Albspirit

Media/News/Publishing

Mozaik këndvështrimesh për librin “Eleganca e lotëve”

Një histori jo vetëm familjare për dhembshurinë dhe moralin

Visar Zhiti

Përse, kur një nënë me djalin në burg, që shkonte për ta takuar, udhëtonte aq gjatë gjithandej bashkë me të bijën, e cila gjithashtu kishte me vete të bijën e saj, një vogëlushe që ndoshta aq ishte, sa një buqetë lulesh… po përse, pra, e merrnin nga pas? Duke e hequr nga lodrat, nga shkolla, nga… Nga ç’e hiqnin tjetër, ç’donin t’i jepnin më shumë?

Sipas rrëfimit, ajo vogëlushe shkonte me mamin dhe gjyshen për të parë dajën, që ta përqafonte, qoftë edhe përmes hekurave të burgut.

Buqeta metaforike e luleve rritej me vezullime lotësh përsipër si pikla vese, ndërsa burgu s’mbaronte e s’mbaronte… Mund të shkruhej një poezi kështu? Atëherë ishte e ndaluar!

Shqipëria tmerrësisht e varfër dhe e egër, me halle dhe çështje të rënda ekzistenciale, si lule kishte plagët, ndërsa rrugë ishin edhe rrugët e lotëve faqeve të saj.

Tre breza, dy zonja dhe një vogëlushe, zonjushëz, nga një familje, në epokën kur s’lejohej të përdorej fjala “zonjë” ose shihej me përçim a si fjalë armiqësore dhe familja ndërkaq po tronditej, në një rrugëtim infernal. Po përse e merrnin me vete atë vogëlushe? Përveç ngushëllimit që sillte, por edhe gëzimit, çfarë tjetër parandihej?

* * *

Besoj është një dukuri e rrallë, a vetëm e letrave shqipe, që sot bij dhe bija shkruajnë për prindërit e tyre, për t’i ribërë ata, kam thënë, sepse ishte një kohë e keqe dhe me absurd mizor – diktatura, thënë qartë – që donte t’i zhbënte duke i përndjekur, duke i dënuar me internime e burgje, por edhe duke ua marrë jetën fare, vetëm pse s’mendonin siç do të donin  sundimtarët dhe ishin kundër regjimit të tyre, shpesh edhe duke vepruar, sepse kishin një ëndërr, një ideal të lartë, duke e dashur atdheun si një familje të madhe etj.

Nënat e të dënuarve, motrat dhe bashkëshortet e tyre, edhe fëmijët, ndiheshin të dënuar dhe ashtu ishin. Kalvari i tyre ishte po aq i rëndë, edhe më shumë i pabesueshëm. Ndërkaq rropateshin në punërat më të rëndomta, nën stres dhe përndjekje, për të nxjerrë bukën e gojës, mbanin familjen e mbetur dhe nderin, rendnin burgjeve për tek ata, të burgosurit e tyre, iu gjendeshin për t’u çuar ca ushqime, shpresë e dashuri, duke përfunduar edhe vetë ndonjëherë po aq keq në prishje të familjeve, çmendinave, brenda telave me gjemba dhe hekurave. Por shpesh e më shpesh ato janë përballur dhe kanë qëndruar me dinjitet.

Edhe qëndresa për të qenë grua është një epikë e mrekullueshme, ndër faqet më të bukura në historinë tonë, nëse do të kishim një histori të moralit dhe të dhembjes.

Kur kështjellat tona binin një nga një dhe pllakoste nata shumëshekullore e pushtimit, teksa burrat dhe djemtë që rriteshin i merrnin nizamë a shkonin maleve për të ndezur një kryengritje të re skënderbeiane, ishin gratë ato që mbanin shtëpinë dhe gjuhën. Dhëmbët e rënë të plakave u bënë më të fortë se bedenat/ pirgjet e kështjellave. Nina-nanat, lutjet e tyre para qirinjve, këngët dhe vajet, përrallat, qëndismat, veshjet, vallet ndër dasma, shamia si pëllumb, lotët si brilantet, ruajtën vatrën dhe gjuhën, familjen dhe atdheun.  

Kur u desh, edhe gratë rrëmbyen armët dhe dolën malit për liri, komite e partizane, edhe mësuese, dhe krijonin parti, shkruanin libra, përballuan edhe gjyqe duke qëndruar si heroina, duruan ndarje dhe burgje, të denja, duke mbetur gra dhe çudia, duke ruajtur mirësinë, por edhe delikatesën dhe duke u përpjekur të jenë të bukura. Pse jo? Edhe me bukuri sfidohej shëmtia, e keqja dhe diktaturat e tyre.

Me t’u rrëzuar Muri i Berlinit shembet edhe perandoria komuniste, po kështu edhe diktatura në Shqipëri. Edhe vendi ynë hapet dhe merr rrugën e demokracisë, duke iu bashkuar kulturës perëndimore, të ndërprera aq gjatë… dhe vjen edhe një letërsi tjetër, krejt ndryshe nga ajo e realizmit socialist, e cila s’ishte as realiste dhe as social-iste. Letërsi sirtarësh e quan kritika letrare në botë dhe studimet, por ata që e lëvruan te ne rëndom nuk kishin as sirtarë, as shtëpi, as jetët e tyre.

Nga vuajtja dhe dhembjet, nga burgjet dhe internimet, bashkë me ata që u liruan, u lirua edhe ajo, letërsia tjetër, me poezitë, tregimet, me dramat e romanet, me memuaret, të vetës së parë të gjitha, që sollën – e kemi thënë shpesh – atë që mungonte: të vërtetat dhe moralin, aq sa i duhen çdo letërsie.

Dhe vazhdon lëvrimi edhe sot e kësaj dite. Ajo u begatua artistikisht dhe me anën tjetër tonën, me dëshmitë e atyre që kishin shkuar burgjeve për të takuar njeriun e tyre. Po shkruanin edhe ata kalvarin e tyre, traumën, sfilitjet, keqtrajtimin, mirësitë e befta që s’duhet të jenë befasi, shpresën etj. Në këtë prurje trallisëse si një mrekulli janë librat e grave, rrëfimet e tyre, me poezinë dhe muzikën brenda që e kanë vetëm ato.

Së fundmi, na vjen edhe libri risi “Eleganca e lotëve”, me autoren Iris Halili, pedagoge, e njohur për artikujt dhe studimet letraro-psikologjike apo të lidershipit. Kësaj here ajo kujton, por nuk bën thjesht autobiografi a një monografi. Libri i saj në formën më sqimatare është edhe një analizë e kohës totalitariste, kur kaloi fëmijërinë dhe rininë e hershme. Ajo vazhdon Requirem për gjyshen time të mirë që shkroi në vitin 2017, atë ngrohtësi, por edhe shqetësimet e kohës dhe të rritjes, analiza apo psikanaliza sociale, që autorja arrin t’i ndërlidhë edhe artistikisht, duke u dhënë zërin e saj prej fëmije, përzier me zërin e gjyshes e të familjarëve apo tashmë me zërin e gruas dhe të epokës që do të vinte duke na çuar atje në kohë reale.

Rrëfimi çelet me njeriun e parë që autorja ka në kujtesën e saj dhe vazhdon me detaje fëminore, në dukje të thjeshta, por që kanë çiltërsinë e duhur për të kuptuar dhe hapet me dëshmitë e burgut, përballë atyre dyerve të hekurta e mizore, të parë me habinë e një fëmije, që në kujtesë do t’i mbeteshin telat me gjemba, rojat me armë, oficerët dhe turmat e të burgosurve, kokat e tyre të qethura si copa shkretëtire.

Irisin e vogël e merrnin me vete mamaja dhe gjyshja për të takuar dajën. Irisit i janë ngulitur në irisin e kujtesës ato udhëtime çudane, që për atë merrnin edhe ngazëllim jete, me stacione, trena, biseda të rriturish, ofshama, peizazhe malore, lumenj, lot, çanta të rënda, pritje, shfaqjen tronditëse të të burgosurit të tyre që dukej sikur dilte nga nëntoka, nga galeritë e ferrit.

Në dukje një akt i thjeshtë: ca udhëtime familjare për të takuar një të dashur në rrethana të pamëshirshme. Por, në thelb, është një akt i mbushur me një domethënie të thellë psikologjike dhe historike. Siç thotë Judith Herman, trauma nuk është thjesht një ngjarje e kaluar, por një realitet që jeton dhe frymëzon brenda familjeve dhe breznive.

Gjyshja, duke marrë me vete mbesën e vogël, përpiqej, pa e ditur, të mbante gjallë kujtesën e vuajtjes, duke e bërë atë pjesë të përditshmërisë së fëmijës, në mënyrë që plagët të mos mbesnin pa u parë nga e ardhmja, të kishin dëshmitar dhe të mos shuheshin në harresë. Kështu do të mund të përçohej jo vetëm dhembja, por edhe shpresa dhe forca për të përballuar realitetin e egër. Kishte ardhur një kohë dhe po donin ta gjithmonëzonin duke trumbetuar si humanizëm barazinë, por, në fakt, kjo kishte sjellë ndarjen më humnerore mes njerëzve:

Barazitizmi nuk është humanizëm, këtë mos e harro. Ata nuk ishin humanë, ishin xhelozë e smirëzinj dhe këtë moral vendosën. Ndaj edhe rreth vetes frymëzuan njerëzit e tillë se sistemi jep modelin, më pas njerëzit përshtatin apo jo karakterin e tyre me të.

Është përmbajtja e asaj që thoshte gjyshja dhe Irisi na e tregon sa me fjalët e saj aq edhe me të vetat.

Në pasurim të librave të kujtesës, siç po duan ta quajnë dhe ta ndajnë letërsinë me temë burgjet, internimet, traumat dhe pasojat e tyre, Iris Halili kërkon të sjellë edhe delikatesën e gruas në atë kohë të vrazhdë, me luftë klasash – luftë civile në kohë paqeje, sipas meje.

Nëna e saj i përket asaj fisnikërie të klasave të përmbysura, siç i quanin, familje atdhetare dhe e pasur, një pasuri e vënë me punë e dije, pa shfrytëzuar të tjerë, siç do të akuzoheshin nga fitimtarët pas Luftës së Dytë Botërore, që do të sillnin një realitet më të pashpresë se pushtimi dhe luftërat. Nënës bashkëshorti i merr arratinë jo vetëm për t’i shpëtuar ndëshkimit kapital nga pushteti i ri shtypës dhe i hakmarrjeve me gjak, por si të gjithë ata patriotë që u ndien të mundur, pra, që e humbën atë betejë, por jo luftën dhe shkuan nëpër Europë e Amerikë të vazhdonin përpjekjet atdhetare. Jeta e tyre kaloi nën zhgënjime në luftën e ftohtë mes Perëndimit dhe Lindjes.

Ndërsa në atdhe, kur kësaj nëne i rritet djali, jetim me babanë gjallë dhe arrin të bëhet inxhinier ndërtimi, dukshëm i talentuar, por edhe qytetar i hijshëm dhe këto ishin “pengesa”, fëmijët e armiqve s’duhej të ishin as të aftë e as të bukur, e arrestojnë dhe e burgosin. Në gjyq do ta akuzonin për sabotim dhe agjitacion e propagandë kundër Partisë dhe shtetit, më saktë Partisë-shtet, diktaturës së saj.

Është simbolike në libër kur njëri nga dëshmitarët në gjyq është pikërisht njëri nga shokët e djalit, tashmë të pandehur, që nëna e kishte pritur sa e sa herë në shtëpi duke shtruar tryezën me gatime të shijshme që dinin t’i bënin vetëm duart e saj. Autorja na tregon se kishin edhe një fletore me recetat e gatimeve të nënës. Kulinaria është edhe kulturë dhe ka studiues në botë që zhvillimet e historisë së njerëzimit i kanë parë nëpërmjet ndryshimit të pjatave të ngrënies. Dhe rrëfimi vazhdon se dëshmitari në gjyq kishte ardhur me xhaketën që ia kishte dhuruar ai që ishte në bankën e të akuzuarit dhe po e dënonin pa mëshirë.

Nëna bënte ecejake në sallën e gjyqit, në kujtesën e së ardhmes. Dhe do të vinte një ditë e t’i thoshte së mbesës:

Kjo ishte shoqëria ku individi përdor shtetin për t’u hakmarrë ndaj shokut të fëmijërisë që kishte qenë më i kamur a më i mençur se ai, apo më i edukuar se ai. Kjo ishte shoqëria ku artisti apo shkrimtari përdorte shtetin për të dënuar një artist që i bënte hije krijimtarisë së tij. Kjo ishte shoqëria ku dënoheshe pa folur fare, vetëm se dikush të donte të varrosur pa vdekur ende. Kjo ishte epoka kur Partia Komuniste shqiptare krijoi njeriun e ri të idealit komunist.

Autorja ndan bindjen e saj se sistemi komunist aktivizoi ligësitë te njerëzit dhe ishte një provë e madhe karakteri për çdo njeri.

Historia vetjake dhe ajo sociale lidhen, na kujton Maurice Halbwachs, ku memoria kolektive është një rrjet i ndërlikuar vuajtjesh dhe shpresash. Gjyshja nuk do të donte të ndante vuajtjen me brezin e ardhshëm, por po përbashkonte atë që do të bëhej e kaluar me atë që do të vinte si ardhmëri.

Ura e heshtur po ngrihej, jo nga inxhinieri i ndërtimit tashmë i dënuar, por nga mbesa vogëlushe. Dhe si lëndë do të kishte kujtimet, dhembjen.

Dhe unë i njoha ato personazhe

Siç mund ta shpjegonte Michel Foucault, kur pushteti përpiqet të kontrollojë edhe trupin, edhe kujtesën, veprime të tilla familjare, intime, janë forma rezistence, forma të vogla lirie që mbrojnë të njerëzishmen dhe dinjitetin në një botë të shtypur.

Nisin nga brenda vetes, qoftë edhe me një dyshim të paqartë, me një gjest hutimi, me një buzëqeshje a vërshëllimën e një melodie, me një varg apo duke ndjekur me sy një re që kalon mbi telat me gjemba të burgut.

Edhe Iris Halili “Elegancën e lotëve” e sheh si formë të qëndresës.

Ndërkaq, ne si retë na shpërngulën në burgun e akullt të Qafë-Barit, të cilin unë do ta rrëfeja në burgologjinë time të dytë Ferri i çarë. Dhe kam një pjesë se si e kujtoj atë:

Inxhinieri Dine Fratari buzëqeshi. S’ngjante si e burgosur buzëqeshja e tij e pastër. Ashtu i ri, tërë zell, çdo rruginë këtu, qoshe muri, shesh, shkallë, me grupin e vet të punës, e ndreqte (me fantazi), sajonte vende çlodhjeje, stola, lulishtëza të vogla, copa të munguara qytetthi…                 

Ne po qëndronim derisa u hodhëm në revoltën e madhe, formë sulmi e dëshpëruar për lirinë. Dhe më pas, kur bëj kronikën e revoltës sonë, atë të të burgosurve në Qafë-Bari, kam edhe këtë dëshmi:

Komandanti dha urdhër të ngrihej mjeku, të gjithë mjekët. Mos i prekni, u tha policëve. Shpejt pas murit, i urdhëroi. Mbase ka të vdekur. Kë do të pushkatojnë pastaj, të vdekurit? Na duan të gjallë. Pas murit. U shkulën me forcë dhe kryetari i burgosur i riedukimit, Zhabolli… mure ulëritëse, të përgjakura dhe inxhinieri i ndërtimit, Fratari, Dinia, ah, pse… policët qëllonin ku të mundnin, mure të çmendura, mure qelish, të komandës, të Komitetit Qendror të Partisë, Muri i Berlinit, Muri i Madh Kinez, m-uri, ka-m-uri për një ulërimë… dhe për bukë.

Dhe ja ç’ndodh me mikun e Dines. E kam futur si një monolog që i ngjan një deliri, por është i vërtetë:

Po ku jam? Brenda në arkivol. Dëgjo, ti do të firmosësh listën me 36 emra të grupit që udhëhoqi revoltën politike të Qafë-Barit. Unë s’e di që revolta ishte politike dhe s’di të ketë pasur ndonjë organizim a grup. Dalip, e kupton ç’po thua? E dimë që ishte ashtu. Asgjë nuk na kushton t’i vëmë kapakun arkivolit, 5-6 gozhdë. Të pëlqen të varrosesh i gjallë? Pra, firmos këtë letër, ja edhe tjetra, vendimi që do të lirohesh. Zgjidh mes dy letrave… S’janë kocka që thyhen.

[…]

Po miku im Dine Fratari? E hoqëm, e flakëm në një tjetër burg, shumë e kanë rrahur edhe atë, dhe Lekë Mirakajn, dhe… po ti firmos, të thamë, kam porosi nga ministri. Nuk të pres shumë, mund ta kthejmë edhe ndryshe. Ç’bëhet kështu, hetuesí është kjo brenda në arkivol? Është ai, arkivoli i kampit, që na e bëtë peshqesh, s’duhet më për të vdekurit, por për të gjallët… Nuk do të firmosësh? Vërini kapakun arkivolit.

Edhe harresa e qëllimtë është një arkëmort për ato që duhet të jenë ende gjallë. Duke treguar për protagonisten, nënën e Dines, zonjën Ganimet Gjilani Fratari, mbesa e saj, Iris Halili, me librin Eleganca e lotëve mban gjallë një amanet të saj, edhe pse i pashkruar, vetë atë dhe risjell edhe gra të tjera, shoqe të saj, të goditura rëndshëm nga regjimi dhe harresa, si shkrimtaren e parë grua në letrat moderne shqipe, zonjën Musine Kokalari, apo edhe zonjën luftëtare Drita Kosturi etj. Po edhe miqtë, si At Zef Pllumi dhe Pjetër Arbnori etj. Bashkë jemi më gjallë.

