Arben Iliazi: “Arratisjet” lirike të Odise Kotes
Jam dakord me mikun tim, shkrimtarin e mirenjohur Dashnor Kokonozi, që ka dhe poetë të mirë mes poezive që rrjedhin në web. Është e vërtetë se arti, veçanërisht poezia, është shprehja më e lartë e ndiesive të njeriut të veçantë. Në kohën kur ndërgjegjësohen këto “ndjesira”, bëhen koshiente, shkalla e artit bie, mençurohet, dhe ngurtësohet. Me shkallën e lartë të intuitës së tij, poeti, shkrimtari dhe dramaturgu Odise Kote, ka arritur të shmang “ndërgjegjësimin”, pra vënien në punë të logjikës së ftohtë në artin e tij, megjithëse gjatë jetës ka ushtruar me korrektesë e profesionalizëm edhe detyra shtetërore dhe funksione publike. Mendoj se nga ky shpërqëndrim, nga kjo dis-harmoni dhe ky bashkëjetësim i përfytyrimeve, duke krijuar një konkordancë harmonike, buron dhe arti i tij i begatë, në harmoni me natyrën dhe shoqërinë, edhe pse këto nuk janë në harmoni me raportet e veta. Kote është një intelektual real, me potencial kreativ, që spikat si një ndër krijuesit më të shquar të Gjirokastrës. Ai e di mirë se arti lind pikërisht pse bota është shumë e ndërlikuar, ndryshe, po të qe e qartë, zor se mund të lindëte. Dhe arti i vërtetë fillon aty ku nuk arsyetohet mbi konkreten.
“E shpikim artin që të mos çmendemi,
që e vërteta të mos vdesë”…
shkruan ai në poezinë “Ky lloj plehu që digjet gjithë natën”.
Duke transfiguruar gjithçka që e rrethon, O. Kote përpiqet të rikrijojë botën, përmes një “arratisjeje” lirike përdëllitëse, në ato përmasa kreative, që ajo të bëhet e pranueshme për të gjithë.
“O dritëz e brishtë e agut,
kaq e pastër, e tejdukshme,
që m’i ndrit e m’i mbush sytë:
Eja të ikim larg, në vijën e diellit,
atje, në foleza të ngrohta intimiteti.
Atje, mbi maja dege a ëndrrash përgjumur,
ndjellë në hutim,
thyer në mure frike pa formë.
Kapërceje trishtimin e portës së parë,
tinëz fshehur, mbyllur,
kapërce të tjera pragje, trokit, thyej,
këmbëngul kokëfortësisht…
se ti ke fuqinë hyjnore të nisjes.
Braktise të tashmen
që shpresën e së ardhmes mban lidhur.
Eja të ikim larg, o dritëz shkëlqimtare e agut,
o dritëz që zbret si çlirimtare,
e pastër, e tejdukshme, e brishtë…
Ti që valëvit si një balon fëmije,
zgjimin e sapolindur…
Poezia “O dritëz e brishtë e agut”.
Virtyti dhe konvencionet historiko- sociale, shoqërojnë pothuajse gjith poezinë e Kotes, duke krijuar një barazpeshim gravitacional, duke i mëshuar idesë se është pasioni ai që vë në lëvizje individin, shoqërinë, duke bërë që të vërtiten në orbita që nuk mund t’i arrijnë të “papsionët”, që nuk kapërcejnë dot ëndërrat e tyre.
“Ëndrrat tona duhet të kapërcenin çdo ditë,
mungesat e mëdha të kohës dhe vendit,
por pas çdo hapi që hidhnim,
toka rrëshqiste poshtë me fuqi rrënuese,
në venomin as kështu, as ashtu …
Pavarësisht marrëzive, befasive të kësaj bote,
shpresat linin pas, parandjenjat pikëlluese,
ngatërresat, mosbesimin – si formë të sprapsjes,
mitet dhe çdo tabu…
Ëndrrat tona kishin prirjen e natyrshme,
për t’i zvogëluar mungesat,
xanxën e një gjendjeje qartësimi
e njëherësh verbimi të padurueshëm.
Atdheu ynë ndërkaq tkurrej.
U bë gjithnjë e më i urritur,
i shitur për një euro, i raskapitur,
trembur prej fatit a mallkimit,
paspjegueshëm…
E pabesueshme ngjan joshja prej së keqes,
një kotni, një gabim, një mos i pafund…
pjellë e një brenge të gjatë,
shqyrtim sfilitës i ndërgjegjes…
Kërkim i kohës së humbur,
normalitetit,
lodhur prej shumë e shumë jetëve …
Atdheu ynë ende përtyp rrënjë të egra,
në mjegullnajë, tej mugëtirës,
mëmë e kërrusur,
në shpresa të thyera ngeli.
