Albspirit

Media/News/Publishing

Zaho GolemiL: DËSHMORËT E FEKENIT NË MEMORIEN E PËRJETËSISË USHTARAKE SHQIPTARE

(Me rastin e 45 vjetorit të rënies së 11 dëshmorëve të Fekenit (6.2.1981-6.2.2026); kushtuar dëshmorëve të Atdheut të rënë në krye të detyrës dyzetë e pesë vjet më parë në një ditë tragjedie, heroizmi, solidariteti ushtarak: komandanti i batalionit të parë të këmbësorisë Dushan Fejzi Shameti (1952-1981) nga fshati Dorëz i Tepelenës, Çlirim Halil Pulaj (1945-1981), shef i planëzimit, nga Tragjasi i Vlorës; Nikollaq Naun Bero (1946-1981), pedagog taktike nga Berati; Aleko Thimio Gjoni (1958-1981), student dega prapavijë, nga fshati Nivicë Sarandë (me banim në Gjirokastër); Besnik Sulo Shehu (1958-1981), student gjitharmësh nga Picari i Gjirokastrës; Bilbil Zoto Pashaj (1958-1981), student gjitharmësh, nga Kremenar, Mallakastër; Ilir Stefan Gramatikoi (1958-1981), student, dega prapavijë, nga Tirana; Bujar Masar Ago (1958-1981), student dega prapavijë, nga Vishje Tirana; Pëllumb Hysen Rrapo 1958-1981, student, dega prapavijë, nga Poshnja e Beratit; Qemal Qazim Lika (1958-1981), student gjitharmësh, nga Selba e Tiranës, Nexhip Dervish Çopa (1959-1981) student viti i dytë nga Golemi, Kavajë, Durrës. Tre oficerat dhe tetë studentët e rënë në Feken janë shpallur me Vendim Nr. 2506/2 datë 1.9.1999 të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut” që është vendim i përbashkët për të njëmbëdhjetë dëshmorët e ish-Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerave “Enver Hoxha”, që ranë dhe mbetën përjetësisht më datën 6 shkurt 1981. Ata ranë por shkruan pavdekësinë në memorien ushtarake dhe kombëtare shqiptare).

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

                

Stërvitja dimërore e shkurtit 1981 ishte ishte dhe mbeti një ngjarje e shkruar në memorien e gjithë ushtarakëve shqiptarë, por edhe më gjerë. Ishin tre oficerë dhe tetë studentë  të ish-Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerave, që në kujtesën shqiptare quhen “11 dëshmorët e Meçekut”. Stërvitja dimërore masive e trupës studentore dhe pedagogjike në një ditë tepër të vështirë u kthye në një ditë që në memorien ushtarake shqiptare dhe më gjerë është quajtur “Tragjedia e Fekenit”, rrëzë malit të Meçekut. Tashmë janë të rrallë ushtarakët që e kanë jetuar ditën e tragjedisë së ushtarakëve të ish-SHLBO dhe që militojnë në FASH. Megjithatë kujtesa e shqiptarëve nuk mund të harrojë ushtarakët, student e pedagogë me në krye komandantin e shkollës Rustem Peçi, shefin e degës mësimore Hysen Shehu e shumë të tjerë, personalitete të shquar ushtarakë. Një unitet njerësor, një simbolikë solidariteti ushtarak e njerëzor. Katër dekada e gjysmë kanë shkuar dhe Lapidarët e Fekenit si maja malesh lartësohen në të katër anët e Shqipërisë. Që të gjithë ranë në emër të një kauze të madhe në zemër të malit të Meçekut mbrapa malit të Dajtit në Tiranë. Kjo është dokumentuar në kujtesën e mijëra pjesëmarrësve në stërvitje dimërore student e oficerë, por edhe atyre që me zemër e shpirt ishin në stërvitjen dimërore të studentëve ushtarakë. Një korpus ushtarakësh në unitet vlerash njerëzore. Kështu është regjistruar tashmë jo vetëm në kujtesën e ushtarakëve ngjarja e rëndë tragjike, ku humbën jetën 11 pedagogë e studentë ushtarakë, gjatë një stërvitjeje dimërore në malin me borë përtej Dajtit. Në historikun e saj të pas Luftës së Dytë Botërore, ushtria shqiptare e ka memorizuar këtë si ndodhinë më të rëndë, me numrin më të madh të viktimave e të lënduarve. Kaluan katër dekada e gjysmë qysh atëherë, në opinionin publik është folur me rezerva për katastrofën që ndodhi gjatë atij demonstrimi, në kushte të vështira të faktorëve ekstremë të natyrës sikurse janë orteqet. Madje, në periudhën kur ndodhi ngjarja, autoritetet zyrtare ndaluan në mënyrë të prerë transmetimin e lajmeve në mediat e kufizuara të kohës. Fillimisht në vitet e para gjithë ngjarja ishte rrethuar me mister dhe asnjëherë nuk u përkujtuan ceremonialisht, përjashtuar takimin e përvitshëm të familjarëve të dëshmorëve student e oficerë në vendin e ngjarjes dhe përkujtesën e bashkëstudentëve e pedagogëve në mjediset e Akademisë Ushtarake dhe KDS-së. Vetëm pas 18 vjetëve nga rënia e tyre, në vitin 1999, të rënët e ortekut të Fekenit u shpallën “Dëshmorë të Atdheut”; ndërsa të mbijetuarit u dekoruan me medalje të ndryshme. Fekeni u bë në atë kohë qendër e rëndësishme e përgatitjes së luftëtarëve të ardhshëm të UÇK-së (1997-1999).

