Mimoza Rexhvelaj: Letërsia, republika ku të gjithë dëshirojnë të jenë mbretër
Letërsia është republika ku të gjithë dëshirojnë të jenë mbretër.
Asnjë shkrimtar nuk synon pushtetin, por është fjala ajo që jua jep iluzionin e një sovraniteti absolut,që asgjë tjetër nuk është në gjendje ta ofrojë.
Në letërsi nuk ka zgjedhje, nuk ka vota, nuk ka shumicë që të rrëzon si në parlament edhe pse pushteti politik dhe institucionet kulturore shpesh shpërndajnë çmime, tituj dhe legjitimitet, merita dhe dashamirësia e lexuesit rrallë herë ecin bashkë.
Zakonisht, kur politika negocion, fjala mbetet e zhveshur dhe pa rrënjë…
Çdo autor hyn me bindjen se zëri i tij është ligj. Me këtë bindje ai krijon botën e vet, cakton moralin, vendos kufijtë fundorë dhe fatin e republikës së tij. Të asaj madhështie, që ngre mbi letëra me copëza shpirti.
Në këtë hapësirë, autorësia është kurorë, ndërsa vetmia bëhet pallat i artë, prej nga lëshohet zëri, pa ndërmjetës për të mbërritur drejtë e në zemrën e lexuesit të zgjedhur.
Në letërsi të gjithë duan të sundojnë,por pak janë ata që pranojnë të dëgjojnë.
Leximi kërkon përulësi. Kërkon paqe me veten, me botën, me të panjohurën që të sfidon. Ndërsa shkrimi shpesh lind nga nevoja për t’u shpëtuar kufijve të realitetit, për të mos qenë subjekt i rregullave të dikujt tjetër.
Prandaj, mbretëria e fjalës tërheq më shumë njerëz, në këtë oaz nuk të ndërpret askush dhe çdo gabimi shndërrohet në stil.
Megjithatë, duhet thënë se kjo republikë mban një paradoks të heshtur, sa më shumë mbretër, aq më pak pushtet real.
Fjala nuk sundon pa tjetrin, që e pranon qoftë edhe për ta kundërshtuar, kur qasja nuk është e duhura…
Lexuesi është një qytetar i heshtur, zotëron një fuqi që autori nuk e kontrollon dot kurrë.
Lexuesi mund ta rrëzojë mbretin thjeshtë duke mbyllur librin, pa revoltë, pa protestë, biles pa bërë më të voglën zhurmë….
Letërsia nuk është shpallur republikë sepse është demokratike, por sepse askush nuk e zotëron plotësisht.
Çdo mbret sundon vetëm në territorin e vëmendjes që i jepet. Pikërisht këtu lind tensioni më i bukur dhe kundërvihen ambiciet me dëgjimin dhe egoja me kuptimit.
Mbreti më i rrallë në republikën e letërsisë, nuk është ai që sundon më shumë, por ai që pranon të mos sundojë fare.