
Psihoterapia praktikohet ndonjëherë, gjithmonë në kombinim me mjekimin, por përpjekjet fokusohen në të ashtuquajturat programe rehabilitimi, ku, nuk synohet shërimi i skizofrenisë, por promovimi i integrimit të skizofrenit në jetën sociale.
Medikamentet e bëjnë të mundur riintegrimin e pacientit, por, gjithashtu, duhet pranuar se, ato nuk e lehtësojnë atë, pasi nuk ndikojnë në simptomat negative. Reduktimi i simptomave e bën personin më të “pranueshëm” në shoqëri, por, duhet këmbëngulur gjithmonë në Integrimin social.
Krijimi i një marrëdhënie me mjedisin shoqëror
Nëse skizofreni thotë se po vepron nën ndikimin e forcave jashtë tij ose, po dëgjon zëra, kjo interpretohet si refuzim për të hyrë në një marrëdhënie familjare apo shoqërore.
Në përgjithësi, skizofreni shmang hyrjen në një marrëdhënie të re apo të vjetër, duke refuzuar kontaktin, qoftë, edhe me prindërit e tij për shkak të njerës apo tjetrës prej simptomave, që lidhen me sëmundjen e tij.
Në të vërtetë, një nga karakteristikat e thella të skizofrenit është mos motivimi i tij dhe refuzimi hapur për të ndjekur propozimet apo këshillat e të tjerëve, qofshin edhe prindërit.
Ai nuk bën atë që i kërkohet, ose nuk merr përgjegjësi për të. Ai thotë se është shumë i zënë, shumë i pushtuar nga ankthet e tij ose ka një humbje të kujtesës për shkak të mjekimit. Në të njëjtën kohë, prindërit duhet të përpiqen gjithmonë me takt, me shumë durim dhe vendosmëri, që të inkurajojnë dhe të motivojnë fëmijën skizofren, që të përfshihet aktivisht në programin e rehabilitimt të tij.
Tipologji e rrjeteve sociale (rehabilitimi)
Suksesi social tek skizofreni do të varej nga aftësia për të krijuar rrjete të reja sociale jashtë familjare në mënyrë që të depërtojnë në universin e skizofrenit. Ajo, që është thënë për socializimin e skizofrenëve, është e mundur të përmblidhet në formën e një tipologjie, që përfshin tre lloje të zakonshme të sjelljes sociale:
1.në qendër është familja
2.fokusuar në shërbimin psihiatrik
3.tërheqje nga shoqëria dhe përshtatja me vetminë
Në lidhje me karakteristikat personale me socializimin, pacientët psikiatrikë mund të kenë dy qëndrime:
1.Të prirur për të qenë autonomë, d.m.th. shumë të pavarur nga shpirti dhe hezitues për të kërkuar ndihmë (+);
2. Të prirur për të krijuar një lloj marrëdhënieje me botën në të cilën ata presin kujdesin (-);
3.Mund të jenë mjaft të shoqërueshëm dhe të kërkojnë kontakte (+) ose të priren të tërhiqen në vetvete dhe të mbeten vetëm (-).
Lloji i pjesëmarrjes së tyre në komunitet lidhet me dy lloje ambientesh:
1.Ambiente, ku mbahen pacientë të tjerë psikiatrikë.
2.ambiente, që frekuentohen nga të gjithë njerëzit e tjerë, si kafene, restorante. Ata mund t’i frekuentojnë këto vende (+), ose të qëndrojnë larg tyre (-).
Lloji i parë lidhet me fëmijën, që varet nga familja e tyre.
Ndonjëherë thuhet se “fëmijët” (shpesh të rritur) fshihen me sjelljet e tyre në familje, sepse u vjen turp prej tyre. Për familjet mund të thuhet se, dhe ato janë të izoluara, domethënë kanë ndërprerë gradualisht kontaktet me botën e jashtme, me të afërmit dhe shoqërinë, me përjashtim të kontakteve të rastësishme me fqinjët.
Ndërsa, prindërve u kalon mosha, barra bëhet gjithnjë e më e rëndë për ta, megjithëse thuhet se, në këto raste, prindërit kanë zgjedhur t’i shërbejnë dhe të qëndrojnë me fëmijën e tyre skizofren, si “post pleqërisë”.
