Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Iliazi: Mbi krijimtarinë e shkrimtarit Rifat Ismaili

“Jetoj i përhumbur brenda vetes,

ndjehem si një kalorës pa udhë…”.

Rifat Ismaili është një tjetër figurë interesante e letërsisë shqipe, poet, prozator, eseist, botues dhe antologjist.

I takon sagës së shkrimtarëve shqiptarë të tipit bilingue, pasi që nga viti 1991 jeton në Itali dhe ka një volum të madh krijimtarie të botuar në shqip dhe italisht.

Emrin e tij e kam ndeshur për herë të parë në vitin 1997, kur ai doli para lexuesit me një libër modest me tregime. Më kujtohet një nga tregimet “Trokitje takash në trotuar”.

Vitet e fundit kam qenë i vëmendshëm ndaj krijimtarisë së tij, në korpusin e së cilës radhiten një varg romanesh, tregimesh, novelash, vëllimesh me poezi, poezi dhe përralla për fëmijë, përkthime, antologji, etj.

Pak ditë më parë më ra në dorë “Nusja e palumtur”, një novelë drithëruese e punuar me mjaft përkushtim, jo vetëm si leksik, por edhe në stilemat e saj dhe lokucionet aq të pasura, që të kujtojnë Mitrush Kutelin dhe një nga prozat e tij, botuar vitet e fundit, “Hekuri dhe çeliku”, e cila ngjarjet i vendos në kohën e mbretit Zog. Ndonëse të pangjashëm me njëri-tjetrin në stilin e të shkruarit, të dy shkrimtarët i bashkon kodi i sintezave dhe kundërshtive, që konvertohet në një krijimtari autentike.

Nuk është rastësi ngjashmëria e tyre, ku ndihet forca depërtuese dhe modeli paraprak kutelian. Kjo vijimësi e ndritur shpjegohet edhe me origjinën e tyre të përbashkët dhe vokacionin e tyre kulturor atdhetar. Siç dihet edhe Kuteli ishte me origjinë nga Parga, një nga qytetet magjike të vendlindjes së të parëve të Ismailit, ku është përqëndruar kujtesa dhe shpresa. Përsa i përket krijimtarisë, Kuteli ishte i ndikuar nga rryma e artit ruralist rumun, duke krijuar një idealitet të qëllimshëm. Kjo i hapi mundësi për t’u lidhur me prozën popullore. Duke e parë me përparësi prozën e R. Ismailit, nga përmbajtja dhe pikëpamjet estetike, shohim se ai është i prirur më shumë kah qytetërimi urban. Në tregimet e Kutelit flitet për të gjallë që shkojnë mysafir në botën e të vdekurve, ndërsa në tregimet dhe përrallat e Ismailit koha e pasvdekjes ka ligje të ndryshme nga koha e ditës dhe jetës së të gjallëve. Kuteli në tregimet e veta flet për kohë tjetër që nuk korrespondon me kohën e të gjallëve, për të krijuar kështu mitin artistik të kohës. Kurse në prozën e R. Ismailit mbizotëron bashkëkohorja, rikonstruktimi i kohës së humbur, si një nga aksesorët e rëndësishëm të së ardhmes. Një prozë e shkëlqyer e një niveli bashkëkohor evropian, për nga mesazhet, racionaliteti dhe sintezat e shkurtra.

“Ajo që më intereson nuk është gjithmonë ajo që ka të bëjë me mua”, thoshte Pol Valeri, poet, eseist dhe filozof francez. Motivet e prozës që lëvron R. Ismaili, në pamje të parë, duket sikur nuk i interesojnë shumë autorit, pasi në to nuk gjen vitalitetin e përjetshëm, apo jetën e amshuar. Por ato janë aq të vërteta, sa janë dhe intime, aq të dhimbshme, sa dhe paradoksale. Narracioni është i zhdërvjellët, i ngopur me shumanshmëri stilistike, me kulturë e vetëdije. R. Ismaili përdor një stil meditimor, duke eksploruar proceset e mendimit dhe marrëdhënien e njeriut me natyrën.

Me ndriçime të papritura dhe reflekse të befasishme shfaqet edhe poezia e këtij autori, ku ravijëzohet gjurma e tij shpirtërore. Si dëshmitar i vetëm i jetës së tij shpirtërore, poeti ka nevojë të dalë nga vetvetja, për të tejkaluar cakun vetiak, si një qënie moderne qytetare, plot energji krijuese dhe i edukuar me lirinë. Poeti është përherë në një luftë dashurie.

“Shikimi yt më dehu,

si verë e vjetër…

Si kupë me lotë,

m’u derdh në zemër.”

(Zjarri i pasionit)

“S’të thashë dot dy fjalë”

Ndërsa pjesa tjetër e krijimtarisë nderet mbi nostalgji, pa një gjurmë, drejt fateve, drejt rrezikut të pikëpyetjeve, duke ia ditur për nder pjesës demoniake të vetvetes.

