Ahmet Xhavit Delvina: RRËNJËT E FAMILJES DELVINA
Nuk kam ndërmend të zgjatem në biografinë e familjes sonë, por dua të përshkruaj vetëm disa aspekte të jetës së babait Neki Delvina, i cili u sakrifikua si shumë shokë të tij për të quajturin “Atdheu Mëmë” dhe që i hëngri kokën padrejtësisht. U lind dhe u rrit në Stamboll në lagjen “Gallata Saraj” e si rrjedhim edhe familjarisht gëzonin nënshtetësi Turke që në kohët e hershme. U laurua Doktor në Drejtësi në Fakultetin Juridik të Stambollit. Në vitin 1913 – 1914 pasi kreu studimet pas – universitare sipas të gjitha rregullave administrative të qeverisë Turke, e emëruan gjyqtar në qytetin turk Kars, por ai aty nuk filloi asnjëherë punë pasi iu përgjigj thirrjes që i bëri daiu i tij Fejzi Bej Alizoti, i cili edhe e kishte rritur, sepse i ati i tij Sherif Beu e kishte lënë të vogël pasi kish ndërruar jetë. Thirrja ishte për të ardhur në Shqipëri, sepse nevojat për të apo profesionin e tij ishin të mëdha, sapo ishte krijuar shteti i ri shqiptar dhe Fejzi Beu mbante postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Shtetit.
Për ardhjen e tij në Shqipëri, insistuan edhe djali i hallës tij Faik Konica bashkë me djemtë e xhaxhallarëve Sulejman & Namik Delvina, me motivimin se në këtë shtet të ri duhet që edhe ai të kontribonte për hedhjen e themeleve të drejtësisë shqiptare. Ky qëndrim apo detyrim që babai ynë kishte për atdheun e tij të vërtetë, nuk duhet që ai ta diskutonte sepse “përziente kockat e të parëve të familjes” të cilët kishin kontribuar për këtë vend që po ringrihej. Ai u bind plotësisht dhe menjëherë u nis për Shqipëri për të jetuar përgjithmonë. Ai vinte për herë të parë në Shqipëri dhe siç na thoshte vetë e pati të vështirë sa të ambjentohej por s’kish ç’të bënte, dashuria për atdhe e kërkonte këtë sakrificë dhe gjithashtu përmbushte pozitivisht traditën e lashtë të një familje patriotike siç konsiderohej e jona.
Në vitin 1914 fillon detyrën e gjyqtarit pajtues në Skrapar dhe pastaj vijon si prokuror dhe kryetar në rrethe të ndryshme të vendit si Lezhë, Elbasan, Berat, Vlorë, Delvinë e Tiranë, dhe pas 12 vitesh punë në këto detyra emërohet Antar i Gjykatës së Kasacionit në Degën Penale dhe Civile në Tiranë deri në vitin 1944, vit që u bë i ashtuquajturi “Çlirim” i vendit dhe që u instalua përfundimisht komunizmi në Shqipëri për më shumë se gjysëm shekulli. Qeveria komuniste e asaj kohe riemëroi përsëri të njëjtin trup gjykues por me emërtesë të re “Gjykata e Lartë”. Riorganizimi i pushtetit gjyqësor nuk bëri asnjë ndryshim në drejtim të personave sepse dihej botërisht në të gjithë vendin se ata ishin njerëz jo-politikë dhe të pa-kompromentueshëm, gjithashtu konsideroheshin si pionerët e parë apo themeluesit e Drejtësisë Shqiptare, për të mos folur pastaj për aftësitë e larta profesionale të tyre. Mirëpo këto konsiderata apo vlersime, në pushtetin e ri popullor gradualisht apo shumë shpejt ndryshuan, sepse nuk ju interesonte më indiferenca e tyre politike. Ata me kërkesat e reja të cilat ishin konsakruar edhe me ligj me ngjyrime politike komuniste, kërkonin që të gjithë kuadrot e larta pa përjashtim në strukturat shtetërore, të ishin në radhë të parë njerëz politik dhe ushtarë të bindur të Partisë. Këto rekomandime duhet të zbatoheshin verbërisht sepse tashmë Partia qëndronte mbi ligjet. Por kushtet e reja për një pjesë dërrmuese të Kolegjit të Gjykatës së Lartë ishin të papërtypshme sepse ata nuk mund të thyheshin në karakter pas kaq vitesh punë të ndershme që kishin bërë me përkushtim, nuk kishin si t’i pranonin këto kushte të reja apo të hynin e të luanin role të pandershme që binin në kundërshtim flagrant me etikën e gjyqtarit apo rregullat e drejtësisë botërore. Ata e kishin marrë parasysh se kush do të ishin konseguencat për këto “koëkfortësira”, por nuk do të bëheshin kurrë vegla qorre të Partisë- Shtet.
Incidentet e para për babain tonë filluan menjëherë sapo ai vizitoi me të atin e xhaxhain, shokun dhe mikun e tij të ngushtë në burg Dr. Sami Visokën, i cili asokohe akuzohej për faje politike sepse kishte botuar një libër me titull “Nëna Kosovë”, libër i cili nuk përkonte pozitivisht me politikën aktuale Shqipëri – Jugosllavi. Ai që predikonte patriotizëm, konsiderohej tradhëtar për më tepër që ne ishim funksion i politikës Jugosllave dhe Kosovën e kishim shitur së fundmi zyrtarisht në 27 Gusht 1944 në Visa të Kroacisë, siç e kam përshkruar më lart. Këtë situatë e rëndoi shumë dhe të qënurit e doktorit në kushte paraburgimi dmth në kushte hetuesie, por që nuk u ndalua dot nga punonjësit e burgut kur babai ynë paraqiti dokumentin si Antar i Gjykatës së Lartë.
Kjo vizitë u konsiderua si gabim i rëndë politik dhe kundërvënie ndaj situatë e rëndoi shumë dhe të qënurit e doktorit në kushte paraburgimi dmth në kushte hetuesie, por që nuk u ndalua dot nga punonjësit e burgut kur babai ynë paraqiti dokumentin si Antar i Gjykatës së Lartë.
Kjo vizitë u konsiderua si gabim i rëndë politik dhe kundërvënie ndaj rregullave të politikës së re komuniste.
Gabimi i dytë, për babain tonë por i rëndë, ishte gjykimi i një apelimi të bërë ndaj një gjinekologu të quajtur Dr. Çupishti, kundër vendimit të Gjykatës së shkallës së I-rë të qarkut Vlorë, që e kishte dënuar rëndë për faj të pakryer. Sipas interpretimit të babait ai dënim që i ishte dhënë nuk justifikohej sepse nuk kishim të bënim me faj të kryer nga doktori e si rrjedhim, babai e prishi dy herë atë vendim dhe në rastin e dytë, që ai u rigjykua, pikërisht në këtë kohë ndërhyn Ndihmës-Antari i Gjykatës Lartë dhe njëkohësisht Sekretar i Organizatës së Partisë të Ministrisë së Drejtësisë – Bilbil Klosi, baxhanak i boshnjakut Ramiz Alia, i cili i sugjeroi babait tonë që të hiqte dorë nga këmbëngulja për pafajsinë e doktorit, sepse ishte rekomandimi i Komitetit të Partisë të Qarkut – Vlorë që ai “reaksionar” duhet të qëndronte në burg sepse paraqiste rrezikshmëri për interesat e Partisë. “Fatkeqësisht” babai nuk u tregua i gatshëm për të plotësuar “rekomandimin” ose më shqip urdhërin e Partisë, ai nuk i pranoi, as ndërhyrjet e disa personave me influencë në ministri për këtë çështje.
