Albspirit

Media/News/Publishing

CILI ISHTE TEME SEJKO? FIGURA ENIGMATIKE E ESAT DISHNICËS DHE DRITËHIJET E ÇËSHTJES KOSOVARE


(Pjesa II)


Ahmet Xhavit Delvina


Zanafilla e kësaj tradhëtie të lartë kombëtare filloi që me prishjen e Marrëveshjes së Mukjes, që u bë shkak për fillimin e luftës vëlla-vrasëse dhe kjo ishte dhe dëshira e Serbëve që mbështetej në moton “përça e sundo”. Prishja e marrveshjes së Mukjes prishi të gjitha shanset për një luftë të përbashkët mbarë kombëtare kundër armikut të vërtetë. Jo më kot u këndua një këngë popullore shumë domethënëse:
“Mora pushkën me luftue, – për Shqipri e për atdhe,
“por von e kena kuptue, – se armiku ish me ne”!
Kjo këngë iu dedikua “Luftës Nacional-Çlirimtare” të quajtur nga komunistët. Kjo lloj lidhje tradhtare shqiptaro – serbe i ndau shqiptarët në dysh:

– në komunistët e shitur tek serbët dhe që luftonin që Shqipëria të shndërrohej në Republikë të 7 – Jugosllave,

– në patriotët nacionalistë që e patën shumë të vështirë që të ambjentoheshin me këtë situatë tradhtare, por që për ta qe e pamundur që të njëhsoheshin në këtë tradhëti.

Që të bësh një pasqyrë historike dhe të nxjerrësh bëmat e Enver Hoxhës në dëm të atdheut dhe të popullit të vet të cilat janë të pafundme, duhet patjetër që një grup historianësh të ndershëm e të paanshëm të analizojnë me objektivitet të gjith dokumentacionin që gjëndet në arkivat e vendit edhe ato jashtë Shqipërisë që të nxjerrin të vërtetën lakuriq për t’i njohur njerëzit sot edhe ata të së ardhmes me turpet dhe tradhëtitë komuniste. Ai sistem dhe posaçërisht ai person e depersonalizoj popullin e vet, e zhveshi atë nga çdo gjë njerzore, e ktheu atë në një hipokrit të paskrupullt dhe entuziast për të. Nuk thot kot Makiaveli për diktatorin tek “Il Principe” për 4 – F – të e tij: “Farina & Fame & Festa & Forcha” dmth popullit jepi pak miell për bukë, sa të mbajë shpirtin, të jetë gjithnjë i uritur dhe të detyrohet të festoj gjithnjë me entuziazëm urinë që i është imponuar, por ama sfurku duhet të mbahet gjithnjë gati për t’i marrë shpirtin.
Diktatori të gjitha veset e tij ia detyron popullit të vet t’i pranojë për virtyte. Nuk thotë kot filozofi i vjetër kinez Konfuci: “Do të njohësh një popull? – Njihi prijësin e tij”!
Çdo veprim i tij ishte një poshtërsi e paimagjinueshme sepse ishte mbi të gjitha vepra e një “perversi” të njohur. Esati, daiu ynë, ishte mik i ngushtë i Enverit pasi kishin kaluar një jetë bashkë, që në fillimet e Liceut Francez të Korçës ishin bashkë dhe u afruan në miqësi të ngushtë gjatë gjithë jetës dhe mund ti klasifikoje tamam si vëllezërit Siamezë apo binjakët Siamezë. Çdo gjë e kishin së bashku, intimiteti i tyre shoqëror arriti lidhje të veçanta. Por një gjë më habiste se Esati për atë njeri herë-herë fliste me superlativa, e mbivlerësonte maksimalisht, herë – herë qeshte me çdo gjë të tijën dhe herë-herë e shante dhe e shante shumë, sidomos kur diskutohej për gabimet që pati për çështjen e Kosovës. Më thoshte se gabimin fatal e bëri kur dërgoi në Visa të Kroacisë në 27 Gusht 1944 Koçi Xoxen, Bedri Spahiun, Ramadan Çitakun respektivisht për Partinë, Ushtrinë dhe Qeverinë, të firmosnin Bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë. Unë nuk arrita asnjëherë të merrja vesh konsideratën fikse për të sepse ai sa e shante, po aq e lavdëronte. Nuk dua të shkruaj në këto shënime mendimet apo konsideratat e mia për çështje të rëndësisë së veçantë sepse nuk jam studiues apo historian, por vetëm po përshkruaj ato gjëra që më tregonte ai, vetëm se tani e prapa çdo kujtim është pa “atë”, sepse erdhi dita dhe Zoti më në fund e mori, e sigurisht për në “Ferr” atë monstër gjirokastrite, por çe do, prap nuk mbaroi e keqja, ai la pas një tjetër biçim, Boshnjakun Ramiz Alia, pothuaj po aq të keq sa ai. Pas vitit – 1991 Ramiz Alia në Pleniumin e Komitetit Qëndror të PPSH, iu drejtua komunistëve shqiptar me këto fjalë: Sistemi ynë dështoi apo falimentuam përkarshi atij kapitalist, fatkeqsisht, ky është një realitet prandaj ne duhet urgjentisht të ndërrojmë strategji. Që sot e prapa duhet të fillojmë pa ndrojtje për arsye taktike të bëjmë propagandën më ekstreme kundër komunizmit dhe diktaturës, sepse kështu duhet dhe të mos ju vij rëndë se kjo nuk është tradhëti, por është urdhër Partie dhe duhet ta zbatojmë strategjinë tonë të re sidomos në aspektin ekonomik, me qëllim që kapitalistët dhe pronarët e ardhshëm të jemi ne komunistët. Një gjë duhet ta keni të qartë se në kapitalizëm pushteti politik është funksion i ekonomisë, prandaj paranë duhet ta kemi