Arben Iliazi: Vokacioni letrar dhe atdhetar i Shkëlzen Halimit
Shkëlzen Halimi është, padyshim, një personalitet letrar shumëdimensional, ndër shkrimtarët në Maqedoninë e Veriut,me një spektër të gjerë krijimtarie, në prozë, poezi, dramaturgji, publicistikë, përkthim, etj.
Nga të gjitha vokacionet, dy janë më të fuqishmet dhe më ndikueset në veprimtaritë e tij, vokacioni letrar dhe ai atdhetar.
Lindur në vitin 1961, Shkëlzen Halimi është diplomuar në Fakultetin Filologjik në Shkup. Jeton dhe vepron në Shkup. Ka punuar në gazetat Flaka, Bota sot, Fakti, etj dhe promovon vlera letare në revistën “Hejza”.
Disa nga veprat e botuara janë: “Ujem dashurie” (poezi), “Qeshje pa zë” (poezi), Beti blu në Bit Pazar” (poezi), “Rruga kobër” (poezi), “Lule në shkretëtirë” (poezi), “Gdhendesi i pikellimit”, “Tingujt e hejbeve të vogla”, “Agshol i grisur”- (tregime), “Vdekja e Vincentit“, (tregime), Oda e rrëfimit (tregime), “Kthimi” (roman), “Muzeu i pritjes”, “Monaliza”, “Stacioni”, etj. Shkëlzen Halimi ka shkruar edhe disa drama, që janë inskenuar në Tetovë, Shkup, Kumanovë, Prizren, etj. Veprat e tij janë përkthyer në disa gjuhë dhe janë përfaqësuar në disa antologji.
***
Nga krijimet që kam mundur të lexoj, mendoj se vlera e tyre estetike qëndron jo vetëm te gjallëria e shprehjes dhe temperamenti, te struktura e gjerë dhe e thellë leksiko-semantike, te gjuha e pastër dhe mjaft e pasur, te larmia stilistike dhe deduksionet filozofike, por edhe tek magjia e epërme e vëzhgimit, ndërlidhja misterioze e së brendëshmes me të jashtmen. Imazhet që krijon autori janë lojë dhe refleks i disponimeve të brendshme.
Në këtë vështrim të shkurtër do të ndalem në disa nga poezitë e Shkëlzen Halimit, të publikura kohët e fundit. Nga një kundrim i pjeshëm i poezive vërej se ato përshkohen fund e krye nga një filozofi jetësore, me një ritëm të bukur melodik e plot thyerje të vargut.
Ne vargjet poetike diktohet qartë eksplorimi paradoksal me ëndrrat dhe dëshirat e jetës.
Shkëlzen Halimi është një poet që rrezaton plot ndjeshmëri vuajtjen, ankthin, dhimbjen, këmbënguljen. Ai është tepër simptomatik. Jeta e tij poetike është transhedente dhe sublime, në kuptimin e plotë të fjalës. Ajo nuk thjeshtëzohet as tek babëzia shqisore, as tek dehja e jetës; nuk thjeshtëzohet as te soditja e idesë, as te fuqia krijuese e shpirtit; ajo është në të gjithë hapësirën e ekzistencës, shprehja e prekshme e dhuratës intime të ekzistencës; ajo gëzohet nga pështjellimi i përfytyrimeve të zakonshme, duke hedhur te objekti i zakonshëm dritën e një shprese gati hyjnore, dhe fut në hapësira sublime praninë mallëngjyese të një perceptimi të njohur:
“Nëse nuk kthehem
atëherë merre pritjen
bashkë me valixhen e plagëve
dhe nisu me trenin vijues të jetës…”.
(Stacioni i ndarjeve).
Disa nga poezitë e Sh. Halimit na afrojnë me atë që mendimet dhe shqisat tona nuk mund ta kapin drejtpërdrejt.
“Ishim ulur
në pamjet e mërzitshme
të ditëve të lodhura
dhe mbanim ndezur shpresat
për t’i bërë dritë rrugës
nga do të kalonin
ëndrrat tona…”.
(Ëndërrat).
Kjo shpërbërje e formës dhe e figurës, që në pamje të parë do të dukej si shprehje e një nihilizmi të thellë, në të vërtetë është një rebelim, jo një nënshtrim vulgar ndaj përfytyrimit të zakonshëm të realitetit.