Pas dy rigjykimesh rrjesht në Gjykatën e Shkallës së I-rë Vlorë dhe me insistimin e vazhdueshëm të babait deri për shkelje të të drejtave të njeriut, ai u lirua në sallën e gjyqit dhe për fat të keq tonin, ai me të dalë nga burgu shumë shpejt organizon një arratisje me gjithë familjen nëpërmjet detit. Pas këtij skandali, babai menjëherë u thirr në raport nga Ministri i Drejtësisë së asaj kohe, monstra Manol Konomi, komunist i lig dhe shumë i poshtër, për t’i shprehur se e gjithë kjo çështje që na turpëroi të gjithëve, biles edhe neve si Ministri, lëre pastaj si Organizatë Partie, rrodhi vetëm prej papjekurisë tënde politike, mungesën e besimit te Partia, për të mos thënë që e trajtove çështjen e Dr. Çupishtit vetëm për të kundërshtuar Partinë me qëllim të keq, unë dëshiroj që të jetë një lapsus se “përndrishe” ti i di konseguencat që të presin. Ti, – ju drejtua Manoli me gisht shumë i revoltuar, sot e mbrapa duhet të kuptosh njëherë e mirë e përgjithmonë se, sugjerimet e Partisë qëndrojnë mbi ligjet e shkruara dhe mbi çdo gjë tjetër në këtë botë. A e kupton apo Jo? Babai i shkretë pas këtij takimi me ministrin u çorodit fare sepse kishte dëgjuar për Manol Konomin dhe Bilbil Klosin që kishin mbaruar studimet për Drejtësi në Francë dhe mendoi menjëherë se si ishte e mundur të studjoje në Perëndim për Drejtësi dhe ta përbuzje atë! Si është e mundur të biesh aq poshtë?
Çudi.. – Çudi…!
Gabimi i tretë dhe i fundit i tij para se ta merrte “Ferra uratën”, ishte refuzimi për të parakaluar përpara tribunës qëndrore me rastin e 1 Majit po të atij viti, duke brohoritur me entuziazëm për Partinë dhe shokun Enver. Unë mendova, thoshte ai – se si ne, trupi i Gjykatës së Lartë me pankarta e parulla të parakalojmë përpara Enver Hoxhës, ku me siguri aty do të jenë edhe diplomatë të Përfaqësive të Huaja Diplomatike, duke thirrur “Rroftë Partia”, me këto veprime ne do t’ju tregojmë atyre se jemi totalisht të politizuar, atëherë çfarë drejtësie do të japim? Nuk i “imagjinoj” dot këto veprime të jashtligjshme, pse s’thoni që Drejtësia në Shqipëri ka marrë fund dhe kjo rrugë që po ndjekim është një tragjedi kombëtare? Që kur ndodhën këto tre raste, Manol Konomi dhe Bilbil Klosi e shikonin baban tonë gjithë ironi, nënqeshnin me të dhe kjo donte të thoshte qartë se, ke për ta parë edhe ti se ç’ka për të të ndodhur, dhe atëherë do të na njohësh ne. Këto gabime të tij në vazhdimësi u konsideruan faje politike shumë të rënda dhe si rrjedhim ai nuk meritonte më të mbante poste të larta në sistemin e drejtësisë, për këtë duhet të mbante përgjegjësi dhe të dënohej, për t’u bërë shembull për të tjerët dhe të gjëndeshin burimet nga ishte frymëzuar ai për këto qëndrime armiqësore. Kështu atë fillimisht e flakën jashtë nga detyra si i panevojshëm dhe i pandreqshëm për ta futur në rrugën e së ardhmes që do të ishte ajo e asgjesimit të ngadaltë. Siç e kam përmendur më lart Enver Hoxha ishte shumë i njohuri i familjes tonë dhe shkaku i kësaj njohjeje me këtë “pleh” ishte siç e kemi thënë daiu ynë apo kunati i babait, Esat Dishnica i cili Enverin e konsideronte vëlla “binjak” e si rrjedhim edhe nëna jonë e cila e idealizonte të vëllanë Esatin, natyrshëm për inerci edhe “monstrën” Enver e konsideronte vëlla të dytë, kështu edhe babait tonë nuk i mbetej gjë tjetër veçse dhe ai ta respektonte “vëllanë e kunatit”. Pas disa kohësh njohje të hershme me Enverin, mardhëniet tona familjare arritën në kufijtë konfidencial, hyrjet, daljet, drekat dhe darkat tek ne, ai i shpeshtoi. Lidhjet e Enverit me Esatin tani e prapa u forcuan edhe më tej sepse ai u bë menaxheri më kryesor në biznesin e Esatit, në atë të Industrisë së duhan-cigareve dhe të tregëtisë së sendeve ushqimore që ai tregtonte me shumicë dhe në këto aktivitete tregëtare fitimet ishin shumë të konsiderueshme.
Një koençidencë tjetër qe se Enveri ishte dhe kunati i Bahri Omarit i cili veç shoqërisë së madhe që kishte me baban tonë, qëlloi edhe komshi tek katër apartamentet e bardha të italianëve pas Shallvareve, kështu që hyrjet e daljet ndërmjet dy – familjeve u shpeshtuan, të dy motrat e Enverit, Fahrija – gruaja e Bahriut dhe Sanoja, mëngjes e pasdreke ishin bashkë me nënën tonë duke pirë kafenë nëpër shtëpitë respektive. Mesa duket nënës tonë për pakujdesi apo për naivitet në këto ambjente tashmë familjare e miqësore, i kishte shpëtuar goja nëpër biseda se Hiqmet Delvina, djali i xhaxhait të babait, ish – Kryetar Parlamenti dhe Ministër i Drejtësisë në kohën e Mbretit Zog i I .rë, kur u largua nga Shqipëria në 1939 me eskortën e Mbretit me gjithë familje, duke mos patur siguri për udhëtimin që do bënin për tu “arratisur”, i lë babait tonë në “besë” për ruajtje një sasi të konsiderueshme monedhash ari, 20 – franga ose siç i thonë “Napolona Ari” për bela të kokës së tij dhe tonës. Mesa duket kjo bisedë i shkon në vesh Enverit ekzakt si ishte e vërteta. Për çudi pa kaluar shumë kohë ai i thotë nënës tonë – dëgjo o Cime (kështu i thërrisnin nënës në familje), – i thuaj ti Neki Beut që bën mirë të na dëgjojë se jemi të mirë informuar, që tradhtari Hiqmet Bej Delvina i ka lënë një sasi të hollash në flori, të cilat do ti shërbenin lëvizjes çlirimtare që po organizojmë, kështu po të na i japë ne këto para ai do të mbetet për mirë në historinë e Kombit që po shkruhet. Ky mesazh në formë të njëjtë vazhdoi të na vinte prej tij edhe gjatë kohës kur ata dolën në mal, sepse këto vlera të atij “tradhëtari” që ruante babai do ti shërbenin shumë luftës. Po ky avaz, – thoshte nëna, vazhdoi të më vinte edhe pas “Çlirimit” prej tij nëpërmjet motrës Melit dhe vëllait Esatit. Unë këtë çështje kur ia zura një herë Nekiut me shumë takt dhe pak si indirekt, biles duke mos e zënë në gojë Enverin po njerëzit e lëvizjes, që nuk e di se nga e kanë marr vesh ata që ne i kemi ato para, ai reagoi menjëherë me shumë nervozitet kundër kësaj dëshire grabitëse të tyre. Ai nuk mund ta konceptonte dot se me çfarë të drejte ata ndërhynin në çështje krejt private, të dëgjuara rreth e rrotull dhe për të ky ishte një “Banditizëm” i vërtetë.
