Albspirit

Media/News/Publishing

TRE DËSHMORË NGA OXHAKU “PRODA”, KRENARI PËR FUSHËBARDHËN, LABËRINË, SHQIPËRINË

(Në nderim të bijëve të Fushëbardhës në trevën e Labërisë që derdhën gjakun për Atdheun, tre dëshmorëve të vatrës patriotike labe nga oxhaku “Proda”: Halil Huto Sullo/Proda (1862-1914), rënë në moshën 52 vjeçare dhe shpallur dëshmor me vendim nr. 162 datë 30.11.1979; Xhezo Dervish Proda (20.9.1926 – 10.9.1944), rënë në moshën 18 vjeçare dhe shpallur dëshmor me vendim nr. 65  datë 2.10.1971, është njohur me vendim nr.4 datë 27.11.2002; Tajar Shemsi Proda (2.6.1924-22.3.1945) rënë në moshën 21 vjeçare dhe shpallur “Dëshmor” me vendim nr. 127 datë 30.5.1985, të KQ të Statusit “Dëshmor i Atdheut”).

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Legjenda e gjallë labe Halil Sullo/Proda, dëshmor i qafës së Skërficës/Fushëbardhë

Halil Sullo/Proda lindi në Fushëbardhë të rrethit Gjirokastër në qershor të vitit 1862.  Ai ishte në këtë periudhë edhe kryeplak i fshatit dhe që kishte marrë pjesë në të gjitha përballjet luftarake me të huajt si me turkun dhe me grekun. Në moshën 16 vjeçare kur kish parë luftën me sy në Lëkurës, kishte qenë nizamë për shtatë vjet (1880-1887) në Anadoll, ku ishte rritur e burrëruar dhe kish mësuar artin luftarak të kohës. Atje kishte mësuar përdorimin me mjeshtëri të armëve, kamës dhe thikës. Rridhte nga një familje me tradita të pasura luftarake e liridashëse. Të parët e tij kishte luftuar historikisht me pushtuesit. Aktiviteti i tij lidhet me pjesëmarrjen në Kuvendin e Cepos më 21.7.1911, Kuvendin e Shtëpëzit më 10.4.1914 si dhe me veprime mbrojtëse në Fushëbardhë, Fushëvërri, Skërficë, Hon, etj. Në Cepo më 21.7.1911, Halil Sullo/Proda ishte zgjedhur anëtar i komitetit që u ngrit në këtë kuvend të madh antiosman, me rreth 800 luftëtarë përfaqësues nga Gjirokastra, Përmeti, Tepelena, Delvina, Kurveleshi, Janina, Çamëria. Më 10.4.1914 Halil Sullo së bashku me disa luftëtarë nga Fushëbardha shkuan në Kuvendin e Shtëpëzit, ku ishin mbledhur përfaqësitë e Kurveleshit, Kardhiqit, Rrëzomës, ku ishin Çerçiz Topulli, Hasan Xhiku, Sulo Beqiri, Selam Musai, Sali Vranishti, Mersin Gjoça, Bajram Ligu, etj. Nga të huajt ishin kapiteni hollandez De Val (De Waal), lejtnanti Juljus Sonne dhe ekipi mjekësor i përbërë nga ushtarakët Tido Reddinguis, Van Vliet dhe civili De Groot. Kuvendi mori vendimin të mbrohej çdo pëllëmbë e tokës shqiptare. Halil Sullo/Proda kryeplak dhe komandant i çetës së Fushëbardhës i bëri thirrje luftëtarëve, komandoi luftën një javore të Skërficës për mbrojtur me çdo kusht me çdo sakrificë. Ai luftoi trimërisht në Gurët e Bashe, kroi i Resule, Lisat e Skëndos, Shpella e Dhespinës, Vrahull, në Qafë të Skërficës etj. Ishte komandant, organizator dhe luftëtar i kudondodhur. Pas një qëndrese heroike të përgjakshme ra dëshmor më 25.6.1914 në Qafë të Skërficës, në hyrje të Shkëmbit të Skamanos në Kamenikë. Andartët kishin një forcë luftarake prej 450 andartë e ushtarë bashkë, ndërsa çeta e Fushëbardhës me në krye Halil Sullon/Proda. Për vrasjen e komandantit të çetës tek Shkëmbi i Skamanos poeti dhe patrioti pjesëmarrës në Betejën e Skërficës, Ramiz Harxhi, ose sikurse thirrej nga luftëtarët në Skërficë “doktori” që lidhte plagët e të plagosurve në Qafë të Skërficës shkruante: “Në luftën e rreptë, q’u bë në Skërficë,/Ku, kundër një tufe, luftoi një pakicë./Gryka e Skërficës, një grykë e keqe,/Mbrohej prej ca burrash pa armë e fysheqe./Luftonin shqiptarët me qindra barbarë,/Me ushtarët grekë veshur si andartë.”/ Mitralozat ngulur, topa anembanë,/Të shkulnin nga vend nja dyzetë luanë../Trimërisht luftuan me rrëmbym sa s’thuhet,/Sa q’ajo betejë as mund të përshkruhet./ Këtu grekë u grinë, u grinë e u korrë;/Po dhe trimat tanë dhanë ca dëshmorë… Halil Sullo/Proda është shpallur “Dëshmor i Atdheut”, me vendim nr. 162 datë 30.11.1979 të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Gjirokastër. Gruaja e Halil Sullos/Prodës, Kane Sullo/Proda e qau me ligje: “O imzot a derëzi,/Kush do të bëhet si ti,/Të dalë në pleqësi,/Për sinor e për kufi./O imzot dhëmbëstërralli,/Si duron e të mban varri,/Ngreu imzot dhe një herë,/Ngjish gjerdan e merr dyfeknë..”. Emri i tij ngeli i ndritur në historinë luftarake, në lapidarin e Skërficës, në memorialin “Fushëbardha-2014”, në librat e historisë, në memorien e kombit shqiptar dhe të mbarë shqiptarizmës për historinë që shkroi me veprën e tij, për çetën luftarake që drejtoi me zotësi të spikatur luftarake.

