Arben Iliazi: Robert Martiko dhe arti i sublimuar
Robert Martiko është shkrimtar, poet, filozof, eseist dhe studiues letërsie. E gjithë jeta e tij ka qenë një dedikim i plotë ndaj filozofisë dhe së vërtetës, filozofi që përshkon edhe artin e tij letrar, në disa vepra të botuara. Për të ndihmuar njerëzit që të rigjejnë udhën drejt lartësimit shpirtëror, për të ndriçuar mendjet dhe zemrat tona me të vërtetën, ai na sjell shembuj të gjallë e frymëzues që nga antikiteti i largët.
Me përsiatjet e tij sublime R. Martiko inkurajon lexuesit të përfshihen në zbulimin e vetëvetes dhe në ndjekjen e të vërtetave universale, që tejkalojnë kufijtë kulturorë ose fetarë. E tillë është dhe poezia, e sapopublikuar, “Hypatia”.
Hypatia e Aleksandrisë ishte një nga figurat më të ndritura pagane të antikitetit, filozofe dhe astronome, një martire e dijes dhe arsyes, mbrojtëse e arsimit laik, një figurë inspiruese për shkencëtarët, filozofët e shkrimtarët e çdo kohe, e cila u vra brutalisht nga trurma pa tru.
“Dhe kur turma
e tërhoqi në baltë,
askush nuk dëgjoi
zërin e saj të fundit”.
Hypatia dha mësim në shkollën neoplatonike të Aleksandrisë. Filozofia e Hypatia-s ishte e bazuar në neoplatonizëm, një shkollë mendimi që u themelua në shekullin e tretë nga Plotini (204-270 të e.s, dhe që ndërthurte elemente të filozofisë së Platonit me misticizmin dhe spiritualitetin.
Duke evokuar në kohët tona moderne këtë figurë të antikitetit, që na flet brenda tempullit të shpirit tonë si një zbulesë hyjnore, autori ndikon në frymëzimet e larta heroike shpirtërore, te vullneti dhe dashuria, që njerëzit të shohin përtej vetëvetes. Një spiritualizëm i kulluar, që pasionet e dijes dhe arsyes të mund të rizgjohen në çdo moment dhe të mos zhduken në zbrazëtinë e pafundme të materies. Një frymëzim transhedent në mjedisin historik, ku magjistarët e së keqes janë të shumtë në epokën që jetojmë.
Kjo poezi është si një aureolë drite, që përpiqet të ndriçojë botën metafizike të shpirtit dhe të mendjes, për ta bërë njeriun të drejtë dhe të vërtetë, me aftësi unike mendore, që ai të heqë dorë nga egoja subjektive.
Sot bota përballet me sfida të fanatizmit dhe intolerancës, përfytyrim klasik i një cikli të amshuar dhune e mizorie, ku disa i bien parreshtur fyellit kundër arsyes. “Hypatia”, e rimarrë nga antikiteti, është ngadhnjim i arsyes, si një rreze drite hyjnore mbi marrëzinë e qënieve njerëzore, besim i patundur te përparimi i arsyes, te ecuria ngulmuese e qytetërimit bashkëkohor, me fuqi krijuese të shpirtit, por me pakënaqësinë e dramës së lirisë. Arsyeja është jo vetëm historike, por edhe pagane, na thotë poetikisht autori. Duke e gjykuar historinë sipas këij kallëpi, që e quan arsye, Robert Martiko predikon me artin e tij sublim shndërrimin e madh antropologjik të shoqërive moderne, duke e renditur veten haptazi, me të vërtetat dhe jo me stereotipet, në vazhdën e traditës së iluminizmit.
Poezia “Hypatia” është shkruar me shije postmoderne, përmes asocacioneve simbolike, duke përdorur mitin dhe paradoksin:
“Thanë se ishte e lirë
në një kohë
që nuk duronte dritën
nga goja e gabuar”.
Kjo poezi shënon një shkallë të lartë të zhvillimit poetik e filozofik të autorit.
Hypatia
Nuk ishte orakull,
as nënë,
as shenjtore.
Veç një grua
që solli yjet
në gjuhën e arsyes.
Thanë se ishte e lirë
në një kohë
që nuk duronte dritën
nga goja e gabuar.
Dhe kur turma
e tërhoqi në baltë,
askush nuk dëgjoi
zërin e saj të fundit.
Disa thonë
se prej asaj dite
ylli i agut kalon më heshtur
në Alexandrí –
dhe mbi çdo vend
ku drita
është rrezik.
BIOGRAFIA
Robert Martiko, lindur më 7 qershor 1948 në Gjirokastër, është një shkrimtar, eseist dhe mendimtar shqiptar. Ai është i njohur për veprat e tij me përmbajtje filozofike dhe kritike ndaj mungesës së një Rilindjeje shpirtërore në kulturën shqiptare.
Është anëtar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve, Ambasador i Paqes Universale, dhe është nderuar me titullin Princ i Fjalës Artistike nga Qendra e Artit dhe Kulturës Kombëtare “Margarita Xhepa”.
Martiko u diplomua në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Tiranës. Që prej viteve 1990 emigroi në Greqi, ku iu përkushtua letërsisë dhe filozofisë. Ka botuar një numër të madh romanesh dhe esesh me thellësi filozofike dhe sociale. Disa nga veprat e tij janë:
Përjetësi pa kohë
Bariu dhe kërraba misterioze
Qiell i rrëzuar për tokë
Flijime të skajshme
Dritëhije shpirtash të humbura
Madona e vërtetë, gjallë apo e vdekur?
I braktisuri
Një çmim për shkrimtarin e vdekjes
Dy jetët e Ikarit
Saranda në ditë përjetësie
Të hapësh kohën e mbyllur.
Madona e vëtetë, gjallë apo vdekur?