Në librin “Dëshmorët e Atdheut”, të publikuar me rastin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar më 2012-tën, midis rreshtave të dëshmorëve të të gjitha epokave janë shkruar edhe dëshmorët e Fekenit. Ata janë shpallur dëshmorë me vendim të Komisionit shtetëror të dëshmorëve nr. 2506/2, datë 1.9.1999, pra të Komisionit Qëndror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”, janë shpallur “Dëshmorë të Atdheut”, por jo të gjithë janë vlerësuar sipas ligjit pasi ka ende prej tyre që nuk janë sistemuar në Varrrezat e Dëshmorëve, siç parashikon ligji, por janë disa që prehet me prindërit, motrat apo vëllezërit në varrezat publike. E nesërmja e eshtrave të tyre është vetëm në grupvarrezat e dëshmorëve, që rregullohet me ligj. Dëshmorët studentë e pedagogë ushtarakë janë një monument i kombit, që dhanë jetën për atdheun në përleshje me stuhitë e dy ortekëve të dëborës. Dy kolona gjigande ushtarake në fundjanari ose në fillim të shkurtit të viteve ’80 lëviznin për “stërvitje dimërore” nga Tirana e Zallherri drejt grykës së Tujanit, Zall-Bastarit dhe më tej rrugët ndaheshin: Shkolla e Bashkuar e zhvendoste aktivietin e saj me marshim drejt qendrës stërvitore Feken, ndërsa Shkolla e Oficerave Rezervistë Zall-Herr vijonte drejt Bizës së Martaneshit. Por kjo periudhë ishte e pamundur që mos të shoqërohej me rreshe të shumta dëbore. Katër dekada e gjysëm më parë në atë ditë të ftohtë shkurti studentët e Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” (emërtim i kohës), grupet mësimore që kishin në program mësimor “përgatitje fizike/ngjitje malore në terren me dëborë”, u goditën befasisht nga një ortek i fuqishëm bore që përfshiu vetëm në pak sekonda 204 studentë. Ngjarja nga më shumë se mijëra dëshmitarë është treguar dhjetra e dhjetra herë në vite. Është një tragjedi e vërtetë, e pashoqe në historikun e gjithë ish-shkollave ushtarake të vendit. Edhe protagonistët kryesorë të organizimit shembullor, që kufizoi viktimat dhe pasojat katastrofike. Nuk ka qenë vetëm një goditje orteku, por dy orteqe njeri pas tjetrit, që nuk vinin me rrokullisje por me shkarje masive dëbore si të rrëshqiste mali i tërë. Në imazhin e gjithë korpusit ushtarak pavarësisht se tashmë ajo është një ditë “e largët” dyzetë e pesë vjeçare, por dhe kaq pranë si ditë e heroizmit dhe e solidaritetit ushtarak.

Tragjedi e paralajmëruar, pasi data 5 shkurt 1981 ishte binjake e datës 6 shkurt 1981

Programimi dhe masat për stërvitjen dimërore kishte fiolluar që në verë. Në shtator gjithë planet dhe masat për stërvitjen dimërore të Fekenit kanë qenë gati. Protagonistët Petrit Murzaku, Mark Mici, Ramazan Zelija, Isa Tare, Bashkim Lika e shumë të tjerë të katedrës së Përgatitjes fizike por edhe specialistë nga MMP-ja dhe SHP kanë qenë udhëtreguesit e ngjarjes në dekada. Në fakt katedra e Përgatitjes fizike udhëhiqte në të vërtetë gjithë trupën studentore jo vetëm drejt majës së Meçekut, por edhe krejt aktivitetit stërvitor në Feken. Të gjithë ishin të bindur se kapja e lartësisë së pikës trigonometrike në majën e malit të Meçekut me lartësi 1827 metra, ishte edhe “objektivi”, ose “steka” e nivelit stërvitor në kushte dimërore krahas aktivitetit stërvitor të taktikës, qitjeve malore, zbritjes dhe ngjitjes alpinistike, mbijetesës në guvat e dëborës, xhenios, kimisë, ndërlidhjes, topografisë në kushte fushore dimërore etj. Duke qenë dëshmitar i kësaj ngjarje sjell në kujtesë se një ditë para ngjarjes më 5 shkurt 1981 tre grupe mësimore marrshuan drejt malit të Meçeku, u rrotulluan nëpër mjegull, llohën e shiut nëpër majëkreshtave të Malit me Gropa dhe zbritëm drejt Staneve të Bastarës, që ngjante si të zbrisje prej Ferrit. Ishte një itinerar i përcaktuar dhe snksionuar me program. Ndërkohë që “programi ishte ligj” dhe do të zbatohej në mënyrë të përpiktë. Mbi borën e parë që kishte ngrirë kishte rënë sërish dëborë dhe ishin krijuar dy breza dëbore, një si bazament dhe tjetri si “racion” për ne që stërviteshim në kushte ekstreme të dimrit. Vende vende era “kishte ndihmuar”, që lartësia e borës të arrinte deri në dy metra e më shumë sidomos në vende ku erërat kishin grumbulluar togje me dëborë. Gjatë gjithë itenerarit rreth tetëdhjetë studentë të veshur me gjithë pajimet e ushtarit, me lopata këmbësore në dorë dhe të lidhur me litar përshkruan në një ditë nga më të egrat e viteve gjithë mjegull, erë, ngricë, e shumë dëborë. Shiu që “shkundej” nga retë nuk arrinte të zbriste në tokë sepse ngrinte në ajër e khehej në mijëra gjilpëra akulli që na shponin fytyrën. Trupi nuk bindej me lehtësi, edhe pse Urdhëri mbetej urdhër, pra nuk kishte diskutim. Kthenim kokën majas e djathtas për të thërmuar ato copëza akulli që kishte veshur pelerinën rreth qafës teksa marshonim. Në masë dërmuese nuk kishin provuar të tilla sfida edhe ne që vinim nga viset më të ashpra të malsive shqiptare në jug dhe në veri të vendit. Në mendjen tonë ngelën pedagogët e apasionuar dhe të talentuar Mark Mici dhe Ramazan Zelija që ishin zotërues potencialë të kolonës studentore. Edhe kur rirrotulloheshim malit me gropa të Meçekut dhe dilnim sërish tek pika tigonometrike e majës së malit të Meçekut, askush nuk e humbi toruan por me besim se do t’ja dilnim dhe në fakt në këtë “ditë motër” të ditës së 6 shkurtit 1981, ne ja dolëm. Nga t1k2b2 këmbësor të drejtuar nga pedagogu Ramazan Zelija ishin: Rasim Qerim Balla, Zaho Ferhat Golemi, Kristo Thoma Rrapo, Gjet Mark Bushi, Behar Halit Salillari, Avdi Bahri Larti, Aleksandër Ali Lamçe, Adem Elmaz Klefti, Agron Zenel Papdeja, Beqir Halil Halili, Dhimitër Spiro Golemi, Fadil Teme Gucaj, Flamur Xhevdet Muskaj, Ilirian Muharrem Kolleshi, Kastriot Petro Goga, Kamber Fahri Zaimaj, Luljan Voisi Taullaj, Nikollaq Stavri Gjoka, Pandeli Petro Dema, Qemal Rifan Halilaga, Simon Kozma Stambolliu, Shpëtim Mustafa Bllaca, Ilir Rapo Mema, Thoma Kristaq Xoxa, Xheladin Shaban Dashllani, Isuf Ali Vllaso. Por në fakt marshimi i ditës stërvitore të 5 shkurtit 1981 përfundoi me sukses dhe të tre grupet mësimore u kthyen shëndoshë e mirë në qendrën stërvitore të fushimit në Feken, sipër Selitës së Malit, por nga ana tjetër ishte një paralajmërim për ditët që do të pasonin.