ne. Ekonomia e planifikuar nga qendra ose e çentralizuar e kishte asfiksuar atë dhe ky qe fakt. Në kushtet e reja post – komuniste, shteti nuk është më në gjëndje të suvencionojë humbjet që rrjedhin nga mungesa e rentabilitetit. Ky realitet ishte i njohur nga i gjithë opinioni shqiptar duke përfshirë edhe organet shtetërore e deri në udhëheqjen e lartë të Partisë, por për arsye politiko – ideologjike nuk deklarohej, përkundrazi reklamohej e kundërta. Dhe vazhdonte Ramiz Alia, që kur u ndërprenë investimet kompensuese kineze që përballonin humbjen, ekonomia jonë shkoi drejt bllokimit deri në shkatërrim të plotë. Këtë fakt të hidhur e kuptoi edhe populli i thjeshtë. Zhgënjimi ishte i madh dhe tronditës për gjithkënd që i kishin besuar Partisë verbërisht çdo gjë dhe çdo fjalë të saj. Por duhet të kuptojmë se kushtet e reja të këtij falimentimi mbarë kombëtar janë krejt të ndryshme nga herët e tjera. Çfar donte të thoshte ai me këtë arsyetim? Dikur në periudhën që jetonte Enver Hoxha, për të dalë nga ngecjet që transformoheshin në kriza të padukshme apo të pashpallura, sidomos në aspektin ekonomik dhe që rrjedhonin veç marrëzisë politike dhe nga paaftësia apo gabimet në drejtimin shtetëror, shpjegoheshin apo interpretoheshin si rrjedhim i punës armiqësore të njerzve të burokratizuar, (këtë argument e thamë edhe më lart që vepronte mekanizmi “vetvrasës”). Këto motivime shoqëroheshin me arrestime të njerëzve të pushtetit, dmth nga kuadrot komuniste të të gjitha kategorive, improvizoheshin gjyqe farse, merreshin dënime deri me vdekje me arsyetimin se ata ishin të implikuar në “grupe agjenturore apo dhe grupe sabotazhi” në shërbim të të huajve etj. Por fatkeqsisht tani në “ekonomin e tregut” asgjë nga këto manovra komuniste, tashmë të vjetruara nuk shkojnë, prandaj duheshin gjetur rrugë dhe metoda të reja që mund t’i shkonin jetës kapitaliste, së paku për të mbijetuar sa të konsolidohej sistemi i ri “Neo – komunist – kapitalist”, sepse tashmë ishte e qartë se “miq” si Jugosllavia, Rusia apo Kina “nuk gjendeshin” më në botë. Në fund të fundit nga halli, objektivat që duheshin arritur me urgjencë në kushtet e reja u reduktuan në dy synime kryesore:

– Së pari të favorizoheshin të gjitha mënyrat qofshin edhe të jashtëligjshme për të mbijetuar popullsia psh me lloje aktivitetesh të papara e të padëgjuara ndonjëherë, të grabiteshin në mënyrë legale ndërmarrjet shtetërore, për të ndërtuar kioska kudo deri përpara Bashkisë, lulishteve, trotuare, shkollave, etj.

– Së dyti klasa e re e porsa krijuar me komunistët në krye, për tu bërë kapitalistët e rinj duhej që për një kohë sa më të shkurtër, të bëhej zot e ish – “pasurisë së tyre të punës në partitë e reja; (demek) socialiste apo demokrate”.
Për të zgjidhur këto dy probleme të rëndësishme ekonomike, u ngarkuan dy nga të vetët, të ashtuquajtur “supermen” të politikave të reja ekonomike specifike shqiptare. Këta ishin dy komunistët Gramoz Josif Pashko për ekonominë dhe kunati i tij, Genc Rruli për financat. Të dy – këta “super – specialistë” tashmë ishin shndërruar në “demokratë” apo të spjegohemi më qartë, këta ish – komunistë tashmë të konvertuar në të “djathtë” apo në të “majtën e rikonstruktuar”, u vunë në dispozicion të urdhrave dhe disiplinës së atëhershme të Partisë së vjetër. Këta të dy, në mënyrë krejt tendencioze dhe abuzive krijuan kushte favorizuese kandidatëve të përcaktuar nga partia për t’u bërë kapitalistë, që këta të përvetësonin ose “të blinin” të gjitha objektet dhe veprat social – ekonomike që përfaqësonin “krenarinë” e periudhës socialiste. Këto forma të turpshme të vjedhjes së pasurisë kombëtare drejtoheshin dhe mbroheshin nga “Qeveritë Pluraliste” të cilat lëviznin sipas rotacionit të zgjedhjeve farse. Ky turp kombëtar bëri të qartë për të gjithë, se në të ashtuquajturën “Demokraci” drejtonin akoma me dorë të hekurt Nexhmije Hoxha, Ramiz Alia dhe me shef kancelarie Xhelil Gjoni i cili u kishte plotësuar dhe ruante të gjitha dokumentat origjinale të bashkëpunimit, por këtë rradhë me fytyrë të dytë. Ishte shumë interesante metodologjia e organizimit dhe administrimit të “ish – shtetit komunist” të Enver Hoxhës, ai siç tham më lartë vrau, vodhi, grabiti e shtetzoi çdo gjë, por hipotekat e vjetra i ruajti të bllokuara “Top Secret” sipas çdo zone dhe mbi to ushtroi kontroll të rreptë e të vazhdueshëm. Këto të “mira” i bëri për të evidentuar si tani edhe në të ardhmen, fakte konkrete të bazuara po në ato dokumenta autentike origjinale për të demaskuar në vazhdimësi dhe në të ardhmen, sistemin e kaluar Feudal