Albspirit

Media/News/Publishing

CILI ISHTE TEME SEJKO? FIGURA ENIGMATIKE E ESAT DISHNICËS DHE DRITËHIJET E ÇËSHTJES KOSOVARE


(Pjesa I)
Ahmet Xhavit Delvina

Teme Sejko qe një djalë i ri që rridhte nga një familje e thjeshtë çame me dije e kulturë të pakët provinciale, që u përfshi nga propaganda komuniste e kohës dhe doli partizan duke u inkluduar te çeta “Çamëria”. Më vonë kaloi në Brigadën e I-rë, aty u dallua dhe në fund të vitit 1944 caktohet zv.Komisar i Brigadës së XVIII-të. Në atë kohë zv. komisari në Brigadë apo në Ushtrinë Nacional-Çlirimtare, kryente funksionin e sekretarit të Partisë dhe njëkohësisht drejtonte shërbimin sekret ose sigurimin e Brigadës. Pas “çlirimit” të vendit dërgohet për “studime të larta” si Bukurosh Peza i ndjerë, me shokë në Bashkimin Sovjetik në “Akademin Fruntze” dhe këtë si gjithë të tjerët e gjeti belaja me gjuhën Ruse, por falë rekomandimeve nga lart dhe “zgjuarsisë” komuniste, ai mbaron shkëlqyeshëm pas 3-4 muajsh Akademinë dhe kthehet në atdhe. Meqënëse ishte “kuadër i lartë” emërohet fillimisht Shef Shtabi Divizioni, pak më vonë Komandant Divizioni, më pas për aftësi të rralla emërohet Drejtor i Zbulimit në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore. Në 1956 e ridërgojnë në Bashkimin Sovjetik për 14 muaj të tjera për të kryer shkollën e lartë të Shtabit apo si i thonë “borgjezët” – “Etamazhorin Voroshillov”. Ja pra se ç’është aftësia dhe inteligjenca shqiptare që sapo e përshkruam më sipër, kush qe vlera reale e Teme Sejkos dhe niveli i tij, e pamë që për 17 – 18 muaj gjithsej kreu të gjitha shkallët e studimit, të artit ushtarak dhe u konsiderua kuadër me përgatitje të “lartë ushtarake”, prandaj e emëruan Komandant të Flotës Luftarako – Detare me gradën e Kundër-Admiralit, i pari i graduar i kësaj shkalle në Shqipëri, kuptohet “përgatitja” e këtij oficeri detar.
Tani fillon kapitulli i eleminimit të tij për të mos prishur ose mbajtur mekanizmin e njohur të auto – vrasjes. Arrestimi i Temes u bë me bujë të madhe dhe u quajt sukses i vigjilencës revolucionare të Partisë, sepse fituam ndaj Shërbimeve Sekrete Sovjetike që konsideroheshin nga më të aftat në mbar botën. Buçitën me të madhe shtypi, radio e gjithçka që u kap rrjeti agjenturor në ushtri që punonte në favor të Social-Imperializmit Sovjetik në koordinim me agjenturat sekrete perëndimore. Faktikisht sipas fjalëve të Esatit që janë mëse të sigurta, Teme qëndroi në “burg” në një ambjent të posaçëm jetese tamam si në kovaleshencë, por ruajtja e këtij sekreti ishte i veçantë. Ky trajtim iu bë edhe disa shokëve të tjerë të grupit sepse duhej të përvetësonin skenarin e shkruar dhe të përgatitur lartë në udhëheqje e që do ta recitonin në “Gjyqin e Popullit”. Ushqimi i burgut për Temen ishte i zgjedhur dhe me porosi nga ai vet, konsultat me shokët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Brendshme ishin të rregullta, takimet me gruan e tij Shpresa dhe njërin djalë ishin po ashtu të rregullta, vetëm se ai nuk do të jetonte në shtëpi por në pozicionin që e kishte “ngarkuar” Partia në këtë rast në “Paraburgim”.
Të gjitha këto që përshkruam më sipër nuk duhej kurrsesi të merrej vesh nga askush dhe ishte i domosdoshëm të ruhej konspiracion absolut sepse tani për tani kështu e donte puna e Partisë dhe këtë porosi edhe vet Temja ia përsëriste çdo herë Shpresës, gruas së gjorë. Qëndrimi i tij në gjyq ishte shumë “korrekt”, tamam sipas skenarit të parapërgatitur, por një gjë ishte për gjynah sepse mori në qafë edhe shumë njerëz të tjerë përveç shokëve të tij që ishin në role të njëjta, kishte edhe gjynafqarë “miq të tij” që aktualisht ishin njerëz të thjeshtë si bariu i dhenve Jonuz Purizo etj, që vet Temja i kishte futur nëpër gracka të ndryshme duke shfrytëzuar njohjet e vjetra apo edhe inçizimet e bisedave provokuese etj. – Nuku kishte ç’të bënte – thoshte Esati me nënqeshje, Temja kryente detyrën e Partisë me përpikmëri, epo edhe “dasëm pa mish nuku ka”! Gjyqi ishte nga më spektakolarët, ishte e pamundur të mos bindeshe kur dëgjoje deponimet për rrugën e tradhtisë që kishin ndjekur ata vetë, duke patur dhe detyra të larta shtetërore, shpërdoruan besimin e dhënë. Por çudia më e madhe ndodhi kur u dha dënimi me vdekje nga Gjykata e Lartë Ushtarake dhe ekzekutimi u ligjërua nga Presidenti i Republikës. Fill pas dënimit nga Gjykata, ai dhe shokët e tij që ndoqën të njëjtën vijë, si usta Temja, Tahir Demi, etj, u çuan nga “kovaleshenca” në qeli të vërteta, duke humbur dhe të gjitha privilegjet që patën, si takimet me familjet etj dhe duke i lidhur këmbë e duar pas një ndenjëse fikse dhe me kokore tankisti në kokë (për të mos vrar veten), aty ata përfundimisht kuptuan se kishin rënë në praktikat e zakonshme të Partisë për kësi rastesh, dmth që Partia e tyre i tradhëtoi duke kryer më së miri nevojat e saj pa pyetur për fatin e tyre e pa llogaritur pastaj për familjet e tyre. Kështu që edhe ai Teme Sejko ishte destinuar të vdiste në të njëjtën mënyrë si shokët e tij, që i kishte trajtuar ai vetë kur ishte në pozitë. Më tregonte një shok, – tha Esati, nga ata që vanë ta merrnin Temen për ta ekzekutuar atë sabah herët, nja dy orë pas mesnatës, se si iu bërtiste ekzekutorëve të tij, ish – shok armësh – “vramë njëri-tjetrin”, çfarë nuku nxori nga goja ai “budalla”. Kështu iku dhe ky kuadër i lartë i Partisë, por ama edhe ata xhelatët e tij, nuk ju a merrte mendja se shumë shpejt do t’ju vinte rradha edhe atyre për të kaluar në atë proçes vetvrasës të pashmangshëm, por hajt t’i mbushje mendjen Nevzat Hasnedarit apo Feçor Shehut me Kadri Hazbiun, lere pastaj atë “pordhacin” Halim Xhelon. Mirpo Partia mbeti e pakënaqur nga sjellja e Temes, prandaj ajo u hakmor edhe me familjen e tij duke internuar të shoqen Shpresën në Berat, e cila u hodh nga kati i IV (u hodh vet apo e shtyu ndonjë “shok” i Temes, kjo nuk dihet), edhe nga hidhërimi që pse i ekzekutuan edhe djalin që vizitonin Temen në burg, me motivacionin se donte të hidhte në erë me eksploziv Kombinatin e Tekstileve në Berat. Në këtë mënyrë u asgjesuan dhe dëshmitarët e fundit të kësaj çështjeje.
