NEXHIP ÇOPA DHE DËSHMORËT E FEKENIT NË MEMORIEN USHTARAKE DHE KOMBËTARE
(Me rastin e 45 vjetorit të rënies të Nexhip Dervish Çopa (28.1.1959-6.2.1981) ish-student viti i dytë nga Golemi, Kavajë, Durrës si dhe dëshmorëve të tjerë oficerë dhe studentë të rënë në Feken dhe që janë shpallur me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut” me vendim Nr. 2506/2 datë 1.9.1999 të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut, që është vendim i përbashkët për të njëmbëdhjetë dëshmorët e ish-Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerave “Enver Hoxha”, që ranë dhe mbetën përjetësisht më datën 6 shkurt 1981).
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Maksima proverbiale popullore se “Kush kujtohet, nuk harrohet” është me vlerë dhe për Dëshmorët e Fekenit, edhe për birin e Golemit të Kavajës Nexhip Çopa. Nexhipi kujtohet në familje, në shoqërinë e madhe ushtarake studentore të ish-Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerave, në AFA, kujtohet në sheshe, libra, poema, filmin “Orteku”, në memorialët në Feken, në garnizonin ushtarak “Skënderbej”, buzë liqenit të Farkës në shëtitoren e tij, por edhe në vendlindjen e tij në Golem ku sheshi qendror i gjelbër mban emrin e tij.
Nexhip Çopa ishte lindur më 28 janar të vitit 1959 në një familje të shquar për tradita atdhetare e patriotike. Ai erdhi në jetë një dekadë e gjysëm pas çlirimit. Familja e tij e thjeshtë babai Dervishi dhe nënë Lemja kanë qenë një familje e nderuar dhe e respektuar në Golem dhe në mbarë krahinën. Dervishi dhe Lemja krijuan një familje e madhe me pesë djem dhe një vajzë, ku përkushtimi i parë për fëmijët ishte natyrshëm arsimimi. Emrin djalit ja vunë “Nexhip”, pasi ka një domethënie tradicionale dhe që e shqipëruar do të thotë “Fisnik”, njeri i fisnikëruar dhe fisnik ngeli përgjatë gjithë jetës, fisnik ngeli deri në frymën e fundit, si vetë familja që e rriti dhe edukoi si dhe mjedisi shoqëror i Golemit shumë i shëndetshëm. Etja për arsim dhe dituri e çoi atë drejt shkollës fare natyrshëm për vetë rrezultateve shumë të mira në mësime. Nexhipi dhe shokët e tij e dinin se, tradita arsimore ishte përhapur masivisht në Golem dhe ishte bërë e njohur nga profesionalizmi i Charles Telford Erickson (1867-1966), që ishte edhe modeli më i mirë i mësimdhënies që kishin projektuar amerikanët (për teknik bujqësie), që më 20.9.1925, dhe sikurse thoshin stërgjyshërit golemas kishin ardhur “nga fundi i botës”. Ata thoshin se, është vështirë të gjesh një të huaj të ketë punuar më shumë për Shqipërinë. Edhe presidenti amerikan kishte dhënë dhjetëmijë dollar për shkollën e golemit dhe Eriksoni punoi deri më 1937, një duzinë me vite në shkollën e Golemit. Fryma e të mësuarit dhe të përparimit në jetë ishte esenciale për çdo bir e bijë të kësaj treve. Arsimi dhe dija ishte prioritare edhe pas çlirimit, prandaj edhe Nexhip Dervish Çopa studimet i kishte prioritet sikurse gjithë bashkëmoshatarët e tij. Ishte koha kur fëmijët nuk kishin kohë të jetonin fëmijërinë, pasi hallet e kohës dhe tempi i shoqërisë kishte një vrull për zhvillim.