dhe Borgjezo – Kapitalist që po restaurohej në ato kohra. Këto dokumenta me specialistë të kualifikimit të lartë po i ripunonin me mënyra gangsterësh, falcifikimesh, tjetërsimesh e shumë mënyra të tjera të këtyre natyrave, të cilat u bënë motoja e këtyre sektorëve, derisa pas vitit 1990 – 1991 ata filluan t’i zhduknin dhe t’i falsifikojnë në emër të pronarëve të rinjë Neo – Komunistë që do të ishin kapitalistët e rinjë të së ardhmes. Interesante ishte edhe ekzistenca e disa lidhjeve të fshehta e të panjohura me shtetet fqinje që në pamjen e jashtme dhe zyrtare, ne me ta ishim armiq. Nuk paskan qenë të rastësishme sjelljet e privilegjuara të qeverisë komuniste me minoritetin grek në Shqipëri, ata i kishin ngritur në funksione nga më të lartat shtetërore e partiake, si në Komitet Qëndror, Qeveri, Parlament etj. Nënkryetare e Parlamentit Shqiptar ishte minoritarja pa nivel Vitori Çurri dhe jo pak e habitshme për të gjithë, ishte botimi i librit “Dy popuj miq” etj. Këto mardhënie të nëndheshme dhe shumë veprime të tjera servile ndaj tyre pas vitit 1990 me ndërrimin e kursit politik shqiptar, u krijuan shanse të mëdha kapitalistëve të rinj. “Greqia dhe Jugosllavia u bënë mbështetja jonë”. Lindën menjëherë marrëveshje shumë interesante me të vërtetë për tu patur zili. Ata na dhanë “visto” për çdo gjë, biles edhe përkrahje e ndihmë konkrete për të kryer punë të zeza, ndryshe nuk kish si shpjegohej ky favorizim i menjëhershëm dhe kjo ecje e punëve tregtare. “U lejua” kontrabanda ndërkufitare, tregtia e armëve, pastrimi i parave, tregtia e drogës, prostitucioni, trafikimi i fëmijëve dhe i klandestinëve, vjedhja dhe “eksporti” i pasurive kombëtare, si ato muzeale me vlera të rralla historike apo eksporti i pasurisë tonë pyjore pa asnjë kontroll etj. Kështu që këta “kapitalistë” të rinj në saj të shfrytëzimit të këtyre mënyrave dhe favore mafjoze, shumë shpejt arritën nivele shumë të pasura duke marrë dhe funksione të rëndësishme shtetërore. Për popullin e thjeshtë të dy këta “supermen” të politikave ekonomike, Gramozi dhe Genci u bënë autorë të “Reformës” së re ekonomike e cila u paraqit si domosdoshmëri historike dhe do të fillonte urgjentisht nga “terapia e shokut” dhe pas kësaj do të krijohej “Shoqëria e konsumit”. Ata i thonin popullit të thjesht e shumë fukara se në fillimin e demokratizimit të vendit, ky sistem i ri “specifik” shqiptar do të kishte dhimbje, por shumë shpejt do të vinte bollëku. Faktor lehtësues i kësaj situate të re dhe determinant për konkretizimin e “mrekullis”, do të ishte “Çeku i bardhë” që do të na jepte Perëndimi për gjithë problemet që do të paraqiteshin aktualisht në atë kohë. Telashet që kish kaluar ky popull në regjimin komunist ia kishin zbehur shpresat për një të ardhme ndryshe nga ajo që kaluam, por ja që këto fjalë apo terma të reja shumë të djallëzuara, por të bukura e rigënjyen rishtazi këtë popull.
Por a mund t’i besoje Gramoz Pashkos? Djalit të Josif Pashkos ish – zv. Ministër i Brendshëm, Prokuror i Përgjithshëm, Sekretar i Komitetit Qëndror, apo me nënë Eleni Terezin, e famshme për të liga kur ishte me funksione të larta partie dhe shtetërore. Jo vetëm kaq, gjyshi i Gramozit, Kryepeshkopi ultra – komunist e tradhëtar “Hirsia e tij Pais Vodica” kishte shkatërruar Auto – Qefalinë tonë duke u lidhur me kishën tradhëtare Ruse të udhëhequr nga “Hirsia e tij” Aleksej, pasi u shkëput nga ajo serbe. Këto lidhje të turpshme e degraduan besimin fetar në nivele të atilla që po të merrej vesh se kishe simpati apo besim te Zoti, të shpallnin “Heretik” dhe persekutoheshe me tërë rreptësinë e kohës sepse sipas tyre, vetëm një Zot kishte dhe ai ishte “Zeusi” jonë Enver Hoxha. Gramozi dihej nga të gjithë që kishte lindur me doza antikapati që veç në moshën mbi 10 – vjeç filloi të flasë për herë të parë duke shprehur fjalët “Parti – Enver”, e prandaj nëna Parti shpenzoi shumë për të ose më drejt për këtë “idiot të djallëzuar” e të rritur tamam siç shpreheshin ata “me gjakun e popullit”. Pikërisht ky ishte caktuar për Shqipërinë e Re Demokratike që të luante rolin që luajti Erhardi në Gjermani për ekonominë pas Luftës II Botërore. Edhe kjo ishte një manovër alla komuniste e rradhës. Struktura e bazës ekonomike kombëtare për Shqipërinë e Re, sipas tyre do të mbështetej kryesisht në të ardhurat që do të rridhnin nga politika tatimore, taksat, doganat, ndihmat e huaja, të ardhurat private që rridhnin nga emigracioni i cili do të lihej i lirë, kreditë e huaja të dhëna nga shtete të ndryshme për vendin tonë, si edhe kreditë e huaja private. Gjithashtu