Shpëtim Emiri: TENDER KARAKTERI NË AMBASADËN E VATIKANIT
Askush nuk e dinte se Vatikani kishte një plan investimesh – “Fier-Albania” – menjëherë pas rënies së sistemit komunist. Dhe nuk kishin si ta dinin, ndonëse investimet fetare ishin ndër të parat që u shfaqën në atë shkretim total, kur shteti në shembje e sipër mezi u siguroi një gjysmë page punonjësve përgjatë vitit të lëngimit (1991), kur i lau duart me popullin: “t’i dilte zot vetes…”.
Llafet për ndërtim objektesh kulti filluan të qarkullonin dhe ishin të besueshme, teksa arsyetohej se do të rindërtoheshin në demokraci ato që u shkatërruan në vitin 1967 me urdhër të diktatorit, gjoja me kërkesën e rinisë. Dhe pikërisht këto lloj investimesh ishin të parat të pas 90-ës. Ndërtuesit, mbetur rrugëve, pa punë e me veshët ngritur, zgjoheshin nga çdo lajm për investime, pa u qederosur hiç se çfarë objektesh mund të ishin, qofshin ato edhe të kultit e pa iu bërë përshtypje në se do të ishin kisha apo xhami. Le të falej kush të donte në to! Ndërtuesit i faleshin punës! Fati fillimisht përkëdheli projektuesit, të cilët, pasi hartuan projekte, ishin të besueshëm para investitorëve të huaj të rekomandonin për realizim firmat më serioze private të ndërtimit, mbirë si kërpudha të tulatura me lloj-lloj emrash të stisur… Kështu u pikas se “NDI-PENSER” Fier kishte staf serioz, me personel inxhiniero-teknik dhe specialistë të mirënjohur, prej punimeve të realizuara deri në vitin ’91 në investime të rëndësishme shtetërore kombëtare. (Firma e ndërtimit “NDI•PENSER – Fier” ishte ndërmarrja private e themeluar më 1991. Për vlerat e saj, seriozitet, profesionalizëm dhe korrektesë, iu besuan aq punë nga të huajt, shteti dhe privatët, sa u detyrua të rritej deri në 400 punonjës në vitin 1993).
Dhe nuk vonoi, kur jo dokushdo, por ajo që nuk ta merrte kurrë mendja, vetë Ambasada e Vatikanit në Tiranë, u kërkoi ofertë për ndërtimin e objektit “Shtëpia e Motrave – Fier”. Viti 1992. E pabesueshmja ishte e vërtetë!
– Ç’ne investim nga feja katolike?! Nuk na ka kapur veshi kurrkund të ketë ndonjë familje katolike në Fier…! – ngritën supet analistët vullnetarë të kudondodhur, të cilëve iu hap punë, sapo ua kapi veshi lajmin.
– Ore njerëz! Ju, doni punë, apo do vazhdoni avazin e vjetër me atë, të famshmen, “politika në plan të parë”?!– u përplasën shpejt opinionet në kënetën e papunësisë …
– A keni dëgjuar për pushtimet fetare? – u zgjuan nga letargjia edhe “filozofët”. – Me Krisht apo Muhamet, fetë funksionojnë thuajse njëlloj si perandoritë. Qysh se kanë lindur, ato pushtojnë zemrat dhe mendjet e popujve, të besimtarëve të vet dhe luftojnë të shtyjnë kufijtë, të zgjerojnë hapësirat e influencës, por në ndryshim nga kufijtë politikë me piramida e tela me gjemba, hyjnë lirshëm në territoret e njëra-tjetrës…
– Me ç’u kemi punuar feve në vendin tonë, plus zhbërjes së objekteve dhe shfarosjes së predikuesve të tyre, ato shyqyr që nuk na sikterisën, të na bënin lanet! – shfrynë njerëz me këmbë në tokë. – Bujrëm ore! Mirë se të na vijnë! Ca më tepër kjo që po vjen të investojë! Ku ma ke?!