“Jashtë si purtekë
dridhet Lisi
nga frika e natës
që vallëzon
me këngën e qyqes…”.
(Vallëzimi me këngën e qyqes).
Arti poetik i Shkëlzen Halimit është pikërisht një protestë ndaj të ashtuquajturit realitet, kundër falsifikimit në emër të realitetit tërësor, të ndier në përvojat e tij anësore. Mendoj se pikërisht këndej ka buruar edhe frymëzimi i tij për të shkruajtur drama, ku transhandenca kumtohet vetëm përmes shenjave të tërthorta.
Tek kjo zhvendosje mbinjerëzore poeti nuk e shmang dot vuajtjen dhe vetminë:
“U zgjova nga shtrati i dhimbjes
i vesha rrobat e heshtjes
dhe me këmbë të amputuar
mora rrugën
për t’u takuar me mungesën
sa për të jetuar me veten
që më vjen zvarrë…”.
(Zvarrë).
I dashuruar me zhgënjim të jashtëzakonshëm, poeti mbështillet befas nga pasioni dhe shtysat imediate të mbijetesës dhe vazhdimësisë së jetës. Ai rreket të trajtojë me dashamirësi çdo marrëzi njerëzore, cdo dështim e ves, duke kujtuar se ato që kemi para janë thjesht dështimet, marrëzitë dhe veset tona:
“Do ta ndezi fenerin
e do ta ndriçoj mallin
dhe dhimbjen në valixhe
që s’ka fillim e as mbarim
Mëngjesi sërish ngatërrohet
në stacionin e pritjes
ku s’të vjen askush
Mos e nis dhimbjen
me trenin e fundit
sepse janë ndryshkur
binaret e jetës…”.
(Stacioni i pritjes).
Shumë poezi të tij janë si një autoterapi, ku filozofitë e mëdha mbeten çuditërisht gojëkyçura:
“Do ta ngremë edhe kulmin tonë
me mallin e harruar
që e ndriçon zjarri i dhembjes sonë
Do ta mbulojmë me dashurinë
që dergjet netëve të gjata
Pastaj
Nën kulm do ta shtrojmë shtratin
e ushtarit të panjohur që na ruan
nga vrasësit e ëndrrave
E mbi kulm
do ta shpalosim flamurin e bardhë
për t’i frikësuar magjitë e zeza
që na shitojnë pamjet
përtej dritares së vogël…”.
(Kulmi).
Në disa poezi duket sikur vdekja e informon jetën, e furnizon atë me një zjarr jo karakteristik për të. Poeti duket se ka gjetur mënyrën pë rtë shëruar të tjerët që të arrijnë tek vetëvetja:
“Në agshol do t’i mbjellim
lulet e parajsës sonë
dhe pastaj
gjarprin e shtëpisë
do ta vëmë në gjumë
Do t’i gëlqerosim
muret e mallkuara
do t’i vëmë një mbi një
gurët e kështjellës së rrënuar
Do ta pastrojmë shpirtin
nga mëkati i djallit
dhe nëpër humnerat e kohës
do të arrijmë te vetvetja”.
(Agshol).
***
I frymëzuar nga ndjenja e atdhetarizmit, kohët e fundit, poeti dhe shkrimtari Shkëlzen Halimi ka kontribuar (në bashkëautorësi me Qerim Litën) në përgatitjen e përmbledhjes me dokumenta arkivore “Tragjedia Çame (1913–1945)”, botimet ALSAR, libër i cili do të promovohet nesër (29 janar) në Tiranë, në bashkëpunim me fondacionin Camëria “Hasan Tahsini”.
Mesazhi këtij libri është se historia ekziston, përderisa ekzistojnë dhe janë ende gjallë njerëzit e asaj treve të lashtë shqiptare, të cilën Greqia u përpoq ta shkatërronte, duke ushtrur gjenocid dhe spastrim etnik unikal. Zgjidhja më e keqe qëndron pikërisht në fshehjen e historise kur, në mënyrë fatale, ajo mohohet si vlerë, që mund t’i bashkojë popujt dhe jo t’i lerë të ndarë dhe në armiqësi. Historia mund të jetë vetëm një krijim i përbashkët i njerëzve të lirë.