Përfundimi me sukses të plotë të shkollës tetëvjeçare, bëri që të përzgjidhej në një prej shkollave të mesme më prestigjioze që ka pasur vendi “ShMP Skënderbej”, që konsiderohej fidanishtja e ushtrisë. Nexhipi si në të gjithë studimet që ka kryer i ka marrë seriozisht dhe me vullnet të admirueshëm, që ka lënë gjurmë edhe tek shoqëria ushtarake, që kur ishin nxënës të burrëruar, ose sikurse i thërriste populli “Begsa”. Kryerja e stërvitjes në mal dhe në fushë, në Voskopojë dhe në Karpen, por dhe studimi me pedagogët nga më elitarët e Tiranës, bëri që Nexhipi të fitonte një kulturë të gjerë, por edhe të formohej fizikisht për përballimin e çdo sfide. I lindur për të përballuar sfidat pas stazhit ju fut studimeve në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerave në shtatorin e viti 1979. Viti i parë akademik ishte një program i ngjeshur teoriko-praktik në nivelet taktike, por edhe me një ngarkesë të konsiderueshme fizike, që Nexhipi e përballoi me sukses dhe u shqua ndër më të mirët e grupit mësimor. Kështu vijuan studimet edhe me vitin e dytë, në normalitet të plotë dhe me sfida edhe më të shumta përpara. Ishte kthyer në një traditë stërvitja fushore në kushte dimërore, çka Nexhipi e kishte kaluar sprovën në vitin e parë. Zakonisht periudha e stërvitjes dimërore e programuar përkonte me fundin e muajit janar dhe përgjatë shkurtit, që për kohën dhe për zonën ku kryhej Fushimi ka qenë e mbuluar nga dëbora.
Në kujtesën e qindra studentëve ish-pjesëmarrës të një drame e tragjedi kombëtare në kushtet të dimrit të ashpër në zonën e Fekenit, ngelet padyshim ngjitja e malit të Meçekut, drejt lartësisë 1827 metra. Fakt është se më 6 shkurt 1981 ndodhi goditja në përmasa të paimagjinueshme e 204 studentëve në kolonë që marshonin drejt majës së malit. Vendi ishte në “Tre pemët e vetmuara”. Ishin orteqe të frikshëm ku natyra “zbrazi” gjithë egërsinë e saj mbi trupat e studentëve ushtarakë shqiptarë. Duket sikur u shkëput një një pllajë e tërë mali.Në ndihmë të tyre shkuan gjithë studentët e oficerët e tjerë që zhvillonin mësim sipas programit ditor. Këtu u shpalos sakrifica njerëzore, vetëflijimi dhe vetësakrifimi për jetën e shokut, fryma e madhe e solidaritetit, humanizmi dhe trimëria që ishin dhe kanë mbetur në genet e traditës së shqiptarit në gjithë shtrirjen tonë kombëtare. Bashkë me qindra studentë vrapoi drejt sakrificës sublime edhe Nexhip Çopa, pa ditur se bardhësia do ta pështillte në krahët e vet dhe do të lartësohej kaltërsive duke e shkruar emrin në faqet e pavdekësisë shqiptare. Ai ra për të mos vdekur kurrë, bashkë me 7 shtudentë të tjerë si dhe 3 oficerë. Tragjedia pati gjithashtu edhe më shumë se 400 studentë dhe oficerë, nga të cilët më shumë se 85 prej tyre morën plagë të rënda dhe shumë të rënda. Trupa studentore e Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerave ishte tashmë e gjakosur, me gjymtime të shumta, me thyrje e fraktura, me copëtime e deri në humbje në thellësinë e dëborës. Kushtrimi ishte në çdo zemër që për tre ditë kërkuan në masivin e dëborës shokët e rënë, ndërkohë nënat në gjithë Shqipërinë prisnin telegramet që Shkolla nën kujdesin e MMP bënin për familjet e studentëve dhe oficerave që ishin me detyrë stërvitore në vendin e tragjedisë. Ngjarja e 6 shkurt 1981, pavarësisht sekretit shtetëror nuk kishte vend në media, por vetëm në zemra. Studentët dhe oficerët shkruan një faqe lavdie në këtë tragjedi, pasi Nexhipi dhe gjithë shokët e tij i folin kohës me zërin e brendshëm të zemrës, me solidaritetin më të skajshëm njerzor, me zërin e shqiptarit për shqiptarin, me zërin e njeriut për njeriun, të shokut për shokun, të vëllait për vëllait. Të gjithë ishin të përbashkuar e trupëzuar në një kolonë vertebrale. Nderimi, mirënjohja dhe homazhi për Nexhip Çopën dhe 11-të dëshmorët e malit të Meçekut, në tragjedinë e Fekenit është i përhershëm pasi ata vrapuan të parët për të shfrytëzuar sekondat e minutat në shpëtimin e jetës së shokëve që ishin kacafytur me një prej fatkeqësive më të egra të natyrës.