Në vitin 1945 vjen i biri i Hiqmet Bej Delvinës së bashku me nënën e tij Inajetin nga Firenze ku jetonin, për të marrë parat e lëna tek ne dhe të ktheheshin nga kishin ardhur. Ky udhëtim i tyre vajtje-ardhje në Itali për atë kohë ishte plotësisht i mundshëm, jo vetëm se këtu në Shqipëri ishin përfaqësuesit e aleatëve anglezë, amerikanë etj por ne akoma nuk e kishim treguar fytyrën tonë të vërtetë terroriste, kriminale e tërësisht komuniste. Akoma më të sigurtë e ndjenin veten se ata tashmë kishin nënshtetësinë italiane dhe ishin pajisur me pasaporta të rregullta italiane, kështu që kurrë nuk e mendonin një ndalim të mundshëm për tu rikthyer në Itali. Gjithashtu ja u largonte çdo dyshim që mund të mos e realizonin qëllimin e ardhjes se ata pretendonin se paratë e tyre ishin plotësisht të pastra dhe nuk rridhnin nga ndonjë rrugë kriminale, ato para i takonin një familjeje të pasur e të vjetër dhe me pozita të larta shtetërore, për më tepër që ato i mbante në ruajtje një Antar i Gjykatës së Lartë aktualisht në detyrë. Kështu ata të mbështetur në llogjikën dhe mendimet e mësipërme erdhën të sigurtë më në fund në Shqipëri direkt e në shtëpinë tonë. Doktor Dragushi kishte mbaruar për mjeksi në Bolonjë, ishte mjek i formuar por nuk e njihte fare situatën se çfar kishte ndodhur në Shqipëri, natyrisht edhe e ëma Inajeti. Ata menjëherë i paraqitën babait tonë dy letra, 1 – njëra autorizonte të dy ata (nënë e bir) të merrnin paratë e lëna te ne, dhe tjetra 2 – ishte letra që babai ynë i kishte lëshuar Hiqmet Beut kur i kish marrë paratë prej tij. Kjo letër u gris në prezencë të të tretëve dhe ata pasi numëruan paratë një më një, i lëshuan babait “letrën fatkeqe” të marrjes në dorëzim të shumës së parave që i përgjigjej asaj letre që grisën. Kështu u mbyll kjo çështje sipas të gjitha rregullave zyrtare.
Por pikërisht pas kësaj fillon tragjedia për dy – familjet nga pushteti komunist i asaj kohe, si për ata të dy fatkeqët ashtu edhe për ne. Ngjarjet që vijuan nuk rrodhën sipas logjikës së drejtë njerëzore, por rrodhën sipas politikës komuniste të terrorit. Ata nuk u lejuan më të ktheheshin në Itali, krejt në mënyrë të jashtligjshme me pretekstin se tashmë kishte ndryshuar situata politike. Nëna jonë i ndihmoi duke shkuar te kushëriri i saj në atë kohë Ministër i Shëndetsisë Dr. Ymer Dishnica që të punësonte si mjek Dragushin. Ai menjëherë e caktoi mjek ushtarak në Divizionin e Gjirokastrës, kështu që edhe ata u bënë qytetar fatkeqë të Shqipërisë së “Re” si të gjithë ne të tjerët. Shumë e “gabuar” ishte mënyra se si kishin proçeduar Dragushi me babanë, në situatën e re që jetonim nuk vlente më mënyra dhe rregulli zakonor i mbylljes me nder të këtyre detyrimeve reciproke financiare. Neve edhe sot nuk e kuptojmë se çfarë i shqetësonte ata njerëz të edukuar për së mbari, me nivel ndershmërie dhe besimi të vlerave të larta dhe që ishin të gatshëm të sakrifikonin për njëri – tjetrin në çdo kohë sepse i lidhte edhe gjaku, të përpilonin dokumenta burokratike dhe “ordinere” të atilla që ishin në praktikën e njerzve të zakonshëm dhe për punë të zakonshme. Pse? Pse? Babai ti merrte Dragushit një dëftesë ku të shkruante veprimin faktik se i kishte dorëzuar atij të gjithë sasinë e arit që Hiqmet Beu i kishte dhënë babait tonë në kohën e arratisjes, biles në dëftesë shkruhej edhe karakteristika e kësaj shume e cila përbëhej nga napolona franceze të quajtura nga populli me “Gjel”. Përse i gjithë ky proçedim i dokumentuar? Pse? Më duket se e kishin bërë tamam për bela të kokave të tyre. Ku donte të justifikohej me të babai ynë?, pa folur pastaj se kush do t’ja kërkonte. Ky veprim fatal për në atë kohë të keqe që jetonim, i kishte futur të dy në një situatë tepër të rrezikshme dhe të vështirë njëkohësisht, si për atë që e mbante në ruajtje këtë sasi ari me vete gjithkund nga shkonte, ashtu edhe për babanë që ruante me fanatizëm atë dokument dorëzimi të “mallkuar”. Origjina ordinere e familjes së Enver Hoxhës pa traditë në kulturë, në sjellje apo pasuri, i kishte transmetuar atij si trashëgimi në gene, veç veseve të tij të njohura “Perverse” në moral, edhe një dëshirë të fandaksur (siç i thonë gjirokastritët) për tu pasuruar në kohë sa më të shkurtër e të shpejtë, të shoqëruar edhe me një etje për hakmarrje ndaj klasave të shoqërisë që qëndronin mbi të dhe mbi familjen e tij Hoxha. Familje të tilla si ato të Selfove, Omarët, Kokalarët etj, që gëzonin privilegje mbi Hoxhat, ju nënshtruan të parët genocidit të Enver Hoxhës. Dëshira e tij e vazhdueshme për t’iu zhvatur pasurinë dhe pastaj edhe jetën kur e ndiente supremacinë e këtyre familjeve apo personave të veçantë, e shoqëroi gjatë gjithë jetës që jetoi ky “Përbindësh”! “Merak të veçantë” tregoi sidomos me shokët e tij që ishin rritur bashkë por që fatkeqsisht kishin preardhje fisnike, tregtare apo intelektuale. Këtë genocid të pashëmbëllt ai jo vetëm që e realizoi duke ju “ngrënë” kokat, por ju plaçkiti dhe çdo llojë pasurie që ata kishin vënë me djersë ndër vite.
Nga kjo fushatë krimi nuk përjashtoi as babain tonë që hiqej se e donte dhe e respektonte, pa llogaritur edhe sa të tjerë. Siç thashë më lart që ai e dinte se ne i kishim këto para, dhe në rrugë dorëzimi vullnetar nuk na i mori dot, kështu që ai urdhëroi një mënyrë tjetër “zhvatjeje”. Ne kishim mbi një vit që paratë ia kishim dorëzuar Dragushit dhe secila palë vazhdonte jetën normalisht, Dragushi në Gjirokastër dhe ne në Tiranë. Problemi i florinjve tashmë u përkiste historive të kaluara dhe pothuajse ishte harruar fare nga të dy palët, edhe kur rastiste që shiheshim, as që bënte më pjesë në bisedat e rastit se ai problem ishte i tejkaluar tashmë.