Në shtëpinë e re të Dines në Tiranë kam shkuar edhe unë të takoja nënën e tij. Shkoja me Edën time me një tufë lulesh në dorë. Edhe Eda ka pasur stërgjyshen ashtu, të pamposhtur, ikte me kalë të takonte djalin e saj në burgun e kënetës së Maliqit, merrte me vete edhe nusen e djalit. Diktatura ishte në fillimet e saj. Në atë burg ishin edhe shkrimtari Mitrush Kuteli, edhe poeti dhe filozofi Arshi Pipa që u arratis etj. Dhe më ndërmend një skenë tjetër nga libri i Irisit kur diktatura po i afrohej fundit, një nga ato udhëtimet natën tek ktheheshin nga burgu – udhëtuan me një tren pune, u futën si fshehurazi në lokomotivën që do të ketë hingëllirë si një kalë metalik i azdisur.

Gjyshi i Edës sime, Dane Zdrava, u shua në burgosjen e dytë të tij, në atë vit që arrestuan Dinen dhe mua, edhe pse ai i kishte bërë aq e aq të mira dhe shërbime qytetit të tij, Beratit – solli kinemanë e parë atje, makinat shirëse, bënte pajën e vajzave të miqve të tij kur martoheshin, hapi edhe dyqanin e modës në Tiranë, kurse në Romë prenotonte sallat e takimeve që bënte shkrimtarja Musine Kokalari me miqtë.

Ndaj ky libër është një mirënjohje dhe dëshmi për të gjitha gratë dhe vajzat që vuajtën, një pjesë internimeve e burgjeve dhe një pjesë duke shkuar burgjeve për t’iu gjendur pranë familjarëve të tyre. Ishin këto gra dinjitoze që mbajtën familjet dhe kuptimin e saj shenjtërisht të pacenuar nën sundimin e diktaturës komuniste.       

“Familja është vendi ku thuhet çdo gjë, duhet çdo gjë dhe pranohet çdo gjë dhe ku çdo gjë jashtë mureve të saj është adaptim”, – tregon Irisi se ç’i thoshte gjyshja, që vazhdimisht lutej me besimin në Zot. Dhe ky besim ishte forcë e pazëvendësueshme shpirtërore, e prekshme, kur s’lejohej ta prekje.

E kujtojmë zonjën Ganimet në shtëpinë e saj. Në sallonin mes asaj qelqnaje shandanësh e servisesh edhe ajo ashtu e qelqtë vezullonte, gjithë sharm dhe fisnikëri. E folura e saj kishte ngrohtësinë e çajit që na shërbente me aq delikatesë.

Magjepsesha kur tregonte për librat që po lexonte, edhe ata të poezive të mia, të porsabotuar, edhe për shkrimet nëpër gazeta.

Shqipëria po ndryshonte…

Dinia ndërkohë ikte, kishte punë plot me ndërtimet. Ne vazhdonim bisedën.

Traumën, Kai Erikson, e kuptonte si plagë jo vetëm të individit, por të shoqërisë së tërë, një plagë që kërkon të shërohet në trupin dhe shpirtin kolektiv. Jeta dhe kujtesa duhet të vazhdojnë, se brezat duhet të lidhen, pavarësisht diktaturave dhe postdiktaturës…

Një përkujdes i tillë duket se është edhe libri i Irisit, me çështje të mëparshme, me retrospektiva, me të tashmen dhe perspektivën, me krahasime kohësh apo edhe me ndërprerje mes tyre.

Ndërkaq, është edhe himn i qëndresës së gruas, me ëndrrën, edukatën dhe mallkimin në buzët e realitetit, me delikatesën e saj dhe bukurinë femërore, siç e thamë, deri edhe me veshjen dhe modën, me ato ndjesi që mbeten përjetësisht të brishta si vetë femra. Patjetër, edhe me lotët.        

Është një befasi domethënëse që titulli Eleganca e lotëve del nga një pikturë, portreti i protagonistes, realizuar nga një hebre në kohën e holokaustit, kur ai gjeti mbrojtje dhe strehim në familjen e saj, në shtëpinë e tyre dhe në këtë libër.

Thurima e madhe e kësaj letërsie që erdhi nga ferri më ndërmend qilimin mitik të Penelopës, që dukej i pambarimtë si vetë dhembja, që kalon nga njëri libër në tjetrin, shthuret në ditët e kujtesës, shthuret në natën e harresës, por fijet në avlëmend janë rrëketë e lotëve, të dukshëm dhe të padukshëm.

* * *

Përse, kur një nënë me djalin në burg, që shkonte për ta takuar, udhëtonte aq gjatë gjithandej bashkë me të bijën, e cila gjithashtu kishte me vete të bijën e saj, një vogëlushe që ndoshta aq ishte, sa një buqetë lulesh…  po përse, pra, e merrnin nga pas? Duke e hequr nga lodrat, nga shkolla, nga…? Nga ç’e hiqnin tjetër, ç’donin t’i jepnin më shumë?

Të jetë ndier ajo që nuk do të mund të shprehej në fjalë, një parandjenjë e rëndësisë së kujtesës, një forcë e brendshme që do t’i ndihmonte brezat e ardhshëm të saj të përballonin të kaluarën dhe të mbijetonin më përtej? Të ishte një formë shërimi për më pas?

Apo thjesht që të shkruante këtë libër, “Eleganca e lotëve”.

Çikago, verë 2025.

***

Qëndresa hyjnore e një zonje të heshtur

Sadik Bejko & Çerçiz Loloçi

1.

Nëna, vajza dhe mbesa, në një udhëtim biblik për të takuar njeriun e tyre të afërt, të burgosur padrejtësisht nga regjimi diktatorial është pak a shumë thelbi i librit më të ri autobiografik të dr. Iris Halilit, titulluar “Eleganca e lotëve”, botimet Onufri 2025.

Në pamje të parë duket si një kronikë familjare, por që del jashtë saj sepse personazhe nuk janë vetëm Ganimet Gjilani Fratari, Sabire Halili dhe vajza e saj e mitur, autore e librit, por dhjetra familje të tjera të përjashtuara nga shoqëria e të konsideruara “armiq të popullit e të partisë”, të persekutuara, të internuara, të burgosura apo akoma më keq, me pjestarë të familjes të pushkatuar apo të zhdukur, që ende edhe sot nuk u gjenden eshtrat.

Ganimeti, me një bukuri të lindur, si e pikuar nga Perëndia, ishte 20 vjeç kur mbaroi Institutin Femëror “Nana Mbretëreshë” në 1937 duke folur dhe shkruar anglisht, frëngjisht e italisht, shoqe e ngushtë e shkrimtares martire Musine Kokalari, përjetoi pak vite të lumtura, përfshi martesën e saj me Rauf Hajredin Fratarin, lindjen e dy fëmijëve dhe momente të tjera të gëzueshme me vëllain e motrën, por jeta e saj u vu përpara rrethanave të jashtëzakonshme kur burri nacionalist u arratis në SHBA dhe u eleminua nga policia sekrete e regjimit në 1972 dhe djali iu ndëshkua me 25 vjet burg, me dy fasha dënimesh: 15 vjet sabotim dhe 10 vjet agjitacion e propagandë.

Për një regjim që mbante si ikonë frymëzuese “luftën e klasave”, nuk kishte asnjë rëndësi që vetë Ganimeti vinte nga një familje e madhe nga Gjilani i Kosovës, as vjehrri i saj, Hajredin Fratari, dëshmor i kombit, përkrahës i qeverisë së Ismail Qemalit dhe vrarë pabesisht nga strukturat e mbrame të perandorisë turke.

Po ashtu ishin të papërfillshme kontributet kombëtare të Rauf Fratarit me shkollë ushtarake në Modena në vitet 1923-1927, me studimet e larta në Akademinë Mbretërore të Romës në periudhën 1929-1933, majori i Gardës Mbretërore në vitet 1935-1939, i burgosur dy herë nga regjimi fashist në Tiranë dhe Gjirokastër, delegat i Konferencës së Pezës në 1943 dhe asaj të Mukjes në 1943, komandant i batalionit “Hajredin Fratari”.

2.

Kryemotivi i librit në formë ditari të Iris Halilit është se duhet ta duash atdheun edhe kur jeta të bëhet e pamundur nga sunduesit e pamëshirshëm të tij ose kur të detyron të shkosh në skajet më të papërballueshme të saj. Ganimeti, me dy fëmijë të mitur, 4 dhe 2 vjeç e kishte së brendshmi se duke dashur familjen e dashuron edhe më shumë atdheun tënd.

E bukur, e hijshme, e hirshme, sharmante, e admiruar nga dhjetra moshatarë të saj, që turbullonte të gjallë e të vdekur, “Zonjë mos shko më në varre/se të vdekurit i ngjalle”, asaj nuk i hynin më punë hovet revolucionare. Përkundër tyre jetonte me paraardhësit e vet, me burrin e arratisur, me fëmijtë që ishin pagëzuar me dy emra të spikatur Sabirenë e Frashëllinjve, mbesën e Naim Frashërit dhe Hajredinin e ri, nipi i Fratarit të parë.

Në fëmijërinë e hershme e deri në vitet studentore në kohën e Mbretërisë nuk pranoi të përfshihej në formacione apo lëvizje politike, madje kishte një fije mosbesimi për vëllain e motrën që u bënë debatikas. Por ishte gjithaq mosbesuese kur po ndahej fizikisht një herë e përgjithmonë me bashkëshortin e saj që u largua nga Shqipëria në dhjetor 1944 me shpresën se do të rikthehej sërish në gjirin e familjes pas ndërhyrjes së anglo-amerikanëve.

Nuk zgjodhi të largohej me burrin e vet dhe që kontaktin me të e mbante me veshjet e hijshme gjatë kohës së paktë martesore dhe me ndonjë letër të rrallë që i vinte herë nga Italia e herë nga SHBA kur u vendos përfundimisht duke marrë dhe azilin politik. Aq më pak nuk deshi të rilidhej me ndonjë nga krerët komunistë për të filluar një jetë tjetër pa mundime e vuajtje që po i sillte pushteti i ri.

Ajo besonte te një fuqi që dilte mbi njerëzit dhe i lutej përditë në heshtje për një ditë më të mirë të nesërmen, për një vit më të mbarë, për një dekadë dhe kështu me radhë për 46 vjet kur nisën proceset demokratike dhe ajo ndodhej në një moshë të tretë.

Një çift që simbolizonte lidhjen e pandashme Kosovë-Shqipëri, të shkolluar të dy, të ardhura nga familje të njohura, e parashikonin fare mirë se çfarë mund të ndodhte me një pushtet që bënte lidhje jonatyrore me serbo-sllavët dhe jo me krahun perëndimor që i përkiste historikisht.

Fëmijët, vajza dhe djali, ky ishte motivi i vetëm i mbijetesës dhe për ta do të bënte gjithçka mundej. Madje edhe kur pati një infeksion që shkonte deri në prerjen e njërës këmbë, ajo u lut fshehurazi në një vend të shenjtë dhe ia doli të bënte atë jetën e heshtur, mbi makinën qepëse, për të mbajtur familjen e saj. Një lloj burrneshe jo nga ato që vishen dhe jetojnë si burrat, siç ngjet në disa vise shqiptare, por me një përkushtim dhe vetmohim të pangjashëm.

3.

Në kopertinën e librit është një pikturë e realizuar nga një hebre që ishte strehuar në shtëpinë e Rauf Fratarit në kohën e Luftës kundër Nazifashistëve, ndërkohë që kërkoheshin në çdo skutë nga gjermanët në krejt Europën. Pasi kishte bërë portretet e Hajredin Fratarit dhe Sabire Frashërit, ai i kërkoi një tablo për bashkëshorten e vet nga Gjilani.

Në tablo është Ganimeti, pak kohë pas martesës, që megjithëse kishte pozuar disa herë para tij, disa bulëza loti i rishfaqeshin befas. Pikërisht këtë gjendje fiksoi edhe piktori anonim hebre, sikur të parathoshte fatin e saj që do vuante e sfilitej një kohë të gjatë, por nuk do të mposhtej. Tabloja u ruajt nga vajza e saj dhe u rinxorr pas viteve nëntëdhjetë si një kujtesë për gruan e hijshme e me një shpirt të bukur.

Pas eleminimit të bashkëshortit, Ganimeti përjetoi edhe një ndodhi tjetër, burgosjen e të birit pas asnjë faj, (ndëshkimi vijonte kështu në brezin e dytë, por kishte edhe në tri breza), një inxhinier i njohur dhe pikërisht nga ky moment nisin përjetimet e një vajze të mitur në provincën jugore të Tepelenës. Janë gjithmonë tri personazhe: nëna, vajzaa dhe mbesa që ndjekin fatin e njeriut të tyre të burgosur në Ballsh, Qafë-Bari, Zejmen e Burrel, por nuk mungojnë edhe protagonistë të tjerë si Musine Kokalari, Drita Kosturi, At Zef Pllumi, Pjetër Arbnori, apo tipa të konsideruar “të partishëm” që e tejkalonin regjimin me ligësinë e tyre. Tridhjetë e një kapitujt e librit risjellin jetën e shqiptarëve në diktaturë, ata që përkraheshin dhe të tjerë që përflakeshin; vështirë se mund të gjeje qoftë edhe një familje shqiptare pa u prekur prej diktaturës; goditjet vinin valë-valë, fillonin me nacionalistët, pastaj me krerët kryesorë të formacioneve partizane, më pas grupet armiqësore çdo pesëvjeçar, me paranojat që zbrisnin në formë zinxhiri nga kupola më e lartë e deri te strukturat më të imta të pushtetit. Pikërisht kjo tablo e zymtë rivjen në faqet e këtij libri jo vetëm si mesazh për t’u kujtuar, por edhe për të mos u përsëritur.

***

“Eleganca e lotëve” dhe “vajza e karafilave”

Luan Rama

E lexova në dorëshkrim këtë libër që do të doja të ishte një roman historik dhe jo në kuadrin e dëshmisë historike dhe kjo, pasi më tërhoqi shumë, jo thjesht për kujtimet mbi gjyshen dhe “elegancën e lotëve” të saj, pikturuar nga një piktor hebre, por për atë vajzë adoleshente që merrte udhën e burgjeve të familjarëve të saj që sa më shumë merrte ato udhë aq më shumë e kuptonte atë botë totalitare. E pikërisht kështu ndodhi ajo që ndodh rrallë të jepesh tërësish pas asaj vajze që në çdo udhëtim burgu ajo rritet, trishtohet, revoltohet nën zë, pajtohet me vuajtjen dhe kapet fort pas asaj gjysheje që e ka rritur, pa mundur ta ndihmojë atë në dramën e saj të madhe, me dy dashuri të mëdha që s’mundi ti gëzonte gjatë, i pari, burri i saj, një atdhetar ikur pas çlirimit në Amerikë dhe mbetur atje gjer në vdekje, si kundërshtar i regjimit të Hoxhës, dhe tjetri, biri i vetëm, i burgosur, që do të endej nga një burg në tjetrin. Nuk më ka ndodhur ndonjëherë ta vë veten në vendin e autorit të një libri dhe të hyja kështu në “infraction” dhe pa të drejtë në botën e saj ashtu siç e shfaq ajo, të jem mes personazheve të saj realë dhe të krijoj ndërkohë në mendje, larg saj, dialogje, fjalë, me një zë “off”, duke hyrë në botën e romanit që nisa të dëshiroj dhe që ajo vajzë adoleshente të niste të ma tregonte atë çka ajo ka ndjerë, përjetuar, frikën për humbjen e njerëzve më të dashur siç ndjejnë fëmijët, pafajësinë e saj me realitetin e egër e brutal, me ëndrrat dhe zhgjendrat e saj, pasi kuptohet se ç’ndodh në jetën e një adoleshenteje, i cili, në vend që të gëzojë botën, duhet të marrë udhët e burgjeve të shumtë, midis erës dhe dëborës, në atë bukuri që të “vret” sytë kur të shfaqen telat me gjemba dhe imazhet e kampit të Qafë Barit me 300 kthesat e tij, në magjinë e maleve me dëborë. Kur Iris Halili shkruan për udhëtimin gjatë kthimit nga burgu i Zejmenit dhe Mjeda për në Tiranë, unë pashë një skenë filmi që do të doja ta shihja gjatë, me atë vajzë që zbulonte kthinat e asaj lokomotive dhe ata njerëz të mirë që transportonin një tren mallrash, në natën e bukur e plot yje, nën kupolën qiellore kur ndonjë yll binte e që siç ndodh zakonisht fëmijët thonë dëshirat e tyre… gjithë kjo do të ishte për faqet e një romani si të ishte një copëz e “Doktor Zhivago-s”. Ç’kontrast i bukurisë qiellore dhe raskapitjes së gjyshes dhe nënës, që pas një kalvari udhëtimi ato nuk arritën ta shihnin njeriun e tyre të dashur. Ç’kontrast i pafajësisë me botën e dëshpërimit.

