Ndahet nga jeta themeluesi i PD-së së Tiranës, Zydi Turdiu
Zydi Turdiu, pasardhës i një prej familjeve të njohura tiranase dhe një nga themeluesit e Partisë Demokratike në kryeqytet, u nda nga jeta më 29 janar 2026.
Lajmin e trishtë e bëri të ditur deputeti demokrat Belind Këlliçi, i cili vlerësoi kontributin e Turdiut në jetën politike dhe qytetare. Zydi Turdiu ishte anëtar i PD që prej vitit 1991 dhe ka mbajtur disa funksione të rëndësishme, mes tyre Kryetar i Komisionit të Revizionimit të PD-së, Anëtar i Këshillit Kombëtar deri në vitin 2000, si dhe Kryetar i parë i Shoqatës “Tirana” në vitet 1992–1997.
Sipas Këlliçit, Tirana humbi një qytetar model, ndërsa Partia Demokratike një nga themeluesit e saj. “Shpirti i tij u prehtë në paqe”, shkruan ai në mesazhin e ngushëllimit.
Pesë vite më parë, në mars të vitit 2021, Zydi Turdiu kishte humbur edhe bashkëshorten e tij, Emel Turdiu, bijë e familjes së njohur Sakiqi.