Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Iliazi: Dikotomitë liriko-filozofike të Jorgo Bllacit

Lexoj në revistën “Hejza” një poezi të Jorgo Bllacit, të titulluar “Balada e lotit” dhe më kujtohet poeti i mrekullueshëm që e kam njohur në fillim të viteve ’90 në Tiranë. “Balada e lotit”, një poezi tronditëse, që jep një masë të re për thellësinë e njerëzimit, nxjerr të vërtetën e fshehur, që shfaqet si një metamorfozë e përjetshme në një botë ndjenjash të ndryshme, të shthurur nga lakmia.

Poezia flet për ndërgjegjen e njeriut me një jetë ndiesore shumë të dyzuar dhe të ndërlikuar, mes trazimit dhe prehjes së vetvetes, flet për falsitetin, hipokrizinë dhe perversitetin e shpirtligësisë së shprehur.

Të privosh, të cënosh dinjitetin njerëzor, (në këtë rast të një femre), kjo ndodh në botën tonë të braktisur nga transhendenca. Poeti kundërvë të urtin me të marrët. Një dikotomi radikale midis urtësisë dhe botës, në një rrëfim liriko- filozofik.

Jorgo Bllaci është një nga poetët tanë më të shquar të brezit të viteve ’60, i cili është pëlqyer shumë si poet lirik i ndjenjës e i pasionit, si poet i mendimit të lirë, i çliruar nga mëdyshjet e vetvetes. Individualiteti i tij është i dukshëm dhe mbi të gjitha shpirtëror, në kuptimin, perceptimin, shqetësimin dhe komunikimin e ndjenjës në mendim dhe të mendimit në ndjenjë. Tek Bllaci shquajmë një kadencë poetike shpirtërore të vetën, një varg emocional e ritmik, një ndjeshmëri të gjallë poetike dhe një komunikim ë sinqertë shpirtëror meditativ. Asocacionet e tij poetike janë janë sa abstrakte, aq dhe humane, të tejdukshme.

Jorgo Bllaci u përshëndet nga të gjithë sa ishte gjallë, si poet i sinqertë, me frymëmarrje të rrallë dhe pa poza artistike. Por edhe si përkthyes, me një dashuri të pakufishme për poetët botërorë, sidomos ata rusë. Ishte mjeshtër i vjershërimit, që shkroi me urtësi dhe çiltërsi dhe ndoqi rrugën e tij. Por ishte edhe njeri me mendime të lira dhe të guximshme, që i sollën jo pak andralla nw jetë.

BALADA E LOTIT

Vendosën ta godisnin me gurë

Marie Madalenën e gjorë,

Burrat që s’arritën ta shtinin dot në dorë,

Gratë ziliqare për lirinë e saj të shthurur

Dhe pleqtë inatçorë.

Po duke ndjekur udhën andej pari,

I biri i perëndisë u ndal aty për fat

Dhe urdhëroi:

– Të godasë i pari

Ai që asnjëherë s’ka rënë në mëkat!

Rrëmeti u shtang…

Legjenda kaq na thotë.

Por sapo biri i qiellit u largua,

Turmës kokëfortë

Demoni i mllefit përsëri iu zgjua.

Veç si të bënin? Frika e ndëshkimit

Ua mpinte krahët gurët sa rrëmbenin

Dhe gati sa s’pëllcisnin prej tërbimit,

Që s’gjenin dot mënyrën si ta shfrenin

Hakmarrjen mbi të gjorën Marie Madalenë.

– Pse s’marrim heremitin? – tha një zë, –

Veç njerëz si ai mëkate s’mund të kenë…

Ç’u tha, u bë.

Dhe heremiti i shpellës çalë – çalë

U gjend mes turmës.

– Merr një gur, – i thanë, –

Dhe bjeri asaj femre të përdalë!

Të urtit plak iu duk sikur i ranë

Atij me gurë kokës, po s’u ndie.

Papo i vajti mëkatares pranë:

– A janë të vërteta, – i tha, – moj bijë,

Këto që veshi më dëgjon për ty?

Asaj mbi ballë i ra një e zbehtë hije,

Një pikëz loti i vezulloi në sy

Dhe vetëm psherëtiu.

Plaku i mirë

Aherë iu kthye turmës:

– Nëse doni

T’ua plotësoj që këtë çast dëshirën,

Avituni këtu dhe më veçoni

Te kjo krijesë e ngratë mëkatin dhe njerinë,

Se trembem mos godas aty ku s’duhet

Dhe zemëroj padashur perëndinë!

Sa folëm ne që s’ishim fare atje,

Aq hapën gojë edhe ata që qenë.

Veç që prej asaj dite të gjithë bëjnë be

Për lotin e Maries Madalenë…

Biografia

Jorgo Bllaci, (lindur më 10 tetor 1938 në fshatin Karjan afër Gjirokastrës, vdiq më 28 shtator 2001 në Moskë) – poeti shqiptar, përkthyes i poezisë ruse dhe një i burgosur i ndërgjegjes. Për përkthimet e tij nga letërsia ruse, Bllaci është dekoruar më 1993 nga ish-presidenti Boris Jelcin me dekoratën e lartë të «Urdhërit të Miqësisë».

Kreu fakultetin e Gjuhë-Letërsisë, më pas punoi si mësues. Në vitet ’50 u dënua me dhjetë vjet burg, për shkak të bindjeve politike. Pas daljes nga burgu, më 1964-1967 Bllaci u detyrua të punojë si punëtor ndërtimi.

Më 1990 u kthye përsëri në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Pas vdekjes u nderua me titullin “Mjeshtër i Madh”.

Pas vdekjes, më 2004 ai u nderua me titullin Mjeshtër i Madh.

Veprat

Ligjërimet e Pyllit, lirika, Tiranë: Naim Frashëri, 1964.

Epika e Trëndafilave, poezi, Tiranë: Naim Frashëri, 1990.

Zërat e natës, poezi, Tiranë: Shtëpia Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve, 1993.

Kuja e violinës, poezi të zgjedhura, Tiranë, 2007.

Përkthime

Sergej A. Esenin, Vjersha dhe poema të zgjedhura, Tiranë: Monroe, 1994. ribot. Bllaci, 1996.

Ivan S. Turgenev, Ujrat pranverore: Rudini, Tiranë: Naim Frashëri, 1996.

A. S. Pushkin, Vjersha dhe poema, Tiranë: Naim Frashëri, 1997.

Hajnrih Hajne, U hodha – dhe u zgjova shpejt; Lermonov, Goethe, Kitsi, etj.