“Fole të braktisura zogjsh,

i trishtuar kaloj para tyre…

Vizatime fëmijësh ngjajnë pemët

nëpër mure e rrugë njëherësh…

Të trembura, të heshtura

si rrahjet e zemrës…

Ndërroi ngjyrë dhe jeta ime,

dhe sytë më kanë ndryshuar.

Një varkë lundron përmes tyre

me marrëzinë ngarkuar…

Nga kaltërsia u zhdukën patat,

një pikëz bojë m’u derdh mbi letër.

Ikën dhe vjen kjo erë e vjeshtës,

malli për gjithçka më dehu me veten…”

(Ka filluar ndërrimi i gjetheve)

“Qyteti fluturon

pas dallëndysheve…

Si pergamenë,

udhëve të përkohshme,

shpresave të mëdyshme!

(Iluzione vjeshte)

Poezitë e Rifat Ismailit përshkruajnë eksperiencën e zgjimit të ndërgjegjes, duke u thelluar në filozofinë e mendjes dhe të ndjesive njerëzore.

Ato janë të mbushura me simbole, që sugjerojnë kalimin nga errësira në dritë, si një udhëtim drejt njohjes dhe vetëdijes. Poetika e tij lidhet ngushtë me një filozofi të ndërlikuar mbi ndërgjegjen dhe rolin e saj në jetën njerëzore.

“I kuq si jeta,

i kuq si poezi,

i kuq si ëndrrat

që nuk shuhen kurrë në errësirë”.

(E kuqe si poezia)

Me një dhimbshuri hyjnore poeti i këndon gjetheve që bien, foleve të braktisura të zogjve, erës së vjeshtë. Kështu vuan, si një “Dionis i kryqëzuar”, me furi frymëzimi, një shpirt që digjet e vibron nga kthjelltësia e tepërt dhe nga hareja e shpirtit.

Poeti duket sikur kalëron mbi gjithë figurat, në një ligjërim ku gjithcka vjen mikluese, drejt gjith të vërtetave ”i njomur nga traumat e së kaluarës dhe plagët që kurrë nuk u mbyllën”.

“I kuq si përroi i ëndrrave,

i njomur nga traumat e së kaluarës

dhe plagët që kurrë nuk u mbyllën.

Pemē të kuqe,

hëna e kuqe,

unë — në mes të një fushe të zezë —

shkel shpirtrat e fshehur të natës,

që lirohen dhe fluturojnë në ajër

si xixēllonja të magjepsura,

nën rrahjet e heshtura të qiellit.

I kuq si gjaku

që ngjyros kodrën

me duart e padukshme të një engjëlli mbrojtës.

I kuq si pasioni,

që digjet mes gjetheve;

vallëzojnë dhe më ngrejnë në qiell,

si të isha një pendë e lehtë

në përqafimin e natës së kuqe.

(E kuqe si poezia)

Poezitë e R. Ismailit janë këngë të zërit njerëzor, të përshkuara nga një lumnajë muzikaliteti, që shndërrohet vërtet në një rrymë të fuqishme, e cila nuk gjen qetësi dhe, në elementë të fuqishëm si deti dhe dashuria, shpirti i poetit pështjellohet deri në marramendje.

“S’ jam asgjë pa dashurinë,

që zemrës i ka munguar,

mbetur shkëmb mes detit

prej dallgëve thërrmuar…

(Peng)

VEPRAT DHE BIOGRAFIA

RIFAT ISMAILI

Poet | Prozator | Eseist | Përkthyes | Redaktor

Lindur: 24 mars 1968, Durrës

Rezident: Itali (që nga viti 1991)

Rifat Ismaili është një nga zërat aktivë të letërsisë shqiptare bashkëkohore. Autor i mbi 40 librave në poezi, prozë, ese, romane dhe letërsi për fëmijë, ai ndërton një univers letrar ku bashkohen dashuria, liria, identiteti dhe imagjinata.

Krijimtaria

Poezi, tregime, romane, ese dhe letërsi për fëmijë

Vepra të përkthyera dhe botuar në italisht, anglisht, spanjisht, arabisht, turqisht, kineze dhe gjuhë të tjera

I përfshirë në dhjetëra revista dhe antologji kombëtare e ndërkombëtare

Veprimtaria kulturore

Drejtor i revistave letrare “Gjurmë Penash” dhe “Kryefjala”

Drejtor i revistës për fëmijë “Pena Balerina”

Redaktor, recensent dhe autor parathëniesh për dhjetëra botime letrare

Përkthime

Ka sjellë në gjuhën shqipe autorë të njohur ndërkombëtarë, mes tyre Charles Bukoëski dhe Antonio Skármeta, duke krijuar ura mes letërsive dhe kulturave.

