Albspirit

Media/News/Publishing

Pajtim Sejdinaj: “Pishtari i Demokracisë”, Rauf Hajredin Fratari!

Dedikuar Major Rauf Hajredin Fratarit në ditën e lindjes.

Sa herë hedh vështrimin mbi fshatin tim të lindjes shikimi më ngulitet tek “Sheshi i Soditjeve” (Maja e bregut). Një vend karakteristik ku nga ai vend vështrohen si në pëllëmbë të dorës të gjitha lagjet e fshatit tim me dy emra Bejar dhe Fratar por që një emër është ngurtësuar (Fratar) duke u emërtuar më këtë emër “Njësia Administrative Fratar” e Bashkisë Mallakastër. E thënë ndryshe “Mallakastra e Sipërme”. Ky “shesh” është enigmatik. Mban brenda ngjarje, histori, personazhe të jetës që i kanë dhënë gjallëri apo kanë jetuar ankthet në kohë dhe në hapësirë. Po këtu vazhdojnë të fluturojnë një tufë pëllumbash ku udhëtimi i tyre vazhdon nga ky “Shesh i Soditjeve”, tek “Mësonjëtorja e parë” e hapur nga Hajredin Rakip Fratari në shtëpinë e vet në prill 1906 e deri tek “Olimpi i Martirëve” në Kalamatrëng.

Kanë një jetë të tërë që personazhet dhe pëllumbat me njerëzit e këtij fshati “të vdekur” dhe të gjallë udhëtojnë në enigmat, misteret dhe labirinthet të errësirës në kohë. Ku shohin dritën e Shpresës të ndriçojë sado pak vendlindjen e tyre të dashur.

Dhe unë futem si bir i tyre, qajmë hallet bashkë, lozin, qeshin, qajmë, herë më lodhin, herë më çlodhin në jetën time. Janë të “vdekurit” që jetojnë gjallë në mendjen dhe zemrën time.Janë ngjarje dhe personazhe të pajetuar në jetën time.

Po që u kam “vjedhur” njerëzve të mençur të vendlindjes sime që kam patur fatin të jetoj në kohë dhe në hapësirë me ta. Ndërsa unë kam patur fatin të jetoja me këta burra të mençur, të urtë e bujarë, të cilët i kam futur në shoqatën e të “Vdekur që jetojnë gjallë”! Mos u çuditni!

Ka edhe të “gjallë të vdekur”!…

Atë mëngjes të 5 Shkurtit një re e bardhë pllumbash fluturonin mbi “Mësonjëtoren e parë të shkollës shqipe” dhe mbi mbi “Sheshin e Soditejve” te Rrënoja ku i priste buzëgaz Trëndafili i plakur.

Ata i binin rrethe qark shtëpisë dhe qëndronin te Sofati i Mbretëreshës së luleve.

Pëllumbat e bardhë fluturonin në themelet e Rrënojës duke nxjerr që andej kujtimet që koha i kishte mbuluar, por ato kujtime s’ishin tretur, s’ishin zhdukur, ishin zgjuar Pëllumbat e bardhë kishin marrë misionin të zbulonin enigmat, misteret që qëndronin në themelet e Rrënojës dhe koha s’i kishte ndryshkur. Këta ishin shpirtërat e pëllumbave të “Olimpit të Martirëve” në Kalamatrëng.

“Trëndafili i plakur” vazhdonte të dukej si një “plak i moçëm” donte t’u rrëfente  aty te “Shtëpia e Rrënuar” te “Sheshi i Soditjeve” dhe gjithë vizitorëve që vinin aty të vërtetat e pa thëna.

“Trëndafili i plakur” ishte i vetmi që i kish shpëtuar asaj katrahurë barbare.

Njëri prej pëllumbave kishte ditëlindjen.

Prandaj pëllumbat ishin mbledhur te Rrënoja në 5 shkurt, në përkujtim të Legjendë së gjallë, “Major Rauf Hajredin Fratarit”.

Aty kishin mbërritur dhe fëmijët e tij nipa dhe mbesat e majorit. Tek ky truall. Këtu ku kishte lindur ai, njeriu më i dashur i tyre, “Armiku i popullit”. Pra “Armiku i popullit” kishte ditëlindjen!

Ata erdhën pikërisht në ditëlindjen e “Armikut të popullit”, ku njeriut më të dashur të zëmrës së tyre, Majorit i “bëri koka bam”! Ku ende gjëmon krisma e dyfekut se e shoqa e Hajredin Rakip Fratarit lindi djalë! Ku ende gjëmon jehona e nënave dhe gjysheve të lagjes, të Bejarit, të miqve dhe shokëve: “Të rrojë dhe me jetë të gjatë! Të bëhet si i ati”! Ende gjëmojnë çokitjet e pagureve të rakisë, këngët dhe vallet në odën e miqve. Prandaj erdhën ata djali, vajza, mbesat dhe nipi dhe Pëllumbat Martirë për të dëgjuar simfoninë e asaj dite të madhe të 5 shkurtit 1909.