Në vitin 1947 ne familjarisht vazhdonim të banonim te 4 apartamentet e bardha të italianëve. Ishte një ditë shtatori e zakonshme e atij viti të mallkuar, nëna dhe babai po bëheshin gati për të vajtur në një vizitë të zakonshme kortezie, në këto momente si të gjitha gratë, nëna jonë po rregullohej pranë një pasqyre që i shkonte për këto punë tek dhoma e pritjes apo siç i thonim në sallon të pritjes, e cila ishte ndër dhomat e para pas derës kryesore të apartamentit, ajo po vendoste disa xhevahire të cilat sapo i kishte nxjerrë nga kutia e tyre e posaçme për këto. Kjo kuti për vlerat e konsiderueshme të stolive që mbante brenda saj, kur ajo mbaronte punë ia kthente përsëri babait i cili e vendoste në valixhen e tij speciale, tip kasaforte të cilën e administronte vetëm e vetëm ai dhe kjo ishte praktikë e përhershme. Por ata ishin vonuar në orar dhe një mik i tyre që kishte ardhur për t’i marrë po insistonte duke i rënë ziles së derës së jashtme, kështu që në këto rrethana të ngutshme ata e lanë kutinë me xhevahire në sallonin e pritjes përpara pasqyrës dhe dolën menjëherë duke mbyllur të gjitha dyert me çelës, lënia e shtëpisë në këto rrethana nuk përbënte ndonjë rrezik për sigurinë e xhevahireve sepse ishte shtëpi e re dhe e sigurt. Kur u kthyen nga vizita në shtëpi dhe sapo kishin mbyllur derën e jashtme, bie zilja e derës dhe babai urdhëron nënën ta hapë meqë ndodhej më pranë saj, ajo e hap dhe sheh një mik të ngushtë të familjes, Gani Çanon pronar i “Hotel Internacionalit”, i shpreh mirëseardhjen dhe e drejton për në sallonin e pritjes. Ai aty ndeshet me kutinë e hapur plot me xhevahire, nëna i kërkon ndjesë Ganiut për pesë – minuta sa të rregulloheshin me babanë, ndërkohë ai po sodiste xhevahirët në kuti dhe ky rast nuk përbënte asnjë problem sepse ai ishte mik i vërtetë. Nëna akoma pa vajtur të lajmëronte babanë se kishte ardhur Ganiu dhe po priste, bie sërish zilja e derës së jashtme dhe nëna kthehet duke e hapur menjëherë, kur sheh një oficer policie dhe mendoi për ndonjë keqkuptim por ai u vetëprezantua se ishte Kapiten Andrea Mema – shef i Seksionit të Punëve të Brendshme në Tiranë dhe hyn direkt brenda, pa pyetur njeri dhe me ton të lartë dhe urdhërues kërkon babain. Babai e dëgjon dhe doli menjëherë duke e shoqëruar me mirësjellje në dhomën studio të tij ballë për ballë me sallonin e pritjes ku ishte Ganiu. Por fatmirsisht Ganiu dëgjoi tonin e Andreas me nënën dhe më pas me babanë, dyshoi se diçka nuk shkonte sepse e tillë ishte koha gjithë dyshime dhe menjëherë shikon nga dritaret jashtë në oborr ku ishin dy vetura me policë të armatosur që po sistemoheshin përreth apartamentit, duke i drejtuar shikimet dhe armët drejt shtëpisë sonë. Nuk i pëlqeu kjo situatë dhe në mënyrë të menjëhershme merr kutinë me xhevahirë, e mbulon në krahë me pardesynë, ia bën nënës me shenj dhe del menjëherë nga shtëpia, ishte njeri praktik, ngjitet në katin e III – të dhe nëpërmjet tarracës kalon në shkallën tjetër, zbret poshtë dhe ikën menjëherë pa u vënë re nga askush në këto momente që policët po sistemoheshin që nga dera e shtëpisë dhe deri te shkallët nga kaloi ai, siç i tregoi më vonë Ganiu. Veprimi dhe kurajo Ganiut ishin gjëja më e mrekullueshme që bëri ai për ne, sepse me këto xhevahire që na shpëtoi ai krejt rastësisht, jo vetëm që i shpëtoi ato nga sekuestrimi, vjedhja, por ato na mbajtën frymën për disa vite duke i shitur sistematikisht. Pas rreth një orë zhurmë ndërmjet babait dhe Andrea Memës, ata kaluan në dhomën e gjumit drejtë e te dollapi personal i babait dhe morën valixhen shumë të sigurtë, pothuaj të blinduar tip kasaforte, me anë të një polici të zi në fytyrë e të shëndosh, dhe dolën të tre për të hipur në një nga dy veturat që prisnin jashtë dhe u nisën. Ne atë natë nuk morëm vesh se ç’ishte e gjithë kjo hata që po zhvillohej në shtëpinë tonë, të nesërmen morëm vesh se babai ishte arrestuar së bashku me valixhen. Grabitja e asaj valixheje për familjen tonë ishte një katastrofë e vërtetë, jo vetëm në planin ekonomik por edhe në të gjitha planet e tjera, në atë valixhe të mallkuar ndodhej edhe i gjithë historiku i dokumentuar prej vitesh i familjes tonë të lashtë nëpërmjet një dokumentacioni autentik shumë të vjetër, si edhe të gjitha tapitë e pronave origjinale që në kohën Osmane, së bashku me ato dhe të çifligut tonë në Sarand – Delvinë të quajtur “Sarone”, si edhe mjaft korrespondenca shumë të vjetra dhe të vlefshme historike që i përkisnin familjes tonë, gjithashtu edhe dokumenta të ndryshme shkollore të të gjitha kohrave të rritjes së babait tonë dhe së fundi arkivi i tij personal me dokumenta shumë të rëndësishme. Po kështu për fat të keq, në atë valixhe të mallkuar kishte edhe një sasi me monedha ari të mbetura nga qeratë që i sillte Ilia Muzina një ish industrialist bulmetrash që kish marrë për kullotë “Saronen”. Këto para në flori babai i shpenzonte duke i thyer në lek për nevojat e familjes dhe për të përballuar sëmundjen e tij të sheqerit në gjak që faktikisht kërkonte shpenzime të larta. Gjithashtu ai në valixhe kishte në ruajtje dhe disa antikitete shumë të vjetra të trashëguara nga paraardhësit dhe të shtuara më vonë nga ai, disa varëse, unaza, dekoracione të ndryshme, monedha ari, argjendi, bronxi të cilat i kishte blerë me shuma të konsiderueshme, ato i çmonte se vërtetonin disa periudha historike të diskutueshme. Në këto momente katastrofike për familjen, nëna lajmëron menjëherë të vëllanë për ç’ka ndodhi me shpresë se me siguri që ai do të na ndihmonte në një farë mënyre, sepse ajo mendonte se ai e kishte mundësinë e ndihmës. Por fatkeqësisht ai nuk ndërhyri duke thënë se, “yt shoq atë kokë kishte, dhe atë feste i vumë” por ishalla qoftë me kaq! Situata që u krijua në shtëpinë tonë ishte shumë e rëndë në të gjitha pikpamjet, por e keqja më e madhe ishte se daiu na e mbylli derën. Dy – tre ditë pas arrestimit të babait çuditërisht u paraqit në apartamentin tonë komshiu i ri Sokrat Bufi (babai i Ylli Bufit), ai u prezantua si përfaqësues i pushtetit vendor dhe se ishte i atashuar pranë komisionit që do të bënte regjistrimin e pasurisë së luajtshme, dmth që të jem i kiartë, tha ai, do të bëj regjistrimin e plaçkave, komision i ngarkuar për këtë detyrë. Ai tha se këto veprime do të kryhen për të na hequr neve çdo të drejtë mbi çdo plaçkë të regjistruar dhe pas këtij regjistrimi duhet të konsiderojmë se, po jetojmë përkohësisht në plaçkën e shtetit derisa të merret vendim për Nekiun i cili akuzohet për krim ekonomik. Kështu që në rast se vërtetohet akuza, ju dënoheni me sekuestrimin e të gjithë pasurive që keni të luajtshme e të paluajtshme dhe Neki Delvinës së bashku me ju i hiqet çdo lloj pronësie. E qartë? dhe pikë, shtoi Sokrat Bufi, dhe vazhdon sërish, më vjen shumë keq dhe habitem se si ka mundësi që e motra e vërtetë e një drejtuesi të lartë të luftës dhe të shtetit tonë të ri, të jetë gruaja e një “burgjezi” e gjakpirësi si “ki i joti”, çudi. Pas pak ju drejtua rishtazi nënës por kësaj radhe me ton urdhërues: Ti do të shoqërosh gjatë gjithë kohës së regjistrimit komisionin, për ndonjë nevojë sqaruse që mund të kenë ata. Je e “detiruar ta kriesh këtë detirë” dhe pikë, edhe të paralajmëroj e të këshilloj të kesh kujdes dhe të sillesh mirë dhe me zgjuarsi se s’ka “gili vili” më, – më dëgjove? – dëgjova thuaj. Nëna shumë e hutuar, pohoi me kokë. Për së pari u futën në sallonin e pritjes dhe porsa hynë vrojtuan muret e filluan të qeshin me të madhe kur panë të varura në mure katër tabllo të pikturuara në vaj me përmbajtje të ndryshme, njëri prej tyre i drejtohet shokut Sokrat dhe i thotë: Shef, të fillojmë regjistrimin nga këto palo fotografi? Ai e pohon me kokë.
