Albspirit

Media/News/Publishing

Andrea Gudha: Mjekësia-mozaik kulturor (2)

Andrea Gudha: MJEKËSIA

Mozaik kulturor

Pjesa e tretë

***

III. NJERIU, MJEKËSIA, MUZIKA

10. Njeriu dhe muzika

Muzika, bashkëudhëtare e njeriut!

“Muzika është një dhuratë hyjnore, si për të pasurit edhe për të varfërit”. Papa Leone XIV, në koncertin e Krishtlindjeve, 2025.

Muzika ka lindur së bashku me njeriun dhe e shoqëron njeriun gjatë gjithë periudhave të jetës

Fëmija, kur lind qan. Shenja e parë jetësore për fëmijën e porsalindur është të qarët (tingujt muzikorë). Të qarët është fillimi i simfonisë së jetës të njeriut (testi Apgar në maternitet)…

Fëmija rritet me dashurinë dhe me ninullat e nënës. Edhe qumështi i gjirit të nënës shtohet dhe, është më cilësor, nëse nëna i jep gji fëmijës duke kënduar, por dhe bebi qetësohet!

Belbëzimet dhe të qeshurat fëmija i shpreh nëpërmjet tingujve. Njeriu e jeton jetën me gëzime dhe me hidhërime të shoqëruar gjithmonë me melodi dhe me këngë…

Në jetën e njeriut, muzika nuk ka qenë thjesht argëtuese, por ka shërbyer edhe si “ushqim dhe ilaç” për trupin e shpirtin e njeriut.

Dashuria shprehet dhe “godet” më mirë me këngë, ashtu, si me serenatat korçare…

“Aleksis Zorba, i ulur në një nga tavernat me buzuk në anë të detit në Kretë, përballë kishte një vajzë të bukur Irena Papas. E shikonin njeri-tjetrin e Zorba matesh që t’i shprehte asaj dashurinë. Zorba, megjithëse ishte trim në beteja, nuk guxonte: – Nuk arrij dot të ta them me fjalë – i tha ai, – por, më lër më mirë të kërcej nën melodinë e muzikës.

Në çast u ngrit nga tavolina dhe vetëm me lëvizjet e gjestet e duarve, të trupit, e me lojën çmendurake të këmbëve, nën melodinë e famshme të kompozitorit Teodoraqis, ai arriti t’i shpreh asaj mallëngjyeshëm mesazhin magjik të dashurisë”. (Filmi “Zorba” sipas romanit të njohur të Nikos Kazantzakis dhe me muzikën e Michael (Mikis) Theodorakis, ku, rolin e personazhit kryesor e luante aktori hollivudian Antony Quin).

Njeriu martohet me këngë dhe muzikë. Këshilli i Europës i merr vendimet e rëndësishme nën tingujt e Simfonisë së 9-të të Bethovenit.

Stendali, gjatë udhëtimeve të tij në Evropë, qetësinë shqiprtërore e gjente në koncertet me pjesë nga Mozart, Bethoven etj. Shpesh shkonte në Scala në Milano për të dëgjuar muzikë. Përse? – Muzika ngjall dashurinë!

Shkencëtarët e mëdhenj qetësoheshin në mbrëmje duke luajtur muzikë si Albert Ajshtajn në violinë, por dhe presidentët e SHBA gjejnë relaksim shpirtëror me muzikë si Bill Clinton me Sax, apo çifti Obama në vallëzim tango latine. Papa Ratzinger, kur u largua nga drejtimi i kishës katolike (Vatikan), u shpreh:Falënderoj Zotin, që më ka vënë pranë muzikën (pianon), gati si një shoqe udhëtimi, që më ka ofruar ngushëllim dhe gëzim.

Kur njeriu vdes, përsëri shoqërohet për në banesën e fundit me melodinë e të qarave me vaje apo, me muzikë.

Në minutat e fundit, gjatë mbytjes së vaporit Titanik, orkestrantët luanin melodi në instrumentat e tyre muzikore, duke shkuar drejt fundit të detit. (Filmi “Titanic” në vitin 1997 me 11 çmime “Oscar” me regji të James Cameron, me aktorët Leonardo DiCaprio dhe Kate Winslet si dashnorë të fshehtë në linjën e mallkuar të udhëtimit me anije nen tingujt e kolones zanore te kenduar nga Celine Dion).

***

Diskutim: Muzika dhe Shpirti

Në historinë njerëzore ka ekzistuar dhe ende ekziston një raport misterioz, që lidh Muzikën, Shpirtin dhe Trupin e njeriut me harmoninë dhe me ritmin e jetës, që nga konceptimi i bebit, lindja e deri në vdekje.

 Ky mister është i lidhur në veçanti me pa aftësinë ende shkencore të mjekësisë në njohjen tërësore të organizmit të Njeriut si individ, por dhe në marrëdhëniet e Njeriut me Mjedisin rrethues.

Gjurmë në Lashtësi

Njeriu, qysh në Lashtësi, nëpërmjet Muzikës, ka imituar tingujt e Natyrës si: zhurmat e ardhur nga qielli, zhurmat e shiut, të erës, të gjetheve të pemës, të dallgëve të detit, hingëllimat e kafshëve etj. Në Lashtësi këngët shoqëroheshin me muzikë dhe me vallëzime të shoqëruar me “instrumenta muzikorë” që shkaktonin ekstazë, hipnozë kolektive dhe një “dehje” nga kënaqësia.

Në Indi 2000 vjet p.e.s. Shamans shëronin me muzikë shpirtërat e lënduar nga fuqi të mbinatyrshme.

Në Kinën e lashtë, Muzika krijonte lidhjen e Harmonisë së Njeriut në mes të Qiellit dhe Tokës (Jung-Jang). Jung është toka (femërore, e butë, perceptuese, e errët, e zbrazët). Jangu është qielli (mashkullore, e ndiçuar, e fortë, krijuese, ndërtuese). Jini është e ftohta, errësira, sëmundja dhe vdekja. Nëse këto forca janë në harmoni brenda trupit tonë, atëhere mbizotëron SHËNDETI. Çekuilibri sjell ankth, sëmundje dhe vdekje.

Në Persi, Muzika shërbente për qetësinë psiqike dhe shpirtërore të njeriut.

Në Egjiptin e lashtë të kënduarit ishte ilaçi më i mirë për pagjumësinë dhe për dhimbjet.

Greqia në Antikitet, shek. VII-V p.e.s.

Në Antikitetin grek shek.VII-V p.e.s. koncepti filozofik i paraprinë Mjekësisë. Gjithëçka, bazohet tek Harmonia dhe Ritmi: Njeriu: Trupi, Mendja dhe Shpirti. Përkrahësit e kësaj doktrine në Athinë quheshin “Filozofë”si: Pitagora, Platoni, Aristoteli, etj.

Homeri (shek. IX p.e.s) tek “Iliada” dhe “Odiseja” ka përshkruar raste ushtarësh të plagosur me gjakderdhje dhe që u është ndaluar hemoragjia në sajë të muzikës dhe të këngës.

Pitagora (mësues i Platonit) në shkollën Kroton (520 p.e.s) përdorte tingujt e muzikës si fuqi harmonizimi. Pitagora e aplikoi muzikën për qëllime mjekësore. Pitagora ishte i pari që filloi të bëjë librin e recetave të bazuar tek muzika: “Çdo sëmundje ka melodinë e saj”.

Pindari tregon se Asklepiosit kujdesoheshin për të sëmurët “me këngë shumë të ëmbla”.

Platoni dhe Aristoteli zhvilluan gjerësisht teorinë e ndikimit të muzikës mbi shpirtin, pasionet, karakterin dhe moralin tek njeriu. Ata edukimin e fëmijëve dhe të rinjve me muzikë e bënë një detyrë të shtetit: “Shteti ka për detyrë të sigurojë ruajtjen e moralit dhe për këtë, duhet të rregullojë përdorimin e muzikës”.

Platoni tregonte: “Muzika e pasuron shpirtin, i jep lezet dhe shkëlqim. Muzika është më e fuqishme se çdo gjë tjetër, sepse harmonia dhe ritmi tek njeriu i kanë qendrat e tyre në nyjen e shpirtin të tij”. Platoni i këshillon mamitë, që të zbusin dhimbjet e lindjes te gratë që do të lindin me këngët e tyre. Ai thotë se “recetat mjekësore janë të pa efektshme, pa kënduar”.

Në Romë, për kurim, aplikoheshin 2 terapi:

1. Fizike e lidhur me Natyrën dhe Shpirtërore.

2. Ritualet e Kishës dhe Muzikoterapia.

Evropa në Mesjetë. Muzika & Feja. Jeta shpirtërore e Njeriut!

Kënga Aleluja, Ave Maria etj. Muzika filloi të shkruhej me nota…

Periudha e Humanizmit. Figura njerëzore dhe anatomia e njeriut (pamja fizike) ishin në qendër të artistëve të kohës si Leonardo Davinçi, Mikelanxhelo etj.

Parisi në shek. XIX. Qendra Botërore e hulumtimeve mjekësore.

Mjekësia u shndërrua në Shkencë! Trupi (organizmi) i njeriut u njoh nga brenda se si është i ndërtuar nga: qeliza, inde, organe…

Si funksionon? U njohën proceset fispatologjike, kimike, fizike, biologjike.

Mendja e Njeriut

Në periudhën e Iluminizmit në qendër të diskutimit filozofik e mjekësor ishte: Mendja e njeriut dhe Trupi.

Lametri shkroi librin “Njeriu makinë”, i cili bazohet tek filozofia moderne (Metafizika). Ndër filozofët si: Descartes, Spinoza, Kanti, etj. funksionimi dhe raporti i Mendjes së njeriut me trupin ishin tepër të diskutueshme për zgjidhje.

Ndaj u desh që filozofia moderne të ndahej. U krijua Psikologjia si shkencë më vete. Zigmund Frojd përshkroi Psikoanalizën dhe, shpjegoi se, simptomat psikologjike vijnë si pasojë e shtypjes së mendimeve dhe dëshirave seksuale nga ana e individit.

 Le të qëndrojmë pak tek raportet e Frojdit “Babai i psikoanalizës” me muzikën.

Frojdi vlerësonte pikturën, arkitekturën, skulpturën, letërsinë, poezinë, por kishte “frikë” nga muzika.

Përse kjo melofobi?

Dr. Stephen A. Diamond (klinicist dhe psikolog amerikan) në shkrimin Zigmund Frojd, psikoanaliza dhe muzika, thekson: “Qëndrimi i Frojdit ndaj muzikës ishte ambivalent. Ai e përshkroi veten si “krejtësisht jo muzikor”. Me gjithë atë, ai mund të shijonte opera të caktuara si “Don Giovanni” dhe “Martesa e Figaros”. Në konceptin e tij psikoanalitik, fuqinë terapeutike të muzikës e shikonte si një rival të mundshëm ndaj psikoanalizës të tij. Kjo melofobi, shpjegohet ndoshta se, Frojdi ka vuajtur nga simptoma të ndryshme neurotike, përfshirë obsesionin, kompulsivitetin, ankthin e vdekjes, migrenën dhe magji të zbehta psikogjene”.

 Shënim: Ambivalent – bashkë ekzistenca në të njëjtën kohë të dy fenomeneve të kundërta, me njëra-tjetrën, p.sh. dashuri – urrejtje.

Filozofi Niçe thoshte: “Para se të kishte filozofë, e veçanta i përket muzikës dhe ritmit, që kanë aftësinë për të shkarkuar pasionet, të pastrojnë shpirtin, të zbusin acarimin dhe tensionin shpirtëror”.

Shopenhauer ishte pesimist për shoqërinë njerëzore nisur nga instinktet intime të Njeriut: Egoizmi, zilia, ligësia, dinakëria, grabitqar, mizor…

“Homo homini lupus”, (Njeriu është ujku për njeriun). Proverb latin.

***

Përvojë jetësore

“Kur vizitoj foshnjën në klinikë dhe kur jam në auditor me studentët, përjetoj po ato emocione dhe marr po atë kënaqësi, sikur luaj në violinë”.

Unë, me violinën jam njohur në moshën 10-vjeçare në pallatin e pionierit – Gjirokastër. Mësimet e para i mora me violinistin Polo Xhori, i porsa ardhur nga Amerika (violinist në orkestrën simfonike të 101 harqeve në Filadelfia).

Teorinë muzikore dhe kompozimin i mësova me dirigjentin virtuoz Roland Çene. U jam shumë mirënjohës!

Më 1 dhjetor 2014 m’u desh të rikthehesha në profesionin tim si mjek pediatër në Konsultorin e fëmijëve në Qendrën Shëndetësore Nr.5 Tiranë dhe si lektor i jashtëm në Fakultetin e Mjekësisë, Tiranë.

Gjatë vizitës mjekësore me fëmijët e porsalindur e të moshës deri 3 vjeç vëzhgoja marrëdhëniet (afeksionin) nënë – fëmijë dhe mënyrat se si vetë nënat i qetësonin të qarat e fëmijëve gjatë vizitës mjekësore apo kur fëmijët aplikonin vaksinat.

Një nga metodat, që nënat vetpërdornin për të qetësuar apo pushuar të qarat e fëmijës, ishte kënga ose muzika në celularin (iPhone) e tyre. Në konsultor, shpesh infermierja i qetësonte fëmijët pas bërjes së vaksinës, me tringëllimën e një zileje të vogël… Nuk e kuptoja këtë veprim, se fëmija qetësohej nga frika e tingullit të ziles, apo i jepte kënaqësi…

Për të kuptuar më mirë se sa informacion kishin nënat dhe personeli mjekësor për efektin e muzikoterapisë në mirërritjen e fëmijëve, në konsultore hartova një pyetësor. Pyetësori iu shpërnda 20 nënave të reja. Nënat ishin kryesisht me arsim të lartë. Nga kontigjenti i nënave të anketuara, 5 nëna kishin realizuar lindjen jashtë shtetit si në SHBA, Itali, Greqi, Gjermani, Kinë. Kurse, testimin mbi informacionin që kishte personeli mjekësor për Muzikoterapinë, e merrja me gojë, gjatë bashkëbisedimit me to.

Konkluzionet e pyetësorit nuk ishin shumë entuziaste lidhur me informacionin që nënat kishin në nivel individual për muzikoterapinë, apo mbi impresionet e tyre që kishin nga institucionet shëndetësore, në ambientin e sallës së lindjes, në sallën e të porsalindurve në maternitet, apo në konsultorin e nënës dhe fëmijës.

Gjatë bashkëbisedimit me personelin mjekësor konstatoja se e pëlqente muzikën, por, nuk kishin informacion për efektin pozitiv të muzikës në mirëshëndetin e njeriut.

Raste në praktikën mjekësore

Fëmija Luka N. i datëlindjes 3. 12. 2013, lindje normale, me peshë lindjeje 3510 gr, fëmija i parë, u paraqit për vizitë mjekësore në konsultor më datën 29. 12. 2014.

Fëmija gjatë vizitës qante, i lëvizshëm… Jonela, nëna e fëmijës, për ta qetësuar filloi të komunikonte me fëmijën, i këndonte dhe nga çanta nxjerr celularin iPhone dhe i vendosi muzikë. Fëmija Luka në çast pushoi së qari, u qetësua dhe vizita mjekësore u zhvillua në kushte normale me fëmijën.

E pyes Jonelën, nënën e fëmijës për të mësuar diçka më tepër lidhur me marrëdhëniet e fëmijës Luka me muzikën.

Jonela më përgjigjet: – Kur kam qenë shtatzanë me Lukën, kam pasur shqetësime, si ankth, stres, por e qetësoja veten duke dalë shëtitje nga liqeni dhe duke dëgjuar muzikë me kufjet në vesh. Në muajin e shtatë të shtatzanisë, kur dëgjoja muzikë, i ndieja lëvizjet e Lukës më të forta në barkun tim.

M’u kujtua “Efekti Mozart” dhe i them Jonelës: – Luka është si Mozarti i vogël.

Tetor 2015. Luka është në moshën 22 muajsh. Kisha muaj pa e parë Lukën, pasi ai për një periudhë kohe ishte së bashku me prindërit në Brazil.