jetën e vendit do ta lehtësonte aplikimi i sistemit të ri të asistencës sociale për shtresat e caktuara që nuk mund të punonin, këta do të investoheshin nga shteti. Por “mrekullia e madhe” do të ishte siç e thamë edhe më lart, shpërndarja për tërë popullin në tërësi e vlerës reale në para e pasurisë kombëtare e cila konsiderohej si pasuri e përbashkët, këto vlera monetare sipas llogarive të kalkuluara me ligje, do t’i jepeshin secilit në formën e letrave me vlerë. Kështu që çdo shqiptari do t’i jepej shansi dhe mundësia të bëhej aksioner në privatizimin e kësaj pasurie. Si rrjedhim i këtij ligji çdo njeriu shqiptar do t’i krijoheshin kushtet për të filluar tashmë një jetë të re kapitaliste. Parulla që do të nxiste shteti do të ishte: “Puno & Fito & Jeto i lirë”, por në fakt çfarë u bë? Edhe kësaj rradhe siç e tham më lart, ky popull i ndrydhur për një kohë të gjatë e për të mos thënë i budallepsur, u rigënjye tamam si në kohën e porsakaluar, siç thuhej që në komunizëm që do të hanim me lugë floriri, por kur e pyetën “heroin e Luftës Nacional – Çlirimtare” Myslym Pezën, fshatarët dhe miqtë e tij të njohur dhe bashkëluftëtarët e tij se, nuk na doli ajo që na pate thonë ti o babë. Myslymi iu përgjigj si me të qeshur se, me lugë floriri do të hajshim no dhe jo ju, a e murrët vesht o gamor? Majeni nishti barkun me dorë e myllni atë gojë të qelbët, po nuk ju ka mor malli për nonji biruc të ftoht që të nordhni mrenë. Dënglat e Gramozit dhe të Gencit nuk u realizuan kurrë, por këtë rradhë u përdor një dredhi e re shumë më interesante se bëmat e njohura deri atëherë. Filloi menjëherë mbyllja e ndërmarrjeve në mënyrë masive dhe nxjerrja e puntorëve pa punë dhe me një shpërblim të përkohshëm të quajtur “80 %” që nuk mjaftonte për asgjë. Këta punonjës të ndodhur përpara një gjëndje të dëshpëruar, ju sulën këtyre ndërrmarjeve për ti zhveshur e plaçkitur në mënyrën më barbare, nga këto materiale të forta nxirrnin lëndët e nevojshme për të ngritur ku të mundnin kioska (dyqane fare të vockla), që të fillonin një farë pune tregtare për të mbijetuar. Kjo moto u përhap me shpejtësi në të gjithë Shqipërinë. Por vonë u mor vesh se kjo sjellje ndaj “pronës së përbashkët” stimulohej e organizohej me përsosmëri, në mënyrë të fshehtë nga vetë drejtuesit e shtetit të ri me qëllime të paracaktuara. E tërë makro – struktura e prodhimit kombëtar në bllok u shkatërrua, por “çuditërisht” ambjentet godinë e deri tek muret rrethuese, u ruajtën me fanatizmin më të madh në mënyrë të “mistershme” dhe me mënyra krejt mafioze nga njerëz “anonim” të cilët ishin caktuar nga lart. Ky proçes u krye për llogari të pronarëve të ardhshëm dhe çdo gjë u arrit me perfeksion dhe pa asnjë shmangje. Shumë shpejt u mor vesh se ky “proçes shkatërrimi” u organizua për të ulur çmimin e blerjes nga “kapitalistët e rinjë komunistë të planifikuar”. Në këto “objekte të shkatërruara” përfshiheshin sipërfaqe të mëdha toke që i quajtën ambjente funksionale që shërbenin për realizimin e proçesit teknologjik të prodhimit, por të gjitha këto sajesa shkatërrimi që ishin përreth objekteve, i kalonin disa herë vlerat e objektit, prandaj leverdia e blerësve ishte e pallogaritshme dhe ata menjëherë u bënë milionerë dollarësh dhe pronash të paluajtshme të konsiderueshme. Ky qe një aspekt që tregon mënyrën se si u krijuan këta kapitalist të rinj që plotësuan rekomandimet e Gorbaçovit në Katovicë dhe vendimet e Pleniumit të Komitetit Qëndror të PPSH për këto probleme. Dalja në skenë e këtyre kapitalistëve të rinj shkaktoi një situatë dhimbjeje të rëndë, ishte një turp që ju bë familjeve që kishin humbur të dashurit e tyre nëpër birucat komuniste dhe iu ishte plaçkitur çdo gjë me vlerë në emër të barazisë sociale nga prindërit e këtyre milionerëve të rinjë që sot nuk janë gjë tjetër veçse Mafiozë me traditë familjare 50-vjeçare! Këta borgjezë të rinj Neo – komunistë e treguan veten përpara opinionit popullor shqiptar se ishin vetëm vegla të vjetra të diktaturës dhe përfaqësonin atë shtresë të poshtër komuniste, kjo u duk edhe në jetën e tyre të re në pozitat e milionerëve të rinjë të kohës. Këta horra komunistë kriminelë të ulët në çdo aspekt të jetës, e treguan veten se kush ishin. E kalonin jetën e tyre më tepër nëpër baret, restorantet luksoze, “motele” me vetura luksoze, prostituta etj. Ata i kishte përfshirë një jetë boshe pa asnjë llojë rendimenti, e treguan veten “açik” se ishin përfaqësuesit e “Malavitës” shqiptare, dmth u kthyen në vendin e tyre natyral siç ju takonte në bazë të trashëgimisë familjare ndër breza.