Sigurisht, gjithçka që shkruaj, nuk i heq asnjë vlerë këtij libri të botuar nga “Onufri”, aq të nevojshëm në rradhën e veprave-deshmi të një historie që mbetet aq e prekshme në botën shqiptare. Por si lexues, dhe ndoshta pa të drejtë, dëshira më shtyn drejt romanit dhe besoj që autorja do të m’a falë këtë ndërhyrje pasi në formën e romanit historik, parë në optikën e udhëtimeve të njëpasnjëshme të kësaj adoleshenteje në udhët e largëta të burgjeve, do ta bënte atë një vepër unikale dhe për lexuesin përtej kufijve shqiptarë, pasi për mua,  në botën e Lindjes europiane të shoqërive ish totalitare, refleksionet mbi këtë kohë janë thënë por ajo që është një gjetje e jashtëzakonshme është pikërisht kjo bredhje në botën e burgjeve duke ndjekur gjyshen e saj. Është pikërisht kjo që më prek, më frymëzon, më bën të kthej sytë pas dhe në jetën time, në natën e gjatë të krakëllimës së armëve, në dënesën e njeriut të shtrenjtë që kërkon të fshehë lotët dhe të mbahet me dinjitet e të ruajë krenarinë ku udha e shpresës është tepër e gjatë. Është ajo vajzë, sytë e saj, brishtësia dhe ëndrrat që thyheshin para telave me gjemba, në takimet me të burgosurit, në dyert e Ballshit, të Qafë Barit, Burrelit, Ballshit, Zejmenit… Çdo udhë është një kalvar. Një mësim historie përmes artit të shkrimit. Një kalvar gjithnjë i ngjashëm e njëkohësisht i veçantë, një ritual me kujtime të tjera, me shpalosje të tjera të shpirtit të plagosur dhe pyetjet e panumurta të asaj adoleshenteje: kur vallë do të mbarojë ky kalvar, kjo errësirë e pafund? Lënda është tashmë në këtë libër, ndodhitë historike, e po ashtu dhe personazhet e ndryshme të shoqërisë përreth që simbolizojnë njëkohësisht tipa e karaktere të jetës shqiptare të asaj kohe totalitare, ku tashmë na mbetet të hyjmë ndryshe në botën e këtij afresku, të ecim dhe ne në ato rrugë që nuk i kemi shkelur, të humbim shpresën dhe ta rifitojmë atë, ta ringjallim, të ndezim dritën e besimit.

Kur mbarova së lexuari këtë libër m’u shfaq përsëri ajo “vajza me karafil” në sfondin e telave me gjemba të burgut të Ballshit. Karafilë në burg dhe një prift bahçevan që s’ishte tjetër veç një humanist i madh, At Zef Pllumbi. Një skenë gjeniale e përjetuar realisht kur daja i saj i sillte karafilat e priftit, diçka frymëzuese për këdo aq sa dhe unë këtu, kaq larg sa jam, e ndjej aromën e atyre karafilëve, se ndryshe nga “Ferri” i Dantes, në burgun shqiptar kishte njerëz që mbillnin karafilë për një botë tjetër. Këta karafilë do na e kujtojnë gjithnjë atë.

Pas këtij libri prekës, a do të kemi nesër një roman? Nuk di pse do doja që Irisi ta kapërcente pragun dokumentar për të parë afreskun e një botë më të plotë, ku në qendër të vendosej pikërisht kjo vajzë dhe përjetimet e saj. Çdo udhë drejt një burgu, është një kapitull jete dhe midis çdo udhe shoh gjithë atë botë njerëzore që përjetohet nga “vajza me karafilë”. E uroj me zemër këtë autore që më bëri ta ndjej thellë jetën e saj dhe të shoh gjatë në retinën e syve të saj atë çka është ngjizur e që nuk shqitet më.

***

“Eleganca e lotëve” si shprehje e vuajtjes dhe shpirtit aristokrat

Prof. dr. Bardhosh Gaçe

Fati dramatik i shqiptarëve, në dekadat e fundit është shpërfaqur në mjaft libra me publicistikë, poezi, tregime, romane dhe eseistikë, duke krijuar kështu një bibliotekë të tërë, ku koha dhe njerëzit mbartin mbi supet e tyre refleksione e kujtesa që përcjellin mesazhe të mëdha.

“Eleganca e lotëve” është një libër që realizohet përmes një rrëfimi autentik dhe të sinqertë. Thënë që në fillim, ky libër është shkruar me kulturë dhe shpreh një dhimbje të transmetuar artistikisht, me elegancë dhe shije. Një rrëfim i mbushur me detaje jetësore, i cili të mbreson dhe të krijon një shije të mirë jo vetëm të narracionit, por edhe të frymës që përcjell ky narracion lakonik e tërheqës.

Për nga zhanri, këtë libër mund ta përcaktosh si: monografi, autobiografi, vëllim me tregime, roman-prozë memoralistike dhe dokumentare, prozë historike, një përzierje e tillë, e cila shpreh në vetvete lirinë e të shkruarit dhe të përzgjedhjes së autores përmes këtij shkrimi. Ndërsa për nga ana e frymës, një poemë dramatike e vuajtjes dhe e lartësimit të shpirtit njerëzor.

Tema e persekutimit totalitar, goditja që u dha ky regjim familjeve të shquara, njerëzve të ditur, është shtylla ose boshti ideotematik i këtij vëllimi me tregime. Por kjo temë është mishëruar aq bindshëm sa të bën të mendosh se zhvillimi i subjektit linear dhe i episodeve mbështetëse, që e mbushin atë, e kapërcen disi këtë temë, duke u ngritur në nivelet universale të konceptimit të ideve dhe duke shprehur forcën dhe krenarinë e gjenit njerëzor, që lufton për të ruajtur pamposhtmërinë e tij dhe nevojën për afirmim të vetes në kushte të vështira.

Ajo që përfton si përshtypje, pas leximit të kësaj proze, është se forca dhe njomështia e ndjenjave njerëzore nuk u mposht e nuk u tha në kushtet e thatësisë së ideologjisë totalitare, se besimi për të bukurën dhe të mirën nuk u thye, as nuk u manipulua nga sloganet dhe kurthet e kohës. Kjo përftesë emocionale, ndiesore dhe mendimore, të krijohet vetiu nga përmbajtja, stili i të shkruarit, mënyra se si autorja i vështron njerëzit e saj dhe kohën, nga episodet dramatike, por edhe ato të buta, nga detajet dhe vizatimi i tyre me pak penelata, por që të mbeten në mendje nga portretizimet e gdhendura dhe nga dëshmitë e dokumentit dhe të shpirtit.

Një ngjizje e fortë bëhet midis realitetit dhe reflektimit të shpirtit, duke marrë trajtën e përkryer të mishërimit në frazë, dhe fraza e kulluar prej dhimbjes dhe fantazisë fiton elokuencën e vërtetësisë e të natyrshmërisë së saj.

Autorja Iris Halili, paraqet më së miri sfondin kohor, një sfond dramatik, ku familjet e mëdha ishin vënë në syrin e ciklonit, një kohë absurde, ku njeriu i shenjuar nuk mund t’i shpëtonte kësaj vorbulle përpirëse, edhe pse kujdesi dhe syçeltësia ishte e madhe, edhe pse njeriu e dinte çfarë e priste, por që, shpresonte të mos e pësonte, sepse ai kurrë nuk i kishte bërë të keqe askujt. Absurdi i një kohe të trishtë, plot dilema e plot të papritura dhe nga ana tjetër qëndresa morale për të ftilluar arsyen dhe për ta mbajtur veten, është një nga përftesat ndiesore leximore në këtë libër.

Gjithçka jepet me sytë e një fëmije që edhe gjatë rritjes se si ballafaqohet madhështia e kulturës, e njerëzores me frikën e kërcënimit, banalitetit, moskuptimit, përse të ndodhë kështu dhe, në të gjithë këtë diskurs dramatik ndërtohet shtrati i veprës. Megjithatë, këta njerëz gjetën forcë dhe arsye të mbanin veten, të mos binin në dëshpërim të skajshëm, prandaj me të drejtë autorja thotë: “Këtë libër ia kushtoj asaj, gjyshes sime, Ganimete Gjilani Fratari, të cilën përgjatë gjithë jetës e thirra “nëna” – dhe më tutje vazhdon: “ku ju do të mësoni fatin e një njeriu që kishte shumë dhe humbi shumë”, “por asnjë çast nuk iu dorëzua fatit, ajo e pranoi fatin dhe nuk u mposht prej tij”.

Këto fjalë përbënin kuintesencën e kësaj proze mbushur me ngjarje dhe episode që jo vetëm zgjojnë kërshëri, për thurjet e tyre plot sharm dhe të papritura, por sjellin një të vërtetë të madhe, e cila meriton të kujtohet. “Ajo fliste shkëlqyeshëm tri gjuhë të huaja (anglisht, frëngjisht dhe italisht), kishte pasur ëndërr kur ishte e re të bëhej Mari Kyri”).

Kjo fjalë përcakton aristokracinë e kohës (detajet në tregimin “Kanape mëndafshi në provincën jugore”, na e tregojnë këtë), po kështu, kjo aristokraci shqiptare ruante kujtimet nga sallonet e Romës, Stambollit, Vjenës dhe Parisit. Një mjedis i asaj kohe në një provincë shurdhane tregonte se kjo aristokraci kishte rënë në kurth. Gjithçka e vjetër, e bukur dhe e vlertë, dukej sikur kontrastonte me atë mjedis, por që nuk mund të mos ekzistonte në pafajësinë e tij.

Përshkrimet që jep autorja me detaje të zgjedhura shpërfaqin një tablo realiste të kësaj familjeje, sidomos të portretit të gjyshes së saj. Autorja Iris Halili na tregon më së miri portretin e një zonje hijerëndë, me shije në veshje dhe kulturë të sjelluri. Ajo s’mund të ishte ndryshe, kjo ishte tradita dhe edukata e saj, këto ishin cilësitë që s’mund të dilnin jashtë botës shpirtërore të një gruaje me formim sa njerëzor aq edhe kulturor. Rrëfimet e gjyshes dhe një koncept patriotik i saj, si dhe një vështrim realist që ajo i bënte kohës së re që po vinte, ndikojnë shumë në shpirtin dhe në mendjen e një fëmije. Dhe këto jepen në mënyrë sintetike te tregimi “Edukimi i shpirtit”.

Autorja rrëfen për dajën, Hajredin Fratarin, i cili kishte drejtuar punimet për ndërtimin e një hoteli, i pari në atë kohë me ndriçim diellor. Por në atë kohë një punë e mirë e kryer nga një njeri “i dyshimtë” bëhej shpesh shkas për ta sjellë dyshimin në qendër të vëmendjes të hierarkëve partiakë dhe shtetërorë, siç është edhe rasti i Mehmet Shehut, inati i të cilit ndaj të birit të Rauf Fratarit ishte i verbër. Daja dënohet 15 vjet burg “për ndërtimin e një ure që edhe sot është në këmbë” – thotë autorja.

Dënimi i dajës dhe nëna që rend drejt të birit nga burgu në burg i ngjan një balade, një realiteti që ngrihet në kufijtë e një legjende. Nëna i ngjet një shqiponje që rend të shpëtojë nga kthetrat të voglin e saj, që ia ka rrëmbyer egërsira. Dhe me një fëmijë për dore pas. Këtu fillon një kalvar i vërtetë udhëtimesh, vuajtjesh, lotësh, psherëtimash, prapë lotësh dhe e gjitha kjo, një odiseadë ku shpirti nuk gjen qetësi. Pasi bën një parashtrim se kush ishte kjo familje, pasi jep rrethanat historike, kulturore, shoqërore dhe politike të kohës-dënimi i dajës shërben si pikëlidhje subjektore, ndërsa më tutje zhvillimi i subjektit do të arrijë kulme të dramacitetit nëpër disa pika të tij.

Fuqia e besimit në Zot (tregimi “Për Zotin”), sillte edhe fuqinë shpirtërore të besimit dhe shpresës dhe kjo nga një grua e madhe, një grua stoike e vuajtjes dhe e mbijetesës në një kohë traumatike, në një kohë të pakohë, e cila përmblidhet si kohë e askujt dhe e askundit- prej marrëzive të saj delirante.

Autorja Iris Halili që shkruan me një frazë të kultivuar e nxit lexuesin me një realizëm ngjethës të përftojë një shtysë të brendshme të fuqishme, në mënyrë të tillë sa ai të gjendet brenda atyre rrëfimeve, duke u bërë emocionalisht përjetues i atyre ngjarjeve që jo vetëm vijnë si të tilla, por edhe kalojnë nëpër një filtër reflektimesh, të cilat e nxitin lexuesin të mendojë e të krijojë edhe një tablo kohore në plotësimin e përfytyrimeve të tij për atë periudhë.

Për asnjë çast ajo nuk i ndan dy kënde të vështrimit të saj të tregimit dhe të interpretimit: këndi i vuajtjes dhe i dashurisë njerëzore, këndi i makabritetit të kohës dhe këndi i shpërfilljes së këtij makabritetit përmes rezistencës së heshtur. Këtë efekt ajo e arrin përmes një tregimi e përshkrimi të shkurtër dhe mbresëlënës. “Takimi i parë me dajën në burgun e Ballshit do të mbetet për mua një çast i rëndë për t’u kujtuar, por edhe i vështirë për t’u harruar” – shkruan autorja, dhe më tej: “Përgjatë tetë viteve që daja u transferua në shumë burgje, unë, nëna dhe mami i kemi shëtitur çdo muaj të gjitha dhe mund të themi se Ballshi ishte një kamp riedukimi, po ta krahasoje me burgjet e skëterrshme që do të vinin më tej”.

Kjo fjali të çon menjëherë te përfytyrimi i “Ferrit” të Dantes. Dënimi fillon nga rrethi i parë deri në të nëntin dhe, sipas mëkatit, rrathët vijnë duke u ngushtuar në përpjesëtim me mëkatin, por këtu ka një ndryshim, se ndërsa te “Ferri” i Dantes dënoheshin mëkatarët, në Ferrin Komunist dënoheshin të pafajshmit dhe nomenklatura jetonte “parajsën” që e kishte ndërtuar sipas projektit të saj famëkeq.

Çdo episod e ndodhi tregon se kur ka ngjarë dhe si-dhe gjithë ndodhitë ndodhin në shurdhërinë e vuajtjes në një shurdhëri, e cila nuk njihej nga kolektiviteti, por njihej mirë nga ata që kishin njerëz nëpër burgje. Rendja nga burgu në burg dhe nëna si një grua e fortë është një linjë që shtrihet pothuajse në të gjithë hapësirën e rrëfimtarisë së Iris Halilit në këtë vepër. Nëna shihet jo vetëm me sytë e të mbesës, por edhe me sytë e të tjerëve dhe në çdo vështrim ndaj saj spikat një respekt e mirënjohje që kishin njerëzit e tjerë ndaj saj. Ajo ishte e fortë prej dashurisë si nënë, prej kulturës së madhe, dhe prej humanizmit e dëshirës që kishte për të ndihmuar të tjerët. (Tregimi “Shqisa e gjashtë”).

Të gjitha këto tipare të saj vijnë e plotësojnë shkallë-shkallë, duke e çuar deri në përkryerje portretin e një gruaje fisnike, e cila nuk e kishte në dorë fatin e saj për shkak të rrethanave të kohës, por kishte kurajon të mos i dorëzohej fatit të mbrapshtë që i përgatiste regjimi i kohës dhe ta mbante jetën afër edhe kur të tjerët i mbyllnin çdo shteg për ta parë atë të qetë. Dhimbja e madhe që ajo ndiente duke e parë të birin në burgjet e diktaturës përmbahej nga besimi i një nëne të fortë-dhe duhen përmendur këtu një varg episodesh që lexuesi do t’i gjejë në libër në ilustrim të këtij tipari të saj.

Një linjë tjetër është ajo e familjes së Irisit. Babai i saj, Qemal Halili, ishte një mjek i njohur dhe human. (Tregimi “E drejta e studimit”). Një njeri që jo vetëm nuk ia përtonte punës, por edhe me një prirje për të ndihmuar të njohur e të panjohur, një fisnik i vërtetë, por, kur erdhi puna të merrte një të drejtë studimi për vajzën e tij, njerëzit që kishte ndihmuar ia hiqnin emrin.

Dhe kjo ishte e kuptueshme, ai ishte me “njollë” në biografi dhe njerëzit kishin frikë. Njerëzit në atë kohë ishin të dyzuar. Tjetër gjë ndjenin e tjetër shprehnin. Frika kishte shkuar gjer në palcë, deformimi karakterial ishte një nga qëllimet e diktaturës, që ajo e arrinte me një strategji të caktuar. Përmes disa episodeve autorja Iris Halili u bën një prerje vertikale mendësive të dyzimit të qenies në atë kohë. Dhe këtë e arrin me evidentime autentike të fakteve, duke i sjellë në kohë ashtu siç kanë qenë dhe se si këto fakte përbënin kulmet e errëta të një përditshmërie paduruese të atyre që i vuanin.

Dashuria e pafundme për jetën merr vlerë në qasjet ekzistenciale që i bën njeriu asaj.. Rrëfimi dhe përshkrimi i vuajtjes në një kohë të caktuar nuk do të thotë se vuajtja ka mbaruar. Aq më tepër kur kjo vuajtje nuk përfillet dhe kalohet në harresë. Prandaj ky libër është një homazh për të gjithë ata njerëz, të cilët u gjendën befas nën kërcënimin e egër të sistemit totalitar, i cili nuk i pikasi ata rastësisht. Ishte një nga strategjitë më të holla të tij për ta zhbërë shtresën e familjeve të mëdha, të familjeve me traditë, me kulturë, të familjeve të pasura dhe që mbanin lart tonalitetin e jetës si pikë referimi ndaj së bukurës dhe së drejtës. Kjo strategji synonte zhdukjen e gjithçkaje nga këto familje, denigrimin e tyre, shpërfilljen shoqërore dhe etiketimin me lloj-lloj nofkash, kurse në të vërtetë e siç e lexojmë në libër, ato familje ishin atdhetare dhe me një orientim të qartë të punës së tyre në shërbim të kombit.

