Dea Toçi: Unë dhe llumi i rrjeteve sociale
U bënë tre vite që, si avokate, herë pas here ftohem në emisione të ndryshme për t’u bërë pjesë e paneleve ku trajtohen tema juridike dhe sociale. I pranoj me kënaqësi këto ftesa, sepse media është një dashuri e vjetër e imja. Dhe jo nga ato dashuritë që nuk kurorëzohen; unë timen e kam bërë me letra. Përveç diplomës në drejtësi, kam edhe atë të gazetarisë, dhe kështu, edhe pse diplomat nuk të bëjnë automatikisht profesionist, mendoj që deri diku ia dal të përcjell mesazhe duke iu përmbajtur temës që trajtohet dhe pyetjeve që më bën drejtuesi i programit.
Para një dite isha e ftuar në një emision që e vlerësoj shumë. Folëm për zgjidhjet e martesave, dhamë shembuj realë duke ruajtur konfidencialitetin, mbrojta gratë, por arsyetova edhe për burrat. Dhe kështu, një video nga emisioni u hodh në rrjete sociale.
TMERR! Çfarë lexova në komente ishte tmerr!
Më fyenin moralin, dukjen, aftësinë si avokate—aq sa për një çast nuk po u besoja syve.
Doja t’u bëja avokaten dhe t’i mbroja nga shpirti i tyre i stërzi, kështu që nisa t’i pyes me mirësjellje ku më njihnin dhe çfarë u kisha bërë që më shanin, dhe marrja përgjigje edhe më të ndyra.
Dola para pasqyrës dhe sigurisht nuk pashë një Miss, por as nuk isha aq e shëmtuar sa të mallkohen 200 veta. Iu riktheva kujtesës dhe nuk më erdhi në mend asnjë klient i zhgënjyer nga shërbimi im si avokate. Pyeta veten: po ndershmërinë ku ma matën? Por, pas kësaj, u kujtova që unë dhe aty jam alamet goce—s’e njoh Dean për njeri pa moral.
Kishte kaq shumë llum që derdhej karshi meje, e pastaj, një për një, pashë profilet e tyre dhe gjeta arsyen e gjithçkaje.
Njëri më i lodhur se tjetri, njëra më e shtrembër se tjetra. Aty hoqa dorë nga kthimi i komenteve. Ata po mbushnin jetën e tyre me mizerje, dhe unë isha ushqimi i asaj dite. Sigurisht që nuk mund t’u lë Zotin, sepse edhe Ai e ka harruar me kohë shpirtin e tyre të vogël, por uroj që një ditë Kodi Penal të shkatërrojë këtë farë të llahtarshme injorantësh që hedhin llum pa të njohur.