Albspirit

Media/News/Publishing

VJOLLCA IBRO – 45 VJET PËRKUSHTIM PEDAGOGJIK PËR UNIVERSITETIN BUJQËSOR

Spasse Thanasi

Gruaja e fortë që tregoi me bindje se sfidat janë mundësi për rritje dhe kërkuesi shkencor që kuptoi lidhjet që ekzistojnë në nivel molekular mes bimëve dhe njeriut…  

Kohë më parë në Universitetin Bujqësor të Tiranës u mbajt një ceremoni mirënjohje për Prof. Dr. Vjollca Ibro, pedagoge dhe kërkuese shkencore me mbi 45 vjet përvojë dhe kontribut të çmuar në Universitet. Prandaj në këtë libër jubilar me fjalën e jetës universitare në, ne sjellim këtu rolin shumëvjeçar të kësaj pedagogeje në mësimdhënie, në kërkimin shkencor dhe drejtimin akademik të Universitetit Bujqësor. Ajo është një nga emrat e listës së Rektorëve të UBT-së dhe angazhimin si Zv/Ministre e Bujqësisë me kontribut të rëndësishëm në Institucion. Falë këtyre dy posteve drejtuese, ajo rreshtohet me dinjitet në radhën e akademikëve bujqësor shqiptar me kontribute të veçanta. Por merita e saj është se diti të përfaqësoj Universitetin Bujqësor në shumë zhvillime shkencore brenda vendit dhe në shkallë ndërkombëtare. Emri i saj si pedagoge e drejtuese Institucioni është në shumë ligjerata e kumtesa me karakter profesional e shkencor të shumë aktiviteteve bujqësore të vendit dhe në nivel Rajonal. Ajo është anëtare e Komisionit të Përhershëm të Biologjisë, Bujqësisë dhe Veterinarisë (FBBF) pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në fushën e dijes shqiptare është një emër që tingëllon me forcë bindëse akademike dhe frymë të rrallë që shndërron arsimin në art dhe shkencën në filozofi të jetës. Kur e themi këtë kemi parasysh rrugëtimin e saj ku e sheh botën e bimëve, ashtu si edhe botën njerëzore duke përfaqësuar zërin e grave në shkencë dhe në arsimimin akademik. Si drejtuese e Katedrës së Bio-Fizio -Ekologjisë në vitet 1990 – 1994 ku hulumtonte raportin midis bimës dhe mjedisit, ajo vazhdoi të kontribojë si pedagoge e Fiziologjisë në vitet 1994 – 1997. Kurse pas ngjarjeve të Marsit 1997 Vjollca Ibro u ngarkua me detyrën e Rektores së Universitetit Bujqësor dhe drejtoi me kurajo e kolegjialitet rindërtimin dhe vazhdimin e veprimtarive mësimore dhe kërkimore në të gjitha Fakultetet. Nga viti 2000-2005 shërbeu si Zv/Ministre e Bujqësisë dhe Ushqimit, duke u bërë një ndër figurat akademike me ndjesi të veçantë ne ndërthurjen e vizionit shkencor me përgjegjësine publike.

Në tërë aktivitetin pedagogjik e shkencor në Universitetin Bujqësor të Tiranës Vjollca Ibro ka udhëhequr 3 Dokturatura, mbi 40 Mastera shkencorë duke u bërë dritë udhëzuese për mendjet e reja të brezit të ri të vendit. Në këtë mision ajo pasqyron filozofinë e Wang Zhenyit, mësuar gjatë studimeve të saj universitare, e cila thoshte:”Të mësosh është të ndriçosh botën me dritën e brendshme”. Ajo ka punuar me 45 breza studentësh dhe u lidh direkt me jetën dhe nevojat e përditshme të njerëzve për ushqimin dhe mjedisin.U ndodh me përkushtim në natyrë mes gjallesave, tek bimët në veçanti, në pemtoret e mollëve, kumbllave e qershive, në gjelbërimin e grurit nëper fusha, në përfshirjen e teknologjive dhe zgjerimin e veprimtarive bujqësore. Sa bukur kjo bashkëjetesë harmonike Kujdes dhe respekt për ambjentin !….

