Ju pyes njëlloj si veten: Si mund të bëhet sa më i plotë portreti i poetit Kastriot Fetahut?

Harallamb Fandi
Ju pyes njëlloj si veten: Si mund të bëhet sa më i plotë portreti i poetit Kastriot Fetahut?
Ndoshta mund t’ju ndihmoj po t’ju them: klikoni emrin Kastriot Fetahu në Facebook dhe do të shihni një njeri, që me buzëqeshjen e tij shpreh habi e njëkohësisht gëzim për ç’ka i shohin sytë. Ne nuk e shohim dot atë çka sheh ai, po gjithsesi nuk ia ndajmë vështrimin, se s’ka njeri që nuk e do gëzimin që shpërndan. Veç, pamja që sheh poeti s’është një. Janë shumë pamje që e gëzojnë atë, po sidomos që e habisin. Për të mos humbur në pafundësinë e tyre, ndalem për një çast te fjalët e Oskar Uajdlit: “Vazhdoj të habitem. Habia është e vetmja gjë që ma bën jetën të denjë për të jetuar”. Kjo shprehje, që më erdhi ndërmend gjatë leximeve të poezive në dy libra të Kastriotit, s’po më linte të qetë deri sa i bëra një telefonatë: “Ku të kanë fotografuar për këtë foton e që e ke dhe në profilil?… Besoj se në Shqipëri, se atë gëzim ma merr mendja zor se e gjen në vend tjetër…”. Përgjigjja më erdhi ngazëlluese: “Në Vlorë,- tha,- në Vlorën tënde, te restoranti i mikut tim, ku të kam thënë që kam lënë dhe librin tim të fundit për ty”.
Ja si i shtohet jeta një vlonajti të mërguar e të malluar si unë dhe ja si u vërtëtuan fjalët e Oskar Uajdlit, sepse Vlora është thesar habitës e gjithnjë mrekullues. Dhe, pas kësaj, si mund të rrija pa shkruar e pa i bërë portretin poetit mik, me të cilin jam takuar vetëm në facebook?…
Të bësh një portret nuk është gjë e vogël. Për këtë njeriut i duhen shumë gjëra dhe kjo më nxiti të kërkoj dhe ndihmën tuaj, miq të dashur. Natyrisht, nëse e shihni të mundur dhe pasi të njiheni edhe me ato që kam unë në mendje e në zemër. Nuk jam duke bërë një portret të vizatuar me mjete e shkathësi si piktorët e afirmuar, po diçka tjetër, diçka ku fjala dhe mendimi sjellin nga ato lloj gjurmësh të cilat, veç të përbashkëtave, kanë edhe të veçantat e tyre. Sepse dihet që secili prej lexuesve i ka shpesh përshtypjet ndryshe nga të tjerët.
Kastriot Fetahu është një inxhinier rritur e mësuar të jetë edhe pas studimeve universitare mes naftëtarëve, por që kur ishte gjimnazist u kultivua, madje arriti përsosmëri edhe në letërsi. Me talentin që ka s’mund të mos krijonte vlera të qëndrueshme mes radhëve të poetëve dhe shkrimtarëve. Pas diktaturës, si shumë të tjerë, emigroi në SHBA. (Ai e di pse dhe si e ngarkoi mbi supe peshën e mallit). Çikagoja, qyteti i vlimit të fantazive dhe i realizimeve gjithashtu fantastike, i dha mjaft gjëra që i duheshin dhe në këmbim, si shumë emigrantëve, edhe i mori plot të tjera, po mallin dhe dashurinë për gjithçka që la përtej oqeanit nuk ia preku, madje ia shtoi. Dhe s’ke si të mos e thuash këtë të fundit, sepse poezia e tij duket menjëherë që mbart e zbulon të njëjin mall si t ë mjaft eemigrantëve…
Njohja ime me Kastriotin filloi në një prej ditëve kur ai në Çikago e unë në Bari, nuk na pengoi lidhjen tonë miqësore. Në një prej ditëve pas njohjes me poetin, isha i ulur në kafen me vetëm dy tre njerëz, ku zakonisht shkoj herët në mengjes e i hedh një sy gazetës “Corriere della sera”. Ndërkaq vëmendjen ma tërhoqi kënga “Uomini soli”, kënduar nga “I Pooh”, që dëgjohej nga televizori. Gjithnjë më emocionon kjo këngë, sidomos me titullin, që më rikujton vetminë, ku njeriu zhytet herë pas here, veçanërisht në emigracion.
