Albspirit

Media/News/Publishing

Një urim për mjeshtrin e gjuhës shqipe dhe stilistikës, prof. Xhevat Lloshin

Arben Iliazi

Sot ndiej kënaqësinë e veçantë t’i uroj për ditëlindjen profesorit tim të fakultetit, akademikut, albanologut, mjeshtrit të gjuhës shqipe, Xhevat Lloshi, një nga personalitetet e gjuhësisë shqiptare, me një rol të jashtëzakonshëm në fushën e Stilistikës, Pragmatikës dhe Leksikologjisë.

Që nga viti 1977 në degën e letërsisë e të gjuhës shqipe të Fakultetit të Historisë e Filologjisë kish nisur të jepej si lëndë më vete stilistika e shqipes. Për këtë u përgatit dhe teksti përkatës me titullin “Njohuri për stilistikën e gjuhës shqipe”, që u botua më 1987 nga Universiteti i Tiranës dhe u ribotua më 1988 në Prishtinë nga RILINDJA. Pikërisht në vitin 1987, kur ishim student të vitit të tretë, dëgjonim me ëndje leksionet, në formë mesazhesh, të profesor Xhevatit.

“Gjuha është tipari themelor i njeriut dhe është tipari kryesor i suksesit të tij, kumtonte profesori. Gjuha është një derë për kulturën, për suksesin tënd në jetë, në punë e profesion dhe komunikim. Shqipja nuk po mësohet mirë në shkolla. Një mësues që nuk di të flasë në gjuhën letrare nuk duhet të jetë mësues. Çdo shqiptar duhet të ketë në kokën e tij një grumbull tekstesh që janë kryevepra të gjuhës shqipe. Shumë mësues thonë të shkruani bukur, të flisni bukur. Kjo është një gjë e kotë sepse 95 për qind e shqiptarëve të komunikimet e jetës së tyre nuk kanë nevojë të shkruajnë dhe të flasin bukur, kanë nevojë të shkruajnë dhe të flasin drejtë. Por në kokën tënde duhet të ketë një varg model të bukurisë së shqipes që janë një etalon që kur ti shkruan dhe flet e di që janë në shqipen e bukur”.

Shenjë e civilizimit të një populli është se si sillet ai me gjuhën e tij.

Edhe në vitet e tranzicionit profesori ka bërë apel të vazhdueshëm që shtypi, media, përkthyesit, politikanët, ligjvënësit, punonjësit e administratës, studiuesit le të mos e shpërfillin rolin që kanë për mbajtjen e një niveli të lartë kulturor nga ana gjuhësore. “Në ditët tona shtrohen kërkesa të mëdha për përkthyesit, sepse nëpërmjet prodhimeve të tyre të dobëta po cenohet jo pak gjuha shqipe. Gjithashtu nuk e kam fjalën vetëm për përkthimet e letërsisë artistike, që ua zvjerdhin shijen krijimeve të thesareve botërore dhe më pëlqen, që për këtë anë ka mjaft zëra me kërkesa të drejta. Puna është se përkthimet janë pjesë e pandarë dhe e përditshme në shumë fusha të jetës sot, që nga lajmet e shtypit e deri te tekstet universitare, që nga ligjet e deri te udhëzimet për përdorimin e pajisjeve shtëpiake. Është pranuar tashmë, se lexuesit tërhiqen nga botimet historike, biografike, publicistike e kështu me radhë. Mirëpo nëse dikur kishte etje të vërtetë për të lexuar, për shembull, S. Frojdin, sot ai është aq i shtrembëruar shqip, saqë nuk i ndjellin më lexuesit librat e tij, të cilët (pavarësisht nga qëndrimi që mund të kemi ndaj teorive të tij) janë shkruar në origjinal me një stil tërheqës”.

Sipas gjuhëtarit Xhevat Lloshi, njohja e mirë e gjuhës shqipe nga ana e funksionarëve publikë është e domosdoshme. “Në shumë vende të botës, nuk mund të punësohet në shtet një njeri që nuk di të shkruajë mirë. Vetëm Shqipëria ka ngelur këtu, ku njerëzit që shkruajnë dokumente zyrtare i bëjnë me gabime”, shprehet ai, duke nënvizuar nevojën e një teksti të posaçëm për administratat, që të përshtatet me stilin e veprimtarisë shtetërore.

***

Prof. Dr. Xhevat Lloshi ka lindur në Fier më 28 janar 1938. Shkollën e mesme e kreu në Korçë dhe më pas mbaroi fakultetin në UT për gjuhën ruse. Falë rezultateve të shkëlqyera ai u përzgjodh për kualifikim pas universitar në Moskë. Në vitet 1980-’82 Xhevat Lloshi ka qenë kryeredaktor i gazetës “Drita”, detyrë të cilën do ta linte për të punuar në Akademinë e Shkencave. Ai mori pjesë në përpunimin dhe redaktimin e pjesëve përkatëse të Fjalorit të sotëm të gjuhës shqipe, të botuar në vitin 1980. Është autor i shumë artikujve shkencorë, por libri më i plotë i Prof. Xhevat Lloshit është “Shqipja qysh u është dukur”. Ai në një legjislaturë ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Edhe pse ka dalë në pension, kurrë nuk ka hequr dorë nga puna shkencore për probleme të gjuhësisë. Deviza e Prof. Xhevat Lloshit është “Rro që të punosh”.

28 janar 2026.