Ndërkohë, inxhinierët e firmës ndërtuese, të lumturuar për këtë mirësi të ardhur nga qielli, pasi studiuan projektet, kishin rënë përmbys të hartonin një ofertë sa më serioze dhe në ditën e orën e caktuar drejtuesit e saj, bërë bashkë me projektuesit, shkuan në godinën e ambasadës, vendosur në zonën e quajtur “Vilat e Gjermanëve”, pranë qytetit “Studenti” në Tiranë.
“NISAN”- in, fuoristradën gri, blerë në tregun e vetëm të kohës, kryesisht me mjetet e para të vjedhura prej emigrantëve tanë nëpër Evropë, e lanë jashtë rrethimit dhe hynë në oborrin, ku gjelbërimi i pemëve ishte pjesë e pandarë e pyllit përreth në atë faqe kodrine që ngrihej deri tek Varrezat e Dëshmorëve. Vetë godina, ku ishte akomoduar ambasada, dukej të kishte qenë pjesë e një grupi vilash ekzistuese, ndërtuar me material druri…
Dy drejtuesit e firmës dhe projektuesit i priti dhe i mirëseardhi me një paraqitje mjaft mbresëlënëse vetë ambasadori, Monsinjor Ivan Diaz. (Ivan Diaz, Kardinal, Nunci Apostolik në Shqipëri – 28.08.1991, ishte personalitet i shquar i Kishës Katolike të Vatikanit, njohës i 13 gjuhëve. Ishte një ndër katër kandidatët e përzgjedhur për t’u votuar për kreun e Vatikanit, Papën e Romës, mbas Papa Gjon Palit II në vitin 2005). Trupmadh, me portret zeshkan e me sy ngjyrë kafe, që vetëtinin mbi fytyrën e skalitur, dalë hijshëm mbi veshjen fetare ngjyrë gri në manushaqe të çelët, mbërthyer në grykë, derdhur lirshëm deri në fund të këmbëve, sa nuk kuptohej në ishte me këpucë apo me shapka.
I drejtoi të ulen në sallonin modest të pritjes, në kolltukët shtrirë në formë “L” pranë tavolinës së ulët katërkëndore dhe u ofroi të pinin diçka, kafe…, por ndërtuesit e falënderuan dhe hapën mbi syprinën e xhamit projektet ndërtimore.
Ai, kontraktimi i frikshëm, që krijonte në Shqipërinë e para 90-ës ideja e hyrjes në një ambasadë të huaj në Tiranë, ishte shuar tashmë, qysh kur shqiptarët hynë dhunshëm, masivisht, para dy vitesh, kur ndodhi “Hapja e Ambasadave!” Por nuk ishte venitur ende misteri me të panjohurat, se ç’përfaqësonin, sidomos për keq, ambasadat e huaja në Tiranë e ca më tepër kjo e Vatikanit e mbuluar me veladon… Sidoqoftë Ambasadori i çliroi me sjelljen e tij buzagaz, tejet prindërore… e i ftoi të fillonin.
Do të diskutonin rreth projektit të miratuar prej tyre, rreth volumeve e çmimeve dhe kostos së realizimit. Ambasadori dëgjonte më vëmendje arsyetimet teknike, argumentet, informacionet për tregun e materialeve ndërtimore në situatën kur kishin dalë jashtë funksionit thuajse gjithë aktivitetet prodhuese në vend, teksa hiqeshin zvarrë në procese të panjohura privatizimi. Sqaroi ndërkohë se për instalimet hidro-sanitare dhe ato elektrike të gjitha materialet do t’i sillnin ata vetë nga Italia.
Kur debatonin ndërmjet tyre ndërtuesit me projektuesit, ai kalonte tek aneksi i hapur, si për t’i lënë të lirë të shpreheshin dhe sillej si i shkujdesur, i painteresuar për çfarë bisedohej. Pas dy orë diskutimesh, si u saktësuan dhe paqartësitë në projekt e më në fund u konsiderua i qartë e plotësisht i zbatueshëm, biseda u përqendrua tek pika e fundit, por më kryesorja, vlera e punimeve.