Orteku i befasishëm përballë heroizmit masiv të studentëve dhe solidaritetit ushtarak

Heroizmin masiv të studentëve të Shkollës së Lartë të Bashkuar do ta “vinte në provë” edhe rrëshqitja e dy orteqeve nga faqja e Malit të Meçekut. Përpara kësaj ngjarjeje ajo ishte thjesht një zonë e ashpër malore ku bora binte dimrave si në “shtëpinë e vet”. “Qetësinë” ja “prishi” gjallëria dhe vrulli studentor ushtarak i viteve ’70-’80-të, që vijon edhe sot e kësaj dite. Askush nuk besonte se një pllakë mermeri do të përjetonte një ngjarje mjaft të rëndë tragjike, ku më 6 shkurt 1981, humbën jetën në krye të detyrës njëmbëdhjetë oficerë dhe studentë ushtarakë, tre oficerë dhe tetë studentë të Shkollës së Bashkuar, komandanti i batalionit të parë të këmbësorisë Dushan Fejzi Shameti 31 vjeçar nga fashati Dorëz i Tepelenës, Çlirim Halil Pulaj 36 vjeçar, shef i planëzimit, nga Tragjasi i Vlorës; Nikollaq Naun Bero 37 vjeçar, pedagog taktike nga Berati; Aleko Thimio Gjoni 23 vjeçar, student dega prapavijë, nga fshati Nivicë Sarandë; Besnik Sulo Shehu 23 vjeçar, student gjitharmësh nga Picari i Gjirokastrës; Bilbil Zoto Pashaj 23 vjeçar, student gjitharmësh, nga fshati Kremenar, Mallakastër; Bujar Masar Ago 23 vjeçar, student dega prapavijë, nga Tirana; Ilir Stefan Gramatikoi 23 vjeçar, student, dega prapavijë, nga Tirana; Pëllumb Hysen Rrapo 23 vjeçar, student, dega prapavijë, nga Berati; Qemal Qazim Lika 23 vjeçar, student gjitharmësh, nga Tirana, Nexhip Dervish Çopa 21 vjeçar student viti i dytë nga Golemi i Kavajws. Ndërsa mbetën të të dëmtuar më rëndë Përparim Veliu, student, dega prapavijë nga Saranda dhe Luan Muça student gjitharmësh, nga Peshkopia. Nga ngjarja kishte edhe rreth 70-80 studentë e oficerë që u plagosën rëndë ndërkohë që të plagosurit në total ishin rreth 360-400 studentë e oficerë. Dimri shumë i ashpër, koha me shi e dëborë, ka qenë e parapëlqyer për stërvitjet dimërore, ndërkohë që edhe një ekip inspektimi nga Ministria e Mbrojtjes Popullore ka qenë në fushim. Natën e 5 shkurtit duke u gdhirë 6 shkurti një shi i ftohtë me flokë dëbore trazuar, ra përgjatë gjithë natës dhe mbi dëborën që kishte rënë më përpara ra një shtresë e re dëbore, e cila dukej sikur “flinte”, por edhe në gatishmëri për të rrëshqitur.  kjo e vështirësoi shumë lëvizjen tonë për ngjitjen në malin hije rëndë të Meçekut. Mëngjesi i 6 shkurtit 1981, ngjante një minxyre, por zbatimi i programit stërvitor nuk njihte tërheqje, as ndërrim destinacioni dhe as lehtësime. Kohë e mot i pabesueshëm dhe i pabesë. Si zakonisht në përditshmërinë e fushimit dimëror ishte rreshtimi i orës 8-të e më tej nga fushimi nën drejtimin e pedagogëve bëhej shpërndarja për stërvitje. Tek “ngjitja malore me teknika të alpinizmit në kushte të vështira të terrenit e të motit”, ishte edhe vëmëndja më e madhe e strukturave. Kolona filloi lëvizjen drejt “qafës së Topave”, ngjiti rrugën automobilistike me grupet mësimore me 204 studentë, një kolonë e gjatë dhe e ngjeshur, që marshimi bëhej duke ecur “në gjurmët e njeri-tjetrit”.

