ME LUGË FLORIRI, DAKORD!… PO Ç’… DO HAMË?!
Shpëtim Emiri
Tregim
(Marrë nga përmbledhja me tregime “Në gjunjë para mirësisë” të Shpëtim Emirit)
Ese-satirë –Ndjellë nga tregimi “Sa fate e fatkeqësi njerëzore shpërfillim padashur”?!
Sa fate e fatkeqësi njerëzore ne shpërfillim padashur përditë nëpër rrugët e qyteteve?!
E dhimbshme ta mendosh, qoftë edhe për disa lypsa, por halli këtu ndër ne duket të jetë shumë më i madh… Pas ‘90-ës, nën duartrokitjet tona përgjatë 34 viteve, vendin tonë të begatë na e kthyen nga prodhues në konsumator, kur edhe ushqimoret shumica na vijnë nga importi…
Se që do hanim me lugë floriri në demokraci, ishim të vetëdijshëm se “na takonte”, por, të dehur nga gëzimi i fitores, nuk i pyetëm premtuesit e rinj të “Liri-Demokraci-së”! se çfarë do të vëmë në gojë me atë kodosh luge të florinjtë…
– Më mirë grurin tonë flori me lugë druri, apo grurin e mykur të gjitonëve me lugë floriri?! Vallë, keq për një lugë llamburitëse paskëshim qenë ne?! Ashtu siç u gënjyen indianët e Amerikës nga pasqyrat e kolonizatorëve?!
Por le ta marrim më shtruar!…
Nuk i do rënë më qafë as gjitonisë, pse na ushqejnë me “lugën e floririt” ç’u ka mbetur hangarëve…
Ku e kemi grurin tonë flori, teksa fshatrat janë braktisur e të qan syri të shohësh një të ri? Kullotat gjer në re qajnë për blegërima dhe doemos që s’ka as bagëti, as bujqësi, se të pashpresët vendallinj janë shkulur, vërsulur në arrati! “Demokratët” dhe “Rilindasit e rinj” na e nxorrën gënjeshtar edhe Naim Frashërin! Oh, ç’faqezinj! Po, atëherë, ça dreqin prodhojmë vetë me bollëk xhanëm?! Me çfarë i identifikohemi rruzullit?!
Aah, koha e sigurimit të bukës në vend ka ikur!…
Joooo! Boll menduam vetëm për vete! Na doli një tjetër punë, diç më e rëndë se ajo e grurit, por ama shumë më e fisme.
Larg syrit dhe kujdesit tonë përgjatë gjysmë shekulli Evropa kishte kuturisur siç kishte mundur, por katandisur si mos më keq ama! Madje më keq se ne! Evropën e gjetëm të etur! Të etur o, të etur! Sidomos për drogë, por edhe për shërbëtorë!
E ç’ishte uria jonë para etjes së tyre?!… Llastim! Si të qash pa u rrahur!
Dhe harruam veten e iu gjendëm për ditë të keqe Evropës.
Sa na u hap kufiri, përveç kanabizimit të vendit tonë, u lëshuam detrave, oqeaneve e kontinenteve t’ia shuajmë etjen Evropës për drogë!…
A s’po lëmë nam nëpër kartelet më të fuqishme të globit?! Nuk kanë qenë të paktë të rënët në përpjekje, lere më në sa burgje e qeli kemi “përfaqësi”!…
Ama, ia siguruam, paçka se Evropa nuk dëgjon të ngopur…
Po edhe për shërbëtorë bëmë të pamundurën, veçse ndihma jonë për të e ka një kufi. Refugjatët po shkojnë drejt shterimit. Ka ikur gati gjysma e popullsisë, mbi një milionë e gjysmë, të numëruar pa hile nga vetë pritësit…
Dhe çfarë sakrificash kanë përballuar ata, duke mbajtur në kurriz samarin e përçmimit, “Refugjat!”, të cilin filluan dhe vazhdojnë ta flakin përditë me punë, dije e dinjitet, aq sa arritën të mburren me refugjatët qeveritë tona, ato që iu grabitën fillimisht shpresën dhe tani Shqipërinë…
Po për ne, të mbeturit këtu, çfarë po prodhohet bindshëm, me çfarë mund të mburremi?!
Me shumicë për ‘nevojat’ tona prodhojmë lypsarë!
Lypsaaarëëë?!
Po, po! Janë afër tetëqind mijë pensionistë që lëpijnë lëmoshë-pensionet, si të dënuar me vdekje të parakohshme e që fashitin urinë me propagandën zyrtare, teksa enden, enden, por, namusqarë, nuk lypin rrugëve! Me sytë nga dielli e sidomos nga perëndimi, i kanë nderur duart larg, matanë detit, tek fëmijët e tyre emigrantë…
Lum kush ka!
Veçse, të fyer sa s’ka e të poshtëruar sërish, shpesh gulçojnë e të pashpresë ofshajnë: “Të keqen e diktaturës, kur vlera e pensionit ishte sa 70 % e pagës”!
Dhe sa e dhimbshme! Gjer në palcë, kur pas 34 vitesh në regjimin e ri të arrijnë të mendojnë se “Ishim më mirë kur ishim më keq”!
Eeee!… Si thoni ju, që nuk jeni dakord?! Përveç pensionistëve, a ia vlen të numërojmë edhe lypsarët e rrugëve, të rrugëve tona të florinjta?!