Duke pritur një yll të ri të ndrijë,
duke vështruar agimin e çdo dite të re,
si kapërcim ylberi,
me admirim rebeli.
E vetmja gjë që ka rëndësi tani, Atdheu im,
është të shohim sytë tanë në pasqyrë,
dhe t’i pyesim:
a i kanë qëndruar besnik vetvetes?
Poezia “Lindëm në Atdheun me mungesa të mëdha”.
Absurdi njerëzor, shkëputja nga vetja, që je krijuesi dhe absorbuesi i gjithçkaje që të rrethon, hidhet sipër një shfytyrimi tjetër, po aq absurd, që është absurdi i ambjentit, pra i shoqërisë, brenda një kohe të pashpirt, që rrotullohet së prapthi.
“U lodhe zemra ime, u lodhe,
një jetë, mundimi, të shkoi kot.
Dita ndehur makth e kryqëzime,
nata: ferr – shqyrtime, depresion.
Dita antikrisht, dridhur nga ankthi,
trishtueshëm, hesht – heshton.
Kohë e pashpirt, rrotullohet së prapthi,
dhe ti e vetme refuzon, refuzon…
Antimemece, rrebele, ti refuzon…
tumorin e zi, pikëzezë, pik – pika.
Oferta dinake, antiligj, korrupsion,
Se je më e fortë se poli – teknika.
Pickon e dhëmb, kam frikë e më tremb,
të marr me vete, po ku të të çoj?
Elitë e tredhur, sëmurur rëndë,
enigmë digitale, shkretane shkreton.
Ç’të bëj me ty, si të të shplodh,
nga eshtrat e gjoksit, si të të heq?
Në luftra, kanë luftuar edhe pa kokë,
por pa zemër, asnjë për dreq”.
Nga baza e përfytyrimeve të tij – metafora e objekteve reale të shndërruara në objekte imanente ireale – i shqetësuar nga zbehja e imazhit sublim të njeriut, zbrazëtia, kotësia, vdekja, poeti nuk i ndruhet kontaktimit me të lartin, Jezusit, për t’i shpjeguar të dobtit mesazhin që kumton i larti.
“Sytë e Jezuesit, dy burime dashurie dhe drite,
që ne vdektarët më shumë i ndjejmë se i shohim,
bashkë me fjalët që tërbohen – urtësohen dhe trishtimin.
Si nuk u ngjit nje guximtar nëpër shkallët e fshehta,
t’i fshijë brengat me shaminë e durimit,
t’i mjekojë plaget e pambyllura, sidomos sytë:
A mos duan vallë t’ia shkulin dhe shikimin…?
Poezia “Sytë e Jezuesit”.
Afeksionet e poetit provokohen nga nostalgjia ndaj atyre gjërave që mungojnë, ku jetësimi dhe përjetimi vërtitet në një orbitë kaltërsie, pa asnjë maskë, ku shijohet e bukura te vetë bukuria, ku çdo gjë është poetike, në gene e kromozome.
“Gjithë natën kam parë thellësi deti.
Të shohësh detin është si t’i kërkosh zjarrit,
të të marrë me vete”.
Poezia “Dashuri është emri i asaj që jetoj”.
Ajo që ka rëndësi në krijimtarinë lirike filozofike të Odise Kotes është karakteri i brendshëm metaforik, simbolik. Vargjet e tij bëjnë fjalë për një purifikim, për një pastrim etik, duke krijuar gjendje emocionale ndikuese, të fuqishme, përmes një kurore poetike që lulëzon e shumohet.
Biografia
Odise Kote ka lindur në vitin 1960 dhe jeton në Gjirokastër.
Ka kryer studimet e larta ushtarake në Akademinë Skënderbej, Fakultetin Gjuhë-Letërsi, kualifikime pasuniversitare në gazetari e letërsi, studime dyvjeçare për letërsi të thelluar dhe master shkencor në letërsi. Prej tridhjetë vitesh ka punuar gazetar në radion gjermane “Deutsche Wele” dhe organe të tjera të shtypit. Është shkrimtar, poet, publicist e gazetar me kontribut në shtypin shqiptar.
Disa nga botimet:
“Orët e mëngjesit”, poezi
“Disa poezi”, poezi
“1997”, poezi, tregime, ese
“Ajkuna”, poezi
“E qeshura pas porte”, roman
“Vejusha”, tregime, novela
“Betimi i rremë”, roman
“Demokratia – tipologji e teksteve publicistike”, gazetareske
“Ura e Margaritës”, roman
“Performanca”, monodramë
“Funerali i hijes”, roman
“Pengje të gurëve”, poezi
Më bredh në mend një lumë i egër
“Biletë për në qiell”, tregime,
“Agonia”, roman
“Amerikani”, roman
“Vetëdija ime mban meshë”, poezi