Të them të drejtën pas këtij tregimi u shtanga për një moment sepse mendova për familjen e tij, por ky dëshpërim më kaloi shpejt sepse mendova se kjo që ndodhi ishte një luftë kriminelësh e stilit mafioz brenda llojit të vet, historia e vendit tonë, në kohën e komunizmit, të vjetër apo të rinj, ishte e mbushur plot me gjëra të tilla. Më kujtohet një ditë kur Esati ishte shtrirë në shtrat i sëmurë, si zakonisht, më mbajti pranë me muhabet dhe shpejt sipas zakonit të përhershëm, filluam një bisedë politike e cila gradualisht u shndërrua në një debat me nerva të tendosura nga të dy. Kjo ndodhte shpesh ndërmjet nesh për shkak të mendimeve të kundërta që kishim me njëri-tjetrin. Por ai për mua mbeti gjithnjë interesant sepse nga çdo bisedë me të mësoje diçka të re të pashkruar apo dëgjuar. Ky ishte një fakt më se i vërtet si për mua, ashtu edhe për shumë të tjerë që hynin në bisedë me të. Ishte shumë e çuditshme por dhe e provuar se ai ishte gjithnjë protagonist, pjesëmarrës apo edhe prezent në pjesën më të madhe e më të rëndësishme politike të kohës apo edhe periudhës që ai jetoi.
“Si shpjegohej kjo”? – nuk di ç’ të them. Babai ynë për kunatin e vet Esatin kishte mendime të çuditshme dhe interesante gjithashtu, por ishte një fakt i njohur që ai me Esatin nuk pati asnjëherë lidhje të ngushta ashtu siç duhet t’i kishte. Lidhur me këtë ai vetë theksonte se njeriu në jetë shokun e zgjedh si të dojë, ndërsa për këto raste si timja, mund të them se mua me të nuk më lidh asgjë në mënyrë absolute, as mendimet për jetën dhe as rruga që ndjekim në jetë, pa folur për jetën private që është krejt e ndryshme, – ndërsa Esati për babain tonë sipas mendimit të tij, thoshte se është një “anadollak” i vërtetë dhe nuk e njeh fare Shqipërinë. Në atë kohë pozicioni i Esatit për atë shoqëri që jetoi ishte mëse i privilegjuar, kjo kishte arsyet e veta llogjike; në radhë të parë ai ishte trashëgimtar i një pasurie shumë të madhe të lënë nga gjyshi, të cilin e administronte vetëm ai, gjithashtu ishte dhe nip i Aqif Pash Elbasanit i cili ishte dhe baxhanak me Shefqet Bej Vërlacin. Esatin e lidhte një kushërirllëk shumë i afërt me Vrionsit si dhe Toptansit, por gjithashtu dihej se të gjithë këto lidhje farefisnore të afërta, për Esatin ishin pluse sepse këta ishin kuadro kryesore politike dhe shtetërore në ato kohra dhe se bashkjetesa me ta i kishte krijuar kredi të gjithanshme edhe me Mbretin Zog që kishte edhe njohje e miqësi, veç faktit se e ëma e Zogut ishte Toptanse dhe me Esat Pash Toptanin ishte djalë tezeje, etj., etj., pa folur për lidhjet e ngushta me Fan Nolin, Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Riza Cerovën, Avni Rustemin, Kryezinjtë, e deri tek Koço Tashko, e Sejfulla Maleshova, pa u çuditur për njohjen që kishte me Gjergj Dimitrov etj.
Shumë e çuditshme ishte jeta e tij sepse ai krahas këtyre njerëzve të njohur kishte marrëdhënie miqësore e vëllazërore edhe me një kategori krejt të ndryshme nga të parët, si me Mero Lamçe – komit i afirmuar, apo siç thash më sipër me Myslym Pezën, po komit e vrasës me pagesë i angazhuar nga Aqif Pash Elbasani për “punë”. Esati e njohu Myslym Pezën me “byrazerin” e tij Enver Hoxhën. Myslymi ndodhej në arrati prej shumë vitesh në Jugosllavi, por me kërkesë dhe rekomandim nga KOMINTERNI dhe nëpërmjet shokëve komunist, ai realizoi takimin e tyre për “sherr të Shqipërisë”. Takimi Enver – Myslym fillimisht u bë te kafja e Dem Xhepës, meqë Enveri “ynë” prej kohësh ishte “Dylber” i Demit dhe prandaj ky takim u mirëprit nga Demi dhe u shkrua edhe në historinë e Luftës. Pastaj u larguan nga kafja për te dyqani i Esatit “Flora” për të filluar bisedimet. Të dy “banditët” mbetën të kënaqur dhe të lumtur nga ky takim i parë i tyre dhe ky qe konkluzioni në fund të takimit. Problemi bazë që diskutuan ata ishte mendimi i “shokëve jugosllavë” që Peza të bëhej shkëndija e parë e Luftës kundër okupatorit. Ky vend paraqiste prioritet absolut nga të gjitha vendet e tjera në Shqipëri, e para se ishte afër Tiranës dhe në një pozicion strategjik mu në zemër të okupatorit, dhe e dyta plotësonte më së miri kërkesat e luftës. Bazën ekonomike aq shumë të nevojshme për ato kushte që ndodhej lëvizja në atë fillim, e investoi “Simpatizanti i Komunizmit” daiu Esat Dishnica nga pasuria e familjes së tij, shuma të mëdha parash ai i vuri në qarkullim për këtë qëllim “revolucionar” deri edhe aktivitetin e tij industrial të prodhimit të duhan – cigareve “Flora” dhe tregtinë ushqimore me shumicë që bënte tek Agjensia e Shpërndarjes së Cigareve tek dyqani “Flora”, ku siç tham edhe më lart kishte punësuar si “menaxher të plotfuqishëm” Enver Hoxhën. Kështu që në dyqan – agjensi – fabrikë u grumbulluan njerëz dhe kuadro të veçantë që i shërbenin lëvizjes “Nacional-Çlirimtare” apo më qartë ishin grumbulluar të gjithë fundërrinat e shoqërisë shqiptare për t’i bërë varrin në të ardhmen Shqipërisë, tamam ashtu siç ia bënë.