Lloji i dytë përkufizohet si i psihiatrizuar, sepse të gjitha marrëdhëniet e tyre sillen rreth ambientit psihiatrik. Personi i psihiatrizuar frekuenton burimet e ndërmjetme si: spitalet, qendrat ditore. Kontaktet e tyre janë me pacientë të tjerë të psihiatrizuar ose me anëtarë të ekipeve mjekësore të shëndetit mendor.
Edhe pse skizofreni është mjaft i shoqërueshëm, në mënyrë ideale ai nuk do të përshtatet me shoqërinë, sepse dyshon në veten e tij, dyshon se, nuk ia del mbanë në këtë pikë.
Marrëdhënia e tij me familjen nuk është shumë harmonike, sepse atë e mundon brenga se, nuk ia ka dalë në jetë, e ndjen veten të dështuar në iluzionet e tij dhe se, prindërit enuk e kanë marrë veten nga zhgënjimi i tyre me të.
Lloji i tretë, “tërheqja nga kontaktet me njerëzit e tjerë”.
Personi skizofren nuk mban marrëdhënie të thella ndërpersonale dhe mbetet disi i tërhequr nga shoqëria. Eshtë i shkëputur nga realiteti!
Ndjehet mirë me vetminë në mjedisin familjar dhe shoqëror dhe është relativisht i kënaqur me fatin e tij. Personi skizofren nuk është shumë i shoqërueshëm, por mund të mbajë kontakte veçanërisht me njerëzit e suksesshmën në fitimin e parave si: bizesmenë, bankierë, pasi në mëndjen e tij ka mbartur iluzione për t’u bërë bizesmen etj.
Shumë prej tyre kanë gjetur kuptim në jetën e tyre duke iu bashkuar grupeve fetare, si alternativë qetësie.
Roli kryesor i shoqëruesit konsiston në shoqërimin e pacientit në mjedisin e tij të jetesës, për ta ndihmuar në aktivitetet e tij të përditshme rehabilituese psikologjike dhe sociale, kryesisht në lidhje me aftësitë, që lidhen me aktivitetet e jetës së përditshme (higjiena personale, veshmbathja, ushqimi, udhëtimi, pastrimi i ambientit personal, sendet, menaxhimi i buxhetit, strehimi…
Nga përvoja e disa psihoanalistëve, këshillohet që: për pacientin e seksit mashkull, shoqëruesi të jetë i seksit femër dhe për pacientin e seksit femër, shoqëruesi të jetë i seksit mashkull. Nëpërmjet këtij shoqërimi, shoqëruesi shërben si model për skizofrenin, e inkurjon dhe e stimulon atë se, si të sillet, si të rindërtojë një rrjet social dhe, si të vendosë marrëdhënie ndërpersonale.
Është kryesisht cilësia dhe intensiteti i angazhimit të shoqëruesit, që përbëjnë asetet kryesore të këtij punonjësi, i cili mbi të gjitha duhet të ofrojë mbështetje, inkurajim, mirëkuptim dhe një qasje normalizuese.
Qasja e normalizimit niset nga parimi se skizofreni gëzon, jo vetëm të njëjtat nevoja si të tjerët, por, edhe të njëjtat detyrime.
Shënim: Me shoqërues kuptojmë një person, i cili është i çertifikuar dhe i paguar në një shtet social. Në Francë u shoqërua me ligjin e 11/02/2005.
Në të kundërt, kjo detyrë i bie njerit nga prindërit e fëmijës për të kryer rolin e shoqëruesit. Zakonisht, kujdeset nëna për djalin dhe babai për vajzën!
Detyrë shumë e vështirë, veçanërisht, kur prindërit janë të moshuar!
Së pari, nga ana e prindërit shoqërues kërkohet një angazhim të përditshëm, ditë e natë, me një ndjekje simptomatike të shoqëruar me mjekimin, me suport psikologjik e social, si dhe me mbështetje financiare për daljet e fëmijës nga shtëpia.
Së dyti, nga ana e prindërit shoqërues kërkohet që të ketë kulturë shëndetësore rreth sëmundjes, protokoll kujdesje: për ecurinë e simptomave, për mjekimin, mbi efektet anësore të tyre, mbi psikologjinë dhe sociologjinë, taktin pedagogjik në komunikim dhe në fund të ditës: gjykimin e impaktit të shoqërimit tek fëmija skizofren.
Rezultati-riintegrimi psiko-social…
Për prindërit, si shoqërues të fëmijës skizofren, kjo përkujdesje është jo vetëm lodhje fizike, por, dhe, vuajtje shpirtërore e rëndë, përballë të pamundurës në ndihmë të fëmijës. Shumë e ndjeshme është për prindërit, kur mungon shërbimi specifik në qendrat sociale nga ana e shtetit! Prindërit, për t’i ardhur në ndihmë fëmijës, sakrifikojnë, duke emigruar drejt vendeve perëndimore...