Nga Parajsa kishin mbërritur prindrit e tij të dashur Hajredin Rakip Fratari dhe Sabire Muhamet Fratari (mbesa e Frashëllinjve) ku shpirti i tyre fluturonte nëpër skutat e enigmës, misterit për të gjetur drejtësi ndaj krimeve makabre që ju bënë të birit dhe pasardhësve të Dinastisë Fratar. Nga Parajsa kishte mbërritur dhe ajo vajza nga Kosova Ganimete Gjilani që i qëndroi besnike dashurisë bashkëshortore, duke sfiduar çdo vështirësi në mbrojtje të gjësë më të shtrenjtë në jetë: “Familjes” dhe vazhdimin e vetmohim të Fisnikërisë të Dinastisë Fratari.

Ky “Sheshi i Soditjeve” ishte larë nga “Eleganca e lotëve”, gjurmët e lotëve të çonin tek “Emblema e Dashurisë” e cila kishte mbirë atje si një lule e bukur; ajo s’ishte venitur, tharë apo zhdukur.

Jo! Kurrë! Ajo ndrinte si diamant, vaditur nga “Eleganca e lotëve”. Vezullonte si një ylber në themelet e “Sheshit të Soditjeve” duke ndriçuar endrrën dhe shpresën e “Pëllumbave të Martirëve” që fluturonin çdo ditë mbi “Sheshin e Soditjeve”.

Dhe një nga këta “Pëllumba të Martirëve” kish ditëlindjen. Po kush ishte ky “Pëllumb martir”- “Armik i popullit”, i cili luftoi dhe sakrifikoi jetën për popullin e vet dhe At- mëmëdheun!

Ai u lind më 5 shkurt 1909 në një familje fisnike ku tashmë Fisnikëria ishte bërë Akademi dhe një burim i pashtershëm (nga i ati Hajredin Rakip Fratari) jo vetëm për Mallakastrën e Sipërme, por më gjerë. Dashuria për At-mëmëdheun ishin shkruar me gërma të arta në zemrën e të atit të Raufit, këtij fisniku dhe thirrja për çështjen kombëtare ishin bërë lejmotivi i ditës nën moton: “Burrat në luftë dhe fëmijtë në shkollë”! S’kishin kaluar as dy vjet nga hapja e “Mësonjëtores së parë shqipe” në Mallakastër. kur lindi Rauf Fratari.

Kaloi një fëmijëri të vështirë. Kur ishte 7- vjeç mbeti jetim nga i ati, mbasi për rrethanat politike të kohës në ato vite ku forcat rrebele të Haxhi Qamilit kërkonin “kokën” e Hajredin Rakip Fratarit si mbështetës dhe mbrojtës të Qeverisë të Ismail Qemalit, krijuar mbas shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntor 1912. Forcat rrebele të Haxhi Qamilit kryen masakrat më të tmerrshme në trevën e Mallakastrës duke vrarë dhe burgosur njerëz të pafajshëm. Në këto kushte Hajredini shkoi dhe u dorëzua në Prefekturën e Beratit, fuke mos lejuar që bashkëfshatarët të bëheshin “kurban” për kokën e tij. Ai u vra nga fundi i vitit 1915. I biri, Raufi i vogël 7-vjeç s’e mësoi kurrë ngjarjen makabre. (Ai e mësoi ngjarjen kur u nis për të vazhduar shkollën e mesme ushtarake në Modena të Italisë). Falë fisnikërisë të xhaxhallarëve, të nënës dhe Hoxhës së fshatit të cilët i ndaluan të afërmit për t’ia treguar ngjarjen për shkak të traumës që mund të pësonte fëmija i vogël. Ai u rrit dhe edukua në saj të kujdesit të emës, gruas fisnike nga dera e madhe e Frashëllinjve. E cila e dërgoi në shkollë ku e kishte hapur së bashku me të shoqin (në pranverën e vitit 1906, Mësonjëtorja e parë në Mallakastër) ku ishte dhe vetë ajo si mësuese e anglishtes në këtë shkollë. Djali i vogël trashëgoi nga i ati Flamurin Kombëtar dhe portretin e Skënderbeut të cilët i mbante me vete.

