Albspirit

Media/News/Publishing

Sonila Strakosha: “Eleganca e lotëve”, një himn i fisnikërisë dhe bukurisë shpirtërore

Sapo mbarova së lexuari “Eleganca e lotëve” nga Iris Halili. Duke njohur aftësinë intelektuale dhe krijuese të autores, kisha sigurisht bindjen se do të lexoja një vepër të mirë. Duhet të them se kur mbylla përfundimisht librin (dhe për këtë në njëfarë mënyre më erdhi keq) pritshmëritë e mia jo vetëm nuk u gënjyen por brenda faqeve gjeta më shumë nga ç’mendoja. Deri atëherë nuk e dija që Irisi, ish-pedagogia ime në fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë kishte pasur një fëmijëri e adoleshencë aq të ndërlikuar.
Ky libër është kalvari i një familjeje të persektuar në kohën e regjimit komunist, vuajtjet e shpirtrave të cilët u detyruan të përballen me një epoke deri diku tragjikomike të historisë, të hidhur, të frikshme. Kësaj familjeje i ra mbi supe pesha e rëndë e së ashtuquajturës “njollë në biografi” apo thënë më shkoqur “armik i popullit”.
Në qendër të rrëfimit qëndron e palëkundur figura me flokë të zbardhur e gjyshe Ganimetit, fisnikëria e një gruaje e cila u detyrua të rrisë e vetme fëmijët, forca për të luftuar dhimbjen e nënës kur sheh t’i burgosin të birin e pamundur të ndryshojë fatin e saj. Është një histori e dhimbshme por dhe e fuqishme në mesazhet të cilat përcjell.
Sapo mbarova librin, për arsye të caktuara, m’u qartësua dhe kthjellua më tepër në mendje edhe figura e rrëfimtares.
Vepra nuk është thjesht një autobiografi, është më shumë; ështe historia e një kombi, në veçanti e një pjese të tij të cilën fati e çoi të njihte copën më të keqe të një diktature. Ky libër mbetet një dëshmi e gjallë e vuajtjeve, zhgënjimeve, psherëtimave, por dhe e entuziazmit, ngazëllimeve, ëndrrave të një mbese, shfaqur ndërsa rrëfen historinë e gjyshes së saj duke shpalosur në të njëjtën kohë edhe karakterin e kësaj gjysheje me po të njëjtat ndjesi të trishta por dhe te mrekullueshme.
Autorja rrëfen ndër rreshta me një sinqeritet dhe çiltërsi të cilët të bëjnë për vete dhe të befasojnë. Ndërsa lexon një stil të pastër, të thjeshtë, pa ndërlikime, një tregim të drejtpërdrejtë, ti kupton dëshirën dhe nevojën e një shpirti për t’u shprehur. Libri sigurisht ka në qendër figurën e gjyshes, por gërshetuar aty ndihet zëri i një mbese, i fëmijës që shumë shpejt u përball me disa të vërteta jetësore të dhimbshme, u detyrua të kuptojë dhe u vu në kontakt që herët me hipokrizinë, ligësinë dhe perversitetin e ndërgjegjes njerëzore e po në të njëjtën kohë lexon dhe zërin e asaj vajze që tashmë është bërë grua, ka arritur pjekurinë intelektuale dhe me kujdes kërkon të shpjegojë e të reflektojë mbi atë periudhë, mundohet të analizojë një kohë e cila pabesisht krijoi dhe përbindëshat e saj.
Pra, ndërsa shfleton njëra pas tjetrës faqet, lexuesi ndeshet dhe reflekton gjithashtu mbi ngjarje të caktuara parë nga shumë kendvështrime; dashur pa dashur bëhet një me shpirtin e përvuajtur dhe dinjitoz të gjyshes, ndien nën lëkurën e tij dhimbjen dhe pafajshmërinë e një fëmije që ende nuk arrin të gjykojë tërësisht barrën e vështirë që u ka rënë për hise e aty ndërthurur bukur e me mjeshtëri artistike por dhe intelektuale jepet dhe analiza e gruas tashmë e aftë për ta thënë atë qartë dhe saktë. Shumë interesant është shpjegimi i autores mbi çështjen e besimit në Zot, parë si konceptim i vetes si një qenie e varur apo e pavarur. Mjaft e mprehtë edhe analiza e saj mbi ndjenjën e hakmarrjes, zilisë apo xhelozisë së shpirtit njerëzor.