Shprehja dhe kontrolli i emocioneve
Është e rëndësishme të ndihmosh skizofrenin fillimisht të shprehëemocionet e tij dhe, më pas, të mësojë t’i kontrollojë ato.
Riintegrimi i suksesshëm kërkon që, emocionet e ndrydhura të dalin në sipërfaqe në mënyrë që, skizofreni të mësojë t’i rikuperojë dhe t’i zbusë ato, në vend që, të vazhdojë të bllokojë shprehjen e tyre.Shpesh, kjo paaftësi për të treguar ndjenjat, shprehet si një vetvete e ndarë.
Pra, tek skizofreni, një pjesë e vetes vëzhgon tjetrën. Ky, uni vëzhgues, është shumë racional, një lloj egoje, që vëzhgon, komenton dhe analizon sjelljet e skizofrenit, por në mënyrë të shkëputur.
Shpesh, gjatë përpjekjeve për të shprehur emocionet e tij, skizofreni ka pasur kriza në sjellje, që e kanë çuar në shtrimin në spital. Këto episode të humbjes së vetëkontrollit të ndjekura me shtrime në spital janë shumë traumatike dhe kanë efektin e gjenerimit të pasigurisë së thellë dhe humbjes së vetëbesimit tek pacienti.
Skizofreni ka shumë frikë nga emocionet e tij. Për disa skizofrenë, emocioni është gjithmonë ekstrem dhe i dhunshëm. Shumë pacientë nuk bëjnë dallim mes asaj që ndjejnë dhe asaj që shprehin hapur. I vetmi realitet është emocioni i përjetuar brenda tyre.
Skizofreni jeton midis imagjinares dhe reales
Përveç bllokimit në fillim të moshës madhore, skizofreni mund të konsiderohet si një person, zhvillimi i të cilit është ndalur në fillim të periudhës së latencës: ngelet infantil, apo si adoleshencë e vonuar…?
Në periudhën e latencës, me mbarimin e adoleshencës, fëmija zhvillon intelektin e tij, ka interes për të mësuar dhe konsolidon marrëdhëniet shoqërore. Tek fëmijët me predispozitë gjenetike skizofren, energjia seksuale dhe dëshirat, të pranishme në të gjithë zhvillimin psiko-seksual të fëmijës, në periudhën e adoleshencës bien nën shtypje, në “tenxhere me presion”.
Kujdes! Normalisht, që në moshën 6-7 vjeçare bota imagjinare e fëmijës, e cila, deri atëherë mbizotëronte normalisht në lojën e fëmijës, tek fëmijët me predispozitë gjenetike (mutacion gjenetik), gradualisht ua lëshon vendin lojërave me sjellje dhe veprime jo normale nga ana e fëmijës, që bien në sy nga të tjerët.
Në skizofreni, kjo periudhë zgjatet dhe universi imagjinar ndonjëherë duket po aq real, sa realiteti i jashtëm. Në këtë “mjegullnajë normaliteti”, bien dhe prindërit pa e kuptuar se, çfarë ndodh me fëmijën e tyre.
Fantazitë, në formën e iluzioneve apo halucinacioneve përbëjnë pengesën kryesore të skizofrenit për riintegrim, sepse ato përjetohen sikur të ishin të vërteta.
Dëshira ose fantazia tek skizofreni shoqërohen shpesh me frikën për t’i parë të realizuara.Duke pasur shumë frikë nga emocionet e tyre, skizofrenët besojnë se një fatkeqësi do të ndodhë, nëse i lejojnë vetes t’i shprehin ato pa kufizim. Prandaj, është e nevojshme të ndihmohen skizofrenët, që të përjetojnë lirinë totale të fantazisë dhe, në të njëjtën kohë, të heqin frikën e tyre se, imagjinarja do të bëhet realitet, por gjithmonë “me këmbë në tokë”, dhe të kuptojnë realitetin ku jetojnë. Skizofreni, shpesh kapet pas simptomave të tij për mendimin për jetën, sepse ai është i tmerruar nga emocionet, që do të lindin gjatë jetës. Analistët flasin për frikën e vdekjes, nëse hiqen simptomat pozitive.