Dyshues për ndershmërinë dhe sinqeritetin e shqiptarëve, që varfëria e madhe mund t’i kishte bërë lakmitarë, me të njëjtin sy i vrojtonte edhe dy përfaqësuesit e firmës ndërtuese në tavolinë, pa u mallëngjyer hiç nga titujt e lartë në dy kartëvizitat – “President” dhe “Zëvendës President”. Dihej, në ato fillime ishte bërë modë, sikur vetëm dy vetë të kishte një firmë, njëri titullonte veten “President” dhe tjetrit, më gjynahqarit, i mbetej zëvendësi! (Të dy drejtuesit ishin inxhinierë. Zëvendësi natyrshëm kryente detyrën e kryeinxhinierit, titull që e trashëgoi nga koha kur punoi 21 vite në ndërmarrjen nacionale të ndërtimeve industriale, NNI-Fier, 1970-‘91). Madje pati raste kur dëgjoje dhe ‘hallexhinj’: “Hë për hë edhe president edhe zëvendës po i bëj vetë”!
Ambasadori, i përqendruar e mjaft i vëmendshëm, tregohej hapur mosbesues në saktësinë e shumës totale dhe kërkonte me ngulm t’ua ulte atë…
Inxhinierët e firmës gjithnjë e më shumë po i rëndonte mosbesimi i shfaqur ashiqare nga kreu i ambasadës për llogaritjet e tyre analitike e të argumentuara të çmimeve. Madje po habiteshin.
Interesant! Të huajt nuk e kishin hiç idenë, se prej diktaturës vendasit përgjithësisht kishin dalë si kuaj karroce, ose si peshq akuariumi, or po qelibar…! Nuk dinin të gjorët të gënjenin, as të mashtronin!
Të etur për punë, për mbijetesë, ndërtuesit bënë mjaft lëshime, por Ambasadori vazhdonte të qëndronte i ngrysur dhe dukshëm në mëdyshje. Këmbëngulja e tij i kaloi kufijtë e arsyes dhe të dy inxhinierët e firmës, që nuk po i mbante më vendi, deri atëherë mjaft të sjellshëm në komunikim e tolerantë, gjithashtu në plotësimin e kërkesave për ulje çmimi, u syndërsynë në një mendje se nuk ia vlente më biseda, brofën në këmbë, mblodhën gjithë fletët e projektit hapur mbi tavolinë, i bënë cilindër, i futën nën sqetull dhe më i vjetri, kryeinxhinieri (zv-Pres…) iu drejtua autoritetit diplomatik, pa e kursyer dëshpërimin.
– Zoti Ambasador, ne kemi ardhur tek Ju si partnerë për realizimin e një kontrate. Ne nuk mund të lejojmë që të trajtohemi si skllevër nga askush! Bëmë lëshimet maksimale, nisur nga dëshira për ta zbatuar pikërisht ne këtë kontratë, qoftë dhe me fitim zero. Ju nuk i vlerësuat ato! Ju faleminderit për ftesën, ne po largohemi! – dhe, pa pritur hiç përgjigje nga i zoti i shtëpisë, lëvizën të lodhur e të mërzitur drejt korridorit e përfunduan tek dera për të dalë jashtë.
Ambasadori, që gjatë takimit u shkëput disa herë për të komunikuar në telefon, u drejtua nga ata, duke ua prerë rrugën. “Nuk jam vetëm unë që vendos për lidhjen e kësaj kontrate! Jam në pritje të opinionit të kryeinxhinierit të Vatikanit në Romë, me të cilin kam komunikuar gjatë gjithë kësaj kohe dhe ai është duke interpretuar të dhënat. Ju mos u nxitoni para se të më vijë përgjigja prej tij”!
Ndërtuesit mbetën më këmbë. Ambasadori u kthye sërish në aneks, foli dhe një herë në telefon e doli që aty me fytyrë të ndriçuar. “Kryeinxhinieri është dakord me ofertën tuaj! Ne do të lidhim kontratën me ju”!