E pyes Jonelën, se si po shkon Luka me zhvillimin psikomotorr: me reagimet ndaj ambientit të jashtëm, me të folurit dhe me muzikën. Jonela më thotë: – Kemi marrëdhënie shumë të mira me njëri-tjetrin, komunikojmë mirë. Luka flet fjalë dhe fjali si dhe ka mësuar këngën “Lodra e maçokut” të cilën e këndon me qejf.

Koiçidencë

I them Jonelës: – Këngën “Lodra e maçokut” e kam kompozuar unë në vitin 1975 (40 vite më parë), kur unë isha mjek pediatër, por njëkohësisht luaja në violinë dhe kompozoja këngë… Jonela e qeshur më dëgjonte me habi… dhe më thotë: – Dhe në Brazil, kur e çoja Lukën për vizitë mjekësore te mjeku Marcello, mjeku ma këshillonte muzikën, por dhe në klinikën e tij në sfond dëgjohej muzikë…

Një rast te një fëmijë autik

Një nënë së bashku me fëmijën e saj 6-vjeçar autik paraqitet në konsultor për të marrë një dokument. Fëmija ishte me të gjitha shenjat brenda spektrit autik, por dhe nëna tepër e shqetësuar për komunikimin me fëmijën e saj. E pyes nënën: – Fëmija gjatë ditës si mund të qetësohet?

Nëna më përgjigjet: – Qetësohet vetëm kur dëgjon këngë në festa familjare, veçanërisht kur dëgjon këngën “Qengji i vogël”. Dhe nëna, për ta bërë këtë gjë sa më të besueshme për ne, na tregon në aparatin celular iPhone filmimin-video, që i kish bërë fëmijës duke kënduar këngën “Qengji i vogël”. Në video fëmija dukej i qetë, i ulur para ekranit të TV dhe i dëgjohej zëri i tij i plotë. Fëmija e këndonte këngën me shqiptim të saktë të fjalëve, por dhe me intonacion të vijës melodike.

Ishte një çudi e pabesueshme për personelin mjekësor që ishte prezent para këtij fakti! Fëmija në jetën e përditshme nuk shqipton asnjë fjalë, por vetëm grindet, i papërqendruar në një vend dhe me lëvizje të çrregullta…

Si shpjegohet që këngën “Qengji i vogël” fëmija autik e këndon me fjalë të plota?!…

Në auditor me studentët

Në Fakultetin e Infermierisë, në kurrikulat mësimore vendosa 12 orë leksion/seminar për muzikoterapinë. Lënda e muzikoterapisë ngjalli interes tek studentët, por, dhe tek ekspertë të OBSH për infermierinë…

Gjatë mësimdhënies si pedagog, në Fakultetin e Mjekësisë U.T., në degën Shëndet Publik, në vitin akademik 2015-2016, në mirëkuptim me studentët, 2-3 minuta para fillimit të leksionit, dëgjonim muzikë. Mësimi fillonte në orën 8. 30 dhe kishin sëbashku 3 orë mësim. Studentja Dorela në Iphone e saj përzgjidhte një këngë, që e pëlqenin të gjithë. Studentët dëgjonin 2-3 minuta këngën e Leonard Cohen, apo këngëtaren e re Indila. Relaksoheshin…

Pastaj filloja leksionin. Mësimi ndiqej më me vëmendje nga studentët, por dhe rezultatet në provimin përfundimtar ishin tepër pozitive për të gjithë… Studentët, krahas mësimit, me muzikën u çliruan në botën e tyre shpirtërore rinore. Studentja Rikela më dhuroi një libër të botuar me poezitë e saj, kurse studendja Erlini, që kishte pasjon pikturën, më dhuroi një nga pikturat e saj.

Në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës (2018…), sipas temave të leksioneve, e filloja mësimin në fillim me një mikroleksion në videoprojektor me insertet audiovizive (6’), që i kisha përgatitur si: “ADN e historisë së mjekësisë”, “Mjekësia dhe mjeshtëria e Artit”, apo “Muzikoterapia”. Insertet janë të shoqëruar me muzikën Bolero të M. Raveli, Monti Chardash dhe Serenada e Shubert. Në auditor ndjehesh qetësi, vëmendje dhe në fund duartrokitje… Leksioni me studentët vazhdonte me efikasitet… Efekti i Muzikës…!

“Ustallarët” e zemrës dhe profesorët e kardiologjisë shqiptare për muzikën.

Gjatë përgatitjes së shkrimit për muzikoterapinë, Prof. Anesti Kondili dhe Prof. Spiro Qirko, më dërgojnë mesazhet e mëposhtme:

Prof. Anesti Kondili: – Eh, Muzika. Më erdhën në kujtesë dy momente nga jeta ime profesionale. Duke qenë në Vienë dhe më pas në Zyrih, kam asistuar në dy ndërhyrje të vështira në zemër. Më ka mbetur në kujtesë fakti që të dy ekipet mjekësore realizonin punën e vështirë, në sfondin e muzikës klasike dhe të lehtë vieneze. Kuptohet që ky sfond ndikonte pozitivisht në çtensionimin e tyre dhe në rendimentin e punës së tyre delikate. Është i njohur fakti që muzika ndikon tek njeriu qysh kur është në barkun e nënës e deri në pleqëri. Ajo qetëson shpirtin, shton kurajon për të përballuar vështirësitë e sigurisht shton gëzimin kur ai është i pranishëm.

Prof. Spiro Qirko:  Muzika është mjekimi më efikas dhe më aristokrat që regjeneron shpirtin dhe nëpërmjet tij mposht të gjitha sëmundjet dhe vuajtjet njerëzore.

Në mbarë botën, data 21 Qershor është caktuar Dita e Muzikës me moton “për një jetë më të shëndetshme”!

Këshillë

Për kulturë e përgjithshme. Institucionet arsimore shtetërore apo private do të kenë shumë vlera kulturore, shëndetësore, psiko-sociale e humane për brezat e ardhshëm me programimin e edukimit muzikor në arsimin shkollor, me aktivizimin e fëmijëve në aktivitetet artistike korale apo në komplekse vokale dhe, deri në mësimin e një instrumenti muzikor. (Formim klasik arsimor).

Pritshmëria. Fëmijëve u shton inteligjencën, ndjeshmërinë njerëzore dhe parimin e solidaritetit!Rezultatet e muzikës do t’i ndiejë fëmija kur të jetë i rritu por, dhe prindërit dhe shoqëria, do të kontribuojnë në formimin e një shoqërie të kultivuar e të shëndetshme në një botë globale të trysnuar dhe që, përballet nga momenti në moment me faktorë të shumtë psikologjikë stresantë.

Violinisti Shkelzen Doli, duke performuar gjate nje koncerti me Ansamblin Filarmonik te Vjenes, me rastin e Vitit te Ri, ne Pallatin e Kongreseve.

11. Muzikoterapia

Muzika

Muzika është arti i të shprehurit të ndjenjave dhe të emocioneve (shpirtit) të njeriut me anë të tingujve.

Elementet bazë të Muzikës janë:

Harmonia është një grup tingujsh muzikorë ose bashkëtingëllim zërash, që na pëlqejnë kur i dëgjojmë dhe Ritmi: tregon një lëvizje të njëtrajtshme dhe të rregullt. Ritmin njeriu e konstaton në vetë trupin e tij: zemra e njeriut rreh me një ritëm të caktuar, që mund të shprehet muzikalisht me kohën muzikore ¾.

Kinezët përdornin 100 lloje të Muzikoterapisë. Sipas tyre, një tingull muzikor ndikon në një organ të caktuar në trupin e Njeriut. P.sh. Nota “Do” ndikon tek Zemra, Nota “Re” tek Mëlçia, Nota “Mi” tek Shpretka, Nota “La” tek Veshka, Nota “Sol” tek Mushkëria.

Në Evropën mesjetare, veçanërisht në periudhën e muzikës gregoriane, për të transmetuar dhe standardizuar muzikën kishtare në mënyrë të saktë, u shkruan notat muzikore moderne (Guido d’Arezzo, shek. i XI-të). Ottaviano Petrucci (shek. XV-të) ideoi një sistem shtypshkrimi të përshtatur për muzikën në pentagram, partitura, me të cilin filloi të botonte muzikë.

Shënim: Pas shekullit të XV-të, terminologjia e përdorur në muzikë dhe në mjekësi është latinishtja, duke patur shumë fjalë të përbashkëta!

Bota shpirtërore e njeriut u shpalos në pentagram në këngën kishtare si: “Aleluja” dhe me vonë “Ave Maria”.

Në Rilindje, muzika Barok u konsolidua si muzikë instrumentale, në orkestër moderne.

Muzikoterapia është një shkencë, që ndërthuret me shkencën e mjekësisë, si pjesë plotësuese dhe ndihmuese e saj, sot e njohur si mjekësia alternative dhe e çertifikuar nga OBSH.

Ajo është një disiplinë shkencore e ndërvepruese midis shkencës së mjekësisë, psikologjisë klinike e muzikore, muzikologjisë, pedagogjisë, sociologjisë, filozofisë, etnologjisë, antropologjisë, akustikës muzikore, teorisë së muzikës dhe estetikës.

Është provuar shkencërisht tradita shumëshekullore e popujve për efektet kuruese të tingujve muzikorë. Tingujt muzikorë kanë aftësi të ndihmojnë në parandalimin e në përmirësimin e ecurisë së sëmundjes, si dhe të krijojnë një gjendje më relaksuese të pacientëve. Tingujt muzikorë (muzika) shpesh herë përdoren si shoqërues gjatë terapive të ndryshme kurative…

Shëndeti, sipas OBSH: “Shëndeti nuk është thjesht mungesë e sëmundjes, por është gjendja e mirëqënies së përgjithshme trupore, mendore dhe psiko-sociale e Njeriut”.

 Shënim: Sot është në diskutim dhe gjendja shpirtërore dhe emocionale e njeriut. Sipas këtij koncepti, “Trupi”, “Mendja” dhe “Shpirti” duhet të funksionojnë në harmoni të plotë, si “një e tërë”, si një orkestër.

Ashtu si dhe shëndeti, edhe koncepti i mirëqenies është në dinamikë dhe i lejon individit variabilitet. Mirëqenia mund të mendohet si balancim dinamik midis aspekteve fizike, psikologjike, sociale dhe shpirtërore të jetës së njeriut. Brenda kontekstit të kujdesit shëndetësor Holizmi ka qenë një nga temat më kryesore të njerëzimit.

Shënim: Holizëm vjen nga fjala greke “holos”, që do të thotë i plotë, i tërë. Ai është i bazuar në besimin se njerëzit nuk mund të kuptohen plotësisht në qoftë se ekzaminohen si pjesë të veçuara nga mjedisi i tij. Holizmi i shikon njerëzit si një sistem energjie në ndryshim të vazhdueshëm. Holizmi njeh dhe respekton ndërveprimin e mendjes, trupit dhe shpirtit të njeriut brenda Mjedisit.

Terapia muzikore në ndihmë të mjekësisë (Shek. XX)

Shëndeti i njeriut në konceptin metafizik është ekulibri midis energjisë pozitive dhe asaj negative. Futja e Terapisë Muzikore, si mjekim në sektorin e shëndetësisë filloi pas Luftës së Parë Botërore. Muzikantët ofruan Muzikën në spitale për të lehtësuar dhimbjet e plagëve fizike të mbetura nga lufta.

Terapia Muzikore moderne filloi pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe ishte rezultat i përdorimit të Muzikës në trajtimin e Neurozave të luftës tek ushtarët (Bomba atomike).

Në vitin 1944 për herë të parë u themelua klasa e Muzikoterapisë në Universitetin e Miçiganit, SHBA. Shkencëtarët filluan të studionin efektin pozitiv të muzikës mbi trupin e njeriut.

Pas viteve 1950, u ngritën institute shkencore si në Francë, Gjermani, Austri etj., për efektet e Muzikoterapisë. I njohur është Instituti “Karajan” në Salzburg, i themeluar nga dirigjenti legjendar i orkestrës virtueze së koncerteve të Vjenë, Herbert von Karajan.

Pas viteve 1960, djaloshi Elvys Presli në Amerikë dhe grupi i djemve ‘Bitëllsat’ në Angli, me muzikën e tyre me rrymën muzikore Roch-Bluz shkaktuan lëvizje të fuqishme sociale mbarëbotërore, veçanërisht tek rinia, pa dallim race e kombësie. U vërejt, se muzika ka efekt të fuqishëm tek mendja e Njeriut!

Në vitin 1974, në Spitalin ‘Salpetriere’, në Paris mbahet Kongresi i Parë Botëror i Terapisë Muzikore. U konstatua se, Muzika ndikon, jo vetëm tek Shpirti, por dhe në organet e trupit dhe në mendjen e Njeriut.

Muzika ndihmon në funksionimin normal të zemrës, të frymëmarrjes, të qarkullimit të gjakut dhe në shëndetin mendor. Diametri i enëve të gjakut zgjerohet 26% me dëgjimin e muzikës të pëlqyeshme. Diametri i enëve të gjakut me të qeshurën zgjerohet 19%.

Kujdes! Dëgjimi i një muzike jo të pëlqyeshme ngushton enët e gjakut në 6%.

“Ora biologjike” e trupit. Më 10 Tetor 2017, tre shkencëtarëve amerikanë: Jeffrey C. Hall, Michael Rosbashe Michael dhe W. Young iu dha Çmimi Nobel në Mjekësi për studimin e tyre shkencor, mbi 30 vjeçar “Ora biologjike” e trupit… Laureatët e këtij çmimi zbuluan një gjen që kontrollon ritmin normal biologjik ditor. Ata treguan se ky gjen është një proteinë që grumbullohet në qelizë gjatë natës dhe pastaj degradohet gjatë ditës. Më pas ata identifikuan, që kjo qelizë ka në brendësinë e saj një përbërës shtesë që vetrregullon mekanizmin e “orës biologjike” gjatë 24 orëshit.

“Ora biologjike” e trupit me “tik-takun” e saj, 24 orësh, ndikon në Ritmin ditor të njeriut si: në gjumin, në zgjimin, në TA, në sjelljen, në ushqyerjen, në metabolizmin, në hormonet, etj. Çakordimi i “Orës biologjike” sjell sëmundje në organizmin e Njeriut. Shpesh vdekjet e pa pritura ndodhin në gjumë, në orët e para të mëngjesit. ‘Infarct Miocardi’ ndodh tek njerëzit me shpesh në orët e para të mengjesit, sepse “ora biologjike” në orët e para të mëngjesit është duke u “karrikuar” për t’i dhënë trupit të njeriut energji pozitive për fillimin e ritmit të ditës. Kush mund të jetë një akordues universal i “Orës biologjike” të trupit të Njeriut?

Mendoj, se, si akordues universal i “orës biologjike” të trupit të njeriut gjatë 24 orëshit është Muzika, e cila konvertohet në energji.

Këshillë: Në mbrëmje, para gjumit, të dëgjohet muzikë klasike dhe në orët e para të mëngjesit të dëgjohet muzikë ritmike (Roch Pop etj). Muzika ritmike në mëngjes është “fiskultura” e trurit të njeriut!

Në shek. XXI, muzikoterapia, bazuar në studime të mirëfillta shkencore në Neuroshkencë, falë dhe progresit të imazherisë, gjen një shtrirje mjaft të madhe dhe një aplikim me sukses në fushën e mjekësisë. Në shumë shtete të zhvilluara, si në Francë, në Danimarkë, në Gjermani, në Sllovaki, në SHBA etj., ajo përdoret me shumë sukses që kur fëmija është në barkun (mitrën) e nënës.

Bashkia dhe institucionet shëndetësore në Paris, duke i dhënë rëndësi kujdesit shëndetësor (parësor e dytësor), vlerësojnë kujdesin holistik ndaj pacientit nëpërmjet muzikoterapisë. Brenda projekteve organizojnë trajnime profesionale, duke angazhuar për këtë qëllim profesionistët e kujdesit shëndetësor e muzikantët e rinj.

Në trojet e Ballkanit muzikoterapia për herë të parë në mënyrë institucionale ka filluar të zbatohet në vitin 1993, në Qendrën Klinike Psikiatrike në Beograd (ish Jugosllavia), si një sektor i veçantë eksperimental në kuadrin e saj.  