Kur shprehja e emocioneve është e lidhur me botën e fantazisë dhe pacienti ka të bëjë me persekutues, që kontrollojnë emocionet dhe mendimet e tyre, kjo situatë është kritike për pacientin. Pikërisht, në momentet e krizës shoqëruesi duhet të jetë gati për të luajtur rolin se është më i fortë se persekutorët, që e torturojnë skizofrenin.
Në këto momente, shoqëruesi apo prindërit duhet të jenë të qetë, dhe të sigurojnë fëmijën se, halucinacionet t’i konsiderojnë si makthe zgjimi dhe të sigurojnë fëmijën, që po lufton me një ëndërr të keqe, që do të kalojë.
Është thelbësore që, shoqëruesi apo prindërit të mos kenë frikë, veçanërisht kur ka agresion nga skizofreni. Skizofrenët kanë shumë frikë nga zemërimi i tyre dhe mendojnë se do të shkatërrohet gjithçka rreth tyre.
Nëse ata ndjejnë frikë nga ne, kjo rrit pasigurinë e tyre. Me pak fjalë, duhet t’i bëjmë ata të ndiejnë se, ne e kemi situatën në dorë, gjë, që është thellësisht qetësuese për ta. Probleme të tjera lindin kur skizofreni braktis disa sjellje simptomatike si delirin dhe halucinacionet, pasi, bëhet më pak i tërhequr emocionalisht dhe bie në depresion. Vërejmë se, kur ai është i vetëdijshëm për emocionet e tij dhe i prezantohet tjetrit, ai shpesh kalon një fazë akute depresive…
Skizofreni ndërgjegjësohet me dhimbje se, i ka munguar jeta, është pa punë, pa të dashur etj.
Skizofreni, shpesh, për këto mos realizime të iluzioneve në jetë, do të fajësojë prindërit. Duke qenë se ndihen shumë keq, për të cilat na fajësojnë ne, ata mund të ndërpresin terapinë pas kësaj rritjeje të ndjenjave negative. Por, mund të ndodhë e kundërta, që, t’i kërkojnë ilaçet pa orar…
Ndërveprimi i pacientit psihiatrik me qytetarin e zakonshëm
Ky ndërveprim ndodh me qytetarin e thjeshtë, pra ai është personi i tretë i procesit të riintegrimit social, pas prindërve dhe pacientit psihiatrik. Qytetari i zakonshëm është një personazh shumë i rëndësishëm në procesin e riintegrimit social të skizofrenit, si: kamarieri, shitësi i dyqanit, berberi, komshiu etj, të cilët janë në kontakt të përditshëm me të.
***
Faktorët e rrezikut dhe ndikimi familjar i çrregullimeve psiqike tek fëmija.
Fëmija skizofren nuk ka faj!…
Familja patogjene…
Padyshim që, ekzistojnë familje patologjike. Prindërit janë mbartës të historisë së tyre familjare, të konflikteve të kaluara, aktuale, të fshehta apo të gjalla. Mbetet fakt se, nocioni i një “familje me trashëgimi skizofrene”, nënkupton se, mënyrat e sjelles dhe e komunikimit familjar janë përgjegjëse për sjelljen e fëmijës. Zhvillimi i skizofrenisë te një fëmijë i atribuohet lehtësisht shtrembërimeve në marrëdhëniet e çiftit prindëror, si ajo e përçarjes martesore, divorci.
Fëmija do ta gjente veten të bllokuar në situatat e shkaktuara nga këto marrëdhënie prindërore dhe, për këtë arsye ai do të përpiqet të specifikojë mënyrat e komunikimit brenda këtyre familjeve, duke identifikuar modele dialogu, që mund të shpjegojnë fillimin e skizofrenisë.
Duhet theksuar se, te fëmija lënë gjurmë të rënda, të pashlyeshme psikologjike, kur nëna dhe babai grinden midis tyre. Për të ruajtur ekuilibrin familjar, fëmija (skizofreni i ardhshëm) merr rolin e “të çmendurit” të familjes, për shembull, një i ri e do nënën e tij aq shumë sa sakrifikon individualitetin e tij për të mirën e simbiozës thelbësore për funksionimin e nënës.
Transmetimi nga prindërit tek fëmija.
Që në momentin e konceptimit, fëmija mbart transmetimin gjenetik nga prindërit: 50% nga babai dhe 50% nga nëna. Rezultatet e studimeve gjenetike ngrejnë çështjen e transmetimit të mutacioneve gjenetike lidhur me sëmundshmëritë e trashëguara nga prindërit tek fëmija si: diabeti, hipertensioni etj, apo dhe të psikozave.