Xhezo Proda dëshmor i BrVIS “Hero i Popullit” krenari për Shqipërinë

Xhezo Dervish Proda lindi në djepin e mençurisë dhe trimërisë, në prehërin e traditës luftarake, mes maleve labe një shekull më parë, në vjeshtën e parë, ditën e hënë më 20 shtator 1926, në oxhakun “Proda” në lagjen e Onjere në Fushëbardhë. Xhezo Proda rridhte nga një familje fushëbardhase me tradita luftarake, patriotike e atdhetare. Nga fisi dhe trungu familjar i Xhezos në vijimësi kishin luftuar me pushtuesit sa herë binte kushtrimi i luftës. Kështu babai i tij Dervish Proda dhe Zilfo Proda ishin pjesëmarrës në Luftën kombëtare të Vlorës më 1920-tën. Ato pak klasë fillore i mori në Fushëbardhë të Gjirokastrës. Çizmja e rëndë e pushtimit kishte pllakosur si në çdo fshat të Labërisë, edhe në vendlindjen e tij, Fushëbardhën. Mjedisi familjar megjithë hallet e kohës ishte një unitet brezash, unitet familjar dhe të përbashkuar me bashkëfshatarët e bashkëkrahinorët e dy krahinave të Kardhiqit dhe të Rrëzomës nëpër shekuj në luftrat për liri, pavarësi dhe çlirim nga pushtuesit osmanë, grekë, italianë, austrohungarezë e deri nazifashistët gjermanë. Në trungun familjar të oxhakut “Proda” janë të njohur në Fushëbardhë Kapo Proda me katër djemtë Ismaili, Dervishi, Fetani dhe Shemsiu. Kapua ishte martuar me Hatemen nga fisi Logli i Zhulatit. Ismaili Ishte martuar me Hazbije (Bije) Baze nga Peshtani i Tepelenës dhe kishin katër fëmijë dy djem dhe dy vajza: Aliun, Kasëmin, Sheko, Sadife, si dhe Hazbon (me gruan e parë). Dervishi (Xhako i flisnin) ka qenë martuar me Zejnebi (Bijo)/Proda (Veliu) me të cilën lindën katër djem e dy vajza: Xhezo, Afife, Babuden, Siadete, Ulsi dhe Vehipi. Fetani martuar me Aleme Muçaj/Proda nga Vergoi; lindën dy djem Sherifin dhe Kapo si dhe tri vajza: Gaze, Haxho dhe Bezene. Shemsiu ka qenë martuar me Neko Shalari dhe patën dy djem: Tajarin, Lumanin. Pasi ndërroi jetë Nekua, Shemsiu u martua me Alemen nga Zhulati dhe lindën Xhemalin e Barjamin. Në rrethin më të afërt familjar të dëshmorit Xhezo Proda ishin tre vëllezërit dhe dy motrat. Dervish Proda dhe Zejnebi (Bijo)/Proda i mëkuan bijtë e bijat me dashurinë për Atdheun, me etjen për liri. Pasi ra në fushën e nderit biri i tyre gjithë pasardhësit mbajtën lartë idealet patriotike dhe atdhetare sikurse ishin dhe mbetën atdhetarë: Afifja që u martua me Shefqet Golemin lindën Iblo, Shpëtim, Drita, Sabihe. Shefqet