Shënim: Profesioni Terapeut muzikor është profesion i bazuar dhe i çertifikuar mbi formimin arsimor shëndetësor, psikologjik e muzikor! Në Francë, pas viteve 2010, ky profesion është futur ne curriculat e shkencave humane dhe sociale, si specialitet postuniversitar MASTER Création artistique-Spécialité: Musicothérapie si në (l’Université Paris Descartes, la Sorbonne Nouvelle, l’Université Paris Diderot, l’Université Paris 13), et en dehors (Départements d’art dans différentes universités dont Paris-Sorbonne musicologie, ENSAD). Me mijëra terapeutë muzikorë ushtrojnë sot aktivitetin e tyre në spitale, klinika, qendra shëndetësore, në shkolla, burgje, qendra riaftësimi etj.

Informacion plus

Andrea & Sara Gudha: Muzikoterapia, 2010

YouTube

Andrea Gudha: Muzikoterapia

Andrea Gudha: La Musicotherapie

Andrea Gudha: O maçok, çamarrok

12. Energjia muzikore

 (Hipotezë)

Abstrakt

  • h x r  em
  • (h x r) + mlive em²

Qëllimi: Nga buron fuqia universale e muzikës?

Çelsi: Muzika, matematika, fizika, kimia, energjia, njeriu.

Hyrje

Më 9 Dhjetor 2017, në TV5-Francë nga kisha ‘Madeleine’- Paris, transmetohej drejtpërdrejt ceremonia zyrtare e përcjelljes të Yllit të muzikës franceze Johnny Holliday për në banesën e fundit në ishullin e Shën Bartolomisë (St Barth, në Indi Perëndimore).

Një ceremoni madhështore, me një organizim të shkëlqyer e tepër impresionues, nën tingujt e kuartetit të kitarave. Ndjehej respekti dhe dashuria njerëzore për artistin. Në Champs Elysee me qindra mijra njerëz, qeveritarë e politikanë.

Shumë lotë e shumë duartrokitje në respekt të karrierrës së tij artistike 60 vjeçare si këngëtar rrebel i muzikës Rock e Bluz, të pas viteve 1960.

Johnny Holliday, me vokalin, pamjen e bukur dhe aktrimin e përsosur, entusiazmonte me mijra e mijra spekatorë në stadiumet e tejmbushur, në prezencën e Presidentit të Francës, Zhak Shirak.

E këto ceremoni njerëzore e mbresëlënëse ndodhin vetëm në ato shtete ku ka kulturë e civilizim shekullor, ku ekzistojnë standarde mirënjohjeje e vlerësimi për artistin e veprën e tij…

Kompozitorët e mëdhenj të kohës si Vivaldi, Paganini, Bach, Verdi, Bethoveni, Vagner etj, filluan të shkruanin muzikë të ndryshme, pjesë vokale dhe instrumentale, opera, marshe, himne etj, që shërbenin si ushqim shpirtëror dhe frymëzues, me ndikim masiv kulturor, në sjellje, në stilin e jetesës dhe deri në revolucion si: “Va, Pensiero” nga opera Nabucco, “Odë e gëzimit” nga Simfonia Nr. 9, Marsejeza” dhe deri në ditët e sotme me: The Beatles”. 

Jim Morrison, vokalisti dhe tekstshkruesi kryesor i grupit Rock Doors, thërret fort: “Një ditë edhe lufta do t’i përkulet tingujve të një kitareje“.

***

Kur dëgjojmë një muzikë, që na pëlqen, e shijojmë, e ndjejmë: relaks, kënaqësi, qetësi, eksitim, gëzim, trishtim, lotë, meditim, parandjenja, kujtime…

Në koncerte të mëdha me audiencë 40.000 – 70.000 pjesëmarrës dhe, pa u njohur me njeri-tjetrin, bashkohen dhe kalojnë në ekstazë “salla e elektrizuar”: “dehje”, kërcim, lëvizje të duarve dhe të gjithë trupit, britma, këngë, klithma me duartrokitje pa pushim dhe, deri në “histeri kolektive, apo hipnozë”.

Muzika ka fuqinë, jo vetëm për të qetësuar shpirtin, por dhe, për të thirrur demonët tanë, sidomos emocione, kujtime dhe asociacione të shtypura gjatë.

Dramaturgu William Congreve citon: “Muzika ka hijeshi për të zbutur “gjirin e egër”.

William Shekspir ka thënë: “Muzika zbut edhe bishën e egër”.

Shënim: Paganini, me pamjen e tij fizike të jashtëzakonshme dhe, me lojën e tij virtuoze, me një tingull të çuditshëm në violinë, kishte një ndikim të tmerrshëm emocional mbi audiencën: raste me të fikët, “arest kardiak”…

Para koncertit të Paganinit, në hyrje të sallës shkruhej: “Ndalohet hyrja për njerëzit me zemër të dobët”.

Bethoven citon: “…muzika është si vera, që të deh”. 

Po çfarë efekti kanë koncertet Rock mbi turmat pjesëmarrëse? 

Libri “Music and the Mind” i përgjigjet: “Nuk ka asnjë dyshim se, duke u dhënë zjarr emocioneve të turmës dhe, duke bërë që këto emocione të arrijnë kulmin së bashku, muzika mund të ndikojë fuqishëm në humbjen e gjykimit të shëndoshë, në dorëzimin e verbër ndaj ndjenjave të çastit, gjë, që është një karakteristikë kaq e rrezikshme e sjelljes së turmave”.

Nëqoftëse, në këto çaste, pjesëmarrësve (audienca) do t’iu maten disa parametra mjekësorë si: analizat bio-kimike, rrahjet e pulsit, TA, EKG, EEG,MRI /RM, etj, do të vëmë re ndryshime të thella bio-mjekësore, elektro – fiziologjike dhe imazherike në organizmin e njeriut.

Sipas OBSH, pas viteve 1990: “Shëndeti nuk është thjesht mungesë e sëmundjes, por është gjendja e mirëqënies së përgjithshme trupore, mendore dhe psiko-sociale e njeriut”.

Në konceptin metafizik: “Shëndeti është ekuilibri midis energjisë pozitive dhe negative”.

Sipas konceptit holistik (lidhja e ndërsjelltë e sistemit tonë emocional me trupin dhe trurin) organizmi i njeriut duhet të funksionojë si një e tërë, në harmoni të plotë, si një “Orkestër simfonike me katër seksionet kryesore: harqet, fryma, tunxhi dhe perkusionet”.

Trupi i njeriut është një shumëllojshmëri tingujsh, të cilët, nëqoftëse janë harmonikë, luajnë një melodi të gjallë (trupi është i shëndoshë), ndërsa, kur janë të stonuar, tregojnë që, diku në orkestrën e trupit një instrument po luan i çakorduar (trupi është i sëmurë).

Shënim: Ritmi muzikor i orkestrës duhet të jetë në sinergji të plotë me ritmin kardiak të njeriut!

Në ditët e sotme, shkencëtarët, bazuar në filozofinë aristoteliane dhe në traditën shumëshekullore të popujve për efektet shëruese të tingujve muzikorë që, nga: shamanët, mjekët magjistarë, priftërinjtë, ekzorcistët si dhe, bazuar në studimet e sotme të thelluara në Neuroshkencë, fal progresit të Bio-teknologjisë mjekësore dhe Inteligjencës artificial, është arritur në konkluzionin shkencor se:

1.Muzika ka efekt parandalues dhe kurues në shëndetin e njeriut në dy aspekte:

2. Psiko-emocional e social: Në shëndetin mendor, muzika mund të ulë nivelin e stresit, ankthit, qetëson “halucinacionet” përkohësisht dhe jep një gjendje më të mirë emocionale, psikologjike dhe sociale.

 3. Bio- mjekësor në patologjitë e ndryshme:

Tingujt muzikorë përdoren si terapi që ndihmojnë në përmirësimin e ecurisë së sëmundjes dhe të krijojnë një gjendje më relaksuese të pacientëve.

Tingujt muzikorë, shpeshherë përdoren si shoqërues gjatë terapive të ndryshme kuruese e rehabilituese në qendrat e ndryshme shëndetësore.

Sot, Muzikoterapia, si mjekësi alternative e miratuar nga OBSH, aplikohet me sukses nga terapistët muzikorë në institucionet shëndetësore në mbarë botën.

Shënim: Muzikoterapia ndërthurret dhe bashkëvepron me shkencën e mjekësisë, psikologjisë klinike e muzikore, muzikologjisë, pedagogjisë, sociologjisë, filozofisë, etnologjisë, antropologjisë e akustikës muzikore.

***

Energjia muzikore (hipotezë)

Nga buron fuqia universale e muzikës?

Muzika në vetvete është një “mikrounivers”, që, në të gjitha format e saj (nga kënga e deri në opera), i nënshtrohet ligjeve të natyrës!

Pitagora (shek. V-të p.e.s.), duke zbuluar lidhjen midis muzikës dhe numrave, teorizoi idenë e një universi (yjet, galaktiktë, planetet) ku, rrotullimi i planeteve në hapësirë u lidh me tingujt qiellorë të quajtur “Harmonia e Sferave”, kurse, për sëmundjet përdorte tingujt e muzikës si fuqi shëruese dhe harmonizimi të trupit të njeriut: “Çdo sëmundje ka melodinë e saj”.

Stravinski (kompozitor rus, shek. XX-të) citon:

Diapazoni harmonik i kozmosit është LA minorKjo ‘risi volumetrike’ na bën të kuptojmë se si kozmosi e koncepton dhe e kupton muzikën në një nivel më të lartë se ne, sepse nota që ai luan, nuk është thjesht një notë, por një akord me një tonalitet të caktuar, atë minor. Ndërrimi i tonaliteteve minore dhe maxhore mund të krahasohet me lëvizjen e sistolës dhe diastolës, që animon dhe e bën të frymojë të gjithë universin”.

Interesant! Akordimi i një instrumenti, për shembull i pianos është tingulli La i diapazonit dhe, instrumentat e orkestrës simfonike para koncertit, akordohen në bazë të notës La të violinës spalë!

Melodia është më thelbësorja ndër elementet e muzikës.

Aftësia melodike është një dhunti (melosi) e krijuesit popullor ose profesionistit, që, frymëzimin, ndjenjat, emocionet i derdh në nota muzikore në pentagram.

Modaliteti, tonaliteti, polariteti janë elemente të përkohshme, ndërsa, ajo, që mbijeton është melodia.

Melodia nuk zhduket dhe as nuk humbet, por transmetohet dhe transformohet (“riciklohet”) nga një formë muzikore në tjetër, nga një zhanër muzikor në tjetër, pa fundësisht, ashtu si materia!

Melodia është gjithmonë në lëvizje të vazhdueshme në kohë dhe në hapësirë me ngritje dhe ulje të tonalitetit, notat lartë, notat poshtë, “creshendo”, “pianissimo”, pauza, etj.

Muzika nuk është vetëm tingull dhe melodi. Muzika, me të gjithë elementet kryesorë të saj, si: Toni (melodia dhe harmonia) dhe Ritmi (tempo, metri, artikulimi, dinamika), është një ndërthurrje e brendshme e harmonisë me matematikën, fizikën dhe kiminë.

Pentagrami është rregull matematikor.

Luajtja e një pjese muzikore ka ngjashmëri me zgjidhjen e një ushtrimi në matematikë.

Pentagrami është i mirë organizuar, me një përllogaritje matematikore shumë të saktë.

Në krye të pentagramit: çelësi muzikor (çelësi i solit, çelësi i basit, çelësi i altit), koha (4/4 – 1/16), tonaliteti maxhor, minor dhe, i pasuruar me simbolet: shenjat dinamike, shenjat e ngjyrimit, shenjat e shartimit (#,b), shenjat e përsëritjes, tempo, ritmi, metri, goditjet, theksi, sinkop, triolet, stakato, legato, vijat ndihmëse për notat lart dhe poshtë pentagramit etj.

Muzika i nënshtrohet ligjeve të fizikës.

Pentagrami është i ndarë në masa muzikore me ndarje të barabarta, me lëvizje të barabarta dhe, jo të barabarta.

Masa muzikore është materie (masë – energji), që i nënshtrohet ligjeve të fizikës, kurse nota muzikore është njësia bazë e saj, ashtu, siç është qeliza në organizmin e njeriut!

Masa muzikore dhe energjia janë të lidhura me “teorinë e relativitetit”.

Për mendimin tim, ato shprehen me formulën e njohur të Ajnshtajnit: E = mc2.

Shënim: Mendja gjeniale e Ajshtajnit qetësohej vetëm me violinën e tij besnike. “Jetën time e shoh vetëm me muzikë dhe kënaqësia ime e vetme është në të”.

Masa muzikore është një fushë me valë elektromagnetike me gjatësi të shkurtër, me frekuenca të ulta, jo-jonizuese. Efekti i valëve elektromagnetike të tingujve muzikorë kanë një ndikim të thellë mbi çdo aspekt të rregullimit biologjik të organizmit të njeriut. Masa muzikore përmban sasi të mëdha energjie, e cila, gjatë interpretimit të pjesës muzikore, transformohet në organizmin e njeriut nga një formë në tjetrën: në energji kinetike, elektrike dhe kimike

Nota muzikore është e dukshme dhe lexohet, kurse, kur luhet në instrumentin muzikor lëshon tingullin muzikor, që është i padukshëm, por që dëgjohet, ndjehet dhe perceptohet.

Tingulli muzikor, në vetvete, përmban grimca të ngarkuara me ngarkesë elektrike dhe magnetike, që janë në lëvizje të vazhdueshme me shpejtësinë e dritës 300.000 kilometra në sekondë dhe me frekuenca rreth 20 Hz dhe 20.000 Hz, me vibrim dhe me presion të vazhdueshëm, që transformohet në energji kinetike.

Energjia kinetike e tingullit, apo e tingujve muzikorë (akordit) është në vartësi të lëvizjes së grimcave në hapësirë dhe në kohën muzikore, që varet nga shpejtësa apo ngadalësimi i ritmit muzikor në pjesën muzikore. p. sh. “Allegro” energjia kinetike shtohet, kurse “Adagio” energjia kinetike ulet.

Notat e gjata “creshendo” me “vibrato”, “tril” shtojnë shpejtësinë e rrathëve të valëve elektromagnetike dhe potencialin e energjisë muzikore.

Ritmi muzikor (nën diktimin rigoroz të metronomit), shumëfishon shpejtësinë apo ngadalësimin, si dhe forcën e energjisë muzikore.

Stravinski citon:

“Harmonia, përfshin një dimension midis dy poleve: “vertikal” (frekuencë-hapësirë) dhe një dimension “horizontal” (kohë-hapësirë). Tonaliteti e çon muzikën drejt këtyre dy poleve. Poli i tingullit përbën aksin thelbësor të muzikës”.

Harmonia (melodia, intervali muzikor, tonaliteti, timbri, disonanca, ritmi dhe forma) shoqërohet me raporte matematikore të sakta midis frekuencave të përputhshme të lartësisë, që janë të lidhura me ligjin e veprimit të dy forcave: forca e fushës së gravitacionit dhe ajo e fushës elektromagnetike.

Janë këto dy forca, që mbajnë në harmoni pjesën muzikore.

Harmonia, e shoqëruar me një orkestraciontë personalizuar të melodisë, përbën potencialin e energjisë kinetike të muzikës, që transformohet në trupin e njeriut në forma të ndryshme të energjisë si: energji elektrike, magnetike, kimike, biologjike…!

Shembulli më i mirë i harmonisë dhe ritmit në një pjesë muzikore, mendoj, se është “Bolero” e famshme (1928) e M. Ravel.

Melodia “Bolero” përsëritet 18 herë rreth temës kryesore prej 16 masa muzikore për 17 minuta, me alternime harmonike dhe orkestrale, duke kaluar nga tonaliteti maxhor në minor, me shumëngjyrësi të instrumentave muzikorë të orkestrës nën shoqërimin e tamburit.

***

Muzika në trupin e njeriut transformohet në energji

1.Tingulli muzikor me anë të neuroreceptorëve dhe neurotransmetuesve dhe me presionin e valëve elektromagnetike arrin në qelizat e Kërmidhit (Cochlea) të aparatit të dëgjimit.