Mbas vrasjes së të shoqit ishte Sabireja ajo që me qetësi, durim dhe gjakftohtësi  qetësoj luftëtarët e Mallakastrës së Sipërme duke u thënë: “S’dua të dëgjoj fjalën ‘Hakmarrje’! S’dua t’i lë fëmijtë e mi dhe gjithë vëllezërit, miq dhe shokët e mi Bejarakë e Mallakastriotë peng të një kanuni mizor! Duhet të jem të qetë dhe të vetdijshëm për të vazhduar rrugën e lënë në mes nga vëllai juaj dhe im shoq për të mirën e Shqipërisë”! Duke qenë kështu misionarja e parë në Mallakastër për t’i thënë ndal gjakëmarrjes. Në vitin 1920 ajo i përcolli burrat e Mallakastrës së Sipërme në luftën e Vlorës në formacionin luftarak “Hajredin R. Fratari”. Por peripicitë e Raufit do të vazhdonin. Vdekjen tragjike të të vëllajt Skënderit do ta mësonte me vonesë. Ajo që i përballoi me stoicizëm këto tragjedi ishte e ëma, e cila u kthye në një simbol të sakrificës dhe durimit të gruas shqiptare.

Mbas mbarimit të shkollës fillore në vendlindje me rezultate të shkëlqyera ai shkoi në Gjirokastër për të vazhduar dy vite të tjera. Në Gjirokastër megjithse fëmijë u tregua si një burrë i pjekur ku i propozoi drejtorisë së shkollës ku të këndohej “Himni i Flamurit” nga të gjithë nxënësit para fillimit të mësimit. Pas mbarimit të shkollës me rezultatete të shkëqyera, në vitin 1923 u nis për të vazhduar shkollën e mesme ushtarake në Modena të Italisë.

Para se të nisej për në shkollë ai mësoi të vërtetën mbi tragjedinë e të atit dhe të vëllait, të cilat ia tha hoxha i fshatit. Këto tragjedi e trishtuan, por ai duke marrë bekimin e nënës u betua se do të vazhdonte rrugën që la i ati në mes për çështjen kombëtare për bashkimin e At-mëmëdheut në një trung të vetëm. Ai mori me vete në shkollën e mesme ushtarake në Itali portretin e Skënderbeut, Flamurin Kombtar (që i kishte kujtim nga i ati) si dhe portretin e të atit, të së emës, vizatimet dhe pikturat e të vëllait Skënderit si dhe disa relike të tij për t’u çmallur atje në Itali.

Mbas mbarimit shkëlqyeshëm të shkollës së mesme ushtarake, në vitin 1928 Mbretëria e Zogut e shpalli Hajredin Rakip Fratari “Dëshmor i Kombit”. Ai përfitoi një bursë për të vazhduar “Akademinë Mbretërore” në Romë, në degën e Kavalierisë, të cilën e mbaroi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1933. Mbas mbarimit të “Akademisë Mbretërore” ai filloi punë në Gardën e Mbretërisë me gradën “Major”. Betimi si oficer i Gardës Mbretërore do të ishte për Raufin një sakrificë ku nderi i Gardës Mbretërore dhe Mbretit Zog të mos cënohej!

U njoh dhe u martua me vajzën nga Kosova (të bijën e deputetit të parlamentit shqiptar të viteve 1921-1924 Avni Gjilani) Ganimete Gjilanin, që kish mbaruar institutin femëror “Nëna Mbretëreshë”! Pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste e priti me indinjatë të thellë duke iu bashkuar forcave nacionaliste në luftë kundër Italisë fashiste më 7 prill 1939. Grisi flamuri italian dhe u bashkua me Abaz Kupin në luftë kundër italianëve. Për aktin patriotik- simbolik të grisjes së Flamurit Italian, arrestohet nga autoritetet italiane dhe mbahet për disa kohë në burgun e Tiranës. Në vitin 1940 thirret nga Komanda Italiane ku ngarkohet me detyrë për mobilizimin e forcave të Shqipërisë së Jugut për të luftuar në frontin italo-grek, gjoja për një Shqipëri etnike. Raufi e kuptoi se kjo gjakderdhje i shërbente planeve djallëzore të pushtuesve fashistë ndaj nuk e pranoi këtë rol dhe për këtë arsye u arrestua nga Komanda Italiane dhe u dërgua në burgun e Gjirokastrës. Ishte ndërhyrja e Fejzi bej Alizotit te autoritetet italiane, të cilët e lirojnë me kusht që “të kthehet në shtëpi”! Kthehet në vendlindje dhe mobilizon forcat e Mallakastrës së Sipërme e më gjerë në informacionin luftarak në batalionin “Hajredin R. Frarari në luftë kundër fashizmit.

Bashkëpunon ngushtë me Nacionalistët si Mit’hat Frashërin, Ismail Golemin, Abaz Kupin, Tefik Cfirin etj, për të luftuar fashizmin. Merr pjesë në luftime të përbashkëta me Frontin Nacional-Çlirimtar në zonën e Mallakastrës në luftë kundër Italianëve.