Inxhinierët e firmës, që nxitonin të dilnin jashtë ambasadës, të kënaqur madje me vendimin rrufe, që nuk lejuan të poshtërohen, ngelën për një moment në mëdyshje, nëse ishte më mirë të iknin, të papunë por me dinjitet, apo të ktheheshin e “të lëpiheshin” përsëri.
Sedra e lënduar i thërriste të dilnin, të shijonin protestën kundër nëpërkëmbjes, një veti krenarie kjo e kultivuar deri në indoktrinim në monizëm, madje me mendësinë e “përmbysjes së kupës”, ashtu si Shqipëria jonë e vogël u kishte “thyer hundët” superfuqive botërore njëra pas tjetrës.
… “Ja pra, dhe ne, tek ia thyem hundët një ambasadori”!… Por… Por… kujtuan familjet, fëmijët e tyre të vegjël, gjithë punonjësit e firmës që u kishin besuar jetesën, duke u ofruar krahët e tyre të punës… dhe risollën në mendje fjalët e fundit të ambasadorit: “Kryeinxhinieri i Vatikanit është dakord me ofertën tuaj! Ne do të lidhim kontratën me ju!” Pra gjithçka është mbyllur, nuk ka më debate, thjesht do firmosim! Dhe i thirrën mendjes: “Nuk ka kuptim largimi në këtë moment”!
…Aaah! Ç’ua prishi planin e përplasjes sy më sy e ç’ua hoqi atë mundësinë e rrallë të krenoheshin e të mburreshin para gjithë ndërtuesve e më gjerë…! U kthyen si të plagosur në tavolinën e “bukës së thyer” për ta ngjitur me demek sërish atë dhe lëshuan cilindrin e projekteve të rrëmbyera ca minuta më parë e u ulën rishtazi në kolltukët, ku kishin mbetur vetëm projektuesit.
Ndryshe nga çehrja e vrarë e ndërtuesve, fytyrëqeshur, madje mjaft i kënaqur, u ul edhe ambasadori. (Ivan Diaz, Ambasadori i Vatikanit në Shqipëri, u mor personalisht me përzgjedhjen e firmës, të cilës do t’i besonte investimet e planifikuara. U ndie i detyruar ta bëjë këtë në kushtet kur firmat e porsakrijuara, me zero aktivitet, nuk kishin CV dhe përzgjedhja ishte thjesht një vlerësim psikologjik i besueshmërisë së individëve, pronarëve të firmës). Habitshëm krijoi një situatë krejt tjetër, sikur kontrata tashmë të ishte firmosur e vulosur dhe bisedonte për modalitetet e formularit të saj e detaje të ndryshme. Ambasadori po i befasonte me qëndrimin e tij dashamirës, si të mos kishte ndodhur asgjë mes tyre. Nuk mungoi të thotë se pas “Shtëpisë së motrave” do ndërtonin edhe një kishë. Ky ndryshim i menjëhershëm ndikoi mbi ndërtuesit, t’i përshkonte ndjesia e fajit, teksa nxituan si “të marrë” e nuk duruan dot, sikur edhe vetëm paaaak sekonda…
… Rrugës së kthimit për në Fier, duke kujtuar qëndrimin e ambasadorit, i hynë analizës së reagimeve të çuditshme të tij.
– Ore, a fliste vërtet me ndokënd në Vatikan ambasadori, apo luante pjesën në sy tonë? – dhe ia dhanë gazit.
– Pun’e tij! Ne nuk dyshuam asnjëherë për të.
… Pas këtij takimi në Ambasadën e Vatikanit u lidh kontrata, u kryen punimet, u vu në shfrytëzim objekti dhe nuk vonoi të ndihej kontributi mjaft i dobishëm i “Motrave” në qytetin e Fierit, madje edhe në rrethinat deri në fshatra të thella nëpër Myzeqe, për më tepër pa dallim feje për komunitetin.