2.Nga aparati i dëgjimit, nëpërmjet nervit të dëgjimit, energjia kinetike e valëve elektromagnetike të tingullit muzikor transformohet në energji elektrike dhe kimike, duke ngarkuar sistemin nervor qëndror dhe korteksin e trurit.

Dr. Tomatis (otorinolaringolog) citon: “Veshi është i lidhur me vagusin, ose nervin e dhjetë kranial. Ky nerv prek laringun, bronket, zemrën dhe traktin gastrointestinal dhe kështu zëri ynë, frymëmarrja, rrahjet e zemrës dhe tretja ndikohen nga veshët tanë…”.

3. Truri është porta biologjike nga, e cila hyjnë me presion sinjalet e tingullit muzikor nëpërmjet valëve elektromagnetike. Në mes të të dyja hemisferave të trurit ndodhet Corpus Callosum ku, përpunohet informacioni dhe impulset e tingujve muzikorë. Në tru nuk ka asnjë qendër të vetme muzikore.

Shënim: Tek adoleshentët truri është në zhvillim ndaj, impulset, informacioni dhe emocionet përpunohen në korteksin e mesëm ballor.

Në të dy hemisferat e trurit ka rrjete të shumta të trurit, që analizojnë impulset e valëve eletromagnetike të tingujve muzikorë dhe, informacioni i përpunuar, nëpërmjet neuroreceptorëve dhe neurotransmetuesve, shpërndahet në të gjithë trupin, duke i dhënë kështu muzikës fuqinë për të ndikuar në të gjitha sistemet e organizimit të njeriut: sistemi hormonal, neurovegetativ, endokrin, kardiovaskular, muskular, ekuilibri hidro-elektrolitik e acido-bazik etj.

Shpejtësia e tingujve muzikorë në trupin e njeriut është më e madhe se shpejtësia e tingujve në ambientin e jashtëm (ajër), sepse organizmi i njeiut përbëhet nga lëngje, inde, kocka.

 Stravinski citon:

Muzika, si vibracioni i thellë, gjeneron gjithë qënien e organizmit të njeriut, si lidhje e pandashme midis energjisë dhe materies, në bazë të frekuencës së vibracionit dhe ritmit”.

Dr. Tomatis citon:

Funksionet biologjike të organizmit tonë (të rrahurat e zemrës, funksionimi i trurit, reaksionet metabolike, që ndodhin në çdo qelizë, etj), rregullohen nga rryma, pra ne jemi ‘qenie elektrike‘… Gjithçka në univers është në gjendje dridhjeje. Kjo përfshin trupin e njeriut”.

Reaksione bio-kimike

Valët elektromagnetike të tingujve muzikorë në organizmin e njeriut shkaktojnë rrezatim elektromagnetik, rryma elektrike, magnetike, reaksione kimike me ndikim të thellë në proceset biologjike në organizmin e njeriut, me ndikim në ekuilibrin bio – kimik, acido – bazik dhe elektrofiziologjik.

“Rrezatimi” kimik i tingujve muzikorë është shumë i shpejtë dhe i lartë, duke shkaktuar reaksione kimike, që shoqërohen me reaksione biologjike me veprim shumë të shpejtë, veçanërisht në sistemin hormonal dhe kardiovaskular.

Po, përqëndrohem shkurtimisht tek sistemi hormonal, ku energjia muzikore është me veprim gjithpërfshirës në të gjithë organizmin e njeriut, veçanërisht me ndjeshmëri të lartë tek adoleshentët dhe të rinjtë.

Hormonet janë substanca kimike, që prodhohen nga gjëndrat endokrine në organizmin e njeriut. Gjatë një koncerti muzikor, hormonet, nëpërmjet sistemit të qarkullimit të gjakut, përcjellin në tru dhe në organet e ndryshme të organizmit, impulset dhe informacionet e valëve elekromagnetike të tingujve muzikorë.

Fuqia e energjisë muzikore shpërthen në “oqeanin” hormonal të organizmit të njeriut dhe “dallgëzon” në hormonet e kënaqësisë dhe të lumturisë si: Endorfina, Dopamina, Serotonina, Oksitocina, si dhe, Serotonina, që ndihmon në qetësinë, në kontrollin e trishtimit dhe të ankthit.

Përfundime

1.Në mënyrë hipotetike po i përgjigjem pyetjes: “Nga buron fuqia universale e muzikës”?

Mendoj, se fuqia universale e muzikës buron nga Harmonia dhe Ritmi i muzikës, që mund të shprehet nëpërmjet “ekuacionit kimik” të energjisë muzikore.

  • “Ekuacioni kimik” i energjisë muzikore (audio-video) është: harmonia x ritmi  energji muzikore, e cila transmeton tek njeriu kënaqësi, relax.
  • “Ekuacioni kimik” i energjisë muzikore live është: (harmonia x ritmi) + muzikë live  dyfishin e energjisë muzikore, e cila transmeton tek njeriu lumturi deri në ekstazë.

Simbolikisht, “ekuacioni kimik” i energjisë muzikore (hipotezë):

  • h x r  em
  • (h x r) + mlive em²

Perspektivë, së shpejti!

Energjia e tingullit muzikor “pasurohet” me teknikalitetin dhe me muzikalitetin e tingullit, ashtu, siç pasurohet energjia atomike me rritjen e përqindjes të Uraniumit, që, në vartësi të përqindjes së Uraniumit, energjia atomike mund t’i shërbejë njerëzimit për të mirë apo për të keq!

Energjia muzikore me anë të Inteligjencës Artificiale (AI) dhe algoritmeve kompjuterike do të përdoret me sukses si burim energjie në fusha të ndryshme të teknologjisë.

Tingujt muzikorë në inxhinjerinë gjenetike, farmaceutike dhe, veçanërisht në mjekësi, me anë të frekuencave të ndryshme të valëve elektromagnetike të tingujve muzikorë, do të ndihmojnë për diagnostifikimin dhe trajtimin e patologjive të ndryshme tek njeriu (“Akordimi harmonik i organizmit të njeriut”).

Për shembull. Në epideminë e tmerrshme të Covid 19, Mjekësisë i ka ardhur në ndihmë Muzika. Shkencëtarët kanë arritur të transkiptojnë në nota muzikore reaksionet biologjike të coronavirusit.

Prof. M. Buehler citon:

“Sa herë, që, virusi i koronavirusit ‘pushton’ qelizat e indit dhe shumohet, dëgjohen tinguj… Një algoritëm kompjuterik (AI) i kombinon tingujt e koronavirusit, i transkipton në nota muzikore dhe kompozon një “simfoni muzikore”, e cila paraqet modelin e strukturës së proteinave të Coronavirusit”.

Shkencëtari i MIT, Brian Subirana citon:

“Tingulli ynë i kollës ndryshon kur kemi Covid, edhe nëse jemi asimptomatikë”. Subirana, së bashku me kolegët e tij, krijuan një algoritëm kompjuterik, që gjurmonin dhe identifikonin njerëzit me Covid, dhe në turmë njerëzish, vetëm nga frekuencat e valëve elektromagnetike të tingullit të kollës së tyre “një mrekulli në një kohë të zymtë”.

Me të drejtë mjeku Edgar Cayse (Kejs) citon: “Muzika është ilaçi i së ardhmes”…

Mjeku, në vend të recetës me ilaçe, do të rekomandojë disqe muzikore!  

2. Efektiviteti i energjisë muzikore varet nga performanca:

2.1. Muzika: Performanca e pjesës muzikore: melodia, harmonia, ritmi, orkestracioni, niveli artistik instrumental/vokal i lojës së muzikantëve, teksti apo libreti i ndjerë, muzika live, akustika, skenografia, etj, p.sh. koncertet e përvitshme të Vjenës, koncertet me André Rieu, Céline Dion etj.

2.2. Audienca: Nga shija estetike, e cila është tepër individuale, e trashëguar apo e kultivuar që në fëmini në ambientin familjar (“veshi muzikor”), në shoqëri, si dhe në kulturën tradicionale të një vendi për zhanret dhe rrymat e ndryshme muzikore

2.2.1. Karakteri i njeriut: melankolik, flegmatik, kolerik, sanguin, si dhe hipersensibiliteti. Për shembull për personat melankolikë e hipersensibël: tonaliteti minor është tonaliteti më nostalgjik dhe romantik, kurse tonaliteti maxhor është tonaliteti i gjallë, i gëzuar, optimist.

2.2.2. Mosha: Në vartësi të moshës, zhanret muzikore japin efekte të ndryshëm në shpejtësinë dhe në fuqinë e energjisë muzikore p.sh. tek moshat e reja shpejtësia e efektit të energjisë muzikore është shumë i shpejtë dhe i fuqishëm në emocione dhe në sjellje si, në zhanrin Rock Pop, Metallica.

Në mbyllje

Në literaturën botërore janë shkruar shumë libra dhe artikuj shkencorë mbi muzikën dhe muzikoterapinë, për efektet e muzikës në shëndetin e njeriut…

Në këtë shkrim tentova të hyja në burimin e fuqisë së muzikës…!

Por, nuk e di, se sa ia arrita qëllimit?

Shpresoj të jetë një material plus në diskutimet për këtë temë nga profesionistët: muzikologë, psikologë, bio-fizikantë, terapistë muzikorë, specialistë të AI dhe të Bio-teknologjisë, etj.

YouTube

Andrea Gudha: Triptik në mjekësi

Andrea Gudha: Triptyque en medicine

Andrea Gudha: Album muzikor

Andrea GUDHA: Këngë nga anketat muzikore

Andrea Gudha: Këngë nga festivalet

***

Disa vlerësime për shkrimin e dr. Andrea Gudhës, publikuar në Albspirit, 22 gusht 2025

Zhuliana Jorganxhi (poete, në redaksinë e muzikës RTSH)

Respekt të veçantë dhe përzemërsi pa kufi për mjekun shkencëtar dhe kompozitorin e mirënjohur e të apasionuar pas muzikës, mikun tim të dashur e të kahershëm, të nderuarin ANDREA GUDHA!

Me Andrean u njohëm në mes të viteve ’70. Për të më flste me shumë përzemërsi ose të them me një dashuri prej vellai, mik im i shtrenjtë, kompozitori i rinisë, i NDRTUR KASTRIOT GJINI dhe mua më dukej se ata kishin po atë pasion për muzikën.

Andrea sa herë vinte në atë ish Redaksi të muzikës dhe incizimeve muzikore sillte tek unë si një diell të butë atë buzëqeshje plot dlirësi dhe brenda asaj buzëqeshjeje një lloj ndrojtjeje kur më tregonte tekstin.

Ishte një kohë që ai punoi shumë bukur me poetin e këngës, të madhin Arben Duka dhe patì këngë shumë të bukra që ia këndoi përveç këngëtarit Petrit Lulo dhe këngëtari atëhere që sa kishte bërë emër Kozma Dushi!

Andrea krijoi shpejtë stilin e tij në muzikë.

Pasioni i tij për muzikën, ai frymëzim mbi motivet popullore të Jugut, lirizmi i që ai kishte, i përshtatej natyrës së tij si Njeri, plot edukatë e etikë qytetare, që të bënte të krijoje shumë shpejt adhurim për të. Ai me atë zërin e tij të ngrohtë e të ulët të bënte ta ndjeje mik të sinqertë e të diskutoje me të sinqerisht.

Kompozitor i ri atëhere Andrea kërkonte fjalën e bukur dhe ajo e frymëzonte të krijonte këngë të bukura që merreshin shpejt në buzë nga artdashësit tanë. I uroj shëndet të plotë, mbarësi, pasion, frymëzim, e suksese, mikut tim të dashur e të kahershëm, Njeriut të rrallë, mjekut shkencëtar, të apasionuar pas tingullit të muzikës, që u bë një jetë paralele për atë si mjek i shkëlqyer dhe kompozitor i tingujve të Arte!

Gazmend Mullahi (kompozitor në redaksinë e muzikës RTSH)

 Analizë mahnitëse. Njeri i rrallë Andrea plot mirësi, inteligjencë, buzëqeshje, fisnikëri e plot e plot nga tiparet më të mira njerëzore. I apasionuar pas muzikës, madje i dashuruar pas saj, madje-madje “i çmendur” pas saj saqë, ai demostroi që herët se ishte jo vetëm “konsumator i muzikës” i një kalibri të lartë por dhe shkruante muzikë kryesisht këngë, madje me një origjinalitet habitës sepse përdorte tingëllim popullor. Preferonte gjithmonë që këngëtar të ishte Petrit Lulo, gjirokastriti mahnitës i këtyre interpretimeve.

E vërtetonte më së miri me të gjitha tiparet që ai paraqitej se Muzika për të ishte “horizont i madh” edukimi e formatimi njerëzor nga ku mori fort prej saj.

Kam dhuratë dhe sot prej tij një stetoskop i bërë me mjete rrethanore me tuba gome që nguleshin në vesh, përdorur që kur ishte student të cilën ma dhuroi një ditë kur mësoi nga unë se një nga pasionet dhe ëndrrat e mia ishte mjekësia, shumë dekada më parë.

Roland Çene: Urime për shkrimin i dashur Andrea!

***

Fragmente nga libri “Ç’ia thoshte bilbili”, viti 2000

Roland Çene, Dirigjent, muzikolog

Në historikun e artit botëror janë të njohura kontributet e personaliteteve të fushave të tjera, jashtë artit. Kjo dukuri është ndeshur jo rrallë edhe në vendin tonë. Krahas shembujve si Kastriot Gjini (gazetar-kompozitor), Anastas Kondo (inxhinier-shkrimtar), Teodor Laço (agronom-shkrimtar), Maks Velo (arkitekt-piktor) etj, spikat dhe krijimtaria e kompozitorit gjirokastrit Andrea GUDHA (mjek).

E kam njohur Andrean rreth viteve 1967-1968, kur unë fillova të punoj si drejtues i jetës artistike në qytetin e Gjirokastrës (1968-2000). Më duhej të hulumtoja shumë talente të rinj (instrumentistë, këngëtarë etj.), për t’i organizuar në jetën muzikore, e cila kishte shumë nevojë për ta. Në këtë kuader u njoha me Andrea Gudhën, nxënës në vitin e 3-të në gjimnazin “Asim Zeneli”. Andrea u qe nënshtruar disa kurseve për mësimin e violinës, nën drejtimin e mësuesit Polo Xhori.

Nisur nga dëshira dhe pasioni rinor, ngrita një orkestër heterogjene (1968), me tipare të orkestrës simfonike, ku, krahas shumë instrumentistëve, spikati dhe loja në violinë e Andrea Gudhës.

Ngritja e këtij formacioni muzikor luajti një rol të madh në jetën artistike të qytetit të Gjirokastrës dhe ajo, që është më e rëndësishmja, se evidentoi shumë talente e ndër ta spikati Andrea Gudha, i cili si gjatë jetës studentore në Fakultetin e Mjekësisë, po ashtu, dhe gjatë periudhës së punës si mjek pediatër në Gjirokastër, u lidh shpirtërisht me muzikën.

Gjatë periudhës (1974-1994) i takon dhe krijimtaria më e madhe e kompozitorit Andrea Gudha.

Duke kaluar në dorë pjesën më të madhe të krijimtarisë të tij, jam ndeshur me lidhjen shpirtërore të artistit me muzikën popullore dhe veçanërisht me folklorin e krahinës së Lunxhërisë dhe të Labërisë. Kësaj periudhe i takojnë këngë të tilla si: “Gëzimi i çobanit”,” Ylli i Odries”, “Syzezë vetulla pe”, “Uromë baba uromë”, “Kënga e bilbilit”, etj., që tashmë janë bërë të njohura në të gjithë vendin.

Pjesa më madhe e kësaj krijimtarie ka zënë një vend të rëndësishëm në repertorin e Ansamblit “Çerçiz Topulli”, gjë e cila ka krijuar mundësinë e ekzekutimit të krijimtarisë së Andrea Gudhës edhe jashtë vendit.