Më vonë morëm vesh se ky person që pyeti Sokratin ishte zyrtarisht Kryetari Legjitim i Komisionit. Dua të theksoj se më çudiste që të gjithë antarët e grupit së bashku me Sokratin, shqiptonin fjalët si gjirokastrit puro, psh “ki, ta kriesh” etj pa qenë gjirokastritë por mesa dukej imitonin Enverin nga “dashuria e madhe” që kishin për të. Ky servilizëm vazhdoi derisa vdiq apo “ngordhi” më mirë. Pak më vonë ky kryetar i vogël i komisionit i drejtohet nënës dhe i kërkon një thikë për të mprehur lapsin kopjativ, atëherë nëna gjithë mirsjellje dhe frikë gjithashtu, i bie një prefse lapsash të inkorporuar në një peshk kristali që mesa dukej ata deri atëherë nuk kishin parë mjet të tillë për të mprehur lapsat, ai kur pa që nëna nuk i solli thikën që kërkoi sepse ajo “vegla” që i solli nëna ju duk lodër kalamajsh, ju drejtua me të sharë e të ofenduar: “me kë po tallesh ti moj kuçkë burgjeze”, moj zuzare dhe ia hodhi në fytyrë duke e gjakosur pak se ajo ishte edhe me alumin të nikeluar, por nëna nga halli nuk u ndje. Pas pak nëna mendoi se Sokrati duhet të ishte më i arsyeshëm se ata të komisionit dhe iu drejtua me lutje që nga ato katër tabllot e murit, po të kishte mundësi që dy copë të mos i regjistronte, jo se kishte ndonjë hall se po humbte vlera monetare apo artistike të konsiderueshme, por ato dy tabllo përfaqësonin një kujtim të madh për familjen tonë, ato ishin dhurata për ditën e martesës së saj me Nekiun. Njëra ishte një pikturë që kishte një pamje të një pylli të dendur nga dora origjinale e piktorit të madh Rus “Kuinxhi”, i cili konsiderohej si një nga piktorët natyralist më të mëdhenjë të asaj kohe në Rusi e deri në botë, por për më tepër ishte dhuratë e djalit të hallës së babait tonë Faik Konicës. Ndërsa piktura e II – të ishte po me rastin e ditës së martesës dhe dhuratë e kushëririt të babait, Nuredin Bej Vlora dhe kishte si subjekt një grup njerzish nga të cilët njëri mbante në dorë një letër, më kujtohet që ishte qeros dhe po e lexonte në mes të grupit që e kishin rrethuar, të gjithë ata po gajaseshin së qeshuri, (duket për ato që dëgjonin), ky “lektor” thoshte babai, quhej Sirko i Zapotorozhasve përtej Danubit. Kjo pikturë në fakt ishte kopje e një piktori të shquar po rus që kritika e atëhershme thoshte se ishte më e arrirë se origjinalja, dhe emrat e këtyre dy piktorëve nuk më kujtohen. Kjo ishte kërkesa me lutje e nënës sonë drejtuar shokut Sokrat i cili reagoi menjëherë por këtë radhë me ton kërcënues “shiko, po të mbajmë afër për ndonjë nevojën tonë sqaruse, prandaj po ta them për herë të fundit, mos u ndje më se po të kllasim” edhe ty brenda tek yt shoq, dëgjon dëgjova thuaj dhe “mbille”, vëri drynë asaj goje të qelbur në rast se nuk do të ta “mbillim” neve njëherë e mirë. Që në këtë moment nëna nuk u ndje më duke thënë me vete: “Allahu na ruajt” çfarë thanë e nuku bën këta, të fusin brenda dhe të lënë fëmijët fare rrugëve.
Injoranca dhe shpirti i tyre i lig shiheshin në çdo hap të punës së tyre. Xhahil.llëku i tyre u pa më mirë se kudo dhe arriti kulmin në rastin kur u bë skandali i vërtetë kur gjetën xhaketën e frakut të babait në garderobën e tij së bashku me kostumin ceremonial të smokingut. U skandalizuan kur panë xhaketën e frakut të prerë prapa me hark ku kishin mbetur vetëm dy bishta me astar të shqepur ose të lëshuar posht. Ata këtë xhaketë të “sakatosur” e quajtën “pardesy” dhe bindën vetveten se prerja ishte bërë me qëllim sabotimi për të mos u përdorur më pas sekuestrimit. Filluan t’i bërtasin nënës se ju kapëm me presh në duar, ky është një krim i vërtetë ndaj pasurisë së popullit, dhe ja, i tregonin nënës xhaketën e frakut. Po e lëmë mënjanë “prerjen” e bishtave me hark të xhaketës sepse ata farë “injorantësh revolucionarë” ku ta dinin formën e xhaketës së frakut, por dua të spjegoj që pse ishin astarët e bishtave të shqepur dhe pse vareshin.