Në krye ishte pedagog Mark Mici pedagogu me përvojë të gjatë pune, me trup atleti, shumë i aftë nga ana profesionale, me një përgatitje fizike të lakmueshme. Instruktazhi, teknikat e lëvizjes, masat për plotësimin me sukses të detyrës së alpinizmit, përdorimin i kazmës alpine, mbajtja e litarit kolektiv, përdorimi i celësave shumëpërdorimësh alpinistikë, komunikimi etj. T1k2b2, i ndoqi me sy e rreshtuar si “togë e gatshme”, atë ditë tragjedie. Pjerrësia e shpatit të malit e vështirësonte shumë marshimin dhe ngjitjen. Por porositë e drejtuesve të ngjitjes malore “kujdes shokun!”, “Ndihmoni njeri-tjetrin!”, “Mos krijoni shkëputje!”, “Shkelni në gjurmët e shokut!”, “Mos lësho litarin për asnjë çast!” etj., ishin urdhruese për cilindo pjestar të kolonës. Togat e këmbësorisë në krye dhe më tej toga e prapavijës, ndërlidhjes, AKA-së. Marshimi vijonte i sigurtë përmes pyllit me ahishte. Kolona doli tek “tre pemët e vetmuara”, që ishin si pikë orientimi për kalimin e studentëve. Qetësi, ndërkohë që dëgjoheshin vetëm fëshfërimë degësh e shkurresh. Fjalët e studentëve i merrte era, era e ftohtë që u thante veshët si dhe fishkëllente pa pushim, si të njoftonte tragjedinë e asaj dite. Kur “koka” e kolonës ishte rreth 250-300 metra nga maja e malit, më shumë se gjysma e kolonës kishte dalë nga pylli në pjesën e zhveshur të malit por të mbuluar nga bardhësia e dëborës. Ndërkohë grupi i sigurimit të kolonës, devijoi majtas rreth njëqind metra, sepse i tillë ishte programi për ngjitjen, “duke krahëmarrë malin”. Por ndërkohë gjurmët e studentëve prenë njëherazi edhe dëborën e re që ishte mbi dëborën e akullt (dhe dukej se kishte rënë një ditë më parë). Kështu shtresa e dëborës që nga maja u shkëput rrufeshëm dhe në fare pak sekonda goditi gjithë kolonën e marshimit. Gjithë faqja e malit me dëborë në gjithë gjerësinë rrëmbeu me vete çfarë gjeti përpara, duke u shndruar kështu në një grumbull dëborë të fuqishëm dhe të rrezikshëm.

Orteku mori përpara studentë e pedagogë, shkarpa, dëgë, trungje, gjithçka. Kishte filluar “përleshja” me dëborën për të shpëtuar jetën e tyre dhe jetën e shokëve. Uturima e dëborës zbriti shpatit të malit dhe u bashkua me thirrjet e studenteve që kërkonin shokët. Sigurimi i kolonës nuk kishte më vlerë i lidhur, por fati i ndihmoi të ndaleshin në një grumbull shkurresh e pemësh. Litarët kolektivë dhe çelësat e sigurisë nuk kryenin më punë. Fenomeni i ekstremit natyror i tipit “ortek” kishte ligjësitë e veta. Mbështetja humanitare kishte dalë në plan të parë. Ishte më shumë se një gjëmë. Nga protagonistët e ngjarjes kemi shkëputur të dhëna nga Bashkim Lika (ish-pedagog i përgatitjes fizike) që ishte në marshimin e datën 6 shkurt, në ditën e tragjedisë: “Orteku i parë rrëmbeu më shumë se gjysmën e kolonës me një goditje të befasishme. Ajo ishte një gjëmë. Orteku rrëmbeu, sa hap e mbyll sytë, gati tërë kolonën e gjatë të studentëve që i ngjiteshin Meçekut, në atë fillimshkurti të acartë.  Ishte demonstrim alpinistik mbi majëmalet e ngarkuara me dëborë…Ishte mëngjesi i 6 shkurtit i vitit 1981. Një ditë e ftohtë dhe me erë të rrëmbyeshme. Grupet mësimore (toga) me 204 studentë, atë ditë do të përpunonim ngjitjen malore me elementë të alpinizmit, në një terren të thyer dhe me trashësi të madhe bore. Nisja ishte e zakonshme, si në të gjitha ditët e tjera. Kolonën e marshimit e udhëhiqte, si gjithnjë në të tilla stërvitje, pedagogu i talentuar Mark Mici gjithmonë optimist dhe plot energji. Për çdo rast nevoje, ishin pesëmbëdhjetë pushkatarë të vendosur: pesë në krye të kolonës, pesë në mes dhe pesë të tjerë në fund të saj.