“…në dheun e huaj ndihem i pangopur,
askënd nuk po gjej,
askush s’më kërkon…”.
S’kisha shumë që kisha lexuar vargjet e mësipërme të shkruara nga poeti, shkruar ndoshta nga ai në një nga baret e Çikagos, pasi ka përshkuar i vetëm rrugët e qytetit të madh gjithë lëvizje e zhurmë. E parafytyrova, s’di pse, edhe atë të ngjashëm me veten, ndoshta edhe më të vetmuar, si në një nga pikturat e realizmit metafizik amerikan të Edward Hopper-it. Parafytyrimi, nuk ishte si pjesë e një filmi që vjen e ikën, sepse iu bashkua këngës si pjesë e saj. E lashë paksa mënjanë gazetën që kisha në duar, hapa celularin dhe teksa po kërkoja diçka në You tube, sytë më mbetën te një video ku një pianiste po shoqëronte recitimin e nj poezie, që Kastrioti kishte shkruar së fundi. Dëgjoja dhe nuk më shqitet nga mendja eleganca e duarve të pianistes, që e prekte tastierën me një butësi tepër ledhatuese. Kur mbaroi recitimi i poezisë dhe pas recitimit edhe muzika, të vinte keq për ato duar që po tërhiqeshin pa dëshirë prej tastierës me një lëvizje që sado e hijshme, nuk e fshinte dot dhimbjen e vetmisë pas mbarimit të muzikës. Fjalët e poezisë për atë dhimbje flisnin dhe kishin gjithashtu po atë butësi e shrtirje si ajo e muzikës të bërë një me to.
Nuk është për t’u çuditur që u harrova krejt pas videos. Harrova vërtet çdo gjë tjetër duke parë e dëgjuar ato pamje dhe pa kuptuar iu riktheva dhe një herë shikimit të tyre. Në ato çaste m’u duk se mrekullia ishte si një balsam qetësues i vetmisë sime dhe për të mos e humbur, nuk u ndava lehtë prej saj kur mbaroi edhe pse e dija që do të vonohesha për të shkuar diku për një punë. Ajo çka përjetova vazhdon të jetë te unë edhe tani, teksa lexoj njerën pas tjetrës poezitë e vëllimeve që më erdhën nga Kastrioti. Nuk çuditem që përjetimi del shpesh herë mbi të tjerët e gjithmonë më vjen përpara me një brishtësi, që nuk e lë të bëhet pengesë për përjetime te tjera.. Dhe hajd’ ta gjesh se si muzikaliteti i vargjeve harmonizohet kaq bukur me preludet e fugave dhe adaggio-ve të Bach-ut, që të vijnë në mend sidomos në fillimet e disa poezive. Nuk po bëj ndonjë zbulim teksa po shprehem kështu. Dhe per t’ju siguruar që kam të drejtë, shihni se sa natyrshëm e zbulon këtë vetë poeti, kur shkruan për “Universin e nënës”:
“Magjike, me ngjyrë blu,
Nëna…
..Edhe valsi më i bukur
“Danubi Blu”,
ka vetëm ngjyrën
e saj…
..Engjëjt
këndojnë me zërin e saj…
dhe Zoti drejton orkestrën.
Paqja buron
në luginën e kujtimeve,
lotët: ashti i muzikës…
Dashuria mbetet si simfoni e pambaruar sepse nëna është ringjallur. Asaj… edhe “dy jetë nuk i dalin”. Po as poetit nuk i dalin dy jetë. Me këtë poezi të “tjetërllojtë” ai ka treguar se sheh dhe e dëgjon nënën bashkë me “Danubin Blu” në çdo Vit të Ri te salla madhështore e Koncerteve të Vjenës.
Në mjaft raste poezia e Kastriot Fetahut sjell imazhe të tjera dashurie, shpesh piktorike e ndonjëherë me nuanca filozofike:
Endem i pashpresë, ashtu i vetmuar,
nuk di ç ‘pamje kam, hije a njeri?