Në rastin e skizofrenisë, studimet gjenetike theksojnë transmetimin gjenetik: nga nëna tek djali dhe, nga babai tek vajza, me frekuencë në 10-15%. “Duhen të paktën tre breza që të lind një fëmijë skizofren”. Sipas një studimi të vitit 2014 të botuar në “Nature” nga një konsorcium prej 300 studiuesish, citojnë se ekzistojnë 108 lokacione gjenetike të “ndjeshmërisë” ndaj skizofrenisë. Kështu, hipotezat gjenetike në asnjë mënyrë nuk e kanë zvogëluar fajin e prindërve, përkundrazi, ato nxisin kërkimin e paraardhësve të sëmundjeve psikiatrike tek paraardhësit e tyre me fantazinë e trashëgimisë së “gjeneve të këqija” të familjes në brezat e ardhshëm.
Kjo predispozitë gjenetike (faktor endogjen) e mbartur nga prindërit tek fëmija, me kalimin e viteve, mund të lehtësohet ose të agravohet deri në kronicizim për tërë jetën.
Me lehtësim do të nënkuptojmë që, këta persona në jetë mund të funksionojnë nga ana intelektuale në një drejtim të caktuar, ndoshta, në aspektin kreativ si, në fushën artistike: letërsi, muzikë, pikturë etj. p.sh. Dostojevski, Van Gogu etj, në tekonologjinë e informacionit etj. Në jetën e përditshme mund të kryejnë një punë të lehtë fizike. Me agravim do të nënkuptojmë që, këta persona me aftësi të kufizuar mund të funksionojnë vetëm për të kryer nevojat e tyre personale.
Fatkeqësisht, me gjithë trajtimin mjekësor dhe psiko-social, halucinacionet dhe zërat tek pacienti mund të persistojnë për tërë jetën!
***
Konkluzion në përfundim të diskutimit
“Neurozat, psikozat nuk janë gjëra të identifikuara, që pluskojnë në ajër. Vijnë prej një vendi të përcaktuar dhe ky vend është një fjalë me gjashtë shkronja e quajtur “FAMILJA”.
- Si në çdo qenie biologjike dhe, në qenien njerëzore është i pranishëm gjithmonë faktori endogjen: mbartja dhe transmetimi gjenetik (normal) nga prindërit tek fëmija, por, ndodh dhe transmetimi i mutacioneve gjenetike (“gjeneve të këqija”) nga prindërit te fëmija, të mbartura nga paraardhësit e prindërve.
2. Në raport me faktorin endogjen psihik, në evoluimin e predispozitës gjenetike, në përmirësimin apo në avancimin e sëmundjes së skizofrenisë te fëmija, rol të rendësishëm luajnë dhe faktorët e jashtëm psikologjik dhe social.
3. Në këtë raport thelbësor ndikojnë dhe faktorët e brendshëm dhe të jashtëm: prindërit, mjedisi familjar, mjedisi kulturor dhe shoqëror në periudhat e ndryshme të rritjes së fëmijës. Kujdesi psikologjik dhe social duhet të fillojë nga prindërit, që nga konceptimi i fëmijës, i porsalinduri dhe në vazhdim: me kujdesin e shtuar në periudhën para dhe gjatë adoleshencës.
4. Kujdesi (vigjilenca) prindërore duhet treguar ndaj fëmijës në marrëdhënie me drogën, kompjuterin dhe shoqërinë, veçanërisht, para dhe gjatë adoleshencës!
Informacion plus
You Tube. Andrea Gudha: STRESI dhe menaxhimi i tij

9. Mjekësia dhe Etika në Epokën dixhitale
Në epokën dixhitale Mjekësia do të jetë nën “pushtetin” e Bio-teknologjisë dhe Inteligjencës artificiale (AI)
Morali është elementi principial ndërnjerëzor, veçanërisht në figurën e mjekut në ditët e sotme!
Mjekësia, “univers pa fund”, ka udhëtuar dhe hulumtuar nëpër enigmat e organizmit të njeriut mbi 25 shekuj, duke filluar nga Greqia e lashtë (shek. V-të p.e.s) me mësimet dhe betimin e “babait të mjekësisë moderne”Hipokratit dhe vazhduan mësimet me traktatet eGalenit e Avicenës deri në shekullin e XIX-të.
