Arben Iliazi: Ringjalljet e Robert Bërns
Ishte viti 1987 (student në vitin e tretë) kur miku im, Dritëro Agolli, më dhuroi librin e shqipëruar prej tij: “Robert Berns -Kënga e gëzimeve dhe brengave” -Shtëpia Botuese “Naim Frashëri ”. Deri atëhere kisha lexuar shumë pak nga Bërnsi. Mbaja mend vjershën “Meri Morisan”, përkthyer me mjeshtëri të rrallë nga i madhi Lasgush Poradeci:
“O Meri eja në dritare
Eshtë ora jonë e dëshiruar?
Ç’kushtojne mijëra thesare
Përpara syve të adhuruar!
Mundim të madh do të duroja
Si skllavi që duron i strukur
Kur zemrën tënde ta fitoja
Moj Meri Morisan e bukur!
Etj.
E urova Dritëronë për shërbimin e çmuar që i bënte vendit me këtë poet të famshëm dhe u ula në Klubin e Lidhjes, ku e lexova librin me një frymë.
Të them të drejtën u mahnita nga ai poet i çuditshëm, ikonë e romantizmit modern, një lirik i hollë, sa i dhemshur aq dhe intim, që dukej sikur këndonte shqip.
Kisha lexuar me vëmendje disa nga shqipërimet e njohura të Agollit si: Eduard Bagricki më 1961, “Duart e lira” të Pol Elyar (1984), por nuk e kishin këtë magji. Po citoj njërën nga poezitë:
E DASHURA E QYMYRTARIT
S’ta dimë as emrin si e ke
Dhe vatrën ku ndez zjarrin!
–Jetoj këtu, jetoj atje
E ndjek pas qymyrtarin.
–Me arë e fushë e bar e mal,
Me pyll me dru prej panje,
—Të gjitha ç’kam, o shpirt t ‘i fal,
Vec qymyrtarin ndaje!
Mëndafsh të jap, të vesh me ar
Dhe leckat hidhja zjarrit,
Të fal dhe kalë e yzmeqar
Dhe ik prej qymyrtarit!
–M’i kthe në perla shkrepa e gurë
Dhe malet në flori,
Por s ‘ndahem dhe s’ largohem kurrë
Nga qymyrtari i zi!
Qymyr çdo ditë përgatit
Dhe natën bëj ç’të dua,
Dhe qymyrtari s’nxin, por ndrit
Tek qesh e lot me mua!…
Thesar të madh kam dashurinë
Dhe botën kam shtëpi ,
Dhe rrogë kam besnikërinë
Nga qymyrtari i zi !…
Përveç përkthimeve të Lasgush Poradecit dhe Dritëro Agollit, kanë qarkulluar përkthime edhe nga autorë të tjerë si: Servet Bytyqi, Arqile Garo, Alfred Kola, etj. Poezitë e përkthyera i janë përmbajtur metrit, rimës dhe ritmit të origjinalit, por jo në çdo rast kanë arritur ta ruajnë origjinalitetin e plotë poetik.
Rrallë mund të ketë ndonjë poet në vendin tonë që nuk ka shijuar poezitë e R. Bërns dhe nuk ka mbajtur vesh tingullin e fjalës së tij, të ngarkuar me aq emocion. Jo më kot shumë poetë shqiptarë e kanë pasur idhull dhe kanë shkruar në frymën e tij. Pse ka ndodhur kjo? Çfarë e bën të bukur dhe interesante poezinë e tij? Mendoj se kjo ka ndodhur për disa arsye: R. Bërns shkroi në gjuhën e popullit, për mundimet e njeriut të thjeshtë në këtë jetë, duke i motivuar ata. Shkroi me një gjuhë të kuptueshme, me natyrshmëri e spontanitet të rrallë, duke gatuar brumin poetik me figuracion tè gjallë, me plot humor, me shumë lëng dhe jo e stisur. Ky poet tregoi me krijimtarinë e tij se se gjuha popullore ishte baza për krijimin e poezisë së vërtetëtë kombëtare. Ai i dha poezisë mendim të ri e formë të re, duke i dhënë rëndësi metrit, rimës dhe metaforës. Poezia e tij, veç ndjeshmërisë, me gjallërinë dhe figuracionin e saj, ka nerv të fortë dhe dinamizëm. Ka bukuri të madhe, shije të shumta, masë të shkëlqyer e fjalë të zgjedhura, duke gërshetuar format tradicionale me mendimin filozofik. Ai hyri në botën e fantazisë, pa u arratisur nga realiteti, me mendimin se në këtë botë nuk asgjë më të mirë për të pasur lakmi.
