Ismet Hajrullahu: Urrejtje e institucionalizuar ndaj shqiptarëve
Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën ka qenë dhe mbetet ëndrra jonë shekullore, një realitet aktual, por që mjerisht, me klasat politike që ne si qytetarë po i zgjedhim dhe besojmë, do të mbetet një hap tepër i vonuar. Në të vërtetë, bashkimi është përgjigjja më e mirë dhe më e fuqishme ndaj një realiteti të mbushur me padrejtësi e masakra të paimagjinueshme që historikisht serbët kanë kryer ndaj nesh shqiptarëve.
Ky bashkim nuk duhet të jetë vetëm një projekt politik, por një domosdoshmëri historike, një akt që i jep kuptim sakrificave të panumërta dhe që rikthen dinjitetin e një kombi që ndër shekuj ka luftuar për liri e bashkim. I madhi Ismail Kadare e ka përshkruar me gjuhën e tij therëse librin famëkeq të Vlladan Gjeorgjeviçit, “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha”. Në këtë libër, në fakt, shfaqet piramida e së keqes, një njollë e zezë ku është ngjeshur urrejtja kundër shqiptarëve. Kadareja e sheh si një dokument unik të barbarisë kulturore, një dëshmi e qartë se si një shtet si Serbia mund të prodhojë ideologë të krimit nën petkun e akademikëve e kryeministrave.
Nga Gjeorgjeviçi tek Vasa Çubrilloviqi, zinxhiri i urrejtjes ka vazhduar, duke u kthyer në doktrinë shpirtërore e shtetërore, duke u trashëguar brez pas brezi si një helm i institucionalizuar. E veçanta e dhimbshme e këtyre masakrave të serbëve ndaj shqiptarëve të paarmatosur ngjasonte me qentë dhe hijenat, që sulmojnë pa mëshirë. Kadareja e quan këtë libër një nga shëmtitë më të mëdha të kulturës njerëzore, sepse nuk është vetëm fyerje, por thirrje për zhdukjen e një kombi të tërë.
Pikërisht kjo është një paralajmërim tepër i rëndë, pasi kur urrejtja kthehet në doktrinë shtetërore, ajo nuk mbetet më në nivelin e një ideje, por shndërrohet në veprim, në dhunë, në krim kundër njerëzimit. Kjo u dëshmua gjatë luftës së fundshekullit XX në Kosovë dhe po dëshmohet çdo ditë nga politika e çmendur shoviniste serbe. Historia jonë është histori e mbijetesës, përballë perandorive, copëtimit, urrejtjes së fqinjëve, për të ruajtur gjuhën, kulturën dhe identitetin.
Bashkimi ynë duhet të konsiderohet si një rikthim i natyrshëm i asaj që historia e ka ndarë me dhunë e pabesi, pasi është një akt që i jep kuptim sakrificave dhe që e vendos dinjitetin mbi padrejtësitë që na janë bërë ndër shekuj nga fqinjët dhe fuqitë e mëdha. Në këtë kontekst, bashkimi i Shqipërisë me Kosovën merr një kuptim më të madh se sa politik, pasi mbetet përgjigjja e vetme ndaj njollave të zeza të historisë.
Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën është akti që rikthen dinjitetin e një kombi që nuk pranoi kurrë të zhduket!