Janë disa tregime në libër që shënojnë pas vitet ’90 ku autorja rrëfen disa momente të rëndësishme. Tregime të tilla si: “Gjethet e rëna të dimrit 1990”, “Nuk të bën paraja”, “Bastuni i Drita Kosturit”, “Pjetër Arbnori dhe nëna”, “Gur i rëndë në vendin e vet” – japin një panoramë të këtyre viteve. Nëna dhe daja tashmë rrinë bashkë. Po sa e sa njerëz vdiqën burgjeve, u zhdukën dhe nuk patën mundësi të rrëfejnë për këtë fat dramatik? Ata janë dëshmi e gjallë që mund të rrëfejnë jo vetëm për veten e tyre, por edhe për të tjerët. Rrëfimi vazhdon. Prandaj ky rrëfim në këtë libër nuk quhet i mbyllur… Ai është vetëm pjesë e një rrëfimi të madh, i cili ende nuk ka mbaruar edhe pse e kanë vazhduar atë autorë të tjerë të letërsisë shqipe, emrat e të cilëve dihen.

Iris Halili na rrëfen në vetë të parë në mënyrë të sinqertë, siç mban mend si fëmijë kur ishte atëherë e më vonë gjatë rritjes së saj. Rrëfimi i saj është i sinqertë, i mbushur me një informacion të madh jetësor, sepse ka ç’të rrëfejë. Natyrisht, rrëfimi i saj është emocional, sepse ajo rrëfen për njerëzit e saj më të dashur, sidomos për gjyshen dhe për dajën. Ajo lartëson portretin e një gruaje aristokrate që mbetet protagonisti kryesor në këtë vepër memorialistike, por, edhe pse rrëfimi është emocional, ajo nuk devijon nga e vërteta. Heminguej thotë se “nuk ka gjë më të vështirë sesa të shkruash një prozë të sinqertë e njerëzore”. Dhe në këtë pikë, Irisi e arrin këtë rezultat, prandaj rrëfimi i saj përshkohet nga drita e ngrohtë e shpirtit me mall e dashuri, me kujtesën e freskët dhe zotërimin e fjalisë, në mënyrë të tillë që ajo të vijë sa më e rrjedhshme dhe pa teprime. Të krijohet përshtypje sikur ajo bashkëbisedon me personazhet e saj dhe sikur do të mos ndahet nga ata.

Pas çdo ngjarjeje dhe episodi, autorja bën reflektime, sqarime apo konkludime filozofike. Tregimi i saj për vetë natyrën tematike që ka sikur e pranon një teknikë të tillë, pra, kemi një përzierje të tregimit me mjetet dhe konceptualitetin narrativ. Ajo e ka parë të arsyeshme ta trajtojë rrëfimin kështu për ta afruar më shumë drejt natyrës së kujtesës dhe për t’u dhënë rëndësi ngjarjeve dhe se tregimi i saj nuk mund të shkëputet nga emocioni dhe vlerësimi që shtjellohet e sendërtohet përmes një niveli të epërm të mendimit. Vlerësimi i situatave dhe i portreteve të njerëzve me këtë teknikë shkrimore e thellon më shumë intimitetin e rrëfimit prej të cilit ajo nuk mund të ndahet, por as mund të përmbahet dhe, në këtë kuptim, proza e saj lexohet me shtrirjen e dimensionit dhe të qasjes gjithkohore në gjerësi e thellësi.

Gjuha e përpunuar dhe e freskuar me detaje interesante, si dhe e pasuruar me fjalë apo koncepte, është një tjetër veçori e këtij libri, që të bën për vete dhe nuk të lë që librin, sapo ta fillosh ke dëshirë të mos e lëshosh nga dora. Kjo gjuhë është interesante jo vetëm prej ndërtimit të fjalisë thjesht e bukur, por edhe prej shërbimit që ajo kryen, duke mos u zgjatur në fraza boshe, prej lakonizmit e shkurtësisë dhe impresionist që sjell fjala e duhur e me vend.

Ky libër na mëson se si duhet të qasemi ndaj së shkuarës konkretisht edhe filozofikisht, të largohemi nga gjykimi sipërfaqësor, sepse kujtesa vjen edhe si e tillë, edhe si filozofi e trishtë në gjykimin e një kohe, e cila dënoi njerëz të pafajshëm, ku pafajësia, duke u marrë si fajësi dhe e kundërta përbën absurdin kafkian të saj.

Vlorë-Tiranë, tetor 2025.

***

Një libër që i bën nder kulturës shqiptare

Prof. dr. Bardhosh Gaçe

Iris Halili është një emër i përveçëm në kulturën bashkëkohore shqiptare. Qysh studente ajo u shpërshfaq midis brezit të vet, me medalje të artë. Po kështu vazhdoi studimet pasuniversitare apo si pedagoge e letërsisë së huaj në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës, ku la gjurmë të thella me leksionet dhe debatet në procesin mësimor me studentët dhe kolegët e vet.

Por etja e saj për dije dhe kulturë vijoi edhe në kontinentin e largët, në Universitetin “Grand Canyon”, SHBA, ku mbrojti gradën “doktore e shkencave” si dhe Masterin në shkencën e Lidershipit.

Duke qenë e “kryqëzuar” midis dy familjeve të mëdha, Fratari të Shqipërisë dhe Gjilani të Kosovës, portreti intelektual dhe studimor i Iris Halilit përftoi një ekuilibër dhe dimension të epërm, pasi me studimet e saj shfaqet bota shqiptare me vizione dhe imazhe të qarta, por edhe me një botë njerëzore dhe filozofike të veçantë.

Ashtu si botimet e tjera, studimet dhe esetë e dr. Iris Halilit, para lexuesit ajo erdhi edhe me librin e fundit “Eleganca e lotëve”, ku duket se bën një ballafaqim me veten dhe kohën shqiptare.

Tema e regjimit totalitar, goditja e tij ndaj familjeve të mëdha, intelektualëve dhe njerëzve të ditur, ka zënë një vend të gjerë në letërsinë shqipe bashkëkohore. Autorja, me këtë rrëfim të gjatë, midis reflektimit dhe realitetit, nxjerr në dritë elokuencën e vërtetësisë, si dokument dhe dëshmi shpirtërore.

Në këtë vepër paraqitet më së miri sfondi i kohës, mbështjellë me fatin dramatik të një gruaje fisnike, Ganimet Gjilani Fratari, ku mbi të gjitha ngre krye mbijetesa përballë moskuptimit, kërcënimit, frikës, përgjimit dhe pafajësisë, pra afirmimin e vetvetes në kushte të vështira. Koha në këtë vepër mbart edhe dilema e plot të papritura, por rrëfimi të sjell pranë një botë të thellë emocionale me qëndresën morale të njerëzve të saj.

Shpesh lexuesit, Ganimet Gjilani Fratari i duket sikur bisedon me me dy herë nobelisten Marie Kyri, ajo ishte grua me traditë historike dhe kulturë të veçantë, zotëronte gjuhët e huaja anlisht, frëngjisht dhe italisht, ishte përgëzuar nga Ministri i Arsimit të asaj kohe për talentin, dijenitë dhe mençurinë e saj.

Në librin “Eleganca e lotëve” ka disa personazhe të skalitur me mjeshtëri, është Ganimeti, dy fëmijtë e saj, babai i autores, mjeku humanist Qemal Halili, por edhe figura të tjera si Musine Kokalari, At Zef Pllumi, Drita Kosturi, Pjetër Arbnori e shumë të tjerë që qëndrojnë me fisnikëri përballë kohës së mbrapshtë dhe shoqërisë shqiptare.

Iris Halili, në këtë vepër rrëfen në vetën e parë, në mënyrë të sinqertë, por shpesh në prozën e saj romanore vihen re edhe përsiatje filozofike, meditime e botëpërjetime që të mbeten në mendje. Shpesh, gjatë leximit të kësaj vepre, më vinte ndër mend një thënie e shkrimtarit amerikan Ernest Heminguej kur thoshte: Nuk ka më vështirë se sa të shkruash një prozë të sinqertë dhe njerëzore…”.

Në këtë libër, tablotë, ngjarjet dhe njerëzit jepen me përshkrime e detaje, ku realiteti shqiptar i kohës të mbetet i gdhendur në kujtesë pasi edhe gjyshja Ganimet mbart në vetvete urtësi, mirësi, fisnikëri, dashuri, por edhe krenari për të dy vatrat familjare. Shumëkush që e lexon gjen edhe diçka nga gjyshja e vet.

Jashtë kontekstit të këtij libri doja të shtoja se Hajredin Fratari i parë ka lënë gjakun e tij në viset e Vlorës; ai mori pjesë si ushtarak i lartë në betejën e Borshit, të Pilurit dhe Kuçit kundër andartëve grekë, me urdhër të Ismail Qemalit.

Post Scriptum: Fjala e mbajtur në promovimin e librit “Eleganca e lotëve” të dr. Iris Halili në Fakultetin e Shkencave Humane, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë.

***

Kronikë artistike e kujtesës

Bujar Skëndo

Mbi romanin “Eleganca e lotëve” e Iris Halilit

Gjithçka që ka ndodhur në të shkuarën vërtitet për dekada e shekuj në kaosin e kujtesës dhe harresës njerëzore. E shkuara është e ardhmja e kujtesës, kurse e ardhmja është e shkuara e harresës. Humbin, shuhen ndodhi, figura e thënie, nga njëra anë dhe ruhen, transmetohen e mbijetojnë ngjarje të tjera, personazhe të caktuar, bashkë me mënçurinë e tyre. Pikërisht kështu vijnë këto dy përmasa të kundërta të kujtesës në romanin “Eleganca e lotëve” të Iris Halilit.

Edhe pse asnjëherë nuk mund të dihet saktësisht ky raport mes harresës dhe mbijetesës së të shkuarës nga një shekull në tjetrin, nga një njeri te tjetri, mund të thuhet megjithatë, se kujtesa njerëzore është dëshmuar më vitale sesa harresa njerëzore. Një përpjekje e heshtur, shpesh e pavetëdijshme, seleksionon dhe gdhend në memorjen njerëzore pothuajse çdo gjë që meriton të kujtohet, çdo gjë që u lipset popujve dhe kohëve që vijnë. Dhe lë në harrëse, po aq e, ndoshta, edhe më shumë

Romani “Eleganca e lotëve” mund të përcaktohet si kronikë artistike e kujtesës së një vajze të vogël që vjen e rritet së bashku me kujtimet e saj të fëmijërisë deri në vitet më të fundme. Autorja Iris Halili për një kohë të gjatë ka ruajtur në kujtesë tërë ato ndodhi, tërë ato portrete njerëzish të afërt e të largët, të mire e të këqinj, të mirat dhe të ligat që kanë ndodhur në familjen e saj prindërore dhe në jetën e saj të hershme deri në mëmentin që vendos t’i nxjerrë nga qilari i kujtesës së saj fenomenale për t’i bërë publike në një kronikë historike dhe bashkëkohor.

Në qendër të romanit, në bibliotekën e kujtesës së autores, është një familje tipike nacionaliste patriotike, e kamur, me një stërgjysh patriot, Hajredin Rakip Fratari- “burrë i madh”, dëshmor i Pavarësisë, por i lënë mënjanë nga pushteti. Me një gjysh, Rauf Fratari, patriot, pjesëmarrës në Konferencën e Mukjes dhe atë të Pezës, antikomunist, i aratisur në SHBA para vitit 1944, duke lënë pas hakmarrjen dhe urrejtjen e komunistëve ndaj familjes së tij. Dhe Fratari i tretë, Dinia që nuk i shpëtoi dot kalvarit të burgjeve çnjerëzore të komunistëve, por që pas ’90-ës, me mënçurinë e tij, riktheu kamjen e dikurshme të familjes.

Por në zemër të romanit qëndron një momument femëror, “nëna”, me tërë virtytet e një zonje të rëndë, nga derë e madhe. Zonjë e vërtetë në dashurinë dhe kujdesin për familjen e saj, zonjë në lexime e gjuhë të huaja, zonjë në artin e jetës… Por zonjë edhe me burrin të arratisur, zonjë edhe me djalin nëpër burgjet komuniste. Në atë bibliotekë kujtese ka vend për gjithçka. Ka vend për gëzimet dhe brengat, për mundimet dhe kapërximin e tyre. Për durimin dhe shpresën, për vlerat e vërteta e të shenjta njerëzore, për martirët e burgosur. E po ashtu… për një lule e për një lot kristali… Por ka vend edhe për të ligën, dhe për ligësitë e murtajës komuniste, për  diktatorët e mëdhenj e të vegjël të saj…

Rrëfimtarja nuk vuan aspak për të rikujtuar. Përkundrazi, lexuesi ndien se ajo mezi pret çastin që nga moria e kujtimeve të saj, të zgjedhë e të qëmtojë ato episode, ndodhi, detaje apo thënie plot mënçuri që do e spikatnin edhe më me realizëm veçanërisht figurën që dëshiron të lartësojë, figurën e nënës (gjyshes), një figure artistike e mrekullueshme. E pangjashme në letërsinë tone. Figurë realiste dhe e glorifikuar, intelektuale dhe qëndistare, njëkohësisht. Grua e forte dhe delikate në të njëjtën kohë. Delikate si pikat e lotit që i rrjedhin faqeve, ndërsa pozonte përpara një piktori anonim ebre… E goditur egërsisht nga lufta e klasave në sistemin antinjerëzor komunist, por edhe me një shpresë hyjnore, thëngjilli i fshehtë i shpirtit të saj. Gjatë antijetës provoi të gjitha mundimet, brengat, plagosjet por preku edhe mrekullinë e jetës së lire pas vitit 1990. Një figurë artistike mbresëlënëse.

Episode e detaje të panumurta. Por asgjë e tepërt dhe asgjë e mangët. Nëpërmjet fatit të figurës së nënës dhe fateve të njëjta apo të përafërta të familjarëve të saj, Iris Halili sjell në faqet e romanit tërë Shqipërinë e pazhvilluar, primitive, tërë baltë e burgje, plot me spiunë, shefa të vegjël e shefa të mëdhenj gjakatarë, të pashpirt, të shquar për egërsinë dhe urrejtjen e tyre. Në roman ka një galeri të tërë detajesh artistike, vëzhgimesh, faktesh jetësore të përzgjedhura që na e sjellin shekullin e sertë të njëzetë shqiptar me një qartësi befasuese. Është aty gjithçka, patriotët dhe të kundërtit e tyre, komunistët, të ndershmit dhe të përdalët, të duruarit dhe të çmendurit pas pushtetit, të mëshirshmit dhe egërsirat, varrmihësit, të mallkuarit, besimtarët dhe të pafetë… Kujtesa e saj shkëlqen në vizatimin e çdo figure të romanit, figurë kryesore apo episodike, qoftë, i familjes apo i sistemit diktatorial… I mjafton një togfjalësh për të shpërfaqur një tabllo, një virtyt, një ves, një moral, një emër: “turistët e Ballshit”, “vajza me karafil”, “kthesat e Qafë Barit”, “Portreti në papafingo”, “xhaketa e Thanasit… e deri te barkderrja spiune Hysnia- nënpunëse në Komitetin e Partisë së Tiranës…

Romani “Eleganca e lotëve” ka shumë tragjizëm brenda vetes. Fate të rënda njerëzore, burgime të gjata, vrasje, urrejtje, dënime, persekutim brezash. Druajtje e frikë nga spiunët të cilët depërtonin deri në tryezën e ngrënies… Vajza e vogël rregjistron çdo gjë, çdo fjalë, çdo rrudhje buze apo vështrim i vrëngët. Dhe vë re shumë baltë. Shumë vuajtje. Autorja nuk shtanget aspak përpara gjithë këtyre mënxyrave. Fantazia e fëmijës, kujtesa e saj i shpërfill të tëra këto. Disa nga që nuk i kupton dot dhe të tjera nga që i kupton me tepëri. Herë mahnitet prej atyre kujtimeve e herë trembet prej tyre. Por nuk ndalet. Sepse vendin qëndror në kujtesën e saj e zë nëna, me besimin e saj në zot, me shpresën dhe “shqisën e gjashtë”, me kurajon dhe qëndresën, me besimin se “gjethet do të binin një ditë plotësisht”… Është pikërisht figura e nënës që ruan edhe raportet midis kujtimeve të mira dhe kujtimeve të liga. Aq sa të duket sikur zgjedhjen, seleksionimin e tyre e bën pikërisht shëmbëlltyra e saj.

Është e çuditshme ajo që ndodh me kujtesën e rrëfimtares. Por tashmë gjithçka është fakt i kryer. Kujtesa njerëzore priret të ruajë të mirën, të bukurën, çastet e lumtura. Dhe, njëkohësisht, të harrojë të ligën. Pak a shumë kështu funksionon. Në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdiijshme. Por në roman ka një prani të shtuar të kujtimeve të liga. Dhe kjo përbën atë gjënë e çuditshme. Rrëfimtarja i do kujtimet e saj. Të gjitha, të mira apo të liga qofshin. Madje këto të fundit, kujtimet e liga, duket sikur i ka më të çmuara. Kujtimet e liga ia kanë sulmuar trurin e rrëfimtares së ardhshme në mënyrë të pashembullt. Dhe për një kohë të gjatë, tepër të gjatë. Ndoshta asaj i duket se është rritur bashkë me ato kujtime të liga, të frikshme. E ndonjehërë, në mos shpesh herë, plot ankth. Por, çuditërisht, pa u trembur aspak prej tyre.