Nga këto të vërteta që rrëfyem mund të nxjerrim konkluzionin se vendi ynë hyri rishtazi në kaos të plotë. Ekonomia informale zuri vendin kryesor në tërësinë e ekonomisë shqiptare e cila as njihet e as kontrollohet dot nga organet shtetërore të caktuara për këto çështje. Rrjedhimisht edhe fillesat e stanjacionit në sistemin bankar, teknikisht dhe praktikisht arritën në kohë të njëjtë me fillimin dhe zhvillimin e tregut informal. Pra nga kjo rrëmujë rodhi edhe një rritje e ekonomisë monetare. Por dihet botërisht se kur kjo rritje nuk e ka burimin tek prodhimi kombëtar, nënkuptohet se ai shtet nuk është në rrugë të drejtë. Burimi i rritjes së ekonomisë monetare përveç arsyeve që përshkruam më lart, rrodhi edhe nga “fenomeni” i firmave piramidale famëkeqe të krijuara posaçërisht me urdhër shtetëror nga lart. Neo – komunistët apo socialist – demokratët siç e thamë, qenë të bindur dhe të ndërgjegjshëm se edhe në kapitalizëm ata dhe vetëm ata duhet të udhëhiqnin Shqipërinë për jetë e mot, sepse kështu është shkruar nga zotrit e tyre Lenini & Stalini & Tito & Enver! Ata duhet të avanconin dhe të shpejtonin ritmin e pasurimit si në sasi të ardhurash monetare, ashtu edhe në ato të rritjes së pasurive të paluajtshme në një kohë sa të ishte e mundur më shpejtë. Ky objektiv duhej realizuar patjetër dhe me çdo kusht. Kjo ishte motoja e dëshirave të tyre si edhe e udhëheqjes së re. U bë e qartë se nuk mjaftonin të ardhurat nga përfitimet e përvetësimit të pasurisë kombëtare të të gjitha llojeve dhe manovrave që përmendëm më sipër, as përfitimet që nxirreshin nga aktiviteti i “Malavitës”, apo metodat që nxorën për të përvetësuar pasuritë e pronarëve të vjetër, luku i grabitjeve donte mënyra të reja më efektive. Kapitalizmi në Shqipëri, thoshte direktiva e Partisë, duhet të jetë i një forme specifike dhe origjinale shqiptare sepse, duhej të mbahej gjallë me çdo kusht i pari përfaqësues i komunizmit “Ekonomi e Centralizuar”, por i një forme të padukshme dhe shumë të rafinuar moderne. Detyrat dhe shpenzimet e nevojshme për këtë metodologji të re i kalonin kufijtë e mundësive shqiptare, nevojat konkrete të këtij “lloj zhvillimi” kërkonin mbishpenzime sepse plus halleve tona duheshin mbështetur edhe disa detyra “internacionaliste” psh ca “idhe” të ortodoksizmit Grek dhe shovinizmit Sllav apo Jugosllav, të cilat kushtonin shumë para. Jugosllavisë për dreq i ishte mbushur mendja top se tashmë kishte ardhur koha të krijoheshin turbullira të reja në Ballkan por me metoda të reja fine dhe bashkëkohore psh për të asgjesuar sistematikisht popullin kosovar, këtë rradhë menduan se kishte ardhur koha të bëhej një luftë e vërtetë, e cila kish mundësi të përkrahej nga shtetet europiane, dhe për këtë ishin të sigurtë, por gjithashtu ata menduan se do të gjenin edhe përkrahjen e SHBA sepse kjo luftë do të emërtohej si luftë kundër terrorizmit “nacional – islamik” që po përhapej në Kosovë për të përmbysur rendin kushtetues. Për këtë problem tejet të rëndësishme u ngarkuam edhe ne Republika e Shqipërisë duke “u riaktivizuar mekanizmi i vjetër i bashkëpunimit”, neve na u ngarkuan disa lloj detyrash si psh të parapërgatisnim kuadro komanduese të të gjitha niveleve për luftë vëlla – vrasëse. Këtë mision ata ishin të sigurt se e kryenim me sukses sepse e dinin që kishim eksperiencë që në 1944, me të vetmin ndryshim se këtë rradhë do të luftonin shqiptarët e Kosovës kundër njëri – tjetrit, e jo si atëherë ne me ata.
Në këtë rrugë kaluan që nga më të shquarit si Adem Demaçi, Rexhep Qosja, etj. Po kështu mbështetëm Millosheviçin në luftën e Bosnjës me karburante, armatime etj. duke thyer embargon që ishte vendosur kundër Jugosllavisë. Pra realizuam detyra të larta “internacionaliste” dhe për këtë u gjetën dhe mënyra për të shpërblyer “kontribuesit” e kësaj çështjeje. Shumë fonde rrodhën për t’u shpërblyer kjo “tradhti”, veç dallavereve tashmë të njohura si, tregtia e drogës, pastrimi i parave, furnizimi i makinës luftarake Jugosllave me karburante, armatime etj, u gjetën edhe mënyra më të reja dallaveresh, po t’i shtosh këtyre përfitimeve afërsisht dhe një miliard dollarë që vinin në Shqipëri nga emigracioni ekonomik shqiptar në vit, që çuditërisht me një metodë të re të “Firmave piramidale” pjesa më e madhe e kësaj shume u gllabërua nga këta, dhe çuditërisht këto para të kësaj rruge u përdorën për ti blerë popullit fukara me nënfishin e vlerës, letrat me vlerë të cilat arritën deri në kufijt e 4% dhe me këto letra privatizuan uzina, fabrika, punishte, etj. Kur u zbulua ky turp qeveritarët bën Rokadën. Ikën demokratët dhe erdhën socialistët, por asnjë nuk u përgjigj, me përjashtim të disa kokave turku të quajtur: “Presidentët e Firmave”.