Golemi kishte qenë partizan që në vitin 1942. Ndërsa Babudeni me Bele Cama/Proda lindën Republika, Dervish, Telha, Zhuljeta, Afron e Kristina; Siadetja dhe Dervish Biro lindën Zurhanë dhe Eli; Ulsiu me Xhemo Hoxha/Proda nga Vergoi lindën Agimin, Fatmirin dhe Margaritën; Veipi me Theodhorën lindën Erjonin dhe Rudinën. Faktet vijnë nga kujtimet e nënës së dëshmorit Xhezo Proda, Zejnebisë: “Kur lindi Veipi në shtëpinë tonë ishte gjëmë e madhe sepse 3 muaj e gjysmë më përpara ishte vrarë Xhezua në Labinot…vetëm gjyshja Hatua kujdesej për Veipin e vogël..Xhakua e donte për mendje të kokës…i urtë, punëtor, i zgjuar, i dashur..i pjekur para kohe, i vendosur si Xhakua (i ati) …lufta mori djem, ajkën e djalërisë dhe për Fushëbardhën..”. Prodajt ishin dhe mbetën një oxhak i madh me rrënjë lisi me vlerë trashëgimie atdhetarie, që i bëjnë nder fshatit, trevës labe. Edhe komandanti i çetës së Fushëbardhës në Skërficë Halil Sullo ishte një “vatër-zjarri” të një oxhaku, pasi fisi Sullo e Proda janë oxhak i pandarë. Nga të gjithë fëmijët e Dervish Prodës, Xhezua “u martua” me lirinë dhe ngeli në përjetësi si meteor ndriçues e frymëzim për brezat, ngeli përjetësisht atje në Labinot të Elbasanit më 10 shtator 1944 bashkë me dhjetë partizanë të tjerë dëshmorë lirie, Xhezo Proda, Balil Peçi, Luto Çani, Sulo Baka, Halil Halilaj, Neki Hasani, Bajram Lalaj, Riza Çani, Tefik Selaj, Jonuz Balilaj, Merdan Kalemaj. Familja e Xhezos ishte e respektuar në fshat e krahinë, por vlerat ja shtoi më shumë gjaku i derdhur për lirinë e Shqipërisë, duke konsoliduar vijimësinë patriotike të fisit Proda. Xhezua është shpallur dëshmor me vendim nr. 65  datë 2.10.1971, si dhe statusi është njohur me vendim nr.4 datë 27.11.2002 të Komisionit Qendror të statusit “Dëshmor i Atdheut”. Vepra e tij dhe ghjithë dëshmorëve është farë e shqiptarizmës që meriton të “mbillet” si farë lirie për atdhetari, patriotizën e frymëzim brezash.

Tajar Proda dëshmori që u gjakus në Prizren, por u shua në Geghysen të Tropojës

Tajar Proda ishte lindur 102 vite më parë, më 2 qershor 1924 në Fushëbardhë të Gjirokastrës. Ai ngeli jetim në moshën 6 vjeçare dhe të afërmit e morën në Tiranë, tek tezja Tahire Shalari, që ishte martuar me ushtarakun madhor të mbretërisë shqiptare Kamber Proda. Në shtëpinë e tyre tek Pazari i ri Tajari kreu arsimimin fillor dhe më tej shkollën amerikane “Harry Fultz”.