Ata ishin garantuesit e jetës së shokëve nga çdo e papritur gjatë marshimit. Kështu veprohej gjithnjë në demonstrime që bënim jashtë fushimit e sidomos gjatë stërvitjeve në lartësi dhe në pyje, ku edhe gjatë verës nuk ka jetë. Na kishte ndodhur jo rrallë përballja me kafshë të egërsuara, maje edhe me arinj të uritur. Gjithsesi, vështirësive të kësaj natyre ua kishim marrë dorën dhe u paraprinim me masa sigurie të veçanta. Kur kreu i kolonës arriti tek vendi i quajtur “Tre pemët e vetmuara”, siç ishte koduar në hartë, na rrëshqiti nën këmbë me një shpejtësi të jashtëzakonshme e tërë faqja e malit, mbështjellë me një trashësi të madhe dëbore. Ishte një goditje e menjëhershme dhe e fuqishme, që ushtoi me një gjëmim shurdhues dhe rrëmbeu me vete sa hap e mbyll sytë gati gjysmën e kolonës. Për pak sekonda shokët “humbën” nën trashësinë e dëborës. Një mal i madh dëbore rrëshqiste me shpejtësi të rrufeshme shpatit të thepisur. Panik, ulërima, britma, thirrje dhe krisma armësh vijuan për pak çaste. Ata që mundën të dalin nga masivet e bardha të borës bërtisnin e kërkonin ndihmë, për të shpëtuar shokët e mbetur në rrënojat e ortekut, që kishte përfshirë më shumë se gjysmën e efektivit. Goditja e parë ishte vala e parë që çoi studentë e oficerë mes masit të borës me trupa të gjymtuar, pajisje të shpërndara poshtë e lartë, një gjëmë e vërtetë, pa mundësi bilanci të plotë mbi humbjet, gjymtime, dhe ata që prisnin me shpresë nën rrënojat e bardhësisë së ortekut të dëborës. Por mësimi nga tradita e zonave alpine shqiptare se, zhurmat dhe krismat shkaktojnë orteqe të tjera ishte neglizhuar dhe për këtë u pagua rëndë me jetë njerëzish. Ndërkohë që “Tre pemët e vetmuara” në faqen e malit të Meçekut kanë ngelur prej 45 vitesh një stacion përjetësie, ku orteku i dytë “sulmoi” studentët dy herë atë fillimshkurti të vitit 1981.

Në faqen e malit të Meçekut: një ortek i dytë, më i fortë, më i tmerrshëm dhe më tragjik për shokët tanë studentë