Atë ditë të bisedës time me Esatin, ai qëlloi me ftohje polmonare i shtrirë në krevat dhe ishte i predispozuar të më “llafoste” më mirë se kurrë dhe me të vërtetë kështu ndodhi. Ai menjëherë filloi propagandën duke më thënë se, komunizma ishte ideologjia e vetme dhe më e përparuara e shek XX, atë ideologji që shan zotrote – më thotë ai, e përqafuan qindra e meleona njerëz në gjith botën, që nga më i thjeshti e deri tek më të pasurit progresistë, shkenctarë etj dhe biles deri tek nëpunësit e lartë shtetërorë, ushtarakë etj. Prandaj ju, sëra juaj nuku keni të drejtë ta përçmoni këtë lëvizje apo qëllim. Unë e di që ju thoni, gjithashtu dhe mendoni që ç’deshe ti dajkua jonë që u bashkove me këta njerëz famëkeq, edhe duke investuar për bela të kokave tona dhe të gjithë vendit, të gjithë pasurinë e familjes (dhe kjo sot u vërtetua në të gjithë botën se sa e keqe ishte kjo kolerë – komuniste). Ndëgjo këtu, ndëgjo – vazhdon më tej Esati, – për këtë lëvizje që shan ti, unë edhe sot pas kaq e aq vitesh, jam krenar që mora pjesë dhe bashkëpunova me të. Bindjet e mia apo sakrificat që bëra, apo mendimet që kisha atëher, i kam edhe sot dhe sërish jam krenar për to. Ato ide më ishin ngulitur në mëndje e në shpirt nga jeta dhe shoqëria e atëhershme, sidomos nga ajo rinorja, biles në atë shoqëri të asaj kohe kishte dhe të moshuar shumë të mënçur, në fund të fundit ishte bindja e kohës dhe e atyre viteve, edhe nuk kishim arsye pse t’i kundërviheshim kur ne atë ideologji e çmonim si më të mirën. Njerëzimi ose popujt e botës një atdhe duhet të kenë, dhe në atë atdhe duhet të rrojnë të bashkuar, të lumtur dhe mbi të gjitha të barabartë pa dallim feje, ngjyre, etj dhe prandaj doli edhe parrulla e famshme: “Proletarë të të gjitha vendeve Bashkohuni” – Dmth s’kish pse ne të mos merrnim pjesë në atë luftë të drejtë. Mirëpo lufta që duhej bërë për të realizuar këtë qëllim të madh, ishte një rrugë e gjatë dhe shumë e vështirë dhe mbi të gjitha donte sakrifica sublime, nuku ia lëshonte kollaj e vjetra së resë pavarësisht nga qartësia e çështjes. Opinioni konservator i kohës e dënonte aktivitetin dhe përpjekjet tona, na cilësonin sikur nuku kishim ndjenja atdhedashurie dhe se ishim pajtuar dhe i shërbenim armikut të vendit tonë, sllavëve etj, por nuku është kështu. Ja shikoni realisht se ç’po bëhet, janë ngritur burra shtetesh të rëndësishëm si De Gasperi, Adenaueri e shumë të tjerë si këta dhe kanë hedhur idenë për një Europë të Bashkuar, e cila realisht ka filluar të hedhë bazat për t’u realizuar në një super-shtet të vetëm europian, duke humbur ose më mirë duke sakrifikuar në një farë mënyre dhe identitetin kombëtar apo mendimet konservatore primitive, për një nacionalizëm të pastër apo të kulluar, të përfaqësuara në format klasike të shteteve të veçanta. Ore Xhavit, nuk janë budallenj anglezët, gjermanët, francezët e ku di unë, por e shohin se është domosdoshmëri e së ardhmes. Sfidat e kohës janë të dukshme, psh rritja e popullsisë botërore po shkon me ritme alarmante, prishja e ambientit natyror apo e virgjërisë, si edhe zhvillimi i madh dhe i paparë ndonjëherë deri më sot i llojeve të ndryshme të industrive, po garanton një “hata” në të ardhmen e shpejtë sepse, psh rezervat e pasurive nëntokësore kanë afat të afërt shterimi, e shumë e shumë halle të tjera që e bëjnë të padiskutueshëm këtë bashkim shtetesh. Vetëm të ushqyerit e popujve në rritje, e bëjnë të domosdoshme që kokrra e grurit të rritet në madhësinë e një arre, apo automobilat të punojnë me karburante artificiale për të mos ndotur ambjentin, lëre pastaj që rezervat e naftës janë në shterim e sipër. A e di ti se popullsia e botës në vitin 1700 – ishte 600 – milionë banorë? Ndërsa tani pas 300 – vitesh ka kaluar 6 miliard, dhe ku do shkoj pas 300 – vitesh të tjera? Pra po të rrimë kështu siç jemi nuku na mbetet gjë tjetër vetëm të hamë njëri – tjetrin. Ty sot mund të të mos besohet, por ne në themel të dëshirës, luftës apo qëllimit, kemi patur bashkimin dhe vëllazërimin e përbotshëm, për këtë u bë dhe po bëhet një luftë një – shekullore. Edhe Enver Hoxha këtij qëllimi i shërbeu prandaj edhe ne i vamë pas dhe e investuam mesa mundëm, pavarësisht se kush u përzie më vonë në këtë punë dhe kush e udhëhoqi edhe atë, prandaj e them edhe njëherë se neve nuku bëmë gabim që ndoqëm këtë rrugë, sepse qëllimi ishte shumë i drejtë dhe mbi të gjitha i ndershëm, por tjetër gjë si shkoi më vonë, kurrë nuk realizohen qëllimet në perfeksion siç i mendon.
Atëherë i drejtohem unë rishtaz – Or daj, dihet nga të gjithë qëndrimi i vjetër armiqësor i Jugosllavisë ndaj vendit tonë. Ky qëndrim historikisht ka qenë i dallueshëm dhe konstant, ata gjithmonë ndaj nesh kanë konstruktuar një sistem politik shumë anti-shqiptar dhe ka shumë fakte që e vërtetojnë këtë realitet që në kohët më të hershme, këto që po të them ti duhet t’i dish mirë se i ke jetuar dhe parë vetë, ja unë psh po të përmend një fakt të dëgjuar dhe të njohur nga të gjithë. Që pas vendimit të Konferencës së Ambasadorve u dha urdhër për tërheqjen e menjëhershme të trupave serbe nga viset shqiptare që përfshinin kryesisht kufijtë – veriorë e veri – lindorë të cilat mbetën brenda Shqipërisë, ata në kundërshtim flagrant me këto vendime filluan një tërheqje shumë të ngadalt me qëllim që të kishin kohë të realizonin korrigjime të kufirit, sigurisht në favor të tyre, lëre pastaj çështjen apo problemin madhor të Kosovës. Këto qëndrime tendencioze për të keq mbështeteshin dhe udhëhiqeshin nga Rusia armike tradicionale e vendit tonë e cila kryesonte shovinizmin sllav dhe përhapjen, e panë kudo në Europë edhe në Botë, lëre pastaj edhe interesin që kishin ata për dalje në brigjet – lindore të detit Adriatik.
Pra pse neve u mbështetëm pikërisht në këto dy shtete që ishin dhe janë tradicionalisht kundër interesave tona kombëtare, pse Enveri u lidh me ta? Pse? Përse ne të bëheshim vegla qorre të tyre duke humbur dhe dinjitetin tonë kombëtar? Ne në këtë tradhëti ndaj vetes, shkuam edhe më larg, duke i ndihmuar Jugosllavët që të ushtronin dhe genocide ndaj shqiptarve si këtu edhe në Kosovë apo Mal të Zi e kudo ku kishte shqiptar. Ne u bëmë bashkpunëtorë në këto krime monstruoze. Pse? Me këto mënyra të pabesa bashkpunimi që arrinin deri edhe në kufijtë e servilizmit të neveritshëm, ata shkatërruan dhe zhdukën ajkën e inteligjencës nacionaliste shqiptare, me qëllim për të siguruar një terren plotësisht të qetë e të pastër ose siç i thonë në diplomaci “Piazza Pulita”. Me anë të këtyre manovrimeve kriminale ata siguruan avantazhe e lehtësira në proçesin e “nënshtrimit zyrtar” për të kurorëzuar Shqipërinë si Republikë të 7 – Jugosllave sipas bekimit shovinist Rus. Të tëra këto turpe u bënë gjatë rrugës për në komunizmin tuaj me regjizor Enver Hoxhën. A të kujtohet krimi apo turpi që bëmë ne, duke i ndihmuar ata “Serb të mallkuar” që të realizonin me çdo kusht masakrën e Tivarit, ku u asgjesuan mijra të rinj kosovarë, ajka e atij populli martir. Pa përmendur pastaj turpin apo tradhtinë që ju bëmë kur dërguam ne Brigadat tona në Kosovë për t’i “çliruar” ata nga pushtimi nazifashist. Kjo ishte mënyra më e sofistikuar e tradhëtisë Shqiptaro – Jugosllave për të shfarosur shqiptarët e Kosovës nga vet shqiptarët apo si i thonë në gjuhën klasike: “Luftë vëlla – vrasëse”. Në fund Marshalli Tito dekoroi kriminelët shqiptarë për këto “veprime trimërie”. Jo më pak të turpshme dhe të neveritshme ishin marrëdhëniet ndër-shtetërore shqiptaro – jugosllave si përpara ndërprerjes, ashtu edhe pas ndërprerjes marrdhënjeve, këto periudha në histori kështu u shkruajtën, por në fakt këto ishin vetëm manovra, sepse ndërmjet të dy palëve komuniste nuk pati kurrë prishje të vërtetë, por këto ishin në programet e tyre kriminale për të asgjesuar me themel popullin e shumë vuajtur kosovar. Si mund ta spjegojmë ose të justifikohemi ne shqiptarët e Atdheut “amë”, siç thonë ata të shkretë, kur me sakrifica nga më të mëdhat dhe shpesh duke lënë edhe kokën në kufi, arrinin të arratiseshin prej andej për të ardhur në “atdheun amë”, dhe ne i dorëzonim të lidhur sërish tek ata si mall tregu, në shkëmbim të të arratisurve tanë në Jugosllavi.