Ky qe fakti i sabotimit apo i krimit i kapur prej tyre.Nëna pas arrestimit të babait e trembur dhe e shokuar, mendonte edhe për ndonjë “vizitë” tjetër të Sigurimit në shtëpinë tonë, prandaj e ndjente të domosdoshme të gjente një mënyrë për të fshehur disa nga materialet “kompromentuese”, sepse nuk donte t’ju jepte shkak për të na shtuar hallet më tej. Bëhej fjalë për shumë fotografi të bëra gjatë ceremonive të ndryshme zyrtare të nivelit të lartë si psh, me Mbretin Zog apo me Viktor Emanuelin e III-të etj. Këto fotografi për familjen tonë përfaqësonin kujtime shumë të rëndësishme e me vlera të papërsëritshme që plotësonin edhe traditën historike të familjes tonë. Jo më pak kompromentuese për ne në atë kohë ishte edhe Pema Gjeneallogjike e familjes tonë Delvina, e cila ishte e dokumentuar që në vitin 1537 me një bukuri grafike të papërsëritshme. Kështu që duke vrarë mëndjen se ç’do të bënim me to, për të evituar edhe një skandal tjetër, nënës i shkoi mëndja për një bisedë që kishte bërë me dy shoqe të saja, me gruan e Mihal Zallarit dhe të Zef Kadares, të cilat e kishin zgjidhur këtë hall në një mënyrë krejt origjinale, duke i fshehur nëpër fundet e bishtave të frakut, prandaj edhe ajo e bëri këtë “marifet” me perfeksion, biles më kujtohet që të nesërmen që i kishim sistemuar këto gjëra, e rishqepëm një krah dhe futëm tërë korrespondencën që kishte babai me një shok shkolle Fuat Këpryly, (pasardhës i dinastisë së famshme të Këprylinjëve, Kryeministra të Perandorisë Osmane), që më vonë u bë Ministër i Jashtëm i Turqisë, babai i dërgonte gjithnjë pullat e postës shqiptare sepse ishte filatelist i njohur. Por prap na hante meraku se po na i gjetën ç’bëhej? Atëherë i rishqepëm astarët, i nxorëm materialet “kompromentuese” dhe i dogjëm me shumë keqardhje, por për fat të keq i lamë astarët të paqepur. Ky gabim u bë shkak për tërë këtë histori absurde që ata dyshuan se kishim prerë dhe grisur për arsye sabotimi frakun apo “pardesynë” sipas tyre. Menjëherë pas gjithë këtij skandali shoku Sokrat Bufi (mesa duket për t’ju bërë qejfin proletarëve të komisionit, e them këtë sepse kurrë nuk e besonim që edhe ai të ishte po aq injorant sa ata dhe të mos i kishte qëlluar gjatë jetës të shifte një xhaketë fraku), me një nervozitet të paparë apo me një sjellje kafshërore ju drejtua nënës: Si nuk ju vjen turp e të turpëroheni që e keni katandisur kështu këtë plaçkë të re? Ja, Ja, ky është një fakt kompromentues e flagrant për ju e për këtë do të përgjigjeni rëndë e shumë rëndë biles. Nëna e shkretë u dezilizionua fare, si nga fjalët e Sokratit që ishin të rënda sa s’ka më, sepse ne nuk i meritonim ato, por u “pataksa” fare thoshte ajo kur pashë një antar komisioni që mori nga një raft i kristalieres, 12 lugë të vogla reçeli greke me bisht të përdredhur prej argjendi të pastër, dhe i futi në një nga xhepat e tij, të cilat nuk u inventarizuan kurrë, vetëm kur ai “hajduti i ligjit” e kuptoi që unë e pashë, mu afrua dhe më tha me zë të ulët: “hape atë m.. goje pa e sheh”! Sa për të qarë po aq edhe për të qeshur ishte kur ata hynë në studion e babait e cila ishte vendosur në dhomën më të madhe e më me diell të apartamentit. Kjo dhomë ishte e veshur e gjitha me rafte druri të rimesuara deri në tavan, ishte biblioteka personale e babait me libra, enciklopeditë e përmasave të mëdha, revista etj. Babai kishte bërë edhe një shkallë dyshe me një sedilje sipër, ajo shkallë ishte shumë praktike hapej e mbyllej sipas nevojës, e përdorte kur librat e sipërm do ti lexonte për një kohë të shkurtër, ose sa për të parë ndonjë gjë pa u ulur poshtë, rrinte për bukuri ulur në atë sedilje. Komisioni u befasua kur pa atë mori librash, megjithatë sipas urdhërit që kishin marrë ato duhet të regjistroheshin një për një. Por çe do, ata menjëherë sapo filluan regjistrimin ngecën, sepse në rafte nuk kishte pothuajse fare libra shqip, ato të tëra ishin në turqishten e vjetër (osmanisht), persisht, frengjisht, anglisht dhe biles një raft të tërë në gjuhën esmeranto. Atëherë ata ju drejtuan Sokratit për ndihmë “si më i dituri” në atë ambjent, por ja që edhe ai nuk i dha dot zgjidhje këtij problemi apo halli që i zuri. Kështu pas konsultimeve me njëri – tjetrin se ku pyetën edhe në telefon, vendosën një mënyrë shumë origjinale regjistrimi që ju përgjigj dhe nivelit të tyre kulturor. Filluan regjistrimin duke i ndarë librat në tre grupe, në libra të hollë, në libra gjysëm të trashë, dhe në libra të trashë, për siguri shkruanin edhe ngjyrën e kapakëve. Por përsëri ngecën kur hasën në një kategori librash që Kryetari i Komisionit i kategorizoi si libra “veç alemit” si nga madhësia edhe nga pesha si psh. “Enciklopedia e Trekanit” në shumë volume, “Enejda e Virgjilit” etj. Këto libra që i quajtën “speciale” i paketuan në gazeta që i gjetën aty nga ato që ruante babai si më interesantet në kohra, i lidhën në grupe dhe i vulosën me dyll të kuq, këtë gjë nuk e morëm vesh se pse e bënë. Pasi mbaruan së regjistruari të gjithë plaçkat e shtëpisë, dalluan një radio me korpus metalik me dorezë, me bateri dhe me kufje veshi. Kjo ishte një radio ushtarake gjermane e kohëve të fundit. Kur e panë këtë shejtan budallenjtë brofën nga gëzimi se menduan që gjetën një radio – transmetuese ushtarake, apo s’kishte dhe ngjyrë me njolla ushtarake si çantat e tyre të parashutuara nga anglezët. Prandaj menjëherë njoftuan Komandën e Përgjithshme, nuk vonoi dhe erdhën dy treçikla gjermanë, trofe lufte të tipit “Zundap” me specialistë të radiofonisë ushtarake, por për fat të keq “zhgënjimi” qe i menjëhershëm. Kryespecialisti dalloi që ajo nuk ishte bazë transmetimi, por një kompleks radio – marrës ushtarak special gjerman. Kryespecialisti u bë kurioz se si qe e mundur që ai kompleks radio ishte tek ne, serderi atëherë përbënte sekret ushtarak, ajo ishte një radio e tipit “Radian” shumë e rrallë dhe shumë e sofistikuar për kohën e vet, ishte bërë tek ne një instalim perfekt nga një njeri shumë i specializuar, dukej puna, biles e kishin vulosur me një vulë speciale e cila mesa dukej, na autorizonte ne që ta përdornim me siguri për ti dalë përpara ndonjë kontrolli eventual të forcave gjermane. Nëna spjegoi se si ajo radio letra e Ibrahim Biçakut për radion ndodhej tek ne duke i sqaruar se na e kishte dhuruar Kryeministri i asaj kohe, djali i dajës saj Ibrahim Biçaku, i cili një muaj para se të “çlirohej” Tirana, për arsye sigurie u transferua pranë Hotel “Dajtit” që aso kohe ishte shndërruar në Spital Ushtarak. Këtë dhuratë ia bëri babait që të dëgjonte edhe natën me kufje për të mos bezdisur njeri dhe ta përdorte me baterinë e saj kur mungonte korenti. Ata tregimin e nënës e mbajtën shënim, u shtirën sikur e besuan dhe na thanë që pohimin tonë do ta raportonin lart në Komandë për sqarim dhe u nisën së bashku me kompleksin radiofonik. Në kohën që ata po largoheshin, Sokrat Bufi me egërsi ju drejtua nënës: A nuk ju vjen turp e të turpëroheni që mbanit në shtëpi tërë këtë lluks, kur populli vuante të zitë e ullirit dhe nuk kishte as bukë të hante? Pu… pu… sa turp, por ja më në fund e gjetët edhe ju, keq e më keq do shkoni, në esfel vafshi!
Pas të gjithë këtyre peripecive ata e detyruan nënën të firmoste ashtu si deshën ata, “mos firmos po deshe”. Ajo për hirë të atij burri që ishte në dorë të tyre si edhe për ne të tre fëmijët, firmosi pa asnjë diskutim dhe duke mos ditur se çfar firmosi. Ata vodhën aq sa deshën dhe në sy tonë biles dhe në fund e detyruan të firmoste ç’ka i vunë përpara ata. Përsëri ju drejtua Sokrat Bufi nënës: Mos u mërzitni se pas nja dy ditësh do t’ju sikterisim në një pallat më të mirë se “ki “dhe do t’ju japim plaçka aq sa meritojnë kokat tuaja, dhe sakën se lëvizni ndonjë plaçkë tashmë të regjistruar, në burg do të shkosh edhe ti pranë atij, trimit tënd. Shyqyr po atë ditë ata u larguan e i hoqëm qafe, por çe do që të nesërmen në orën 7:00 erdhën rishtazi të gjithë si ekip bashkë me një kamion “Fiat tip 626” dhe duke dhënë vetë “shembullin personal” punonin si puntorë ngarkim – shkarkimi, ngarkuan në kamion së pari pakot me libra, pastaj morën për habi me shumë kujdes dy pikturat që thamë më lart, gjithashtu ngarkuan dy sixhade persiane të paqethura, 6 – karrige me gdhëndje të veshura me lëkurë dhe u nisën për kushedi ku.! Na bëri përshtypje të gjithëve dhe se morëm vesh asnjëherë, që ata farë injorantësh të arrinin të përzgjidhnin gjëra nga më të mira të plaçkave tona duke patur plaçka të tjera me më shumë pamje e volum. Të gjitha këto që tregova më sipër në konceptin demokratik perëndimor quhen veprime të paligjshme e ç’njerzore dhe që shkelin të drejtat e njeriut etj, por në sistemin komunist që jetonim, ato quheshin veprime krejt normale, biles nga përmasat e zbatimit quheshin të privilegjuara dhe të buta, sidomos tek familja jonë edhe pse nëna jonë ishte e motra e “shokut Esat”.
