Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Mbi antologjinë poetike të Vlorës të prof. Bardhosh Gaçes

(Me theks të veçantë në kontributin e Smokthinës)

Më 4 shkurt më ra në dorë libri “Liria përflaket në qiellin e Vlorës”, i përgatitur nga prof. dr. Bardhosh Gaçe, nën kujdesin e Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Fakulteti i Shkencave Humane, Departamenti i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. Libri, me një paraqitje dinjitoze nga shtëpia botuese “Maluka”, Tiranë, ka gjetur mbështetjen dhe mirësinë e deputetit Vullnet Sinaj, falë të cilit pa dritën e botimit. Në shënimin hyrës që deputeti ka lënë në libër theksohet se “nderimi dhe respekti për dëshmorët dhe martirët e kombit tonë është detyrë e brezave të rinj…”.

Lexuesi që i qaset këtij libri ndesh një botë të veçantë të heronjve dhe dëshmorëve të Atdheut, botën e sakrificës dhe të vetmohimit për çlirimin e vendit nga pushtuesit. Është një libër me këngë dhe poezi të lindura nga thellësia e shpirtit popullor, kushtuar bijve që dolën në ballë të luftës dhe të stuhisë. Në këto krijime spikat sakrifica e burrave dhe grave që u ngritën mbi paragjykimet e kohës dhe u vunë në shërbim të lirisë, duke lënë gjurmë të pashlyeshme se si luftohet për atdheun. Këngët për dëshmorët dhe heronjtë janë të shumta, por kjo antologji, e sjellë në një frymë të re dhe bashkëkohore, përcjell mesazhin se populli u këndon bijve të tij me shpirt e mirënjohje për sakrificat e bëra.

Këngët popullore të Smokthinës kanë përcjellë një trashëgimi themelore kombëtare, e cila zë vend të rëndësishëm në identitetin tonë. Këngët, poezitë dhe rapsoditë popullore, të krijuara nga rapsodë të njohur, risjellin historinë kombëtare përmes luftërave, kujtesën për të rënët dhe lidhjen e fortë me atdheun, trojet dhe njerëzit. Kjo traditë, e njohur në Labëri dhe në Smokthinë, ka ardhur deri në ditët tona përmes kulturës së këngës së kënduar, pasi pjesa më e madhe e këtyre krijimeve janë këngë që jetojnë dhe mund të këndohen ende.

Libri antologjik “Liria përflaket në qiellin e Vlorës” vjen si një mesazh i fuqishëm dhe një retrospektivë e domosdoshme në kuadrin e kujtesës historike. Këngët janë bashkudhëtare të zhvillimit shoqëror, duke bartur nga koha në kohë virtytet njerëzore dhe idealin e lirisë si çështje themelore të identitetit. Në këtë këndvështrim, edhe smokthinjotët kanë sot nevojë për një rivlerësim të identitetit të tyre mbi bazën e koncepteve universale si liria dhe përpjekja për të. Një nga elementët më të rëndësishëm të mbijetesës identitare të shqiptarëve, dhe në veçanti të smokthinjotëve, është raporti i pandërprerë me lirinë.

Libri është një kujtesë për luftën, e përcjellë përmes ligjërimit shpirtëror popullor. Smokthina ka pasur dhe vazhdon të ketë një potencial të madh krijues rapsodik, për të ndërtuar monumentin shpirtëror të luftës, sakrificës dhe lirisë.

Në arsenalin e pasur të kujtesës popullore të Smokthinës ekziston një larmi formash shprehjeje të luftës. Megjithatë, në këtë antologji poetike me 247 këngë dhe vjersha, nga Smokthina janë përfshirë vetëm 9 krijime. Ekzistojnë edhe shumë të tjera, të botuara nga smokthinjoti Dasho Matodashaj në librin “Këngë popullore të Smokthinës”. Për një pasqyrim më të gjerë të kësaj treve, ndoshta kanë ndikuar edhe vështirësitë infrastrukturore, që nuk u kanë mundësuar përgatitësve të antologjisë të mbledhin material në terren, siç kanë bërë në zona të tjera të Vlorës.

Krijimet e kapitullit “Buzët te kënga, ballin te liria” janë të burimit popullor dhe përbëjnë një regjistër të gjallë të luftës, të psikologjisë dhe të shpirtit luftarak, si dhe të dhimbjes popullore për të rënët. Ato shquhen për kujdesin tradicional në përfshirjen e detajeve të imëta, duke u shndërruar në një lloj dokumenti të pashkruar historik.

Libri është një kronikë e gjerë e krijimtarisë popullore dhe të kultivuar: këngë, poezi e vjersha të poetëve vlonjatë të luftës, rapsodëve të njohur të Labërisë dhe poetëve të periudhave të ndryshme, si vijimësi e lidhjes së pashkëputur me luftën dhe dëshmorët.

Antologjia është ndarë në disa kapituj që ruajnë njëkohësisht kronologjinë dhe rëndësinë zhanrore. Këngët popullore janë përfshirë në kapitullin “Buzët te kënga, ballin te liria”, ndërsa kapitulli “Shteg më shteg me Lirinë” dëshmon shpirtin poetik të luftëtarëve dhe vetëdijen e tyre për t’ua lënë brezave kujtesën e sakrificës.

Kapitulli “Flori mbi jastek lirie” sjell krijime të rapsodëve popullorë me motive nga lufta antifashiste, përmes zërit të Tomorr Lelos, Muhamet Derrit, Namik S. Jahajt e të tjerëve, të cilët kanë ushqyer këngën labe dhe kujtesën historike të Vlorës e Labërisë.

Në këtë kapitull përfshihen edhe këngë kushtuar bijve të Smokthinës, si “Trimëresha jonë me famë”, për Heroinën e Popullit Qeriba Derri, si dhe kënga e Tomorr Lelos “Si shkëmbinjtë nga malet zbrinë”, kushtuar çetës partizane “Zigur Lelo”.

Pjesën më të madhe të krijimtarisë për Smokthinën e zë kapitulli “Kur merr zjarr e flakë rrufeja”, ku ndërthuren përjetimi i luftës, ndërgjegjja popullore, motivi i lirisë dhe nderimi për dëshmorët. Poezitë e Lirim Dedës, Muhamet Derrit dhe autorëve të tjerë përkujtojnë figura si Qeriba Derri, Sulo Derri, Sadik Zotaj, Rakibe Dervishaj e shumë të tjerë, duke i dhënë kështu kësaj antologjie një dimension të plotë historik dhe estetik.

Në përfundim, kjo nismë e suksesshme përbën një vepër për t’u përgëzuar dhe studiuar, sepse sjell një faqe të lavdishme të historisë sonë kombëtare – epopenë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Populli shqiptar u ngriti bijve të tij përmendoren më të madhe: këngën, e cila mbetet dëshmi e pavdekshme e sakrificës dhe e lirisë.