Sapo në komandë të Shkollës së Bashkuar (të transferuar këto ditë në Feken), në qendër të fushimit ishte dhënë kushtrimi. Pritej nga momenti në moment të vinin shokët e tjerë, për të kërkuar të humburit dhe për të transportuar të gjymtuarit. Nga Shtabi i Përgjithshëm, kishte ardhur edhe ushtarakë madhorë për të inspektuar demonstrimet stërvitore në kushtet e vështira të motit dhe terrenit. Fakt është se rreth dy orë pas ortekut të parë ra edhe orteku i dytë që ishte më i fuqishëm, më i tmerrshëm dhe më tragjik. Në vendin e ngjarjes ishte grumbulluar një numër i konsiderueshëm studentësh nga efektivi i shkollës. Fill pas dhënies së sinjalit të kushtrimit nga togat që bënin ngjitjen malore ndër të parët që mbritën aty ishin toga e gatshme e fushimit t1k2b2 e drejtuar nga Rasim Balla. Bashkë me togën e gatshme me makinën e gatshme u nis edhe Vasil Nathanaili dhe oficeri i degës së planizimit Çlirim Pulaj, sot “Dëshmor i atdheut”. Makina nuk mund të ngjitej më tej prej rrugës me akull si dhe dëborë të ngjeshur të bërë si akull. Kështu që pas përpjekjeve makina ngeli disa metra mbi “Qafën e Topave”. Toga tonë e gatshme, u nis me këmbë, ndërkohë që drejt rrugës këmbësori direkt mbi godinat e Fekenit, ishte nisur i pari komandanti i batalionit Dushan Shameti. Mbritja ishte e shpejtë dhe menjëherë filloi puna. Prezenca ishte masive si Petrit Murzaku, Abaz Çipi, Sali Xhakupi, Nikollaq Bero, Luftar Guri, Myzafer Kambo,etj, etj. Të gjithë kërkonin të ndihmonin të dëmtuarit dhe kërkonin trupat e shokëve nën rrënojat e dëborës. Goditja e furishme dhe në mënyrë të papritur shkaktoi edhe më shumë viktima. Kacafytja me përbindëshin e bardhë, pamjet rrëqethëse, zërat lemeritës të studentëve, nga plagët e shumta, dhimbja për shokët e vdekur, kishin sjellë një gjendje ankthi, një dramë të jashtëzakonshme. Dy orë gërmime në dëborë më shumë me duar. Stërvitja u ndërpre dhe mali kishte ndalur frymën. Në këtë operacion për të shpëtuar shokët, do të mbeteshin pishtarë të humanizmit dhe solidaritetit ushtarak. Befasia, tronditja, llahtara e ditës zë zezë të tragjedisë u mbyll pas tre ditësh, kur e gjithë shkolla po kërkonte viktimën e fundit të orteku që e kishte rrëmbyer thonjtë e vdekjes. Por në këtë rast pati dhe shumë të tjerë të gjymtuar me plagë të rënda, sikurse kemi shkruar më lartë. Media e kohës nuk mund të fliste asnjë fjalë për këtë tragjedi, asnjë botim a njoftim, për shkak të karakterit sekret stërvitor, por dhe për të mos përhapur panik, ndërkohë që ishte edhe psikologjia e vetë sistemit të kohës që për këto ngjarje nuk flitej kurrë në “mexhlis”. Edhe transportimi i trupave të viktimave ishte bërë në muzgun e natës në kushtet e mungesës së plotë të kontaktit me qytetarët e tjerë. Urdhëri i Mehmet Shehut ishte që studentët e vdekur të visheshin me uniformën e ceremonialit të oficerit dhe pushteti vendor kishte marrë masa ekstreme të kujdesit dhe vigjilencës në gjithë ceremonitë mortore, kudo u përcollën të rënët. Ata ishin studentë e oficerë me shpirt, të ri që e kishin të shenjtë dashurinë për vendin dhe për shokët deri në sakrificën supreme. Të japësh jetën për shokun, nuk ka asnjë mënyrë tjetër më dëshmuese për të vërtetuar sinqeritetin e dashurisë njerëzore dhe humanizmit njerëzor. Ishte një meritë e shkollës, burim i pashtershëm përvoje për arsimimin ushtarak. Për përjetesimin e veprës së dëshmorëve, ëshë ngritur një Memorial, një lapidar në lulishten kryesore të Garnizonit Ushtarak “Skënderbej”, është vendosur një copëz shkëmbi nga Mali i Meçekut. Në atë copëz shkëmbi memorialistik është është vendosur një pllakë përkujtimore me emrat e 11 dëshmorëve. Dhe mbi të një shqiponjë si shpirti i bardhë i dëshmorëve ushtarakë, që qëndron përjetësisht në roje të tyre dhe duket se ka dalë nga zemra e flamurit tonë kombëtar. Shkrime të shumtë, proza, poezi e poema dhe një film dokumentar “Orteku”, veçanërisht në këto dy dekadat e fundit që sjellin shpirtin atdhetar e human, nga dëshira dhe pasioni për të përjetesuar veprën dhe emrin e madh të dëshmorit të Atdheut. Kadri Shametaj ka publikuar librin “Bijtë e pavdekshëm të Shkollës së Bashkuar të Oficerave”, një përshkrim njerëzor për natyrores ortek bore të malit të Meçekut. Vala e dytë e ortekut, kur shkuan për të shpëtuar shokët, që i zuri vala e parë e orteku, ku u shpalosën në mënyrë madhështore cilësitë e larta morale e humane të oficerëve dhe studentëve ushtarakë. Pesha “plumb” e dhimbjes për humbjen e shokëve, ishte, është dhe gjithmonë do të jetë e madhe. Edhe mobilizimi strukturave shtetërore si dhe vetë studentëve ishte i madh. Orteku nuk priste për porosi dhe amanete, por preu në besë jetë dhe ëndërra rinore. Dashuria njerëzore u shpalos në këtë ditë tragjike, kur të plagosurit rëndë u transportuan në “Qafën e Patates”, ku erërat e forta nuk lejonin uljen e helikopterëve të ardhur nga Farka. Guximi i pilotëve bëri që pranë efektivit të ishte vetë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Veli Llakaj, me staf mjekësor nga Spitali Ushtarak (sot spitali i Traumës), të cilët filluan mjekimet në kushte fushore. Përparësi ishte shpëtimi i sa më shumë jetësh njerëzore prandaj edhe u fillua me të aksidentuarit më rëndë, që luftonin për jetën. Fakt është se stafi drejtues i Shkollës së Bashkuar të drejtuar nga komandanti Rustem Peçi sapo u informua për ngjarjen, vlerësoi në mënyrë të rrufeshme situatën e rëndë, bëri organizimin e menjëhershëm të të gjithë trupës komanduese,  pedagogjike dhe studentore për të ndihmuar të dëmtuarit nga goditja e dy orteqeve. Gjithë komanduesit oficerë, pedagogë, studentë ndërprenë stërvitjen dhe nga të gjitha drejtimet, nga fushimi, nga “Qafa e shefave”, “Shkëmbi i Selitës”, “Qafa e vdekjes”, qafa “Isuf Plloçi” iu gjendën në mënyrë të menjëhershme, në ndihmë të dëmtuarve nga orteku në faqen e malit të Meçekut nga “tre pemët e vetmuara” e deri në rrugën automobilistike që lidhte qafën “Isuf Plloçi” me qendrën stërvitore të Fekenit. Por pavarësisht masave të menjëhershme dhe që në fakt u shpëtuan shumë jetë njerëzore, përsëri në shpatin e pjerrët të Meçekut ngelën dhe dhanë shpirt njëmbëdhjetë dëshmorë. Fakt është se përkujtimi i shokëve tanë dëshmor, në katër dekada e gjysëm nuk ka munguar kurrë.