E mira shfaqej vetëm brenda familjes dhe vetë qënies së vajzës së vogël. E keqja, përkundrazi, ishte e shpërndarë kudo dhe të përplasej fytyrës sapo dilje nga pragu i derës. Të sulmonte, të fyente, të kallte datën. Por ajo e ligë reflektohej edhe brenda shtëpisë, brenda qënies tënde. Ajo ligësi shumëfishonte veten dhe sundonte gjithandej.

Ndoshta, shpesh herë, rrëfimtares, i është dukur se jetonte në dy jetë paralele. Një jetë brenda familjes dhe, veçanërisht, brenda vetvetes dhe jeta tjetër jashtë, në rrugë, në lagje e deri lart në qeveri, tejet armiqësore ndaj jetës së pare, aggressive, hakmarrëse, shtypëse. Kështu eci ajo midis jetës së saj të parë dhe të dytë, si të ecte buzë të humnerës.

Por fëmija nuk di ta vrasë mendjen aq thellë. Kështu që ajo i lë hapësirë në trurin e saj të dyjave, kujtimeve të bukura dhe kujtimeve të liga. Deri në momentin kur vendos t’i nxjerrë jashtë vetes për të krijuar sagën e pashembullt të memorjes së saj vitale. Rikujtimi i kujtimeve të bukura e lumturon sërish vajzën e vogël, tashmë grua. Kurse kujtimet e këqia, që kur kishin ndodhur e kishin lënduar, plagosur, ndrrydhur brenda vetes vogëlushen, ajo e dinte se tashmë, duke i publikuar, mund t’a plagosnin sërish. Por rrëfimtarja e kishte vendosur. Do të hakmerrej edhe ndaj plagëve të dikurshme dhe ndaj atyre të rejave. Pikërisht duke ua dhënë lexuesve kujtimet e saj, të mira e të liga bashkël. Kështu ajo beson se do të shërojë veten, njerëzit e dashur, por edhe tërë lexuesit e saj. Ajo shkruan kronikën e kujtimeve të saj. Por në këtë moment, sërish mund t’i mund ndodhte gjëma. Të shtangej, të trembej nga “zbrazja” e asaj të keqeje aq të dëndur, të pamasë, të stërmadhe, të shëmtuar, të pështirë! Por jo. Tashmë ajo jeton në liri, është e lirë. Ndihet e mbrojtur nga liria. Ajo vetë dhe kujtimet e saj.

Prandaj ne e kemi në dorë këtë roman sot. Me rrezatimin e dritës dhe shpresës, të të mirës, të të bukurës. Dhe, gjithashtu, me të keqen më të madhe, më të ligën armike të njerëzimit në shekullin e njëzetë, diktaturën komuniste.

***

Iris Halili dhe libri “Eleganca e lotëve”

Prof. dr. Albana Ndoja Deda

Do ta nis këtë përjetim (pasi kështu mendoj se është ky shkrim, përjetim më shumë, se analizë) me një poezi të Frederik Rreshpes, që mendoj se përmbledh komplet tonin, imazhin, ndjesinë që gjendet në librin më të ri të Iris Halilit “Eleganca e lotëve”.

Kështu gjithnjë

Je dukë pas luftave, anës shesheve të betejave,

Mes tymit të armëve të moçme, nën kështjellat pellazgjike,

Me rubën e zezë mbi sy, ti vije

Në heshtjen e mbasluftës, mbramjeve

Dhe thurje ngadalë, nën mjegullën e hollë që endnin yjtë,

Elegjitë epike.

Elegjitë epike me konstrukt të fortë

Si shpellat e viseve shqiptare.

Kështu u ngrite ti mbi karvanin e thinjun të bardëve,

Mbi kohnat e errëta plot krisma dhe klithma,

Me kangët e tua prej nane.

(AJKUNA, Duke kërkuar Itakën, Frederik Reshpja, Princi, 2016.)

Imazhi i Ajkunës, të cilën Frederik Rreshpja në këtë poezi e shkëput nga një kornizë me simbolikë kolektive të fiksuar, dekonstruktohet për të rindërtuar një simbol të ri me thelb human deri në dhembje. Është pikërisht kjo ndjesia që më mbeti në psihë, pasi lexova librin më të ri të kritikes e studiueses së mirënjohur dr. Iris Halilit.

Publiku e njeh zonjën Halili pikërisht nga botime të mëparshme të saj, të cilat kanë pasur të bënin me kritikë letrare, teori letërsie, apo edhe çështje që lidhen me lidershipin si koncept e si praktikë.

Botimi i fundit i saj “Eleganca e lotëve” është komplet i veçantë, për nga lloji e për nga ndërtimi. E themi këtë se, pavarësisht që ky tekst përbën një rrëfim intim, sipas saj (Këtë libër ia dedikoj asaj, gjyshes Ganimet Gjilani Fratari, të cilën përgjatë gjithë jetës e thirra “nëna” dhe kështu do ta quaj edhe në këtë rrëfim intim…), mendojmë se ky tekst i kalon caqet e një libri familjar kujtimesh (memuaristik), pra të një libri me narracion jo fikshën, bazuar në histori të vërteta të kujtimeve personale të autorit, pasi këto kujtime janë dëshmi e gjallë e një kohe historike, që do të mbahet mend në historinë tonë si holokausti i shqiptarëve, në përgjithësi e veçanërisht shtresës, për të cilën flitet në këtë libër, në veçanti.

Ky libër përbën në thelb kronikën e një kohe të marrë, të parë nga një ndërthurje zërash narrativë, nëpërmjet të cilëve dalin jo vetëm fakte reale familjare si dëshmi historike, po këto të fundit ndërthuren me analiza politike, sociologjike, psikologjike, psikanalitike, teologjike etj., të cilat të endura me një kanal specifik, ku nuk mungon ngarkesa figurative, duke e kategorizuar veten në atë që me të drejtë vëren edhe Visar Zhiti në parathënien e tij si “Letërsi e sirtarëve”.

Teksti organizohet në pjesë të veçanta, të cilat renditen sipas një koherence jo thjesht kronologjike, pasi në të nuk mungojnë analepsat e në raste të caktuara edhe prolepsa që projektohen në të shkuarën, të cilat në shumicën e rasteve janë mjeti ndërtues i kontrasteve kohore, psikologjike etj.

Nga pikëpamja e personazheve, natyrisht pika lidhëse e të gjithë këtyre pjesëve është nëna dhe familja, apo familja që nënkupton nënën, një lidhje metonimike e pazgjidhshme jo vetëm e kushtëzuar nga koha, po dhe e induktuar qëllimisht nga nëna/familja, si një institucioni i vetëm që siguroi mbijetesën fizike deri diku, po mbi të gjitha garantoi mbijetesën psikike në atë absurd dantesk.

Citoj “Familja është vendi ku thuhet çdo gjë, duhet çdo gjë dhe pranohet çdo gjë dhe ku çdo gjë jashtë mureve të saj është adaptim. Padashur apo me dashje gjyshja na rrënjosi dashurinë për familjen si institucioni i parë nga ku buron dhe duhet të mbijetojë dashuria dhe sinqeriteti. Ne ishim të persekutuar nga sistemi, por nuk persekutonim veten në familje, ishim të sinqertë dhe besnikë brenda saj dhe besoj se mbi shumë të tjera vlera që do t’i rrëfej më poshtë në këtë libër dedikuar nënës, kjo është trashëgimia më e madhe që kam nga ajo dhe për këtë e falënderoj çdo moment”.

E natyrisht që mizanskenat kryesore kanë lokacion shtëpinë e njerëzit e saj, të cilët autorja i paraqet përmes krahasimeve të renditura në një varg enumerativ me tone adhurimi ekstrem kështu: “Shtëpinë e kam parë gjithmonë si muret ku janë gdhendur gjithë kujtimet e jetës, dyshemetë ku kanë ecur të gjithë njerëzit e dashur, dyert ku shpesh kanë hyrë dhe dalë njerëzit e dashur apo të padashur, divanet ku janë bërë bisedat më të sinqerta, shtretërit ku janë parë ëndrrat më të bukura, apo janë formësuar trashëgimtarët që përcjellin gjakun e familjes”.

Po kush kishte qenë shtëpia dhe kush ishte tani ajo. Kontrasti jepet në një mënyrë mjaft origjinale, kur krahason arredimin në shtëpinë në Tepelenë edhe reliket e fundit të madhështisë së dikurshme të saj, me jetën e ofruar më pas.

Ndjesia e një sarkazme drithëruese, megjithëse e kamufluar me perceptimin e fëmijës, është therëse. Megjithatë kjo e fundit nuk perceptohet si mllef, po jepet me mjaft elegancë si fakt i gërshetuar me analizën e tij, duke kërkuar prej këtij procesi të gjejë të mirën mes së keqes dominuese: “E në të gjithë këtë varfëri dhe monotoni nuk di si nëna ime gjente të bukurën dhe fliste për të bukurën.” -thotë Halili.

Po vërtet ku e gjenin forcën për ta bërë këtë gjë këto gra, që kishin ngelur fare të reja me fëmijët, në kushte ekstreme?

Mendojmë se ky vitalitet stoik është tipar i qenies shqiptare e veçanërisht gjinisë femërore të saj. Ashtu si Lokja e Mjedës, që në momentet e humbjes së fëmijës gjen forcën të ngushëllojë të bijën, duke i referuar një realitet biblik, për ta zbutur traumën e saj e të vetes, ashtu edhe këto nëna me stoicizëm të paimagjinueshëm u përqendruan te ajo e bukur që nuk vriste, ose të paktën vriste më pak, të qepja e gatimi, pra te dedikimi absolut ndaj familjes.

Të dyja këto procese organizoheshin në shtëpi dhe u jepnin mundësi atyre të mos humbnin  kontaktin me botën jashtë, e cila ishte dhe e domosdoshme për t’u njohur e për të zbutur sado pak refuzimin.

Nga ana tjetër, ishin pikërisht këto zeje, nëpërmjet të cilave nënat përçonin finesën e jetës së shkuar dhe edukonin brezin që vinte, me traditën familjare dhe finesën femërore të grave dhe familjeve të kultivuara.

Ishin këto gra që nëpërmjet kultivimit të traditës familjare, përçimit të memories së saj dhe insistimit për studim, u munduan të shmangnin depersonalizimin dhe konvertimin në “njeriun e ri” të kohës, pjesëtar të fermës së re të kafshëve, të përgatitur me aq mjeshtëri nga diktatura nën diktatin e varfërisë e demagogjisë. Citoj: “Kjo varfëri i shkonte për shtat regjimit, pasi, kur njerëzit nuk kanë me çfarë të mbushin barkun, ata nuk kanë asnjë interes për të plotësuar nevojat e tjera psikologjike, intelektuale apo materiale”.

Po nënat si nëna Ganimet nuk lejuan që të paktën nipat e tyre ta kishin këtë fat. E këtë e arritën, veç të tjerash, nëpërmjet induktimit të dhimbsurisë e empatisë. Citoj : “Ato përralla ndërtuan personalitetin dhe karakterin tim, por mbi të gjitha nëna ime mes tyre ndërtoi tek unë atë që ajo e kishte aq shumë te vetja – edukimin e shpirtit me ndjeshmërinë më të lartë”.

E pra ajo kishte arsyet e gjithë botës që si Ajkuna e Eposit të mallkonte e shante ata, që e kishin lënë pa burrë në një moshë shumë të re, me djalin që sorollatej nga një burg në tjetrin pa asnjë faj, po thjesht se ishte pinjoll i një babai që përkrahu ideologji tjetër, e me një vajzë e dy mbesat, me të cilat rropatej nga një burg në tjetrin, në udhëtime që i ngjanin pelegrinazhit epik të hebrejve në shkretëtirë.

Jo ajo nuk e bëri këtë,- pohon Halili, po kishte gjetur një rrugë tjetër: dedikimin absolut ndaj familjes, sepse ndëshkimi i përkishte Zotit: “Nga toka e keqe ik, se po nuk prodhoi nuk ka për të prodhuar. Nga njeriu i keq mos ik, se e gjen nga Zoti!”-thoshte nëna.

Skena gati surrele, ku tri femra udhëtojnë më çanta të qepura vetë nga një burg në tjetrin, zbutet stilistikisht nga  fokalizimi i zërit tregimtar te Irisi e vogël e perceptimit fëminor të saj, megjithëse ky përzihet shpesh me perceptimet e Irisit të rritur.

Në këtë kontekst, me elegancë e fisnikëri në libër kornizohet një realitet alla Benini (te “La vita e bella”), ku një vajzë e vogël me çantë në shpinë, ngjitet malit për të shkuar në Qafë-Bari te daja. Gjatë kësaj rruge të pambarimtë ajo, veç dhimjes e cfilitjes, është e prirur të admirojë bukurinë e egër të natyrës, apo të interpretojë poezi në dhomën e takimit dajës për ta gazmuar atë.

Ndjesia e marrësit, pa diskutim një sarkazëm e tmerrshme, që besojmë se është bërë pjesë e trashëgimisë traumatike të këtyre brezave, pasi siç thotë Irisi: “Unë besoj se çdo trashëgimi është e vlefshme, se mbart brenda saj dashurinë, historinë dhe kujtesën e njerëzve të dashur”.

Në thelb teksti organizohet më së shumti në kuadrin e pasqyrave narcistike, ku sublimohet e mira dhe e keqja. Në rastin e parë ato janë pasqyrat koliqiane, ku Irisi “kërkon me u pasqyrue”. E në këto pasqyra ajo rreshton jo vetëm nënën, dajën, mamin, motrën, babin e pjesëtarë të tjerë të familjes, po edhe Sadikun, rojen e burgut që nuk futej në dhomën e takimit, shoferin e skodës që i çonte te burgu i radhës, apo timonierët e trenit të mallrave, që i morën në lokomotivë.

Në këto pasqyra pasqyrohen edhe personalitete mjaft të shquara të kësaj kohe, të burgosur dhe të internuar, të cilët vijnë me përmasat e tyre njerëzore të reflektuara nëpërmjet perceptimit konceptual e koheziv të fëmijës.

Kështu, në këtë galeri gjen At Zef Pllumin si prifti që i jepte karafila dhe e mbante mend edhe xhupin prej pellushi, që ajo kishte veshur në takimet me dajën, apo Drita Kosturin si shoqja e nënës, që pinte shumë duhan dhe tregonte historitë e luftës, Musine Kokalarin si refuzuesen e diktatorit, Pjetër Arbnorin që vinte ta vizitonte nënën çdo festë, pasi ajo i kujtonte nënën e tij, që e kishte humbur… etj., etj.

Natyrisht që në memorjen e fëmijës ishin edhe imazhet e Thanasit, shokut të dajës që kishte dëshmuar kundër dajës në gjyq. Madje titulli i pjesës (Xhaketa e Thanasit)  shfaqet si karrem policesk dhe, vetëm pasi mbaron pjesa, ajo receptohet si sarkazmën therëse, që sjell tradhëtia e shokut të ngushtë (Ditën e gjyqit të dajës, Thanasi që dëshmonte kundër tij, kishte veshur xhaketën, që ia kishte falur daja).

Po çfarë ishte gjithë ky mllef, gjithë kjo xhelozi. Natyrisht që nëna dhe të tjerët e dinin se komunistët kishin ardhur me moton “Ia marrim tjetrit që ta kemi vetë!”, megjithëse në popull proklamonin “barazitimin”, po nënat ishin aq të zgjuara, sa të kuptonin e t’u thoshin fëmijëve: “Barazitizmi nuk është humanizëm, këtë mos e harro. Ata nuk ishin humanë, ishin xhelozë e smirëzinj dhe këtë moral vendosën. Ndaj edhe rreth vetes frymëzuan njerëzit e tillë se sistemi jep modelin, më pas njerëzit përshtatin apo jo karakterin e tyre me të”.

Me shumë qartësi Halili dedukton atë fakt vrastar që edhe sot e kësaj ditë nuk është kryer, mungesën e faljes publike nga persekutori: “Edhe kur komunizmi u përmbys teorikisht në Shqipëri, këta ideatorë dhe familjet e tyre asnjëherë nuk shkruan një frazë pendese. Përkundrazi, deklaruan krenarë deri në fund se lufta e tyre e klasave kishte qenë e drejtë, ndonëse prej saj kemi trashëguar një shoqëri eksperimentale, e cila kopjonte çdo makabritet të kampit socialist, por që bëhej edhe më krijuese në aplikimet pa limit të formave që të shokojnë për nga forca dhe se deri ku mund të shkojë ligësia te qenia njerëzore”.

E fatkeqësisht fakti që komunizmi u përmbys vetëm teorikisht është lehtësisht i perceptueshëm akoma dhe sot. Jetojmë në një kohë kur është rritur niveli varfërisë në mënyrë të skajshme. Shoqëria jonë pothuajse nuk e njeh më shtresën e mesme, po veç atë të varfër dhe atë shumë të pasur. Korrupsioni galopant po gërryen financat e shtetit e shoqërisë. E gjithçka mbulohet me demagogji, e cila fatkeqësisht nuk ruhet të artikulojë edhe në mënyrë të hapur steriotipet e diktaturës si riaktivizimi i njësive, që vijnë nga ky kontekst ideologjik diktatorial si: “shok/shoqe”, “komandant” etj.