Në shekullin e XIX-XX-të ndodhi revolucioni modern në shkencën e mjekësisë me zbulimet e reja epokale në organizmin e njeriut nga William Harvey, Louis Paster, Aleksander Fleming, James Watson e Francis Crick etj, duke konsoliduar Mjekësinë moderne teorikisht si dhe, nga ana klinike, laboratorike (bio-kimike) dhe radiologjike.
Në këtë udhëtim shumë të gjatë në kohë dhe tepër të vështirë në “universin e pa fund” të mjekësisë janë shkruar me mijra traktate në mjekësi, me mijra vetmohime jete mjekësh në mjekësi dhe, mbi 200 shkencëtarë të lauruar me çmimin Nobel në Mjekësi…
***
- Shekulli XXI-të, Mjekësia në Epokën dixhitale
Revolucioni i katërt industrial i përket Teknologjisë moderne inteligjente, që ka influencuar ndjeshëm në Mjekësi: në përmirësimin e informacionit mjekësor, përpunimit, analizës dhe diagnostikimit të problemeve shëndetësore të njeriut në mënyrë automatike në një kohë shumë të shkurtër.
Fillimet e shek. XXI-të i përkasin përmirësimit të paisjeve imazherike 3D, imazherisë funksionale dhe asaj molekulare, modaliteti i Tomografisë së Kompjuterizuar (CT/skaner).
Ky progres në fushën e imazherisë ka bërë të mundur bashkimin e të dhënave funksionale nga imazheria nuklare me detajet anatomike të CT, duke ofruar përmirësimin e diagnozës së lezioneve malinje, të stadifikimit, monitorimit, besueshmërisë në interpretimin dhe në përcaktimin e terapisë për pacientin në një kohë shumë të shkurtër.
Në fushën e mjekësisë u zhvillua Bio-teknologjia, si një shkencë e re. Bio-teknologjia përdor arritjet e biologjisë molekulare, duke përfshirë teknologjinë e izolimit të ADN-së dhe realizimin e një sërë procedurash për modifikimin e organizmave të gjallë, sipas qëllimeve njerëzore.
Inxhinieria gjenetike në ditët e sotme ka rezultate të jashtëzakonshme në progresin shkencor të mjekësisë si në: diagnozën dhe në trajtimin mjekësor, përcaktimin e kodit gjenetik të çdo individi, rregullimin gjenetik në sëmundjet e trashëguara familjare!
Teknologjia gjenetike embrionale ka avancuar në zgjedhjen e gjenit, deri në ndryshimin e qënies njerëzore: Njerëz të përmirësuar gjenetikisht, “superinteligjentë”, Bebe “Gjeni, Ajshtajn” do të lindin në laboratorët e inxhinierisë gjenetike, që do të jenë të porositur dhe të përzgjedhur sipas dëshirës së prindërve…!
Klonimi I çdo qenie biologjike, që mund të klonohet nga një qelizë e izoluar nga trupi i njeriut p.sh. nga lëkura dhe fitohet kloni…
Inteligjenca artificiale në mjekësi ka avancuar me Kibernetikën, si shkencë, që merret me qeverisjen dhe komunikimin në mënyrë të automatizuar mes qenieve të gjalla dhe teknologjisë mjekësore.
Vendosja e mikroçipeve në trupin e njeriut bëjnë të mundur monitorimin klinik dhe bio-kimik të organizmit të njeriut, pa patur nevojë për ekzaminim klinik apo analiza laboratorike!
Teknologjia po evolon dhe përparon vazhdimisht me hapa galopantë, duke bërë që, herë pas here, të lançohen krijime dhe inovacione në fushën e mjekësisë, siç është Robotika.
Kirurg-roboti më i njohur në botë quhet Da Vinçi, i cili operon në shumë klinika të botës dhe Evropës. Kirurgjia robotike sot tejkalon dobësitë njerëzore të kirurgut, perfeksionon metodën kirurgjikale laparoskopike në operacione kirurgjikale të ndërlikuara dhe shumëorëshe.
Së shpejti, në ambientet spitalore ekzaminimet, ndërhyrjet, manipulimet mjekësore, shërbimet sanitare dhe sociale tek njeriu do të kryhen nga roboti humanoid!
Në dekadën e dytë të shekullit XXI-të (2017-2023) kemi një zhvillim avangard të shkencës kompjuterike: Inteligjenca artificiale gjenerative si GPT dhe DALL, të cilët me programimet e tyre kanë për synimin e vetëm për ta tejkaluar inteligjencën e trurit të njeriut: superkompjutera superinteligjentë. Inteligjenca artificial gjenerative do të funksionojë në mënyrë të pavaruar nga truri i njeriut, pa ndihmën e njeriut…!