Duke përmbledhur këto që shkrova më sipër, në mënyrë figurative, Komunizmi, Kapitalizmin e krahasonte me murtajën, si një sistem që mbarte shumë të këqija dhe që gjeneronte kriminalitet, korrupsion, papunësi, degjenerim moral, pasiguri, drogë, polarizim të shoqërisë në ekstrem etj. Por pas vitit 1990 u tha se ishin krijuar kushtet për të ndërtuar “Demokracinë e Re”, do të instalohej “Ekonomia e Tregut” e cila ishte funksion i ndryshimeve në kursin e politikës shqiptare dhe realisht ndryshoi diçka, njerzit filluan të shijojnë (aty – këtu) diçka nga leverdia e pronës private “e panjohur deri atëhere”, u lejua të punohej privatisht, kështu që lindën mikro – bizneset e para apo njësitë e vogla tregtare etj. Kjo formë e re jete rrjedhoi një farë rritjeje ekonomie në nivel kombëtar. Në këtë periudhë për ekonominë e re nuk munguan donacionet e të huajve apo shanse të tjera të këtyre natyrave, por siç thamë më lart pisllëqet e viteve 1992 – 1997 dhe ngatërresa të tjera, bënë që shumë nga këta donatorë apo investitorë të huaj të largohen. Por të jemi të sigurtë se këto të këqija në ato nivele që ndodhën nuk qenë të rastësishme, por ishin shumë mirë të planifikuara për të prurë atë “situatë kapitaliste” që dëshironin ata të “kupolës” që e udhëhiqnin në fakt vendin. Ky lloj kapitalizmi nuk kishte të bënte fare me kapitalizmin Perëndimor, ashtu sikundër Socializmi – Komunist me Socializmin Perëndimor. Krijimi i monopoleve, konkurenca e pandershme në biznes, korrupsioni, kontrabanda, mungesa e investimeve të huaja, nxitja e importit në kurriz të prodhimit vendas, maskarallëqet në proçesin e privatizimit etj. erdhën si rezultat i mentaliteteve dhe praktikave qeverisëse të imponuara, të cilat nuk përputheshin në asnjë rast me konceptet demokratike dhe kapitaliste. Kështu që u krijuan kushtet që të devijohej nga reformat e nisura, dhe për pasojë u deformuan të gjitha rregullat e njohura në botë që kanë të bëjnë me ekonominë e tregut. Në këto kushte të veçanta kapitalistët e rinjë shqiptarë të këtyre viteve u bënë “hyzmet” më shumë pazareve politike se sa ekonomisë së tregut. Por kapitalizmi i vërtetë nuk mund të ndërtohet për së mbari duke lançuar kapitalistë të tipit tonë, të pa lidhur me zhvillimin e natyrshëm dhe të ndershëm. Pra në qoftë se nuk respekton me fanatizëm ligjësitë dhe parimet e ekonomisë së tregut mbetesh në vend, shkon prapa dhe je i detyruar të shkatërrohesh. Kështu e pësuam edhe ne në Shqipëri dhe po shkojmë drejtë shkatërrimit. Dikush mund të mendoj se Shqipëria nuk u ndihmua pas vitit 1990 nga Perëndimi me ndonjë grant të nivelit të planit “Marshall”, ashtu si u ndihmuan Franca, Gjermania, Italia etj, por nuk është ashtu, neve u ndihmuam në të vërtetë dhe në mënyrë të mjaftueshme për një ringritje të suksesshme nga prapambetja që na la komunizmi. Franca psh mori nga plani “Marshall” diçka më pak se 4 – miljard dollarë, natyrisht me vlerën e kursit të atëhershëm, për t’i përdorur për të dalë nga gjëndja e shkatërrimeve të mëdha që i solli Lufta II Botërore. Ndërsa Shqipëria pas vitit 1990 nga fondet e huaja të donatorëve përfitoi falas apo me kredi të zbutur rreth 2 miljard dollarë, natyrisht me vlerën e kohës që ishte më e ulët se pas Luftës së II.të Botërore, por ama po të llogarisësh numrin e popullsisë tonë në raport me Francën, do të shohim se këto vlera që na u dhanë ne, nuk janë më të vogla se ato të Francës. Pra ngecja apo shkatërrimi i mëtejshëm i ekonomisë sonë kombëtare pas vitit 1990, nuk erdhi se nuk u mbështet me fonde financiare nga jasht, por arsyeja e vërtetë e kësaj të keqeje apo e këtij turpi, erdhi si rezultat i drejtimit të imponuar në të keq, për qëllimet e veta nga kupola e vjetër komuniste dhe jo se mungonte plotësisht eksperienca për një drejtim shtetëror progresiv, sepse shtetet donatorë ishin të gatshëm të na ofronin edhe ndihmë administrative të kualifikuar. Neve jo pa qëllim të keq aplikuam një legjislacion të atillë që favorizonte në maksimum kompanitë e huaja, sidomos ato greke, në përdorimin e fondeve të zhvillim – restaurimit, ku ju jepej e drejta ligjore që fitimet e realizuara këtu apo kapitalet monetare, ti riatdhesonin në vendin e origjinës nëpërmjet Bankave Greke që po përhapeshin me shpejtësi në Shqipëri. Ndërsa po të shohim eksperiencën Franceze pas Luftës II Botërore për këto probleme apo si u përdorën fondet që ju akorduan nga plani “Marshall”, neve duhet të na skuqet faqja se si vepruam. Ata menjëherë ngritën organizmin qëndror të quajtur “Fondi Kombëtar i Investimit dhe Modernizimit”. Ky organizëm i ftonte të gjithë ata biznesmenë që ju ishte rrënuar biznesi nga lufta, që kishin ide të reja për të ngritur uzina e fabrika të reja apo të rikonstruktonin në nivele bashkëkohore teknollogjitë ekzistuese të uzinave, fabrikave, punishteve, etj. Kjo kredi jepej me afat për mbi 30 – vjet, pa asnjë interes dhe me kusht që pas fillimit të prodhimit pronarët të ndanin 50 % me 50 % fitimet me shtetin. Aty shteti