Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Iliazi: Azem Shkreli, si një far ngashënjyes

Me shfaqjen e krijimtarisë së Azem Shkrelit në fund të viteve ’50 dhe në fillim të viteve ‘60, poezia moderne shqipe shënoi kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit. Poezia e Shkrelit erdhi si një lojë supreme, në kuptimin e fismë të fjalës, si manifestim i lirisë dhe trillimësisë së kulluar, me një dritshmëri të papërsëritshme.

Në veprat e shumta, të përmbledhura në disa vëllime, shquhet tërë personaliteti i tij në zjarrin e fuqisë së fjalës, të gjitha përvojat krijuese, që nga më të zymtat, deri te ato më ngazëllyeset. Po ta krahasojmë me arkaizmin e shijeve estetike të bashkëkohësve të tij, shohim se Shkreli e vuri veten në zemër të modernetit në lëvizje, pa rënë vikimë e mistifikimit të progresit. Oigjinaliteti, krijimi spontan, është kriteri themelor i modernitetit, duke iu kundërvënë asaj që është artificiale, modës me të cilën mbështillen shumë pseudokrijues, për të simbolizuar autonominë e tyre esetike.

Duke u çliruar nga rregullat, që dukej sikur kishin përcaktuar gjithmonë natyrën dhe idealin e letërsisë, krijimtaria e A. Shkrelit u dallua në konceptimin e një estetike të re, ku modernia nuk i kundërvihet të moçmes dhe tradicionales. A. Shkreli e ravijëzoi portretin e tij lirik si një romanik modern, pasi u bë nismëtar i një ndryshimi thelbësor në punën me ligjërimin, të pandarë nga sugjerimi i përvojës njerëzore, që mund ta lidhë po aq ngushtë ndjeshmërinë me ligjërimin, sa dhe ligjërimin me ndjeshmërinë.

Modern për nga ambicja e tij për një tejkalim të vazhdueshëm të përvojës së fituar, Azem Shkreli është i tillë edhe për nga vëmendja që tregon për të dhënat e pandërmjetme të së tashmes së jetuar, drithërimat intime të së cilës i paraqet me intensitet, duke trazuar edhe atë që është e qetë.

Moderniteti në krijimtarinë e tij nuk është vetëm ndjenja e çastit, nuk është vetëm kalimtarja, por edhe tërësia, origjina, idili patriotik; tërësia e qënies, gjysma e së cilës është e përjetshmja dhe e pandryshueshmja.

Shkreli është modern pikërisht për këtë bashkim, që përfshin në vetvete vullnetin për të tejkaluar traditën, duke ruajtur mësimet e saj të çmuara, në emër të një kërkimi estetik, që është i etur për të vërtetën e qënies. Ky kërkim ngulmues, dramatik, i dhimbshëm, e urdhëron poetin të zhytet në fund të së panjohurës, për të gjetur diçka të re pasi, sa më joshës të jetë ngashnjimi i misterit, aq më i fortë dhe i tendosur duhet të jetë vullneti për të nxjerrë andej të fshehtat e njohjes.

Poezia e Azem Shkrelit mbetet një far ngashënjyes, që shpesh i prin ndjeshmërisë sonë në udhën dejt mistereve të ekzistencës, ku kyqëzohen dy botë, e lashta dhe e reja.

Sa romantik, aq dhe klasik, ai ishte një mjeshtër dhe alkimist i hollë i një realiteti, ku miksohet uni lirik intim me atë kolektlv.

A. Shkreli e fton çdo krijues të tregohet i ndjeshëm ndaj kohës së tij, të kuptojë lëvizjen e historisë në epokën që jeton dhe të sjellë pjesën e tij të imazheve dhe ndijimeve origjinale.

Vepra e tij mbetet një mësim autenticiteti dhe vërtetësie, që do të mbijetojë gjatë në brezat letrarë.

BIOGRAIA

Azem Shkreli u lind më 10 shkurt 1938 në Rugovë të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa në Prishtinë shkollën e mesme, për të vazhduar Fakultetin Filozofik, degën e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Për shumë vjet ai ka qenë kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit. Vdiq në pranverën e vitit 1997.

