Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Iliazi: Qamil Buxheli, Mjeshtri i Madh i humorit dhe satirës!

Më 8 shkurt 1924 u lind në fshatin Pandalejmon të Sarandës, Qamil Buxheli, një nga shkrimtarët më të mirë shqiptarë, vepra e të cilit, ndonëse e shkruar në shekullin e XX-të, ka fituar vlera të përjetshme në historinë e letërsisë shqipe. Prodhimi letrar i Qamil Buxhelit është i madh. Krijimtaria e tij letrare është shumë e hershme dhe shumëdimensionale, në aspektin e gjinive letrare. Ai ka dhënë kontribut në të gjitha gjinitë letrare, në epikë, humor e satirë, lirikë, dramatikë e publicistikë.

Buxheli është krijues i tri periudhave letrare historike, apo i tri sistemeve politikë, historikë e socialë, dhe të githë sistemeve u ka qëndruar stoik.

Fillimisht Buxheli mendonte se ishte një politikan, një reformator social, që u radhit në luftë në moshë rinore, së bashku me vëllezërit dhe motrat e tij. U angazhua si pjesë e rinisë komuniste në jetën politike të kohës gjatë shkurtit 1942 – prill 1943. Më 16 prill 1943 doli partizan, ndërsa në korrik 1944 ishte komisar politik i Çetës së Rinisë, prefektura Gjirokastër. Sekretar organizativ i Komitetit Qarkor të Rinisë Komuniste Gjirokastër 1944-1945, anëtar e sekretar i parë i Komitetit Qendror të Rinisë Komuniste etj. Po në atë vit, 1944, plagoset në një pritë nga zervistët grekë.

Që në luftë Buxheli nisi të shkruante vjersha, por edhe përralla, të cilat vetë autori i kujtonte me nostalgji. Qysh në vjershat dhe elegjitë e para u dukën shkëndijat e talentit që po vinte, një talent jo si të tjerët. Fatet e shokëve të tij të luftës ishin të jashtëzakonshme, të pabesueshme. Lufta ishte “Ferrparajsa” e Qamil Buxhelit, që do t’i jepte brumin për shumë vepra.

Në vitet e hershme të rinisë, kur ishte 18 vjeç, si pjesëmarrës i betejave të Mezhgoranit, ka shkruar poezi me figuracion të pasur, siç është ajo kushtuar Asim Zenelit (korrik 1943), e cila u bë këngë me titull “Një zë po del nga Gryk’e Mezhgoranit”, dhe “Kënga e Ali Demit” (1944).

Me një jetë jo egoiste dhe të pastër, në vitet pas çlirimit të vendit, Q. Buxheli ishte i gatshëm për të sakrifikuar në rrugën e letërsisë, duke hequr dorë nga politika. Në vitin 1955 shkoi për studime letrare në Moskë, të cilat i përfundoi në Institutin e Lartë Letrar “Maksim Gorki” në vitin 1960. Gjatë studimeve në “Gorki”, megjithë sprovat e sukseshmë në publicistikë, ai po rendëte i dalldisur drejt satirës dhe humorit. Pas kthimit në Shqipëri në vitet e para merret me publicistikë si redaktor i “Zërit të Popullit”, kryeredaktor i “Zërit të Rinisë”, kryeredaktor i revistës “Ylli”. Nuk i interesonin postet shtetërore e politike.

“Punët e politikës janë si ato të femrave. Femra ose të jepet shpejt, ose merret nëpër këmbë, ose braktiset po aq shpejt”, do të shkruante Buxheli pak vite më vonë. Xhorxh Oruelli ka thënë se: “një shkrimtar s’mund të jetë anëtar besnik i një partie politike”. Buxheli nuk mund të bëhej një funksionar i lartë regjimi. Ishte tjetër brume. Tjetër materie. Ishte në lidhje dashurie me fantazinë, me trillin, ishte dashuruar me letërsinë deri në vdekje. Tallej me gënjeshtrën dhe ngadhënjeu mbi të me buzëqeshjen e tij. Po të perifrazonim akademikun dhe filozofin e shquar italian Umberto Eko (1932-2016), mund të shpreheshim se: “Arti i tij kishte pushtetin për ta bërë të dashur shëmtinë”.

Krijimtaria letrare e Buxhelit pas luftës fillon me një vëllim përshtypjsh udhëtimi, “Në Kinën e popullit” (1949). Por fantazia e tij nuk kishte cak. Pasi kish kaluar provat tragjike të jetës, epizmin e luftës, hipokrizinë e idealeve e doktrinave, ju afrua portave të rënda të satirës dhe humorit me natyrshmëri dhe sinqeritet, duke shpërfillur peshën e rrezikut. Në vitin 1960 mbrojti diplomën me romanin “Kali i mbretit dhe kalorës të rinj”, i cili u botua me rekomandim të Komisionit Shtetëror të provimeve.