Por tani dua të ndalem përsëri te figura e gjyshes, sepse në qoftë se në një anë, libri është një dëshmi historike dhe reflektim, nga ana tjetër është dhe një rrëfim letrar i dashur, i rrjedhshëm, i qartë, i arrirë artistikisht, për gjyshen, e përshkruar gjithmonë me elegancë edhe në dhimbjen e merakun më të thellë, atë për fëmijën e saj. Të bën përshtypje se në këtë vepër zëri i Iris Halilit karakterizohet deri në fund nga besueshmëria e rrëfimit dhe dinjiteti njerëzor. Ndërkohë lexuesi arrin të perceptojë se këto janë cilësi të vetë asaj, është fryma me të cilën ajo është rritur, me të cilën familjarët dhe gjyshja e mbrujtën, pavarësisht gjithçkaje.
Zëri në këtë rrëfim nuk kërkon hakmarrje apo ndëshkim në asnjë çast, as kur shoku që shpif dhe tradhton shokun mban veshur xhaketën e tij, as atëherë kur mjaftoi një fjali për të degdisur në burg e për t’i prishur të ardhmen një djali të ri, as atëherë madje kur rrëfimi për gruan e braktisur në një spital rrëqeth e lëndon deri në palcë.
Rrëfimtarja kërkon të zbulojë një të vërtetë, ta tregojë e ta dëshmojë atë, pa ndjenjën e hakmarrjes, thjesht një paraqitje familjare, një portretizim shumëdimensional gjysheje, por dhe dëshmi historike, që brezat të mësojnë e të mos harrojnë absurdin e një kohe të errët. E në gjithë këtë, epiqendra e çdo ndjesie mbetet gjyshja figura e së cilës shfaqet me gjithë forcën dhe brishtësinë, me gjithë elegancën e shpirtit edhe kur ai vërshon lot; sigurisht rrethuar me të gjitha tiparet, edhe ato më njerëzoret, kur me fqinjat e saj flet e diskuton sjelljen e një tjetër fqinje, të gabuar nga pikëvështrimi i tyre.
Dua të theksoj edhe diçka: kur rrëfimtarja përshkruan udhëtimet e përvuajtura burgjeve për të takuar dajën në shoqërinë e nënës dhe gjyshes së saj, në tërë pezmatimin dhe trishtimin të cilët një fëmijë nuk duhet t’i provojë, shfaqet dhe një shpresë pothuajse e fshehur. Ajo duket në përjetimet e vogëlushes kur shijon madhështinë e natyrës, kur ndien aromën e një karajfili dhuruar në burg, kur provon ngrohtësinë e gjesteve të atyre që pavarësisht gjithçkaje nuk e humbën e nuk e mposhtën njerëzoren brenda vetes. Dhe ajo shpresë e fshehur mbase në pështjellime entuziazmi krijuar nga pavetëdija e vogëlushes, do të qëndrojë aty, në pritje.
Siç e kam theksuar edhe në hyrje, kur përfundova librin m’u kthjellua edhe më fort figura e Irisit, pedagoges sime të viteve të shkuara e cila na dhuroi në ato kohë pasionin për punën, gjallërinë, energjinë dhe dashurinë në çdo gjest të sajin. Sot e kuptoj se ai pasion ishte aq i madh edhe sepse qe vulosur nga një fjalë e mrekullueshme, jo gjithmonë e mirëqënë, sidomos nën diktaturë, fjala liri; liri për të pasur të drejtën e studimit, për të përcjellë dijen e saj, liri për t’u shprehur lirshëm, pa frikë, pa drojë. Për fëmijën dhe adoleshenten e privuar nga liria e fjalës, e ndjenjave, e besimit, kishte ardhur koha që të shfaqte talentin, forcën krijuese dhe intelektuale dhe ajo e bëri atë me gjithë pasionin e dëshirën e mundshme; dhe ne studentët e ndjemë më së miri atë energji të transmetuar aq fuqishëm!
Libri “Eleganca e lotëve” është shkruar thjesht, qartë, sa fort aq dhe butë, sa revoltues aq dhe i ëmbël në ndjenja, me dinjitet, bukuri dhe hijeshi letrare e mbi te gjitha i fuqishëm në dëshminë dhe vërtetësinë e tij, faktorë shumë të rëndësishëm këta për t’u përhapur e rrëfyer ndër breza. Nuk më mbetet së fundmi veçse të falënderoj Irisin për momentet domethënëse që më bëri të përjetoj me këtë vepër të cilën e lë si një kujtim të dhimbshëm e të bukur familjar e mbi të gjitha si një dëshmi të fortë historike.