Simbolet komuniste shfaqen herë në kuadrin e lapsusit (siç është rasti i vënies së emrit të ish diktatorit në personalitetet e muajit tetor nga Parlamenti aktual), e herë hapur (shteti është barazuar me partinë, është ngritur në piedestal kulti i individit dhe nuk ka demokraci të brendshme partiake, Kryetari i Gjykatës së Lartë shkon në festa që evokojnë komunizmin dhe mban shallin e pionierit, simbol të turmave të shplara mentalisht nga demagogjia, kryetari dhe sekretari i Akademisë së Shkencave janë ish-funksionarë të lartë të diktaturës, kryeministri aktual deklaron në Parlamentin Shqiptar se është krenar për prindërit, që kanë qenë në anën e duhur të historisë etj., etj., etj.).

Ndërkohë pasardhësit e të persekutuarve zvarriten dyerve të gjykatave për pronën e pamarrë, apo dëmshpërblimin e saj, ose rrugëve të botës për mbijetesë.

Në këtë kontekst, mendojmë se libra të tillë kanë një vlerë të pamohueshme dhe janë të domosdoshëm në çdo kohë, veçanërisht për shoqëri të tilla të brishta e të traumatizuara deri në arketip si kjo e jona. Ato janë jo vetëm dëshmi historike, po edhe precedentë parajmërues se ku është arritur, në mënyrë që të parandalohet përsëritja.

Imazhet të tilla si nëna janë modele stoicizmi e humanizmi, që kanë garantuar vazhdimësinë e genit vetiak e atij kolektiv përmes mëshirës dhe dashurisë për qenien, pasi siç pohon me të drejtë Iris Halili: “Besojmë se njerëz të tillë, me një shkallë superiore të inteligjencës emocionale, është fat t’i kesh pranë vetes, pasi ata nuk janë të shumtë dhe janë si të zgjedhur të Zotit pranë njerëzve; janë orakujt e dikurshëm, janë profetët e kohëve moderne”.

***

“Eleganca e lotëve” e Iris Halilit do të ishte mirë të përfshihej në shkollat shqiptare

Arben Çejku

Përfundova së lexuari romanin – monografik “Eleganca e lotëve”, të autores Iris Halili, i cili sjell një kontribut esencial në prozën moderne shqipe dhe një histori realiste nga e kaluara diktatoriale e Shqipërisë.

Në qendër të rrëfimit të jashtëzakonshëm janë personazhe reale, të cilat kanë formësuar memorien e autores, por njëkohësisht përfaqësojnë simbolikisht edhe jetën e vështirë në realitetin absurd shqiptar të mijëra familjeve, të rrethuar me tela me gjemba dhe burgje politike e gulake internimi anekënd Shqipërisë!

Dy personazhet kryesore janë një grua zonjë me Z të madhe, Ganimet Gjilani Fratari dhe një zotëri po me Z kapitale, i biri, Hajredin Fratari, rreth të cilëve lëvizin edhe shumë personazhe të tjera, përfshi dhe vetë autoren, si një nga personazhet e treta më kryesore, e cila rrëfen nga këndvështrimi i një fëmije të pafajshëm dramën e një familjeje ku ajo rritet si dhe dramën e një shoqëria ku ajo vuan.

Brenda këtij trekëndëshi (Gjyshja-daja-mbesa) është përfshirë simbolikisht edhe shtresëzimi i brezave, të cilët mezi dolën gjallë e me dinjitet nga kthetrat e diktaturës. Ky trekëndësh personazhesh përfshin brenda vetes historitë e gjithë të tjerëve dhe lëviz nga fillimi i rrëfimit e deri në fund, si trekëndësh i palëkundur të shërben si gravitet për historitë e ngjarjet e tjera familjare e shoqërore.

E vlerësoj shumë stilin mjeshtëror të rrëfimit, një stil i thjeshtë dhe përmbajtësor që Iris e ka pothuaj në çdo faqe dhe mbi të gjitha çmoj guximin e saj artistik për të patur në roman figura reale me emrat e vërtetë – një himn mirënjohjeje dhe nderimi për njerëzit e saj dhe té gjithë ata që komunizmi i dënoi, denigroi, izoloi dhe varfëroi vetëm e vetëm se dikur ishin familje të nderuara të Tiranës, Durrësit, Korçës, Shkodrës, Gjirokastrës, Mallakastrës e gjithë Shqipërisë.

Hajredin Fratari është gdhendur në këtë roman si personazhi kryesor i historisë, rreth të cilit luhet drama më e madhe e gjithë familjes dhe “shetitjet” e tij nga njëri burg në tjetrin dhe kalvari i torturave nga njëra qeli në tjetrën, tregojnë një realitet që sot duket i pabesueshëm, por edhe duke na njohur me një karakter të pavesueshëm në pathyeshmërinë e tij përballë torturave dhe i dashur deri në lot përballë nënës dhe mbesës së tij, kur e takonin në burg.

Qëndrueshmëria, krenaria, mençuria, patriotizmi, atdhedashuria, lufta për liri dhe dinjitet njerëzor, vizioni për një Shqipëri demokratike dhe ekonomi të lirë tregu, e bëjnë këtë personazh të duket si një kandil drite në mes të asaj errësire të regjimit komunist. Ai mban në dorë pishtarin e besimit se një ditë do të dalë në liri, se do të triumfojë e mira mbi të keqen, drita mbi errësirën.

Nga drita e këtij personazhi, sikur merr pak ndriçim edhe fytyra e nënës së tij, sa herë ajo ka nevojë për pak shpresë, sa herë ajo ka nevojë për pak besim!

Nga ana tjetër, si një bletë e vogël, autorja-fëmijë, kalon sa tek gjyshja, daja, prindërit dhe njerëzit e tjerë përreth saj, mes të cilëve shkëlqen edhe At Zef Pllumbi etj dhe mbledh gjithë kujtimet e tyre, për t’i sjellë me mjeshtëri artistike para lexuesve sot. Disa nga personazhet nuk jetojnë, por po ta dinin ata se një ditë do të “ringjalleshin” artistikisht kaq bukur nga pena e Irisit, mbase do i tregonin vogëlushes pak më shumë histori…

Duke mos përdorur shumë teknikat e fantazisë letrare, por mjetet stilistike të rrëfimit në prozë, Iris Halili, ka sjellë tek ne një sagë tipike shqiptare, e cila mund të konsiderohet si një ndër prozat e para, që ka si personazhe letrare figura historike reale!

Historia e familjes Fratari, një familjeje patriotike dhe kontribuese në historinë tonë kombëtare, është edhe historia e shumë familjeve të ngjashme, të cilat u persekutuan vetëm sepse një anonim si E. Hoxha, donte të ishte vetë historia dhe vetë historiani i kohës së tij. Por, siç e rrëfen me mjeshtëri Iris, këto familje, intelektualët dhe patriotët si Dine (Hajredin) Fratari etj, thjeshtë u mbuluan për disa kohë me pak hi e sigurisht me lot vuajtjesh mizore, por kur fryu era e demokracisë dhe lirisë, hiri iku e loti shkëlqeu duke rikthyer fisnikërinë e fshehur dhe sot kombi shqiptar u shpreh mirënjohje gjithë atyre për aq sa bënë për vendin e tyre.

“Eleganca e lotëve” do të ishte mirë të përfshihej nëpër shkolla, me qëllim edukimin e brezit të ri me virtytet më të larta, të cilat gjenden tek personazhet e këtoj libri. Por, njëkohësisht, libra të tillë sjellin para nesh një realitet dramatik të kohës së kaluar, i cili ngjan me një tablo surrealiste, për nga dhimbja dhe dëmi që i shkaktoi vendit.

Librat si “Eleganca e lotëve”, as nuk ia kompensojnë vuajtjet dhe as nuk ia rikthejnë rininë e dergjur nëpër burgje një personazhi si Hajredin Fratari, e as nuk e rikthejnë jetën nën panik e vuajtje të vetë Irisit, por kur ata lexohen nga brezi i ri, të paktën do t’i ndihmojnë ata të kuptojnë se e kaluara komuniste nuk duhet glorifikuar e aq më keq, nuk duhet përsëritur.

“Eleganca e lotëve” është shkruar me një stil artistik të veçantë duke na sjellë para syve me shumë elegancë historinë e një familjeje të nderuar, e cila mbijeton me dinjitet në një nga rrathët e ferrit komunist!

Përfund do shtoja se, pikërisht nga mungesa e librave të tillë dhe e pasqyrimit të plotë dhe pa hile të së kaluarës sonë diktatoriale, sot kemi ende në politikë dhe deri diku në mentalitetin shoqëror elementë dhe shfaqje të modeleve moniste dhe autoritariste.

Nuk është thjeshtë nostalgjia, por është përdorimi praktik i retorikës dhe metodave politike të së kaluarës, që edhe sot po kërkojnë të mbajnë peng të ardhmen e fëmijëve tanë!

***

Vlerat universale të librit “Eleganca e lotëve” të dr. Iris Halili

Pajtim Sejdinaj

1.

Kur e mbarove së lexuari librin u mbusha me frymë nga fryma e personazheve të librit. Dhe në fund kuptova se autorja Irisi Halili ka sjellë në letërsisë shqipe një “kryevepër”, analizën dhe gjykimin e së cilës do ta bëjë jo thjesht si lexues, por si ish-mësues letërsie.

Autorja e librit thotë “ia dedikoj Ganimete Gjilani Fratari (gjyshes) ku gjatë gjithë jetës i thërrisja NËNË”.

Në planin individual ka të drejtë sepse ato e kanë shoqëruar njëra-tjetrën në rrugët e vështira të jetës ku kanë kaluar. Nga kjo pikëpamje libër s’shtjellon vetëm biografinë e personazhit kryesor, por autobiografinë e gjurmëve të narratueses. Por kur e mbaron librin së lexuari, kushdo e kupton se libri e ka kaluar rrethin e ngushtë biografik dhe elementët e një autobiografie duke marrë e duke i përgjithësuar ato nëna, gjyshe e gra, të gjithë ato vajza, femra që kanë patur fatin e personazheve që gjallojnë në libër.

Pse libri ka vlera universale?

Libri ka vlera universale si në formë dhe në përmbajtje.

Në formë autorja ia lë për ta nënkuptuar lexuesi dhe ta përcaktoj statusin e librit në bazë të shijeve estetike të tij, domethënë një lloj romani historik, artistik, social, psikologjik, filozofik në modelin e prozës të Kafkës, Kamysë, Frojdit etj. Pra personazheve të saj (megjithëse janë njerëz realë) u jep tiparet e personazheve të këtyre autorëve, duke qenë dhe vetë narratuese e ngjarjeve. Ajo përshkruan me nota rrëngjethëse pasazhe dramatike dhe tragjike në libër. Përvoja e saj si hulmtuese dhe studiuese e letërsisë botërore dhe në veçanti e këtyre autorëve e bëjnë librin më tërheqëse për lexuesin.

Ajo ka sjellë në prozën shqiptare një lloj risije në rrëfimin e saj. Ka një gërshetim të tipareve të prozës biografike me atë autobiografike, të përafërta me ditarin duke prishur rregullat e rendit kronologjik të tyre. Duke qenë vetë rrëfyese ku mbante brenda shpirtit një ngarkesë dramatike me elementë tragjikë ku ajo donte ta shkarkonte diku. Pra ngjarjet do t’i ndaj me dikë. Dhe ai është lexuesi i sotëm.

Libri i ngjan një ditari në hapësirë dhe në kohë. Koha e rrëfimit është e shkuara, gërshetuar me të tashmen. Rrëfyer nga një vajzë e mitur që është dhe vetë pjesëmarrëse në udhëtimi real të “Ferrit” për të takuar “Promoteun”.

Nuk mund të imagjinosh dot tronditjen shpirtërore të një vajze të vogël gjatë këtij udhëtimi që ka brenda dhimbjen shpirtërore të nënës për djalin, të motrës për vëllain apo të mbesës për dajon.

Është një fakt interesant dhe real në libër që sjell rrëfimi brilant i një vajze 12-vjeçarje me një kujtesë të adhurueshme që i ingjan një kameramani ku ka fiksuar çdo detaj, çdo pasazh, çdo moment, çdo gjurmë që linte e ëma dhe gjyshja në këtë udhëtim. Ajo shkelte në gjurmët e tyre të lagura nga lotët margaritarë. Udhëtimi i tyre kalonte nëpër rrugët e “Ferrit” për të mbërritur atje ku ata të paudhët mbanin në pranga Promoteun. Sa në një cep dhe në cepin tjetër të “Ferrit” d.m.th sa në Ballsh, Qafë-Bari, Zejmen e gjetkë. Por “Promoteu” mbijoi. Ato e panë me sytë e tyre kur ai u kthye i sfilitur, por me kokën lart duke fituar lirinë.

Në libër përshkruhen torturat, tmerret, dhuna ndaj ëngjëjve që kërkonin për ta shpëtuar popullin dhe vendin e tyre nga humnera e “Ferrit”. Këta ëngjëj janë përshkruar me nota të dhimbjes së bukur, rrëke lotësh, malli të djegur, të një dashurie që s’venitej kurrë, të një shprese që çel si lule dhe vaditje nga “Liqeni i lotëve”.

Këto skena rrëngjethse vajza e vogël 12-vjeçare i kishte fiksuar në kujtesë duke sjell për herë të parë “Inteligjencën Artificiale” në këtë vend të shumëvuajtur. Dhe për t’i hapur kanatat e kësaj “inteligjence” mbas 40 vjetësh. Kur ajo e kuptoi se “Ferrit” i duhej çjerrë maska. (Ata që e kishin për detyrë për të ua çjerrë maskën Ferrit s’po vinin dorë).

Mbresat, copëza të këtij udhëtimi autorja i ka kthyer në legjenda, anekdota, mite, rrëfenja për t’u mbajtur mend nga lexuesi dhe ata t’u tregojnë brezave dhe për t’i lënë ato si trashëgimni. Këto vijnë si episode dhe që fiksohen në kujtesën e lexuesit. Nga kjo pikëpamje libri “Eleganca e lotëve” bëhet pronë:

– E një nëne që duhet të dijë se ç’është dashuria për fëmijët, t’i rris dhe edukojë ata për të mirën e vet dhe kombit.

– Për gjyshërit që duhet të mësojnë se ç’është dashuria për “Hojin e Mjaltit”.

– Për çdo grua që duhet të mësojë se familja dhe dhe fëmijët janë drithërima e shpirtit.

– Për çdo fëmijë që duhet të mësoj gjuhën e bukur të nënës që është gjuha shqipe.

– Për çdo burrë që duhet të mësoj se s’duhet të dorëzohet para mëkatarëve në mbrojtje të indititetit të familjes, at-mëmedheut, lirisë dhe paqes.

Titulli metaforik “Eleganca e lotëve” është një ’emblemë’ ku eleganca është bukuria e heroinave të udhëtimit dhe “Promoteut”.

Lotët janë lulet e shpresës që vaditen nga liqeni i lotëve dhe s’thahen kurrë.

Në libër krijohet një konteast i fuqishëm midis bukurisë që përshkruan autorja (ku tregojnë edhe fotot) dhe të ultës, të shëmtuara që e gjejmë në “Ferrin” e krijuar nga Diktatura.

Mendoj se libri mund të përdoret si pjesë e teksteve të gjuhës shqipe dhe letërsisë për vlerat e tij gjuhësore dhe artistike.

2.

Për ta kuptuar në thelb dhe në detaj për çdo episod mendoj se libri duhet lexuar me vëmendje ose duhet të rilexuar disa herë. Për të kuptuar të kaluarën, për të shijuar të sotmen dhe për të mendituar për të ardhmen. Sidomos për lexuesin që ka lindur mbas viteve 1990. Për të gjithë grup-moshat, por më e veçanta për seksin femër. Për të kuptuar se ç’është jeta, si duhet guxuar ta jetosh ashtu si të vjen dhe për ta sfiduar atë. Nga leximi i vëmendshëm i librit zbulon të gjitha sekretet e jetës tënde si lexues. Nga pikëpamja e risive autorja kërkon të zgjojë nga gjumi studiuesit dhe toricienët e letërsisë për prurjet e reja, në të njëjtin libër, për lloje të ndryshme të gjinive letrare të letërsisë. Si lexues e kam emërtuar “libër” sepse gjej aty prozën, tragjedinë, komedinë, farsën, tekstin poetik etj.

Libri është i ndarë në pjesë ku secila qëndron si lloj letrar më vete. Vlerësimi i tyre varet  nga gjykimi dhe shija estetike e lexuesit ku ai mund ta konsiderojë roman (ku përcakton dhe llojin e romanit historik, filozofik, biografik, autobiografik, social-psikologjik etj…

Libri përcjell një sërë vlerash artistike të mirëfillta.

Provoja e autores si studiuese e shkencës së letërsisë si dhe disa librave të botuara në sensin kritik në zbulimin e risive të letërsisë së sotme, që e shkëput atë nga letërsia soc-realiste si në formë dhe përmbajtje, e ka bërë atë të sjell para lexuesit një format të ri libëri që i ka munguar letërsisë shqipe.

Libri hapet me një parathënie brilante nga poeti dhe bashkëvuajtësi i shumë  personazheve të librit “Elegancnca e lotëve”, pra Visar Zhiti. Edhe ai ka jetuar orët e pritjes të udhëtimit drejt rrugëve të “Ferrit” të njerëzve të tij më të afërt për të takuar “Promoteun e tyre”. Të gjithë të afërmit e bashkëvuajtësve udhëtonin rrugëve të “Ferrit” për të takuar “Dragonjtë e lirisë”.