Edhe pse shkoi në Tiranë Fushëbardha ngeli në ëndërat e tij fëminore. Pas përfundimit të shkollës kreu një kurs për radio-telegrafist dhe shërbeu për pak kohë edhe në qytetin e Kukësit. Falë njohjes së bashkëfshatarëve dhe tezes së tij Tahiresë, por edhe ndikimit të Kamber Prodës, gjeti punë dhe u angazhua në shërbimet e komunikimit dhe postave në Kukës. Fakt është se Fushëbardha e lindi, Tirana e mësoi, Kukësi e burrëroi dhe e mësoi në rrugën e vështirë të jetës, pasi në Kukësin e vjetër zuri miq e shokë, ndjehej si zot shtëpie. Shtëpia e jetimit është aty ku ka miq e shokë të mirë. Tajari u rrit në familjen e ushtarakut madhor Kamber Proda, por ai e lidhi jetën e tij të re me idealet antifashiste kudo ku shërbente. Vulletarisht u bashkua me partizanët e BrVS, brigadë që bashkë me forcat e tjera të UNÇSH, me urdhër të Komandantit suprem të LANÇ-it kapërceu kufijtë për çlirimin e trojeve shqiptare të Kosovës, për çlirimin e“Shqipërisë Londineze”. Tajar Proda shërbeu në detyrën e radiotelegrafistit, kreu detyra luftarake në zonën e Matit, Dibrës, Kukësit, Prizrenit edhe në përbërje të BrVS. Fakt është se në këtë periudhë ishte një djalë i rritur, shtathedhur, me arsyetim e gjykim plotësisht të formuar, pasi referenca për kohën ishte antifashizmi, mendimet e pjekura që synonin vetëm lirinë, edhe pse ai e dinte mirë atë që kishte shekuj që e kishte thënë filozofi i ndritur Plutarku: “Mendja nuk është një enë që duhet mbushur, por është një zjarr që duhet ndezur”. Gjatë luftimeve të përgjakshme në jugperëndim të Kosovës, ranë shumë dëshmorë dhe u plagosën mjaftë luftëtarë të tjerë. Djali jetim nga Fushëbardha plagoset rëndë në Prizren mjekohet në betejë dhe vazhdon luftën. Urdhrohet nga komanda e Brigadës që me të plagosurit e tjerë të çohej në Gjakovë dhe prej andej në rajonin e Tropojës, në spitalin partizan të Geghysenit të Bujanit të Tropojës. Atje në Alpe në Geghysen nuk mundi të shijonte ditët e lirisë, atje dha frymën e fundit me fjalët në buzë “..jam nga Fushëbardha..”, por ngeli përjetësisht “dëshmor”, dëshmor i Shqipërisë. Eshtrat e tij preheshin për 70 vite pranë ish-spitalit partizan në Geghysen – Selimaj të Tropojës, në Alpet e Shqipërisë, aty ku historia i përkund në një djep legjendat, kreshnikët dhe dëshmorët. Shoqata “Fushëbardha” e drejtuar nga Trifon Golemi më 8.9.2016, shkoi në Selimaj, Geghysen, Tropojë për marrjen e eshtrave të partizanit 20 vjeçar që luftoi për lirinë e Atdheut. Ceremoniali i përcjelljes së eshtrave u zhvillua në Tropojë dhe më tej në varrezat e dëshmorëve të Gjirokastrës ku ishte edhe amaneti i përmbushur për dëshmorin fushëbardhas Tajar Shemsi Proda. Ai prehet me dëshmorët e luftës dhe të idealit për një Shqipëri të lirë dhe të pavarur, aty ku prehen dëshmorët e brigadave partizane që gjakun e derdhën për lirinë e kombit shqiptar. Tajar Shemsi Proda është dëshmori nr.341 i BrVS, ra më 22.3.1945. Skeda e dëshmorit në Ministri të Mbrojtjes thotë: Tajar/Tetar Shemsi Proda ish-luftëtar partizan i BrVS është shpallur “Dëshmor i Atdheut”, me Vendim Nr. 127 datë 30.5.1985, të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”, (“Dëshmorët e Atdheut”, Tiranë, 2012, f.88). Janë tre dëshmorë nga një vatër, një oxhak gjithmonë i ndezur për Atdhedashurinë pasi në Fushëbardhë të Labërisë janë bashkëudhëtarë historia, atdhetaria, kombi, përjetësia. Halil Sullo/Proda, Xhezo Proda dhe Tajar Proda mbeten pjesë e trupëzuar e krenarisë labe dhe shqiptare, e përjetësisë në piedestalin e vlerave të kombit.