Individualiteti krijues i Andrea Gudhës është tepër i kapshëm. Kur dëgjon këngët e tij, me një herë të vijnë ndërmend trevat e Jugut të Shqipërisë. Sot, këtë krijimtari e dëgjon, jo vetëm nëpërmjet Radios dhe Televizionit, si dhe në skenat të koncerteve, por edhe në mjediset familjare, nëpër shkolla etj.

Kontributi i kompozitorit Andrea GUDHA është pjesë e pandarë e kulturës tonë, e cila si për nga tematika, cilësia dhe koloriti dëshmon për lidhjet e forta shpirtërore të autorit me identitetin kombëtar.

***

Ferdinand Deda, Dirigjent-kompozitor

Andrea Gudhën e kam njohur në qytetin e Gjirokastrës, kur unë isha mësues muzike në shkollën pedagogjike “Pandeli Sotiri”. E mbaj mënd shumë mirë kur ai ishte i ri. E shikoja në Pallatin e Kulturës, kur vinte me violinën e tij të dashur. Një djalosh i qetë, i dashur, i menduar dhe i preokupuar për krijimtarinë e tij të ardhshme.

Me krijimet e Andreas, unë jam njohur në festivalet e fëmijëve, ku ai asistonte edhe vetë në formacionet orkestrale me violinën e tij. Mbas një viti unë u largova nga Gjirokastra.

Mbas viteve 1970 në pozicionin e dirigjentit të orkestres simfonike të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), jam njohur dhe kam dirigjuar një pjesë të mirë të këngëve të Andreas në anketat muzikore.

Mbas disa vitesh (viti 1996), takohem me Andrean dhe bisedojmë për një projekt të tij, për realizimin e një kolazhi muzikor me krijimtarinë e vet.

Më vonë, organizuam një takim në shtëpinë time, ku Andrea më solli një Album me krijimtarinë e tij për fëmijë dhe të rritur.

Atë natë ndejtëm deri vonë, deri sa zgjodhëm këngët e përshtatshme për kolazhin muzikor…

Andrea është një njeri i palodhur dhe korrekt.

Ai siguroi këngëtarët e mirënjohur si: Aurela Gaçe, Petrit Lulo, Kozma Dushi dhe Nevruz Yzeiri, si dhe këngëtaret e kompleksit të fëmijëve: Elsa Lila, Jonida Maliqi, Mariza Ikonomi dhe Alketa Moisiu për këngën për fëmijë “O maçok, çamarrok”.

Në bashkëpunim me mjeshtrin Alfred Kaçinarin, në studion e tij muzikore, në Radio Tirana, ne realizuam Albumin muzikor të Andrea Gudhës.

E gjithë kjo krijimtari e Albumit muzikor përshkruhet nga fryma thellësisht kombëtare e frymëzuar nga intonacionet popullore, duke thithur nektarin emocional të këngës shqiptare.

***

Shpëtim Kushta, Kompozitor

Në fillim të viteve’70, sapo kisha mbaruar studimet muzikore. Banoja ende pranë Qytetit të Studentit, ku një motiv interesant, gati çdo mëngjes, dilte nga buzët e studentëve, të cilët nxitonin në rrugët e qytezës drejt auditorëve…

Ishte kënga “Dhoma numër 2”. Mbaj mend komentin që bëhej dhe, çudia ishte se, kompozitori i kësaj kënge studionte për mjekësi.

Sigurisht, ky fakt e shtonte edhe më shumë kurreshtjen, rrethin e dëgjuesve dhe, “tifozllëku” për këngën, vinte dhe rritej.

Në fillim të viteve 1980, nëpërmjet valëve të Radio Tiranës po bëhej i njohur emri i një këngëtari me impostim dhe talent natyral, ai quhej Petrit Lulo. Në ato vite ai u afirmua në skenën muzikore shqiptare e kënga titullohej “Uromë, baba uromë”. Përsëri dëgjoja komentin, kompozitori quhej Andrea Gudha, ishte një pasionant i muzikës dhe punonte si mjek pediatër në Gjirokastër.

Kalonin vitet. Kënga bënte udhën e saj. Ajo vazhdimisht pëlqehej, transmetohej shpesh në valët e Radio Tiranës dhe në ekranin e Televizionit Shqiptar.

Petrit Lulo, në çdo rast e interpretonte atë në mënyrë orgjinale dhe, në koncerte të ndryshme, e afirmonte veten e tij, por njëkohësisht edhe krijuesin e këngëve.

Pas viteve ’90, në Koncertin e Pranverës 1996, organizuar nga RTV-Shqiptar u dëgjua me interes një këngë lirike me titull “Veç në ëndërr me ty fjeta”. Kompozitori ishte A. Gudha, me profesion mjek, i ardhur tani në Tiranë.

Rastësisht, u prezantuam në një ditë vjeshte të vitit 1999 në Ministrinë e Shëndetësisë, atje, ku ai tashmë punonte.

U befasova kur mora vesh që ky mjek i respektuar ishte autori i këngës të viteve 1970 “Dhoma numër 2”, i këngës të viteve ’80, ”Uromë, baba uromë” dhe i këngës së viteve ’96 “Veç në ëndërr me ty fjeta”.

Duke pirë kafen sëbashku, mendoja se do të mjaftonin vetëm këto tre këngë, kompozuar përgjatë tre dekadave, me një spontanitet të admirueshëm krijues, që A. Gudha të ndjehet krenar se vendos një gur në godinën e madhe të Kulturës Muzikore Shqiptare.

Mendoja se do të mjaftonin tre këngë, kompozuar me një frymë të gjerë popullore, që A. Gudha të ndjehet edhe më pranë humanizmit, edhe më pranë idealizmit, i cili është aq i nevojshëm sot në Shqipërinë tonë halle-shumë, sidomos, kur ai që e përcjell atë tek njerëzit është mjek…

Ditët e fundit, kur Andrea më dhuroi kasetën me këngët e tij të zgjedhura në vite, e kuptova se brenda shpirtit të tij të mirë, të butë, dallohet lehtësisht geni i krijuesit pasionant, i muzikantit, që tingujt nuk i kompozon thjesht për publicitet, por sepse, nëpërmjet tyre ai kërkon të transmetojë mirësinë, dashurinë njerëzore tek shqiptarët në çdo kohë, mbasi ajo është e përjetshme…

E përshëndes Andrea Gudhën për kontributin muzikor që ka sjellë në muzikën shqiptare. Lum, ata që më çiltërsi, modesti dhe me pasion të pafund e duan, e respektojnë dhe njëkohësisht e pasurojnë atë çdo ditë, ashtu thjesht dhe natyrshëm.

 ***

 Aleksandër Lalo, kompozitor

Në historikun e artit muzikor njihen mjaft raste të ndërlidhjes së tij me fusha të tjera. Andrea Gudha është një nga rastet, ku ky violinist gjen harmonizim komod, violinist, mjek, kompozitor, punonjës në pozicione drejtuese në Ministrinë e Shëndetësisë. Kufiri i pasionit, midis muzikës dhe mjekësisë pa dyshim rrit llogjikisht kurreshtjen për krijimtarinë e Andrea Gudhës.

Të dyja këto fusha (muzikë-mjekësi), megjithëse në një shikim të shpejtë nuk shfaqin ndonjë afërsi në anën emocionale, lidhen dhe afrohen me njera tjetrën në sensibilitetin dhe humanizmin njerëzor.

Krijimtaria e Andrea Gudhës e parë me një lente profesionale, shquhet dukshëm nga një origjinalitet që rrënjët i ka në artin e trashëguar popullor. Megjithëse autori nuk citon sekuenca nga arti popullor, tek këngët e tij spikat dukshëm fryma kombëtare, mendimi psikologjik i popullit të tij, si edhe forma muzikore adapte që e ngre emocionalisht cilësinë e veprave të tij.

Njihen në popull si këngë popullore si “Gëzimi i çobanit”, “Sy zezë vetulla pë”.

Thjeshtësia e shprehjes së mendimit muzikor, mjetet muzikore si melodia, harmonia, ritmi, interpretimi të përdorura me nikoqirllëk e me sensin e masës e bëjnë krijimtarinë e Andrea Gudhës një vazhdim të trashëgimisë muzikore shqiptare më të spikatur në vite dhe një shembull admirues të një mjeku që merret me muzikë.

Alfred Kaçinari, kompozitor

Andrea Gudha i përket një brezi krijuesish jo të brezit tim, por një brezi të mëparshëm krijuesish. Në krijimtarinë e tij, që është zgjedhur për këtë album nga autori, spikasin intonacionet popullore siç janë “Gëzimi i çobanit” etj.

Këto këngë janë mjaft të njohura për publikun, ndërsa autori është paksa i panjohur dhe kjo është karakteristika kryesore e këtyre këngëve që spikasin qartë dhe shpesh janë të cituara me intonacionet e Jugut. Ndoshta, kanë spikatur si origjinale interpretimet e para nga këngëtari Petrit Lulo, ku shumica e këngëve të kënduara prej tij, janë të kompozuara nga Andrea Gudha.

Për veçimin e këtyre këngëve të zgjedhura nga krijimtaria e Andreas, ka punuar Ferdinand Deda, dirigjent i mirënjohur, i cili është dhe mik i kompozitorit, duke seleksionuar 10-të këngë nga 40 -të këngë të Andreas…

Kuptohet, që ishin këngë specifike të gjitha dhe ishin të transmetuara përpara në Radio Tirana, domethënë problemi ishte që ne të tre sëbashku të sillnim modele të reja dhe në këtë pikëpamje, puna ishte me përgjegjësi, por unë do të thoshja se ishte mjaft zbavitëse.

E them këtë, sepse për një orkestrues është shumë e këndshme kur ka një model dhe, ai do të tentojë të jap një model krejt të ndryshëm nga i pari.

Dhe këtë kënaqësi unë e ndjeva me këto këngë, aq më tepër që dhe intonacionet popullore të këtyre këngëve dhe mënyra e strukturimit të tyre mua me dhanë dorë të lirë të bëja çfarë të doja, më çliruan fantazinë që unë të shkoja aty ku dëshiroja vetë.

Pra, këngët ishin me intonacion të qartë, por dhe interpretuesit kanë qënë të garantuar vokalisht.

Arben Duka, poet

Në vitet 1970 në skenat shqiptare shkëlqen një këngëtar gjirokastrit me emrin Petrit Lulo.

Ai u bë aq popullor sa që këngët e kënduara prej tij këndoheshin natyrshëm në dasma dhe në festa të tjera popullore. P. Lulo u njoh dhe u pëlqye shumë shpejt, jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe në Kosovë. Por, mbrapa tij nën një “hije” të trëndafiltë suksesi qëndronte ”ustai” i këngëve.

Ky “usta” quhej Andrea Gudha, i cili, siç u mësua, kompozonte në një mënyrë të çuditshme dhe të veçantë, vetëm me violinë. Por, ai qe një autodidaktë në gjininë e këngës, mbasi ishte arsimuar dhe specializuar për mjekësi si pediatër reanimator.

Dhe autodidaktët njihen në të gjithë praktikën botërore, me spontanitetin e tyre të çliruar nga kornizat e hekurta të teorisë dhe klasikes e kur qëllojnë në shenjë sjellin krijime befasuese.

Eshtë fat për këngën shqiptare, por edhe për Andrea Gudhën, që në gjithë këto vite ka qëlluar shumë herë në shenjë e për rrjedhim na ka befasuar dhe na ka gëzuar shumë herë dhe ky është lumi i madh që e ndan atë nga amatorët.

Pas afirmimit të plotë të Andrea Gudhës fati e solli, që unë të njihesha më nga afër me të, të miqësoheshim dhe pa dyshim të bashkëpunonim për të krijuar sëbashku.

Andrea hyn tek ata kompozitorë, ku krijimtaria e poetit për realizimin e tekstit gjen shtratin e vërtetë.

Bashkëpunimi me Andrean, përveç kënaqësisë, që të jep finesa intelektuale e sjelljes dhe e pamjes së tij, të jep mundësinë të prezantosh thuajse të gjitha vlerat që ke si poet, mbasi në të dy mënyrat e kompozimit ai krijon harmoni dhe metrikë të përsosur e të lakmueshme.

Andrea Gudha ka 30 vjet që “pi ujë” në burimet dhe gurat e mrekullueshme të Lunxhërisë dhe këngët e tij, që nga fillimi e gjer më sot, kanë mbetur të freskëta e të shëndritëshme si ato burime. Kush ka pirë ujë njëherë aty është dashuruar përjetësisht dhe në shpirt i ka mbetur përgjithmonë një shije e mrekullueshme dhe e pa përsëritëshme.

Në fillim të këtij shënimi të shkurtër theksuam se këngët e “usta” Gudha, qysh në fillimet e veta këndoheshin në dasmat dhe në festat popullore, duke u bërë pronë e ndërgjegjes shpirtërore të popullit dhe njëkohësisht duke u futur në fondin e artë të kulturës kombëtare. Humbja e “autorësisë” dhe shkrirja e e krijimit në ndërgjegjen e popullit do të qe ëndrra e çdo krijuesi. Andrea Gudha e ka realizuar përfindimisht ëndrrën e tij.

***

Violeta Kutra Gudha

Njeriu njerëzve dhe gjërave që rëndojnë dhimbsurisht brënda tij, shpesh priret t’ju japë edhe simbolikisht peshën e të qënit i dhuntishëm. Përmes gjestesh të veçanta, veçanërisht, kur njeriu i këtij rasti është artist, ndodh fenomeni i shkëmbimit të marrëdhënies intime me simbolikën e vlefshme edhe për publikun. Këtë deduksion personal do ta rindjeja të verifikuar fill pas njohjes së parë me Andrean. Pas kësaj dhe hyrjes së parë në shtëpi, me të mësova se të dy prindërit e tij ishin “artistë”

E mëvonshmja jetë, më shtoi provën e mbetjes së tij një artist që e përditshmja e shtyu për ta larguar nga pasioni i ndezur i rinisë, por ai iu rikthye vazhdimisht me stoicizëm fisnik për të përbushur detyrimin estetik ndaj krijimit.

Pa e braktisur, qoftë edhe një çast të vetëm modestinë e sukseshme, pa humbur frymën e mëkuar nga mjedisi përrallor i “Qytetit të gurtë”, Andrea konvertoi në ciklin e këngëve të tij gjithë ndjesinë për tingujt dhe meloditë e trevës së pasur.

Me shtysën e vrullshme të melodive popullore, veçanërisht, pas viteve ’60 të grupit të pleqve te Gjirokastrës, orkestrinës Mastora, të trios vlonjate, meloditë e këngët përmetare e veçanërisht Festivalet Folklorike Kombëtare, ai pati përherë nxitjen e krijimtarisë. Kësaj atmosfere iu shtua edhe kontakti me violinistin virtuoz Polo Xhori i kthyer nga SHBA-ja në vitin 1961.

Andrea 10-vjeçar kishte gjetur mundësinë e pastër të një pasioni të fisme duke marrë mësimet e para në violinë në Pallatin e Pionerit të qytetit. Mjeshtri Xhori dhe adoleshenti i talentuar shënonin kështu ngjitjen e një dueti të sukseshëm në jetën koncertore të qytetit dhe në kalendarin artistik të trupave profesioniste të tij.

Në këtë jetë aktive violina e Andreas, tashmë gjimnazist, kumbonte e ëmbël dhe ai përfitoi një përvojë të pasur nga bashkë-këndimi me artistë dhe instrumentistë të tjerë të formuar si: Roland Çene, Polo Xhori, Tolo Njocko, Jorgo Roze, Selam Mamani, Naxhi Kasoruho etj.

Formacionet orkestrale të qytetit nën drejtimin e muzikantit e dirigjentit të talentuar Gjon Simoni, që la gjurmë në veprimtarinë muzikore të Gjirokastrës dhe, më pas drejtimi i tyre nga dirigjenti i talentuat Roland Çene, bënë të mundur që, së bashku me ta edhe Andrea, të formohej si muzikant dhe të ecte në rrugën e muzikës.

Me këtë pasion rinor dhe vrull artistik Andrea hyri më pas në rrugën e vështirë të mjekësisë, ku si në mjaft raste emrash publik, mbetet “i dashur, i kujdesshëm” për të dy pasionet: Dhurues e Sugjestionues.