vendosi një sistem të ri fiskal që ofronte taksa gjithnjë e më të ulta, sa më shumë shtoheshin industrialistët, kapitalistët, po aq rritej edhe numri i të punësuarve në ndërmarjet private. Kjo strategji për rindërtimin e vendeve të shkatërruara nga lufta, e tregoi veten se ishte më efektivja si për nga numri i lartë i ndërmarjeve apo uzinave të restauruara, ashtu edhe për ngritjen e objekteve të reja me teknollogji moderne që sillnin rezultate tekniko – ekonomike nga më të përparuarat e kohës në të gjithë botën. Ndërsa në Shqipëri u bë e kundërta, në vend që të stimulohej prodhimi kombëtar, të modernizohej teknollogjia dhe të vendosej kuadri, më i aftë në krye të këtyre punëve dhe problemeve, duke hequr njëherë e përgjithmonë injorantët komunistë nga drejtimi i ekonomisë edhe i shtetit, u stimulua tregtia kryesisht me mallra të importit nga Greqia, edhe shërbimet duke u shpërdoruar në mënyrën më banale, kapitalet financiare apo kapitalin – tokë e punueshme për bujqësi, kursimet e emigracionit etj. Kreditimi i disa “tregtarëve” të sotëm apo edhe disa “industrialistëve të rinjë” që njëkohësisht kanë edhe poste të larta në politikë edhe në shtet me fonde të larta financiare, kompromentuan prodhimin vendas si edhe eksportet e mundshme, duke u bërë baza e mbështetjes së politikës tregtare greke në dëm të Shqipërisë, siç e tham më lart. Pra siç shihet vazhdon me këmbngulje kontributi negativ i komunistëve edhe sot deri në shkatërrimin e plotë të Shqipëris. Por një gjë po dalloj dhe më gëzon se ka shenja që ky popull sikur po del nga presioni i vazhdueshëm komunist dhe po arrin të dallojë të mirët nga të këqinjt. Shumë shqiptarë sot kanë filluar ti drejtojnë shpresat aty ku duhet, tek Atdheu i Demokracisë Botërore SHBA – miku historik i Shqipërisë që nga periudha e kontributit që dha Presidenti Wilson për ekzistencën e këtij vendi. Këtë gjë e kanë vënë re dhe sot që ndërmjet njerzve të thjeshtë shqiptarë ka mendime të ndryshme dhe simpati të ndryshme për jetën politike amerikane, dhe “sikur” më shumë pëlqejnë Partin Republikane për të vetmen arsye se ata në moton e tyre, ndërmjet të tjerave kanë parrullën: “Të shkatërrojmë perandorinë e së keqes ose të djallit” – (e kanë fjalën për sistemin komunist botëror). Ndërsa Demokratët thonë: “Ta reformojmë komunizmin pa e shembur atë”, dhe kjo tregon një ndërgjegjësim popullor për të mirë. Mund të themi se në perspektivë dhe një e mirë tjetër do të na përfshijë duke aderuar në Bashkimin Europian nën kujdesin e vazhdueshëm të SHBA, por ama edhe ne populli i thjeshtë duhet të shkundemi sa më shpejt e të flakim përfundimisht mbeturinat e komunizmit sado të vogla të jenë ato, prandaj duhet të udhëhiqemi gjithmonë nga një thënie popullore: “Më mirë të vdekur se sa të kuq”. Për të përfunduar këtë fazë tregimi për këtë popull fatkeq, po shkruaj pak edhe për jetën e familjes tonë të madhe e të vjetër, me një përshkrim të përmbledhur të nivelit proletar meqënëse s’jam i këtij profili. Për ç’ka shkrova më lart janë fakte që unë i jetova në bisedat me familjen, daiun tim Esatin dhe miq të mi, çdo gjë e shkruar është mëse e vërtetë dhe ndoshta pas shumë kohrash apo kushtesh që do të vijnë në të ardhmen, këto të vërteta ndoshta mund t’i quani edhe përralla. Ndërkohë dëshiroj të shtoj edhe disa konsiderata me shumë vend që i ka shprehur kushëriri ynë i afërt Astrit Delvina, i cili ishte një shkrimtar shumë i talentuar por që nuk arriti të shoh qoftë edhe një vepër të tijën të botuar sa ishte gjallë sepse, e gjithë jeta e tij kaloi nëpër burgjet dhe internimet e komunizmit të asaj kohe makabre. Ja si e vlersonte ai shqiptarin pas 500 – vitesh sundimi osman dhe 50 vjet sundim komunist. Edhe mua më duket sikur brenda meje janë shumë njerëz me karaktere të ndryshme. Gjatë 500 vjet robëri anadollake dhe qeverisje shqiptare, nuk pat popull në botë që të jetë dëmtuar më shumë se ne, në të gjitha planet njerzore. Nga robëria ekstreme shqiptari ka kërkuar lirinë ekstreme, por e dimë se në një popull, si robëria ashtu edhe liria nuk shpërndahen në mënyrë të barabartë, po kështu edhe të mirat materiale që këtej kanë rrjedhur hershëm: ç’rregullime, keqkuptime, armiqësira dhe tragjedira. Ai thoshte se:

  1. – Shqiptari nga jashtë është plot humor dhe i gëzuar, por thellë në shpirt është tragjik.
  2. – Qesh nga jashtë dhe qan nga brenda.
  3. – Duron gjëra të rënda dhe revoltohet për sende të vogla.
  4. – Për një plesht djeg jorganin dhe kur digjet nga qulli, kafshon “zjarrin”.
  5. – I urtë, i matur, i thjeshtë dhe i përkorë, e pa pritur kthehet në një kapadai që kërkon sherre, në këmbim mendimesh nuk duron që të kundërshtohet sepse i duket që kjo gjë i fyen burrërinë.
  6. – Ka pak psikollogjinë e gjelit dhe vet është gjel me tri lafsha.
  7. – I këndon dashurisë nëpër rrugë dhe në jetë vërsulet kundër saj.
  8. – I pëlqen të jetë trim, por edhe më shumë ta quajnë trim.
  9. – Kur shqiptari ka alltijen në brez i duket vetja DIVË!