Në fakt pavarësisht se babai ynë akoma nuk kishte dalë në gjyq dhe nuk dihej a do të shpallej fajtor apo ishte i pafajshëm, persekutimi i planifikuar ndaj nesh si pjesë e familjes së mbetur pa babanë, vazhdonte normalisht duke na trajtuar tamam si familje e një krimineli të deklaruar me gjyq. Apartamenti që ne banonim përbëhej nga 5 dhoma, 1 guzhinë, 2 banjo (njëra lavanteri), 1 depo, korridor i madh dhe 2 bodrume. Këto ambjente ishin të mbushura e të mobiluara për një jetë normale për gjithë familjen, por për çudi pas dy – tre ditësh që mbaroi iventari, na flakën jashtë duke na vënë në dispozicion të familjes një karrocë me dy rrota të mëdha e me kal për të ngarkuar pajisjet shtëpiake që na takonin sipas ligjit komunist të atëhershëm. Proçesi i flakjes tonë nga shtëpia u krye nën kontrollin e rreptë të banorit të ri që do të hynte në apartamentin tonë i cili ishte Monstra komuniste Mihal Bisha po nga Delvina, shumë na përcollën duke na tallur edhe banorët e rinj komshij por komunistë si ajo e Zija Shapllos, Dant Shapllos, Emine Mezinit etj. Shumë e rëndë për ne dhe e paharruar do të mbetet në kujtimin tonë fyerja që na bëri i ati i Mihal Bishës i cili në momentin e nisjes së karrocës bërtiste me deklamim: “Sikter o haletë e mutit”, në esfel vafshi. etj. sharje të këtij niveli. Imagjinoni një grua e re me 3 fëmijë të parritur mirë, t’i hipësh në mes të dimrit me shi në një karrocë transporti të tillë të pambuluar vetëm me 2 dyshekë, 2 jorganë, 2 batanije dhe ca tasa e tenxhere së bashku me 2 këllef jastëku të mbushura me ca plaçka për veshje. Kjo qe e gjithë pasuria që na u dha nga Partia për të filluar “jetën e re”, por shumë e çuditshme ishte se u nisëm me karrocë, po ku do shkonim? Këtë vetëm ne nuk e dinim, atë e dinin vetëm persekutorët tanë që kishin në dorë fatin tonë. Raprezaljet komuniste pas të ashtuquajturit “çlirim i vendit” ishin me të vërtetë të paimagjinueshme. Ato konsistonin në perfeksionimin e po atyre metodave që u përdorën nga bolshevikët në vitin 1917 në Rusi. Klasat dhe kategoritë shoqërore të përcaktuara që do të kalonin në proçesin e deklasimit nën trysnin e diktaturës së egër dhe ç’njerzore komuniste, duhet patjetër ti nënshtroheshin me plotë kuptimin e fjalës, GENOCIDIT TË VËRTETË! Arrestimet, pushkatimet e menjëhershme eksprese, zhdukjet e njerzve me vendime të marra në këmbë, në formë “bisedash pesë minutshe” nga gjykatat territoriale partizane për ekzekutime në grupe masive u bënë të zakonshme. Të gjitha këto bëma u shpeshtuan dhe morën formë definitive në prag të “çlirimit” të vendit dhe vazhduan intensivisht me të njëjtin ritëm derisa zhdukën çdo gjë të vjetër apo të gjitha klasat apo kategoritë shoqërore që nuk përputheshin me ta. Të gjitha këto raprezalje shoqëroheshin me nxjerrjen dhe dëbimin nga shtëpitë të grave, pleqve, fëmijëve të pa rritur etj. duke ju sekuestruar në emër të revolucionit dhe duke ju vjedhur çdo gjë që ata dispononin dhe pastaj i çonin për të banuar nëpër depo të braktisura, stalla apo edhe në ndonjë qoshe të pa banueshme të ndonjë ambjenti apo shtëpie private në periferi të qytetit që të ishin lehtë për t’u kontrolluar. Këta fakir-fukarenj me rekomandim nga lart, duhet të lëviznin në befasi brenda 2 – 3 orëve dhe kjo bëhej me qëllim që të kapeshin në situatë ekonomike të atilla që të kishin edhe xhepat bosh, dmth të mos kishin para as për bukën e gojës, pa llogaritur për problemet e tjera që lindnin nga këto lëvizje të imponuara në çast e me dhunë. Ata me të tilla metoda donin që të çorientoheshin, demoralizoheshin dhe shpresonin që këto apo këta viktima të kalonin në ndonjë pozicion të degjenerimit moral, apo të kalonin në pozita depresive dhe të hynin në rrugën e të çmëndurve. Në rrjedhim të këtij programi kriminal edhe familjes tonë i takoi pjesa e vet. Kështu që gjatë këtyre ditëve të mallkuara edhe familjes tonë i vunë në dispozicion një karrocë me dy rrota dhe me kal të “bardhë” për të na çuar në një dhomë që do ta përshkruaj më pas në rrugën e “Shëngjergjit” sot rruga “Ali Demi”! Sulmi “Blitz” që iu bë familjes tonë me siguri, mendojmë ne, ishte me porosi të veçantë nga “miku” ynë Enver Hoxha sepse ai veç dobësive të tjera të njohura, kishte edhe shpirt sadisti me vlera mjaft të konsiderueshme. Lakmia për para, flori, xhevahire siç thamë më lart për të i kishte nxitur një dëshirë maniake për shkatërrimin total të familjeve të vjetra me traditë apo të pasura dhe ai nuk pyeste se cilin godiste, shokun, mikun, të afërm apo kushdo që të ishte, mjafton që ai të arrinte qëllimin e tij të mbrapsht e të poshtër. Ndërsa për problemin tonë, informacionin për sasinë ekzakte të monedhave të arit të Hiqmet Bej Delvinës që babai i pati në ruajtje, ai e pati marrë nga informacione brenda familjes, por mesa duket tani ai kishte vendosur ti merrte me dhunë, “rruga miqësore” nuk kishte funksionuar, pasi “mjaft ishte munduar” si njeri apo si mik me atë rrugë që në 1940 – 1941! Ky operacion terroristo – policor ndaj familjes sonë ishte mjaft i lexueshëm se kush ishte urdhër-dhënësi, por ç’t’i bëje? Ndërhyrja e Andrea Memës tek valixhja e babait u krye personalisht nga ai, vetëm ai dhe babai. Andrea veproi me shumë kujdes sepse nënkuptohet që po ia kryente porosinë “Zeusit”. Por fatkeqsisht nga kontrolli i imët që ai i bëri valixhes, i bie në dorë edhe ajo e mallkuara dëftesë që Dragush Delvina i biri i Hiqmet Beut dhe Inajet Delvina (e shoqja e Hiqmet Beut) i kishin lëshuar babait tonë që në vitin 1945, pasi kishin marrë tërë arin që Hiqmet Beu ia kishte dorëzuar në ruajtje babait tonë. Kjo gjetje ishte për të zi të të dy palëve, babai i sëmurë dhe Doktor Dragushi me gradën Major – Doktor në Divizionin e Gjirokastrës. Ai kriminel Andrea sikur u qetësua kur gjeti “aktin e dorëzimit”, thoshte babai. Në