Bashkëpunimi i firmës ndërtuese me investimet e Vatikanit vazhdoi gjatë. Përveç objektit ”Shtëpia e Motrave”, do të ndërtoheshin njëra pas tjetrës në Fier edhe tri objekte të tjera mjaft dinjitoze: Ambulanca, dy kate, Kisha Katolike dhe një alamet shkolle profesionale; që të gjitha në marrëdhënie serioze dhe mirëkuptimi mes investitorit dhe të njëjtit sipërmarrës.
Ambasadori, Monsinjor Ivan Diaz, i ndoqi realizimet e objekteve me stafin profesionist, inxh. Pier Paolo nga Verona, kryetarin e degës teknike dhe inxhinieren shqiptare si shenjtore, Ritën, të mbikëqyrjes së punimeve, të cilët u ndien mjaft komodë, teksa disiplina teknike dhe cilësia e ekzekutimit prej stafit teknik të firmës ishin më të larta nga ç’kërkohej.
Si të mos mjaftonte gjithë ky zinxhir kontrolli teknik, ndërtimit të kryeobjektit, kishës, iu përkushtua personalisht ambasadori. Ishte i dashuruar me ndërtimin e saj. Kur u ngrit plotësisht struktura betonarme dhe muraturat, e vizitoi, shkeli që të gjitha ambientet e formësuara tashmë dhe mjaft i kënaqur i përgëzoi në shqip drejtuesit e firmës: “Ju lumshin duart”!
– Faleminderit shumë! – iu përgjigjën të entuziazmuar ndërtuesit, por si të mos mjaftonte kjo, “zëvendësi” e çuditi me një lloj urimi të njëvlershëm, por të padëgjuar më parë.
– Edhe juve, zoti ambasador, “ju lumshin gishtat!” – dhe fërkonte gishtin e madh me treguesin në sy të Atij, sikur numëronte monedha.
E pa, u befasua dhe qeshi me gjithë shpirt ambasadori. Një e qeshur që bëri të shpërthejë gazi shpotitës nga gjithë të pranishmit. I pëlqeu shumë simbolika e urimit, fërkimi i gishtave… E mirëkuptoi!… Ndërtuesit e falënderuan për korrektesën absolute në likuidimin e punimeve të kryera, ritmikisht çdo muaj.
…Një thirrje e pazakontë mbërriti tek zyrat e firmës: “Kryeinxhinieri të paraqitet në ambasadën e Vatikanit në Tiranë data …, ora … në takim personal me Ambasadorin”!
U paraqit para orarit në ambasadën që tashmë ishte e vendosur thuajse në qendër të Tiranës, në hyrjen e rrugës së Durrësit, tek godina ku kishte qenë Ambasada e Kubës. Sapo sinjalizoi tek butoni i ziles elektrike jashtë portës, e shoqëruan brenda në ambientin e madh të pritjes. Në orën fiks ambasadori u shfaq ashtu si në takimin e tyre të parë, mjaft mbresëlënës fytyrëqeshur dhe thuajse hyjnor. E takoi përzemërsisht, u interesua për familjen dhe për punonjësit e sipërmarrjes ndërtimore, pa harruar të përdorë disa shprehje shqip…
– Sot ju kam thirrur juve, sepse dua t’ju besoj një punë mjaft delikate dhe me përgjegjësi të madhe që mund ta bëjnë vetëm njerëz të besueshëm!
Kryeinxhinierit i shkuan mornica. Shprehjen “njerëz të besueshëm” e përktheu në “njerëz besimtarë”! U pre në fytyrë! “Vate ky muhabet”! – mendoi. – “Duan të më bëjnë të krishterë”! – dhe i hutuar po llogariste përgjigjen: “Jo”!, pavarësisht se në familjen e tij myslimane nuk praktikoheshin ritet fetare, përveç gjyshes në ditët e festave. Kujtoi vetëtimthi shokët e tij të shkëlqyer, të gjithë ortodoksë. Pra feja nuk i ndante, por i bashkonte. “Mirë ortodoks, hajde de”! – mendoi, teksa iu kujtua edhe rastësia fatlume se babai nuk i kishte bërë djemtë “synet” të dallonin si myslimanë. “Po ç’ne katolik, unë gjirokastriti ‘me vulë’”! – po mërmëriste i hutuar.