Kështu, Dëshmorët e Fekenit vetëm tre vite më parë, më 6 shkurt 2023, përbri Liqenit të Farkës në Tiranë, me kontributin financiar të ish-ushtarakut Agron Zerani, aktualisht biznesmen dhe bamirës u promovua memoriali kushtuar “11 Dëshmorëve të Atdheut”, kushtuar tetë ish-studentë dhe 3 ish-Pedagogëve të Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficereve, të cilët ranë në krye të detyrës, gjatë zhvillimit të një Stërvitje ngjitje malore në Malin e Meçekut, në një mot të vështirë, ku një ortek i fuqishëm dëbore, u mori jetën në lule te rinisë djemve të shkollës burrërore të përgatitjes së oficerave shqiptarë. Akti heroik i këtyre Dëshmorëve u përjetësua, në një Memorial të ri kushtuar heroizmit te tyre, ku në përurimin e tij merrnin pjesë familjarët e studentëve dhe oficërëve të rënë në detyrë, personalitete shteterore ish-Presidenti i Republikës Bamir Topi, ish-ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, zv/Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Zv/Kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe qindra ish-Ushtarakëve si dhe oficerë aktivë të Forcave të Armatosura, të Policisë së Shtetit dhe banorë të Tiranës. Sa herë që do të kujtohen dëshmorët e Fekenit, nuk janë studiuesit e historiografisë ushtarake, por në një front me ta janë të përbashkuar edhe ushtarakë e ish-ushtarakë, që shkruanin dhe shkruajnë me zemër për këtë ngjarje që la gjurmë që nuk shlyhen edhe pas katër dekadash dhe nuk do të shlyhen për dhjetra e dhjetra dekada që do të vijnë. Prandaj për dëshmorët e Fekenit do të përkujtohen, do të shkruhet edhe në të ardhmen, sepse maksima proverbiale, kush kujtohet nuk harrohet, është vërtetuar në praktikën jetësore.

Bashkë me ne, në çdo stërvitje, në çdo rreshtim, në çdo mision, në çdo apel…

Njëmbëdhjetë Dëshmorët e Fekenit, komandantë, pedagogë e studentë të ish-Shkollës së Bashkuar të Oficerëve, sot AFA, ranë në stërvitje dimërore nbi kazermën e stërvitjes dimërore të Fekenit duke u ngjitur në Meçek. Ushtarakët dhanë jetën për të shpëtuar jetë me një akt sublim, një simbolikë e papërsëritshme e formimit të lidershipit për të ardhmen ushtarake shqiptare.

Një shëmbëlltyrë motivimi, një forcë karakteri, me të harruarin “shembullin personal” në kufijtë e vetmohimit. Ka qenë një forcë e brendshme e njerëzve nën uniformë të rreshtuar në armatën me palcë kombëtare, në armatën që diti të mposhtë e triumfojë mbi kushtet më ekstreme atmosferike të shkurtit të vitit 1981. Edhe sot motivi ushtarak i strukturave të Forcave të Armatosura është njësh me detyrimin madhor në përmbushje të misionit, në përballje me emergjencën civile të shkaktuar nga kushtet e rënda atmosferike. Kjo është e vërtetueshme përdië sepse edhe sot Forcat e Armatosura mbajnë ndezur e forcojme brez pas brezi procesin e arsimimit dhe trainimit ushtarak. Stafeta vijon të pasohet nga brezi në brez dhe po kështu edhe historia e njëmbëdhjetë dëshmorëve. Kujtimi i të rënëve dëshmorë në Feken është frymëzim, një akt heroik e sublim, një “stacion” i rëndësishëm i historisë ushtarake, një stacion përjetësie, por dhe pjesë e pandarë e jetës së përditshme ushtarake. Në çdo apel ushtarak, në çdo stërvitje, në çdo rreshtim, në çdo mision nuk mungojnë ata që shkruan histori sublime më 6 shkurt 1981: “Komandant Dushan Shametaj, Shef i Planizimit Çlirim Pulaj, Pedagog i taktikës Nikollaq Bero si dhe studentët Aleko Thimio Gjoni, Besnik Shehu, Bilbil Pashaj, Bujar Ago, Qemal Lika, Pëllumb Rrapo, Nexhip Çopa, Ilir Gramatiko”. Ata janë trupëzuar përjetësisht mes rreshtave të uniformave ushtarake dhe kanë ngelur në këngë në valët e flamurit kombëtar. Vlerësimi për Dëshmorët e Fekenit është vlerësim për vetë kombin dhe memorialët e ngritur në nderim të tyre jemi të bindur që do të ndjekin shembullin e ngritjes së Memorialit në Liqenin e Farkës, ku çdo pemë e mbjellë simbolizon një dëshmor e mbështetur fuqishëm nga fisnikëria e ish-studentit Agron Zerani, dhe më tej vendosjen e emrit sheshit “Pëllumb Hysni Rrapo”, në Qëndrën Administrative Poshnjë të Beratit, vendosjen e emrit sheshi “Nexhip Dervish Çopa”, në Golem të Kavajës më 18 prillit 2023, një nismë që duhet të vijojë dhe për dëshmorët e tjerë që ranë në faqen e malit të Meçekut.