Në fushën e muzikës si një ndërmarrje e përhershme e jetës dhe e punës së tij, duke e kryer atë si një detyrë spontane e komplementare, veçanërisht gjatë viteve studentore ku ai eksperimentoi me sukses në fushën e kompozimit duke sjellë herë pas here këngë të veçanta.

Në këto këngë spikat sidomos cikli i këngës qytetare e trevës jugore, të cilat i shtonin në tërësi këngës së lehtë shqiptare nuanca dhe kolorit të veçantë.

Është kjo arsyeja që në vitet studentore, lidhjet dhe bashkëpunimin e tij me mikun e tij më të ngushtë Kastriot Gjini, me të cilin njihej që në fëmijëri, dhe me artistë të tjerë të njohur si: Robert Radoja, Aleksandër Lalo, Aleksandër Peçi, Josif Minga, Xhavid Ujkani, Bajram Lapi, Enver Shëngjergji, Françesk Radi, apo në redaksinë e muzikës në RTSH me muzikantët Ferdinand Deda, Gjon Simoni, Kujtim Laro, Spartak Tili, Gazment Mullahi dhe poetja Zhuljana Jorganxhi, të cilët i krijuan atij mjedisin e ngrohtë krijues.

Në vitin e 25-të të jetës së tij, Andrea rikthehet si mjek në Gjirokastër mbas studimeve të tij Universitare mjekësore.

Së pari, këtu ai merr kontakt me mjekun e njohur Vasil Jorgji, i cili veçohej për formimin e tij intelektual dhe sqimën e lartë qytetare.

Në emërtesë të mjekut pediatër, Andrea në të vërtetë do të kishte mundësinë të reflektonte pas pune një dashuri dhe mirësi njerëzore, e cila natyrshëm konvertohej në një proçes krijues të heshtur. Kjo na binte shpesh në sy e ne kishim gëzim të shijonim të parët në familje frytet e frymëzimit.

Në këtë kohë nisen të bëheshin të preferuara për artëdashësit këngët “Gëzimi i Çobanit”, “Uromë baba uromë”, “Ylli i Odries” apo cikli i këngëve për fëmijë me tekste të poetit të nderuar për antologjinë e letërsisë shqipe për fëmijë Tasim Gjokutaj.

Në vitet e mëvonshme do të shtoheshin këngët në anketat muzikore në RTSH dhe në festivalet- Gjirokastër, me tekste të poetëve Agim Shehu, Arben Duka, Petro Çerkezi, të cilët përbëjnë njëherësh, edhe pjesën më të dallueshme të repertorit të këngëtarëve më në zë të këngës qytetare dhe asaj të lehtë në qytetin e Gjirokastës si: Petrit Lulo, Eftimi Llambro, Hëna Xhemali, Arta Babaramo, Sulejman Lame etj.

Në frymën e pasosur të këtij pasioni, por, më së shumti, nën shtysën e aftësive të patretura për të mbetur përherë me muzikën, Andrea mbërriti deri në përmbledhjen e Albumit muzikor “Kolazh nostalgjie nëpër vite”.

Sot, në këtë përmbledhje që, mund të quhet dhuratë intime për gjithkënd, Andrea me të vërtetë, gjen rastin të shtojë diçka më të posaçme edhe për mua, Sarinën e Arianitin.

Si jo, pak herë të tjera, profili i tij ka pasur ëmbëlsinë e njeriut që dhuron mirësinë në formën e këngës. Kjo natyrisht, që s’është e paktë për ne, por edhe ne kemi kënaqësinë për të shijuar këtë pjesë tonën intime, të përcjellë në mënyrë kaq qytetare në hapësirën kulturore të vendit.

Andrea, vazhdimisht mbetet dhurues. Së paku, këtë dhunti në rastin e këtij botimi dhe albumi të këtyre këngëve të tij, ai nuk e lidh me sindromin që të ngjit profesioni i mjekut, por me virtutin që rrjedh nga geni i tij njerëzor.

 13. Apologjia e Çajupit në Mëmëdhe

Monokomedi e vogël hyjnore me dy akte

Akti i parë

Prolog

Rrëfimtari

Çajupi u lind në Sheper të Zagories më 27 Mars 1866. Jetoi, punoi dhe mendoi për Shqipërinë si rrallëkush larg saj, në Egjipt.

Nuk më kujtohet se si, kur në një nga pasditet e këtij dimri të ftohtë, me shi, me përmbytje e tërmete, duke folur me një prej miqve të mi për vjershat dhe shkrimet e fuqishme të Çajupit, miku im më befasoi me rrëfimin e një ëndrre, e cila më pas, u ndërthur me një tjetër ëndërr timen, për t’u shtruar qetësisht në faqet e këtij shkrimi. Miku im më shoqëroi deri në fund të ëndrrës sime…

Se ç’rrugë bëri dhe si erdhi, askush s’qe në gjendje ta thotë, po pasi u takua me miqtë e ‘Klubit të Selanikut’, me burrat e Zagorisë, me Marigonë dhe me Gjinon, Çajupi u “këshillua” me doktor Adhamudhin, bisedoi me Nastradinin, pastaj me La Fontenin dhe me poetët indianë.

Kur u përball me Baba Tomorin, u ndal përpara madhështisë së tij, ra në mendime dhe u përlot, i trishtuar për vdekjen e parakohshme të gruas së tij zvicerane Evgjenia, një vit pas martese. Me brengë në shpirt iu drejtua Zotit, me po ato fjalë që i ish drejtuar dhe nga Lugina e Nilit.

Çajupi

“O Zot i vërtetë, s’të erdhi keq për djalë

Kur i more mëmën dhe më le të gjallë…”?

Rrëfimtari

Në qetësinë hyjnore të universit mbretëronte vetëm një heshtje e zgjatur… Për momentin, Zoti ishte shumë i zënë me punë, i preokupuar për një komunitet banorësh të veçantë, që ndoshta i përkasin racës shumë të rrallë dhe shumë të fisme të “qënieve të privilegjuara” të shpërndara nëpër vende dhe popuj, ashtu si gurët, që gjallojnë në mes të përzjerjeve të rëndomta.

Kjo racë e veçantë njerëzore, si njohës të thellë të shpirtit njerëzor, bukurinë e botës e përjetojnë vetëm në sajë të bashkimit të zjarrtë të mishit me shpirtin. Çdo vulgaritet shpirtëror, plogështia e shpirtit, mungesa e emocioneve dhe e ndjeshmërisë njerëzore ata i lëndon. Ajo, që të tjerët, vetëm sa i cik, ata i therr në zemër!

Kënaqësia e tyre është që të mos urdhërojnë njeri, por dhe të mos varen nga askush, të jenë të lirë. Por, kënaqësia e tyre e veçantë është, që, mbi të gjitha, të bëjnë vetëm të mira dhe të dhurojnë mirësi gjatë gjithë jetës, pa interes. Por, lëndohen dhe vriten shumë shpejt, kur gjejnë mosmirënjohje.

I madhërishmi Zot, shumë i ndjerë dhe i arsyetueshëm për këtë racë njerëzore, donte, që t’i sistemonte sa më mirë këta banorë shpirtbrengosur, që të ishin larg zhurmës dhe potereve të banorëve të Parajsës dhe Ferrit.

I sistemoi me kujdes në një ambient të veçuar, në anë të rrjedhës së një lumi, që të gjenin paqe me vetveten, nën shushurimën e rrjedhës së lumit, në cicërimat e zogjëve dhe të melodisë “Requiem” të Mozartit. Zoti, lagjen e re e pagëzoi me emrin “Shpirti i kulluar”.  Si administrator të saj emëroi Stendalin dhe si këshilltarë të parë caktoi Tolstoin dhe Kazanovën… Në vitin 2000, lagjia u përfshi në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Çajupi, pasi s’mori përgjigje nga Zoti, vazhdoi i dëshpëruar me kokën nga qielli.

Çajupi

O Zot i madh,

Bëre derrin dhe arinë

Por, ç‘deshe që bëre dhe “Njerinë”?

Rrëfimtari

Nga thellësitë e universit i erdhi më në fund jehona e një zëri të ëmbël hyjnor.

Zoti                 

-Ki durim, biri im… ki durim!…

***

Çajupi në Parajsë

Në vitin 1930 Çajupi shkoi në Parajsë. Atje u takua me shokët dhe miqtë e tij filozofë dhe intelektualë dhe ndieu, se s’kishte më ndarje nga vitet. Gjeti njerëz të ikur nga bota prej kohësh, priti dhe të ardhur të tjerë, vit pas viti.

U përqafua plot mall me vëllezërit patriotë Frashëri, me Ismail Qemalin, Dr. Mihal Turtullin, Faik Konicën, Fan Nolin, Asdrenin, Luigj Gurakuqin, Migjenin, Gjergj Fishtën, Ali Asllanin, etj, etj.

Përshëndeti me dorë edhe aktorin e madh Aleksandër Moisiu, por ai nuk e vuri re, pasi ishte zhytur në prova në rolit e ‘Hamletit’ të Shekspirit, nën degët e shqyera të një peme.

Në një tavolinë, nën hijen e një ulliri, i bënë përshtypje disa burra të fisëm, të moshuar që bisedonin. Njëri prej tyre, më i moshuari ishte i veshur me fustanellë. Portretin e tij kishte përshtypjen se e kishte parë në një muze të madh të Parisit dhe të Athinës.

U bë kureshtar dhe pyeti se kush ishin.

Banorët

Burri me fustanella është arvanitasi Vasil Goudas (Gudha), sekretar personal dhe Zv. gjeneral i Marko Boçarit, kurse në krahun e majtë janë arbëreshët mendjendritur Jeronim de Rada dhe Zef Serembe.

Rrëfimtari

Më tej u takua edhe me Dr. Jani Bashon, përkthyesin Vexhi Buharaja, Dr. Vasil Labovitin, Dr. Vasil Jorgjin, me kompozitorin e rinisë Kastriot Gjini dhe me shumë miq të tjerë të rinj. Miqve që takonte, si gjithmonë modestë e fjalëpakë, u dhuronte me kënaqësi nga një libër në shenjë kujtimi.

Kohë pas kohe, Çajupi gjente rast dhe takohej me këdo që i digjej zemra për Shqipërinë.

Dhe ja, tani afër, më 25 Dhjetor 2015, në një tavolinë miqësore, u takua me Lasgush Poradecin, Pano Taçin, Frederik Reshpjen, Mentor Xhemalin dhe Petro Markon.

Çajupi, me dorën e vendosur në ballë, ndiqte me interes bisedën e tyre, e cila ishte e qetë, por tek-tuk ndizej e merrte zjarr.

Lasgushi me bastunin e tij e drejtonte bisedën aty ku duhej. Frederiku dukesh i pezmatuar… Panos i kuptoheshin fjalët me vështirësi, ngaqë kishte probleme të mbartura me dhëmbët e rëna prej vitesh. Dentisti më i mirë i Parajsës e kishte këshilluar që të vendoste “protezë komplete”.

Mentori i lodhur fizikisht e shikonte Çajupin dhe tundte kokën. Papritur, drejtoi trupin dhe lehtazi ia mori këngës “Zura një bilbil me vesë”.

Çajupi u befasua nga zëri i mrekullueshëm dhe ra në mendime të thella…

Çajupi

– Nga del ky zë i fuqishëm burimor? Çfarë brenge do të shpreh ky njeri me këtë këngë kaq të bukur lirike dhe po aq të ndjerë?!

Rrëfimtari

Me Petron bisedoi edhe veçmas. Ai ishte burrë i pashëm, me jakën e bardhë të këmishës mbi xhaketë, me gjoksin gjysmë të zbuluar dhe, për fat, dëgjonte më mirë se të tjerët nga veshët, si banor i ri, i pranuar kohët e fundit në Parajsë.

Si fisnik dhe xhentil që ishte ndaj femrave, Çajupi, ftoi në një pasdite takimi zonjat e nderuara: Elena Gjika (Dora D’Istria) dhe Musine Kokalari. Ai doli 5 minuta më përpara për t’i pritur mikeshat. Evgjenia nuk mundi të vinte, pasi ishte e rënduar nga paraliza dhe duhej të kujdesej edhe për djalin e saj të vetëm, Stefanin.

Zonjat u përshëndetën me respekt me Çajupin dhe u ulën së bashku me të në një tavolinë, ngjitur në trungun e një qershie. Tavolina ishte shtruar me një mbulesë të bardhë dhe e zbukuruar anash me qëndisma nga Lunxhëria. Në mes të tavolinës ishte një buqetë me manushaqe dhe një qiri i ndezur.

Me sy të lagur dhe me sinqeritetin e tij prekës, gjatë bisedës, Çajupi u tha zonjave që ta falnin për lotët dhe turbullimin nostalgjik, sepse kishte shumë më tepër se 100 vjet që ishte shkëputur nga vendi i lindjes.

Ai u ofroi zonjave nga një gotë verë të kuqe. Zonjat e pranuan me mirësi gotën e verës dhe, pasi i kujtuan vjershat e tij, e uruan me gjithë zemër.

Zonjat

– Çajup, urojmë të të kemi dhe 150 vjet të tjerë në mes nesh!

Rrëfimtari

Pranë tavolinës u kalon si një “flutur” një grua trupvogël me një veshje karakteristike. Ajo iu dha nga një buzëqeshje të ëmbël dhe nxitoi me hapa të lehta…

Musineja

– Eshtë nobelistja shqiptare Gonxhe Bojaxhi, Shenjtorja Nënë Tereza, humaniste e madhe, e përkushtruar përjetësisht ndaj njerëzve të varfër dhe të vobektë, pa dallim feje, race e kombësie.

Rrëfimtari

Biseduan me përmallim dhe për shumë gra të shquara, për vetëmohimin e tyre për Shqipërinë dhe, pasi u përshëndetën, u larguan…

Në fund të takimeve me atdhetarët, pas gëzimit, Çajupi ndiente një mërzitje të pashpjegueshme dhe një mërmëritje të brendshme, që shpesh i dilte jashtë me rënkime: “Ah”, “Ah”, “Përse”?…

Këto u bënë zëra e tinguj, që nisën të përsëriteshin, sidomos netëve. Ai i ndjente në thellësi të shpirtit tek përhapeshin drejt yjeve, në univers, duke u shkrirë me një melodi, që s’dihej nga vinte, për t’u derdhur më gjerë në shtratin e një simfonie “Dashuria njerëzore”, që kumbonte me finalen: “Përse?”, “Përse?”, “Përse”?…

Simfonía përsëritej e pasurohej vokalisht me zëra banorësh të rinj të Parajsës, duke u endur nëpër hapësira dhe duke u bashkuar në unison me koralen hyjnore “Aleluja”.

Por, “Ah”-et nuk iu ndanë atij asnjëherë dhe “Përse”-ja nuk gjeti përgjigje!

***

Kthimi në Tokën–Mëmë

Çajupi tentoi disa herë të takonte në Parajsë drejtpërdrejt Zotin, por, Ai ishte shumë i zënë me punë dhe atij i mbeti peng që nuk e takoi dot.

Në Mars të vitit 2016 vendosi të kthehej në vendlindje pas 150 vjetësh dhe të komunikonte qetësisht me Zotin nga Toka – Mëmë, falë edhe teknologjisë së re të informacionit…

Veshi kostumin, rregulloi kravatën, krehu flokët e mustaqet dhe zbriti në Tokë nga Parajsa.

Fillimisht arriti në Kajro. I tronditur dhe i çuditur nga ngjarjet në vendet islame, veçanërisht ngjarjet e ndodhura në Siri, nxitimthi udhëtoi nëpër luginën e Nilit, përshkroi Urën e Bosforit dhe po afrohej në Mëmëdhe.

Sapo mbërriti në mëmëdhe, u ndal tek Ura e Subashit.

Në një nga lokalet piu me etje një gotë ujë të ftohtë dhe pa me mall fshatrat përkarshi. Nga radioja e lokalit dëgjohej një këngë për kurbetin. Çajupit i mbeti gota e ujit në dorë. I erdhi ndërmend Mitrua dhe vargjet e tij për kurbetin. I dukeshin vargjet të ngjashme, gati njëlloj me të tijat dhe mërmëriti me vete: – Akoma dëgjohen këto vargje dhe tani, në shekullin e 21-të?!