– A e patë tek oborri i ambasadës shenjtoren që do vendoset në kulmin e faqes ballore të kishës sonë në Fier?
– Jo! – ngriti supet, ama i çliruar njëhershëm nga sikleti i ndërrimit të fesë.
– Dalim ta shikojmë së bashku! – dhe sa dolën tek shkallët e jashtme mbrapa, i tregoi një masë të madhe, të shtrirë në oborr, të mbështjellë me fletë plastmasi. Skulptura e shenjtores. – Është “Shën Maria”! – tha me zërin tingëllues. – Është shuuumë delikate! Në Itali e kanë mbështjellë me disa shtresa tip sfungjeri. Duhet transportuar me ngadalë, me kujdesin më të madh nëpër rrugët e dëmtuara e me gropa dhe të montohet mbi kishë, pa iu gërvishtur aaasnjë fije! – dhe qëndroi ashtu, me krahun e djathtë ngritur para fytyrës së tij, me gishtin tregues të shtrirë drejt qiellit. – Prandaj ju kam thirrur juve! – iu drejtua sy më sy. – A e merrni përsipër këtë amanet timin?!
– Ju faleminderit, zoti…! – e nuk dinte si t’i drejtohej me emër apo titull. Madje edhe “Monsinjor!”- in që i flitej gjithandej, nuk e gjente veten të përshtatshëm ta përdorte… dhe pas një pauze të lehtë shtoi: “Pa tjetër! Pa diskutim”!
Ndërkohë ambasadori, i ngacmuar nga çastet hezituese, nuk krijoi besim të plotë dhe pa ia ndarë sytë ngulur mbi të shtoi përvuajtshëm në intimitet: “Shpëtim, ajo është “Nëna ime”!
Kur ndërtimi i kishës ishte afër fundit, muaji prill, ambasadori e vizitoi sërish objektin dhe u njoh me problematikën. U informua se për përfundimin e punimeve duhej dhe një shtesë financimi e domosdoshme, e miratuar plotësisht nga të vetët. Ambasadori ishte në dijeni dhe ndërtuesit prisnin
me veshët ngritur miratimin.
– Unë jam gjirokastrant! – u përgjigj buzagaz, duke ia ngulur sytë kryeinxhinierit, i cili nuk e dinte se nami për kursimtarinë e banorëve të qytetit të tij kish mbërritur në Romë, në Katedralen madhështore të Shën Pjetrit. I ngriu buzagazi, kur mendoi se ishte bërë ai shkaktar… Por u çel sakaq. Kursimtaria nuk ishte nam i keq, derisa ambasadori u vetëdeklarua krenarisht!
– Nuk e kam të mundur ta siguroj tani këtë vlerë, – vazhdoi ambasadori, – ndërkohë unë duhet ta inauguroj kishën në datën…, muaji maj, dita e shenjtores… emrin e të cilës do të mbajë kjo kishë. Në ceremoni do të marrë pjesë vetë Sekretari i Shtetit i Vatikanit. A do të na ndihmoni Ju?
Vlera e mbetur pa likuiduar ishte në nivelin e blerjes së një apartamenti. Sot nuk është ndonjë vlerë e madhe për një firmë ndërtimi, por të mos harrojmë se “NDI-PENSER” ishte në hapat e para, mjaft e dobët, skelet, dhe çdo lek të fituar e investonte për të blerë mekanizma e automjete. Pavarësisht nga kjo, Besniku, presidenti i firmës ndërtuese, i ktheu në moment, si vlonjat, përgjigjen pohuese që e la pa mend Kardinalin.
– Zoti Ambasador, ne do të përfundojmë gjithë punimet e mbetura. Kishën do ta keni gati për inaugurim para afatit dhe heqim dorë përfundimisht nga kërkesa për likuidimin e diferencës. Përveç kësaj, Ju marrim përsipër gjithë shpenzimet për festën. Ju mos u kufizoni për të ftuar! Do ju prenotojmë lokalin më të mirë të Fierit, atë lart në kodrën e lagjes “1 Maj” dhe do t’ju financojmë gjithçka, deri tek filmimet, fotot e buqetat me lule.