Ka botuar këto vepra në poezi: “Bulzat” (1960), “Engjujt e rrugëve” (1963), “E di një fjalë prej guri” (1969), “Pagëzimi i fjalës” (1981), “Nata e papagajve” (1990), “Lirikë me shi” (1996). Në prozë: “Karvani i bardhë” (1961), “Sytë e Evës” (1975), “Muri i përfundi shqipeve”, “Shtatë nga ata”, si dhe dramat: “Fosilet” (1968), “Varri i qyqes” (1983), etj. Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja.

NË VEND TË PËRSHËNDETJES

Shko se furishëm po fryn në mua erë mallkimi që s’të fal.

Dhe, dije mirë, kurrë më një e një nuk bëjn’ një si thonte Hikmeti, ai farë poeti me këngë prej zjarri.

Shko merri me vete lutjet tua, edhe hijen tënde hiqe zvarrë rrugëve si gjënë e ndyrë.

Mos u kthe pas.

Mos i harro sytë e përlotur në shtekballin tim.

Mos thuaj lamtumirë.

Asgjë mos thuaj.

Merri me vete gjurmët nëpër të cilat erdhe një natë më e përvuajtur se frika dhe hyre në mua.

Shko dhe bëhu fjalë e mbrame n’gojën time.

Bëhu shkrepëtirë e fikur n’ylberin e shkrimit tim.

Bëhu çdo gjë pos Meje e Teje dhe asaj që e quajtëm Ne kur i zinim yjet si fluturat e ua ngjisnim nganjë emër mos ta harrojmë emrin tonë.

Shko, merri me vete edhe rrugët, të mos kthehesh kurrë në vesën e lotit të rrejshëm, gërmadhat e kujtimit t’i rrëzosh.

Shko, mbyllu në do kështjella të largëta harrimi, ku s’të zgjojnë më këmbonat e pendimit kur çmendet mallit vetmia ose kur buza buzën e han n’pikllim, që mëkatin s’e lan, që s’mundet ta shpojë Gurin e rëndë, gurin e ftohtë të ndarjes.

Shko, më mirë dhe hesht. Mos u kthe mbas.

Mos i harro sytë e përlotur n’shtekballin tim.

Mos thuaj lamtumirë.

E kur t’shkojsh larg, më larg se prej blerimi n’blerim,

E kur t’shkojsh larg, më larg se prej zemre në zemër,

Aq larg sa ta harrosh edhe emrin tënd dhe zërin tim, fshihu prej vetes,

Shkurto flokëgjatat, mate me to mendjeshkurtrën tënde dhe mos qaj.

Shko se tmerrshëm po lodrojnë sonte n’mua rrëket e gjakut të ndezur.

PARA ELEGJISË

Një ditë do t’i marrësh në gji

gjethet e rëna të stinëve të tua

dhe do të kërkosh kot veten

shtigjeve të harruara të një moshe

e nuk do të kesh më as flokë ere,

as shikim ylberi ta matësh fillin

dhe fundin e mashtrimit tënd të shkurtër.

Një ditë do t’i shpalosh vjetët tua

si pajën e nuses së vdekur

e do të numrosh fluturat e shkuara

t’agsholeve t’prenduara

e s’do të kesh më as zjarr në buzë,

as lot në sy të qeshën ngrohtë,

të qajsh rrejshëm dhe t’i mahnitësh

djelmoshat.

Një ditë dot’i hash buzët e tua,

gjurmët e tua do t’i pështysh

dhe secilin muzg do ta pagëzosh

me nganjë pendim që dhemb

e s’do te kesh me as sy deti,

as hap te hedhur sorkadheje

te shohesh si t’perqeshin gonxhet

dhe te ikesh prej hijes sate.

Ruaju, moj se vashat më të bukura

i vret bukuria e vet.

KANGË RRUGE

Sonte kam dal me shëtit nëpër syt’ e tu,

gjethet e stinët me i përtri-

vetëm edhe sonte

E nëse kam me humbë në rrugicën e vetullave harkue-

mos i fik dritat e shikimeve shituese, se fikën

yjt e gëzimeve të kësaj nate.

Sonte kam dal me shëtit nëpër syt’e tu,

fushat e dëshirave gjelbëroshe me i gjesditë tanë natën-

vetëm edhe sonte

E nëse ke me kalue bulevardeve të krahnorit tim-

mos ik, se kam me t’zanë

langojt e harbuem t’gjakimit!

në flakën e tyne me ndezë edhe një fije shprese-

vetëm edhe sonte!

Sonte kam dal me shëtit nëpër syt’ e tu