Kjo marrveshje famëkeqe ekzistoi mbi 50 vjet. Nuk mund të përshkruhet shumllojshmëria e turpeve, poshtërsive, tradhtive e çdo gjë tjetër që egziston në këtë botë në sensin e keq, që ata i bënë këtij vendi në emër të të ashtuquajturit “Internacionalizëm Proletar”. Më vjen çudi kur thoni: helbete periudhë e gjatë lufte, punë e qeverisje, krahas të mirave ka patur edhe gabime apo të meta. Por çuditem se një pjesë të të metave i përshkrova edhe unë në këto pak rrjeshta që shkruajta, por të mirat ku janë? Ato s’është se nuk i kam parë vetëm unë, por ato i thotë gjithë populli se, nën diktaturën Enveriane nuk ka patur as edhe një të mirë, veç të keqe, Po! Unë nuk e kuptova asnjëherë Esatin tamam, ai si fliste sot nuk fliste nesër, ai ishte gjithmonë shumë eksentrik dhe kontradiktor me vetveten dhe të tjerët. Pasi më dëgjonte deri në fund, më thoshte: A ke më për të vjellë? – Jo i thosha. Atëherë fillonte ai, ndëgjo këtu e lëri pallavrat e tua se nuku të ndëgjoj më se më çave kokën. Shiko, këto që ti po llomotit i ke me të ndëgjuar dhe po ta them unë e më beso, asgjë nga këto që po thua nuku janë gjë tjetër veçse dëngla e pallavra apo lloqe “populli”, prandaj ndëgjo nga unë ca të vërteta dhe mos u bazo asnjëherë në ato që ndëgjon lart e poshtë. Tani për çudi Esati merrte pamje krejt tjetër. Ndëgjo, fillimisht siç të thash më par duhet që jo vetëm popujt e Europës të bashkohen në një, por e mira është që ky bashkim të bëhet në rang botëror dhe pik. Ndërsa kontigjentet e kosovarëve që hynin në Shqipëri si të arratisur konsideroheshin “natyrshëm” si të jashtligjshëm sepse nuk kishin dokumente të rregullta, në bazë të asaj marrveshjeje që ti i thua e “turpshme” dhe që realisht egzistonte ndërmjet nesh dhe atyre, ata ktheheshin në bazë të listë – kërkesës së tyre me përpikmëri të plotë, po kështu vepronim edhe ne me ata, ç’kërkonim ne, na binin ata. Kosovarët që nuk kërkoheshin nga ata por mbeteshin këtu, burgoseshin menjëherë dhe çoheshin ndër kampe për “verifikime” dhe pas një kohe vuajtjesh dhe lodhje fizike e psikologjike, ata klasifikoheshin. Këto probleme trajtoheshin nga një komision i ngritur pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme që merrej vetëm me të quajturin “Problem Kosovar”. Për këta emigrantë apo viktima egzistonin disa variante trajtimesh, një pjesë prej tyre me dashje apo pa dashjen e tyre, i detyronin për t’u bërë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit tonë dhe pasi trajnoheshin shërbenin brënda në Shqipëri për interesat e Sigurimit tonë, ose i kalonin në një seksion special për “Shërbime Diversioniste në Jugosllavi”, tashmë ata hynin andej si “klandestinë” si dhe nëpër vende të ndryshme të botës ku kishte kosovarë të arratisur, si në Zvicër, Turqi, Gjermani, Suedi, Francë etj. e deri në Amerikë. Përsa u takon këtyre “diversantëve kosovarë”, atyre ju ngarkoheshin detyra nga më të poshtrat që mund të mendohej dhe në bazë të një koordinimi të Shërbimeve Sekrete Shqipëri – Jugosllavi, ata i fusnin në disa kurthe që ishin të detyruar të zbatonin urdhrat dhe detyrat deri në një sepse jo vetëm jeta e tyre rrezikohej deri në vdekje, por edhe familjet e tyre si në Shqipëri edhe në Jugosllavi pësonin të njëjtin fat. Nuk dua të zgjatem për këtë çështje, nënkuptoje vet po ke tru, boll filma ke parë, kurrë nuk binden “spiunët” dhe filloi të qesh. Gjatë këtyre detyrave “bindje – mosbindje” pati mjaft raste tragjike për kosovarët e ngratë dhe familjet e tyre.
Tani do të flas për “diversantët kosovarë” dhe arritjet e tyre në këto detyra të përgatitura nga Sigurimi Shtetit tonë. Koha e përgatitjes së tyre ishte shumë e shkurtër sepse egzistonin disa avantazhe tek elementi kosovar që e lehtësonin mjaft këtë cikël shumë të rëndësishëm përgatitor. Arsyet e këtyre përparësive shpjegoheshin sepse regjimi i Josif Broz Titos që dihet se ishte shumë më liberal se regjimi ynë i Enver Hoxhës, nuk e kishte shkatërruar plotësisht popullin jugosllav (ku bënte pjesë edhe populli shqiptar i Kosovës) po ta krahasosh me popullin tonë, prandaj atyre iu kishte mbetur burrëria, besa, dashuria për atdhe etj. Po kaq i rëndësishëm ishte fakti se ata trashëgonin në breza një urrejtje specifike për regjimin serb dhe ishin kurdoherë të gatshëm ta luftonin atë me çdo mënyrë, pa marr parasysh jetën e tyre. Por krahas këtyre të mirave dhe avantazheve, ata kishin dhe një të keqe të madhe se ishin të sinqertë me tepri dhe shumë naivë. Ata besonin çdo gjë të mirë, nuk kishin kurrë dyshime për bisedat që ju bëheshin, prandaj ata të ngratë u bënë një “fushë” që kush nuk bëri përshesh me ta. Gjatë “shërbimeve” edhe kur e ndjenin apo e shihnin që diçka nuk shkonte, kurrë nuk dyshuan për të keq pavarësisht se rrezikohej koka e tyre, por gjithnjë ata ishin entuziastë dhe krenarë se po luftonin armikun e tyre tradicional “shkiaun”. Ata kosovarë të shkretë, as mund ta mendonin e as ta imagjinonin se deri në çfarë shkalle e kishte shkatërruar njeriun shqiptar regjimi i Enver Hoxhës. Ata ishin kthyer dhe kishin kompletuar më së miri “Njeriun e Ri” si “Vepër Monumentale të Partisë”, ata kishin fituar cilësitë e vërteta komuniste si, pabesinë, urrejtjen për çdo gjë të ndershme, mungesën e dashurisë për atdheun, mungesë dëshire për dije, kishin humbur seriozitetin dhe çdo gjë tjetër njerzore, pra mund të themi se ishin kthyer “Undër – Mensh” (ndën njerëz) siç shprehej Ibrahim Biçaku, ish – Kryeministër (për të cilin do flasim në vijim).
