Ilir Resnja: Rreth poetikës së Arben Iliazit


(Shënime për vëllimet poetike “Kuajt qajnë” dhe “Në meshën e ullinjve”)
I njohur prej kohesh si poet, publicist, prozator dhe damaturg, (autor i 6 dramave të vëna në skenë), shkrimtari Arben Iliazi i rikthehet pasionit te kahershem, me botimin e vëllimeve poetike “Kuajt qajnë” (Botimet URA-Prishtinë, red. Lumnie Thaçi Halili) dhe “Në meshën e ullinjve” (Shtëpia Botuese Albas -red. Ymer Çirku). Titujt goditës metaforikë janë jehonë e zërave të largët të të parëve të cilët, që nga thellesitë e shpirtit të trazuar të poetit, i thërrasin kujteses historike. E kaluara, si në një palimpsest, bashkëjeton nën shtresën e të sotmes. Përshkrimet delikate lirike të bukurive mahnitëse të detit Jon, ndërthuren herë pas here me dallgëzime të forta tonesh dramatike, që të trandin së brendshmi. Në kodrat përballë detit kuaj të vetmuar, si në balada, “qajnë zotërit e humbur”. Nën kurorën e ullinjve të lashtë thesprotë “çohet meshë” për shpirtërat e të rënëve ndanë gërmadhave të amfiteatrove antike, ku luheshin tragjedite eskiliane. Diapazoni i temave dhe motiveve është shumë i gjerë. Poetika e tij përfshin gjithë larminë e ndjenjave njerezore: trishtimin, gëzimin, dashurinë, urrejtjen, zhgënjimin nga realiteti gri dhe shpresën për të ardhmen.
***
Poeti Arben Iliazi për herë të parë u shfaq para lexuesve nga mesi i viteve ’80, përmes disa botimeve në gazetat dhe rivistat letrare të kohës si “Drita”, “Nëntori”, “Zëri i Rinisë”, “Hosteni”, etj. Vëllimi i parë me poezi “Vrundull” (1984), u ndalua të botohej në momentet e fundit nga drejtoria e Shtëpisë Botuese “8 Nëntori”, me shënimin se “nuk pasqyron shqetësimet e shekullit tonë dhe nuk ka asnjë vjerëshë për patinë”. Në vitin 1996 boton “Urtësitë e detit”, (Eurorilindja-redaktor Dritëro Agolli), ku autori eksperimenton me formën, me një gjuhë poetike dhe figuracion më të pasur, ndonëse në periferi të vëmendjes së kritikës së kohës. Poeti Arben Iliazi u end për një kohë mes Shillës dhe Haridbës, mes poezisë së traditës dhe asaj moderniste, derisa më në fund arriti në një ishull të vetmuar, në tokën e askujt.
Më tepër se temat dhe motivet, ajo çka e bën të dallueshme poetiken e Arben Iliazit është dramaciteti i brendshëm. Dramaciteti është shpirti që i jep jetë lëndës poetike. Poeti ka një optikë individuale për të eksploruar në thellësi të vetvetes, për të medituar për gjithçka, si në tematikën e përditëshme, ashtu edhe ato metafizike, që janë rezultat i të menduarit me emocionet e thella. Poetika e tij është liriko-dramatike dhe me bazë të thellë reflektive. Prirja drejt abstragimit, lodrimi i imagjinatës, kalimi nga situata jetësore, konkrete, në një gjendje thuajse onirike (të ëndërrës), i japin me tepër forcë shprehëse e përgjithësuese poezive. Poeti nuk synon të çudisë me “marifete stili”. Mendimet, ndjenjat, idetë shprehen përmes fjalësh e vargjesh të thjeshta, që të ngrohin e pushtojnë ngadalë, si një verë e fisme, e vjetër… Ndonëse përdor një arsenal të gjerë figurash letrare, fronin kryesor e zë metafora, “mbreteresha e tropeve”. Ajo buron natyrshëm, lidhet me një objekt apo një gjendje te caktuar shpirterore të heroit lirik. Poeti di të ruajë sensin e masës, pa e humbur shtegun në “pyllin e metaforave”, duke na lejuar të shijojmë bukurinë e virgjër të pishave e bredhave. Poeti Arben Iliazi, me dy vëllimet e fundit “Kuajt qajnë” dhe “Në meshën e ullinjve”, sjell intonacione te reja, mbresa e imazhe të freskëta, përmes mendimit konciz, sinqeritetit të ndjenjave e gjallërisë së stilit të një lirike inovative, moderne. Në vlerësimin tim ai është një zë i veçantë, original, në poezinë tonë në përgjithësi. Në krijimet e tij më të mira, poezitë e Arben Iliazit fillojnë athere kur mbaron vargu i fundit, duke lënë diçka pa thënë, një lloj misteri, që nxit seicilin për ta zbuluar sipas imagjinatës së tij. Dhe nuk ka lumturi më të madhe për një poet, se sa kur ëndërrat e tij vazhdojne t’i shikojnë e përjetojnë gjate edhe lexuesit.