45 vite bashkë me ne, në çdo rreshtim, në çdo mision, në çdo apel ushtarak…
Nexhip Çopa dhe dëshmorët e tjerë të Fekenit, komandantë, pedagogë e studentë të ish-Shkollës së Bashkuar të Oficerëve, sot AFA, ranë në stërvitje dimërore mbi kazermën e stërvitjes dimërore të Fekenit duke u ngjitur faqes së malit në Meçek. Ushtarakët dhanë jetën për të shpëtuar jetë me një akt sublim, simbolikë sublime e papërsëritshme e formimit të lidershipit për të ardhmen ushtarake shqiptare. Një shëmbëlltyrë motivimi, një forcë karakteri, me të harruarin “shembullin personal” në kufijtë e vetmohimit. Ishte një forcë e brendshme e njerëzve nën uniformë të rreshtuar në armatën me palcë kombëtare, në armatën që diti të mposhtë e triumfojë mbi kushtet më ekstreme atmosferike të shkurtit 1981. Edhe sot motivi ushtarak i strukturave të Forcave të Armatosura është njësh me detyrimin madhor në përmbushje të misionit, në përballje me emergjencën civile të shkaktuar nga kushtet e rënda atmosferike. Kjo është e vërtetueshme përdië sepse edhe sot Forcat e Armatosura mbajnë ndezur e forcojme brez pas brezi procesin e arsimimit dhe trainimit ushtarak. Stafeta vijon të pasohet nga brezi në brez dhe po kështu edhe historia e njëmbëdhjetë dëshmorëve. Kujtimi i të rënëve dëshmorë në Feken është frymëzim, një akt heroik e sublim, një “stacion” i rëndësishëm i historisë ushtarake, një stacion përjetësie, por dhe pjesë e pandarë e jetës së përditshme ushtarake. Në çdo apel ushtarak nuk mungojnë ata që shkruan histori sublime më 6 shkurt 1981: “Komandanti i batalionit të parë të këmbësorisë Dushan Fejzi Shameti 31 vjeçar nga fashati Dorëz i Tepelenës, Çlirim Halil Pulaj 36 vjeçar, shef i planëzimit, nga Tragjasi i Vlorës; Nikollaq Naun Bero 37 vjeçar, pedagog taktike nga Berati; Nexhip Dervish Çoba 21 vjeçar, student viti i dytë nga Golemi i Kavajës, Aleko Thimio Gjoni 23 vjeçar, student dega prapavijë, nga fshati Nivicë Sarandë; Besnik Sulo Shehu 23 vjeçar, student gjitharmësh nga Picari i Gjirokastrës; Bilbil Zoto Pashaj 23 vjeçar, student gjitharmësh, nga fshati Kremenar, Mallakastër; Bujar Masar Ago 23 vjeçar, student dega prapavijë nga Tirana; Ilir Stefan Gramatikoi 23 vjeçar, student, dega prapavijë nga Tirana; Pëllumb Hysen Rrapo 23 vjeçar, student, dega prapavijë nga Berati; Qemal Qazim Lika 23 vjeçar, student gjitharmësh nga Tirana. Që të gjithë ranë denjësisht dhe krenarisht e me bindje për devizën “Detyra-Nderi-Atdheu”, u bënë frymëzuar për të gjithë brezat që erdhën në këtë shkollë burrash për sakrificën dhe solidaritetin njerëzor, për shoqërinë e ngushtë të uniformës ushtarake. Ata ngelën përjetësisht në pllaka të mermertë, nën valët e Flamurit Kombëtar. Dhjetra e qindra bashkëstudentë të Nexhipit si Vladimir Qirjazi, Agron Zerani, e shumë të tjerë nuk ju ndahen aktiviteteve promovuese e përkujtuese për dëshmorët e Fekenit, një nderim i përjetshëm i dëshmorëve, që edhe pas 45 viteve është kthyer në tradita nderimi dhe respektimi i Nexhip Çopës dhe shokëve të tij dëshmorë, pasi kjo është fisnikëria dhe humanizmi i shqiptarizmës. Në Golemin e rilindur duket se jet aka ecur dhe përparuar më shumë se në viset e tjera shqiptare, edhe për vetë begatin bregdetare, por nga ana tjetër kushdo që vjen në këtë qytesë turistike interesante me histori e traditë do të “takojë”, që prej 18 prillit 2023, një ndryshim të madh, pasi sheshi i kësaj qendre aktive të turizmit shqiptar, quhet sheshi “Nexhip Çopa”. Është rilindja e tij në kohë të reja, rilindje që rron e do të jetojë në kujtesën e brezave. Për 45 vite një lot i ngrirë i kristalizuar ka ngelur në historikun e Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerave, një lot që nuk do të shkrijë kurrë në historikun e arsimimit ushtarak shqiptar, një lot që përkujton trimërinë, humanizmin, solidaritetin studentor ushtarak si burim frymëzimi për brezat e shkollës ushtarake shqiptare, për brezat e rinj studentorë, për shokët e tyre ish-studentë që nuk do t’i harrojnë asnjëherë.