Pra, vazhdonte Esati, ti shava njerëzit e Partisë si ta do qejfi dhe shpirti ty por në fund të fundit këta lloj njerzish kanë supremaci ose përparësi në kësi punësh diversioniste, sepse me ty apo njerëz si ty nuku bëhen këto punë. Boshti Sllavo – Ortodoks do të jetë kollona vertebrale e komunizmit në botë, kjo është e fiksuar dhe se lot topi. Në një fazë të mëvonshme ortodoksizmit Sllav do t’i bashkangjitet edhe ai Helen, këta do të jenë baza e vërtetë dhe me histori të vjetër rreth të cilëve do të mblidhen të gjithë popujt e Europës në një shtet të vetëm me Kryeqytet Moskën. Kjo do të vlejë dhe si shembulli më i mirë për të bashkuar të gjithë popujt e botës. Ja pra do të realizohet më në fund parrulla jonë Bolshevike: “Proletar të të gjitha vendeve të Botës, Bashkohuni” dhe me një Hymn të vetëm: “Internacionalen”. Ndëgjo se sa interesante dhe e sofistikuar është mënyra që bëjmë agjitacionin dhe propagandën në botën kosovare me agjenturën tonë Serbo – Shqiptare. Kjo propagandë zinte vend menjëherë tek shpirtrat e virgjër të kosovarëve të cilët ishin me të vërtet të pastër e të drejtë dhe nuk ngurronin të hidheshin në sakrifica nga më të rrezikshmet, pavarësisht se dëmtonin maksimalisht vehten dhe familjet e tyre, boll të arrinin të realizonin dëshirat e tyre legjitime kundër armikut historik Serb. Kjo dëshirë urrejtje dhe hakmarrje ishte e trashëguar ndër breza dhe mjaftonte një shkak sado i vogël që të ishte për të vepruar. Faktikisht nuk munguan këto raste si psh demonstratat e vitit 1981 në Kosovë për pavarsi etj. Këto ishin grackat që ngriheshin nga qeveritarët tanë komunistë si edhe ata Serbë për asgjësimin masiv të popullit të Kosovës, kështu që ne në mënyrën më të turpshme si zakonisht ju shërbenim dëshirave të kahershme të Serbeve për të realizuar lehtësira në kolonjalizimin e përjetshëm të Kosovës. Të dy palët si ne edhe ata ndjenim kënaqësi kur këto gracka dilnin me sukses, serbët kishin kënaqësi të dyfishtë se e ndjenin veten autor kryesor në ngritjen e këtyre grackave, nuk duhej që masakra e Tivarit të ishte Unikale, ato lloj masakrash me atë efektivitet duhet të vijonin derisa Kosova të pastrohej nga kosovarët. Këto krime për fat të keq kaloheshin me një farë indiferentizmi nga Perëndimi, kjo besoj ndodhte për arsye të interesave të tyre politike të ditës, ata e pranonin në një far mënyre se Qeveria Serbe luftonte terroristët të cilët donin të përmbysnin rendin kushtetues të vendosur me zgjedhje të rregullta. Këtë dredhi serbët e dinin se perëndimorët e përkrahnin këtë lloj “lufte”, që bëhej për të mbrojtur interesat demokratike kundër dhunës, terrorit dhe brutalitetit. Xhavit: një gjë duhet të kuptosh se ne Kosovën e kemi bela dhe bela të madhe, ata janë më të zot se neve, e njohin ekonominë e tregut dhe atë kapitaliste në lartësinë e duhur, kanë para dhe kapitale të mëdha, e duan Shqipërinë në formë dhe madhësi të para vitit 1913 ose siç i thonë Shqipërinë Etnike. Për këto qëllime ata sakrifikojnë çdo gjë, ndërsa ne duam të rrojmë kështu si jemi.
Pasi ai foli aq gjatë, atëherë iu drejtova unë: Të lutem o daj Esat, njeriu im “i shtrenjt”, ti këto biseda i bënë si me humor por ama në i thënçin këtyre punëve që janë krime të pastra e të vazhdueshme, përpjekje dhe taktika të programuara për të ndërtuar një botë të re të bashkuar dhe të barabartë për të gjithë, si më the më parë me krenari, ku të gjithë njerëzit do të marrin apo do të përfitojnë nga shoqëria aq sa kanë nevojë etj., etj., për mua ky është një iluzion krejt abstrakt, krejt i pa arritshëm sepse po e shohim konkretisht se në ato shtete që thuhet se po aplikohet kjo teori, aty ka vetëm kriminalitet shtetëror dhe terrorizëm ekstrem. Or daj, barazia për tërë njerzit, jo vetëm që është një iluzion siç të thashë më parë, por është një ide dhe program regresiv sepse njerëzit nuk janë të barabartë apo të prerë në kallëpe të barabarta, prandaj nuk mund dhe nuk duhet të bëjnë një jetë të barabartë, dembeli me puntorin, inteligjenti me budallain, sepse jo vetëm që do të frenojnë përparimin, por do ta çojnë atë prapa. Nuk thotë kot Aristoteli: Të përpiqesh të bësh të barabarta gjërat e pa barabarta, është forma më e keqe e pabarazisë”. Esati qeshi haa dhe thotë: kush ti ka treguar këto pallavra “Beu” (aludonte për t’im atë) apo ai budallai yt vëlla? Ndëgjo, ndëgjo këtu ore “gomar”, edhe ti si ata je, më je dukur pak më ndryshe se sikur ngjan pak më shumë nga sëra jonë, por nuku qënka kështu, por megjithatë të kam nip e të dua se je më i mirë se ata “mutrit e tjerë” e prandaj të llafos më shumë ty. Kështu që më ndëgjo, më ndëgjo të të çudis. Po të dish ti seç bëhet nëpër analet e Sigurimit të Shtetit, për hir të qëllimit të madh, ti çmndesh fare haa haa – qeshte dhe thoshte: Nuku thon kot që dasëm pa mish nuku ka. Të kam folur më duket edhe më parë për një farë, po i themi “X”, ai ishte agjent i Sigurimit tonë jashtë Shqipërisë i dërguar nga ne, në perëndim e deri në Amerikë ku banonte zyrtarisht si i arratisur nga Shqipëria. Ai ishte një killer profesionist i stërvitur mirë, guximtar, tip i dhunshëm dhe i vendosur në qëllimin e tij. Ky kishte realizuar shumë vrasje pa asnjë problem shqetësues për shërbimet tona të Sigurimit Serbo – Shqiptar, kishte dalë në pararojë të kësaj pune konspirative dhe konsiderohej ndër agjentët më të besuar në mënyrë absolute dhe një konsideratë të tillë nuk para e meritonte njeri. Por ja që erdhi dita që edhe kjo kokë e “çmuar” duhej asgjësuar nga mekanizmi “auto-vrasës” i Partisë, sipas zakonit të hershëm Bolshevik që nuk u ndal qoftë edhe njëherë për kërkënd. Me “shumë-shumë keqardhje” komuniste u organizua dhe asgjesimi i tij, por ai “shoku X” edhe pas vdekjes rron dhe do të rrojë në zemrat tona “përjetë si një hero i heshtur”! Këto lloj sakrifica që zor se i kupton njeriu normal, sot i bën këto lloj punësh të ecin gjithmon përpara. Ja po të spjegoj rolin që luajti shoku jonë “X” në këto punë. Propaganda anti-Serbe në tërë shtetet e botës ku punonte emigracioni kosovar, kryesisht në Europën Perëndimore, Amerikë e deri në Kanada e Australi, bëhej me shkallë shumë të lartë vështirësie për shumë arsye sepse, këto ishin vende me traditë të vjetër demokratike, ishin të organizuara deri në perfeksion për të mbrojtur arritjet që kishin realizuar me punë e djersë. Por ja pikërisht në këto shtete të pasura rronin dhe punonin kontigjente të mëdha kosovarësh që kishin përfituar shuma të mëdha monetare të cilat i përdornin jo vetëm për të jetuar mirë, vetëm ata atje dhe familjet e tyre, por ndihmonin ekonomikisht dhe pjesën tjetër të familjes që nuk e lëshonte Kosovën. Kështu që ata si banorë të Kosovës nuk vareshin nga qëndrimi diskriminues i Serbëve, por përkundrazi ata dalloheshin për mirëqënie, nuk ju mungonin vilat, kerat – automobilat (makinat), traktorët apo