    Besoj se Astriti i gjorë kishte plotësisht të drejtë në përcaktimin e shqiptarit dhe është tamam siç thotë ai për shqiptarët. Edhe babai ynë gjithmonë e përmendte sa ishte gjallë për veprimin vetëvrasës që kishte bërë me pushtetin komunist në fillimet e tij, që kishte refuzuar të parakalonte me masat e gjera të popullit përpara tribunës ku ishte Enver Hoxha me rastin e festimeve të 1 Majit 1945. E “imazhinova” që në atë moment se çfarë konseguencash dhe vuajtje do të kisha patur pas kësaj për vete dhe për familjen time. Por ai prapë thoshte po vetë, se nuk kisha çfarë të bëja, nuk mund të shkelja dot mbi dinjitetin tim apo personalitetin e juristit sepse, unë që në atë moment do të bëhesha vegël qorre e politikës. “Fatalite - Fatalite”! Kështu ishim edukuar. Sipas tyre unë nuk duhet të mbaja atë qëndrim sepse isha Anëtar i Gjykatës së Kasacionit dhe tashmë konsiderohesha njeri politik në rradhë të parë, dhe se këto gabime apo faje të rënda tashmë Partia do t’i shikonte në prizmin politik. Pavarësisht nga këto rrethana vendosa të mos thyhesha duke qenë i ndërgjegjshëm për fatalitetin që më kërcënonte në të ardhmen e shpejtë, mua dhe familjen time të gjorë. Nuk kisha asnjë rrugë kompromisi “ose me nder deri në fund ose pa nder”, por për fat të keq unë pa nder nuk mund të rroja, kështu isha gatuar për këtë jetë që ta jetoja, por ja që “kjo jetë dolli Jallane” (e gënjeshtër) e kështu vendosa që të mos thyhesha, dhe si rrjedhim mora veten dhe familjen në qafë. Nuk vonuan dhe erdhën pasojat e pritura të “sistemit absurd” që na çuan në mjerim. Përveç hallit që na zuri, thoshte babai, mendoja për një fazë të mëvonshme, kur fëmijët do të rriteshin, ata edhe mund të më kritikonin se nuk kisha të drejtë që ti fusja edhe ata në një kalvar jete të vështirë dhe vuajtjesh, kur me një lëshim në karakter, çdo gjë pas saj do të ishte në rregull. Por lavdi Zotit nuk ndodhi kështu, “gjaku është gjak” – thoshte i shkreti baba. Ata jo vetëm nuk e shprehën kurrë një gjë të tillë apo ndonjë pakënaqësi sado të vogël ndaj meje, por mbetën gjithnjë krenarë për veprimin tim. Ata menjëherë pa mbushur 14 – 15 vjeç lanë shkollën, ulën kurrizin, filluan punë nga më të rëndat për të mbajtur veten dhe familjen. “Imagjino” – thoshte ai: nga një fis i vjetër e me histori të mirë e fisnike, të rritur me guvernante me një “Deus eks makina”, të shndërrohen në proletarë të zakonshëm, Xhaviti me hekura, Sherifi në lumin Erzen, Asimeja në punishte salce dhe më e çuditshmja ishte se asnjëri prej tyre nuk demonstroi ndonjëherë lodhje apo demoralizim, dhe mua më shikonin gjithnjë me buzëqeshje dhe optimizëm. Veçanërisht më pëlqente që shpesh – herë përsëritnin fjalët e mia drejtuar Zotit të madh: “Alla Qerim”, “Alla Versën”, “Bakallëm”, etj. jetuan në mes të llumit të shoqërisë së atëhershme, por nuk morën asnjëherë ndonjë ves të keq prej saj, “Shyqyr” dhe drejtonte duart nga qielli. Pastaj e kthente me të qeshur. Megjithatë ju u bëtë më praktik, sepse ju sot jo vetëm që parakaloni përpara atij “Ibnes” (pusht) apo palo-burri, po për çudi edhe e përshëndesni atë, dhe qeshte i pikëlluar.
    Kështu të lodhur, të pa ushqyer, të poshtëruar nëpër ambjentet shtetërore i kaluam ato 50 – vjet të mallkuara nën diktaturën komuniste deri në vitin 1991. Pas këtij viti, siç e kam spjeguar u duk sikur diktatura komuniste u shua apo u zhduk në Shqipëri, madje u hoq dhe nga fjalori i përditshëm publik dhe se kjo periudhë ishte mbyllur nëpër dosjet arkivore përfundimisht, por ja që për fat të keq nuk ndodhi kështu.Lindi një diktaturë e re, kështu mund ta quajmë këtë imponim jetese të re, të një forme shumë të rafinuar dhe të drejtuar po nga ata njerëz kriminelë të mëparshëm. Për fat të keq kategoria e njerëzve të ndershëm e të kulturuar që janë edhe me kurajo, sot janë në minorancë dhe janë edhe të varfër ekonomikisht dhe nuk kanë forcë reagimi fare, sepse në shumë raste ju mungon dhe buka e gojës. Shembulli më konkret i qeverisjes së “gangove” sot në Shqipëri është ai i çobanit Fatos apo Fotiadh Nano – ish. nëndrejtor i Institutit të Studimeve të Marksizëm – Leninizmit, disa herë Kryeministër i vendit. Në qeveritë e tij “neo – komuniste” nuk është e vështirë të dallosh kopjen e qeverive të vjetra komuniste, ai me një luk të ri dhe me një buzëqeshje të shtirur e të pa retushuar nga vitet apo nga jeta e re që po kalon, na bën edhe më pesimist. Fatos Nano antarësimin në Bashkimin Europian e përdor si marketing politik, duke mos përfillur dështimet dhe sfidat e humbura njëra pas tjetrës, apo kritikat ndaj tij për krizën ekonomike e cila rrjedhon të këqija pafund. Qeverisja e tij dallohet për shkelje të Kushtetutës, korrupsion, mungesë drejtësie etj. Por shumë shpejt besoj se do të vijë dita që ky përbindësh i ri “vllah” do të japë llogari deri në një.
    “ZOTI dhe AMERIKA O ZOT VËNÇIN DORË” !