Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: Fshehja e ndjenjave

Sprovë

Në rrethin e brendshëm shoqëror nuk ka më sinqeritet, por ka fshehje (kamuflim) të ndjenjave në dëm të sinqeritetit, që do të thotë: tjetërsimi i marrëdhënieve nuk ka zanafillë dashurinë, por ka xhelozinë, ka smirën dhe lakminë, shenja këto që kontribuojnë në prishjen e raporteve, në mosrespektim të ndjenjave, të dëshirave, të qëllimeve, të cilat ndërthuren duke formuar atë mendim, i cili e udhëheq njeriun me xhelozinë, e kur xhelozia udhëheq mendimin, atëherë mendimi godet ndjenjën, duke shpërthyer në fjalë dhe në veprime të cilat lëndojnë dhe nuk përqafojnë. Kjo shkallë xhelozie nuk ushqen por ngatërron, e kjo ngatërresë turbullon ujrat e qetësisë, të paqes dhe të harmonisë.

Reflektimi i xhelozisë është shenjë dalluese për të gjithë ata që fshehin dhe nuk tregojnë. Pas fshehjes së mendimit fshihet edhe qëllimi, i cili godet për të asgjësuar qoftë edhe atë grimcë lumturie që vihet re në marrëdhënie të ndërsjellta mes miqsh, të afërmve, kolegëve, familjarëve, sepse ky fenomen përfshin çdo hapësirë ku frymohet, diskutohet dhe ku ballafaqohet shpirti njerëzor.

Xhelozia nuk është miku i njeriut, por është armiku i tij. Në xhelozi, prej shpirtit të sëmurë mbillen vetëm rrënjë të kalbura që nuk prodhojnë. Ky shpirt i sëmurë, varfërinë e tij kërkon ta bashkëndajë, për të uzurpuar hapësira dhe sipërfaqe që nuk i takojnë. Ky uzurpim mbetet shterpë, pasi të mençurit nuk i lëshojnë hapësirat që i takojnë, përveçse i mbron me dinjitet dhe mençuri.

Ka raste të shumëllojshme dhe të shumëfishta ku konkretizohet ky mendim filozofik mbi mençurinë. Të mençurit nuk gabojnë, përveçse paqe shpirti prodhojnë. I mençuri është i mbrojtur nga dituria, të marrët vuajnë nga xhelozia, e cila nuk ka ç’të hajë, përveçse të përtypë mërinë. Por mëria nuk të ngop me dashuri, sepse shkak-pasojë e saj është defiçiti në ndjenjë, i cili reflektohet si në fjalë, si në mendim, si në sjellje ashtu edhe në veprim.