edhe mundësitë për t’i dërguar fëmijët për studime në Perëndim. Pra ky realitet të bënte të nënkuptoje që për të arritur qëllimin shfarosës të popullsisë kosovare që jetonte në Kosovë, duhej të luftoheshin pa mëshirë ata atje në Perëndim që ishin edhe burimi i kësaj mirqënie. Shërbimet e fshehta Serbo – Shqiptare kishin zgjedhur një metodologji shumë të rafinuar për këtë problem. Ata zbulonin dhe angazhonin po elementin kosovar po nga rradhët e tyre që gëzonte kulturë të lartë, kishte aftësi oratorike, cilësi masovike etj, dhe e ngarkonin për të punuar me emigrantët e atjeshëm e për t’ju bërë propagandë anti – serbe, si lektor direkt tek ta, dhe sigurisht që ata duhet të ishin njerëz që gëzonin dhe respektin dhe dashurinë e tyre. Kjo manovër e fëlliqur bëhej që ata të ngratë të mbanin të nxehtë urrejtjen ndaj serbëve dhe mundësisht të krijonin situata krizash të atilla që t’i hidhnin aktivisht kundër “pushtetit legjitim” Serb dhe pastaj t’i “kositnin lehtë”. Mirpo nuk ishte e vështirë të gjeje elementë të tillë, dhe i gjetëm faktikisht, këtë rol për kundër serbëve e pranonte gjithkush, por falë naivitetit dhe shpirtit të pastër, ata dolën në ballë të kësaj lufte. Faktikisht ata realizuan shumë nga këto qëllime sepse këta lektorë fituan një dashuri të zjarrtë mbarëpopullore kosovare, biles disa prej tyre dhe i idealizonin. Pikërisht tek këta vumë dorë duke i ekzekutuar me gjak të ftohtë, kështu pati ngacmime të forta në zemrat e kosovarëve që ishin të gatshëm të merrnin hak, dmth të binin në kurthin e tyre. Në unison midis tyre UDB.ja dhe Sigurimi i Shtetit tonë organizuan ekzekutimin e disa nga këta lektorë, “duke u vet – akuzuar” si ekzekutor të UDB – Jugosllave, rrjedhimisht keqardhja dhe urrejtja për shërbimet sekrete serbe arriti kulmin ndër kosovarë. Ndër këta viktima mund të përmendim Jusuf Gërvallën me të vëllan dhe një aktivist tjetër Kadri Zekën, të 3 këta u ekzekutuan në Gjermani. Pas këtyre rasteve zemërimi i kosovarëve arriti kulmin. Siç të thash edhe më lart menjëherë u organizua dhe vrasja e shokut “X “, atë e lajmëruan se pas kësaj vrasje, ai duhet të vinte në Tiranë të kryente një aksion shumë të rëndësishëm, skema u sajua, menjëherë shokun “X” e bashkuan me një agjent tonin që vepronte në Zelandën e Re, ish – oficer Sigurimi në Korpusin e Korçës, dhe një tjetër që vepronte në Itali, përgjegjës grupi u caktua shoku i Zelandës së Re (shoku jonë “Y”). Ata “zbarkuan” në Divjakë – Rrogozhinë dhe po në atë rreth u ekzekutuan të dy “heronjt e heshtur”, ndërsa shoku “Y” u rikthye në detyrë për të pritur rradhën e “caktuar nga Partia” për ta ekzekutuar edhe atë me “lavdin” e të tjerve. Kjo është strategji e konspiracionit, këto punë kështu e kanë or nipçja im, duan sakrifica, duan koka njerzish dhe të rekomandoj që të mos u besosh kurrë lajmeve nëpër gazeta apo dhe radio e televizorë sepse e ka thënë edhe Bismarku që: “Në politikë të tëra thuhen, veç të vërtetës”. Por sido që të jetë e të bëhet, çështja jonë do të fitojë e të jesh i sigurt për këtë. Shiko, vazhdoi Esati, sakrifica do të jet e madhe, do të ketë shumë humbje jete njerzish, biles do të zhduken edhe popuj të tërë, mos të duket shaka, por ama duam apo nuk duam ne, inati sllav është i madh, i fort dhe këmbëngulës. Ti edhe mund të arrish e ta shikosh këtë të ardhme, por unë jo, ti e di që unë antar partie nuku kam qenë ndonjëherë, por sa kalon jeta aq më tepër më mbushet mendja që ideollogjia komuniste ka përparësi nga ideologjitë e tjera dhe i shërben më mirë së ardhmes. Shiko mua e më dëgjo: Rritja e popullsisë në botë që e shpjeguam më lart, po ecën me ritme alarmante e të shfrenuara, ajo duhet frenuar në një formë e me çdo kusht sepse, e thamë se po ai glob toksor është dhe me luftra nuku pengohet kjo rritje e popullsisë, megjithëse sot bota ka armë bërthamore e të shkatërrimit në masë që mund të bëj kërdinë, biles ta bëj copa apo ta thërmoj këtë glob, por këto nuku janë mënyra që mund të përdoren, vetëm sistemi ynë komunist e rregullon këtë problem dhe asnjë sistem tjetër në botë i bën derman këtij halli, sepse komunizmi në arsenalin e “marifeteve” është i pashtershëm. A e kupton këtë ti?
Po tani e kuptova, i thashë. E po shyqyr, tha ai, se më lodhe. Por vetëm një gjë i thashë: – Kjo punë rregullohet tamam ashtu siç thua ti, vetëm nëse në botë dalin shkencëtarë të rinj e të shquar që të zëvendësojnë paraardhësit e tyre si, Leninin, Stalinin, Enverin, Mehmet Shehun, Aranit Çelën, Nevzat Haznedarin e të tjerë shokë të këtij kallëpi. Atëherë ai mu drejtua nervoz: Pusho, pusho, mor djall, e kam fajin unë që llafos me ty… ik… ik… ik e shporru e mos të të shoh më me sy se më ngrite gjakun në kokë. Tamam biri i ti t’eti je.
Por kishte një gjë të mirë se që të nesërmen nuk e mbante më inatin, sidomos me mua sepse më konsideronte të proletarizuar, natyrisht me ndonjë mbeturinë të trashëguar nga babai, ndërsa me Sherifin kishte gjithmonë marrëdhënie të acaruara dhe i thërriste Stavinski. Jeta e familjes tonë në pjesën më të madhe të saj u shoqërua me fukarallëk, punë të rënda, dhe ankth që rridhte nga pasiguria e jetës në atë sistem të mallkuar komunist. Mundimet dhe tensionet e vazhdueshme nuk na u ndanë asnjëherë, urrejtja klasore na shoqëroi për mbi 50 – vjet, por megjithatë shpresën për të ardhmen nuk e humbëm asnjëherë. Kjo shpresë apo mendimi tepër i sinqert që “Zoti ësht i madh” na bënte shpesh të harronim realitetin që jetonim. Lidhjet e ndryshme miqësore apo farefisnore si edhe krushqitë e shumta që kishim si familje, përfshinin njerëz nga të gjitha sferat dhe shtresat e ndryshme të asaj kohe. Ndër këta të afërt apo miq të familjes kishte natyra shumë të ndryshme, po ti shikoje nga pikpamja e klasifikimit sipas bindjeve politike, kishte nga ata që konsideroheshin njerëz të periudhës së “Merhumëve” (të mbaruar), po ashtu kishte edhe nga ata që konsideroheshin më të përparuar, sigurisht me bindje të majta por të “vjetruara” të cilët në të kaluarën kishin qenë deri edhe udhëheqës komunistë të gradave të ndryshme apo edhe veprimtarë të shquar e revolucionarë me emër, që përpara se të formohej Partia Komuniste Shqiptaro – Jugosllave. Për fat të keq për kohën që po flasim, ata ishin centrifuguar si të “pa nevojshëm” nga Partia e tyre dhe biles ishin në fazën e përbuzjes popullore, kjo ishte një kohë tranzite drejt rrugës së persekutimit me burg, me internim familjar, deri edhe fisnor, pa folur si do shkonte më tej. Ne si familje sipas mendimit të asaj kohe i takonim brezit të “Merhumëve” dhe kjo presupozonte se duhet të kishim një rreth miqësor relativisht të vogël, por në fakt nuk ishte kështu. Ne kishim miqësira të mëdha, shumë të sinqerta me të gjithë kategoritë që përmenda më lart. Nuk thuhet kot që çdo e keqe e ka një të mirë sepse pikërisht në këtë kohë të errët e të vështirë na u krijua mundësia për kontakte më të shpeshta, pavarësisht halleve të gjithsejcilit. Natyrisht thelbi bisedave ishte politika, ekonomia etj. dhe deri diku diskutohej edhe e ardhmja sepse veç halleve të njohura ishte se shumica e tyre ishin edhe të papunë dhe këto biseda sikur i çlironin pak nga dufi që kishin në shpirt. Nëna jonë siç e kam përmendur edhe më lart, veç Esatit