***
Në çdo përvjetor, pavarësisht nga rrjedha e shekujve, R. Bërns do të ketë ringjalljet e tij të mëdha. Kjo është e vetëkuptueshme dhe e pranueshme për poetë të formatit të tij, që ka skalitur testamentin e përjetshëm lirik, me fuqi polisemantike, nga thjeshtësia asketike e bujkut, por ku ndihet pasioni i madh për të transformuar botën.
Bërnsi krijoi një poezi që gjëmon përherë, thërret përherë. Ai jetoi e shkroi në periudhën kur Skocia përjetonte emigracionin e madh të popullsisë drejt tokës së premtuar e vendeve të tjera:
PARA NDARJES
Po shkoj, Eliza në mërgim,
se vendi nuk më mban,
dhe fatin tënd, dhe fatin tim,
i ndan një oqean.
E rëndë ndarja sa një mal,
një mal që nuk ka shok!
Po s’ndahen zemrat mbushur mall,
kur janë shkrirë tok!
(Përktheu D. Agolli)
Biografia
Bardit skocez, Robert Bërns, lindi më 25 janar 1759, në Alloway, Ayrshire, Skoci. Djalè i William Bërns (bujk), ishte më i madhi nga shtatë fëmijët e familjes. Rininë e tij e kaloi duke punuar në fermën e babait të tij, dhe pavarësisht nga varfëria, babai i mundësoi arsimim shumë mirë sepse, me këmbëngulje, angazhoi një mësues për të dhe dhe vëllain e tij më të ri, Gilbert-in.
Bërnsin, që në moshë tepër të njomë, e tërhoqi jo vetëm krijimtaria popullore, por dhe ajo e kultivuar skoceze. Krijimet e tij të para ishin “Ode për Skotlandën e ngratë” dhe “Nela ime e bukur”.
Në këtë kohë atë e tërhiqte poezia e përshkrimit të bukurisë së natyrës dhe të gruas, të cilat e bënë tepër të njohur. Prandaj nga qarqet letrare e kritike të kohës filloi të quhej pionieri i letërsisë romantike skoceze. Familja e tij jetonte në një kasolle të lyer me baltë dhe të mbuluar me kashtë. Meqë ai ishte më i madhi i 7 djemve të Williamit, për të ndihmuar familjen u detyrua të punonte tokën që në moshën 15-vjeçare. Pasi punoi në disa ferma u vendos në Mosgiel, pranë qytetit Mauchline, ku u bë i njohur me krijimtarinë e tij të bollshme. Udhëtimi i mundimshëm, mes për mes atyre fermave të çuditshme, ishte një fotografim i gjallë i jetës së vështirë dhe i shpirtit të madh të njerëzve të kohës së atyre anëve, që do t’i shërbenin si lëndë e parë për krijimin e veprave të madha artistike. Mes viteve 1793-1818, ai botoi koleksionin e tij të famshëm poetik me 6 vëllime dhe 114 këngë popullore.
Robert Bërnsi vdiq 37 vjeç, në një kasolle të mbuluar me kashtë thekre, mes varfërisë dhe përçmimit, ditën kur lindi djali i tij i fundit, nga një reumatizëm kardiake, më 25 korrik të vitit 1796 në Dumfries. Në varrimin e tij morën pjesë dhjetë mijë vetë. Atje ku dorëzoi shpirtin i ngritën një mauzole.