Visar Zhiti i thotë lexuesit: Ky libër është një libër metonimik, ku çdo personazh që trajtohet me emër në libër është real. Ku kanë jetuar  në botën njerëzore të Ferrit bashkë me katilët brenda mureve të tij, të cilët i ngjanin me “njerëz të  botës  shtazore”.  Personazhi është një përfaqësues i të gjithë bashkëvuajtësve  brenda honit të ‘Ferrit’. Të cilë u rezistuan torturave ç’njerëzore të katilëve të “Diktaturës” duke e sfiduar atë në kërkim të Lirisë, Paqes dhe Dashurisë për At-mëmëdheun. Edhe personazhet e tjera realë, me emër janë përfaqësuese të qindra dhe mijrave nënave, motrave, grave, fëmijëve që udhëtonin udhëve të “Ferrit” për të takuar njerëzit e zemrës me shpresë se lotët e derdhur do të vadisnin  lulet e shpresës. Shpresa asnjëherë s’u venit. Përkundrazi ajo lulëzoi duke çelur lulet e amanetit të brezave të mëparshëm. Të gjithë atyre që u vranë nga “Diktatura” sot s’kanë një varr që pasardhësit t’u çojnë një tufë lule.

Ata morën bukurinë e krahëve të pëllumbit dhe zemrën e tij, fluturojnë të lirë në “Tempullin e Martirëve” dhe kanë besimin e Zotit se “e ardhmja do të jetë me e ndritur”.

Parathënia e tij është një paralajmërim dhe një “shtytës” për lexuesin, duke përciell tek lexuesi ndjesinë emocionale që do të gjejë gjatë leximit dhe duke i dhënë mesazhin: “Ky libër duhet të lexohet me vëmendje dhe me lotë në sy. Ndodhitë që shtjellohen ju kanë ndodhur edhe juve i dashur lexues ose të afërmve tuaj kushdo moshe qofshi”!

Libri përbëhet nga 31 episode, ku çdo pjesë merret si një gjini letrare më vete ku statusin e gjinisë e përcakton vet lexuesi për çdo pjesë. Ato u ngjanë palëzave të fiqve apo tespijeve të lidhura në një pe të vetëm. Por kanë të përbashkët një lumë të nëndheshëm që përshkruan fund e krye librin “Eleganca e lotëve”. Ky lum është guximi, kurajoja, vullneti, sinqeriteti, humanizmi, dashuria, çiltërsia, zgjuarsia, bukuria e personazheve që gjallojnë në libër. Janë personazhe të gjalla, të jetuar në kushte dhë rrethana absurde.

Karakteristike në libër është se mungon “trillimi artistik”. Gjallërinë, bukurinë, tmerrin, të shëmtuarën na e japin personazhet femra. Që është libri i parë në letërsin  shqipe me një larmi kaq të madh të personazheve femra. Ato i japin jetë dhe gjallëri rrëfimeve të autores.

Lexuesin gjatë gjithë rrëfimeve e shoqëron një vajzë e vogël që është vetë pjesëmarrëse në ngjarje. Ajo kryen rolin e një ciceroni në këtë muze të madh, historik, etnografik, gjuhësor, folklorik, etnokulturor, enciklopedik dhe njerëzor. Ajo tregon në një kohë të tashme për një kohë të shkuar duke qenë vetë pjesëmarrëse në të shumtat e ngjarjeve të ndodhura në libër.

Personazhet e saj të trajtuar në libër janë njerëz konkretë, të njohur në jetë gjatë rrjedhjes së historisë. Me emrat zhveshur nga makiazhet, pa lustra, pa figura të rënduara artistike,pa trillime por ashtu si i ka krijuar Zoti dhe i kanë njohur njerzit në jetën e tyre. Pra këta personazhë janë autoktonë shqiptarë, bij dhe bija të at- mëmëdheut.

Protogonistë në jetën shoqërore, por edhe politike. Këto personazhe janë “mitizuar” për vlerat që i kanë dhënë shoqërisë si Pjetër Arbnori i quajtur “Mandela Shqiptare” për vitet e jetës të kaluara në burgjet e diktaturës, Musine Kokalari, At Zef Pllumi, Drita Kosturi apo Ganimet Gjilani Fratari, etj. Në larminë e madhe të personazheve femra bie në sy fati  intelektual i përbashkët i tyre, ku autorja i ka përshkruar me mjeshtëri artistike që bëjnë lexuesin të ndjej keqardhje dhe të mbushet me krenari për to. Të gjitha së bashku dhe veç e veç ato guxojnë të mbrojnë dinjitetin, personalitetin dhe nderin e tyre; ato simbolizojnë nënën, motrën, gruan, shoqen, femrën në shoqëri që i duhet kohës dhe që lufton   për të  mbërritur te “Njerëzorja”, cilësi që i mungojnë shumë shoqërisë sonë së sotme dhe që i japin librit vlera universale. Po analizoj tre nga personazhet kryesore të librit.

Zonjën-Nënë, Ganimet Gjilani Fratari!

Figura e saj është mitizuar në rolin e Andromakës së antitektit në mbrojtje të familjes dhe fëmijve të saj. Duke u bërë simbol për çdo nënë, për çdo grua, për çdo vajzë në të gjitha kohërat që do të bëhet Nënë. Ajo është përshkruar me mjeshtëri artistike nga autorja, por unë do të veçoja guximin, kurajon, sakrifikimin e jetës së saj për të rritur fëmijët në kushtet e një fati që sjell jeta. Lexuesi e dallon qartë mesazhin e saj: “Familja dhe fëmijët janë gjëja më e shtrenjtë në jetë. O njeri, mos vër dorë të vjedhësh statusin e nënës, të familjes, të fëmijëve se ke shkatërruar Kombin tënd! Pa familje s’ka komb! Pa nënë s’ka jetë!Pa fëmijë s’ka të ardhme! Mesazh që mbetet aktual për brezat. Nënat s’kanë “biografi”! “Biografinë” e tyre e shkruan vetëm Zoti.

Musine Kokalari

Mitizimi i saj në hapsirë dhë në kohë mbetet për t’i thënë ndal martesës brenda genit (Diktatori i kishte propozuar për martesë, por ajo nuk pranoi). Në mbrojtje të traditës arbënore. Çdo lexues e nxjerr vetë mesazhin e kësaj heroine në mbrojtje të vlerave të femrës shqiptare. Portreti i saj është skalitur si një “Perlë” nga autorja.

Drita Kosturi, gruaja me bastun

Është pjesa më rrëngjethëse e librit. Autorja përshkruan brenda pjesëve momente tragjike. Duke krijuar drama shpirtërore dhe keqardhje në zemrën e lexuesit.  Kjo pjesë është një “tragjedi e jetës njerëzore”. Autorja ka patur fatin ta takojë dhe të bisedojë vetë me këtë heroinë, ku çdo fjali është një skenë, çdo paragraf është një akt i tragjedisë. Ku vetë pjesa është tragjedi e dhimbjes. Lexuesit në memorjen e tij i ngulen si gozhdë torturat ç’njerëzore të bëra nga dy diktaturat më të tmerrshme të njerëzimit, ajo fashiste dhe komuniste tek kjo femër. Urrejtja e lexuesit s’njeh kufi ndaj këtyre sistemeve makabër. Interesante është bastuni që kjo heroinë në vitet 90-të e mbante si shok për ta ndihmuar të ecte në këmbë. Dhe në një podium u drejtohet të pranishmve: “Merreni! Hajdeni më jepni së pari një dru mua se unë isha një ndër ato që ua solla komunizmin! Pastaj të flasim për krimet e tij”!…

Lexues i dashur si shokë, si bashkëlexues të kësaj tragjedie njerëzore po ta lë ty të shprehesh për këtë grua, për këtë heroinë. Ajo u ngjiz, u “mitizua” në zemrën dhe shpirtin tim përmes lotëve dhe dhimbjes së madhe. Kaq mjafton për të parë fytyrën e vërtetë të Diktaturës. Hijenat e tyre kurrë s’u penduan. Ajo mbeti një heroinë, një simbol i femrës shqiptare përball torturave dhe akteve ç’njerëzore të Diktaturës Fashiste dhe Komuniste. Ajo ishte e para femër që mbërriti te “Njerëzorja”. Duke u kthyer në legjendë për brezat e ardhshëm.

Në libër më ka tërhequr vëmendjen një personazhe me emrin Anila, të cilës iu mohua e drejta për t’u arsimuar për arsye se ajo ishte e mbesa e “Armikut të popullit”, Rauf Fratari. Ajo në libër mbetet historia e qindra-mijra vajzave dhe djemve që kanë patur fatin e saj.

Në fund të librit të gjithë së bashku bashkëvuajtësit ia dualën, shpëtuan nga kthetrat e katilëve, por fajtorët s’u ndëshkuan në këto 35 vite. Të paktën të bënin atë që bëri publikisht “Gruaja me bastun” për të pastruar ndërgjegjen e tyre dhe jo për hakmarrje.

O Zot “mëkato” ata që ka bërë krime ndaj njerëzimit!

***

“Eleganca e lotëve”, rrëfime dhe analiza psikologjike nga dr. Iris Halili

Eqerem Canaj

Duke marrë në duar librin “Eleganca e lotëve” të autores Halili me dëshirën dhe pretendimin se mund të jepja ndihmesën time modeste autores, në fakt ndjej se hedh mbi vete një peshë të rëndë, kjo për arsyen e kohës së shkurtër, për kulturën që reflekton autorja përmes këtij botimi, pse jo edhe për vlerësimin e kësaj vepre nga një penë e shquar shqiptare, siç është shkrimtari Visar Zhiti apo nga interesimi maksimal i Prof. dr. Bardhosh Gaçe, një studiues i shquar me popullaritet të gjerë.

“Eleganca e lotëve” del nga një pikturë e protagonistes, realizuar nga një hebre në kohën e holokaustit, kur ai gjeti mbrojtje dhe strehim në familjen e saj, në shtëpinë e tyre dhe në këtë libër.

Mendoj, qysh në fillim, se ky botim i plotë prej 206 faqesh, përbën të veçantën e padiskutueshme, jo vetëm për ne, për letërsinë qytetare vlonjate, patjetër edhe më gjerë. Këtë e bën të tillë jo fakti pse autorja jeton e punon në ShBA pedagoge, studjuese për letërsi, psikologji dhe atë të lidershipit, por, pa ekuivok, lënda e trajtuar me një mjeshtëri prej profesionisti, me gjetje të atilla që të befasojnë, ndonëse edhe mund t’i dish, argumenti social – historik, të pajetuarën ta bëjnë prezente, befasuese dhe të tmerrshme në situata të tjera. Për mendimin tim, nuk kemi të bëjmë me rrëfime dhe analiza të thella ideoestetike, tunduese që ta ngrënë zemrën peshë, zgjidhjen e së cilës lexuesi e bën vetë, pa formulën e autorit.

Për konkretizim, nga tërësia lëndore e kësaj pasurie letrare në duart tona, prej rreth 30 tregimesh, mund të përmendim të mirërealizuarat, si: “Kalaja e pashait dhe zonja nga qyteti”, “Turistët e Ballshit”, “Aventurieri i Musine Kokalarit”, “Nuk të bën paraja”, “Terapia në familje” etj.

Nisur nga një lexim – vështrim tërësor “Eleganca e lotëve” të autores Iris Halili, thelbi substacional i librit është njeriu dhe burgu, shprehur qartë, autorja nuk derdh lotët para hekurave të kryqëzuar, as mbledh – grumbullon lotët e nënave, grave nga këllqet e viktimave, që sfidojnë mbi torturat çnjerëzore…

Autorja burgun e zbulon brenda familjes, në vetë të ashtuquajturën ndërgjegje – ndërgjegja e barazisë: shkatërrimi i ndërgjegjes, e zbulon dhe ndëshkon burgun në gjirin e shoqërisë së kohës, në vetësistemin diktatorial, në ushtri, te populli ushtar…

Pra, koncepti burg – burgimi, autorja e vështron më në gjerësi e thellësi po aq, jo si magazinë – haure kafshësh apo njerëz – kafshë, ku haet vdekja me të gjallin, kur i burgosur shfaqet – shfaqen ata mijëra – miliona jashtë hekurave të burgut fizik.

Lind pyetja, pse autorja, si titull drejtues ka përdorur metaforën “Eleganca e lotëve”, kur, thjesht, mund ta titullonte “Lotët e burgut”…

Mendoj se autorja, kjo personalitete e letrave shqipe, bukurisht dhe realisht ka vendosur raporte të drejta midis bëmave dhe bëmatarëve: NJERIU, në qendër është ai i cili kryen vepra njerëzore a çnjerëzore. Dhe, sipas mendimit tim, ky raport është krahu i fuqishëm i levës, ku vepra letrare, kapitull pas kapitulli, nga fillimi deri në fund, si një fill i kuq, përshkohet prej një analiza logjike, falë edhe profesionit që zotëron.

Kësisoj, pjesë pas pjese, vepra rrezaton dritë nga drita e kohës në lëvizje, duke sjellë si shembull rrëfimet e mëposhtme: “Vizion sureal në burgun e Zejmenit”, “Burrat e burgut të Burelit”, “Pjetër Arbnori dhe nëna”, “Shqisa e gjashtë”, “Gjethet e rëna të dimrit 1990” etj.

Duke u kthyer te vlerësimi i veprës, shkrimtari i shquar, Visar Zhiti, nënvizon: “Parandjenja e kujtesës qe një forcë e brendshme që do t’i ndihmonte brezat e ardhshëm të saj të përballonin të kaluarën dhe të mbijetonin më përtej”…

Vlerësim domethënës për bashkëkohësit lexues për ta kuptuar “Elegancën e lotëve”, si një vepër me vlera aktuale dhe larg shablloneve e mediokriteti që haset shpesh.

Vlorë më 19. 11. 2025.

***

Iris Halili dhe libri “Eleganca e lotëve”

Kozeta Zavalani

Dedikim për autoren Iris Halili e librin “Eleganca e lotëve”


Në faqet e këtij libri,
lotët marrin formën e dritës
ato nuk bien, por vezullojnë,
si rruza shpirti që zhbirojnë errësirat
dhe i kthejnë plagët në art.

Çdo kapitull është një frymëmarrje,
një harfë e brendshme
që dridhet ndër gishtat e kujtimeve,
ku dhimbja ka mësuar të ecë
me hapat e heshtur të elegancës.

Në çdo fjali
rri zgjuar një grua
që nuk thyhet,
por rrit me butësi
atë forcë të padukshme
që lind vetëm kur shpirti
ka qarë mjaftueshëm
për të kuptuar veten.

“Eleganca e lotëve”
është jo thjesht një libër,
por një pasqyrë e brendshme
ku secila prej nesh gjen
një grimë të shpirtit të vet:
një plagë, një rikthim,
një dritë që del nga errësira,
një buzëqeshje që ringrihet
mbi ujin e qetë të ndjenjave.

Në kapakun e librit, “Eleganca e lotëve”, ende pa e hapur,
ndiej frymën e një bote që përdridhet lehtë,
si një petal nate
që dridhet mbi ujin e kujtimeve.
Në titullin e tij ka një thirrje të butë,
një shenjë e padukshme
që të fton të zbresësh
në galeritë e shpirtit njerëzor—
aty ku lotët nuk janë dobësi,
por shkëlqim që depërton errësirën.

Kur e hap librin,
një kandil i brendshëm ndizet.
Fjalët vijnë si hapësira të shenjta
ku dhimbja ecën zbathur,
me fisnikërinë e atyre
që e kanë mësuar vuajtjen
jo si mallkim, por si udhërrëfim.

Në çdo paragraf,
e dashur Iris,
ti ke gdhendur një dritë të re.
Lotët, në dorën tënde si shkrimtare,
bëhen yje të vegjël
që shndrijnë vetëm për ata
që guxojnë të lexojnë me zemër.
Ti u ke dhënë atyre një elegancë
që rrallë gjendet në letërsi—
atë lloj elegance që lind
kur shpirti thyhet dhe rilidhet,
si një qelq i çmuar
që pas krisjes bëhet edhe më i pastër.

Në rrëfimet e tua
ka gra që heshtin me dinjitet,
burra që mbajnë brenda stuhi të pathëna,
dashuri që digjen pa bërë zhurmë,
dritare që hapen në mes të natës
për t’i dhënë botës një dritë tjetër.
Ti i kaplon të gjitha,
si një violinë që e njeh mirë dridhjen e shpirtit,
dhe çdo tingull
bëhet një ndjenjë që na prek thellë.

Sa herë fjala prek një plagë,
ajo nuk ther, por mjekon.
Sa herë prek një kujtim,
ajo nuk e zgjon trishtimin—
Por e kthen në urë që na çon
nga humbja te kuptimi,
nga vuajtja te pajtimi,
nga nata te agimi.

Ky libër
nuk lexohet thjesht,
ai përjetohet.
Ai të ndjek nga pas,
të ndriçon ditët e mjegullta,
të mëson se ka një stoli
në çdo dhimbje të ndershme,
dhe se lotët,
kur bien me dinjitet,
bëhen perlë e shpirtit.

Librin e mbyll
dhe më mbeten në duar
aroma e një trishtimi fisnik
dhe ngrohtësia e një kuraje gruaje—
si një ylber që ndërtohet
në lot, që s’ka mësuar
kurrë t’i përkulet dhimbjes.

“Eleganca e lotëve” është rrëfimi i atij tingulli—
një libër që s’e harron lehtë,
sepse të mëson të ecësh
me kokën lart,
edhe kur sytë janë të ti na dhurove më shumë se fjalë
na dhurove dritë.
Ti ke shndërruar dhimbjen në art,
lotin në simbol force,
heshtjen në muzikë të brendshme.

Në çdo faqe ndjeva prekjen e një shpirti që di të shërojë,
di të ndriçojë errësirat,
di të flasë me zemrën e lexuesit
me atë butësi që vetëm shkrimtarët e vërtetë e zotërojnë.