tërë këtë histori vetëm “Përbindëshi” Enver Hoxha doli i fituar. Por edhe Andrea Memës kjo gjetje i shkoi për mbarë, u lavdërua si specialist në hetusinë kriminale, por edhe babain tonë përkohësisht sikur e lehtësuan nga torturat e “3 mosketjerve”, Andrea Mema & Naum Bezhani & Ymer Kaçani. Pas kësaj ishte projektuar dhe një bela tjetër për baban tonë nga sadisti Enver Hoxha. Atë e brente edhe një kuriozitet tjetër të cilën mendonte ta zgjidhte me babain, prandaj urdhëroi fillimin e hetimit për këtë çështje të re. Në vitet 1940 – 1941 Enveri si me shaka e pyeste babain tonë shumë shpesh, more Neki Bej, ai Riaz Bej Vlora, miku dhe kushëriri yt, djalë xhaxhai apo vëlla i Nuredin Bej Vlorës, kushedi në ç’hall është, se besoj se atij ja kanë besuar ruajtjen e parave të sojit të tij, ai nuk më duket njeri i zgjuar, lëre pastaj se sa i vështirë është një mision i tillë sot në këto kohra të vështira. Ik ore, i thoshte babai: ç’të ha meraku ty për pasuritë e pashallarëve, ato i dinë vet ata, pse më pyet mua? Kujdestar apo roja i tyre jam unë? Mirëpo për çudi në ato rrethana shumë të vështira për babain në ato birucat e Degës së Brëndshme, të “3 mosketjerët”, Andrea Mema & Naum Bezhani & Ymer Kaçani filluan hetuesinë për të zbuluar në rast se babai ynë duke përfituar nga kushërirllëku dhe miqësia e ngushtë që kishte me Riazin, mund të jepte ndonjë informacion për vend-ndodhjen e thesarit të familjes Vlora këtu në Shqipëri. Këtë bindje sadisti Enver e bazonte se e shihte që Riazi i shkretë si beqar dhe i moshuar që ishte, vetëm tek ne gjente ngrohtësi familjare, drekonte shpesh dhe biles kur e zinin orët e vona tek ne, rrinte dhe flinte, me babain iu shkonte shumë muhabeti duke i thënë se ti je njeriu më i dashur për mua, dhe këto gjëra i dinte mirë Enveri. E kuptova menjëherë – thoshte babai, sepse ky hetim kaq i përpiktë i atyre hetuesve aq injorantë, nuk ishte profesionalizmi i tyre, ata shfrytëzonin të dhënat e atij krimineli sadist e të pa – skrupullt që nuk u ngop kurrë me të vjedhura. Kjo i detyroi ata palo hetues të më kalonin në një cikël të ri torturash për këtë çështje krejtësisht absurde. Kështu që nga 16 – 17 muaj arrest që bëri, gati 1 vit e kaloi i izoluar në Seksionin e Punëve të Brëndshme. Ju mbeti pishman që Riaz Beu ju hiku nga dora sepse ai qyqar gjeti një rrugë shumë origjinale për të fituar “Lirinë”. Kur po e hetonin në katin e III – të godinës të lidhur, ai i sygjeroi hetuesit se do të fliste, por kërkoi ti zgjidhnin duart dhe trupin që e kishin lidhur në një karrige fikse se ishte vapë dhe nuk përqëndrohej dot, hetuesi e pranoi kushtin por pas pak ai u turr tek dritarja që ishte e hapur dhe u hodh me kokë vdekur në vend, kështu ai e mori misterin e vendndodhjes së parave të sojit me vete në atë botë dhe pas kësaj e “hëngri” hetuesi për pakujdesi në detyrë dhe babai ynë në vend të Riazit. Dalja e babait nga burgu pas një kohe kaq të gjatë, la në trupin dhe shëndetin e tij gjurmë të pariparueshme. Ai ishte me peshë trupore të madhe mbi 100 kg dhe vuante nga diabeti kronik në fazë të avancuar. Torturat nga më ç’njerzoret që i ishin bërë atij mbi trup nga regjizorët kriminelë Andrea Mema, Naum Bezhani, Ymer Kaçani etj, i kishin hapur edhe një proçes të rëndë tuberkular. Varja me kokë posht i lidhur në të dy këmbët me një litar që kalonte në një karukëll të fiksuar në tavan, mbi një vaskë të mbushur me ujrat që rridhnin nga lavamanët e instaluara nëpër nevojtoret e katit, ishte vendi ku hetuesia zhvillonte proçesin, por njëkohësisht kënaqnin edhe epshet e tyre kriminale. Këta palo hetues, thoshte babai – na zhytnin kokën në ujin e vaskës deri në qafë dhe pas pak na ngrinin dhe na pyesnin: E, e, a do flasësh? apo do ngordhësh aty ku je? Nuk e di hetusi kam bërë dhe unë, por nuk kam arritur të mendoja se mund të punohej si ata. Gjithashtu e rëndë ishte edhe tortura e ushqimit, atë supë apo lëng që na jepnin, e bënin me super dozë kripe për të na nxitur etje dhe pastaj na linin për ditë të tëra pa ujë. Mua ma praktikuan shumë këtë variant sepse e dinin që unë vuaja nga diabeti dhe se diabetikët kanë etje të madhe.
Kështu pas një kohe të gjatë me këto regjime gangsterësh e shkatërruan fizikisht por kurrë moralisht. Ne familjarisht duke e ditur se si zhvillohej hetuesia aty brenda, ngushëlloheshim kur merrnim vesh se ai ishte akoma gjallë. Shumë e rëndë sidomos për babanë e pastaj për ne, ishte dalja e tij përpara gjyqit në Tiranë. Kur u njohëm me akt – akuzën qesharake që i atribohej atij, na erdhi për të qarë dhe njëkohësisht për të qeshur. “Ju lumtë atyre” sepse ata çdo punë që kishin me të, i realizuan siç e spjegova më sipër më së miri, të dy shumat e parave i morën, të Hiqmet Beut edhe tonat njëkohësisht, u bindën edhe për çështjen e Riaz Vlorës se babai ynë nuk kishte asnjë farë dijenie për vendndodhjen e parave të tij, atëherë sipas praktikës së tyre të atëhershme vendosën ti bëjnë një gjyq fars e qesharak dhe ta dënojnë me kohën e paraburgimit për 18 – muaj dhe ta lirojnë në sallë. Akuza që iu bë ishte shumë komike, pretendohej se në Dhjetor – 1945, ai kishte thyer te këpucari i tij Adem Borova 4 – stërlina angleze në lek dhe se ky veprim ndalohej sipas tyre me ligj, gjë që u vërtetua po në atë gjyq sepse në atë kohë që akuzohej babai për këtë veprim, akoma nuk kishte dalë ligji që e dënonte këtë veprim qesharak. Kështu që kjo akuzë vlejti për të na sekuestruar pasurinë e tundshme e të patundshme, si edhe kalimin nga të gjithë ne të vuajtjeve që përshkrova më lart. Megjithatë situata na detyronte të heshtnim dhe kurrë të mos ankoheshim për ç’ka ndodhi me ne se, përndryshe dhe ankimin tonë e kanalizonin në nenin “55”, për “Axhitacion e propagandë kundër pushtetit popullor” dhe dënoheshim ne më rëndë sepse konsiderohej “Faj politik”!