Pronari i lokalit e kuptoi se ai nuk ishte udhëtar i zakonshëm, ndaj iu afrua.

Pronari i lokalit

 – Zotni, dëgjoje, dëgjoje me nge këngën dhe ujin pije pa merak, se uji vjen direkt nga burimi, nga Gurra e Picarit. Të rrish i qetë! Njerëzit e krahinës janë të vizituar mendërisht nga neuropsihiatri i zonës Izet Çulli, kurse këngën që dëgjon në radio e këndon grupi i Zagorisë. Soliste është këngëtarja Mimoza Kosturi, bijë nga Sheperi. Këngën e Kurbetit e ka kënduar edhe nëna e saj para 50 vjetësh… Vargjet e tanishme më duket se i ka shkruar poeti i Bregut Lefter Çipa, ndoshta janë shkruar dhe nga atdhedashësit emigrantë: poeti Agim Shehu nga Zvicra, apo neurokirurgu poet Emil Asdurian nga SHBA. Melodinë e këngës, në mos qofsha i gabuar, e ka shkruar i madhi Ferdinand Deda, ose Vasil Tole, si bir i Zagorisë.

Rrëfimtari

Më tej ndërhyn pronari i lokalit.

Pronari i lokalit

 – Sot fshatrat e Labërisë, Odries, Zagories pothuajse janë shkretuar. Banorët e fshatrave kanë shkuar dhe po shkojnë familjarisht në kurbet…!

Rrëfimtari

Kur ai e pa udhëtarin, që e dëgjonte dhe e shikonte si i hutuar, ndërhyn sërish pronari i lokalit.

Pronari i lokalit

 – Zotni, nuk di sa më kuptove, pasi shqipen e flas jo si dikur, sepse kam qenë mbi 15 vjet emigrant në Greqi dhe…

Rrëfimtari

Në kujtesën e Çajupit trokiti kurbeti i shqiptarëve në shekujt e fundit, kurbet që dhe ai e kishte provuar në kurriz. U përmend kur sytë i panë një pjatë me kastraveca me ngjyrë jeshile vezulluese në banakun e lokalit. Pronari ia ofroi pjatën me kastraveca dhe i lexoi një farë dyshimi në sy.

Pronari i lokalit

– Shijen e kanë të mirë, por nuk e di se çfarë lloj kastravecash janë, me farë apo pa farë. Për këtë duhet pyetur Prof. Isuf Kalo, që është dhe nga anët tona. Prof. Isufi, më duket se i dallon mirë këto gjëra në vlerën cilësore të inteligjencës njerëzore.

Rrëfimtari

Çajupi doli nga lokali, ktheu shikimin nga qielli dhe vendosi të nisej për udhë për të mos e zënë nata rrugës.

Pronari i lokalit

– Zotni, po të duash, po të jap një mushkë me qira, që i njeh mirë rrugët, e që të çon drejt e në Zagori. Po të dhuroj dhe një aparat celular modern, që e kam blerë në Athinë. Bisedo me miqtë e tu, kur të duash dhe sa të duash, për qejfin tënd. Është aparat i zgjuar, i njeh mirë edhe valët e zakoneve të reja të vendit. Mund të dëgjosh edhe lajmet në televizor apo në radio kur të jesh i mërzitur.

Rrëfimtari

Poeti s’mund të rrinte pa i shprehur mirënjohjen.

Çajupi

 – Mirë, faleminderit.

Rrëfimtari

Çajupi e pa mushkën në sy, e përshëndeti me disa fjalë dhe hipi mbi të, së bashku me çantën të mbushur me librat e tij. Për çudi, mushka po ecte pa u grindur anës rrugës, buzë lumit Drino.

Pasi kaluan Valarenë, Çajupi e drejtoi mushkën për nga rruga e Zagories, por ajo ndaloi. Nuk i bindej më. Tentoi disa herë me qetësi e dashuri, por pa rezultat. I djersitur dhe i lodhur, e kuptoi, se nuk gjëndej muhabeti me mushkën e nuk mund të udhëtonte më tej. Tha me vete:

– Qenka mushkë xanxare, kokëfortë! Rruga është e gjatë e nuk do të mund t’ia mbush dot mendjen…

Zbriti nga mushka me qetësi, e përkëdheli, i vendosi lekët e qirasë në samar dhe e la në fushën e Valaresë.

Në Valare iu kujtua Ali Pashë Tepelena, iu kujtuan vargjet: “Harro mushkë Valarenë, se Ali Pashën e prenë…” dhe s’po i ikte nga mendja koka e prerë e Pashait, por, duke u larguar, ajo dalëngadalë iu sfumua dhe u faqos në librat e fundit të Prof. Fedhon Meksit.

Me peshën e çantës në krahë mori të përpjetën në këmbë për në fshatin e lindjes, Sheper.

U freskua dhe piu ujë Sterpeni, u çlodh në fushën e Çajupit dhe me një degë trëndeline në dorë ecte me gëzim, si dikur, kur ishte fëmijë për në vendlindje. Udhës i zunë sytë ca udhëtarë, por nuk mundi që të përshëndetej dhe të bisedonte me ta, pasi ata ecnin me çap të shpejtë me çanta në krah dhe flisnin me vete. Njeri prej tyre, me këmishën e djersitur në trup, nxitimthi u shkëput nga udhëtarët e tjerë, nxorri nga çanta diçka dhe iu afrua Çajupit.

Udhëtari

– O i madhi Çajup! Do një degë trëndafili që t’i marrësh erë, apo një degë hardhije që të bësh raki dhe verë…?

Rrëfimtari

Çajupi e pa në sy udhëtarin, u mendua dhe i mori degën e hardhisë… I çuditur pyeste veten: – Për ku nxitojnë këta, vallë? – Disa fytyra të tyre i ngjasonin me të stërgjyshërve. Kujtoi bashkëfshatarët e tij, që merrnin rrugët e kurbetit…

Më në fund hyri në fshat dhe filloi të çmallej me shtëpitë dhe me kujtimet e rinisë.

I lodhur nga rruga e gjatë u shtri nën hijen e rrapit. E zuri gjumi.

Në ëndërr i dilnin vajzat e bukura të gjimnazit të Nivanit, kravatat e mësuesve, kuvendimet e burrave të fshatit, këngët, mishrat e pjekur, sinitë me byrekë dhe dollitë me raki në dasmën e Marigosë me Gjinon…

Por ëndrra iu pre në mes. Me shikim gjysëm të përgjumur për rreth tij shikonte ujqër me gojë të shqyer. Brenda sekondës mendoi: – Mos vallë Marigoja e Gjinua ishin bërë ujqër, apo ujqërit kishin ngrënë Marigonë dhe Gjinon…?

I shtrirë siç ishte, u përmend nga ëndrra e keqe  kur, si një fantazmë i doli përpara në horizont një fytyrë burri, shtatgjatë, me sy të mëdhenj dhe me flokët përpjetë.
Kiço Spiri
– Mirë se na erdhe në fshat, o Çajup! Unë jam Kiço Spiri, ndër poetët më i miri. Më ke mallëngjyer me Elegjinë për Evgjeninë… Edhe unë i kam kënduar Ksanthipit:
O Ksanthipi se ç’më trete
Me ato që ke mbi vete
Dhe, ato, që ke nën vete!
Si pjergull të varen rrushtë,
E ke shtegun shumë të ngushtë,..
Kam shkruar vjersha edhe për “kandarin”. Njerën prej vjershave, po ta them:
Ndonëse të varfër jemi,
Një pëllëmbë pallosh e kemi,
Shyqyr, na ka parë allahu
Dhe na e bëri sa krahu…
Çajupi, gjysëm i përgjumur, buzëqeshi, diçka mërmëriti nën buzë, duke ia bërë me dorë Kiços: – Mjaft!…
Kiçua, i gëzuar nga takimi me Çajupin, vazhdoi bisedën pa pushim:
– O, i madhi, Çajup, unë, dikur, kur kisha një hall. Shkova në Tiranë për të takuar bashkëfshatarin tonë dhe adashin tim në Ministrinë e Tregëtisë.
Roja, tek hyrja e Ministrisë nuk më lejoi. Dola jashtë në rrugë dhe fola me zë të fortë:
– Kiço ti, Kiço unë,
Dil Kiço se kam pak punë…!    
Pranë meje kaloi poeti i madh Xhevahir Spahiu. Ai u shtang në vend kur dëgjoi vjershën time. Më buzëqeshi, më dha dorën dhe më tha:
– Të lumtë, Kiço!

Ma ngrohu zemrën.
Ai, tundi kokën dhe kaçurrelat e flokëve i rranë mbi ballë. E hodhi shikimin nga dritaret e Ministrisë dhe, si i trubulluar, iku. Ika dhe unë.
Po të jap dhe një lajm tjetër të gëzuar.
Kohët e fundit në fshatin tonë na erdhi Kryeministri Edi Rama. Ja, këtu ishim ulur të dy këmbëkryq, nën hijen e këtij rrapi dhe bëmë goxha muhabet.
Ka muhabet të këndshëm e me qyfyre…
Rilindasit i kujtonte shpesh me respekt. Veçanërisht, o Çajup, vjershat e tua, i dinte përmendësh dhe m’i recitonte me qejf të madh.
Po, kur, në mes të muhabetit, më thotë:
– Kiço, je vjershëtor i madh. Aman, më trego ndonjë nga vjershat e tua të fundit!
Më çuditi që  i pëlqenin dhe vjershat e mia!
Ia tregova  vjershën time të fundit:
“Se këtu në vendin tim edhe kungulli ka kuptim…”!
Më pa në sy dhe më tha: – Qenka tepër aktuale…
E mësoi shumë shpejt dhe e ligjëronte  me shpirt në takimet me popullin, pa le, me sa qejf e këndonte me fisarmonikë me romët…
– O, i madhi, Çajup! Fola shumë… por, jam i emocionuar që, u takuam sëbashku në vendlindjen tonë të dashur!
Rrëfimtari
Çajupi, i ngazëllyer nga ato që dëgjoi, u përmend. Hapi përgjysmë sytë e përgjumur, por nuk pa njeri. Hodhi dorën tek çanta e librave, u sigurua që e kishte pranë dhe që nuk ia kishin vjedhur. U kthye nga krahu tjetër dhe e zuri gjumi përsëri…

***

Akti i dytë

Rrëfimtari

Të nesërmen, nën rrezet e diellit të mëngjesit u zgjua, u çua, pastroi kostumin nga gjethet e rrapit dhe u ngjit në majë të malit të Çajupit.

Atje, i ulur mbi një shkëmb, me ballin e rrudhosur dhe me shikimin larg, sodiste bukuritë e natyrës përkarshi, vargmalet Trebeshinë – Dhëmbel – Nemerçkë dhe Shëndëlli – Lunxhëri – Bureto. Ktheu kokën pas, u përshëndet me malin e Tomorit, pastaj, me shumë vështirësi dalloi  dhe shtëpinë e vëllezërve Frashëri, ku ende kishte pak ndriçim nga Qiriri i Naimit.

Papritmas, përballë Çajupit po afrohej me shpejtësi një re e dendur, e zezë në formë akrepi.

Koka dhe veshët filluan t’i buçisnin si koshere bletësh. Në veshë i thërrisnin zëra të ndryshëm, të panjohur dhe që shoqëroheshin me të qeshura dhe ngërdheshje, por, fytyrat e njerëzve, që i flisnin (meshkuj e femra), ai nuk i dallonte.

Zërat e panjohur

– Çajup, ç’deshe që zbrite në tokë? Ne e dimë brengën që të bluan përbrenda, por brenga tënde nuk ka për të gjetur kurrë përgjigje?! Në Parajsë ku ishe, ndoshta mund të të sqaronte më mirë Darvini, apo Frojdi. Të qeshura histerike: “Ha Ha, Ha…”.

Rrëfimtari

Veshët iu zhurmuan nga të qeshurat djallëzore…! Çajupi nuk kuptonte se ç’po ndodhte… Shtrëngoi kokën fort, fort me të dy duart dhe mbylli veshët me gishtat e tij, që i dridheshin nga frika… Kjo situatë e tmerrshme, fatmirësisht nuk zgjati shumë.

Reja e zezë po largohej dhe veshët ju qetësuan nga zërat e panjohur.

“Mallkuar qofshin këto zëra tinzare”, tha Çajupi nën zë. E mblodhi veten. I gjallëruar në shpirt nga ajri i Tokës–Mëmë, mori frymë thellë. Pa e hequr dorën nga zemra, që kish nisur t’i dhimbte, me sytë nga qielli, ai iu drejtua Zotit.

Çajupi

“O i madhërishmi Zot,

Arrita të zbusja derrin

Bisedova dhe me arinë

Por nuk munda dot

të komunikoja me “Njerinë”!

Të lutem dhe të përgjërohem, më thuaj, si t’ia bëj, çfarë këshille më jep”?

Zoti

– I dashur biri im, të këshilloj që të lidhesh në celular me Diogjenin. Veçse, shiko mirë, se janë ndërruar numrat që nga shek.5 p.e.s. Pasi ta gjesh, kërkoi Diogjenit ‘Qiririn’ e duhur për të gjetur në shekullin e 21-të një ‘NJERI’ për sëmbari…

Rrëfimtari

Çajupi, entuziast dhe i mbushur me ajrin e pastër në majë të malit, ngriti antenën e aparatit dhe formoi në celular numrin e Diogjenit. Por linja ishte shumë e ngarkuar, kishte shumë zhurmë…

Duke pritur, që ajo të lirohej, kaloi në radio. Nga “AFP” dëgjoi në frengjisht lajmin e Qeverisë Franceze, se shkrimtari i madh Ismail Kadare dekorohet “Komandant i Legjionit të Nderit”.

Mori frymë thellë, u mbush tërë kënaqësi dhe tha me vete:

– Ah, “Darka e gabuar”… Faleminderit Kadare që na nderove shqiptarizmin në botën e qytetëruar!

E hoqi mendjen nga lajmet e tjera.

Por, çastet e kënaqësisë nuk zgjatën shumë. Ato iu tretën shpejt, kur në valët e ndryshme të radios dëgjonte zëra në gjuhë të ndryshme, që bërtisnin: “korrupsion galopant”, “padrejtësi”, “hajdutë”, “mashtrues”, “njerëz të pangopur”, “prostitucion”, “mafiozë”, “narkotrafikantë”.

Zhurmë e madhe…

Dikush bërtet: “Ndërpritet seanca…10 minuta pushim”. Në një stacion tjetër, spikeri me një zë të trashë përmendte shpesh fjalët në gjysëm shqip-turqisht: “Kazanë, kusira, tepsira, legenë të shpuar…”.

Çajupi nuk po orientohej dot me fjalorin e folësve në stacionet e ndryshme dhe, nuk po kuptonte, se, ç’po ndodhte me këto lajme të çuditshme…

Fillimisht, u qetësua, pasi mendoj se, ndoshta, në Teatrin Popullor, miku i tij, regjizori Mevlan Shanaj, me të cilin shkëmbente telegrame herë pas here, u mësonte aktrimin kandidatëve për deputetë të Kuvendit me pjesën teatrale “Klub’ i Selanikut”.

Gjersa, papritur, dëgjoi dhimbshëm në italisht Papa Françeskun që, nga sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan, po thosh: “Bota po helmohet nga Materializmi”.

“Ç’bëhet kështu”, tha me vete Çajupi dhe i mërzitur kaloi në një stacion më tej, kur befas, i erdhi një jehonë nga RTSH: “Në Shqipëri, për letërsinë e vitit, çmimi i parë iu dha librit “Vrima”.

Çajupit i qeshi buza, fërkoi duart me gëzim dhe me nostalgji mërmëriti disa vargje.

Çajupi

– Erdhi dita, që dhe poezia ime e “Kandari” të qëndrojë krenare në Bibliotekën Kombëtare në Atdheun tim të dashur:

“Grua po prishet kandari

S’është më ai i pari

Që qëndronte ditë e natë

Gati si barut i thatë…”.

Rrëfimtari

Ndërkaq, në aparatin e celularit u dëgjua një zë i lodhur në greqishten e vjetër.