Me aplikimin e Inteligjencës artificiale gjenerative në Mjekësi, Mjekësia klinike objektive po zëvendësohet me Mjekësinë virtuale!
Nick Bostrom, drejtor i Institutit “E ardhmja e Njerëzimit”, në librin e tij “Superinteligjenca” e përcakton superinteligjencën: “Një intelekt, që është më i zgjuar se sa, truri më i ditur njerëzor në çdo fushë, përfshirë krijimtarinë shkencore, diturinë në përgjithësi dhe aftësitë sociale”.
***
2. Diploma në mjekësi të ndalon të shkelësh ligjin dhe të pengon të kapërcesh moralin!
Qysh në Antikitet, Hipokrati, babai i Mjekësisë Moderne, konstatoi se, ushtrimi i mjekësisë bazohet në të dhënat klinike, por udhëhiqet nga morali e nga parimet profesionale, që u pasqyruan tek “Betimi i Hipokratit”.
“Betimi i Hipokratit” në radhët e mjekësisë gjeti aplikim në të gjitha shkollat mjekësore në Evropë deri në shekullin e XIX-të.
Më vonë erdhi duke u sfumuar… aq sa, në ditët e sotme është si “antikuar” në terrenin ku punon mjekësia dhe ku dominon materializmi i shpirtit njerëzor.
Në shkencën e mjekësisë shumëshekullore kanë evoluar shumë teori dhe praktika mjekësore deri në ditët e sotme, por “Betimi i Hipokratit”, etika mjekësore mjek-pacient ka ndryshuar shumë pak. Edhe pse nuk ka vlerë ligjore, “Betimi i Hipokratit” konsiderohet si një nga tekstet themeluese të etikës mjekësore.
Në dekaden e dytë të shekullit XXI-të “Betimi i Hipokratit” është rishikuar nga Shoqata Mjekësore Botërore. Në Deklaratën e Gjenevës është njohur si “Betimi i Mjekut”, që është përfshirë në shtojcën e Kodit të Etikës Mjekësore.
3.Përballë progresit shkencor në Bio- teknologji dhe Inteligjencës artificiale në mjekësi qëndron Bio-etika, që udhëhiqet nga “Morali dhe Shëndeti”, si “garant” i dinjitetit human, në një shoqëri globale me diversitet biologjik dhe kulturor.
Me themelimin e Këshillit të Evropës-Strasburg (më 5 maj 1949) u ngrit Komiteti i Etikës Evropiane (transplanti i organeve, klonimi, transfuzioni i gjakut etj). Me zhvillimin e Bio-teknologjisë mjekësore (biologjia molekulare, etj) komiteti u emërtua Komiteti i Bioetikës (DH-BIO).
Që nga 1 janar 2022, pas krizës globale në shëndetësi të shkaktuar nga Pandemia Covid-19, Komiteti i Bioetikës (DH-BIO) u zëvendësua me emërtesën Komiteti drejtues për të drejtat humane në fushën e Biomedicinës dhe Shëndetit (CDBIO), që shpreh normat juridike të Këshillit të Evropës rreth Konventës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe dinjitetit të qenies njerëzore me aplikimet në biologji dhe në mjekësi.
Bio-etika përfaqëson një disiplinë komplekse: mjekësore, morale, antropologjike, ligjore, fetare, sociale, kulturore dhe politike në mbrojtje të vlerave njerëzore ndaj jetës dhe mbijetesës, duke qenë në opozitë rigoroze me dukuritë më të fundit të Bio-teknologjisë dhe Inteligjencës artificiale në shkencat mjekësore.
Të gjitha këto veprime duhet patjetër të respektojnë moralin dhe shëndetin e pacientit, duke mbrojtur jetën njerëzore. Bio-etika përcakton kufijtë, që lejojnë manipulimin e jetës njerëzore dhe vdekjes, duke respektuar parimet e saj si:
– Respektimi i dinjitetit njerëzor,
– Duke mos bërë asnjë të keqe, por, vetëm krijimin e të mirave,
– Sigurimi i autonomisë së individit,
– Respektimi i të drejtave të individit.
***
3.Midis inteligjencës artificiale dhe natyrore ka një dallim esencial në mjekësi.