që e kishte vëlla, kishte Ymer Dishnicën (djalë xhaxhai), kishte Beqir Gjylbegun (burrë motre), ndërsa babai kishte njohje të vjetra që para “çlirimit” me Spiro Moisiun, Sejfulla Malëshovën, etj., këta tërhiqnin Kadri Hoxhën, Mario Bakallin etj. Nuk mungonin edhe miq të tjerë si Ali Asllani, Kasëm Bozgo etj. Kjo shoqëri bëhej më interesante se bashkoheshin në diskutime njerëz me kultura të ndryshme, me nivele të ndryshme, karaktere të përziera, trima, paqësor, kokë – krisur etj. Këto natyra të ndryshme vinin përpara respektin për njëri-tjetrin dhe kështu nuk ju penguan asnjëher bisedat apo analizat që bënin, gjithmonë duke respektuar kufijtë e bisedave që lejonte koha dhe asnjëherë këto biseda nuk duhej që të binin në kundërshtim me çfarë shkruante historia e Partisë për ato probleme sepse, ndryshe ato klasifikoheshin si “herezi” dhe dënoheshin maksimalisht, “të djegur në turrë të druve”, megjithatë kishte raste kur nuk ju dilte biseda, përdornin figura të ndryshme krahasuese me humor dhe kalonin më tej muhabetit, kështu që shoqërinë nuk e prishën kurrë dhe nuk e rrezikuan asnjëherë. Me të vërtetë ishte e çuditshme me këta miq sidomos kur biseda ishte ndërmjet dy personave dhe qëllonim në dhomë edhe ne fëmijët duke bërë mësimet e shkollës, ata kurrë nuk u shqetësuan për prezencën tonë. Më kujtohet njëherë kur babai ynë po bënte një bisedë konfidenciale me zë të ulët me Sejfulla Malëshovën dhe mesa duket babai nuk deshi që ne të kapnim ndonjë pjesë bisede, kërkoi të na nxirrte nga dhoma për të na çuar në një vend tjetër, por Sejfullai e kuptoi qëllimin e babait dhe ndërhyri menjëherë: Të lutem mos i largo fëmijët, le të dëgjojnë se jeta i ka burrëruar para kohës dhe mbase kushedi do t’ju duhen në të ardhmen këto kujtime. Prandaj sot e ndjej për detyrë morale që ato pak kujtime modeste të atyre burrave ti shkruaj për të mos u harruar kurrë. Po kështu e kam për detyrë të rikujtoj edhe një burrë tjetër si këta që përshkrova më lart, për burrërinë dhe karakterin e tij shumë interesant, ky ishte një revolucionar i vjetër me mendime të majta, por i braktisur totalisht nga Partia e Enverit. Ky qe profesor Skënder Luarasi, kisha dëgjuar për të por unë personalisht e njoha vonë rreth vitit 1970 – 1971. Ndodhesha familjarisht për pushime 15-ditore në hotelin e vjetër “Hekurudha” në plazhin e Durrësit dhe qëlluam komshinj. Pasi iu prezantova dolëm shumë të njohur, ai qe mik me Esatin, me nënën, babain, kishte patur nxënës Sherifin për të cilin kishte konsideratë të madhe veçanërisht për nivelin e dijeve të tij në lëndën e Historisë. Si rrjedhim i këtij prezantimi ai mendoi se gjeti një partner që do të zhvillonte gjatë gjithë kohës së pushimeve, biseda historike apo filozofike, dmth çështje e probleme të këtij niveli, por unë aty për aty i them se nuk i takoj atij “takëmi” që mendoni ju, por jam njeri i hekurave. Ai reagoi menjëherë: Pusho, pusho se e di se çfarë brumi je dhe lëri modestitë e tepërta. Ai filloi të tregonte disa gjëra shumë interesante, por nja dy prej tyre më mbetën në kujtesë dhe prandaj po i shkruaj. Më vjen çudi që historianët tanë 7 Prillin 1939 e konsiderojnë ditë të zezë për atdheun tonë, unë nuk jam dakort fare me këtë, ja pse, unë ditë të zezë për atdheun tonë Shqipërinë konsideroj 14 Prillin 1939, sepse në këtë ditë inteligjenca shqiptare e asaj kohe u “vu në rresht” tek pushtuesi fashist italian për të marrë një rrogë suplementare me rastin e festimeve fashiste të atyre momenteve dhe premtimeve të Duçes për Bashkimin e Shqipërisë me Italinë, në një Perandori më vete drejt krijimit të “Impero-Romanos”, pa folur kur po ata (palo burra) i çuan Vitorio Emanuelit të III-të kurorën dhe çelsin simbolik të Shqipërisë. Hë pra pse edhe sot këto fakte nuk diskutohen kështu e me objektivitet që të zënë vend në popull e të mos përsëriten më kurrë? Nuk kishte ç’të bënte Shqipëria në 7 Prill, nuk mund t’i kundërvihej me tërë forcat e veta kombëtare, ballë për ballë sepse kishte të bënte me një shtet të madh, të fuqishëm ekonomikisht dhe të përgatitur për atë ditë, por turpin e bëri siç tham më lart, inteligjenca tradhëtare shqiptare që mesa dukej e prisnin atë ditë turpi të 14 Prillit. Më foli për qëllimin fisnik që kishin kur vajtën në Spanjë për të luftuar etj. Pavarësisht se ishte i majtë në mendime, por ishte patriot, e donte Shqipërinë dhe ishte në kundërshtim të plotë me Partinë e Enver Hoxhës, as unë se dua më këtë Parti, e as ajo më do mua. Kjo ndodhte se ai bënte analiza objektive – historike që binin në kundërshtim me idetë e Partisë të cilat përcaktoheshin vetëm nga Enveri dhe turfullonte nga inati. Pastaj duke më përqafuar më thoshte se si shumë të besova, më paç në qafë dhe qeshte.Babai më tregonte për bisedat dyshe e konfidenciale që kish bërë me Sejfulla Malëshovën për Enver Hoxhën. Sejfullai thoshte se këto që po të them unë, janë mendime edhe të shokëve të mi të luftës: Tashmë natyra terroriste e Enverit njihet, por aftësitë e tij ushtarake njëkohësisht janë zero me xhufkë. Të vjen turp njëkohësisht edhe çudi kur dëgjon që e mbajnë atë palo burrë si “Strateg Ushtarak” dhe “Burrë Shteti”, ata që flasin kështu për të, ose nuk e njohin fare atë, ose duan të tregohen “besnik të udhëheqsit” për servilizëm. Ai xhingolo gjeneral që në fillimet e operacionit të dimrit, që filloi nga gjermanët, e tregoi veten që ishte plotësisht i paaftë nga pikëpamja ushtarake dhe organizative dhe mbi të gjitha ai ishte burracak dhe “i mbushte brekët” sapo krijohej ndonjë situatë e vështirë, siç qe kalimi i Shtabit të Përgjithshëm nga Çermenika për në Jug që e propozoi vetë. Kjo lëvizje jo vetëm që nuk ishte me vend, por ishte gabim i madh sepse, Shtabi me në krye Enver Hoxhën duhet të qëndronte aty ku e zuri fillimi i operacionit, ai kishte për detyrë të organizonte dhe të drejtonte zhvillimin e veprimeve luftarake. Enveri në këtë fillim ishte te qafa e Shmilit dhe prej aty shkoi në Orenjë ku ju kërkoi forcave partizane të vendosura aty, që ta nxirrnin jashtë rrethimit të operacionit. Në këtë zonë që ndodhej Shtabi, ishin Brigada e II-të, Brigata e III-të dhe disa grupe partizane që po luftonin kundër nazistëve në Zdrajsh. Kalimi i Shtabit në Jug dështoi me humbje të mëdha dhe pikërisht këtë katastrofë, (kështu mund ta quajmë më saktë), që pësoi Brigada e II-të dhe e III-të, ai ju a ngarkoi komandantëve respektivë të Brigadave. Ky ishte një turp shumë i çuditshëm, por siç e pamë