Fitoi ambasadori “gjirokastrant”!
Kjo ishte përshtypja sipërfaqësore që i përfshiu gëzueshëm të gjithë, por jo Ambasadorin e shquar të Vatikanit. Ai u befasua! Mbeti pa fjalë! Ndërtuesit e kësaj firme nuk ishin thjesht profesionistë të klasit të lartë, por manifestonin vlera të epërme njerëzore. Qëndrimi i tyre nuk përfaqësonte thjesht tërheqjen nga pretendimi prej shumës monetare që iu takonte, joooo! Ajo nuk ishte asgjë! Ishte e paçmuar gatishmëria entuziaste për t’iu gjendur investitorit në nevojë!
Pamja e ambasadorit, Nunci Apostolik i Vatikanit në Shqipëri, Monsinjor Ivan Diaz, u ndriçua. Ai u prek!
Nuk është ndonjë çudi e madhe të ketë qenë për Atë një rast i rrallë, por pse jo edhe i vetmi! Në atë heshtje të shndritshme ndofta ka ndërmendur paragjykimin e gabuar në ato fillimet për shqiptarët, ndofta dhe ‘përplasjen’ e parë me drejtuesit e kësaj firme dhe mund të ketë kafshuar ndofta buzët që iu drodhën… Atë shprehje të fytyrës së Tij mund ta krijonin mendime tashmë të konsoliduara: “Jo, jo! Shqiptarët të nderojnë! Janë mikpritës, janë të besës, janë mirënjohës por edhe bamirës! Shqiptarët ta bëjnë borxh”!
Inaugurimi i Kishës “Zonja e Papërlyer” u bë me një festë të bukur e mjaft të gëzueshme, mes ritesh, lutjesh, këngësh e recitimesh edhe lodrimesh nga pjesëmarrës të shumtë. Pas ceremonisë të gjithë miqtë, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, personalitete të tjerë të ardhur nga Roma, Franca, Austria, Belgjika e shtete të tjera, u pritën dhe u nderuan në drekën madhështore, ku ra në sy veçmas prania në tavolinën e miqve edhe e ndërtuesve të fesë myslimane, të ftuar nga ambasadori në mes të gjithë ambientit katolik.
Mbi ndërtuesit u derdhën shikime mirënjohëse. Sjellja e tyre ishte përfolur… Dallimet mes besimeve të ndryshme fetare nuk mjaftuan për të qenë të ndarë në atë ceremoni inaugurimi. I bashkonin cilësitë universale…
Po ç’të qe vallë ajo marrëdhënie që u vendos mes Ambasadës së Vatikanit, një institucion prestigjioz, jo vetëm fetar, por edhe shtetëror, pra Shteti i Vatikanit në Romë dhe një firme ndërtimi lokale në Fier e vetëquajtur “NDI-PENSER”?! Si nuk u shpall asnjë tender, pra asnjë garë ekonomike dhe profesionale mes firmash konkurruese, për ndërtimin e katër objekteve të mëdha, të njëpasnjëshme në Fier, pa përmendur më të voglat dhe kjo përgjatë shumë vitesh, pothuaj gjashtë-shtatë vite rresht? Dhe mjaftohej vetëm me negocim mes tyre … A mund t’i shpëtonte ekzigjencës absolute të Vatikanit?!
Kurrsesi!
Por ishte një arsye mjaft e fuqishme që qëndronte mbi konkurrencën tekniko-ekonomike mes pjesëmarrësve. Firma “NDI-PENSER” – Fier fitoi tenderin e “KARAKTERIT” përpara përfaqësuesit më të lartë të Shtetit të Vatikanit në Shqipëri dhe nuk e zhgënjeu për asnjë çast Atë deri në fund.
(Marrë nga libri i autorit “Në gjunjë para mirësisë”)