Sëpari, zhvillimi I Inteligjencës artificial në Mjekësi, është rezultat i produktit të nivelit më të lartë të inteligjencës natyrore të trurit të njeriut dhe të konsoliduar me përvojën njerëzore 25 shekuj të hulumtimeve dhe të zbulimeve në fushën e mjekësisë dhe në shkencat e tjera.
Inteligjenca natyrore, me njëpërvojëjetësore shekullore që, me krijimin e njeriut mbi tokë, dallohet nga një qëndrim i vetëdijshëm i mjekut ndaj pacientit. Mendimi i mjekut, si një qenie njerëzore, është gjithmonë me ngjyra emocionale dhe nuk mund të ndahet nga trupi i tij, që është prej “mishi dhe gjaku” dhe, që ka “vetëdije dhe ndjenja”.
Inteligjenca artificiale, me një përvojë shkencore disa dekada, nuk mban një qëndrim të vetëdijshëm ndaj pacientit, nuk ka asnjë lidhje me sferën emocionale dhe ndjeshmërinë njerëzore ndaj pacientit. Inteligjenca artificiale i vjen në ndihmë Bio-teknologjisë, por nuk është e njëjtë me vetëdijen njerëzore.
Mjekësia në udhëtimin e saj shumëshekullor është përballur me ligjet e natyrës. Psikologjia na mëson se, vetë-ndërgjegjësimi i ulët i personelit mjekësor, gjithmonë na çon në gabime mjekësore, me pasoja të rënda për shëndetin e njeriut, gabime mjekësore, të cilat janë evidentuar dhe në vendet e zhvilluara, ku shkenca e mjekësisë është shumë e përparuar. Ende, nuk dihet se si do të bëjë Inteligjenca artficiale pa vetëdijen njerëzore ndaj pacientit?
Në epokën dixhitale në një botë virtuale, para mjekësisë dalin shumë pikpyetje të panjohura, të papritura dhe serioze për shoqërinë njerëzore dhe shëndetin, që kërkojnë përgjigje:
1.Në aspektin profesional
Mjeku, në ushtrimin e profesionit ndaj pacientit do të jetë në vartësi të Inteligjencës artificiale?
Inteligjenca artificiale (në vendin e mjekut) si do të realizojë kontaktin e parë dhe ekzaminimin klinik në marrëdhënie me pacientin: komunikimi, anamneza, observimi, shqisat, “gjuha e trupit”, empatia?…
Edukimi arsimor dhe formimi profesional i mjekut në auditor?…
2. Në aspektin etik
Kush do të jetë kodi etik i Inteligjencës artificiale në Mjekësi?
Kush do të jenë të drejtat e pacientit me Inteligjencën artificiale?
Kush do t’i gjykojë gabimet mjekësore të Inteligjencës artificiale?
Krizë morale…?
3. Në aspektin social
Njerëzimi, a është i përgatitur intelektualisht dhe psikologjikisht në marrëdhëniet me Inteligjencën artificiale për sigurimin e shëndetit? Njerëzimi me bio-diversitet social dhe kulturor, a do të ketë “barazi sociale” dhe “akses të barabartë dinjitoz” për sigurimin e shëndetit dhe, a do të ketë cilësi të jetës nga Bio-teknologjia dhe Inteligjenca artificiale? Krizë sociale?…
Në përfundim
Inteligjenca artificiale në Mjekësi nuk është fanta-shkencë, por është një realitet në shekullin e XXI-të!
Udhëtimi i Inteligjencës artificiale gjenerative në “universin e pafund” të shkencës së Mjekësisë do të jetë udhëtim i gjatë, i vështirë, me plotë të panjohura në aspektin shkencor dhe etik në “mikrouniversin” e organizmit të njeriut që, seicili individ në shoqërinë njerëzore karakterizohet biologjikisht nga miliarda individualitete dhe të rrethuar me miliarda viruse dhe mikrobe si shkaktarë të sëmundjeve dhe të Pandemive vdekjeprurëse.
Gjithçka, le t’i ngelet kohës dhe përvojës në mjekësinë praktike për sukseset, apo gabimet mjekësore gjatë aplikimit të Bio-teknologjisë dhe Inteligjencës artificiale në jetën e njeriut: midis lindjes dhe vdekjes!
Dhe, pikpyetjet e mësipërme do të marrin përgjigje.
Informacion plus
Youtube: Andrea Gudha Bio-teknologjia dhe Bio-etika
Copyright: Andrea Gudha.