Kjo vepër e rinisë së hershme të autorit, që vezullon me një bukuri të tejdukshme, ishte preludi i asaj që do të vinte më pas. “S’ka nevojë të pish tërë fuçinë që të marrësh vesh se ç’verë është” – shkruan autori.

“Kali i mbretit dhe kalorës të rinj” është konsideruar si portret i jashtëzakonshëm real i jetës provinciale shqiptare, vulgaritetit dhe madhështisë boshe, si satirë e pamëshirshme e zyrtarëve mehmurë, të korruptuar e mendjeshkurtër të një province, duke i gërshetuar me ngjyrime sa apokaliptike aq dhe absurde. “- Ç’zanat ke? -Tani partizan. Bam këtu, e bam atje…”.

Më vonë pasuan veprat: “Tregime humoristike”, 1962, “Varka e të dymbëdhjetëve” (1964),“Rrugë të tërthorta”, dramë 1966, “Komandanti dhe ushtari”, novelë 1968, “Stafeta e kuqe”, 1969, “Faraonë dhe firaunë”, tregime humoristike, 1969, “Dueli”, dramë 1963, “Kur qesh tërë qyteti”, roman humoristik, 1970, “ I pazëvëndësueshmi”, komedi, 1972, “Pjesë të zgjedhura”, 1972, “Karriera e zotit Maksut”, roman satirik, “Kameleoni në hall”, 1978, “Perënditë bien nga fiku”, 1979, “Abeli, unë dhe Paganini”, Satirë humor 1984, “Maratona e vdekjes”, roman 1983, “Dostojevsk nuk kemi, idiotë sa të duash”, 1997. “Nusja nga Europa”, 2002. “Amanetet e Kasandrës”(2004).

Buxheli qëndroi në xhunglën e realizmit socialist si një martir. Humori i tij ishte kurora e artë, e praruar, rrezatuese, e epokës së hirtë, me vulgaritetin dhe skamjen e përditshme, të zhytura në hipertrofi kronike.

Duket sikur krijimtaria, gjith jeta e tij, është një betejë për fjalën e lirë. Ai nuk jetoi për opinionin e tjerëve, ndryshe do ishte i vdekur përjetësisht dhe askush nuk do kujtohej për të. Buxheli në asnjë rast nuk i ndrydhi apo kontrolloi ndjenjat dhe fantazinë e tij, duke i lënë të zhvilloheshin të lira në tekat e tyre. Me veprat e tij ai u jepte njerëzve një shpresë…Lum ai që kishte gjith ata armiq, se ndryshe nuk mund ta dimë a do ta kuptonte vlerën e vetes. Buxheli ishte një antikonformist i lindur, i dhembshur, njerëzor, i thjeshtë. Tallej me euforinë, krenarinë boshe dhe fodullëkun e zyrtarëve të çdo rrangu. Nuk kishte asnjë detyrim për të qenë konformist e lajkatar i regjimit.

Buxheli erdhi me furi si një shkrimtar novator, atipik, i kulturuar, sqimatar dhe popullor, dhe kurrë nuk u përpoq të bënte moral me krijimet e tij. Nuk i ndau kurrë idetë nga vlerat, duke sjellë një formë mendore të veprimit. Të gjitha mjetet letrare i vuri në punë me nikoqirllëk në laboratorin krijues, me një pikëpamje të qartë mbi vendin e tij midis vlerave modeste të letërsisë. E vuri talentin e tij në shërbim të morfologjisë shoqërore, të aspekteve të jetës shoqërore që i kundërviheshin njëri-tjetrit, duke bërë qartë dallimin mes subjektit dhe objektit.

Në humorin dhe satirën e Buxhelit miti ia ka dorëzuar armët arsyes dhe kjo ngjarje do të shënonte fillimin e letërsisë moderne satirike në Shqipëri, duke e futur individin brenda botës shoqërore ku jetonte.

Përtej euforisë dhe vetëlëvdatave, me të cilat merreshin një aradhë e tërë shkrimtarësh shqiptarë, Buxheli vërejti një tjetër realitet të trishtë, dhe iu qas me ndjeshmëri e dhimbje, si rrallëkush deri atherë. Iu qas me idealizëm, për të rregulluar diçka, jo me mburrje e poza e ndjenjë madhështie.

Ai popullonte me personazhe tronditës hapësirën e humorit dhe satirës, me një guxim prej të marri, sa shpesh njerëzve të udhëheqjes u ngriheshin leshrat e kokës përpjetë. Personazhet e tij ishin magjepsës, të çuditshëm. Sa realistë, aq dhe groteskë, të gdhendura nga një dorë mjeshtri. Ai krijoi mitin e njeriut të veçantë shqiptar, duke ndriçuar anë të ndryshme të karakterit të tij. I bindur dhe i ndërgjegjshëm për artin e tij, Qamil Buxheli nuk u bë kurrë një shkrimtar i parapëlqyer i regjimit. Talenti nuk e lejonte të bëhej një “guru” i socrealizmit, megjithëse mori goditjet e para. Satira e ka një mënyrë për t’i vënë përdoruesit e saj në skajin e politikës, shpeshherë në pozita të rrezikshme, për të mos thënë kërcënuese për jetën.