në vazhdimësi, ky ishte zakoni i tij, natyra e tërë jetës së këtij pisi. Gjithmonë ai “mender komandanti” gabimet e veta ju a faturonte të tjerëve dhe kështu vazhdoi tër jetën e vet ky “mistrec gjirokastriti”. Intenerarin që përcaktoi “strategu” Enver Hoxha për Brigadën e III-të ishte krejtësisht i gabuar e rrjedhimisht kësaj Brigade iu shkaktuan humbje shumë të mëdha dhe të konsiderueshme. Kjo tregoi paaftësinë e tij që futi dy Brigadat dhe grupet e tjera në darën e rrethimit gjerman. Në këtë kohë Enver Hoxha së bashku me Spiro Moisiun dhe fashistin Omer Nishanin u fshehën fillimisht në pyjet e Martaneshit dhe më vonë në fshatin Gostenj. Aty këta “burra” apo “komandantë”, qëndruan të izoluar që nga Nëntori – 1943 e deri në Mars – 1944. Pikërisht në këtë periudhë Brigada e I-rë mori detyrën të gjente komandantin dhe komisarin e ushtrisë “strategët” Enver Hoxha dhe Spiro Moisiun, ish-agjentë sekretë të “OVRA” (Organizzazione di Vigilanca e Repressione del Antifascizmo) dhe këtë që po të them e kam mëse të sigurtë, po s’ke ç’t’iu bëshë këtyre “bajgave” kështu si erdhën punët. Këto që thashë ishin vetëm disa aspekte të shkëputura nga jeta e tyre e “luftës” për të çmuar vlerat e tyre burrërore, lëri ato ushtaraket. Këta morën në qafë gjithë Shqipërinë. Besoj se e keni dëgjuar kur ishim në prag të “çlirimit” të vendit, që bëmë Pleniumin e Beratit kundër dëshirës së Enver Hoxhës me shokët e tij, aty ne me kërkesën tonë si antarë të udhëheqjes së Partisë, kërkuam që ai të jepte llogari dhe e kritikuam rëndë për të metat që e karakterizonin atë personalisht në punën për drejtimin e Partisë, biles kërkuam edhe zëvendësimin e tij, por ai pa pikën e turpit filloi të scusohej” (shfajsohej) maksimalisht me një autokritikë të nivelit të neveritshëm që u përshkua me qyrosje e përlotje. Këto veprime të tij përpara Pleniumit e ç’personalizuan atë plotësisht, por çfarë t’iu bësh kokave tona dhe asaj kohe apo edhe natyrave tona liberale dhe pozicionit tonë delikat që ne ndodheshim. Kjo u bë shkak që të zinte vend përkrahja e hapur e palës Jugosllave për të mos e lëvizur atë nga “udhëheqja e luftës për liri”. Kjo fatkeqsisht qe e keqja dhe belaja për kokat tona dhe për gjithë Shqipërinë. Ky qe Enveri me pak fjalë si burrë shteti dhe strateg ushtarak. Në një bised tjetër të përgjithshme politike me Esatin, ai e theksonte me insistim se natyra eksentrike e Enverit, arrinte kulme ekstreme në çdo gjë, prandaj nuk mund ta përcaktoje kurrë se ç’do të vendoste nesër, për një situatë të re që paraqitej, psh me ndryshimet e reja të kurseve politiko – ideologjike etj. Ai me gjyqin e Teme Sejkos mbylli përfundimisht lidhjet me Bashkimin – Sovjetik, këtë farsë gjyqi ai e bëri pas shumë përpjekjeve për të përmisuar diçka me Bashkimin Sovjetik, por nuk arriti kurrfarë gjëje sepse siç thamë edhe më lart, shumë shpejt politika e re që po ndiqte Hrushovi do të kërkonte edhe kokën e tij dhe çfar nuk sajoi për t’i dal përpara kësaj të keqeje, por ja që Rusët nuk e hëngrën. Ai përdori mënyrat më të rafinuara që mundte, por s’bëri gjë. Pse e pakët qe loja që bëri me të ashtuquajturën Konferencë e Tiranës? Këtë e organizoi për t’ju përgjigjur presionit të vazhdueshëm Rus që kërkonte të njoftoheshin për masat e marra kundër gabimeve të rrjedhura nga kulti i individit në Shqipëri, gjithashtu Ambasada Ruse në Tiranë vazhdonte të instruktonte apo të urdhëronte seç duhej të bënin. Ai përgatiti në Komitetin e Partisë diskutimet për çdo “militant të besuar” ashtu siç do t’ju pëlqente atyre dhe pas çdo seancë këto materiale me “shumë vlerë” i dërgonte në Ambasadën Ruse, dhe për ta, ato konsideroheshin të mira “Harasho”. Ditën e tretë, Enveri vajti vetë në Konferencë dhe iu tha delegatëve se “Loja mbaroi”. Këtë rradhë nuk pushkatoi njeri si më parë, por i uli nga një gradë në detyrat e tyre dhe sigurisht pasi bënë autokritikën e zakonshme. Por ky element i Konferencës ishte aq i poshtër sa sot mburren e thonë që: “ne i ramë në kokë me kurajo, por ç’ti bësh asaj kohe, na shtypën”. Pallavra komunistësh”. Me këto manovra “alla komuniste” e shtyu edhe ca kohë derisa shpërthyen grindjet e hapura në Bukuresht ndërmjet Partive “si motra”. Dhe ja pra fati i buzëqeshi rishtazi Satrapit Enver Hoxha për tu shkëputur me “dinjitet” nga tradhëtarët e Marksizëm – Leninizmit që po restauronin “Social-Imperializmin”!
Shumë interesante qe edhe një bisedë tjetër me Esatin për çështjen e Kosovës se e “hante meraku” për të. Ai tregonte se në 1944 Kosova kishte një Ushtri të rregullt e me burra patriotë e shumë të armatosur, të organizuar mirë dhe që komandoheshin sidomos nga dy komandantë trima e shumë të zot, dhe mbi të gjitha atdhetarë të shquar si Fuat Dibra e Qazim Komani dhe të tjerë si këta. Këta të dy i kam njohur vetë personalisht dhe ishin miq të vjetër të mi. Gjithashtu mund të themi se ishin dhe rreth 40 mijë dhe shumë vullnetarë të tjerë të vendosur nëpër kufijt e Kosovës, kështu që bëheshin kur të doje një kontigjent luftëtarësh trima e të vendosur, të cilët përfaqësonin një front krejtësisht kosovar dhe që ishte shumë i vështirë për t’u çarë, ose pa frikë mund të themi Front i pathyeshëm nga çdo ushtri e asaj kohe. Por ja që tradhtia shqiptare dhe veprimet e paramenduara dhe të organizuara me mjeshtri nga agjenturat sllavo – mëdha Ruse dhe Jugosllave, që realisht e komandonin Luftën Civile të quajtur nga komunistët “Luftë Nacional-Çlirimtare” me në krye sejmenët – shërbëtorë si Enver Hoxha me shokë, e përçanë turpshëm popullin shqiptar me shqiptarët e Kosovës me një propagandë false sikur nga Atdheu amë – Shqipëri po dërgonim Brigadat tona partizane në ndihmë të vëllezërve kosovarë, për të luftuar vëllazërisht me ta, e për ta çliruar Kosovën nga pushtuesit nazi – fashist inekzistent, si edhe nga nacionalistët kolonizatorë Serb me Mihajlloviçin në krye. Në fakt Brigadat tona hyn në Kosovë si reparte ndëshkuese partizane dhe i ngulën thikën pas shpine popullsisë shqiptare në Kosovë, kështu që e thelluan më tepër luftën vëlla – vrasëse duke i futur ndërmjet dy – zjarreve, kosovarët e shkretë me të shiturit dhe të gabuarit shqiptarë të Shqipërisë. Forcat tona sllavo komuniste shfrytëzuan deziluzionin që pësuan forcat kosovare të mbrojtjes së Kosovës, për arsye se ata nuk mund të imagjinonin se si vëllai mund të luftonte vëllanë në interes të armikut tradicional e kolonizator historik Serb. Ata të “ngratë” akoma kishin dhe ruanin me fanatizëm zakonet e shquara për të mirë nga të parët dhe nuk ju a merrte mendja kurrë se këtë rradhë vëllezërit e tyre nga atdheu “amë”, kishin ardhur për ti shtypur dhe masakruar për interesat e Serbëve. Ja pra ku arriti komunizmi në emër të “Internacionalizmit Proletar”. Pavarësisht nga rrethanat që u krijuan, pati edhe episode rezistence heroike si ajo e Shaban Polluzhës etj.