Albspirit

Media/News/Publishing

 Reforma agrare në kohën e Mbretit Zog I

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 31 janar 2026

“La Tribune de Genève” ka botuar, të shtunën e 30 gushtit 1930, në ballinë, një shkrim asokohe rreth reformës agrare në Mbretërinë shqiptare, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Ndarja e tokave në Shqipëri
Burimi: La Tribune de Genève, e shtunë, 30 gusht 1930, ballinë.
Një ligj i miratuar së fundmi nga qeveria shqiptare vendos parimin dhe përcakton rregullat e një përpjekjeje të gjerë për reformë agrare, përmes shpronësimit të pronave të papunuara. Që tani e tutje, të gjitha tokat, qofshin në pronësi të shtetit, të autoriteteve apo të individëve privatë, mund të shpronësohen në favor të përfituesve të rinj. Përjashtohen vetëm tokat me vreshta, ullishte, pemishte ose pyje, si edhe ato që kanë burime minerale apo vendburime mineralesh.
Një sërë kushtesh e zbutin ose e shtyjnë zbatimin e rreptë të ligjit. Pronarët do të ruajnë një pronë prej 40 hektarësh, e cila shtohet me pesë hektarë për çdo fëmijë, duke përfshirë banesat dhe objektet e shfrytëzimit. Gjithashtu, pronës së mbetur do t’i shtohen edhe dhjetë hektarë kullota.
Për më tepër, shpronësimi do të zbatohet menjëherë vetëm për një të tretën e pronës ; dy të tretat e tjera do t’u lihen pronarëve për një periudhë pesëmbëdhjetëvjeçare dhe do t’u mbeten atyre nëse i vënë në punë. Në të kundërt, shpronësimi do të bëhet përfundimtar.
Së fundi, tokat e shpronësuara do të shoqërohen me një dëmshpërblim prej 20 frangash për hektar, i përfaqësuar nga aksione të Bankës Bujqësore. Është krijuar gjithashtu një sistem krediti për t’u dhënë paradhënie si pronarëve, ashtu edhe përfituesve të rinj, me qëllim përmirësimet ose instalimet që do të jenë të thirrur të realizojnë.

https://www.darsiani.com/la-gazette/la-tribune-de-geneve-1930-ndarja-e-tokave-ne-shqiperi-reforma-agrare-ne-kohen-e-mbretit-zog-i