Kësisoj Buxheli ka jetuar gjithmonë në pragun e rreziqeve. Në pushtetin komunist kontrollohej çdo veprimtari shoqërore, e në veçanti aktivitet e shkrimtarëve dhe intelektualëve, sepse ata përbënin rrezikun më të madh për sistemin socialist.

Satira , në një mënyrë ose në një mënyrë tjetër, do ta vinte përdoruesin e saj Qamil Buxhelin, shpeshherë në pozita të rrezikshme, për të mos thënë kërcënuese për jetën.

Në ndeshjen shekullore mes satiristëve dhe politikës amorale, dihet se kush fiton. Në komunizëm ironitë nuk janë të lehta. Njerëzit e klikës elitare komuniste (të njohur për mungesë humori) nuk e duronin dot talljen me fenomenet që vetë ata i kishin prodhuar.

Lloji i satirës buxheliane në një Shqipëri distopike dhe të dhunshme, ku ironitë dhe sarkazmat nuk ishin të lehta, padyshim do i zemëronte autokratët politikë, por duhet thënë se është fat që mbeti gjallë e shëndosh e mirë.

Megjithëse ai u përpoq që ta shmangte censurën, duke gjetur mënyra indirekte për të kritikuar fenomenet sociale, politikën dhe shoqërinë shqiptare, rrallë ia doli, pasi stili i tij ishte eksperimental dhe absurd.

Buxheli krijoi kundërshtarë shumë të mëdhenj, por megjithatë ai vazhdoi të shkruante. Askush nuk e merrte me mend se ky shkrimtar i zakonshëm, me një qësëndi të ngecur në cepin e buzës, do të zinte vend nderi në letërsinë shqipe, kur horizonti i letërsisë ishte mjaft i vrenjtur. Diktatura mund ta kishte futur edhe në burg, por nuk e bëri këtë gabim, se do do të rezultonte fatal karshi opinionit publik, për një shkrimtar kaq popullor e të dashur. Kësisoj diktatura zgjodhi t’i heqë kurajon krijuese.

Por u gabuan. Buxhelit nuk ia hoqën dot nga koka kurorën si patriark i humorit dhe satirës shqiptare. Ai kishte llogaritur çdo gjë. Edhe sikur të ishte në rrethin e fundit të Ferrit. Gjersa e lanë gjallë ai do të jetonte, bashkë me krijimtarinë e tij.

Qamili ishte një nga shkrimtarët e lënë në hije që nuk pushoi kurrë së shkruari dhe ëndërruari. Pikërisht te ëndërrimi ishte liria e tij. Kështu përsosi stilin e tij të bukur, pasuroi gjuhën, duke bërë një letërsi të një lloji tjetër, sa hijerëndë, aq dhe të bukur e të hijshme, duke i dhënë risi e dimension të ri klimës letrare të kohës.

Krijimtaria e Qamil Buxhelit ishte evropiane dhe homogjene. Ai ishte vendimmarrës në fatin e letërsisë që do të krijonte. Zot i vlerave të tij letrare, pavarësisht nga furtunat ideologjike që u ngritën para tij. Punonte ditë e natë për të gdhendur karakteristikat e personazheve të tij, me seriozitet e përkushtim, i lirë dhe shkumëzues, pavarësisht nga kritikat e mediokërve anonimë.

E gjithë jeta e Q. Buxhelit, që iku në amshim në 2 dhjetor 2006, ka qenë një dedikim i plotë ndaj letërsisë dhe së vërtetës. Ishte shembulli i shkrimtarit që sakrifikoi gjith jetën për të modernizuar humorin shqiptar dhe për t’i dhënë atij një dimension tjetër, si dhe për të ndihmuar shoqërinë shqiptare të gjente udhën e lartësimit shpirtëror dhe ringritjen morale.

Buxheli ka ndjekur me vëmendje të gjitha lëvizjet dhe ndryshimet sociale shqiptare të kohës së tij, duke zbuluar elementet universale të shoqërisë, e prandaj, vepra e tij u flet edhe lexuesve të sotëm, për të parë dritën në fytyrën e njëri – tjetrit. Ky shkrimtar përherë mëton të na kumtojë se të keqen e kemi në mesin tonë. Vepra e tij, po të lexohet me kujdes, na tregon rrugën, por jo me patetizëm e partishmëri.

(Për më tepër mund të lexoni librin “Qamil Buxheli, mjeshtër i madh i humorit dhe satirës”, Botimet Albas, Tiranë 2025).