Burimet e studimit: Historiku i BrVIS, Tiramë, 1989, faqe 235;376, nr 114, i dëshmorëve të BrVIS të Batalionit II.; Dosja historike e BrVIS të përgatitur nga Departamenti i Historisë i AFA-së, Dokumente të ndryshe të MHK, të Muzeut të luftës në Gjirokastër, të ish-Muzeut të luftës të fshatit Fushëbardhë; të muzeut të FARSH në Bërzhitë, Tiranë; Grushtçelik Brigad’ e Gjashtë, Tiranë, 1973, f. 272.; Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm, Vëllimi II, Tiranë, 1976, faqe 130.; AIU, dugj, T. 314/664, datë 11.9.1944.; AQSH, Fondi dokumentar i Brigadës së Gjashtë Sulmuese, viti 1944, dosja nr.6. ; AQSH, Fondi i BrVIS, kutia nr.1. dosja 6 viti 1944; Hysni Kapo vepra të zgjedhura vëllimi 1, Tiranë, 1980, Herman Frank, “Bandenkampfe in Albanien”, Heidelberg, 1957, faqe 91.; Të dhëna të marra nga bashkëluftëtarë ish partizanë të BrVIS, të shkruar në gjysëm shekulli si Xhule Çiraku, Esat Golemi, Resul Bedo, Janul Dango, Jaup Dabulla, Xhemil Frashëri, Kapo Kapaj, Maliq Hashorva, Lame Çekani, Avni Gjoni, Zagoll Skëndaj, Petrit Mamaj, Arif Bizhga, Jaho Gjoliku, Refik Kucaj, Xhelal Gjeçovi, Sevo Tarifa, Islam Poçi, Iljaz Peçi; Prof.Asoc. Zaho Golemi, Dëshmorët e Fushëbardhës nder dhe krenari shqiptare, shkrime për dëshmorët e Fushëbardhës në Telegraf, Labëria, Ushtria, Mbrojtja, Revista Pavdekësia, Dielli në SHBA, portali Balkanëeb, Albspirit.; Një histori e zgjeruar e BrVIS, viti 1961; Zaho Golemi, Bernard Zotaj, Libri zyrtar në Republikën e Shqipërisë “Dëshmorët e Atdheut”, publikuar në kuadër të 100 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar, Tiranë, 2012, faqe 89; Hulsi Proda: Kujtime për vëllanë tim-Xhezon; Vehip Proda, “Ra i vrarë dhe prapë mbeti partizan në brigadë”, 2005,  fq. 96.; Zeqir Cama, Dëshmorit Xhezo Proda, Revista e MPB: “Në shërbim të popullit”, Tiranë, 1978; Seria e librave “Yje të Pashuar”, Tiranë, 1971, Vëllimi II, faqe 298; gazeta “Flaka”, organ politiko-ushtarak i BrVIS; libri “Për popullin me popullin”, Tiranë,  1968; Fero Golemi, Nga Fushëbardha në Ushtrinë Popullore, Tiranë, 2015; Periodiku i gazetës “Fushëbardha”, 2004-2014; Të dhëna nga përpjekja e parë për shkrimin e historikut të brigadës së gjashtë  u bë që në vitin 1945; Gazeta “Fushëbardha” Nr.12, viti 2009, faqe 7-10, Resul Bedo Dëshmi tronditëse; Periodiku i gazetës “Për Mëmëdhenë”, organ i Shoqatës Atdhetare për të Rënët e Kombit Shqiptar; Broshura: “BrVIS, 40 vjet 26 janar 1944-1985, përgatitur nga drejtoria kulturore (Muzeu Historik) i Përmetit”;Periodikë revistash e gazetash“Labëria” dhe “Fushëbardha” të BK Tiranë; Historiku i BrVS, Tiranë, 1989, f.428.