Hipokrati

– Më falni, Zotni, por i keni rënë gabim numrit. Nuk jam Diogjeni, jam Hipokrati, babai i Mjekësisë.

Rrëfimtari

Çajupi u befasua dhe ngeli i hutuar. Pastaj, i dha vetes kurajë dhe u prezantua se kush ishte.

Hipokrati

– Jehonën e librave të tua e kam dëgjuar dhe të respektoj, por, nuk më thua, si je me shëndetin?

Çajupi

– Në saje të Telemedicinës komunikova me Profesorin e nderuar të kardiologjisë Pandeli Çina, i cili më gëzoi kur më tha se zemrën e kam të fortë. Por, nga mushkëritë nuk jam mirë, o, babai i Mjekësisë. Herë pas here kam vështirësi në frymëmarrje.

Rrëfimtari

Në çast, Hipokrati i vëmendshëm, hapi Traktatin e Mjekësisë në kapitullin “Njeriu dhe Natyra” dhe u mat t’i rekomandonte diçka për ta lehtësuar, po nuk ishte i sigurt që do të kish sukses, kur mendoi se ç’ajër të helmuar nga smogu thith sot i shkreti njeri.

Pas kësaj u zhyt në mendime të thella… do ta trajtonte si “pacient” apo si “klient”!? Fjalën “klient” dhe “mall” në mjekësinë e sotme moderne ai nuk e kuptonte dot.

Shfletoi ‘Enciklopeditë Mjekësore’, por termat që i duheshin, nuk i gjeti gjëkund. Për të qenë më i sigurt, pyeti pasardhësit e tij Galenin dhe Avicenën. Që të dy apostujt e mjekësisë ngritën supet dhe nuk i dhanë dot përgjigje babait të mjekësisë…

Hipokrati, nën peshën e rëndë të përgjegjësisë morale të Betimit të tij, po vriste mendjen se si të komunikonte me Çajupin. Ktheu kokën pas dhe depërtoi në thellësinë e shekujve. Në pasqyrën e kupës magjike të Asclepios pa globin tokësor. Boshti i Tokës po lëkundej… Paralelet dhe meridianët e globit i dukeshin të çrregullt.

Në qendër të globit qëndronte Zot i Mjekësisë Asclepios hijerëndë, i mbështetur në shkopin e tij shërues. Gjarpëri i përdredhur rreth shkopit lëviste kokën majtas – djathtas dhe nga gjuha nxirrte vazhdimisht helm. Hipokrati, qendroi me përulje të thellë përpara Zotit të Mjekësisë, por diçka ndjeu në shikimin e tij të turbullt…

Iu kujtua ngjarja, kur në vitin 1965, me pelerinën e hedhur mbi supe u paraqit në Shkollën e Lartë Mjekësore të Harvardit, për të konkurruar si kandidat për studimin e Mjekësisë moderne. Nga kureshtja, salla ishte mbushur plot me profesorë të mjekësisë. Hipokrati u foli për shëndetin e njeriut të lidhur ngushtë me Natyrën: Toka, Uji, Ajri e Zjarri dhe në fund u tha: -Mjeku, të paktën, të mos bëj dëm-. Komisioni i profesorëve Hipokratin nuk e pranoi si student dhe as ia njohu përgjigjen. Përgjigja e tij, në kohët e sotme modern, duhej të ishte:

– Pacienti/klienti, së pari duhet pyetur: nëse është i siguruar nga ana shëndetësore apo jo?

Si mjeshtër i observimit Hipokrati i nuhati shpejt ndryshimet e ndodhura në shërbimin mjekësor në epokën e modernizmit, por ai duhej të bindej më mirë.

Ngriti ballin e rëndë nga ishulli Kos. Ktheu kokën nga Shkolla Mjekësore “Asclepios”, ku kishte qenë mësues. Gërmadhat e shkollës mezi dukeshin nga çadrat e shumta të emigrantëve, të mbira si kërpudhat pas shiut.

Hipokratit ju kujtuan vitet e arta, kur nga vendet e Lindjes së Largët e nga Kopshtet e Babilonisë vinin në këtë shkollë studentë të gëzuar për të studiuar në Mjekësi… Në çadra hynin e dilnin burra e gra me fëmijë në krah, djem dhe vajza, që flisnin arabisht. Në duar nuk mbanin libra, por batanie dhe pako me ushqime. Nuk ishin studentë, por emigrantë! Dëgjoheshin britma e klithma: “fëmijë të mbytur në detin Egje…”, “emigrantë të mbytur në detin Mesdhe…”, “Europë”, “Europë”, “Jetë, o jetë, ku je?!…”.

Hipokrati, i trishtuar shfletoi fletët e kalendarit. Shekulli i 21-të! Ngriti kokën drejt qiellit: “O, Zot”! Mbylli sytë për një çast dhe me vendosmëri e hodhi shikimin e tij përtej detrave…

Diku, në horizont, i doli përpara fytyra e Presidentit Obama.

E përshëndeti Presidentin me mirësjellje dhe pasi depërtoi në thellësinë e syve të tij, Hipokrati me kujdesin më shumë atëror se sa mjekësor, nxorri nga xhepi i bluzës së tij të bardhë shaminë sterile dhe i fshiu atij, butësisht, ballin e djersitur, veçanërisht nga “Obama Care”…

Nga sytë e Presidentit rrodhën disa pika loti dhe, ai në heshtje, tha: “Zoti e bekoftë Amerikën”!

Më së fundi, Hipokrati i trishtuar dhe i lodhur nga mendimet e shumta, duke u bazuar tek logjika, i drejtohet Çajupit.

Hipokrati

-Eh mor biri im, u mërzite duke më pritur, por, të kërkoj ndjesë, pasi u gjenda me ngjarje të papritura… Unë mund të të jap recetë vetëm, në rast se ti je i siguruar nga ana shëndetësore. Por, nga që s’kam përvojë për këto gjëra në Parajsë, po të jap numrin e ri të celularit të Diogjenit… ndoshta të ndihmon ai me qiririn e tij për të gjetur një mjek të saktë.

Rrëfimtari

Çajupi e falenderoi dhe e mirëkuptoi Hipokratin për angazhimin e tij njerëzor. U lidh menjëherë dhe pa vështirësi me Diogjenin dhe, ai, me shumë qetësi,  iu përgjigj Çajupit.

Diogjeni

– I dashur biri im. Nuk ta kursej Qiririn tim, por, më vjen keq se është shumë i konsumuar nga shokët e tu ndër shekuj dhe zor, se mund të të ndriçojë për të gjetur dikë, që mund të quhet ‘NJERI’… Ndoshta, pas ca kohe, mund të arrish të komunikosh me banorët e rinj në Planetin “Mars”, të cilët kanë pronontuar banesa dhe  mezi presin të shkojnë e të jetojnë aty…

***

Epilogu               

Rrëfimtari

…Filloi një acar i ftohtë me rreshje dëbore. Komunikimi me Diogjenin u ndërpre.

Çajupi po dridhej nga të ftohtit në majë të malit. Gjithçka përreth iu errësua.

U lodh të ndizte një qiri të zakonshëm, por më kot. Era ia fikte. Mustaqet dhe flokët iu thinjën dhe brenda natës i doli mjekra e bardhë si bora e malit.

Kur zbardhi agimi, nga thellësia e pyllit të dendur me bredha të Hotovës së Frashërit, drejt majës së malit Çajup gjarpëroi dhe u përhap melodia “Kaba” e Laver Bariut.

Afshi i ngrohtë i kabasë e ledhatoi Çajupin, i ngrohu trupin dhe, si nga një goditje elektrike, rifilloi t’i rrahë zemra.

Ajo e bëri të merrte krahë si një zog i lirë, me zemër të plagosur e me shpirt të lënduar dhe të shkëputej përfundimisht nga Toka-Mëmë për të arritur në Parajsë.

Hera-herës, banorët e qiellit shihnin, jo pa kërshëri atje, në Parajsë, një njeri, që ecte me libra nën sqetull dhe me një qiri të fikur në dorë, kokëulur e të ngarkuar me mendime.

Qëllonte që, nga lodhja, ai njeri, që gati-gati e lëshonte veten, të gjente qetësi në vetmi dhe të harronte gjithçka, vetëm kur, thuajse zhytej në tingujt e finales: “Përse?”, “Përse?”, “Përse?” të Simfonisë “Dashuria njerëzore”.

Si sirenë mbërrinin në veshët e tij disa zëra melodiozë fëmijësh, që preknin e vibronin edhe shpirtin e violinës. Në telat e violinës thurreshin melodi…

Nën ndriçimin e qirinjve, ndezur prej korales hyjnore “Aleluja”, Çajupit i shkëlqenin sytë dhe i qeshte fytyra.

Çajupi në Parajsë, në lagjen “Shpirti i kulluar”, u çlodh, gjeti qetësi me vetveten, i mënjanuar dhe i vetëm, por i lirë! Me përulje dhe me ndrojtje, iu drejtua Zotit:

Çajupi

– O, i madhërshmi Zot! Të lutem, të më mirëkuptosh! Ky ishte udhëtimi im i parë dhe i fundit në vendlindjen time të dashur…!

Rrëfimtari

Nga thellësitë e Universit tashmë i vinte jehona e zërit të ëmbël hyjnor, që i rijepte forcë e besim me fjalët gjallëruese.

Zoti

-Ki durim, biri im… ki durim!…            

C’est la vie!

***

C’est la vie!

Sa e vështirë është të humbasësh një mik?!

I dashur Ndreko.

E mbarova që dje librin tënd. Urime!

Në të gjeta mjekun, historianin, pacientin, muzikantin, njeriun e preokupuar për të gjetur e nderuar rrenjët e familjes. Suprizë ishte se gjeta dhe Andrean humorist, por me humor të hidhur (Libri “Simfonia e Jetës”. Shkrimi ‘Apologjia e Çajupit në Mëmëdhe’).

Po ta përsëris atë që të kam thënë ngahera, që je pesimist i pandreqshëm. Në se më lejon një këshillë, po të përsëris vargjet e Pierre Seghers nga poezia “Folja jetoj zgjedhohet vetëm në të tashmen”. Në të thotë: “Kush jeton me kujtime, jeton një vdekje pa fund. Asnjëherë, gjaku nuk do të lëvrijë më gjallërisht se tani në dejet e tua”. Ndaj, i dashur Ndreko, jetoje sa të mundësh të tashmen!

Po e mbyll me tekstin e një kënge, që më pëlqen shumë: “Nous avons toute la vie pour nous amuser, nous avons toute la mort pour nous reposer”. Ndaj, edhe një herë, i dashur Ndreko, mundohu të largosh çdo hije pesimizmi dhe jetoi çastet e bukura, që na dhuron e përditshmja.

Edhe një herë urime e të fala Letës e fëmijëve!

Maksim Cikuli, Shtator 2019.

18 Maj 2020. Lajm tepër i hidhur! I pabesueshëm, i papritur?!…

Maksim Cikuli na u nda parakohe nga kjo jetë në moshën 68 vjeçare!…

Ah… shoku dhe miku tim i dashur Maksi! Përse, na ike kaq shpejt?…

Përse, jeta u tregua e pabesë me ty, kur ty e deshe atë aq shumë në rininë tënde të bukur, si baba i dashur dhe, sëfundi, si gjysh i ëmbël?!…

Pushofsh në parajsë në paqe dhe në mirësi, i dashur Maksi!

Andrea Gudha, 18 Maj 2020.

***

Isuf Kalo

Përshëndetje i dashur Andrea,

Unë vazhdoj me problemet e mia shëndetësore këtu (p.s. në Kopenhagen), të cilat më kanë shteruar shumë nga forcat fizike por, edhe, nga ato, shpirtërore. Për ta përballuar këtë situatë të re, të lidhur edhe me moshën, po përpiqem të jem sa të mundem aktiv.

Në këtë kontekst mblodha disa nga shkrimet e mia të mëparëshme për shëndetësinë, që m’u dukën më esenciale dhe akute si, edhe disa shkrime të reja. Atë e kam titulluar paraprakisht “Mozaik shkrimesh i një mjeku”, por mbetem i hapur për variante të tjera. Kam shpresën apo iluzionin se, ato do kenë diçka të vlefshm për shëndetësinë dhe publicistikën tonë mjekësore.

Librin po ta dërgoj paraprakisht me dëshirën, që të kem një opinion kritik nga ty, si më i besueshëm për kompetencë, për shijen tënde artistike dhe gjykimin e sinqertë dhe të baras peshuar.

Disa nga shkrimet janë disi pikante dhe jam në dilemë, nëse, do duhen të botohen siç janë apo, dhe të hiqen fare. Do ta vlerësoja shumë opinionin tënd për to, pa droje, me sinqeritetin që të karakterizon.

Të përqafoj dhe të falenderoj, paraprakisht!

Isufi.

I dashur Prof. Isufi,

Mbi të gjitha, do të jem shumë i gëzuar për mirëshëndetin tuaj!

Që në fillim, ju përgëzoj për librin e ri, i cili më tërhoqi shumë, shkruar, si gjithmonë, me stilin tënd të veçant letrar.

Libri ka vlera vizionare për shëndetësinë shqiptare dhe për çdo mjek në veçanti. Të përgëzoj për idenë e librit! Bëre shumë mirë që vendose të hartosh një mozaik të bukur me lule tërë aromë…!

Mendimet e mia modeste t’i kam punuar me ngjyrë të kuqe në libër, të cilat do të jenë nën gjykimin tuaj…

Shëndet, përgëzime dhe suksese!

Përqafime, Andrea.

I dashur Andrea,

Post Scriptum: …Këto janë dy ide miku im, por subjekti është shumë më kompleks dhe mua më kanë lënë ose po më lënë fuqitë për ta trajtuar më gjerë…

Unë, për fat të keq, nuk jam në “formë” për të reaguar. Sëmundja ka përparuar dhe, asaj i është bashkëngjitur edhe Parkinsoni… aq, sa më pengon edhe të shkruaj.

Me sa duket, jeta qenka krejt e pamjaftueshme për të bërë dhe thënë të gjitha ato që do të deshnim të bënim dhe të thonim gjatë saj…

Përqafime, Isufi. 

19 Janar 2023, Kopenhagen-Danimarkë. 

Pas një sëmundjeje të rëndë, ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare në Kopenhagen, mjeku i njohur Isuf Kalo!

Mendja e ndritur e Prof. Isufit pushoi së menduari, të rrahurat e zemrës dhe frymëmarrja u ndaluan, sytë observues u mbyllën, gishtat e duarve u ngurtësuan…

Libri i tij i fundit nuk përfundoi…

Amaneti hyjnor ju plotësua që, të prehej në mëmëdhe, në vendlindjen e tij, në fshatin Luzat-Tepelenë, ku u përcoll me nderime…

U prehsh në paqe, miku im i dashur, Isuf Kalo!

Andrea.

“Raca e njerëzve të mirë është në çdukje kurse, gjithçka, që përfaqëson të keqen ka mbijetuar ndër vite dhe, për fat të keq është shtuar. Por, ja, që kështu është ndërtuar dhe funksionon bota.

Ndofta, prandaj, edhe nëntoka mban shumë më tepër qymyr se sa ar”!

Isuf Kalo, shtator 2022.

***

Në mbyllje

Mjekim alternativ

Recetë gratis

Emri: Andon

Mbiemri: Zako (ÇAJUPI)

Mosha: 150 vjeç

Adresa: Parajsë

Nr. Regj: Extra

Data: 24/01/2025

Rp: Dashuri njerëzore

Mënyra e përdorimit: Të lexohet një herë në muaj pas perëndimit të diellit.

Kohëzgjatja: Gjatë gjithë jetës.

Indikimi: Për udhëtarët e jetës.

Kundërindikimi: Nuk këshillohet të lexohet nga njerëzit Hipersensibël dhe Shpirtbrengosur!

Ndërveprimet me ‘ilaçe’ të tjera: “Komedia hyjnore” e Dantes dhe “Komedia Njerëzore” e Balzakut.

Efektet anësore të mundshme: Nostalgji dhe Pesimizëm.

Kujdes: Të përdoret me kujdes nga studentët e Mjekësisë!

Mjeku A. G.