Përjetësimi i dëshmorit “Nexhip Çopa” në vendlindjen e tij, në Golem të Kavajës
Sheshi i gjelbër në qendër të Njësisë Administrative “Golem” 19 prill 2023 ka marrë emrin e dëshmorit “Nexhip Çopa”, duke nderuar kujtimin e Dëshmorit të Atdheut, birit të Golemit, i cili ra në krye të detyres duke sakrifikuar jetën e tij për atë të shokëve në emër të humanizmit dhe solidaritetit njerëzor ushtarak. Kjo është një vlerë e shtuar për hapësirën e transformuar urbane në zemër të komunitetit të Golemit të Kavajës. Vendimi Këshillit Bashkiak të Kavajës është përjetësi për emrin e “Dëshmorit të Atdheut” Nexhip Çopa. Studenti 21-vjeçar i Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerave është tashmë i trupëzuar me vendlindjen në një nga sheshet më të bukura të Golemit. Nexhipi ka hyrë tashmë në historinë e Forcave të Armatosura në stërvitjen dimërore në tragjedinë që nuk harrohet. Fakt është se tre vite më parë e nderuan atë autoritetet vendore, familjarë, miq, bashkëstudentë të tij, qytetarë të Golemit ku u zbulua pllaka me emrin e studentit që humbi jetën në mbrojtje të jetës së të tjerëve të shokëve të tij, si një solidarizues dhe humanist i madh. Nexhipi përbashkoi në veprimtari në Golem, kryebashkiakun e Kavajës Redjan Krali, deputetin e zonës Etjen Xhafaj që edhe mbajtën fjalën e rastit në këtë ceremoni. Tragjedia e Fekenit përkujtohet në të gjithë Shqipërinë sikurse në Golem të Kavajës, pasi datë 6 shkurt 1981 në malin e Meçekut, ku ortekët e dëborës u morën jetën 8 studentëve dhe 3 oficerëve dhe lanë qindra të plagosur, pjesëmarrës në stërvitjen ushtarake që po zhvillohej aty, shënoi frymën më të lartë solidare. Prandaj gjithë familja e Nexhipit, Vasip Çopa vëllazërisht për atë ditë ceremoniali përzgjodhi fjalë zemra për autoritetet vendore për vendimin e Këshillit Bashkiak Kavajë, për shokët e të vëllait të mbijetuar nga tragjedia më e rëndë në radhët e Forcave të Armatosura Shqiptare, që nuk e harruan kurrë, atë ngjarje sa tragjike dhe të dhimbshme, që mbeti një mister për opinionin public për një dekadë. Nga ana tjetër përkujtimi dhe përjetësimi i një figure të njohur studentore në vendlendjen e tij të dashur është bërë edhe me një lapidar-memorial nga më të veçantit në Shqipëri pasi është një shkëmb-flamur ku janë gdhendur dhjetë emra dëshmorë të Atdheut të të gjitha epokave në Golem. Vetëm nga oxhaku atdhetar “Çopa” në memorial janë të gdhendur tre dëshmorë: Asllan Çopa (1897-1947), Ramazan Çopa (1915-1948), Nexhip Dervish Çoba (28.1.1959-6.2.1981), i shpallur dëshmor i Atdheut me vendim Nr. 2506/2 datë 1.9.1999 të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut. Në lapidar janë skalitur edhe dëshmorët e tjerë të Golemit dhe më konkretisht: Rizvan Bodlli (1927-1945), Ramazan Gjuzi (1928-1943), Tasim Gjuzi (1921-1943), Xhemal Hyka (1922-1945). Zylfi Karaboja (1913-1943), Shir Roçi (1927-1942), Telha Karaboja(1928-1947). Lavdia do ti shoqërojë përjetësisht bijtë e Golemit, që jetën e falën për Atdhe dhe gjakun e derdhën për lavdinë e kombit shqiptar, për shqiptarizmën.
