Akademia e Shkencave e RSH: In memoriam, Ismail Kadare
Ismail Kadare është shkrimtari më i mirë i letërsisë shqipe, ndër shkrimtarët më të mirë të letërsisë botërore bashkëkohore dhe autori më i përkthyer jashtë vendit, fitues i disa çmimeve letrare ndërkombëtare dhe i nominuar me dhjetëra herë për çmimin Nobel.
Në këtë ditë të shënuar Akademia e Shkencave e Shqipërisë organizon promovimin e veprës me tri volume “Kadareja në kritikën botërore”, në shenjë respekti dhe vlerësimi të trashëgimisë së jashtëzakonshme letrare dhe shkencore të shkrimtarit të madh Ismail Kadare.
Ai lindi më 28 janar 1936 në Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm. Në vitin 1958 mbaroi degën e gjuhës e të letërsisë në Universitetin e Tiranës. Më pas shkoi në Moskë me studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960).
Rrugën e krijimtarisë letrare e nisi si poet që në vitet e gjimnazit me “Frymëzimet djaloshare” (1954); “Ëndërrimet” (1957), por u bë i njohur sidomos me vëllimin “Shekulli im” (1961), që u pasua nga vëllimet e tjera poetike, si: “Përse mendohen këto male” (1964), “Motive me diell” (1968) dhe “Koha” (1976).
Vepra e tij i ka kaluar me kohë kufijtë e Shqipërisë, të letërsisë dhe gjuhës shqipe, të botës shqiptare dhe është bërë pjesë cilësore në trashëgiminë e letërsisë botërore.
Letërsia e Ismail Kadaresë është botuar në 50 gjuhë dhe numri i titujve të botuar e ribotuar jashtë gjuhës amtare është mbi 1500. Vepra e tij studiohet në universitete në kuadër të historisë së letërsisë europiane dhe të asaj botërore. Shkencës së albanologjisë tashmë i është shtuar një degë e re, ajo e kadareologëve, e studiuesve dhe përkthyesve të veprës së tij. Nën ndikimin e kësaj dege të re edhe vendi i gjuhës shqipe në universitete është rritur me hapjen e katedrave dhe të njësive të reja, që nga Japonia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nga Franca në Rusi. Sot, vepra e Kadaresë përkthehet e studiohet edhe në ndonjë vend ku ka pasur kufizime.
Që nga viti 1994 ai është anëtar i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës dhe anëtar i jashtëm i ASHAK-ut.
Akademiku dhe shkrimtari i shquar shqiptar Ismail Kadare është fitues i çmimeve letrare më të rëndësishme në Europë e në botë: “International Booker Man Prize”, “Prince of Asturias Award”, “Jerusalem Prize”, “Neustadt International Prize”, “Nonino”, “Park Kyong-ni”.
Ai është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.
U nda nga jeta më 1 korrik 2024.