Vlerësime

Fitues dhe finalist në disa çmime letrare kombëtare dhe ndërkombëtare

I vlerësuar për kontributin krijues dhe redaktues në promovimin e letërsisë shqipe

Rifat Ismaili nuk është vetëm autor, por edhe një promotor aktiv i fjalës së shkruar. Me pasionin për letërsinë dhe përkushtimin ndaj autorëve, ai mbetet një figurë e rëndësishme në hapësirën letrare shqiptare dhe ndërkombëtare.

Librat e botuar :

1997 – Tregime, tregime, Dea, Tiranë

1998 – S’jam gjithmonë Kolomb, poezi/ese/përkthime, Dea, Tiranë

2002 – Një vend burrash, roman, Amfioni & Zeti, Tiranë

2011 – Dilemat e lirisë njerëzore, ese, DDS, Durrës

2019 – Kështu të dua, poezi, Adonis, Durrës

2019 – Asgjë s’ta prish bukurinë, poezi, Adonis, Durrës

2021 – Ëndrra e kalorësit, tregime për fëmijë, Botimet Meshari, Prishtinë

2022 – Laboratori i fshehtë krijues, ese, Botimet Meshari, Prishtinë

2022 – Ikja e dytë e Noes, tregime & skica, Botimet Meshari, Prishtinë

2022 – Po ku ishe tërë këto vite?, tregime & skica, Lena Grafik, Prishtinë

2022 – Kurthet e letërsisë, ese, Botimet Meshari, Prishtinë

2022 – Kam pasur një vëlla, ndonjëherë?, roman, Fast Print, Tiranë

2022 – Gjurmë dhe zhurmë, poezi, Lena Grafik, Prishtinë

2022 – Mirë se vjen dashuri, poezi, Fast Print, Tiranë

2022 – Në çdo ishull kam nga një zemër, poezi, Fast Print, Tiranë

2023 – Mallkimi i shkrimit dhe shkrimtari i mallkuar, ese, Fast Print, Tiranë

2023 – Kërkoj të zbuloj një shkëlqim, poezi, Fast Print, Tiranë

2023 – Ti guardo, poezi, Fast Print, Tiranë

2023 – Shpikësi i vargjeve, poezi për fëmijë, Fast Print, Tiranë

2023 – Breshka me samar, përralla për fëmijë, Fast Print, Tiranë

2023 – Bretkosa me fustan, përralla, Fast Print, Tiranë

2024 – Banor i parehatshëm, roman, Fast Print, Tiranë

2024 – Si erë vjen tek unë, poezi, Fast Print, Tiranë

2024 – Ëndrra e kalorësit, revistë e ilustruar për fëmijë, Fast Print, Tiranë

2024 – A ka lule në dimër?, revistë e ilustruar për fëmijë, Fast Print, Tiranë

2024 – Dënimi i Luli Kukullngrenësit, revistë e ilustruar për fëmijë, Fast Print, Tiranë

2024 – Ankesa e shkronjave, revistë e ilustruar për fëmijë, Fast Print, Tiranë

2024 – Qasja ndaj librit dhe leximit, ese, Fast Print, Tiranë

2025 – A pikturojmë jetën?, poezi për fëmijë, Botimet Univers / Fast Print & Netëork, Tiranë

2025 – Tracce e rumore, poezi, Edizioni Noiqui, Itali

2025 – Të rrethuar nga deti, novelë, Print Shop Albania, Tiranë

2025 – Gra që s’i puthëm kurrë, novelë, Print Shop Albania, Tiranë

2025 – E shkuara që s’ shkon, skica & tregime, Fast Print & Netëork, Tiranë

2025 – Pranvera erdhi grua, poezi, Fast Print & Netëork, Tiranë

2025 – Nusja e Palumtur, novelë, Fast Print & Netëork, Tiranë

Përkthime:

2002 – Asnjë këngë dashurie, Charles Bukoëski, tregime, Naim Frashëri, Tiranë

2003 – Postieri i Nerudës, Antonio Skarmeta, roman, Ideart, Tiranë

2024 – Mos më shtini në dhe të gjallë, Maria Teresa Liuzzo, poezi, Fast Print, Tiranë

2024 – Quella ragazza e gli altri, Zamira Hoxha Kamberaj, roman, 2M Printing, Durrës

2024 – Scelta sbagliata, Zamira Hoxha Kamberaj, roman, 2M Printing, Durrës

2025- Comandante Kevin – poesie per bambini Elmaz Qerreti Shpresa Print Tiranë

2026- Fjalë që udhëtojnë- Sprova përkthimesh ndër vite, Fast Print& Netëork Tiranë

Antologji;

2023, 2024, 2025 “Gjurmë penash” vol 1, 2, 3, 4

2026- Bora mbi degët e mimozës- Antologjia poetike e dimrit

Print Shop Albania Tiranë

2025-Pena balerina ( Për fëmijë)