Zana Tako: Vesi i tradhëtisë…
Në jetë njeriu ka dy qëllime: të jetë i ndershëm ose i manipulueshëm. Në ndershmëri nuk ka zgjedhje, por në manipulim duhet të zgjedhësh. Them në dashuri nuk ka zgjedhje, sepse dashuria është dritë, e të ndershmit i pëlqen drita ndaj nuk bën kompromis. Ndërsa manipulatorit i duhet të punojë me shpirtin për të ndryshuar qëllimin, por ky ndryshim ve në lojë ndjenjën, arsyetimin, të cilat pengohen sa herë ndeshin me të vërtetën.
E vërteta nuk manipulohet, ndaj manipulatorit i duhet të zgjedhë, ta tradhtojë atë duke u fshehur mbas qëllimit manipulativ, i cili e shpie në rrugë të cilat duhet t’i përshkojë jo nga dashuria, por i udhëhequr nga vesi i tradhtisë, i cili e çon në vende ku i vështirësohet shikimi, ku i vështirësohet arsyetimi, dhe sa më shumë që futet në këto rrugica ku vesi e tërheq vazhdimisht duke përdorur lakminë, manipulatori ndeshet gjithmonë me vështirësinë. Kjo vështirësi do ta ndjekë deri në fund të jetës së tij, sepse ka zëvendësuar dritën, ka zëvendësuar dashurinë, ka zëvendësuar të vërtetën me manipulimin, që do të thotë: zgjedhje në vullnet të lirë dhe shkëputje në vullnet të lirë ndaj dhuratës më të bukur dashuri, e cila është shpëtim për çdo njeri.