Rrugëve të qytetit me emër harruar,
më mungojnë të gjithë, mungon edhe ti…
…në Çikago bie shi…
Duke qënë i përfshirë me dhe pa vetëdije në rrjedhat e jetës së qyteteve metropolitane, mendimet e ndjenjat nga njëra poezi te tjetra ndryshojnë befasisht:
“jam gjithmonë dy botë“
shprehet poeti te “Autoportreti”, ku zbulohet qartë që është unikal (me sa kam parë e lexuar s’njoh poet tjetër që ta ketë”pikturuar”veten si ai). Aty autori thekson gjithashtu që është “aniestablishment”: synues i vendosur i ndryshimit të “satus quos”, gjendjes aktuale të problemeve të shoqërisë. Herë i vetëdijshëm e herë i pavetëdijshëm, herë realist e herë i ëndërrt: onirist metafizik, diku transcedent, pra tejpërshkues e diku tjetër i përmbajtur në ekzistencilizëm, shpesh metaforik i padorëzuar, distancuar nga absurdi i skajshëm për të fuqizuar empatinë e tij depërtuese në shpirtin e njerëzve.
Të gjitha këto më sjellin ndër mend fjalët e filozofit e sociologut francez, 104 vjeçarit Edgar Morin, në librin e tij “Një jetë shekullore”, përkthyer me dashuri e dinjitet në shqip nga prof. Ilia Lëngu:
“Çdo jetë është një lundrim
në një oqean pasigurie”.
E ky lundrim, në mënyrë të natyrshme, ridimensionohet herë pas here edhe ngaqë poeti, do s’do, gjendet brenda vorbullave të shumta të jetës amerikane:
“Në rrugët e Çikagos,
unë, një atom që lëviz
në orbita të thyera
me shpejtësinë e dritës pa dritë.
Në starbakse,
një filxhan më shumë
që thyhet hera-herës
apo një gotë plastike
shkruar me emrin tim,
e shtrydhin
bashkë me kafen.
Në markete
pak dollarë që udhëtojnë si tram
pa stacion dhe pa rrugëkthim…
…Në teatrot e Çikagos,
jam hija ulur në karriget e buta
që nuk e ka të zotin me vete.
Al Kapone më përshëndet,
stampuar në mbulesat e furgonëve
gjithmonë me bojë të zezë
e me puron e pambaruar.
Bluzi më ndjek nga pas
dhe këndon “Çikago Çikago”,
si për të më kujtuar që jam
një flluskë tingulli pa sipërfaqe…
…Një pulëbardhë e trishtuar
te liqeni
më lyp ushqim,
unë
“Çikago Çikago…”.
Në një mjedis të tillë s’ka se si si të mos diktohesh fuqishëm në krijimtari. Jo vetëm në vargje, po dhe në esetë e intervistat e dhëna herë pas here, duket qartë që filozofinë Kastriot Fetahu e ka pasion simbiotik me poezinë. E kur flasim për poezinë, kemi parasysh që ajo është e pandarë nga motivet njerëzore, mbartur në qënien e tij nga vendi i lindjes e i rritjes, krahas me vrullet e gjithëkohshme dashurore.
Shpresoj se me përvijimet e derikëtushme jam afër përfundimit të portretit, i cili më jep përshtypjen e veprave që piktorët i quajnë “non finita” (të pambaruara). Në to mund të shtohen penelata të tjera, nxitur jo vetëm nga leximi, po edhe nga rileximi i vargjeve të tilla si këto:
“Lufthansa do të fluturojë me një njeri më pak.
Nuk e preva biletën e avionit , si zakonisht, në çdo Mars…”.
…
“Do të udhëtoj në rrugën e klorofilit të Belshit”…
…
“Kam harruar zogjtë
që kompozojnë me tingujt e një flauti…”.
…
“Melodia që nuk mbaron
ka ngjyrën e gushës së pëllumbave”.
…
“Vera nuk do të jetë e lehtë,
dimrat i kam larguar jashtë mendjes,
ndërsa një mimozë nuk ndalon të verdhën
prej pranverës së fundit, të palarguar…”.
…
“…nuk i flisja askujt,
më dukej sikur do të më merrnin hapat,
që nuk më mjaftonin për të dashurën time”.
…
“Dimri loton shi nga inati
se nuk pushton dot dhomën tënde…”.
…
ku “gishtat flasin me tastierën e pianos
me një gjuhë që vetëm ditët e mia me ty e njohin”.