Niko Qafoku, si ish-student dhe koleg i saj në disa dekada e çmon atë si pedagogen -model në Universitet. Dhe kjo mirënjohje e respekt i madh është nderimi më i thellë i njerëzve të dijes e shkencës. Fjalë mirënjohjeje përcjellin Rektori aktual Fatbardh Sallaku, Dekani i Fakultetit të Agronomisë dhe Mjedisit Prof. Dr. Seit Shallari. Mbetet admiruese edhe konsiderata tjetër e ish-studentit të saj Shefki Bara, që thotë se Vjollca Ibro ishte dhe do mbetet emri unikal i përparimit të dijes shkencore në Universitetin Bujqësor pas shkatërrimit masiv të vitit 1997 kur u dogjën dhe raftet e librave të Bibliotekës Shkencore.

Ndërsa Shefqet Meko duke iu kthyer kujtesë së tij studentore në Universitetin Bujqësor vlerëson Profesoren Vjollca Ibro të ndriçuar nga ngjyra dhe puna me përkushtim:

“Tek ajo,- thotë ai,- vëreje qartë seriozitetin dhe vëmendjen e spikatur të një pedagoge relativisht të re, që synonte të krijonte profilin e vetë. IBRO e dëshmoi këtë në dekadat e mëpasme ku do dallonte si pedagoge kërkuese shkencore e më pas drejtuese serioze në Universitetin Bujqësor dhe në Dikasterin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit. Siç thotë një fjalë e urtë popullore “Dielli duket që kur lind në mëngjez” dhe unë qysh dekada të kaluara kam soditur suksesin e Prof. Dr. Vjollca Ibro.Puna e mirë dhe suksesi i saj janë si rrezatimet në qiell, që edhe pse janë larg, gati krejt të shkëputura prej teje,prapë ndihesh mirë ndërsa vështron përshkënditjet kozmike aq larg, e gëzohesh sikur janë “aq afër”. Ndaj nuk nguroj të shprehem pozitivisht për Vjollca Ibron në këtë libër memorial kujtimesh të Universitetit tonë, për të cilën mësova i fundit fare se ishte edhe bashkëshorte e ish-kolegut tim në Radio – Tirana, Astrit Ibro, një gazetar profesionist, që kishte “vjedhur” prej saj modestinë. Yjet mbeten në qiell, balta mbetet për ata që baltosin…”.

Ndërsa vetë pedagogia Vjollca Ibro në intervistën e dhënë në Revistën “PRESTIGE 2025” thekson me kënaqësi:

Më lejoni, të shpreh që në fillim entuziazmin tim lidhur me suksesin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, UBT, i cili e nisi këtë vit akademik me kurikula të njehsuara me universitetin BOKU të Vienës në të gjithë programet e studimit. Duke e njohur nga afër BOKU, një nga universitetet më të mirë për shkencat jetësore në Europë, unë jam shumë e lumtur për mundësinë që kanë vajzat dhe djemtë shqiptarë për të patur një diplomë të njejtë me simoshatarët e tyre evropianë.  Studentëve, që kanë zgjedhur të diplomohen në Programet e ndryshme që ofron UBT, të evidentuar dhe mbështetur me bursa si programe prioritare nga Qeveria, dëshiroj t’iu them se kanë bërë zgjedhjen e duhur. Programet e studimit në UBT lidhen direkt me jetën dhe nevojat e përditshme të njerëzve për ushqimin dhe mjedisin. Me punën tuaj ju do të keni mundësi t’ua bëni jetesën më të mirë dhe më të garantuar. Në këto 47 vite, nga koha kur fillova punë në këtë institucion të arsimit të lartë, më i rëndësishmi në vend për bujqësinë, mjedisin, veterinarinë dhe ushqimin, kam punuar me 45 breza studentësh, që e nisnin shkollën disi me dyshime, por kur vinte koha e diplomimit, përpara kisha të rinj, vajza dhe djem plot dije, krenarë për çfarë kishin arritur dhe besimplotë për kapërcimin e sfidave që i prisnin…”.