Kujtimet janë pasuria e çmuar e shpirtit dhe e jetës. Të jetosh është të kujtosh
Kujtimet përzihen me ndjenjat dhe mallin, janë një gonxhe ringjalljeje, por dhe një vlerë e civilizimit. Kështu i vëllai i Nexhip Çopës, Vasipi na flet me mall për fëmijërinë, për familjen e tyre të madhe me pesë djem dhe një vajzë si dhe kujton praninë edhe të Nexhipit në gëzimin familjar të fejesës së Hidajetit. Ai kujton se Nexhipi ka ikur nga shtëpia ditën e martë më 3 shkurt, ndërsa pas tre ditësh ka ndodhur tragjedia e Fekenit, që ishte një dhimbje therëse familjare, vitet ikin, kujtimet dhe malli shtohen. Kudesi dhe kujtesa e shoqërisë ushtarake mbeten të përhershme për gjithë familjarët. Dr. Sherif Muçalla ish-student më 6.2.1981, në SHLBO për shokun e tij Nexhip Çopa shkruan: “Të paharruar kujtimi i tyre. Kam qenë atje, në Feken, student i vitit të dytë. Kishim mesim taktikë këmbësorie me Pedagog Thimi Buçka “Organizimin e Pritës…”. Në zonën e Selitës së Malit. Shoku im i klases, grupit Nexhip Çopa ishte me shërbim në fushim në Feken, pasi ishte kthyer nga shtëpia nga një gëzim familjar që kishte pasur. Në ortekun e parë, të gjithë kishin shkuar për të ndihmuar shokët, por fatkeqësisht erdhi orteku i dytë, i cili i mori jetën edhe studentit Nexhip Çopa. E kemi gjetur pas tre ditesh të vdekur, të mbuluar me dëborë pranë një Ahu. Qoftë i paharruar kujtimi yt shoku im i mirë Nexhip Çopa. I paharruar kujtimi i gjithë atyre bashkëmoshatarëve të mi dhe pedagogëve që humbën jetën në stërvitjen dimërore. Janë me dhjetra e qindra ish-studentët ushtarakë që kujtojnë dëshmorët e Fekenit, dëshmorët e përjetësisë dhe pavdekësisë. Shoku i Nexhipit në fëmijëri dhe më tej deri në Shkollë të Bashkuar, Rasim Balla, shkruan se një javë para se të ndodhte tragjedia e Fekenit Nexhip Çopa ka qenë me leje pranë familjes për fejesën e të vëllait dhe ditën e 6 shkurtit 1981 komanda e batalionit e kishte caktuar me shërbim në fushimin dimëror në Feken. Kujtimet për të rrjedhin edhe për mësuesit dhe edukatorët e nxënësve të Golemit, për mësuesit e mirë Seit Ura, Alqi Dhrami, dhe më tej për shokët e tij të fëmijërisë: Hamza Bodlli, Rasim Balla, Bashkim Balla, Durim Karaj, Enver Banushi, Fatmir Hoxha dhe shumë të tjerë, por edhe për vitet kur u rrit dhe burrërua e hodhi shtat dhe nisi studimet në Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej”në periudhën 1974-1978, për periudhën e stazhit pas shkollës së mesme (1978-1979) dhe më tej për vitin e parë dhe për gjysëm viti të viti akademik 1980-1981. Megjithatë Nexhipi ynë i dashur dhe i mirë ngeli përjetësisht në kujtimet tona. Në imazhin e gjithë korpusit ushtarak edhe pse tragjedia e Fekenit është një ditë “e largët” 45 vjeçare, është po kaq pranë si ditë e heroizmi e solidariteti të madh studentor ushtarak. Me veprën e tij Nexhip Çopa shkroi pavdekësinë, prandaj edhe do të kujtohet përgjithmonë.
*
Burime studimi: Vendimi i Këshillit Bashkiak të Kavajës për vendosjen e emrit të “Dëshmorit të Atdheut”, Nexhip Çopa sheshit qendror të Golemit të Kavajës; Dokumente nga AQFA, Të dhëna nga shokë e miq si dhe bashkëstudentë të dëshmorit Nexhip Çopa, si Qetsor Orhan, Agron Zerani, Vladimir Qirjazi, Vlash Leka, Sherif Muçalla, Rasim Balla, Bernard Zotaj, Rushan Dosti,..; Publikime të Kujtimet e të vëllait të tij Vasip Çopa, Bujar Qesja, “Mjeshtër i Madh” të datës 19 prill 2023; Të dhëna nga aktiviteti i datës 18.4.2023 në Golem në promovimin e sheshit “Nexhip Çopa” Zaho Golemi, Dëshmorët e Fekenit në kujtesën kombëtare, Revista Mbrojtja organ i MM, Tiranë, 2001, Publikime në portalin e mirënjohur “Albspirit”, “Balkanweb”, Periodiku i gazetës “Labëria”, “Ushtria”, “Mbrojtja”, “Pavdekësia”, si dhe gazeta e revista të tjera lokale e kombëtare.