Fjalët e tua ecin me elegancë
si gurë të çmuar të hedhur në ujë,
që krijojnë rrathe ku përfshihen kujtime,
dhimbje, dashuri dhe prani njerëzore.
Nëpërmes tyre, ti na ke treguar
se forca më e madhe është ajo që shfaqet
kur shpirti, edhe pse ka qarë,
vazhdon të ngrihet me dritë.

Të falënderoj për këtë libër
që prek thellë, që qëndron gjatë,
që flet me zërin e brishtë të shpirtit njerëzor
pa humbur asnjë grimë dinjiteti.
Me ty, loti bëhet art
dhe eleganca merr formë fjale.

Uroj që drita jote krijuese
të vazhdojë të rritet,
të zgjerohet, të na pushtojë,
aq sa çdo libër i ardhshëm yt
të jetë një dritare e re për shpirtin e lexuesit.

***

Përtej rrëfimit, humanizmi “sui generis” gjallon përmes dashurisë, në romanin autobiografi, “Eleganca e lotëve”

Emi Krosi

Kur e mbarova librin, që ndoshta është libri që kam mbajtur më gjatë në dorë, jo për arsye të librit, por nuk di pse po më shijonte duke pirë kafe. Një libër, me një “mbulesë” të dëshmisë historike, por unë e quaj roman historik, që rrëfen për autobiografinë apo autorrëfim, përmes: a) autobiografi, b) rrëfim socio-kulturor, c) apo rrëfim historik, një rrëfim ku ndërthuren, tradita, zakone, përmes jetëshkrimit rreth të vetvetes. Një rrëfim, prej një vajze përmes kujtimeve, për gjyshen-nënën e saj udhëve të burgjeve dhe kampeve, në botën totalitare.

Një rrëfimi brenda rrëfimit, që sendërton:

historinë, si dëshmi që lidhet me hebrejtë dhe fatin e tyre,

fate njerëzorë që kryqëzohen brenda shtresës së historisë, ajo e dëbimti të hebrejve nga

nazizmi dhe fati i një familjeje atdhetar, nga dënimi i komunizmit,

ngërthimi i diktaturave, por në kohë dhe vende të ndryshme,

çlirimi i dashurisë si energji e mirë, për ruajten e shpirtit të njeriut, kundër zhbërjes, nën diktaturë.

Rrëfimi përmes 31 tregimeve, që vetetëvetiu lidhen si një fabul e paqtë, e qetë, ku revolta e një adoleshenteje zien deri në vlim, por pastaj qetësohet si një stuhi, kur potreti i nënë-gjyshes, “Eleganca e lotëve”, shpluhuroset dhe ajo “thur” fabulën e jetës së familje së saj, me rrënjë atdhetare. Fabula rrëfimtare, ku fati i gjyshes së saj, përmes dramës së humbje së burrit, i arratisur në Amerikë, dhe i biri, i burgosur, që “tranferohet” nga një burg në një tjetër. Personazhe të gjalla, jetësore dhe reale, që gjallojnë nëpër faqet e librit, janë përshkruar plot dritë dhe vuajte, plot dashuri dhe mirësi, plot dhimbje dhe pritje, plot vullnet dhe kurajo, plot humanizëm dhe dashuri, plot çiltërsi dhe bukuri, ku rrethanat absurde, të absurdit të kohës së diktaturës shqiptare, i detyrojnë të bashkojnë fatet por dhe gëzimet, vuajtjet dhe humbjet.

Encikopedia e zërave femërore, (fati tragjik i femrave të vetmuara në totalitarizëm).

Udhëtimet e tre grave, nëpër Shqipërinë gri totalitare, nëpër vendtakimet e burgjeve, Ballshi, Qafë Bari, Burrel, Zejmen etj., zbulohet përmes:

përshkrimeve dhe pejzazheve të mjerimit,

përshkrimet e frikës dhe heshtjes,

përmes njeriut dhe shpresës,

ëndërrave dhe surreales,

përmes simbolikës dhe njerëzores,

përmes kohës dhe hapsirës.

Koha e identifikuar dhe hapësira reale gjeografike shqiptare. Por, fati i femrave identifikohet përmes personazheve gra dhe femra:

Ganimet Gjilani Fratari, ose gjyshe-nëna, identifikimi fisnik i shpirtit të gruaje, nëne, gjysheje, zonje nga një derë finike dhe bujare, që dhe në pasuri dhe varfëri, kurrë nuk ndryshoj qasjen e saj ndaj njeriut dhe fatit, pa u mposhtur nga fati: “këtë libër ia dedikoj asaj, gjyshes Ganimet Gjilani Fratari, të cilën përgjatë gjithë jetës e thirra “nëna” dhe kështu da ta quaj edhe në këtë rrëfim intim, ku ju do mësoni jetën e një njeriu që kishte shumë, humbi shumë, rigjeti po shumë, por që në asnjë çast nuk iu dorëzua fatit ose, […] e pranoj fatin por nuk u mposht prej tij”, f.1.

Musine Kokalari, një figurë epike dhe mitike e letërsisë tonë. Femra moderne dhe e shkolluar, që refuzoi martesën me diktatorin dhe mbeti ikona e qëndresës, nga burgjet dhe torturat e diktatorit.

Drita Kosturi dhe “shkopi” i saj, një figurë femërore që dimë pak, ose aspak. Fati i saj poaq tragjik sa dhe vetë fati i ish të fejuarit të saj Qemal Stafa. Drama, tortura, dhimbje, harresë dhe zvetënim. Ajo duke pranuar fajin si përfaqësuese, idealiste e rinisë komuniste, por “idealizmi” i saj ishte tragjik: “merreni! Hajdeni më jepni së pari një dru mua se unë isha një ndër ato që ua solla komunizmin! Pastaj të flasim për krimet e tij”!…f.167, shkruan autorja, duke e simbolizuar, patericën e saj si druri që ajo duhet të rrihet, për komunizmin dhe krimet e tij.

Personazhe dhe fate…

At Zef Pllumi, prifti që la trashëgim sagën shqiptare, “Rrno për me tregue”, prifti që u burgos, por nuk u thye, falë dhe besimit tek Zoti.

Pjetër Arbnori, politikanë që u krahasua me Mandelën e Afrikës së Jugut. Politikan dhe shkrimtar, që mbeti ikonë e vuajtjes dhe urtisë së tij burrërore.

Hajredin Fratari, pas kalvarit të burgjeve dhe kampeve, i ndjekur haps pas hapi nga nëna dhe mbesa e tij Iris (autorja), bëhet sipërmarrës (ndërtues).

Mënyra e rrëfimit, është fjalia e shkurtër. Fraza të ndërtuara strukturalisht dhe gjuhësisht me një rrëfim ngjethës dhe realist, përmes përjetimeve emocionale. Lexuesi “zhytet” dhe përfytyron kohën dhe rrethanat. Rrëfimi kalon:

makabriteti i elementit “kohë”,

ekzistenca dhe rezistenca e heshtur,

përfytyrimi dhe analogjia me Ferrin,

përplotësimi hap pas hapi i portretit të një gruaje fisnike,

dashuria për jetën dhe qëndresa ndaj të keqes,

zhbërja e familjeve të mëdhe intelektuale dhe atdhetare,

rrëfimi përtej vetes…

përrokja e kohëve në diakroni dhe sinkroni,

qartësia e mendimit si konceptaulitet narrativ.

Dallimi, mes shkrimit si një ligjëratë mbi veten, apo dhe nocioni mimesis, (autonomia e

letërsisë në raport me realitetin) projekton:

raportin me formën dhe substancën,

raportin me shprehjen dhe përmbajtjen,

referenca autoriale si qëllimësi në vetëvete,

dallimi mes mimesis-it dhe diegesis-it, (karakteri narrativ ku autori flet me zërin e tij), në formën e vetëreferencialitetit të tekstit letrar. Sipas studiuesit Robert Smith, është kundër termit të ashtquajtur biografi. Teoritë moderne përreth diskursit njerëzor: në jetë dhe rreth nesh, duke e përforcuar konceptin se proza autobiografike, si mimetikë e jetës, ka përballë dy faktorë: a) faktin jetësor, b) fiksionin.

Sëfundmi: rrëfimi i Iris Halilit, përmes një gjuhe të thukët dhe lakonike, na mëson sesi rrëfime të tilla, duhet tu qasemi (sidomos historisë), larg gjykimit personal, ku fajësia dhe pafajësia, shumë herë kanë përmasa kafkane, por qartësia dhe “gjykimi”, duhet të kenë një të “mesme të artë”. Rrëfimi pas çdo tregimi, është një tjetër rrëfim, (rrëfim brenda rrëfimit), ku dhembja njerëzore, ka tejkaluar përmes demensionit human të njeriut, që fatin nuk mund ta ndryshojë shpirtin e tij të qëndresës, në çdo kohë dhe rrethanë.

***

“Eleganca e lotëve”, një pikturë si e Pikasos

Sami Milloshi

Përshtypje për librin “Eleganca e lotëve” të shkrimtares Iris Halili

Do ta them që në fillim: libri “Eleganca e lotëve” i Iris Halilit më pëlqeu jashtëzakonisht. Pse? Sepse përshtypja e parë, pasi e lexova, është se ajo shkruan me një sinqeritet të jashtëzakonshëm, natyrisht me sinqeritetin e një fëmije, që e ruan fëmijën në vetëdijen e vet edhe në moshën e pjekurisë.

Siç, thoshte Picasso i madh: “M’u desh gjithë jeta ime të pikturoja si fëmijë”.

Dhe prandaj Picasso u bë ai që njeh sot gjithë bota. Ndoshta ky libër do t’i sjellë një fat pak a shumë të ngjajshëm edhe zonjës Halili si shkrimtare.

Po për çfarë e ka shpalosur sinqeritetin e saj fëminor Iris Halili?

Ajo ka shkruar një libër për gjyshen e saj Ganimete Gjilani Fratari dhe për dajën e saj Hajredin Fratarin, të cilët provuan dhe përballuan me dinjitet të pashoq ferrin e diktaturës komuniste që i torturoi me të gjitha mënyrat e saj shtazarake. Në sytë e saj prej fëmije kanë mbetur të stampuara të gjitha ato tortura sepse ajo, ndonëse imcake, ka qenë dëshmitare e tyre.

Ka edhe libra të tjerë, në shqip dhe në gjuhë të huaj, të shkruar në vetë të parë me kujtime të fëmijnisë. Ka tashmë, gjithashtu një numër librash me kujtime të atyre që provuan burgjet e Enver Hoxhës. Në morinë e këtyre librave “Eleganca e lotëve” shkëlqen si një margaritar.

Pse? Sepse është i mbushur plot me fakte, plot me detaje, plot me jetë. Dhe duket fare qartësisht se autorja e ka kompozuar librin në mënyrë të atillë që jo vetëm të prezantojë tmerret e diktaturës, por edhe të na dëshmojë se si dhe pse, në thelb, ata që u përballën me të keqen, ia dolën jo vetëm të mbijetojnë, por edhe të triumfojnë moralisht.

Halili i ka kushtuar një vëmendje jashtëzakonisht të madhe asaj që quhet trashëgimi familjare. Një trashëgimi e begatë vlerash morale dhe historike si ajo e familjes së Hajredin Fratarit në Mallakastër, nuk mund të mos jetë një bazë e fuqishme për karaktere të forta, si gjyshja Gano, apo si daja Hajredin. E stolisur shpirtërisht me kulturë të thellë, gjyshja Gano rrezatoi stoicizëm dhe mirësi deri në frymën e fundit. Kjo mirësi rrezaton në gjithë faqet e librit dhe lexuesi nuk mund të mos e admirojë autoren për atë këmbëngulje të rrallë për të shfaqur vlerat e plota të kohezionit familjar. Lexuesi e merr me mend se dëshpërimi i thellë përballë torturave kishte po ashtu një sistem vertebror të çeliktë që ishin vlerat e familjes dhe, prandaj rronte shpresa se, një ditë, nëna do ta shihte djalin e saj jashtë burgut,se një ditë ajo do ta shihte të martuar, dhe se një ditë do të përkëdhelte edhe fëmijët e tij.

Në këtë mjedis jashtëzakonisht të shëndetshëm moral dhe kulturor ka pasur fatin të rritet edhe autorja. Prandaj, nuk është e rastit që ajo e thotë me një çiltërsi të habitshme poetike se “Ëndërra herë na bëhet e shkuara,herë na vjen si e ardhmja, herë është ajo që dëshirojmë dhe herë ajo që jetojmë”. (faqe 76).

Deri më sot, unë nuk kam parë libër më të arrirë se ky i Iris Halilit që me një elegancë kompozicionale kaq fine të bëjë me një kirurgji fjale autopsinë e luftës së klasave e cila ishte për pesëdhjetë vjet kanceri më i tmerrshëm në trupin e shoqërisë shqiptare. Sot është e vështirë t’ua shpjegosh brezave të rinj se çfar do të thoshte “njeriu me biografi të keqe” apo “njeriu me biografi të mirë”. Por, kur lexon librin e Irisit, e kupton fare mirë, se pse si fëmije në shkollë, kur u dha lajmi se diktatori vdiq, asaj i shpërtheu e qeshura… Dhe, se si, ajo dashje pa dashje, e kishte shfaqur gëzimin për vdekjen e tij, pavarësisht se gjyshja, me atë inteligjencien e saj emotive, gjithnjë e kishte porositur që të ishte e kujdeshme dhe e përmbajtur për t’u mos u dhënë shkas atyre që e kishin në dorë ta ashpërsonin edhe më tepër luftën e klasave.

Në këtë vështrim, nuk e dij se pse, duke e lexuar librin m’u kujtua nobelistja ukrainase Svjetllana Alekskejoviç e cila, mori Nobel në vitin 2015 pikërisht për kurajon e saj kunder regjimit totalitar. Libri i saj “Zërat e utopisë” është një miksturë e gazetarisë dhe e letërsisë fiction. Megjithëse Halili, e ndërton rrëfimin e saj si një miksturë midis kujtimeve të fëminisë dhe gjendjeve emocionale të personave realë, pra pak ndryshe nga nobelistja ukrainase, ajo arrin që po ashtu, si ajo, ta rrëmbejë vëmendjen e lexuesit në këtë shkrirje fakt-emocione.

Prandaj, do të thosha se nuk ka asnjë pikë rëndësie se çfarë mund të quhej libri i saj, bazuar në manualet estetike të derisotme.

As librin e Aleksejovic dhe as librin e Halilit nuk mund t’i quash romane, në kuptimin klasik që ka kjo fjalë. Por, si njera edhe tjetra, për shkak të fuqisë së shprehjes dhe densitetit të mendimit, arrijnë të sjellin drama e tragjedi njerëzore, me po atë fuqi që  i kanë sjellë romanciere të letërsisë fiction.

Duke e sjellë asociacion me ukrainasen Aleksijeviç nuk kam kurrsesi për qëllim të bëj ndonjë krahasim të imtë. Por, desha, megjithatë të vë nē dukje, se ndonjëhere vepra që meritojnë vëmendje tê thellë, tek ne, ose neglizhohen, ose priten me komplimente të ekzagjeruara që përfundojnë në harresë për fat të keq.

Prandaj unë u entusiazmova aq shumë kur profesor Ukë Buçpapaj shkroi këto fjalë më 9 Janar 2026 për librin e Iris Halilit: “Libri “Eleganca e lotëve” i Iris Halilit është të paktën 15 kate vlera më lart se të gjithë librat e Lea Ypit…”.

Sot, nëse ke altoparlantet e pushtetit, mund të të shesin edhe për “gjeni” (siç na e servirën atë Ypin), rasti I Iris Halilit, nuk mendoj se është i tillë. Por, aq sa kam intuitë unë, ajo dhe libri i saj “Eleganca e lotëve” meriton vëmendjen maksimale të elitës letrare shqiptare.  Ne nuk e kemi luksin t’i shpërfillim raste të tilla.

Iris Halili meriton përkrahjen maksimale për të mbërritur një ditë aty ku sot për sot, mund të quhej utopi. Sepse ajo me librin e saj, ka nderuar veten, por mund fare mirë të nderojë edhe Shqipërinë…

Përmbajtja

  1. Visar Zhiti: Një histori jo vetëm familjare për dhembshurinë dhe moralin
  2. Sadik Bejko & Çerçiz Loloçi: Qëndresa hyjnore e një zonje të heshtur
  3. Luan Rama: “Eleganca e lotëve” dhe “vajza e karafilave”
  4. Prof. dr. Bardhosh Gaçe: “Eleganca e lotëve” si shprehje e vuajtjes dhe shpirtit aristocrat
  5. Prof. dr. Bardhosh Gaçe: Një libër që i bën nder kulturës shqiptare
  6. Bujar Skëndo: Kronikë artistike e kujtesës
  7. Prof. dr. Albana Ndoja Deda: Iris Halili dhe libri “Eleganca e lotëve”
  8. Arben Çejku: “Eleganca e lotëve” e Iris Halilit do të ishte mirë të përfshihej në shkollat shqiptare
  9. Pajtim Sejdinaj: Vlerat universale të librit “Eleganca e lotëve” të dr. Iris Halili
  10. Eqerem Canaj: “Eleganca e lotëve”, rrëfime dhe analiza psikologjike nga dr. Iris Halili
  11. Kozeta Zavalani: Iris Halili dhe libri “Eleganca e lotëve”
  12. Emi Krosi: Përtej rrëfimit, humanizmi “sui generis” gjallon përmes dashurisë, në romanin autobiografi, “Eleganca e lotëve”
  13. Sami Milloshi: “Eleganca e lotëve”, një pikturë si e Pikasos