Emërndritur të barikadave të sigurisë dhe mbrojtjes shqiptare

Studentët ushtarakë dhe oficerët që ranë në faqen e malit të Meçekut janë pjesë e pandarë e vlerave më vitale të shkollës dhe të shoqërisë, janë vlera e përhershme frymëzuese e kombit. Ata ranë për Atdheun, për idealet e pastra të solidaritet njerëzor, të unitet ushtarak, prandaj mirënjohja për gjakun e derdhur është nderim në përjetësi, për aktin sublim të dhënies së jetës për atdhe. “Dëshmor” është një emër i ndritur për të gjithë kombet e botës. Kështu janë dhe dëshmorët Fekenit, për kombin shqiptar, pasi ata nuk janë thjeshtë numra, por vlera hyjnore, respekti, mirënjohjeje, kujtimi për ushtarakët dhe më gjerë. Ata nuk janë vetëm emra në varre, nuk janë vertëm në lapidarë e memoriale, por janë vlera të përjetësisë kombëtare, të nderuar dhe respektuar në pavdekësi. Dëshmorët e Fekenit janë sikurse gjithë dëshmorët e tjerë të Shqipërisë, një pasuri e kombit që lidhin të djeshmen me të sotmen, janë trashëgimi e ndërgjegjes kombëtare, vlerë dhe virtyt i krenarisë familjare e krahinore, materie e ndërgjegjes së kombit që lidhin të djeshmen me të sotmen kur në gojën e popullit është materializuar me shprehjen tashmë të profetizuar se, “pa të shkuar nuk ka të ardhme”. Njëmbëdhjetë dëshmorët e Fekenit janë simbol përbashkues, për të cilët mirënjohja rrjedh natyrshëm dhe në këtë kuadër respektimi i vlerave njerëzore, nuk mund të dekretohet e as të shpallet ligjërisht, sepse ka një të drejtë zakonore, një kanun e ligj që buron nga e drejta e ekzistencës së kombeve, kështu edhe për kombin shqiptar. Volteri thoshte se, “Trimëria është produkt i qartësisë”, që kupton qartësinë e vetflijimit për kauzën e kombit. Nga antikiteti latin vjen thënia proverbiale: “Gjaku është fara e lirisë”. Gjaku i dëshmorëve të Fekenit që ranë në zemër të malit të Meçekut, ishte sakrificë sublime për sigurinë dhe mbrojtjen e popullit, dinjitet për brezat e rinj ushtarakë të Forcave të Armatosura. Ne ish-studentët ushtarakë, që i përjetuam ato ditë tragjike të 6 shkurtit 1981 dhe më pas u “certifikuam” në kudhrën e mbijetesës dhe përkujtimit legjitim, ndërkohë që sjellim në vëmëndje e kujtesë edhe masat e marra nga strukturat e MMP (sot Ministria e Mbrojtjes) dhe komanda e shkollës në përcjelljen e të rënëve pranë familjeve të tyre, për organizimin e ceremonive mortore, për t’iu dhënë lamtumirën e fundit shokëve tanë. Dhimbjes në përcjelljen e të rënëve në spitalin ushtarak, ju bashkua Ministri i Mbrojtjes Popullore Kadri Hazbiu dhe më tej të plagosurit e tragjedisë së Fekenit i vizitoi edhe kryeministri i kohës Mehmet Shehu. Fakt është se për katër dekada e gjysëm një lot i ngrirë ka ngelur në historikun e Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerave, një lot që nuk do të shkrijë kurrë në historikun e arsimimit ushtarak shqiptar, një lot që përkujton trimërinë, humanizmin, solidaritetin studentor ushtarak si burim frymëzimi për brezat e shkollës ushtarake shqiptare, për brezat e rinj të studentëve të AFA-së dhe më gjerë, për shokët e tyre ish-studentë që nuk do ti harrojnë kurrë. Nderimi, respekti dhe mirënjohja për shokët tanë dëshmorë është i përjetshëm dhe për këtë ata do të jetojnë përgjithmonë në pavdekësi.

Burime studimi:Portali “Albspirit”: Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi: “Dëshmorët e Fekenit monument përjetësie në malin e Meçekut”,5.2.2021; “Albspirit”: Jorgo Qirko, “6.2.2023/11 pisha në formë shqiponje për të përkujtuar 11 Dëshmorët e Fekenit”; “Balkanëeb”: Dëshmorët e Fekenit – monument përjetësie në malin e Meçekut”, Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi, 06 Shkurt, 2021; Gazeta “Panorama”: Zaho Golemi: Tragjedia e Fekenit/ Tregon i mbijetuari: Si na zunë dy ortekët dhe pse u fsheh nga mediat! Urdhri i Mehmet Shehut ishte që studentët e vdekur të visheshin me…, Feb 8, 2021; Faqja e website e MM: Përkujtohet 35-vjetori i Dëshmorëve të Fekenit, e shtunë, 06 shkurt 2016; Rushan Dosti: Gazeta “Telegraf” datë 2.2.2025, “Dëshmorët e Fekenit, viktima të shtetit, apo të ortekut?!”; Nga portali “Dritare.net”: Rushan Dosti, “Rrëfimi i dëshmitarit okular: Ju tregoj kush ishte fajtor për tragjedinë e Fekenit në Malin me Gropa!, e Mërkurë 4 Shkurt 2026;”; Bernard Zotaj: Në Farkë buzë liqenit një memorial për Dëshmorët e Fekenit, 7.2.2023; Skenar i filmit “Orteku” shkruar nga Kolonel Myslim Pashaj; Përkujtohet 35-vjetori i Dëshmorëve të Fekenit në youTube, Ministria e Mbrojtjes·6 shkurt 2016; Vendimi i Këshillit Bashkiak të Kavajës për vendosjen e emrit të “Dëshmorit të Atdheut”, Nexhip Çopa sheshit qendror të Golemit të Kavajës; Vendimi i Këshillit Bashkiak të Beratit për vendosjen e emrit të “Dëshmorit të Atdheut”, Pëllumb Rrapo sheshit të Poshnjës në Berat;  Dokumente nga AQFA, Të dhëna nga shokë e miq si dhe bashkëstudentë të dëshmorëve të Fekenit; Zaho Golemi, Dëshmorët e Fekenit në kujtesën kombëtare, Revista Mbrojtja organ i MM, Tiranë, 2001, Publikime në portalin e mirënjohur “Albspirit”, “Balkanweb”, Periodiku i gazetës “Labëria”, “Ushtria”, “Mbrojtja”, “Pavdekësia”, si dhe Gazeta e revista lokale e kombëtare, publikuar kryesisht në Tiranë.