Mori pjesë në Konferencën e Pezës më16 shtator 1942, ku angazhohet me furnizimin me armatime të Frontit Nacional-Çlirimtar në luftë kundër Fashizmit në një front të përbashkët pa dallim feje dhe ideje. Në dhjetor 1942 krijoi seksionin e Partisë së Ballit Kombëtar për Mallakastrën e Sipërme duke vazhduar luftën kundër fashizmit. Delegat në Marrëveshjen e Mukjes si përfaqësues i Mallakastrës, Raufi kërkoi të vendosej në nenin 2 të Proklamatës “luftë pa asnjë kusht për zbatimin e parimeve të garantuara nga Karta e Atlantikut për vetvendosjen e kombeve”, e cila nënkuptonte bashkimin e trojeve shqiptare në një trung të vetëm d.m.th. trojet etnike Kosovë- Çamëri-Shqipëri. Në këtë marrëveshje ai u zgjodh komandant i qarkut të Beratit. Mes delegatëve të pranishëm Raufi u shpreh: “Unë jam ushtarak, patriot i lirë dhe do luftoj për bashkim e trojeve të At-mëmëdheut në një të vetëm se e kam amanet nga im at! Dhe mbi kryet e mia njoh vetëm Flamurin Kuq e Zi të Shqipërisë”!

Mbas Marrëveshjes së Mukjes ai u kthye në vendlindje ku mblodhi burrat e batalionit luftarak “Hajredin Fratari dhe burra të tjerë nga Mallakastra e Sipërme dhe rrethinat e tjera aty te “Sheshi Soditjeve” ku u foli për Marrëveshjen e Mukjes, por hasi në rezistencën e të deleguarve të PKSH me në krye Mehmet Shehun, të cilët kundërshtuan me të madhe këtë marrëveshje dhe krijuan incidente për një vëllavrasje të mundshme. Por ai e shmangu me gjakftohtësi këtë incident. Takimi u prish, duke nisur kështu përçarje midis nacionalistëve dhe komunistëve në zonën e Mallakastrës së Sipërme. Raufi u bër thirrje të deleguarve të PKSH dhe burrave të Mallakastrës së Sipërme të shmangin vëllavrasjen me njëri-tjetrin e cila do të sillte pasoja të pariparueshme. U tentua disa herë nga Mehmet Shehu që Raufin ta fusnin në çarkun e PKSH, por ai s’pranoi. Atëhere Mehmet Shehu i shpalli luftë të hapur Rauf Fratarit.

Nga banorët e Mallakastrës dhe luftëtarët e të dy formacione luftarake s’është shprehur asnjë “Pse nuk u përmbys ai djep”?!(me përjashtim të krerëve të zgërbenjve, grerëzave dhe merimangave), por vetëm e çmonin për veprimtarinë e tij patriotike dhe atdhetare! Ata ruajnë në kujtesën e tyre vlerësimin maksimal për Major Rauf Hajredin Fratarin si burrë i mençur, i urtë, paqedashës të cilët kanë qënë bashkohës të epokës të viteve 1939-1944 me të! Ata kanë qenë në një llogore me të në luftë kundër fashizmit në harkun kohor 1939- deri në fundin i gushtit 1943 ku u prish Marrëveshja e Mukjes! Edhe mbas këtyre viteve ai ka luftuar me batalionin “Hajredin Fratari” kundër gjermanëve në Mat, Krujë, Zallher, Pezë e gjetkë. 

Por mbi të gjitha ai ka shpëtuar nga vdekja me dhjetra bashkëqytetar të cilët kanë dëshmuar vetë në kohën e diktaturës komuniste, duke shmangur vëllavrasjen në Fratar. S’mund të harrohet dhe mohohet kontributi i Major Rauf Fratarit për çështjen e At-mëmëdheut në vitet 1939- 1944. Në fundin e janarit 1973 “Zgërbenjët e Kuq” e vranë në SHBA. Por shpirtrat e atyre që kanë luftuar për çështjen kombëtare janë kthyer në Pëllumba të Paqes. Një ndër ta është dhe Rauf Hajredin Fratatit që shpirti i tij fluturon në truallin e tij të dashur të At -mëmëdheut!

Për meritat e tij është dekoruar nga Presidenti i Republikës me dekretin numër 893, datë 21.07.1994 me titullin “Pishtar i Demokracisë” me motivacionin “Intelektual dhe Luftëtar i shquar për  çështjen kombëtare”!

Vazhdon çudia shqiptare këto 35 vite të ashtuquajtura “Demokraci” ku asnjëherë s’u bë analiza e “krimeve të komunizmit” ndaj qindra dhe mijra shqiptarëve të vrarë dhe të presekutuar nga regjimi komunist gati për 50- vjet. S’ka asnjë datë të përcaktuar nga organet ligjvënse në përkujtim të martirëve të zhdukur, të vrarë apo të presekutuar.

E paharruar veprimtaria atdhetare e Martirit Rauf Hajredin Fratarit që gjithë jetën luftoi për Liri dhe Demokraci!