Luan Rama: Goja jote më është gjithnjë e lagësht
Goja jote më është e lagësht
buzë me aromë qershije
hapur si trëndafilë rozë
në shpërthimin e ekstazës dhe përgjërimit.
Goja jote më është gjithnjë e lagësht
Harrohem e zhytem në të
në brigje festive, lirishta plot lauresha
gojë ku përgjumem në pëshpërimat e tua
që më hapin njëmijë porta
pragjet, dëliret dhe udhët e botës janë aty
njëmijë sonata,
ëndërroj e flë në atë shtrat të lagësht
pastaj rizgjohem mbi to,
duart kërkojnë të prekin diejt e tu të ngrohtë.
Gjithë bota më është aty në gojën tënde të lagësht
në atë gji deti të paqtë që m’i hedh valët mbi sy,
e ti qesh dhe lëshon kokën pas
si Madalena e përhumbur në tablonë e George de La Tour.
Është lumturia që na mban në ajër të dy…
26. 1. 2026.